You are on page 1of 6

DOSSIER 15 TETOR 2012 - 11:52

Ismail Qemali dhe grekët, një

marrëveshje që në vitin 1907

Marrëdhëniet e Shqipërisë me Greqinë zënë një vend të rëndësishëm në historinë e shtetit shqiptar që
në krye të herës. Megjithatë ato janë më shumë se kaq, janë marrëdhënie midis dy popujve fqinjë, të
cilët historia që nga lashtësia i ka vendosur herë në krah e herë përballë njëri-tjetrit.

Dr. Ledia Dushku, historiane pranë Institutit të Historisë sapo ka botuar monografinë "Kur historia ndau
dy popuj fqinj. Shqipëria dhe Greqia 1912-1914", monografi e cila synon të ndriçojë një segment të
shkurtër kohor të marrëdhënieve shqiptaro-greke, atë të viteve 1912-1914, periudhë mjaft komplekse,
ku loja diplomatike e Fuqive të Mëdha në Koncertin Evropian qëndronte përballë konflikteve të
armatosura etnike e politike, për territore dhe kufij.

Këto tre vite, që përkojnë me krijimin e shtetit të ri shqiptar modern, janë të tejmbushura me ngjarje, ku
përfshiheshin princër, kryeministra, diplomatë, klerikë, ushtarakë, fitimtarë, njerëz të përvuajtur, çeta të
armatosura, ushtri të rregullta, etj.

Libri, është një përpjekje për të hartuar një histori politike e diplomatike, të dokumentuar e
argumentuar, të marrëdhënieve shqiptaro-greke, ku politika e Greqisë zyrtare ndaj shqiptarëve dhe
çështjes së tyre kombëtare zë një vend të veçantë.

"Për vetë veçoritë e zhvillimit të marrëdhënieve ndërkombëtare në fillim të shek. XX, marrëdhëniet mes
shqiptarëve dhe grekëve nuk mund të analizoheshin pa u ndërthurur me kontekstin ballkanik dhe
zhvillimet e ndikimet e politikës së Fuqive të Mëdha. Trajtimi i qëndrimeve të elitës politike shqiptare në
marrëdhënie me fqinjët dhe ...Fuqitë e Mëdha, zë një vend të rëndësishëm në studim. Këtu spikatin
marrëdhëniet e dy prej figurave më të rëndësishme të politikës shqiptare të kohës: Ismail Qemalit dhe
Esad Toptanit, me zyrtarë të lartë të shtetit grek. Trajtimi me detaje dhe evoluimi i politikës greke për të
zotëruar territoret e pushtuara në Shqipërinë e Jugut, parë ai në varësi të qëndrimit të Fuqive të Mëdha
për kufirin shqiptaro-grek dhe ecurisë së çështjes së ishujve të Egjeut plotëson panoramën e
marrëdhënieve shqiptaro-grek", shkruan Ledia Dushku në parathënien e monografisë së saj, nga e cila ne
kemi shkëputur vetëm një fragment nga një prej linjave më interesante të librit, atë që flet për
marrëveshjet që lidhi Ismail Qemali me grekët, që në 1907, vit kur ende nuk ishte kristalizuar ideja e një
shteti të pavarur shqiptar. Çfarë marrëveshje nënshkroi me Neokli Kazazin, me çfarë statusi ishte, çfarë
përfshihej në këtë marrëveshje? Fragmenti i përzgjedhur nga libri i ri i Ledia Dushkut na zbardh shumë
detaje rreth saj.

ISMAIL QEMALI: ÇFARË MARRËVESHJE NËNSHKROI ME NEOKLI KAZAZIN

NGA LEDIA DUSHKU

Ismail Qemali ishte përfaqësuesi më i shquar i elitës politike shqiptare që mbështeti hapur
bashkëpunimin me Greqinë dhe ra në kontakte me rrethet e larta të politikës greke. Pikëpamjet në lidhje
me bashkëpunimin shqiptaro-grek, Qemali i bëri të ditura në intervistat e shpeshta dhënë në shtypin e
kohës dhe në gazetën e botuar prej tij, të titulluar “Sotiria-Alvania”, në shqip: “Shpëtimi i Shqipërisë”.
Gazeta filloi të botohej në Bruksel, në shtator të vitit 1901. Qëllimi i saj ishte mbrojtja e çështjes së
popujve të Lindjes dhe më së shumti ajo shqiptare, e cila konsiderohej prej tij e njëjtë me atë të popullit
grek. Simpatia për grekët ishte e dukshme në opinionet e tij. Ai i konsideronte ata vëllezërit natyralë të
shqiptarëve dhe bashkëpunimin shqiptaro-grek, alternativën e vetme kundër pansllavizmit, që
kërcënonte shqiptarët në të ardhmen e tyre. Edhe ekzistenca e elementit arvanitas në Greqi dhe pesha e
tij numerike duhet të ketë ndikuar në sendërtimin e bashkëpunimit shqiptaro-grek. Qemali ishte i
mendimit se, shqiptarët nuk duhet t’u zinin besë premtimeve të bullgarëve, të cilët ndonëse e shikonin
me kënaqësi lëvizjen shqiptare, në fund vepronin sipas interesave të tyre. Nëse shqiptarët do të bënin
lojën e tyre për t’u shkëputur nga Perandoria Osmane, Shqipërisë do t’i ndodhte ajo që për pak sa nuk i
ndodhi vetë Bullgarisë në vitin 1897, kohë kur, Rusia mbylli marrëveshjen e famshme me Austro-
Hungarisë, duke rënë dakord t’i jepte asaj Maqedoninë dhe Selanikun dhe të mbante për vete Bullgarinë
dhe pjesën tjetër të territoreve osmane deri në Stamboll. Ndonëse ishte i ndërgjegjshëm për vështirësitë
që mund të haste në opinionin politik dhe publik shqiptar për krijimin i një lidhjeje shqiptaro-greke, ai
shprehte bindjen se lidhja ishte shumë e dobishme si për shqiptarët, ashtu edhe për grekët. Ndjenjat e
popullit grek ishin të njëjta me ato të popullit shqiptar dhe ndërgjegjja e tyre manifestohej spontanisht e
bashkuar për t’u mbrojtur kundër armikut të përbashkët.

Për të gjitha sa më sipër, në vazhdimësi Ismail Qemali ishte parë me interes të veçantë nga rrethet e
politikës greke, të cilat shprehnin konsiderata të larta për të. Politikani i lartë grek, kryeparlamentari
Nikolla D. Levidhis, në serinë “Përkujtime Historike dhe Politike”, botuar në gazetën Eleftheron Vima, në
lidhje me I. Qemalin shprehej: “Është mysliman nga feja, por armik fort fanatik i turqve. Ka të rritur në
vehte, në gradën më të lartë, ndjenjën e rracës së tij. Ëndërron komb shqiptar me lidhje dhe vëllazërim
me kombin grek. Qemal beu, greqishten e flet si grek intelektual, meqenëse ka studiuar në shkollën
“Zosimea” të Janinës. Është politikan i dorës së parë, figurë politike me rëndësi të madhe, që din tërë
çështjet që i interesojnë Ballkanit”. Interesimin e përforconte edhe shkollimi në gjimnazin “Zosimea” të
Janinës, vlerësimi që Qemali shprehte për kulturën e Greqisë Klasike dhe lidhjet familjare. Gruaja e tij e
dytë, Kleoniqi, ishte greke, nga familja aristokrate e Surmerlijve në Edrene. Pikëpamjet e shprehura, pa
anashkaluar këtu edhe mbështetjen për zbatimin e paragrafit 23 të Traktatit të Berlinit, që kishte të
bënte me të drejtat e popullsisë vendase të ishullit të Kretës, kishin sjellë kontakte të herëpashershme
mes tij dhe shtetarëve grekë.
Kontaktet e para mes Ismail Qemalit e politikanëve të lartë grekë, nisin në pranverë të vitit 1900, fill pas
arratisjes së tij të bujshme nga Perandoria Osmane, me një anije britanike. Si mbështetës dhe i
mbështetur nga Britania e Madhe, pinjolli i Vlorajve nuk mund të mos pritej mirë në Athinë. Politika
zyrtare greke e manifestonte dukshëm simpatinë ndaj Mbretëreshës së Deteve, e cila përforcohej edhe
për faktin se mbreti i Greqisë, Jorgo I, ishte vëllai i mbretëreshës britanike, Viktoria. Me të mbërritur në
portin e Pireut, I. Qemali u prit nga koloneli arvanitas Suço, i dërguar nga qeveria greke për ta marrë e
për ta akomoduar mikun e sapoardhur në një nga hotelet më të mira të Athinës, që jo rastësisht mbante
emrin “Grande Bretagne”. Ditën e mbërritjes, Qemali takoi kryeministrin Theotokis dhe ministrin e
Luftës, Samandos. Tre ditë më pas, ishte mbreti Jorgo ai që u tregua tejet i përzemërt dhe dashamirës në
audiencën mbajtur enkas për të. Vizita e Ismail Qemalit në Athinë u pasqyrua gjerësisht në shtypin grek, i
cili u mëshoi “lidhjeve etnike” midis grekëve e shqiptarëve, prejardhjes pellazgjike dhe afrimit shqiptaro-
grek. Në shkrime u vunë në dukje edhe rëndësia që popullsia arvanitase kishte luajtur në shtetformimin
grek dhe ekzistenca e shtetarëve grekë me origjinë shqiptare. Gjatë qëndrimit gjashtëjavor në
kryeqytetin grek, Qemali nisi drejt qendrave kryesore shqiptare, një thirrje ku u shpjegoi
bashkatdhetarëve të tij arsyet që e kishin detyruar të largohej nga Perandoria Osmane, me të cilën, ai
shprehej se shqiptarët ishin të lidhur dhe kishin dëshirë që ekzistenca dhe lavdia e saj të vazhdonin.

Në realizimin e kontakteve mes tij dhe zyrtarëve grekë luajti rol “Lidhja Arvanitase e Athinës”. Ajo
mbështeste fort krijimin e një shteti dualist shqiptaro-grek sipas modelit të Austro-Hungarisë, të cilin e
konsideronte si alternativën e vetme për të mënjanuar ndikimet sllave, austro-hungareze dhe italiane në
Ballkanin Perëndimor. Lidhja përpiqej të influenconte pranë qeverisë greke për hapjen e katedrës së
gjuhës shqipe në Universitetin e Athinës dhe për themelimin e një banke shqiptaro-greke në Janinë.
Kontaktet e Ismail Qemalit me autoritetet greke u bënë më intensive që prej vitit 1906. Sipas historianit
grek, Vasilis Kondis, qeveria greke po e afronte I. Qemalin me qëllim që të arrinte me të një marrëveshje.
Për ministrin francez në Athinë, një marrëveshje dhe bashkëpunim i sinqertë midis grekëve dhe
shqiptarëve do të shënonte etapën e parë dhe të sigurt drejt rregullimit të çështjes së Lindjes, në mënyrë
të tillë që të garantohej edhe integriteti i Perandorisë Osmane, edhe të mbrohet zhvillimi i kombësive
aborigjene. Në këtë periudhë, pinjolli i Vlorajve ishte në kontakte të vazhdueshme me ministrin e
Jashtëm, Aleksandër Skuzes si dhe me shefin e seksionit të politikës së jashtme greke, Panas. Ky i fundit
luajti rolin e ndërmjetësit në çdo relacion politik të qeverisë greke me Ismail Qemalin. Bisedat e fshehta i
nisi kryetari i parlamentit grek, N. Levidhis. Në vazhdimësi, Levidhis kishte mbajtur marrëdhënie të mira
dhe kishte ruajtur kontakte si me Ismail Qemalin, ashtu edhe me “Lidhjen Arvanitase të Athinës”. Për
qeverinë greke, puna e tij konsiderohej të ishte tejet e rëndësishme, për shkak të marrëdhënieve të
acaruara që grekët kishin me osmanët. Në takimin e 5 marsit 1907, organizuar në shtëpinë e
kryeparlamentarit grek, Qemali dhe Levidhi diskutuan për krijimin në Athinë të një lidhjeje të fshehtë
shqiptaro-greke, nën drejtimin e qeverisë greke. Në vijim ata u takuan me kryeministrin Theotokis. Pas
takimit të tre pjesëmarrësit deklaruan marrëdhëniet e mira që ekzistonin mes grekëve e shqiptarëve.

MARRËVESHJA E ISMAIL QEMALIT ME KRYETARIN E SHOQËRISË “HELENIZMI”


Me kërkesë të Athinës zyrtare, më 22 mars të vitit 1907, Ismail Qemali lidhi një marrëveshje me kryetarin
e shoqërisë kulturore “Helenizmi” (O Ellinizmos), profesorin e Universitetit të Athinës, Neokli Kazazi.
Parimet e marrëveshjes dhe të bashkëpunimit greko-shqiptar, të specifikuara në një protokoll special
ishin: “Mbrojtja reciproke dhe e përbashkët e të drejtave të secilit prej të dy popujve kundër cilitdo armik
dhe element; kufizimi i ambicieve të të dy popujve brenda kufijve të tyre historikë dhe gjeografikë, duke
marrë në konsideratë shumicën e banorëve që flasin një nga të dy gjuhët; edukim kombëtar pa
shqetësim violent të status quo-së aktuale”.

Bashkërisht palët angazhoheshin të punonin për të forcuar lidhjet vëllazërore dhe për të mbrojtur
interesat e përbashkëta shqiptare e greke; duke respektuar status quo-në politike, të përgatiteshin për t’i
bërë ballë çdo ndërhyrjeje të huaj, drejtuar kundër tyre ose njërit prej tyre; në rast ndryshimi politik në
Gadishullin e Ballkanit, të kooperonin për të vendosur secili unitetin e tij kombëtar dhe autonominë sipas
përshkrimit të artikullit 2; të punonin në mënyrën e duhur për përhapjen e këtyre parimeve, në vendet
greke dhe shqiptare. Krahas angazhimeve të përbashkëta, palët merrnin edhe angazhime të veçanta.
Kështu, Ismail Qemali zotohej të themelonte një shoqëri shqiptare me qendër në Paris, synimi i së cilës
do të ishte “të ndriçojë shqiptarët nëpërmjet shtypit dhe politikës, mbi të drejtat dhe interesat e vërteta
dhe mbi domosdoshmërinë e marrëveshjes dhe kooperimit me grekët”. Shoqëria do të botonte një
gazetë, me anën e së cilës “do të përpiqej të zhvillojë te shqiptarët qëllimin e ndjekur dhe
domosdoshmërinë e kooperimit me grekët, do të luftojë çdo sjellje që synon dështimin e këtij qëllimi,
largimin e grekëve nga shqiptarët, të lidhur nga fqinjësia dhe traditat historike dhe do të refuzojë çdo ide
të këtij lloji”. Po ashtu, ajo angazhohej të mbante marrëdhënie të vazhdueshme me shoqërinë
“Helenizmi” dhe seksionin greko-shqiptar të saj. Shoqëria greke premtonte të refuzonte dhe të luftonte
çdo ide të kundërt me marrëveshjen greko-shqiptare; të ushtronte të gjithë influencën e saj për
përhapjen dhe mësimin e gjuhës shqipe, nëpërmjet shkollave greke të Shqipërisë dhe të kujdesej që kleri
ortodoks të mos haste në pengesa për përhapjen dhe dhënien e mësimit të shqipes, por duke ruajtur në
të njëjtën kohë gjuhën fetare, atë greke. Sakaq, serisë së gjatë të shoqërive politike, me qendër në Athinë
iu shtua komiteti shqiptaro-grek, i quajtur “Baóqimi Óqéðtarvåt å Elinvåt” (Bashkimi i Shqiptarëve dhe
Elinëve). Mbështetur në telegramin që Legata e Perandorisë Osmane në Athinë nisi për ministrin e
Jashtëm osman, pjesa greke e komitetit përbëhej nga zotërinj që pretendonin ose ishin me origjinë nga
Shqipëria, si deputetët, Z. N. G. Dragumis , G. Valtaxhis, Y. Vevulis, dhe oficerët Jani Kosta, Duka, Danglis,
Melas, Xhavella, Konmeluriotis, etj. Pjesën shqiptare e përfaqësonte Ismail Qemali.

Më 22 mars 1907, Komiteti lëshoi një deklaratë, të cilën ia adresonte “të gjithë miqve dhe mbrojtësve të
lirisë dhe drejtësisë jashtë vendit”, si një përpjekje për të siguruar bashkëpunimin e tyre. Spalmja, kështu
quhej deklarata, u shpall në dy gjuhë: greqisht dhe shqip, e cila nuk ishte e pastër, por e shkruar me disa
germa të alfabetit grek. Një kopje e saj gjendet në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të
Shqipërisë. Psalmja ishte e konceptuar në dy pjesë. Në të parën bëhej një historik i shkurtër i shqiptarëve
dhe grekëve, i prejardhjes, interesave dhe armiqve të përbashkët, të cilët përcaktoheshin qartë se ishin
Perandoria Osmane dhe Bullgaria. Aty pranohej ekzistenca e kombit shqiptar dhe të drejtat e tij
kombëtare. Bëhej fjalë për një afrim midis “Elinvåt e Óqéðtarvåt, qe kan qen nga håra çe fis, çe ãak qe
kane, çe åntåråso åäå çe rezik” [Grekëve dhe Shqiptarëve, që kanë qenë ngaherë një fis, një gjak, që kanë
një interes edhe një rrezik]. Ata, si dy prej kombeve më të forta të Gadishullit të Ballkanit, “me íëezeri te
viåter ubaókuam å uliäem ðer te dråqtat å åntåråsat tona” [me vëllazëri të vjetër u bashkuam e u lidhëm
për të drejta dhe interesat tona].
Pjesa e dytë u kushtohet angazhimeve të përbashkëta të palëve, të konkretizuar në pesë pika. Shqiptarët
dhe grekët binin dakord të ruanin status quo-në, por, nëse punët e Lindjes ndryshonin, “Óqéðeria te jåt
ålire å otonomå, åäå vendet å Elinvåt te baókonet må Elinet” [Shqipëria të jetë e lirë e autonome dhe
vendet e grekëve të bashkohen me Greqinë], pra Shpallja njihte parimin e kombësisë në përcaktimin e
kufijve. Por palët ishin të ndërgjegjshëm që vija kufitare mund të mos përputhej plotësisht me vijën e
kombit, çka i nxiti ata të merrnin angazhime edhe në lidhje me pakicat. Sipas programit “Elinet e
Óqéðåtaret nuk duam kombåt qe ñojen månå as te ãendån ne ótergim as te humbasen kombesin. Èåmåli
i ðrogrames tone å deóirimåt tona jane çedo bås te jåt å lire, çedo fare te jåt å barkuar, çedo kombe te
ket ne politik otonomi, ãiè kombåt qe jan månå te ðunojen ðer te mire åãiève” [Grekët e Shqiptarët nuk
duan që kombet, të cilët do të jenë me ne, as të gjenden në shtrëngim, as të humbasin kombësinë.
Themeli i programit tonë është dëshira që çdo besë të jetë e lirë, çdo farë të jetë e bashkuar, çdo komb
të ketë politikë autonome. Gjithë kombet që janë me ne, të punojnë për të mirën e përgjithshme].
Shpallja, sikurse edhe Protokolli Special i marrëveshjes Qemali-Kazazi, nuk hynte në detaje për vijën
kufitare shqiptaro-greke, pa përcaktuar kështu se cilat ishin tokat e grekëve e ato të shqiptarëve.

Protokollit Special midis Ismail Qemalit dhe shoqërisë greke “Helenismos”, me kryetar Neokli Kazazin. Ai
është botuar i plotë në Ismail Qemali (Përmbledhje dokumentesh 1888-1919), përgatitur për botim nga
Teuta Hoxha, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shtetit, Tiranë: “8 Nëntori”, 1982, f. 112-113. Ai
është siguruar nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Turqisë (DBAI, Albanie C/337).

Po ashtu një fotokopje e origjinalit dhe transkriptimi i protokollit special jepet edhe nga Thanos
Anagnostopulos në librin e tij: ÈÜíïò Áíáãíùóôüðïõëïò – Ðáëáéïëüãïò, ÅëëÜò êáé Áëâáíßá óôéò áñ÷Ýò ôïõ
20ïý áéþíá. ÔåêìÞñéá áðü ôï áñ÷åßï ôïõ ÍåïêëÞ ÊáæÜæç, Èåóóáëïíéêç: ÊõñïìÜíïò, 1995, f. 224-231.

Në të dy botimet përmbajtja e Protokollit Special është thuajse e njëjtë.

“Byroja presidenciale e shoqërisë “Helenismos”, nga njëra anë dhe Ismail Qemali Bej, që po qëndron prej
disa kohësh në Athinë, nga ana tjetër, mbasi u mblodhën dhe mbasi morën në konsideratë planin që
përmbante bazat elementare të statuteve të shoqërisë shqiptare, që do të formohet në një qendër
evropiane, ranë dakord mbi nevojën politike të bashkëpunimit të popujve fqinjë aleatë, grek dhe
shqiptar, që kanë interesa dhe armiq të përbashkët, dhe vendosën bazat e mëposhtme të bashkëpunimit
dhe marrëveshjes së tyre.

Ismail Qemali angazhohej të themelonte një shoqëri shqiptare në një qendër evropiane, qëllimi dhe
puna e së cilës tregoheshin në artikujt kryesorë të statutit të saj si më poshtë:

Art. 1. Një shoqëri shqiptare do të themelohet me qendër në Paris, me qëllim që të ndriçojë shqiptarët
nëpërmjet shtypit dhe politikës, mbi të drejtat dhe interesat e vërteta dhe mbi domosdoshmërinë e
marrëveshjes dhe kooperimit me grekët.

Art. 2. Bazat e marrëveshjes dhe të kooperimit greko-shqiptar janë:

1. Mbrojtja reciproke dhe e përbashkët e të drejtave të secilit prej të dy popujve kundër cilitdo armik dhe
element.

2. Kufizimi i ambicieve të të dy popujve brenda kufijve të tyre historikë dhe gjeografikë, duke marrë në
konsideratë shumicën e banorëve që flasin një nga të dy gjuhët.
3. Edukim kombëtar pa shqetësim violent të status quo-së aktuale.

Art. 3. Ky artikull mungon në material

Art. 4. Ky artikull mungon në material

Art. 5. Shoqëria do të botojë një gazetë për realizimin e qëllimit të saj dhe do të nxjerrë në dritë botime
në gjuhët shqip, greqisht, frëngjisht dhe turqisht. Në organin e saj shoqëria do të zhvillojë te shqiptarët
qëllimin e ndjekur dhe domosdoshmërinë e kooperimit me grekët, do të luftojë çdo sjellje që synon
dështimin e këtij qëllimi, largimin e grekëve nga shqiptarët, të lidhur nga fqinjësia dhe traditat historike
dhe do të refuzojë çdo ide të këtij lloji.

Art. 6. Shoqëria duke aprovuar nevojën për të qenë në lidhje dhe komunikim idesh me çdo organizatë
tjetër që ndjek të njëjtin qëllim dhe që e ka qendrën në Athinë ose gjetkë, do të jetë në marrëdhënie të
vazhdueshme me shoqërinë “Helenizmos” që e ka qendrën në Athinë dhe seksionin greko-shqiptar të
asaj shoqërie. Hollësitë e këtij kooperimi do të rregullohen në një protokoll special.

Nga ana tjetër shoqëria “Helenizmos”, duke pranuar këtë kooperim premton:

1. Që ajo të refuzojë dhe të luftojë nëpërmjet kanaleve të organeve të saj të Athinës dhe të Parisit, çdo
ide të kundërt me marrëveshjen greko-shqiptare.

2. Që ajo të ushtrojë të gjithë influencën e saj për përhapjen dhe mësimin e gjuhës shqipe nëpërmjet
shkollave greke të Shqipërisë dhe të kujdeset që kleri ortodoks të mos hasë në pengesa për përhapjen
dhe dhënien e mësimit të kësaj gjuhe. Shoqëria do të punojë gjithashtu që dhënia e mësimit fetar në
gjuhën shqipe të ruhet në arsimin popullor, duke ruajtur në të njëjtën kohë gjuhën fetare dhe do të
kujdeset që influencat dhe propagandat e huaja të mos turbullojnë status quo-në fetare.

Të dy popujt do të punojnë për të shtrënguar lidhjet vëllazërore që i bashkojnë dhe për të mbrojtur
interesat e tyre të përbashkëta.

Duke respektuar status quo-në politike, ata do të përgatiten për t’i bërë ballë çdo ndërhyrjeje të huaj, të
drejtuar kundër të dy popujve ose njërit prej tyre.

Po ashtu ata duhet të kooperojnë për të vendosur secili unitetin e vet kombëtar dhe autonominë sipas
përshkrimit të artikullit 2, në rastin e një ndryshimi politik në Gadishullin e Ballkanit.

Të dy palët kontraktuese do të punojnë në mënyrën e duhur për përhapjen e këtyre parimeve, në vendet
greke dhe shqiptare.

Bërë dhe firmosur legalisht në dy kopje: çdo palë kontraktuese mori një kopje.

Athinë, më 22 mars 1907

You might also like