You are on page 1of 1

(TRANZICIONI DHE LIRIA EKONOMIKE NË SHQIPËRI), LEKTORIUM I HAPUR ME PROF. DR.

ANASTAS
ANGJELIN

 2008-01-15

Universiteti “Marin Barleti” zhvilloi mëngjesin e ditës së martë lektoriumin e hapur me temë: “Tranzicioni dhe liria ekonomike në Shqipëri” me
prof. dr. Anastas Angjelin, ku dhe u promovua libri i tij me të njëjtin titull.

“Përpara 17 vitesh askush s’e dinte çfarë ishte globalizimi. Dhe aq më pak dinin se ç’vend do të zinte Shqipëria në këtë proces. Kur një student
më pyeti një herë se ç’ishte globalizmi, mua më erdhi ndërmend princesha e Wales: Diana, angleze nga lindja, që humbi jetën në Francë,
shoqëruar me një arab, veshur me një kostum nga Java e Modës në Milano, mbi një makinë Mercedes prodhuar në Gjermani, ndjekur nga
paparazzi mbi motorra italianë e me aparate fotografikë prodhuar në Japoni...dhe mendova - Ja, ky është globalizëm!”.

Kështu e nisi bisedën prof. dr. Anastas Angjeli përpara auditorit të mbushur në Universitetin “Marin Barleti”, i ftuar për të mbajtur një lektorium
të hapur mbi temën “Tranzicioni dhe liria ekonomike në Shqipëri”, si dhe për të promovuar librin e tij me të njëjtin titull. Shkak për këtë të fundit
u bë një eksperiencë e gjatë shqiptare në fazën e tranzicionit, pasqyrimi i së cilës do të shërbente jo vetëm për të analizuar me frymë kritike
realitetin ekonomik, por do të perceptohej dhe si një detyrim ndaj atyre figurave politike dhe ekonomike të shtetit që dhanë kontributin e tyre. Me
pak fjalë: të dihet historia e ekonomisë, të analizohet përvoja dhe të mësohet prej saj.

“Tranzicioni nga komunizmi në ekonominë e tregut përfaqëson një nga eksperimentet më të rëndësishme të të gjitha kohërave” shkruante Joseph
Eugene Stiglitz. Z.Angjeli e shqyrton këtë proces transformimesh politiko-institucionale, duke analizuar reformat e ekonomisë së tregut, si dhe
nënshkrimin e Marrëveshjes së stabilizim-asociimit me Bashkimin Europian – si një obligim të madh ndaj këtyre reformave. Për të kryer këtë,
është analizuar transformimi nga një ekonomi e centralizuar dhe totalisht e komanduar në një sistem tipik komunist unipartiak (e organizuar në
ferma e kooperativa bujqësore, pa ekzistencën e aktiviteteve private apo investime të huaja dhe pa lëvizje të lirë të njerëzve e mallrave - duke çuar
në izolim) tek një ekonomi tregu në një sistem pluralist.

Periudha e 17 viteve më parë ishte për Shqipërinë një kolaps i plotë, ku faktori ekonomik u bë dhe faktor social. Z. Angjeli nuk harron të
përmendë hapat që u bënë për liberalizimin ekonomik dhe hapjen e moderuar ndaj investimeve të huaja dhe më përpara, në mesin e viteve ’80,
nga vetë kreu i shtetit Ramiz Alia. Ndryshimet e mëdha të viteve ’90 - ’91 sollën dhe nevojën e instalimit të ekonomisë së tregut për të përshtatur
një proces të ri ekonomik. Dhe është në këtë pikë që shfaqet tranzicioni si kalim nga ndihma asistenciale në reforma të mirëfillta ekonomike. Në
veçanti vitet 1997-1998 qenë periudhë stabilizimi e situatës së krijuar në 1996, bazë e përshtatshme për reforma në ekonomi dhe sistemin
financiar e bankar (realizuar me efikasitet dhe teknologji moderne, në një kohë që deri në ’97-ën Shqipëria s’kishte banka por firma piramidale).
Me gjithë përshkrimin e shkurtër të kësaj periudhe transformimi dhe elementeve më të rëndësishëm të tij (si liberalizimi i tregtisë dhe i sistemit të
këmbimit, privatizimi i pronës dhe aktiviteteve, zhvillimi institucional, pasojat, kolapsi i firmave piramidale), z. Angjeli qartëson se "do të
duheshin 17 vjet për të përshkruar 17 vjet". Pas kësaj ai ndalet në lirinë ekonomike.

Për matjen e lirisë ekonomike përdoren disa faktorë (si politikat tregtare; barra fiskale e qeverisë; ndërhyrja e qeverisë në ekonomi; politikat
monetare; rrjedhja e kapitalit dhe investimet e huaja; bankat dhe financat; pagat dhe çmimet; të drejtat pronësore; kuadri rregullator, tregu
informal) të gjithë këto në kuadrin e transformimit. Kjo matje është metodë për shprehjen sintetike të politikave të klimës ekonomike të një vendi.

Aty ku qeveritë kufizojnë popujt, sjellja e tyre ndryshon shpesh (dhe jo për mirë). Historia, në shumë vende të zhvilluara dhe jo vetëm (shih dhe
rastin e Shqipërisë në vitin 1997) ka vërtetuar se kur liritë kufizohen dhe orientohen vetëm në një drejtim, populli reagon. Sot liritë në Shqipëri
janë të konsiderueshme. Por duhet punë për t’i ruajtur dhe çuar më tej. Në këtë aspekt, qeveritë e dobëta ndikojnë negativisht në mjedisin e
biznesit dhe investimet e huaja S’u lanë pa përmendur shqetësimet dhe rreziqet e mundshme, si deficiti buxhetor, ai tregtar, inflacioni i fshehur,
papunësia, politikat jo efikase në investimet në ekonomi. Në konkluzionet e arrira, Z. Angjeli u ndal në ato historike, në funksion të lirive
ekonomike në vendin tonë për periudhën 1991-2007. Ai tha se tre pikat ku mund të përqendrohemi do të ishin: zgjidhja përfundimtare e çështjes
së pronave; puna më e madhe e institucioneve shtetërore me imazhin e Shqipërisë dhe stabilizimi i vendit në rajon e më gjerë.“Të gjithë pyesin
kur do të përfundojë tranzicioni, se jeta shkoi në tranzicion etj. Unë them se, në raport me ekonominë e centralizuar, sot Shqipëria e ka kaluar
tranzicionin. Privatizimi është kryer totalisht dhe janë instaluar institucionet e ekonomisë së tregut. Po nëse më pyesin në i ka përmbushur
Shqipëria standardet që kërkojnë ekonomitë e integruara të rajonit e ato globale, përgjigjja ime është jo. Nuk ka pasur kapërcim total të
tranzicionit. Kjo do të kryhet vetëm me hyrjen në BE nëpërmjet marrëveshjes së stabilizim-asociimit”.

Në përfundim, Z. Angjeli iu përgjigj pyetjeve të shumta (mbi sistemin bankar, amnistinë fiskale, trashëgiminë e problemeve ekonomike, kapitalin
shqiptar të bankave në Shqipëri, kredidhënien, etj.) të drejtuara nga studentët që kishin mbushur Sallën e konferencave në Universitetin “Marin
Barleti”.

You might also like