You are on page 1of 3

Sëmundjet që prekin sistemin tretës

Abscesi i mëlçisë shkaktohet nga bakteret, parazitët, ose nga funget. Bakteret
më të zakonshme janë Eschericia coli, Klebsiella pneumoniae, Bacteroides,
Enterocoçus. Absceset bakteriale zakonisht pasojnë shtrirjen e infeksionit nga
fshikëza e tëmthit. Mundet që absceset bakteriale të shkaktohen edhe nga
përhapja hematogjene e infeksioneve nëpërmjet venës porta (rastet me
apendisit ose me divertikulit), ose nëpërmjet arteries hepatike (rastet me
endokarditit bakterial ose pneumoni). Parazitët që shkaktojnë abscese të mëlçisë
zakonisht janë ameba. Shenjat e sëmundjes së mëlçisë janë: ethe, të dridhura,
verdhëz, dhimbje në epigastër, ose në hipokondrin e djathtë, dhimbja mund të
rrezatohet në shpatullën e djathtë.

Cirroza
Cirroza është gjendja në të cilën përfundon mëlçia pas sëmundjeve kronike që
shoqërohen me dëmtim të qelizave të mëlçisë, fibrozë, rigjenerim nodular, dhe
shtrembërim të mikroarkitekturës të mëlçisë. Fiziologjikisht, cirroza shkakton
pamjaftueshmëri të mëlçisë (pamjaftueshmëri biokimiko-metabolike dhe
pamjaftueshmëri të qarkullimit të gjakut në mëlçi). Shkaku numër një i cirrozës
është alkooli, ndërsa shkaku numër dy është hepatiti viral. Shenjat dhe
simptomat e cirrozës janë pasojë e tre gjërave: Pamjaftueshmëria e qelizave të
mëlçisë; Hipertensioni portal; Anashkalimi i qelizave të mëlçisë që vjen si pasojë
e shunteve portosistemike.

Asciti
Klinikisht vihet re fryrje e barkut nga lëngu ascitik, edemë e këmbëve, dhe
matitet abdominal që lëviz (shifting dullness). Përveç cirrozës, asciti shkaktohet
edhe nga hepatiti alkoolik, sindromi Budd-Chiari, sëmundja kongjestive e zemrës,
kanceret, pankreatiti, sindromi nefrotik, tuberkulozi, etj. Kur asciti shoqërohet me
hipertension portal, ndryshimi midis nivelit të proteinave në serum dhe nivelit të
proteinave në ascit është mbi 1.1 g/dl. Në cirrozë niveli i proteinave në ascit
është nën 2.5 g/dl; kur asciti shkaktohet nga sëmundja kongjestive e zemrës
niveli i proteinave në ascit zakonisht është mbi 2.5 g/dl.
Encefalopatia e cirrozës
Shkaktohet nga rritja e nivelit të lëndëve toksike. Ka shumë mundësi që
shkaktarë të encefalopatisë të jenë mbetjet azotike, por niveli i rritur tyre nuk
përkon gjithmonë me simptomat e encefalopatisë. Karakteristik është mjegullimi i
ndërgjegjes dhe i ashtuquajturi “asteriksis” (dridhje e duarve kur krahu mbahet i
shtrirë para, me kyçin e dorës në 90 gradë hiperekstension). Shkaktarët më të
zakonshëm janë Eschericia coli, Klebsiella, Enterocoçus, Streptocoçus
pneumoniae, etj.

Ezofagu dhe stomaku

Refluksi gastroezofageal
Dy mekanizma: dobësim i sfinkterit gastroezofagal (hernie hiatale, sklerodermë),
ose prodhim i skajshëm i acidit. Shenjat/simptomat shkaktohen nga kontakti i
acidit të stomakut me mukozën e ezofagut: djegie e gjoksit (heartburn) që
qetësohet nga gëlltitja e ushqimeve. Simptomat mund të ngatërrohen edhe me
infarktin e miokardit. Prania kronike e acidit në ezofag shkakton metaplazi
kolumnare (ezofagu i Barrett-it); rreth 10 për qind e metaplazive kolumnare
përparojnë në kancer.

Gastriti kronik
Është dy llojesh: fundal dhe antral (ose tipi A dhe tipi B). Tipi A (fundal) është
autoimun dhe shoqërohet me procese të tjera autoimune si anemia pernicioze,
tiroiditi, etj. Tipi B (antral) shkaktohet nga Helicobacter pylori, nga
antiinflamatorët josteroidë (NSAIDs), nnga CMV, HSV, etj. Antiinflamatorët
josteroidë (NSAIDs) janë shkaku numër një i gastritit kronik (antral). Shenjat dhe
simptomat janë: zakonisht s’ka simptoma, mund të ketë dhimbje, pështjellim e të
vjella, anoreksi, hemoragji, hematemezë.

Ulçerat gastrike
Helicobacter pylori gjendet në 70 për qind të ulçerave gastrike. Afërsisht 10 për
qind e ulçerave gastrike janë malinje (domethënë tumor që ka pësuar ulçer).
Ndryshe nga ulçerat duodenale, ulçerat gastrike shkaktohen jo nga sekretimi i
tepërt i acidit, por nga pakësimi i mjeteve mbrojtëse të mukozës gastrike;
sekretimi i acidit në ulçerat gastrike është normal ose i ulur. Shenjat/simptomat:
Dhimbje rënduese ose djegëse në epigastër; dhimbja keqësohet nga ushqimi;
nëse ulçera arrin ndonjë arterie mund të shihet hemoragji/hematemezë dhe
shenja të peritonitit.
Hepatiti
Hepatiti është inflamacion i mëlçisë dhe shoqërohet me vdekje të hepatociteve.
Zverdhja (ikteri) është një nga shenjat e sëmundjes dhe është pasojë e
kolestazës intrahepatike. Gjithashtu shihen dhimbje barku, diarre, dobësi,
mungesë oreksi, ethe. Transaminazat janë të rritura. Transaminazat janë enzima
të citoplazmës që çlirohen në gjak kur qelizat hepatike vdesin.

Ikteri
Ikter është zverdhje e konjuktivës, e lëkurës, dhe e mukozave. Zverdhja vihet re
kur niveli i bilirubinës kalon 2 mg/dl. Bilirubina e konjuguar është direkte;
bilirubina e pakonjuguar është indirekte. Bilirubina e pakonjuguar është e
tretshme në lipide dhe e përshkon barrierën cerebrovaskulare lehtësisht.
Kernikterusi shfaqet kur bilirubina arrin 20 mg/dl. Shkaqet e hiperbilirubinemisë
janë dy llojesh: prodhim i tepërt i bilirubinës (anemitë hemolitike), ose sekretim i
pamjaftueshëm i bilirubinës nga mëlçia (sindromat kongjenitale, kolestaza
intrahepatike, kolestaza ekstrahepatike).

Ulçera duodenale
Pothuaj të gjitha ulçerat duodenale shoqërohen me shtim të prodhimit të acidit.
Rreth 80 për qind e rasteve shoqërohen me shtim të acidit gjatë natës.
Helikobakteri gjendet në 90 për qind të ulçerave duodenale. Duhani dhe alkooli e
shtojnë rrezikun e ulçerës duodenale. Shenjat dhe simptomat janë: dhimbje
rënduese ose djegëse në epigastër rreth 1 deri në 3 orë pas ushqimit; dhimbja
lehtësohet nga ushqimi; dhimbja shpesh i zgjon pacientët nga gjumi; pacientët
shpesh kanë melena.

Sëmundja Crohn
Është sëmundje inflamatore shkaku i të cilës nuk dihet.
Zakonisht prek zorrën e hollë, por mund të prekë çdo pjesë të sistemit tretës, që
nga goja e deri tek rektumi.
Shenjat dhe simptomat janë: dhimbje, diarre, mosthithje e ushqimeve, ethe,
ngushtim dhe bllokim i zorrës, fistula; artrit, irit, eritemë nodoze, piodermë
gangrenoze, kolangit sklerotizues.

You might also like