You are on page 1of 14

P.Nr.

111/2021

GJYKATËS THEMELORE NË PRISHTINË


Departamenti i Përgjithshëm

për

GJYKATËN E APELIT TË KOSOVËS

PARASHTURESI: Adem Ademi, i lidur me datë 01.01.1986 në Prishtinë, tani me vendbanim


në Prishtinë, rruga “Gafur Badiviku,” banesat e “Apetit Group,” Nr.40, me
numër personal të identifikimit 1111111111 sipas letërnjoftimit të lëshuar
nga Ministria, të cilin në bazë të autorizimit e përfaqëson Drilon Zymeraj,
Avokat, me seli në Prishtinë, rruga “Nekibe Kelmendi” p.nr., tash e tutje
referuar si i “Pandehuri:

DATË: 05.05.2021

Konfrom neneve 380 paragraf 1, 381 paragraf 1, 382 paragraf 1 dhe 383 paragraf 2 të Kodit Nr.
04/L-123 të Procedurës Penale, ashtu siç është ndryshuar dhe plotësuar, tash e tutje referuar si
“Kodi i Procedurës Penale,” i Pandehuri, përmes të autorizuarit të tij, brenda afatit ligjor,
paraqet këtë:
Ankesë
kundër
Aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë P.Nr. 111/2021, të datës 26.02.2020, të
pranuar nga i Pandehuri me datë 26.06.2020
PËR SHKAK TË:
- Shkeljes esenciale të dispozitave të procedurës penale;
- Shkeljes së ligjit penal;
- Vendimit lidhur me sanksionin penal.
-
PROPOZOJMË:
Që Gjykata e Apelit e Kosovës, ta APROVOJ ankesën e mbrojtësit të Pandehurit, ta
NDRYSHOJ Aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë P.Nr. 111/2021, të datës
26.02.2020, të pranuar nga i Pandehuri me datë 26.06.2020, ashtu që ta ANULOJ PRANIMIN
E FAJËSISË nga i Pandehuri, ta REFUZOJË Aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë
PP.II.Nr.719/2017, të datës 05.09.2017 dhe ta PUSHOJ procedurën penale në lëndën
P/Nr.111/2021;

ose

Që Gjykata e Apelit e Kosovës ta APROVOJ ankesën e mbrojtësit të Pandehurit, ta


NDRYSHOJË Aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë P.Nr. 111/2021, të datës
26.02.2020, të pranuar nga i Pandehuri me datë 26.06.2020, ashtu që ta ANULOJË PRANIMIN
E FAJËSISË nga i Pandehuri dhe ta LIROJË NGA AKUZA të Pandehurin.

1. HYRJE

1.1. Policia e Kosovës – Njësia Rajonale e Komunikacionit në Prishtinëë, me datë


01.06.2015 ka paraqitur ndaj të Pandehurit Kallëzimin Penal me numër 2020-BR-
211, tash e tutje referuar si “Kallëzimi Penal.” Sipas përshkrimit të veprës penale të
paraqitur në Kallëzimin Penal, Policia e Kosovës – Njësia Rajonale e Komunikacionit
në Prishtinë ka pretenduar se i Pandehuri me datë 01.06.2015, rreth orës 08:30 min,
duke drejtuar automjetin kombi transportues të tipit”mercedes 902-6-K.A” ngjyrë të
bardhë, me targa të regjistrimit 02-846-CF, në rrugën magjistrale Prishtinë –
Mitrovicë dhe me të arritur përballë Gurgdhendësit “Mermer Dizajn” në Prishtinë,
nga pakujdesia dhe duke mos përshtatur shpejtësinë e lëvizjes kushteve të rrugës, me
pjesën e majtë të përparme në shiritin e vet të lëvizjes e godet këmbësorin Filan
FIsteku, i lindur me 20.05.1947 në Prishtinë, me vendbanim në Prishtinë, me numër
personal 1111111111, sipas letërnjoftimit të lëshuar nga Ministria e Punëve të
Brendshme, i cili në atë moment po trponte magjistralen nga e majta në të djathtë ku
nga goditja, këmbësorin e përplasë në rrugë në anën e majtë, dhe si pasojë e kësaj
pëson lëdime në kokë, ku me automjetin e ndihmës së shpejtë dërgohet në Spitalin e
Prishtinësë për t`iu dhënë ndihma e parë. Në Kallëzimin penal, Policia e Kosovës –
Njësia Rajonale e Komunikacionit në Prishtinë, ka theksuar se me datë 03.06.2020,
rreth orës 17:00 nga QKUK janë informuar se këmbësori Filan Fistekunga plagët e
marra në aksident ka ndërruar jetë me datë 03.06.2020, rreth orës 16:35.

1.2. Pas pranimit të Kallëzimit Penal, me datë 01.06.2015 (ose më së largu me datë
11.06.2020, për shkak të diskrepancës në datat e cekura në fillim dhe në fund të
kallëzimit penal, duke mos respektuar normën imperative të përcaktuar në Nenin 70
paragraf 4 të Kodit të Procedurës Penale, e cila i obligon organet policore dhe të
hetimeve policore që kallëzimin penal ta paraqesin brenda afatit prej 24 orëve kur
mësojnë dyshimin e arsyeshëm se është kryer një vepër penale), Prokuroria
Themelore në Prishtinë, pas vlerësimit të Kallëzimit Penal, ka vendosur që me datë
25.09.2020, do të thotë pothuajse 4 (katër) muaj pas paraqitjes së Kallëzimit Penal,
konform Nenit 101 të Kodit të Procedurës Penale, të nxjerrë Aktvendimin mbi
Fillimin e Hetimeve PP-II.Nr. 719/2017 dhe të fillojë kinse hetimin formal ndaj të
Pandehurit, për veprën penale siç është përshkruar në Kallëzim Penal. Vlen të
theksohet se Prokuroria Themelore në Prishtinë, prej paraqitjes së Kallëzimit Penal
deri në nxjerrjen e Aktvendimit mbi Fillimin e Hetimeve PP-II.Nr. 719/2017, të datës
25.09.2020, nuk ka urdhëruar ndonjërën prej masave të fshehta dhe teknike të
vëzhgimit dhe hetimit. poashtu, vlen të theksohet se Prokuroria Themelore në
Prishtinë, nuk ka paraqitur ndonjë kërkesë për vazhdimin e hetimit dhe nuk ka një
vendim të gjyqtarit të procedurës paraprake për vazhdimin e hetimit në këtë çështje
juridike penale, ashtu siç parashihet në Nenin 159 paragraf 2 të Kodit të Procedurës
Penale.

1.3. Prokuroria Themelore në Prishtinë, pas ndërmarrjes së veprimeve të


sipërcekura, me datë 05.09.2017, do të thotë 2 (dy) vite e 3 (tre) muaj (gjithsej 27
muaj) pas paraqitjes së Kallëzimit Penal, ngritë Aktakuzën PP.II.Nr. 719/2017,
sipas së cilës pretendon se i Pandehuri me datë 01.06.2015 rreth orës 08:30 minuta në
magjistralen Prishtinë – Mitrovicë, saktësisht me të arritur përballë gurgdhendësit
“Mermer Dizajn” nga pakujdesia ka rrezikuar trafikun publik, jetën e njerëzve dhe
pasurinë e të tjerëve në atë mënyrë që duke drejtuar automjetin “Mercedes Daimler”
me targa të regjistrimit 02-846-CF, e në kundërshtim me dispozitat e nenit 54 të
LRRTRR-së, si pasojë e moskujdesit, koncentrimit si dhe shpejtësisë në rrugë, duke
pasur parasysh se në atë pjesë të rrugës ka frekuentim të këmbësorëve, në atë moment
i ndjeri Filan FIsteku, ka qenë duke e trupuar rrugën në magjistrale nga ana e majtë në
të djathtën, ku me këtë rast goditet nga automjeti dhe i njëjti përplaset në rrugë në
anën e majtë me që rast nga plagët e marra vdesë në QKUK – Prishtinë.

1.4. Pas dorëzimit të Aktakuzës PP.II.Nr. 719/2017, së datës 05.09.2017, 2 (dy) vite e 3
(tre) muaj (gjithsej 27 muaj) pas paraqitjes së Kallëzimit Penal, Gjykata Themelore
në Prishtinë, me datë 11.11.2019, ka caktuar shqyrtimin fillestar në këtë çështje
juridike penale, i cili shqyrtim nuk është mbajtur për shkak se të Pandehurit nuk i
është dorëzuar ftesa për seancë në mënyrë të rregullt. Pas dështimit të seancës së
datës 11.11.2019, Gjykata ka caktuar seancën e rradhës me datë 24.02.2020, për të
cilën seancë të Pandehurit ftesa i është dorëzuar në mënyrë të rregullt. Në seancën e
datës 24.02.2020, i Pandehuri, i cili ka qenë i papërfaqësuar nga mbrojtësi, dhe i cili
nuk i ka pasur shkresat e lëndës, ndonëse në procesverbal evidentohet se shkresat i
janë dorëzuar të njejtit, pa e kuptuar fare aktakuzën, natyrën dhe pasojat e pranimit të
fajsisë, si dhe pa e vlerësuar faktin se a është i fajshëm apo jo, por vetëm duke ndjerë
keqardhje për humbjen e jetës së të ndjerit Filan FIsteku, ka vendosur që ta pranojë
fajësinë sipas Aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë PP.II.Nr. 719/2017, të
datës 05.09.2017.

1.5. Pas pranimit të fajësisë nga i Pandehuri, Gjykata Themelore në Prishtinë, pa e


vlerësuar faktin se pranimi i fajit mbështetet në çështjet që përmban aktakuza, në
materialet mbështetëse të saj, pa vlerësuar drejtë se a i janë dorëzuar të gjitha provat
të Pandehurit, si dhe pa vlerësuar se aktakuza përmbanë ndonjë shkelje të qartë ligjore
apo gabime faktike, vendosë që ta aprovojë pranimin e fajësisë nga i Pandehuri. Pas
aprovimit të pranimit të fajësisë nga i Pandehuri, Gjykata Themelore në Prishtinë, me
datë 26.02.2020, nxjerrë Aktgjykimin P.Nr. 111/2021, të cilin i Pandehuri e pranon
më datë 26.02.2020, tash e tutje referuar si “Aktgjykimi i Atakuar,”, me të cilin të
Pandehurin e dënon me dënim më burgim në kohëzgjatje prej 1 (një) viti, të cilin
dënim i Pandehuri duhet ta mbajë pas plotfuqishmërisë së Aktgjykimit të Atakuar.

1.6. Pas pranimit të Aktgjykimit të Atakuar, Mbrojtësi i të Pandehurit për shkak se i njejti
nuk ka qenë i pajisur nga i Pandehuri me shkresat e lëndës, për shkak se as vet i
Pandehuri nuk i ka poseduar ato, me datë 07.07.2020, pranë Prokurorisë Themelore
në Prishtinë ka paraqitur kërkesë për Pajisje me Shkresat e Lëndës. Prokuroria
Themelore në Prishtinë, duke vepruar sipas kërkesës së Mbrojtësit të Pandehurit të
njëjtin me po të njejtën datë e ka pajisur me shkresat e lëndës në këtë çështje juridike
penale.
Provë 1: Kërkesa për Pajisje me Shkresat e Lëndës, e
dorëzuar nga i autorizuar i të Pandehurit në Prokurorinë
Themelore në Prishtinë.

2. AKTGJYKIMI I ATAKUAR ËSHTË MARRË NË SHKELJE ESENCIALE TË


DISPOZITAVE TË PROCEDURËS PENALE

2.1. Fillimisht, Aktakuza e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, PP.II.Nr. 719/2017, e


datës 05.09.2017, është ngritur 2 (dy) vite e 3 (tre) muaj (gjithsej 7 muaj) pas
paraqitjes së Kallëzimit Penal. Kallëzimi Penal nga Policia e Kosovës – Njësia
Rajonale e Komunikacionit në Prishtinë, me datë 01.06.2017, kurse Aktakuza nga
Prokuroria Themelore në Prishtinë është ngritur me datë 05.09.2017. Kjo vonesë e
Prokurorisë në ngritjen e Aktakuzës përbën shkelje esenciale të dispozitave të
Procedurës Penale, në kuptim të nenit 384 paragraf , nënparagraf 2.1, lidhur me Nenet
82 paragraf 1, 158 paragraf 3, 159 paragraf 1 dhe 248 paragraf 1, nënparagraf 1.4 të
Kodit të Procedurës Penale, të cilat e bëjnë të kundërligjshëm dhe kundërkushtetues
edhe Aktgjykimin e Atakuar.

2.2. Aktgjykimi i Atakuar është nxjerrë në shkelje esenciale të dispozitave të Neneve 82


paragraf 1 dhe 159 paragraf 1 të Kodit të Procedurës Penale, e cila ka ndodhur për
shkak se Gjykata Themelore në Prishtinë, ka lejuar që procedimi të vazhdojë më tutje
ndonëse Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka dështuar ta ngrisë Aktakuzën
PP.II.Nr. 719/2017, e datës 05.09.2017, brenda afatit prej 2 (dy) viteve, respektivisht
brenda afatit prej 2 (dy) viteve e 1 (një) muaji, që nga paraqitja e Kallëzimit Penal.
Gjykata Themelore në Prishtinënë Aktgjykimin e Atakuar ka dështuar që ta mbikqyrë
obligimin e Prokurorisë si organ heutes që konform Nenit 159 paragraf 1 të Kodit të
Procedurës Penale, ta ngrisë Aktakuzën brenda 24 (njëzet e katër) muajve, nëse
brenda 30 (tridhjetë) ditëve pas paraqitjes së Kallëzimit Penal, nuk ka urdhëruar
ndonjërën prej masave të fshehta dhe teknike të vëzhgimit dhe hetimit. Poashtu,
Gjykata Themelore në Prishtinë në Aktgjykimin e Atakuar ka dështuar që ta
mbikqyrë punën e Prokurorisë për shkak se pas paraqitjes së Kallëzimit Penal, përveq
që Prokuroria nuk ka urdhëruar ndonjërën nga masat teknike të vëzhgimit dhe hetimit
në këtë çështje juridike penale, si dhe nuk ka pasur ndonjë vendim për pushimin e
hetimeve, andaj ka qenë obligim i Prokurorisë Themelore në Prishtinë që Aktakuzën
ta ngrisë më së largu më datën 01.07.2017, e jo më datën 05.09.2017, do të thotë 2
(dy) vite e 3 (tre) muaj (27 muaj) pas paraqitjes së Kallëzimit Penal. [shih. Mendimin
Juridik të Gjykatës Supreme GjA-SU-A.Nr. 583/2016, të datës 10.11.2016]

2.3. Në këtë drejtim Aktgjykimi i Atakuar është nxjerrë në kundërshtim me nenin 158
paragraf 3, lidhur me Nenin 159 paragraf 1, ngase Gjykata ka aprovuar pranimin e
fajësisë, ndonëse Atakuza PP.II.Nr. 719/2017, e datës 05.09.2017, e Prokurorisë
Themelore në Prishtinë është ngritur në tejkalim të afatit të parparë në Nenin 159
paragraf 1 të Kodit të Procedurës Penale, e në të cilin rast Prokuroria Themelore në
Prishtinë ka qenë e obliguar që ta pushojë hetimin në mënyrë automatike. Andaj,
Aktgjykimi i Atakuar është nxjerrë edhe në kundërshtim të Nenit 248 paragraf 1,
nënparagraf 1.4 të Kodit të Procedurës Penale, ngase Aktakuza PP.II.Nr. 719/2017, e
datës 05.09.2017, përmbanë shkelje të qarta ligjore për të cilat Gjykata Themelore në
Prishtinëështë dashur të kujdeset më rastin e pranimit të fajësisë. Aktakuza PP.II.Nr.
719/2017, e datës 05.09.2017, ka pasur të meta, të cilat të njejtën e kanë bërë të
paligjshme, për shkak se ka qenë obligim i Prokurorisë Themelore në Prishtinë që me
rastin e kalimit të afatit 2 (dy) vejçar të paraparë në Nenin 159 paragraf 1 të Kodit të
Procedurës Penale, ta pushojë hetimin ndaj të Pandehurit dhe ta hudhë poshtë
Kallëzimin Penal, e jo kurrsesi që ta ngrisë Aktakuzën pranë Gjykatës.

2.4. Në këtë kuptim, përmes Aktgjykimit të Atakuar, Gjykata ka bërë shkelje esenciale të
dispozitave procedurale të cekura si më lartë, kur ka lejuar pranimin e fajësisë sipas
Aktakuzës PP.II.Nr. 719/2017, e datës 05.09.2017, e cila është ngritur jashtë afatit
ligjore prej 2 (dy) viteve nga koha kur konsiderohet se kanë filluar zyrtarisht hetimet
ndaj të Pandehurit. Duke pasur parasysh se pas pranimit të Kallëzimit Penal me datë
01.06.2015, Prokuroria Themelore në Prishtinë, nuk e ka hedhur poshtë Kallëzimin
Penal brenda afatit prej 30 (tridhjetë) ditëve dhe nuk ka urdhëruar ndonjërën nga
masat e fshehta teknike të hetimit dhe vëzhgimit, atëherë me kalimin e 30 (tridhjetë)
ditëve nga paraqitja e Kallëzimit Penal, konsiderohet se kanë filluar hetimet,
pavarësisht se të njëjtat janë formalizuar me Aktvendim për Fillimin e Hetimit apo jo.
Sipas Mendimit Juridik të Gjykatës Supreme GJA-SU-A.Nr. 583/2016, të datës
10.11.2016, nën të cilin subsomohen rrethanat e kësaj çështje juridike penale,
rezulton se hetimet ndaj të Pandehurit ligjërisht kanë filluar me datë 01.07.2017.
Duke qenë se hetimet ndaj të Pandehurit ligjërisht kanë filluar më datë 01.07.2017,
konform nenit 159 paragraf 1, të Kodit të Procedurës Penale, Aktakuza nga
Prokuroria Themelore në Prishtinë është dashur që të ngritet më së largu deir me
datën 01.07.2019. Meqenëse, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur
Aktakuzën PP.II.Nr. 719/2017, tek me datë 05.09.2017, atëherë rezulton se akti
akuzues është ngritur jashtë periudhës kohore të përcaktuar në Nenin 159 paragraf 1
të Kodit të Procedurës Penale, dhe në këtë kuptim ky veprim i Prokurorisë përbën
shkelje të dispozitave të procedurës penale të përshkruara si më lartë. Se ndaj të
Pandehurit kanë filluar hetimet me datë 01.07.2017 dhe se Prokuroria Themelore në
Prishtinë nuk e ka ngritur aktin akuzues brenda afatit ligjor, e bënë të bazuar edhe
fakti se Prokuroria Themelore në Prishtinë asnjëherë gjatë kësaj periudhe nuk ka
paraqitur ndonjë kërkesë për vazhdimin e hetimit dhe nuk ka një vendim të gjyqtarit
të procedurës paraprake për vazhdimin e hetimit në këtë çështje juridike penale, ashtu
siç parashihet në Nenin 159 paragraf 2 të Kodit të Procedurës Penale.
2.5. Shkeljet e më tutjeshme në Aktjgykimin e Atakuar janë bërë kur i njejti ka legjitimuar
Aktakuzën PP.II.Nr. 719/2017, e datës 05.09.2017, e cila ka qenë e paligjshme dhe
edhe më tutje është si e tillë, për shkak se e njëjta është ngritur në kundërshtim me
Nenin 248 paragraf 1, nënparagraf 1.4 të Kodit të Procedurës Penale. Prokuroria
Themelore në Prishtinë pretendon se i Pandehuri është përgjegjës për kryerjen e
veprës penale nga neni 378 paragraf 9 lidhur me paragrafët 6 dhe 1 i Kodit Nr. 04/L-
082 të Kodit Penal të Kosovës, ashtu siç është ndryshuar dhe plotësuar, tash e tutje
“Kodi Penal i Kosovës”, për shkak se i njëjti ka vepruar në kundërshtim me nenin 54
të Ligjit Nr. 05/L-088 për Rregullat e Trafikut Rrugor, tash e tutje referuar si
“LRRTRR,”, i cili ligj fare nuk ka qenë në fuqi në kohën kur Prokuroria Themelore
në Prishtinë pretendon se i Pandehuri ka kryer veprën penale. LRRTRR në Gazetën
Zyrtare është publikar me datë 05.09.2016, dhe konform nenit 264 të LRRTRR-së ky
ligj ka hyrë në fuqi 15 (pesëmbëdhjetë) ditë pas publikimit të të njëjtit, do të thotë me
datë 20.09.2016, kurse data në të cilën Prokuroria Themelore në Prishtinë pretendon
se është kryer vepra penale nga i Pandehuri është data 01.06.2015. Në kohën kur
Prokuroria Themelore në Prishtinë pretendon se i Pandehuri ka kryer veprën penale,
do të thotë me datë 01.06.2015, në fuqi ka qenë Ligji Nr.02/L-70 për Sigurinë në
Komunikacionin Rrugor, tash e tutje referuar si “Ligji për Sigurinë në
Komunikacionin Rrugor.” Dispozita e Nenit 378 të Kodit Penal të Kosovës, është
dispozitë e karakterit blanket, e cila përcakton që veprimi i kryerjes së veprës penale
është mospërfillja e dispozitave të trafikut, përkatësisht ndërmarrja e veprimeve të
tilla të cilat i cenojnë dispozitat në fuqi që rregullojnë trafikun rrugor. Dispozitat në
fuqi që rregullojnë trafikun rrugor në kohën kur Prokuroria Themelore në Prishtinë
pretendon se i Pandehuri ka ka kryer veprën penale, kanë qenë të përcaktuara në
Ligjin për Sigurinë në Komunikacionin Rrugor e jo në LRRTRR, fakt ky që bënë që
Aktakuza PP.II.Nr. 719/2017, e datës 05.09.2017, të përmbajë shkelje të qarta ligjore,
dhe për shkak se dispozitivi i Aktakuzës në tërë është në përputhje me atë të
Aktgjykimit të Atakuar, bënë që Aktjgykimi i Atakuar të jetë nxjerrë në shkelje
esneciale të dispozitave të procedurës.

2.6. Gjykata me rastin e nxjerrjes së Aktgjykimit të Atakuar ka shkelur edhe Nenin 5,


paragraf 2, të Kodit të Procedurës Penale, ngase duke aprovuar pranimin e fajësisë
sipas Aktakuzës PP.II.Nr. 719/2017, të datës 05.09.2017, ka lejuar që Prokuroria
Themelore në Prishtinë, t`i keqpërdorë të drejtat e saj procedurale, të cilat të njejtën e
kanë obliguar që ta pushojë hetimin ndaj të Pandehurit dhe hudhjen poshtë të
Kallëzimit Penal, e jo që e njejta ta ngrisë Aktakuzën pranë Gjykatës. Aktgjykimi i
Atakuar si i tillë rrezikon dhe cenon sigurinë juridike dhe standartin për gjykim në
afat të arsyeshëm, dhe si i tillë dëmton të Pandehurin për shkak se fillimi dhe
kohëzgjatja e procedurës penale prodhojnë pasoja juridike për të.
2.7. Poashtu, Aktgjykimi i Atakuar është kundërkushtetues për faktin se i njëjti është
nxjerrë në kundërshtim me Nenin 31 paragraf 2 të Kushtetutës së Republikës së
Kosovës (mutatis mutandis Neni 6 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut), i
cili parasheh se “[ç]dokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të
paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë
penale që ngrihet kundër saj / tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e
pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.” [Theksi i shtuar]. Rëndësia që i jepet
lirive dhe të drejtave themelore të garantuara me Nenin 31 të Kushtetutës së
Republikës së Kosovës, konform edhe praktikave të Gjkatës Evropiane të Drejtave të
Njeriut, i`a pamundëson Gjykatës, Prokurorisë apo organeve tjera shtetërorë, që
madje as në rast të shpalljes së gjendjes se jashtëzakonshme të kanë të drejtë t`iu
shmangen obligimeve të përcaktuara me nenin31 paragraf 1 të Kushtetuës së
Republikës së Kosovës. Andaj, Gjykata Themelore në Prishtinë, me nxjerrjen e
Aktgjykimit të Atakuar jo vetëm që ka bërë shkelje esenciale të dispiztave të
procedurës penale, por ka bërë shkelje të lirive dhe të drejtave themelore të
Pandehurit të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, të cilat nuk mund
të shmangen në asnjë rrethanë, madje as në rastin e ekzistimit të gjendjes së
jashtëzakonshme.

2.8. Gjykata Themelore në Prishtinë, në Aktgjykimin e Atakuar ka bërë shkelje të Nenit


248 paragraf 1, nënparagrafët 1.1. dhe 1.3, të Kodit të Procedurës Penale, lidhur me
Nenin 244 të Kodit të Procedurës Penale, ngase pranimi i fajit nga i Pandehuri është
bërë pa e kuptuar natyrën dhe pasojat e pranimit të fajit dhe pa i pranuar provat e
aktakuzës. Gjykata nuk është siguruar që të Pandehurit t`ia shpjegojë në mënyrë të
mjaftueshme pasojat e pranimit të fajësisë [Shih. Procesverbalin e Shqyrtimit
Fillestar, datë 24.02.2020], mirëpo duke shfrytëzuar faktin që i Pandehuri ka qenë
palë laike dhe i pa përfaqësuar nga një avokat mbrojtës, dhe faktin se i njëjti është
ndjerë keq për shkak të humbjes së jetës nga i ndjeri Filan Fisteku, e ka shtyrë të
njëjtin që ta bëjë pranimin e fajësisë, madje pa i`u dhënë mundësia që t`i pranojë
provat. Konstatimi i bërë në procesverbalin e shqyrtimit fillestar se Prokuroria
Themelore në Prishtinë ka bërë dorëzimin e provave, është i pambështetshëm në
provat nga shkresat e lëndës dhe ky obligim nuk është përmbushur nga Prokuroria
Themelore në Prishtinë, por edhe kjo vetëm është theksuar si konstatim për t`ia
pamundësuar të Pandehurit mbrojtjen efektive të drejtave të tij pranë Gjykatës së
Apelit.

2.9. I Pandehuri, përmes mbrojtësit të tij, provat në lidhje me këtë çështje juridike penale i
ka pranuar me datë 07.07.2020 [shih. Provë 1 sipas kësaj Ankese], sepse i Pandehuri
nuk ka poseduar me provat ne këtë çështje. Nga provat e siguruar nga Prokuroria
Themelore në Prishtinë nuk vërtetohet se Prokuroria e ka përmbushur obligimin e saj
konfrom nenit 244 të Kodit të Procedurës Penale, andaj pranimi i fajësisë nga i
Pandehuri ka ndodhur në kundërshtim me Nenin 248 paragraf 1, nënparagraf 1.3., të
Kodit të Procedurës Penale, për shkak se nuk është mbështetur në provat në aktakuzë
të cilat janë dorëzuar të Pandehurit. Mos dorëzimi i provave sipas Aktakuzës ia ka
pamundësuar të pandehurit që të konsultohet me provat dhe t`i vlerësojë ato si dhe të
vlerësojë faktin se pranimi i fajësisë përkon më provat nga shkresat e lëndës apo jo.
Veçanarisht nga Gjykata e Apelit kërkojmë që të ketë parasysh se mos dorëzimi i
këtyre provave ia ka pamundësuar të Pandehurit që ti vlerësojë provat, e sidomos
Ekspertizën e Ekspertit të Komunikacionit Rrugor z. Ahmet Maxhuni dhe dëhsminë e
dëshmitarit z. Shkumbin Maloku.

2.10. Nga Gjykata e Apelit e Kosovës, kërkojmë që me rastin e vlerësimit të ankesës,


veçanarisht ta ketë parasysh se Ekspertiza e Ekspertit të Komunikacionit Rrugor z.
Ahmet Maxhuni, e cila para datës 07.07.2020 nuk i është dorëzuar të Pandehurit, e
përcakton që i Pandehuri në kohën e ndodhjes së aksidentit ka qenë brenda limiteve të
shpejtësisë së lejuar, madje ka qenë duke vozitur 20 km/h nën shpejtësinë e lejuar, për
më tepër në rastin e goditjes ka qenë 25 km/h nën shpejtësinë e lejuar në vendin e
ndodhjes së aksidentit. Në këtë drejtim veprimet e të Pandehurit nuk bijnë ndesh me
asnjë dispozitë të Ligjit për Sigurinë në Komunikacionin Rrugor, përkundrazi i ndjeri
Filan Fistekuka qenë ai që ka vepruar në kundërshtim me Nenin 146 të Ligjit për
Sigurinë në Komunikacionin Rrugor, për shkak se sipas paragrafit 1 të këtij Neni
“[k]ëmbësori gjatë kalimit të rrugës obligohet çdoherë që kujdes të posaçëm dhe
gjithherë, të shfrytëzojë vendkalimin e këmbësorëve ku ekzistojnë.’ Më tutje paragrafi
2 i nenit 146 të Ligjit për Sigurinë në Komunikacionin Rrugor, parasheh që kalimi
lejohet të bëhet jashtë vendkalimit nëse distanca nga vendkalimi te vendi i dëshiruar i
kalimit është më tepër se 100 metra. Mirëpo, sipas paragrafit 3 të nenit 146 të Ligjit
për Sigurinë në Komunikacionin Rrugor, kalimi sikur në rastin nga paragrafi 2,
lejohet vetëm me kusht që këmbësori nuk pengon dhe rrezikon sigurinë e
komunikacionit. Veprimi i kalimit të rrugës nga i ndjeri Filan Fistekuka penguar dhe
rrezikuar komunikacionin rrugor për shkak se i njëjti veprim është ndërmarrë nga i
ndjeri pa u siguruar mirë se nuk ka automjete në qarkullim, e cila ka pasur për pasojë
ndodhjen e aksidentit.

2.11. Poashtu, nga Gjykata e Apelit kërkojmë që të ketë parasysh se të Pandehurit deri me
datën 07.07.2020, nuk i është dorëzuar Deklarata e Dëshmitarit z. Filan Fisteku, e
datës 03.06.2020, e cila në mënyrë të qartë vërteton se i ndjeri Filan Fistekuka
vepruar në kundërshtim me dispozitat e sipërcekura të nenit 146 të Ligjit për Sigurinë
në Komunikacionin Rrugor, ngase dëshmitari thekson se i ndjeri Filan Fistekuka
kaluar rrugën pa shikuar në anën në të cilën ka ardhur duke lëvizur i pandehuri në
automjetin e tij, madje më tutje në deklaratën e tij thekson “[n]ë momentin kur e kam
vrejtur se po don ta trupoj rrugën un i kam then se ruju se po te shkel ndoj automjet,
ai [i ndjeri Filan FIsteku mu ka përgjigjur se nuk e kam atë nafak me më shkel
ndondjë automjet.”

2.12. Shkeljet e Nenit 244 të Kodit të Procedurës Penale, të shkaktuara me mos dorëzimin e
provave nga shkresat e lëndës e bëjnë pranimin e fajësisë nga i Pandehuri të
kundërligjshëm dhe atë bazuar me Nenin 248 paragraf 1, nën paragraf 1.3. të Kodit të
Procedurës Penale, për shkak se dorëzimi i provave dhe dhënia e mundësisë të
Pandehurit që t`i analizojë dhe shqyrtojë provat përkatëse janë kushte esenciale në
mënyrë që të mund të bëhet aprovimi i pranimit të fajësisë nga i Pandehuri, të cilën
procedurë Gjykata me rastin e nxjerrjes së Aktgjykimit të Atakuar nuk e ka
respektuar.

3. AKTGJYKIMI I ATAKUAR ËSHTË NXJERRË NË SHKELJE TË LIGJIT


PENAL

3.1. Shkeljet e ligjit penal në Aktgjykimin e Atakuar konsistojnë në shkelje të dispozitave


të nenit 385 paragraf 1, nënparagrafët 1.1, 1.3 dhe 1.4, të Kodit të Procedurës Penale,
sepse: (i) veprimet e të Pandehurit nuk përbëjnë vepër penale, dhe me veprimet e
ndërmarra nga i Pandehuri nuk është realizuar figura e veprës penale, përkatësisht
nuk janë realizuar elementet objektive dhe subjektive të veprës penale për të cilën
është denuar i Pandehuri; (ii) lidhur me veprën penale është zbatuar ligji i cili nuk
mund të zbatohet; dhe (iii) ekzistojnë rrethana që e përjashtojnë ndjekjen penale.

3.2. Fillimisht, element konstituiv i veprës penale Rrezikimi i Trafikut Publik nga Neni
378 është shkelja e ligjit mbi trafikun publik apo transportin rrugor. Sipas provave
nga shkresat e lëndës të paraqitura me Aktakuzën PP.II.Nr. 719/2017, të datës
05.09.2017, i Pandehuri nuk ka shkelur asnjë dispozitë të Ligjit për Sigurinë në
Komunikacionin Rrugor. Aktgjykimi i Atakuar në emër të shkeljes së ligjut mbi
trafikun publik apo transporti rrugor, gabimisht i referohet dispozitës së 54 të
LRRTRR-së, ndonëse në kohën kur ka ndodhur rasti për të cilin është dënuar i
Pandehuri, në fuqi ka qenë Ligji për Sigurinë në Komunikacionin Rrugor, dispozitat e
të cilit i Pandehuri nuk i ka shkelur, që do të thotë se Gjykata me rastin e përcaktimit
të kundërligjshmërisë së veprimit të Pandehurit ka zbatuar ligjin i cili nuk mund të
zbatohet, për shkak se LRRTRR nuk ka qenë në fuqi në kohën e pretenduar të
kryerjes së veprës penale, por ka qenë Ligji për Sigurinë në Komunikacionin Rrugor.
Dispozitat e Ligjit për Sigurinë në Komunikacionin Rrugor i ka shkelur i ndjeri Filan
Fisteku, i cili ka vepruar në kundërshtim ne Nenin 146 të Ligjit për Sigurinë në
Komunikacionin Rrugor, për shkak se sipas paragrafit 1 të ketij neni “[k]ëmbësori
gjatë kalimit të rrugës obligohet çdoherë që kujdes të osaçëm dhe gjithherë, të
shfrytëzojë vendkalimin e këmbësorëve ku ekzistojnë.” Paragrafi 2 i nenit 146 të Ligjit
për Sigurinë në Komunikacionin Rrugor, parasheh që kalimi lejohet të bëhet jashtë
vendkalimit nëse distanca nga vendkalimi te vendi i dëshiruar i kalimit është më tepër
se 100 metra, Mirëpo, sipas paragrafit 3 të nenit 146 të Ligjit për Sigurinë në
Komunikacionin Rrugor, kalimi sikur në rastin nga paragrafi 2, lejohet vetëm me
kusht që këmbësori nuk pengon dhe rrezikon sigurinë e komunikacionit, e të cilin
kalim këmbësori, tani i ndjeri Filan Fisteku, e ka ndërmarrë pa qenë i sigurt se nuk e
pengon dhe nuk e rrezikon sigurinë e komunikacionit.

3.3. Aktgjykimi i Atakuar si ligj të aplikueshëm, në kuptim të shkeljes së ligjit mbi


trafikun publik apo transportit, gabimisht i ka zbatuar dispozitat e LRRTRR-së, i cili
ligj fare nuk ka qenë në fuqi në kohën kur pretendohet se i Pandehuri ka kryer veprën
penale. LRRTRR në Gazetën Zyrtare është publikuar me datë 05.09.2016, dhe
konform nenit 64 të LRRTRR-së ky ligj ka hy në fuqi 15 (pesëmbëdhjetë) ditë pas
publikimit të të njejtit, do të thotë me datë 20.09.2016, kurse data në të cilën
pretendohet se është kryer vepra penale nga i Pandehuri është data 01.06.2015. Në
kohën kur pretendohet se i pandehuri ka kryer veprën penale, do të thotë me datë
01.06.2015, në fuqi ka qenë Ligji për Sigurinë në Komunikacionin Rrugor. Pra, në
kuptim të shkeljes së ligjit mbi trafikun publik apo transportit, është dashur që të
zbatohet Ligji për Sigurinë në Komunikacionin Rrugor, e jo LRRTRR i cili fare nuk
ka qenë në fuqi në kohën kur pretendohet se i Pandehuri ka kryer veprën penale.

3.4. Më tutje si element subjektiv i figurës së veprës penale Rrezikimi i Trafikut Publik
nga neni 378 paragraf 9, lidhur me paragrafët 6 dhe 1, të Kodit Penal të Kosovës,
është kryerja e kësaj vepre nga pakujdesia. Pakujdesia është formë e fajësisë, dhe ka
qenë obligim i Gjykatës që me rastin e nxjerrjes së Aktgjykimit të Atakuar, të vlersojë
se a ekziston faji në anën e të Pandehurit, respektivisht, se a ka bërë i njejti shkelje të
dispozitave të ligjit mbi trafikun publik apo transportin rrugor. I Pandehuri, jo vetëm
që nuk ka shkelur Ligjin për Sigurinë në Komunikacionin Rrugor, i cili ka qenë i
zbatueshëm në kohën kur ka ndodhur aksidenti, i njëjti sipas vet ekspertizës së
Ekspertit të Komunikacionit Rrugor z. Ahmet Maxhuni, e cila para datës 07.07.200
nuk i është dorëzuar të Pandehurit, në kohën e ndodhjes së aksidentit ka qenë brenda
limiteve të shpejtësisë së lejuar, madje ka qenë duke vozitur 20 km/h nën shpejtësinë
e lejuar, madje në rastin e goditjes ka qenë 25 km/h nën shpejtësinë e lejuar në vendin
e ndodhjes së aksidentit/ Ndonëse, Aktgjykimi i Atakuar kinse në emër të ligjit mbi
trafikun publik apo transportin rrugor i referohet dispozitave të LRRTRR-së, i cili në
atë kohë nuk ka qenë në fuqi, dhe eskpertiza e Ekspertit të Komunikacionit Rrugor z.
Ahmet Maxhuni gjenë lëshime tek i Pandehuri për shkak se kinse i njëjti ka qenë i
pakoncentruar me rastin e vozitjes, nga Gjykata e Apelit kërkojmë që ta vlerësojë
objektivisht ekspërtizën e ekspertit dhe Aktgjykimin e Atakuar, dhe veprimet e të
pandehurit, ngase i Pandehuri në pjesën e rrugës ku liria e lëvizjes ka qenë 80 km/h
në rastin e ndodhjes së aksidentit ka qenë duke vozitur me shpejtësi 60 km/h, kurse
me rastin e goditjes, shpejtësia e tij ka qenë 55 km/h, dhe formulimet e ekspertizës
dhe Aktgjykimit të Atakuar nuk kanë arritur fare të vërtetojnë fajësinë e të Pandehurit
dhe sipas praktikës që do të krijohej në rast se nuk anulohet Aktgjykimi i Atakuar,
fajësia si element konstituiv për veprën penale nga neni 378 i Kodit Penal të Kosovës,
nuk do të duhej të kërkohej fare dhe çdo shkaktim i aksidentit do të rezultonte në
vepër penale.

3.5. Nga Gjykata e Apelit, me rastin e shqyrtimit të ankesës së mbrojtjes, dhe ekzistimit
të fajësisë në anën e të Pandehurit kërkojmë që ta vlerësojë Deklaratën e Dëshmitarit
Z. Filan Fisteku, të datës 03.06.2020, e cila në mënyrë të qartë vërteton se i ndjeri
Filan Fisteku ka vepruar në kundërshtim me dispozitat e nenit 146 të Ligjit për
Sigurinë në Komunikacionin Rrugor, ngase dëshmitari thekson se i ndjeri Filan
Fistekuka kaluar rrugën pa shikuar në anën në të cilën ka ardhur duke lëvizur i
Pandehuri me automjetin e tij, madje më tutje në deklaratën e tij theksin se “[n]ë
momentin kur e kam vrejtur se po don ta trupoj rrugën un i kam then se ruju se po te
shkel ndoj automjet, ai [i ndjeri Filan Fisteku mu ka përgjigjur se nuk e kam atë
nafak me më shkel ndonjë automjet.”

3.6. Ashtu siç është elaboruar edhe në paragrafët e mësipërme lidhur me shkeljet esenciale
të dispozitave të procedurës penale dhe kundër kushtetushmërinë e Aktgjykimit të
Atakuar, poashtu, Aktgjykimi i Atakuar është përfshirë në shkelje të ligjit penal për
shkak se ekzistojnë rrethana që e përjashtojnë ndjekjen penale sepse Aktakuza e
Prokurorisë Themelore në Prishtinë, PP.II.Nr. 719/2017, e datës 05.09.2017, është
ngritur (dy) vite e 3 (tre) muaj (gjithsej 27 muaj) pas paraqitjes së Kallëzimit Penal,
përkatësisht nga koha kur konsiderohet se Prokuroria Themelore në Prishtinë i ka
filuar hetimet. Kallëzimi Penal nga Policia e Kosovës – Njësia Rajonale e
Komunikacionit në Prishtinë, me datë 01.06.2015, kurse Aktakuza nga Prokuroria
Themelore në Prishtinë është ngritur me datë 05.09.2017. Në këtë drejtim ka qenë
obligim i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, që me rastin e kalimit të afati 2 (dy)
vjeçar, respektivisht pas kalimit të afatit prej 2 (dy) viteve e 1 (një) muaji, të paraparë
në Nenin 159 paragraf 1 të Kodit të Procedurës Penale, ta pushojë hetimin ndaj të
Pandehurit dhe ta hudhë poshtë Kallëzimin Penal, e jo kurrsesi që t`a ngrisë
Aktakuzën pranë Gjykatës dhe gjykata ka pasur obligim që të përkujdeset në lidhje
me këtë të metë të Aktakuzës e cila paraqitet si pengesë që përjashton ndjekjen
penale. Në këtë kuptim, kjo rrethanë në procedurën para gjykatës së shkallës së parë
merret si shkelje e dispozitave të procedurës penale, ndërkaq në procedurën me
mjetin juridik si shkelje e ligjit penalm e cila e obligon Gjykatën e Apelit të Kosovës
që këtë shkelje të Aktgjykimit të Atakuar ta trajtojë në kuptim të shkeljes së ligjit
penal.
4. KUNDËRLIGJSHMËRIA E SANKSIONIT PENAL

4.1. Sanksioni penal mund të shqiptohet vetëm në rast se vërtetohet se i Pandehuri ka


kryer vepër penale figura e së cilës realizohet në tërësi sipas veprimeve të ndërmarra
nga i njejti dhe vetëm në rast se shqiptimit të sanksionit i ka paraprirë një procedurë e
zbatuar në mënyrë të drejtë dhe të ligjshme. Argumentet e shtjelluara në paragrafët
paraprak vërtetojnë në mënyrë të qartë dhe të bindshme se Aktgjykimi i Atakuar është
nxjerrë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe të ligjit penal,
andaj sanksioni penal nuk mund të shqiptohet në rrethana të tilla.

4.2. Edhe sikur procedura penale deri te nxjerrja e Aktgjykimit të Atakuar të ishte
udhëhequr sipas standarteve të imponuara kushtetuese, dhe jo në shkelje të
dispozitave esenciale të procedurës penale, si dhe jo në shkelje të ligjit penal,
parashtrojmë se lartësia e sanksionit penal të shqiptuar karshi të Pandehurit është në
kundërshtim me parimet e matjes së dënimit ngase Gjykata e shkallës së parë
gabimisht cilëson si rrethanë rënduese rrezikshmërinë e veprës dhe peshën e dënimit.

4.3. Rrezikshmëria e veprës penale është element konstituiv i veprës penale dhe
rrezikshmëria e një veprimi apo mosveprimi të caktuar, bënë që veprimi i tillë të
përcaktohet apo jo vepër penale. kurse sa i përket peshës së dënimit, në rast se
Gjykata e shkallës së parë ka menduar që ta përcaktojë si rrethanë rënduese lartësinë e
dënimit të paraparë, ngase formulimi i bërë nuk është shumë i qartë, atëherë kjo është
në tërësi në kundërshtim me parimet e matjes së dënimit sepse lartësia e dënimit
përcaktohet me dispozitat e Kodit Penal dhe kjo nuk mund të merret si rrethanë
rënduese apo lehtësuese, dhe si e tillë nuk është e paraparë, dhe as që mund të
parashihet as në Kodin Penal të Kosovës, e as në Udhëzuesin për Politikat
Ndëshkimore të Gjykatës Supreme.

4.4. Aktgjykimi i Atakuar me rastin e caktmit të dënimit nuk i ka marrë parasysh në tërësi
rrethanat lehtësuese të përcaktuara sipas nenit 74 të Kodit Penal të Kosovës dhe
Udhëzuesin për Politikat Ndëshkimore të Gjykatës Supreme. Aktgjykimi i Atakuar
me rastin e caktimit të dënimit nuk ka marrë parasysë rrethanat lehtësuese si në vijim:
(i) bashkëpunimin e të Pandehurit me gjykatën; (ii) bashkëpunimi i të Pandehurit në
hetimin dhe ndjekjen penale, (iii) keqardhjen e shfaqur nga i Pandehuri; si dhe (iv)
sjelljen e të Pandehurit pas ndodhjes së aksidentit.

Andaj, duke u bazuar në arsyet e cekura më sipër, Mbrojtja me respekt kërkon nga Kolegji i
Gjykatës së Apelit që:
Që ta APROVOJ ankesën e mbrojtësit të Pandehurit, ta NDRYSHOJ Aktgjykimin e Gjykatës
Themelore në PrishtinëP.Nr. 111/2021, të datës 26.02.2020, të pranuar nga i Pandehuri me datë
26.06.2020, ashtu që ta ANULOJË PRANIMIN E FAJËSISË nga i Pandehuri, ta REFUZOJË
Aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë PP.II.Nr. 719/2017, të datës 05.09.2017 dhe ta
PUSHOJ procedurën penale në lëndën P.Nr. 111/2021;

ose

Që ta APROVOJ ankesën e mbrojtësit të Pandehurit, ta NDRYSHOJË Aktgjykimin e Gjykatës


Themelore në PrishtinëP.Nr.111/2021, të datës 26.02.2020, të pranuar nga i Pandehuri me datë
26.06.2020, ashtu që ta ANULOJË PRANIMIN E FAJËSISË nga i Pandehuri dhe ta LIROJË
NGA AKUZA të Pandehurin.

Për dhe në emër të Pandehurit:

Drilon Zymeraj, Avokat

You might also like