You are on page 1of 4

REPUBLIKA E SHQIPËRISË

GJYKATA E LARTË
KOLEGJI CIVIL
Nr. 77203-00097-00-2023 Regjistri
Nr. 00-2023-3131 i Vendimit
VENDIM
NË EMËR TË REPUBLIKËS

Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë i përbërë nga gjyqtarët:

Artur KALAJA - Kryesues


Ervin PUPE - Anëtar
Albana BOKSI - Anëtare

Sot më datë 31.05.2023, mori në shqyrtim në dhomë këshillimi kërkesën nr. 77203-
00097-00-2023 akti, datë 02.05.2023, si më poshtë:

KËRKUES: Posta Shqiptare SHA, Filiali Qendra Tranzite

OBJEKTI: Pezullimin e ekzekutimit të vendimit nr.755 dt.09.02.2021 te


Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, lënë në fuqi me vendimin
nr.117 datë 05.10.2022, të Gjykatës së Apelit Tiranë.

BAZA LIGJORE: Neni 479 i Kodit të Procedurës Civile.

në çështjen me palë e objekt si më poshtë:

PADITËS: Florant Kapllani

I PADITUR: Shoqëria “Posta Shqiptare” SHA

OBJEKTI: 1. Konstatimi i zgjidhjes së kontratës/marrëdhënies së punës me


efekt të menjëhershëm, pa shkaqe të justifikuara, pa respektuar
procedurën.
2.Detyrimin e palës së paditur të dëmshpërblejë me:
-12 paga mujore për zgjidhjen e menjëhershme e të pajustifikuar të
kontratës së punës;
-2 paga mujore për mosrespektimin e afatit të njoftimit;
-2 paga mujore për mosrespektimin e procedurës së zgjidhjes së
kontratës së punës;
-3 paga mujore për vjetërsinë në punë.

BAZA LIGJORE: Neni 12, 141, 142, 143, 144, 145, 153, 155 të Kodit të Punës

1
KOLEGJI CIVIL I GJYKATËS SË LARTË

pasi dëgjoi relatimin e gjyqtar Ervin Pupe mbi kërkesën e pezullimit të ekzekutimit të
vendimit gjyqësor të formës së prerë,

V Ë R E N:

I. Faktet e çështjes

1. Pala paditëse, Florant Kapllani, ka filluar punë, pranë palës së paditur Shoqërisë "Posta
Shqiptare" SHA, me datë 05.05.2011, marrëdhënie pune e cila ka zgjatur deri në largimin e tij,
më datë 22.08.2017, datë në të cilën janë ndërprerë marrëdhëniet financiare të punës.
2. Në çastin e ndërprerjes së marrëdhënies së punës, pala paditëse ka ushtruar detyrën
"Përgjegjës Oficine, kolaudator gomash" në Sektorin e Transportit, Qendra Tranzite, ku rezulton
të jetë trajtuar me një pagë bruto në shumën 55,500 (pesëdhjetë e pesë mijë e tetëqind) lekë
3. Marrëdhëniet juridike mes palëve janë formalizuar me kontrata shkresore të përsëritura
përmbajtja e të cilave përbën burimin e të drejtave dhe detyrimeve ndërmjet palëve.
4. Ndërkohë, rezulton se me shkresën nr. 742/1 prot., datë 21.08.2017, pala e paditur ka
vendosur ndaj paditësit masën disiplinore "Largimi nga puna", për shkelje të përsëritur të
disiplinës në punë, referuar nenit 11 pika 3, të Kontratës Individuale të Punës, si dhe nenit 21 të
saj "Masat administrative”.
5. Duke e kundërshtuar vendimin e palës së paditur, për ndërprerje të marrëdhënieve të
punës, paditësi i është drejtuar gjykatës fillimisht me kërkesëpadinë, e cila mban datën e
regjistrimit 19.09.2017.
6. Pasi ka shqyrtuar padinë dhe aktet, Gjykata e Shkallës së Parë, me vendimin nr.8042
datë 02.10.2017, në dhomë këshillimi, ka vendosur të kthejë padinë dhe aktet e paraqitura pasi ka
konstatuar si të meta mospagimin e taksës gjyqësore 1% të vlerës së padisë, duke shënuar se
pagesa e taksës së pullës prej 3000 lekë e paguar nga paditësi do të merret në konsideratë nga
gjykata, vendim i cili ka marrë formë të prerë në datën 18.10.2017. Rezulton se paditësi ka
paraqitur padinë sërish dhe regjistruar me datë 06.11.2017 dhe me vendimin e datës 10.11.2017,
ka vendosur sërish "Kthimin e Akteve”, me vendimin nr. 506, datë 26.01.2018, duke
konsideruar si të metë llogaritjen e pasaktë të taksës gjyqësore dhe vendimi në fjalë ka marrë
formë të prerë më datë 22.02.2018.
7. Në vijim, paditësi ka dorëzuar padinë objekt gjykimi, duke e regjistruar në datën
28.03.2018 dhe në përfundim të gjykimit Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë, ka disponuar me
vendimin përfundimtar nr. 6946 datë 01.08.2018, për pranimin e pjesshëm të kërkesëpadisë.
8. Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin nr. 981, datë 18.12.2019, ka vendosur
:"Prishjen e vendimit nr. 6945, datë 01.08.2018 të Gjykatës së Shkallës së Parë dhe kthimin e
çështjes për rigjykim me tjetër trup gjykues", duke arsyetuar se Gjykata e Shkallës së Parë
Tiranë, nuk e ka trajtuar pretendimin e palës së paditur, parashtruar në deklaratën e mbrojtjes, se
paditësit Florant Kapllani, i ka kaluar afati 180 ditor i ngritjes së padisë
9. Në rigjykim Gjykata e Shkallës së Parë, solli në vëmendje të palëve dhe të debatit
gjyqësor konstatimet e mësipërme të parashtruara në Gjykatën e Apelit, ku paditësi ka
parashtruar në mënyrë permanente vullnetin e tij për vazhdimin e gjykimit dhe në këtë rast, për
ngritjen e padisë së re ka pritur që vendimi i kthimit të padisë dhe akteve të merrte formë të
prerë.

2
10. Sipas palës paditëse afati i parashkrimit është pezulluar dhe në referencë të nenit 135
të K.Civil, afati i ri i parashkrimit fillon nga dita që ka marrë formë të prerë vendimi me të cilin
është zgjidhur çështja në themel. Nga ana tjetër, pala e paditur, nuk paraqiti ndonjë qëndrim me
shkrim për këtë çështje, ndonëse kjo gjë iu la detyrë nga gjykata në seancën pregatitore.
11. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr. 755, datë 09.02.2021, ka
vendosur :
“-Pranimin e pjesshëm të kërkesëpadisë së ngritur nga paditësi Florant Kapllani.
-Detyrimin e palës së paditur të dëmshpërblejë paditësin me pagën e 2(dy) muajve për
mosrespektimin e procedurës sipas nenit 144 të K.Punës, si dhe me pagën e 2 (dy) muajve për
mosrespektimin e afatit të njoftimit, si dhe me pagën e 6 (gjashtë) muajve punë si dëmshpërblim
për zgjidhje të menjëhershme dhe të pajustifikuar të marrëdhënieve të punës.
-Detyrimin e palës së paditur të paguajë në favor të paditësit një shumë sa paga e 3 (tre) muajve
punë si shpërblim për vjetërsi
-Në llogaritjen e dëmshpërblimit të merret si bazë paga mesatare mujore e vitit të fundit të punës
-Rrëzimin e padisë për pjesën tjetër të saj”
12. Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin nr. 117, datë 05.10.2022, ka vendosur:
“Lënien në fuqi të vendimit nr. 755, datë 09.02.2021 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë”.
13. Kundër këtij vendimi, ka paraqitur rekurs pala e paditur Shoqëria “Posta Shqiptare”
SHA. Në rekurs, pala kërkuese kërkon pezullimin e ekzekutimit të vendimit të sipërcituar,
sipas nenit 479 të KPC. Kjo kërkesë për pezullim lidhet me nenin 479 të Kodit të Procedurës
Civile dhe mënyrave të ekzekutimit të vendimit ndaj instancave shtetërore, ku vjelja e debisë
është një fakt i sigurt dhe në të ardhmen, parashikuar kjo dhe në nenin 589 të Kodit të Procedurës
Civile.

II. Vlerësimi i Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë

14. Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë (në vijim Kolegji) vlerëson se kërkesa e palës
kërkuese Shoqëria “Posta Shqiptare” SHA, për pezullimin e ekzekutimit të vendimit gjyqësor të
sipërcituar është e pabazuar në ligj.
15. Në pikën 1 të nenit 479 të Kodit të Procedurës Civile, parashikohen kushtet dhe
motivet për të cilat, Gjykata e Lartë, mund të pezullojë ekzekutimin e vendimit gjyqësor:
“1. Gjykata e Lartë, pasi është paraqitur rekursi, me kërkesë të palës, mund të vendosë
pezullimin e ekzekutimit të vendimit kur: a) ekzekutimi i menjëhershëm i vendimit do të sillte
pasoja të rënda e të pariparueshme; dhe/ose b) pala që ka bërë rekursin depoziton garanci
materiale që siguron ekzekutimin vendimit”.
16. Në zbatim të pikës 1 të nenit 479 të KPC, konstatohet se pala tjetër Florant Kapllani,
pjesëmarrës në gjykimin e çështjes ku është dhënë vendimi gjyqësor, është njoftuar për kërkesën
e paraqitur nga pala kërkuese dhe nuk ka parashtruar argumente në lidhje me bazueshmërinë e
kërkesës.
17. Kolegji vlerëson se neni 479/1 i KPC garanton vendosjen e masës së përkohshme
procedurale të pezullimit të ekzekutimit të vendimit gjyqësor të formës së prerë (në kuptimin
material) në funksion të zgjidhjes së rekursit, që është ushtruar ndaj vetë vendimit të formës së
prerë, sigurisht duke pasur parasysh arsyet justifikuese të zbatimit të kësaj mase, sikur mundet të
jetë dëmi i rëndë dhe i pariparueshëm që mund të sjellë ekzekutimi i menjëhershëm i vendimit
gjyqësor të formës së prerë. Kjo e drejtë e palës ndërgjyqëse gjyqhumbëse është paraparë nga
ligji procedural civil si mjet që garanton ankimin efektiv në kuptim të nenit 43 të Kushtetutës së

3
Republikës së Shqipërisë dhe nenit 13 të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut. Por
duhet theksuar se kjo është një masë e përkohshme me karakter përjashtimor dhe të
jashtëzakonshëm. Kjo do të thotë se pala ndërgjyqëse gjyqhumbëse që bën kërkesën për
pezullimin e vendimit gjyqësor të formës së prerë ka barrën t’i paraqesë Gjykatës rrethanat
konkrete, të bazuara në prova në cilat nga ekzekutimi i menjëhershëm i vendimit gjyqësor të
formës së prerë, kësaj pale mund t’i vijë një dëm i rëndë në mënyrë të pa rikthyeshme.
18. Nga shqyrtimi i shkaqeve konkrete për të cilat pala kërkuese Posta Shqiptare SHA,
Filiali Qendra Tranzite, kërkon pezullimin e ekzekutimit të vendimit gjyqësor, Kolegji Civil
vlerëson se, kërkuesi nuk ka paraqitur asnjë shkak apo argument konkret të bazuar në prova se
pse ekzekutimi i menjëhershëm i vendimit do të sillte për palën e paditur pasoja të rënda dhe të
pariparueshme.
19. Përsa më sipër, Kolegji Civil vlerëson se nuk ka vend për të pranuar kërkesën e
paraqitur nga kërkuesi Posta Shqiptare SHA, Filiali Qendra Tranzite, për pezullimin e
ekzekutimit të vendimit gjyqësor të formës së prerë.

PËR KËTO ARSYE,

Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, në bazë të nenit 479 të Kodit të Procedurës Civile.

V E N D O S I:

Mospranimin e kërkesës së paraqitur nga kërkuesi Posta Shqiptare SHA, Filiali Qendra
Tranzite, për pezullimin e ekzekutimit të vendimit nr. 755, datë 09.02.2021 të Gjykatës së Rrethit
Gjyqësor Tiranë, lënë në fuqi me vendimin nr. 117, datë 05.10.2022 të Gjykatës së Apelit Tiranë.

Tiranë, më 31.05.2023

You might also like