You are on page 1of 9

Tiranë më 29.04.

2015

Nr. 11118-01640-00-2011 i Regj. Themeltar


Nr. 00-2015 -1725 i Vendimit (228)

VENDIM
NË EMËR TË REPUBLIKËS

Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë i përbërë nga:

Ardian NuniKryesues
Admir ThanzaAnëtar
Artan BrociAnëtar

në seancën gjyqësore të datës 30.04.2015 mori në shqyrtim çështjen civile me nr.01640/11,


që u përket palëve:

PADITËSA:ADILE BALI, ALBAN BALI, MARENGLEN BALI, ANXHELA BALI, përfaqësuar


nga avokat Arsen Baltëza.
E PADITUR: SHOQËRIA E SIGURIMEVE “INTERSIG” SHA, përfaqësuar nga juristët Adi
Nana dhe Klea Korbeci

OBJEKTI:
Detyrimin për të dëmshpërblyer dëmin material
të automjetit motorik në vlerën 5000.000 lekë.
Detyrimin për të dëmshpërblyer dëmin e plotë pasuror,
shpenzimet e nevojshme dhe të arsyeshme të varrimit
si dhe dëmin e plotë jopasuror i cili konsiston në dëmin moral e ekzistencial,
si pasojë e vdekjes së të ndjerit Ritvan Bali në vlerën 13.278.028 lekë,
si dhe kamat vonesat nga dita e aksidentit deri në marrjen e dëmshpërblimit.
Baza Ligjore: Neni 15 i Kushtetutës.
Neni 31 e vijues të K.Pr.Civile.
Neni 2 e vijues të Dekretit të Presidentit nr.295, datë 15.09.1992,
miratuar me ndryshime me ligjin nr.7641, datë 01.12.1992.
Neni 6 e vijues i Rregullores nr.622/1, datë 15.15.12.1992 i Ministrit të Financave.
Nenet 92, 419 e vijues, neni 608 e vijues, nenet 450, 625, 640 të K.Civil.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan, me vendimin nr.294, datë 08.02.2010, ka vendosur:


Detyrimin e palës së paditur Shoqëria e Sigurimeve ”INTERSIG” SHA Tiranë, të shpërblejë
paditësat Adile Bali, Marenglen Bali, Anxhela Bali e Alban Bali për:
a. Dëmin pasuror+jopasuror të vdekjes së të ndjerit Ridvan Bali+kamat vonesat deri në
datën e dorëzimit të aktit datë 15.12.2009, në total në masën 15.807.526 (pesëmbëdhjetë
milion e tetëqind e shtatë mijë e pesëqind e njëzet e gjashtë) lekë, si dhe vlerën e kamatave
ditore mbas datës 15.12.2009 deri në ditën e ekzekutimit të detyrimit në shumën 2.188
(dymijë e njëqind e tetëdhjetë e tetë) lekë për çdo ditë vonesë; secilit nga ¼ (një të katërtat)
e kësaj shume.
b. Dëmin material+kamat vonesat deri në 31.12.2009 në total në masën 592.178 (pesëqind
e nëntëdhjetë e dy mijë e njëqind e shtatëdhjetë e tetë) lekë, si dhe vlerën e kamatave ditore
mbas datës 31.12.2009 deri në fund të vitit 2010 në masën 92,86 (nëntëdhjetë e dy pikë
tetëdhjetë e gjashtë) lekë për çdo ditë vonesë; secilit nga ¼ (një të katërtat) e kësaj shume.

Gjykata e Apelit Durrës, me vendimin nr.10-2011-665 (329), datë 12.05.2011, ka vendosur:


Lënien në fuqi të vendimit nr.294, datë 08.02.2010 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan.

Kundër vendimit të gjykatës së apelit ka ushtruar rekurs pala e paditur shoqëria e sigurimeve
“Intersig” SHA, me të cilin kërkon ndryshimin e vendimit të gjykatës së shkallës së parë dhe
të vendimit të gjykatës së apelit dhe rrëzimin e padisë, për këto shkaqe:
- Gjykatat e faktit kanë zbatuar gabim dispozitat e nenit 112 e vijues të K.Civil në lidhje me
parashkrimin e padisë dhe dekadencën e të drejtave.
- Nisur nga baza ligjore e padisë, po ti qëndrojmë pretendimit se jemi përpara një
marrëdhënie kontraktore, parashkrimi i padisë është me një afat 2 vjeçar.
- Ndërkohë, po t’i qëndrojmë bazës ligjore që i referohet dispozitave përkatëse të K.Civil,
bazuar në nenin 115/dh të K.Civil, ngritja e padisë duhet të bëhet brenda një afati 3 vjeçar.
- Në kuptim të nenit 117 të K.Civil, afati i parashkrimit nis të ecë nga moment kur subjektit i
ka lindur e drejta e padisë, që në këtë rast është data 13.06.2006, kur ka humbur jetën
trashëgimlënësi i palës paditëse. Sa më lart pranohet dhe në vendimin njësues nr.12/2007
të K.B. të Gjykatës së Lartë.
- Bazuar në nenin 120 të K.Civil, dijenia për dëmin nga pala paditëse është vërtetuar që në
datën e ngjarjes (vdekjes), ndërkohe dijenia për personin që ka shkaktuar dëmin është/duhet
të ishte e lidhur me datën e ngjarjes.
- Dallimi mes personit përgjegjës për dëmin dhe personit që shkakton dëmin, na sjell në
përfundimin se afati për ngritjen e padisë nuk duhet të ecë nga momenti kur ka marrë formë
të prerë vendimi penal ndaj shtetasit shkaktar të aksidentit.

KOLEGJI CIVIL I GJYKATËS SË LARTË


pasi dëgjoi relatimin e gjyqtarit Ardian Nuni; përfaqësuesin e palës së paditur, shoqërisë
“Intersig” SHA, juristët Adi Nana dhe Klea Korbeci, që kërkuan ndryshimin e vendimit të
gjykatës së shkallës së parë dhe të vendimit të gjykatës së apelit dhe rrëzimin e padisë;
përfaqësuesin e palës paditëse, avokatin Arsen Baltëza, që kërkoi lënien në fuqi të vendimit
të gjykatës së apelit, dhe si bisedoi çështjen në tërësi,

VËREN
RRETHANAT E ÇËSHTJES:
1. Nga materialet e dosjes gjyqësore rezulton se paditësit Adile Bali, Alban Bali, Marenglen
Bali e Anxhela Bali janë në marrëdhënie të posaçme me njëri tjetrit; nënë e fëmijë, si dhe
trashëgimtarë ligjorë të radhës së parë të trashëgimlënësit Ritvan Bali.
2. Rezulton se më datën 13.06.2006, në aksin rrugor Elbasan-Rrogozhinë, në vendin e
quajtur degëzimi i Karinës, ka ndodhur një aksident automobilistik.
2.1. Mjeti tip “Golf”, me targa KJ 4462 A, me drejtues dhe në pronësi të shtetasit Hyqmet
Xhani është përplasur me automjetin tip Benz 250 D, me targa EL 7572 A, me drejtues dhe
në pronësi të shtetasit Ritvan Bali.
2.2. Si pasojë e këtij aksidenti kanë gjetur vdekjen dy pasegjerë që udhëtonin në automjetin
e shtetasit Hyqmet Xhani dhe shtetasi Ritvan Bali, drejtuesi i automjetit tip Benz 250 D, me
targa EL 7572 A.
3. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan, me vendimin nr.309, datë 20.12.2006, ka deklaruar
fajtor dhe dënuar të pandehurin Hyqmet Xhani, në bazë të nenit 290/2 të Kodit Penal, me 9
vjet burg. Ky vendim është lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit Durrës, me vendimin nr.300,
datë 03.07.2007, ndërsa Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, me vendimin nr.222, datë
24.04.2009, ka vendosur mospranimin e rekursit të paraqitur nga i gjykuari Hyqmet Xhani.
3.1. Sipas vendimit gjyqësor penal të sipërcituar shkaku i aksidentit rezulton të jetë shkelja e
rregullave të qarkullimit rrugor të drejtuesit të automjetit me targa KJ 4462 A, shtetasit
Hyqmet Xhani.
4. Rezulton se automjeti me targa KJ 4462 A me drejtues dhe në pronësi të shtetasit
Hyqmet Xhani është i siguruar pranë shoqërisë “Intersig” SHA, me kontratën e sigurimit të
detyrueshëm TPL nr.0116900, me periudhë sigurimi nga data 12.09.2005 deri më datë
11.09.2006.
5. Pala paditëse e këtij gjykimi, i është drejtuar palës së paditur me kërkesën e datës
28.05.2009, duke kërkuar informacion në lidhje me praktikën e dëmit, “...me miratimin e
pagimit të dëmshpërblimit në lidhje me dëmin shëndetësor, pasuror, jopasuror si pasojë e
vdekjes së të ndjerit z. Ritvan Bali si dhe dëmit material të shkaktuar automjetin të tij,...”.
6. Në rrethanat kur nga pala e paditur, shoqëria “Intersig” SHA nuk është kthyer përgjigje,
pala paditëse, me pretendimin se mjeti shkaktar i dëmit, i drejtuar nga i gjykuari penalisht
Hyqmet Xhani, ka qenë i siguruar pranë kësaj shoqërie dhe se nga aksidenti i automobilistik
i datës 13.06.2006, ku ka gjetur vdekjen bashkëshorti dhe ati i tyre, nga e cila i’u është
shkaktuar dëm pasuror dhe jo pasuror, me padinë e datës 03.07.2009 (protokolluar në
nr.756), kanë kërkuar si në objektin e saj, pasqyruar në pjesët hyrëse të vendimeve të
gjykatave të faktit
7. Nëpërmjet prapësimeve, pala e paditur, shoqëria “Intersig” SHA ka parashtruar se e drejta
e padisë së paditësave është parashkruar (neni 115/ç i K.Civil), pasi ngjarja ka ndodhur më
datën 13.06.2006, ndërsa padia është ngritur tej afatit dy vjeçar; provat e palës paditëse nuk
janë në përputhje me formën e kërkuar nga ligji.
8. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan, me vendimin nr.294, datë 08.02.2010, ka detyruar
palën e paditur, shoqërinë e sigurimeve “Intersig” SHA “...të shpërblejë paditësat Adile Bali,
Marenglen Bali, Anxhela Bali e Alban Bali për: a. Dëmin pasuror + jopasuror të vdekjes së të
ndjerit Ridvan Bali + kamat vonesat deri në datën e dorëzimit të aktit datë 15.12.2009, në
total në masën 15.807.526 (pesëmbëdhjetë milion e tetëqind e shtatë mijë e pesëqind e
njëzet e gjashtë) lekë, si dhe vlerën e kamatave ditore mbas datës 15.12.2009 deri në ditën
e ekzekutimit të detyrimit në shumën 2.188 (dymijë e njëqind e tetëdhjetë e tetë) lekë për
çdo ditë vonesë; secilit nga ¼ (një të katërtat) e kësaj shume. b. Dëmin material + kamat
vonesat deri në 31.12.2009 në total në masën 592.178 (pesëqind e nëntëdhjetë e dy mijë e
njëqind e shtatëdhjetë e tetë) lekë, si dhe vlerën e kamatave ditore mbas datës 31.12.2009
deri në fund të vitit 2010 në masën 92,86 (nëntëdhjetë e dy pikë tetëdhjetë e gjashtë) lekë
për çdo ditë vonesë; secilit nga ¼ (një të katërtat) e kësaj shume”.
8.1. Në pranimin e padisë, gjykata, pasi citon dispozitat e Kodit Civil të zbatueshme për
rastin konkret, ato të Dekretit të Presidentit nr.295, datë 15.09.1992 i miratuar me ndryshime
me ligjin nr.7641, datë 01.12.1992, Rregulloren e Ministrit të Financave nr.622/1, datë
15.12.1992, vendimin njësues nr.12, datë 14.09.2007 të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës
së Lartë dhe pasi ka administruar edhe akt ekspertimin përkatës, arsyeton: - “...paditësat
legjitimohen në kërkimin objekt gjykimi...”; - edhe pala e paditur ka legjitimitet pasiv, “...pasi
kjo palë ka patur kontratë sigurimi të detyrueshëm me shkaktarin e dëmit për përgjegjësitë
ndaj personave të tretë”; - rezultojnë të provuar elementet e domosdoshëm për gjykimet e
kësaj natyre: “a) Vërtetimi i ngjarjes që ka sjellë si pasojë dëmin. b) Sjellja e paligjshme e me
faj e shkaktarit të dëmit. c) ardhja e pasojave të dëmshme dhe llojet e tyre. ç) Lidhja
shkakësore materiale dhe juridike ndërmjet faktit të paligjshëm dhe dëmit të pësuar. d)
Rrethi i personave të cenuar që legjitimohen për të kërkuar dëmshpërblim dhe sasia e
dëmshpërblimit për secilin prej tyre, sipas ligjit në fuqi”; - më tej gjykata parashtron se duke
patur parasysh rrethanat “...të konstatuara në gjykim si: a-Në momentin e vdekjes, i ndjeri
Ritvan Bali, ka qenë në moshën 43 vjeçare. Ai nuk ka qenë i punësuar në sektorin publik por
ka patur në pronësi 9700 m2 tokë bujqësore nga e cila ai siguronte të ardhura...në masën
1.991.400 lekë në vit,...b-Si pasojë e vdekjes së të ndjerit paditësat kanë nevojë për
përkujdesje, edukim si dhe për shumë shërbime të tjera që vetëm e ëma nuk mund t’i
përballojë dhe mund t’ia japë,...” c- shpenzimet e varrimit, arrihet në përfundimin se pala
paditëse duhet të dëmshpërblehet për dëmin pasuror që i është shkaktuar nga vdekja e
bashkëshortit dhe atit; - referuar vendimit njësues të sipërcituar, gjykata ka pranuar dhe
dëmin jopasuror, në të gjitha format e tij, për secilin paditës veçmas, sipas përllogaritjeve të
bëra nga specialisti i fushës përkatëse, “Trashëgimtarët ligjorë të të ndjerit Ritvan Bali,
përkatësisht Adile Bali, Albana Bali, Anxhela Bali dhe Maringlen Bali, duhet të
dëmshpërblehen secili në ¼ e vlerës së dëmshpërblimit në total, sipas akteve të
ekspertimit”; - lidhur me prapësimet dhe pretendimet e palës së paditur gjykata ka arritur në
konkluzionin se padia në gjykim nuk është parashkruar, sepse “Rasti objekt gjykimi është një
marrëdhënie jashtëkontraktore...Sipas nenit 115 shkronja “dh” e K.Civil, parashkruhen
brenda tre vjetëve paditë për shpërblimin e dëmit jo kontraktor...”; - “Lidhur me momentin e
fillimit të ecjes së këtij afati, gjykata ka parasysh specifikën e veçantë që ka kjo lloj
marrëdhënie juridike, rregullimin ligjor dhe praktikën gjyqësore si dhe kërkesat ligjore që
duhet të plotësohen në mënyrë që të bëhet legjitimimi aktiv e pasiv për ngritjen e padisë.
Momenti i lindjes së të drejtës së subjektit të dëmtuar për të kërkuar shpërblimin e dëmit, në
rastin konkret i paditësave, është ngushtësisht i lidhur me momentin e lindjes së detyrimit
për subjektin mbartës të detyrimit përkatës, në rastin konkret palës së paditur”; - sipas nenit
13 të Dekretit nr.295/1992 dhe nenit 117 të Kodit Civil, “...personit të dëmtuar i lind e drejta
të kërkojë me anë të padisë..., që nga dita kur është përcaktuar se cili subjekt është fajtor
për shkeljen e rregullave të qarkullimit rrugor, që kanë shkaktuar dëmin. Nëse përgjegjës për
shkaktimin e dëmit do të ishte viktima, atëherë trashëgimtarët e tij nuk legjitimoheshin në
ngritjen e padisë. Nga ana tjetër, detyrimi për palën e paditur lind nga momenti që provohet
se i siguruari prej saj është fajtor për ngjarjen që ka sjellë dëmin. Nëse ai nuk do të
rezultonte fajtor, pala e paditur nuk ngarkohet me detyrim”; - “Për rastin konkret fajësia
provohet me vendimin penal të formës së prerë nr.309, datë 20.12.2006, i cili ka marrë
formë të prerë më datë 03.07.2007”; - referuar edhe vendimit njësues të Gjykatës së Lartë
“...,detyrimi për palën e paditur lind në momentin kur vërtetohet fakti i paligjshëm e me faj në
ngarkim të personit të siguruar, shkaktar i dëmit,...”; - përsa iu përket pretendimeve mbi akt
ekspertimin se përllogaritjet e dëmit pasuror dhe jopasuror nuk duhet të bëheshin sipas
vendimit njësues gjykata nuk i ka gjetur të mbështetura në ligj, pasi “Vendimi Unifikues
interpreton pikërisht zbatimin korrekt të diospozitave ligjore në fuqi për shpërblimin e dëmit
në raste të tilla dhe orienton gjykatat se si duhet t’i trajtojnë këto lloj marrëdhëniesh juridike
civile komplekse”.
9. Mbi ankimin e palës së paditur, shoqërisë “Intersig” SHA, me të njëjtin arsyetim, Gjykata e
Apelit Durrës, me vendimin nr.10-2011-665 (329), datë 12.05.2011, ka lënë në fuqi vendimin
e gjykatës së shkallës së parë.
10. Kundër vendimit të gjykatës së apelit ka ushtruar rekurs pala e paditur shoqëria e
sigurimeve “Intersig” SHA, me të cilin kërkon ndryshimin e vendimit të gjykatës së shkallës
së parë dhe të vendimit të gjykatës së apelit dhe rrëzimin e padisë, për shkaqet e
pasqyruara në pjesën hyrëse të këtij vendimi.
LIGJI I ZBATUESHËM

11. Dispozitat e Kodit të Procedurës Civile dhe ato të Kodit Civil në të cilat është
parashikuar:
11.1. Neni 16§1 i K.Pr.Civile: “Gjykata zgjidh mosmarrëveshjen në përputhje me
dispozitat ligjore dhe normat e tjera në fuqi, që janë të detyrueshme të zbatohen prej saj. Ajo
bën një cilësim të saktë të fakteve dhe veprimeve që lidhen me mosmarrëveshjen, pa u
lidhur me përcaktimin që mund të propozojnë palët.
11.2. Neni 29 i K.Pr.Civile: “Gjykata mbështet vendimin në provat e paraqitura nga palët ose
nga prokurori, të marra në seancë gjyqësore.
Gjykata çmon provat që ndodhen në aktet, në bazë të bindjes së saj të brendshme, të
formuar nga shqyrtimi në tërësinë e tyre i rrethanave të çështjes”.
11.3. Neni 112 i K.Civil: “E drejta e padisë që nuk është ushtruar brenda afatit të caktuar në
ligj, shuhet dhe nuk mund të realizohet më me anë të gjykatës ose të organit tjetër
kompetent”.
11.4. Neni 115/dh i K.Civil: “Parashkruhen brenda afateve prej: a)...; b)...; c)...; ç)...; d)...; dh)
tre vjetëve paditë për shpërblimin e dëmit jo kontraktor dhe paditë për kthimin e përfitimit
pasuror pa të drejtë”.
11.5. Neni 117 i K.Civil: “Afati i parashkrimit fillon nga dita kur subjektit i ka lindur e drejta e
padisë”.
11.6. Neni 120 i K.Civil: “Për kërkimin e shpërblimit të dëmit jokontraktor, parashkrimi i
padisë fillon nga dita kur i dëmtuari ka ditur ose duhej të dinte për dëmin e pësuar dhe për
personin që e ka shkaktuar”.
11.7. Neni 129/e i K.Civil: “Parashkrimi pezullohet: a)...; b)...; c)...; d)...; e) për paditë me
objekt shpërblimin përkatës, të rrjedhura nga dëmtimi i shëndetit ose nga shkaktimi i
vdekjes, pezullimi i para shkrimit vazhdon nga dita kur i është paraqitur kërkesa organit të
sigurimeve shoqërore shtetërore dhe deri në ditën kur është caktuar pensioni ose është
refuzuar ajo kërkesë”.
11.8. Neni 130 i K.Civil: “Koha e pezullimit nuk llogaritet në afatin e parashkrimit. Kur pas
zhdukjes së shkakut pezullues, koha që mbetet për t’u plotësuar parashkrimi është më e
shkurtër se gjashtë muaj, ajo zgjatet deri në gjashtë muaj”.

KOLEGJI CIVIL I GJYKATËS SË LARTË VLERËSON

12. Se rekursi i paraqitur nga pala e paditur shoqëria e sigurimeve “Intersig” SHA nuk
përmban shkaqe nga ato të parashikuara në nenin 472 të Kodit të Procedurës Civile që të
motivojnë cenimin e vendimit nr.10-2011-665 (329), datë 12.05.2011 të Gjykatës së Apelit
Durrës, me të cilin është lënë në fuqi vendimi nr.294, datë 08.02.2010 i Gjykatës së Rrethit
Gjyqësor Elbasan.
13. Në shqyrtim të tërësisë së gjykimit të kësaj çështje, të akteve që ndodhen në dosjen
gjyqësore e të administruara gjatë gjykimit, objektit dhe shkakut të padisë, pretendimeve e
prapësimeve të palëve, të vendimeve të gjykatave të faktit, shkaqeve të rekursit dhe
parashtrimeve në seancë gjyqësore në Gjykatën e Lartë, Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë
vlerëson se përfundimi i arritur nga gjykatat e faktit është rrjedhojë e respektimit dhe zbatimit
të kërkesave të ligjit material dhe atij procedural.
14. Në juridiksionin rishikues të Gjykatës së Lartë përfshihen vetëm rastet rigorozisht të
përcaktuara në nenin 472 të Kodit të Procedurës Civile, që lidhen me mosrespektimin ose
zbatimin e gabuar të ligjit, si dhe me shkeljet e rënda të normave procedurale apo shkelje
procedurale që kanë ndikuar në dhënien e vendimit.
15. Sipas nenit 472 të Kodit të Procedurës Civile, kërkohet që nga ana e gjykatave të faktit
të mos jetë respektuar ose të jetë zbatuar keq ligji, të jenë lejuar shkelje të rënda
procedurale apo shkelje procedurale të tilla që të kenë ndikuar në dhënien e vendimit.
15.1. Në rekursin e paraqitur nga ana e palës së paditur nuk argumentohet një gjë e tillë.
Pretendimet se, sikurse gjykata e shkallës së parë dhe ajo e apelit: (i) ka zbatuar gabim
nenet 115, germa “dh”, 117, 120, 608 e vijues të Kodit Civil; (ii) nuk ka bërë një arsyetim të
drejtë në lidhje me parashikimet e vendimit njësues nr.12/2007 të Kolegjeve të Bashkuara të
Gjykatës së Lartë të udhëzimit të Ministrit të Financave, nuk rezulton të gjejnë mbështetje në
vetë këto dispozita në raport me të drejtën e pretenduar dhe gjendjen e faktit të vërtetuar
gjatë gjykimit.
16. Ky kolegj vlerëson se konkluzionet e arritura nga gjykatat e faktit mbështeten në
dispozitat ligjore të zbatueshme për gjykimin e çështjes konkrete dhe në argumenta të
nxjerra nga provat, të cilat janë marrë, administruar e vlerësuar si të tilla në pajtim me
dispozitat e Kodit të Procedurës Civile.
16.1. Nga aktet procedurale të gjykimit të çështjes evidentohet se gjykatat kanë zhvilluar një
proces të rregullt ligjor, duke garantuar zhvillimin e një hetimi të plotë dhe të gjithanshëm të
çështjes (neni 14 i K.Pr.Civile). Ato kanë sqaruar plotësisht rrethanat dhe faktet që lidhen me
mosmarrëveshjen objekt gjykimi si përsa ka të bëjë me prapësimin e palës së paditur lidhur
me parashkrimin e padisë në shqyrtim, ashtu dhe me themelin e çështjes, duke bërë një
cilësim të saktë të fakteve dhe veprimeve që lidhen me të.
16.2. Konkluzioni i gjykatave, ndonëse me mungesë koherence në arsyetim lidhur me
momentin e lindjes të së drejtës së palës paditëse për të kërkuar shpërblimin e dëmit të
pretenduar të shkaktuar (neni 117 i K.Civil), që për rastin i korrespondon datës së ndodhjes
së aksidentit automobilistik dhe faktit që pala paditëse ka patur dijeni që në këtë moment
edhe për personin që ishte drejtues i mjetit që shkaktoi aksidentin (neni 120 i K.Civil), është
rrjedhojë e një analize tërësore dhe objektive të provave, akteve shkresore (neni 126 i
K.Pr.Civile) që lidhen e përcaktojnë afatin tre vjeçar të parashkrimit shues për rastin konkret.
17. Përsa i përket vendimit të gjykatës së apelit, ky kolegj vlerëson se kjo gjykatë, e vënë në
lëvizje mbi ankimin e palës paditëse, iu ka dhënë përgjigje pretendimeve të ankimit dhe,
njëkohësisht, ka dhënë dhe arsyet ligjore se përse ka lënë në fuqi vendimin e gjykatës së
shkallës së parë.
18. Ndryshe nga sa pretendohet në rekurs, ky kolegj e vlerëson të drejtë konkluzionin e
gjykatave të faktit se për rastin konkret e drejta e padisë së palës paditëse të këtij gjykimi
nuk është parashkruar.
19. Veç sa kanë parashtruar gjykatat e faktit, lidhur me këtë pretendim, Kolegji Civil i
Gjykatës së Lartë e gjen me vend të parashtrojë se sipas nenit 112 të Kodit Civil parashkrimi
i padisë përmban kurdoherë dy kushte ose elemente thelbësorë: (i) kalimin e një periudhe
kohe të caktuar dhe (ii) mosveprimin e titullarit për të ushtruar këtë të drejtë gjatë kësaj kohe.
Kushti i parë përbën atë që quhet afat i parashkrimit të padisë dhe kushti tjetër konsiston në
mosveprimin e titullarit të së drejtës në rastet kur ai mund dhe duhej të vepronte. Në këtë
vështrim juridik del se elementi thelbësor i parashkrimit nuk është kalimi i kohës në vetvete,
por është mos veprimi/pasiviteti i titullarit të së drejtës për të mbrojtur, brenda kohës së
caktuar nga ligji, të drejtën e tij të cenuar ose të mohuar.
20. Afati i parashkrimit për paditë që kanë për objekt kërkimi shpërblimin e dëmit jo
kontraktor është tre vjeçar (neni 115/dh i K.Civil). Sipas nenit 117 të po këtij Kodi afati i
parashkrimit të padisë fillon nga dita kur subjektit i ka lindur e drejta e padisë. Nga momenti i
lindjes të së drejtës fillon të ecë afati i parashkrimit. Pra, ky është momenti nga i cili fillon të
llogaritet ky afat, llogaritje që bëhet sipas nenit 136 të Kodit Civil.
20.1. Momenti i lindjes të së drejtës së padisë përcaktohet si momenti i fillimit të ecjes së
afatit të parashkrimit, pasi vetëm me lindjen e kësaj të drejte mund të flitet për mosveprim të
titullarit dhe vetëm kur cenohet e drejta subjektive lind e drejta e padisë për mbrojtjen e saj.
20.2. Duke iu referuar këtij rregulli ligjor dhe fakteve të vërtetuara gjatë gjykimit për rastin
arrihet në përfundimin se me të drejtë gjykatat e faktit kanë konkluduar se e drejta e padisë
së paditësave Adile Bali, Marenglen Bali, Anxhela Bali e Alban Bali nuk është parashkruar.
20.3. Sipas nenit 120 të Kodit Civil, parashkrimi i padisë fillon nga dita kur i dëmtuari ka ditur
ose duhej të dinte për dëmin e pësuar dhe për personin që e ka shkaktuar. Këto dy kushte
duhet të ekzistojnë në mënyrë kumulative. Në këtë vështrim, parashkrimi i padisë për
paditësat ka filluar të ecë nga momenti kur ata janë dëmtuar dhe janë vënë në dijeni për
personin që i’u ka shkaktuar dëmin, që për rastin ky moment përkon me datën 13.06.2006.
21. Duke iu rikthyer rastin në shqyrtim, nga materialet e dosjes gjyqësore dhe nga sa është
vërtetuar gjatë gjykimit në të dy shkallët, rezulton se ngjarja që përbën rast sigurimi ka
ndodhur më datën 13.06.2006. Rezulton që nga ana e paditësave të këtij gjykimi i janë
drejtuar me kërkesë palës së paditur. Në kuptim të germës “e” të nenit 129 të Kodit Civil,
paraqitja e kërkesës pranë shoqërisë së sigurimeve, palës së paditur të këtij gjykimi përbën
shkak pezullimi për ecjen e afatit të parashkrimit.
22. Në Kodin Civil nuk jepet në mënyrë të shprehur kuptimi i pezullimit, por duke i’u referuar
neneve 129 e 130 të tij, me pezullim të parashkrimit kuptohet mos fillimi ose mos ecja e
afatit të parashkrimit, përsa kohë ekzistojnë rrethana që nuk lejojnë titullarin e së drejtës të
ngrejë padi. Rrethanat, që në ligj quhen shkaqe të pezullimit të parashkrimit, janë pasqyruar
në mënyrë shteruese. Ato parashikohen në mënyrë të shprehur nga ligji dhe asnjë shkak
tjetër i ndryshëm, sado pengues të jetë për titullarin e së drejtës, nuk mund të shërbejë si
shkak pezullues e, për pasojë, nuk mund të pezullojë parashkrimin. Në këtë kontekst nuk
përbën shkak pezullimi procedimi penal në ngarkim të personit që ka qenë shkaktar i
aksidentit, sikurse arsyetojnë gjykatat.
22.1. Sipas nenit 129/e të Kodit Civil, për paditë me objekt shpërblimin përkatës, të rrjedhura
nga dëmtimi i shëndetit ose nga shkaktimi i vdekjes, shkak për pezullimin e parashkrimit të
padisë përbën kërkesa e paraqitur para organit të sigurimeve. Pezullimi vazhdon deri në
ditën kur është caktuar masa e dëmshpërblimit apo refuzuar kërkesa.
22.2. Në nenin 130 të Kodit Civil është parashikuar që koha e pezullimit nuk llogaritet në
afatin e parashkrimit. Kjo do të thotë që përsa kohë ekziston shkaku pezullues-rrethana që
ka sjellë pezullimin, afati i parashkrimit nuk ecën. Me rënien e shkakut pezullues, afati i
pafilluar i parashkrimit fillon të ecë, ndërsa afati i ndaluar për shkak të vërtetimit të rrethanës,
që përbënte shkak pezullues, vazhdon të ecë vetëm për pjesën e mbetur. Periudha në të
cilën zgjat pezullimi nuk llogaritet. Nëse pas zhdukjes së shkakut pezullues, koha që mbetet
për t’u plotësuar parashkrimi është më e shkurtër se gjashtë muaj, ajo zgjatet deri kë gjashtë
muaj.
22.3. Ky kolegj vlerëson se për rastin ndodhemi përpara pezullimit të ecjes së afatit të
parashkrimit. Shkaku pezullues është i lidhur me paraqitjen e kërkesës pranë palës së
paditur dhe me momentin kur është paraqitur kjo kërkesë. Nisur nga data e paraqitjes së
kërkesës që përbën shkakun e pezullimit të ecjes së afatit të parashkrimit, në raport me
datën 14.06.2009 kur ky afat përfundonte, nëse nuk ekzistonte shkaku i pezullimit, koha e
pezullimit nuk llogaritet në afatin e parashkrimit dhe meqenëse koha që ka mbetur për t’u
plotësuar është më e shkurtër se gjashtë muaj ajo është zgjatur deri në gjashtë muaj. Për
rrjedhojë, ndonëse shkaku pezullues nuk ka rënë për arsye se pala e paditur nuk ka kthyer
përgjigje, padia e depozituar në gjykatë më datën 03.07.2009 vlerësohet se është brenda
afatit të parashkrimit.
22.4. Ky konkluzion arrihet nga interpretimi i neneve 129/e dhe 130 të Kodit Civil. Ndonëse
në nenin 129/e referohet në subjektet shtetërore, kjo nuk do të thotë që në fushën e
sigurimeve pezullimi i parashkrimit mënjanohet nga institucionet e tjera, qofshin këto dhe
subjekte private.
23. Nga ana tjetër, në kuptim dhe qëllim të dekretit nr.295, datë 15.09.1992 “Për sigurimin e
detyrueshëm të mbajtësve të mjeteve motorike për përgjegjësinë ndaj personave të tretë”,
miratuar me ndryshime me ligjin nr.7641, datë 01.12.1992, pavarësisht nëse personi, si
drejtues i mjetit që ka shkaktuar dëmin, ka ose jo përgjegjësi penale, përgjegjësia civile për
dëmin që mund t’u shkaktohet të tretëve nga mjeti motorik bie mbi shoqëritë e sigurimeve
dhe/ose mbi Byronë Shqiptare të Sigurimeve, rast pas rasti. Këto të fundit, nëse janë rastet
e parashikuara nga ligji i posaçëm mund të ushtrojnë padinë e regresit.
24. Pretendimet, që kanë të bëjnë me zgjidhjen në themel të çështjes, se gjykata e shkallës
së parë dhe ajo e apelit: (i) kanë zbatuar gabim nenet 608 e vijues të Kodit Civil; (ii) nuk
kanë respektuar kërkesat e dispozitave të Dekretit nr.295/1992; (iii) kanë ngatërruar llojin e
përgjegjësisë civile, përgjegjësinë kontraktore me atë jashtëkontraktore, kur për rastin, edhe
nëse ekziston një e tillë, ajo është përgjegjësi kontraktore; (iv) nuk kanë përcaktuar drejt dhe
konform ligjit masën e dëmshpërblimit, nuk rezulton të gjejnë mbështetje në vetë këto
dispozita në raport me të drejtën e pretenduar dhe gjendjen e faktit të vërtetuar gjatë
gjykimit.
25. Ndryshe nga sa pretendohet nga pala rekursuese, Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë
vlerëson se detyrimi që lind nga zbatimi i dispozitave të Dekretit nr.295, datë 15.09.1992
“Për sigurimin e detyrueshëm të mbajtësve të mjeteve motorike për përgjegjësinë ndaj
personave të tretë”, miratuar me ndryshime me ligjin nr.7641, datë 01.12.1992 dhe
ndryshuar me ligjin nr.8279, datë 18.01.2001 për të tretët është detyrim jashtëkontraktor. Për
rrjedhojë, përsa nuk është parashikuar në dispozitat e këtij dekreti gjejnë zbatim dispozitat e
Pjesës Tretë, Titulli IV të Kodit Civil (neni 608 e vijues).
26. Ky kolegj vlerëson se arsyetimi dhe konkluzioni i arritur nga gjykatat e faktit se për rastin:
(i) palës paditëse nga vdekja e Ritvan Balit i është shkaktuar një dëm pasuror dhe jopasuror;
(ii) veprimet e drejtuesit të mjetit tip “Golf”, me targa KJ 4462 A janë të paligjshme, pasi ato
janë kryer në shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor; (iii) ekziston fajësia e drejtuesit të
këtij mjeti; (iv) ekziston lidhja shkakësore midis faktit të paligjshëm dhe pasojës së ardhur,
dëmi që i është shkaktuar paditësave të këtij gjykimi është rrjedhim i drejtpërdrejtë dhe i
menjëhershëm i veprimeve të paligjshme të drejtuesit të mjetit “Golf”, me targa KJ 4462 A,
mbështetet në dispozitat ligjore të zbatueshme për gjykimin e çështjes konkrete dhe në
argumenta të nxjerra nga provat, të cilat janë marrë, administruar e vlerësuar si të tilla në
pajtim me dispozitat e Kodit të Procedurës Civile.
27. Evidentohet se gjykata e apelit ju ka dhënë përgjigje pretendimeve të ankimit dhe,
njëkohësisht ka dhënë edhe arsyet ligjore se përse ka lënë në fuqi vendimin e gjykatës së
shkallës së parë.
28. Pretendimet e tjera të rekursit kanë të bëjnë me fakte e rrethana që i përkasin procesit të
provuarit lidhur me themelin e çështjes, që është në ekskluzivitetin e gjykatave të faktit. Për
rastin, ka rezultuar e vërtetuar se padia e paditësave Adile Bali, Marenglen Bali, Anxhela
Bali e Alban Bali, nuk është parashkruar, gjykatat e faktit me të drejtë kanë marrë në analizë
faktet dhe rrethanat që i përkasin themelit të padisë lidhur me shpërblimin e dëmit.
28.1. Provat nuk mund të jenë objekt vlerësimi nga Gjykata e Lartë. Mund të përbëjnë shkak
ligjor për cenimin e vendimeve të gjykatave të faktit, atëherë kur evidentohen pretendime
ndaj një procesi gjyqësor për rrugët dhe mënyrat e marrjes së provave, pasqyrimit të tyre,
por jo për mënyrën e vlerësimit.
28.2. Kontrolli rishikues i Gjykatës së Lartë nuk mund të zëvendësojë atributet kushtetuese e
ligjore të gjykatave të faktit (gjykatës së shkallës së parë dhe apelit), dhe aq më tepër të
vlerësojë bindjen e brendshme të këtyre gjykatave për çështje konkrete, sikurse kërkohet në
rastin në shqyrtim nga paditësi.
29. Gjithashtu, konstatohet se nga ana e gjykatave të faktit nuk janë lejuar shkelje të rënda
të normave procedurale të parashikuara në nenin 467 të Kodit të Procedurës Civile që, sipas
germës “b” të nenit 472 të po këtij Kodi, përbëjnë shkak për cenimin e vendimeve të këtyre
gjykatave.
29.1. Në rastin konkret nuk rezulton që nga gjykatat e faktit, të jenë shkelur dispozitat mbi
juridiksionin dhe kompetencën, që përbërja e trupit gjykues të ketë qenë e parregullt apo
vendimi të mos jetë nënshkruar nga anëtarët e tij, që çështja të jetë gjykuar në mungesë të
pjesëmarrësve në proces pa respektuar dispozitat mbi njoftimin e tyre, si në gjykatën e
shkallës së parë dhe në atë të apelit, që të mos jetë formuar drejt ndërgjyqësia apo të jetë
cenuar parimi i paanësisë, të mungojnë ose të jenë të pavlefshme aktet procedurale që kanë
ndikuar në dhënien e vendimit (germa “b” e nenit 472 të K.Pr.Civile në lidhje me nenin 467[]
të po këtij Kodi).
30. Përsa i përket germës “c” të nenit 472 të Kodit të Procedurës Civile[], dispozitë që ka
qenë në fuqi në kohën e gjykimit, rezulton se, si gjatë gjykimit të çështjes në shkallë të parë
dhe në apel, gjykatat nuk kanë lejuar shkelje të normave procedurale që të kenë ndikuar në
dhënien e vendimit.
31. Përsa më sipër Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë vlerëson se vendimi nr.10-2011-665
(329), datë 12.05.2011 i Gjykatës së Apelit Durrës duhet lënë në fuqi.

PËR KËTO ARSYE


Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë mbështetur në nenin 485/a të Kodit të Procedurës Civile.
VENDOSI
Lënien në fuqi të vendimit nr.10-2011-665 (329), datë 12.05.2011 të Gjykatës së Apelit
Durrës.

You might also like