You are on page 1of 10

Nr.11119-02067-00-2007 i Regj.

Themeltar
Nr.00-2011-1625 i Vendimit (367)

VENDIM
NË EMËR TË REPUBLIKËS

Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë i përbërë nga:

Fatos Lulo Kryesues


Andi Çeliku Anëtar
Evelina Qirjako Anëtare
Aleksandër Muskaj Anëtar
Medi Bici Anëtar

në seancën gjyqësore të datës 13.09.2011 mori në shqyrtim çështjen civile me palë:

PADITËS: SHOQËRIA “SCUTARI CONSTRUCTION”


SHPK, përfaqësuar nga Av. Hekuran Skuqi
I PADITUR: DEGA E DOGANËS DURRËS, përfaqësuar
nga juristi Brunild Gjuzi, juristja e Drejtorisë së
Përgjithshme të Tatimeve Ornela Biti dhe
Avokati i Shtetit Kadri Skera

OBJEKTI I PADISË:
Kthimi i shumës prej 26.630.542 Lekë
si begatim pa shkak i palës së paditur
Baza Ligjore: Neni 655 i Kodit Civil
dhe neni 249 i Kodit Doganor.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës, me vendimin nr.1617, datë 10.07.2006 ka


vendosur:
Pranimin e pjesshëm të kërkesëpadisë së palës paditëse Shoqëria Tregtare
"Scutari Construction" Shpk me të paditur Dega e Doganës Durrës.
Detyrimin e palës së paditur Dega e Doganës Durrës t'i kthejë palës paditëse
shumën prej 20.203.691 (njëzet milionë e dyqind e tre mijë e gjashtëqind e
nëntëdhjetë e një) Lekë si begatim pa shkak i palës së paditur.

Shpenzimet gjyqësore, duke përfshirë shpenzimet e aktit të ekspertimit në


vlerën 155.000 Lekë lihen në ngarkim të palëve ndërgjyqëse në raportin 4/5
palës së paditur dhe 1/5 palës paditëse.

Gjykata e Apelit Durrës, me vendimin nr.186, datë 30.04.2007, ka vendosur:


Lënien në fuqi të vendimit nr.1617, datë 10.07.2006 të Gjykatës së Rrethit
Gjyqësor Durrës.

1
Kundër vendimit të Gjykatës së Apelit Durrës, ka bërë rekurs pala e paditur, Dega e
Doganës Durrës, e cila kërkon ndryshimin e vendimit nr.186, datë 30.04.2007 të Gjykatës së
Apelit Durrës, i cili ka lënë në fuqi vendimin nr.1617, datë 10.07.2006 të Gjykatës së Rrethit
Gjyqësor Durrës dhe rrëzimin e kërkesë padisë së Shoqërisë “Scutari Construction” sh.p.k.,
duke paraqitur këto shkaqe:
- Vendimi i gjykatës së rrethit është pasojë e një hetimi jo të plotë e të gjithanshëm të
çështjes, kërkesë kjo e nenit 14 të K.Pr.Civile dhe analizës së provave, bazuar në
ligjet që rregullojnë mosmarrëveshjet në fushën e doganave sipas Ligjit nr.8449, datë
27.01.1999 "KODI DOGANOR", VKM nr.205, datë 13.04.1999 "Për dispozitat
zbatuese të Kodit Doganor;
- Megjithëse nga ana e jonë është provuar se kemi të bëjmë me kushtëzime të
përcaktuara nga neni 34/b i K.Doganor, gjykata nuk i ka marrë parasysh. Duke qenë
se çdo praktikë doganore është një veprim juridik më vete dhe shqyrtimi gjyqësor
duhet të bëhej duke analizuar provat për çdo praktikë doganore më vete. Gjykata, në
shkelje të hapur ligjore, gjykon në grup pa marrë parasysh faktin se një veprim i kryer
mund të jetë i saktë dhe një i mëpasshëm jo;
- Në bazë të nenit 6 të K.Pr.Civile gjykata ka detyrimin të përgjigjet mbi gjithçka që
kërkohet nga palët, detyrim ky i pa plotësuar në rastin tonë, pasi gjykata nuk është
shprehur mbi dyshimet që ne kemi ngritur, si dhe nuk ka hetuar mbi provat që ne
kemi paraqitur:
- Nga ana e jonë është provuar (provë e cila nuk është kundërshtuar nga paditësi), se
nga ana e Shoqërisë “Scutari Construction” sh.p.k. janë eksportuar periodikisht në
drejtim të Turqisë, për llogari të Shoqërisë “Izmir Demir Celik” skrap hekuri për
përpunim, e cila, e lidhur me kontratën e paraqitur, provon se ky skrap i dërguar pasi
të përpunohet në ambientet e Shoqërisë Turke “Izmir Demir Celik” do të rikthehej në
Shqipëri. Kemi të bëjmë me rastet klasike të përcaktuara në vetë nenin 34, pika 1/b,
kushtëzim ky për mospërcaktimin e vlerës doganore në bazë të nenit 34 të Kodit
Doganor, pasi vlera e mallit që importohet kushtëzohet nga vlera e mallit që paditësi i
ka dorëzuar Shoqërisë shitëse “Izmir Demir Celik”, pra në mënyrë të qartë vlera e
mallit që importohet nuk është vlera reale e tij, por është vlera e përcaktuar nga vetë
paditësi duke i shtuar vlerën e përpunimit të hekurit të përcaktuar në kontratë. Kjo gjë
bie ndesh me parimin e vlerës reale të transaktuar, që është vlera e pastër e përcaktuar
në një marrëveshje dy palëshe, e pa ndikuar nga kushte dytësore që ndërhyjnë në këtë
vlerë;
- Edhe në qoftë se kjo lidhje do të anashkalohej përsëri do të lindte pyetja: 2. A ka patur
dyshime të arsyetuara organi doganor rreth dokumentacionit të paraqitur nga ana e
paditësit në momentin e importit të mallrave?
Në të gjitha praktikat doganore mungon vlera e siguracionit të mallit si dhe kontrata e
transportit (+ Charter Party "pagesa e transportit"), elemente këto të detyrueshme për
t’u shtuar në vlerën doganore të mallrave sipas nenit 37/I, e të Kodit Doganor, fakt ky
i provuar edhe nga eksperti gjatë ekspertizës së tij.
- Gjykata ka gabuar në faktin se janë paraqitur të gjithë dokumentat e nevojshme në
bazë të nenit 34 të Kodit Doganor. Neni 37 i K.Doganor e përcakton qartë " ... i
shtohen vlerës doganore .....", pra janë të detyrueshëm për t’u shtuar shpenzimet e
tjera si transport, siguracion, etj., shpenzime këto që nuk u provuan me dokumenta
dhe që u provuan se nuk ndodheshin në praktikat doganore sipas ekspertit në

2
ekspertizën e tij. Neni 35 i K.Doganor nuk mund të aplikohej pasi nuk ka patur asnjë
import të ngjashëm apo identik në të njëjtën periudhë, import ky që do të bënte të
mundur aplikimin e nenit 35 të K.Doganor;
- Gjykata … ka marrë një ekspert, i cili nuk i përket fushës së doganës, por është
thjesht një ekspert kontabël. Duke mos patur njohuri mbi fushën, duke theksuar se
fusha doganore është tepër e ndërlikuar dhe komplekse, eksperti nuk është në gjëndje
të llogarisë me saktësi nëse dokumentacioni që ndodhet në dosjen doganore i plotëson
kushtet për t’u pranuar si i tillë apo jo. Nuk e dimë se ku i ka gjetur shifrat që ka
përdorur në vendimin e saj. Akti i ekspertimit ka gabime që rëndojnë pa të drejtë
Buxhetin e Shtetit dhe që nuk u korrigjuan as nga Gjykata e Apelit Durrës.

KOLEGJI CIVIL I GJYKATËS SË LARTË


pasi dëgjoi relatimin e gjyqtares Evelina Qirjako; Avokatin e Shtetit Kadri Skera, që
kërkoi ndryshimin e vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës dhe vendimit të
Gjykatës së Apelit Durrës dhe rrëzimin e padisë; përfaqësuesit e palës së paditur Dega e
Doganës Durrës, juristët Brunild Gjuzi dhe Ornela Biti; që kërkuan ndryshimin e vendimit të
Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës dhe vendimit të Gjykatës së Apelit Durrës dhe rrëzimin
e padisë; përfaqësuesin e palës paditëse “Scutari Construction” sh.p.k., av. Hekuran Skuqi, që
kërkoi lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës dhe vendimit të
Gjykatës së Apelit Durrës; dhe si bisedoi çështjen në tërësi,

VËREN
Gjykatat kanë pranuar rrethanat dhe faktet si vijon:
Nga aktet e dosjes gjyqësore rezulton se paditësi, “Scutari Construction” sh.p.k.
(“Scutari”), është një shoqëri tregtare, me seli në qytetin e Tiranës, e regjistruar si person
juridik me vendimin nr.28504, datë 07.11.2002 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Objekti i veprimtarisë së kësaj shoqërie është, ndër të tjera, edhe importimi dhe tregtimi i
hekurit.
Me kërkesë-padinë drejtuar gjykatës pala paditëse ka kërkuar të detyrohet pala e
paditur Dega e Doganës Durrës të paguajë në favor të saj shumën prej 26.630.542,00 Lekë,
si një shumë e paguar padrejtësisht në zhdoganimin e një sasie malli hekur ndërtimi që
paditësi ka importuar në vitin 2004.
Rezulton nga aktet që ndodhen në dosjen gjyqësore që paditësi ka lidhur
marrëveshje për vitin 2003, 2004 me Shoqërinë e së drejtës turke "Izmir Demir Celik
Sanayi" A.S. me qëllim blerjen e mallit "Hekur ndërtimi". Në termat e kësaj kontrate janë
përcaktuar qartë kushtet e lëvrimit të mallit, kushtet e pagesës, etj. Si rrjedhojë e
marrëveshjeve të mësipërme rezulton se pala paditëse që nga data 01.08.2003 gëzon të
drejtën e eskluzivitetit për shpërndarjen e mallrave të Shoqërisë së të drejtës turke "Izmir
Demir Celik Sanayi" A.S në territorin e Republikës së Shqipërisë.
Në referim të kontratave të mësipërme, rezulton se palët kishin rënë dakort që
çmimi i blerjes së mallit hekur për ndërtim të ishte 380 USD IMT (dollarë për ton metrik)
dhe çdo pagesë do të kryhej përmes bankës me adresa plotësisht të përcaktuara në kontratë.
Pala paditëse pretendon se Dega e Doganës Durrës ka aplikuar për efekt të
zhdoganimit të mallit të importuar prej saj, hekur për ndërtim, çmimin e referencës dhe nuk
i është referuar çmimit të përcaktuar nga palët në marrëveshjen e lartpërmendur.
Ajo pretendon gjithashtu se pala e paditur ka konsideruar dokumentacionin e

3
paraqitur prej saj me të meta dhe si rrjedhojë ka përdorur si mënyrë llogaritje të detyrimit
doganor atë të parashikuar në nenin 36 të Kodit Doganor. Sipas kësaj mënyre është marrë
për bazë metoda e zgjedhjes më të mirë me kufizime me të dhënat e dërguara nga Drejtoria
e Përgjithshme e Doganave Tiranë (ndryshe e njohur si metoda me çmimet e referencës).
Në këto rrethana, sipas pretendimeve të paditësit, llogaritja e bërë në bazë të nenit
36 të Kodit Doganor, duke marrë për bazë të dhënat e Drejtorisë së Përgjithshme të
Doganave, ka nxjerrë një detyrim doganor për palën paditëse në shumën 26.630.542 Lekë,
që përbën një vlerë më të madhe nga ajo që duhet të rezultonte nga detyrimi doganor, duke
marrë për bazë çmimin e transaksioneve të realizuara ndërmjet palëve. Ky detyrim i palës
paditëse rezulton i paguar në favor të Degës së Doganës Durrës pasi pala paditëse ka bërë
zhdoganimin e mallit, pavarësisht pretendimeve që ajo ka pasur për vlerën e detyrimit
doganor.
Në këto kushte, duke mos qenë dakord me vlerën e paguar më tepër si detyrim
doganor, pala paditëse i është drejtuar me kërkesëpadi gjykatës, duke kërkuar kthimin e
shumës sipas shkakut ligjor të parashikuar në të.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës, me vendimin nr.1617, datë 10.07.2006 ka
vendosur:
“Pranimin e pjesshëm te kërkesëpadisë së palës paditëse Shoqëria Tregtare "Scutari
Construction" Shpk, me të paditur Dega e Doganës Durrës.
Detyrimin e palës së paditur Dega e Doganës Durrës t'i kthejë palës paditëse shumën
prej 20.203.691 (njëzet milionë e dyqind e tre mijë e gjashtëqind e nëntëdhjetë e një) Lekë si
begatim pa shkak i palës së paditur.
Shpenzimet gjyqësore, duke përfshirë shpenzimet e aktit të ekspertimit në vlerën
155.000 Lekë, lihen në ngarkim të palëve ndërgjyqëse në raportin 4/5 palës së paditur dhe
1/5 palës paditëse”.
Kjo gjykatë ka arsyetuar se … me kërkesën e palës paditëse u mor në gjykim edhe
prova me ekspert kontabël … për të verifikuar saktësinë e llogaritjeve në deklaratat
doganore dhe diferencat ndërmjet tyre. Nga akti i ekspertimit datë 20.06.2006 rezulton se:
gjatë vitit 2004 Shoqëria Tregtare "Scutari Construction" sh.p.k. ka kryer importe të hekurit
për 10 raste dhe detyrimi sipas vlerës së transaksionit është 292.571.673,00 Lekë; detyrimi
doganor i shoqërisë me metodën e çmimit të referencës është 317.826.287,.00 Lekë; detyrimi
shtesë i paguar nga shoqëria si pasojë e aplikimit të çmimeve të referencës është
25.254.614,00 Lekë; në përcaktimin e vlerës doganore të mallit janë llogaritur, përveç vlerës
së mallit, edhe shpenzimet e transportit në masën 10 dhe 7 dollarë për ton malli dhe
shpenzimet e sigurimit në masën 1% të vlerës së mallit ose është marrë parasysh polica e
sigurimit të shoqërisë me Shoqërinë e Sigurimeve "Sigma" sh.a.... Në dokumentet e
paraqitura nga paditësi nuk vërehen pasaktësi dhe mungesa të dukshme sikundër
pretendohet nga pala e paditur. Në bazë të nenit 34 të K.Doganor rezultojnë të jenë
paraqitur të gjithë dokumentet e nevojshme për përcaktimin e vlerës doganore të tilla që nuk
lenë vend për dyshime për saktësinë e tyre. Pala e paditur, Dega e Doganës Durrës, ka
vepruar në kundërshtim me dispozitat e Kodit Doganor, duke çmuar se metoda e zbatuar prej
saj në mënyrë arbitrare anashkalon dy metodat e para të përcaktuara nga nenet 34 e 35 të
K.Doganor.............. ka qenë detyrë e Degës së Doganës Durrës që të verifikojë nëse ka pasur
apo jo zhdoganime të të njëjtit mall në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. …. Por
në ndryshim nga sa pretendon pala paditëse gjykata e gjen të bazuar pretendimin e palës së
paditur se Dega e Doganës Durrës, për vlerën e TVSH -së së mallit ka vepruar si agjent

4
tatimor, ç’ka do të thotë se ka vepruar për llogari të Degës së Tatim Taksave Durrës pranë
së cilës ka derdhur shumën e TVSH. Në rrethana të tilla, pala e paditur nuk mund të
detyrohet të paguajë një shumë që nuk e ka përfituar vetë. … pretendimi i palës paditëse
është pjesërisht i drejtë dhe i bazuar në ligj dhe në prova….”.
Gjykata e Apelit Durrës, me vendimin nr.186, datë 30.04.2007, ka vendosur:
“Lënien në fuqi të vendimit nr.1617, datë l0.07.2006 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor
Durrës”.
Kjo gjykatë arsyeton se ... sipas akt-ekspertimit pala paditëse, Shoqëria tregtare
"Scuatri Construction" ka paguar më tepër se duhej në favor të anës së paditur shumën
prej 20.203.691 Lekë si begatim pa shkak i anës së paditur; dokumentacioni i paraqitur
nga pala paditëse kanë qenë shkresa origjinale dhe nuk janë vërejtur pasaktësi dhe
mungesa të tyre, siç pretendohet nga ana e paditur;...... E megjithatë ana e paditur nuk i
ka njohur çmimin e përcaktuar në fatura dhe ka vepruar me çmim reference, me
pretendimin se çmimi i mallit objekt importi në bursë kuotohet me vlera më të mëdha se
sa është përcaktuar në kontratën e lidhur ndërmjet palëve... Pala e paditur nuk ka
provuar me asnjë provë shkresore të verifikuar që ka vënë në dyshim çmimet e
përcaktuara në faturat e shitjes për të justifikuar aplikimin e çmimit të referencës sipas
nenit 36 të Kodit Doganor.... Me të drejtë gjykata e shkallës parë, në arsyetimin e
vendimit të saj, ka pranuar faktin se edhe nëse pala paditëse nuk ka pasur
dokumentacionin e nevojshëm për aplikimin e kërkesave të nenit 34 të Kodit Doganor
për përcaktimin e detyrimit doganor, në rastin konkret, duhej që ana e paditur të
aplikonte kërkesat e nenit 35 të Kodit Doganor, duke mbajtur parasysh metodën e
analogjisë për faktin e njohur tashmë se janë shumë shoqëri tregtare shqiptare që gjatë
periudhës objekt gjykimi kanë importuar artikullin hekur ndërtimi në Shqipëri.
Kundër vendimit të Gjykatës së Apelit Durrës ka bërë rekurs pala e paditur, Dega e
Doganës Durrës, e cila kërkon ndryshimin e vendimit nr.186, datë 30.04.2007 të Gjykatës së
Apelit Durrës, i cili ka lënë në fuqi vendimin nr.1617, datë 10.07.2006 të Gjykatës së Rrethit
Gjyqësor Durrës dhe rrëzimin e kërkesë padisë së Shoqërisë “Scutari Construction” sh.p.k.,
duke paraqitur ato shkaqe që pasqyrohen në pjesën hyrëse të këtij vendimi.
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë çmon se rekursi i paraqitur nga ana e paditur, Dega e
Doganës Durrës, përmban shkaqe nga ato të parashikuara në nenin 472 të K.Pr.Civile, të cilat
e bëjnë të cënueshëm vendimin e Gjykatës së Apelit Durrës nr.186, datë 30.4.2007.
Para se ky Kolegj të parashtrojë qëndrimin e tij në lidhje me shkeljet e ligjës
proceduriale dhe materiale të lejuara nga gjykatat më të ulëta në çështjen objekt gjykimi,
çmon të shprehet në lidhje me kërkesën paraprake të paraqitur nga avokati i palës paditëse, i
cili në fillim të këtij gjykimi kërkoi mospranimin e rekursit të paraqitur nga pala e paditur
pranë kësaj gjykate, për arsye se ai është paraqitur tej afatit 30 ditor të parashikuar në nenin
443/2 të K.Pr.Civile, në të cilin shprehimisht thuhet “Afati për të bërë rekurs në Gjykatën e
Lartë kundër vendimeve të gjykatës së apelit është 30 ditë”.
Sipas pretendimeve të përfaqësuesit të paditësit vendimi i gjykatës së apelit mban
datën 30.04.2007, kurse ankimi (rekursi) kundër këtij vendimi drejtuar Gjykatës së Lartë
mban datën 23.07.2007.
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, pasi dëgjoi pretendimet e të dyja palëve në lidhje
me këtë kërkesë, vlerëson se kjo e fundit nuk duhet të pranohet pasi ajo është e pabazuar në
provat shkresore të ndodhura në dosjen gjyqësore dhe në ligj.

5
Rezulton e provuar nga procesverbali i seancës gjyqësore, administruar në dosjen
gjyqësore (fq. 17-19), se seanca gjyqësore për gjykimin e kësaj çështje është zhvilluar në
datën 26.04.2007. Ka rezultuar që në këtë seancë kanë marrë pjesë përfaqësuesit e të dyja
palëve ndërgjyqëse. Gjykata e apelit, pasi ka mbyllur shqyrtimin gjyqësor, ka shtyrë seancën
gjyqësore në datën 30.04.2007, ora 09.30 për shpalljen e vendimit.
Rezulton po nga procesverbali i seancës gjyqësore se në datën 30.04.2007 pala e
paditur nuk ka qenë e pranishme në shpalljen e vendimit. Në referim të së drejtës sonë
proceduriale dhe konkretisht nenit 316 të K.Pr.Civile: “vendimet e dhëna nga gjykata në
përfundim të gjykimit, si dhe vendimet e ndërmjetme për të cilat është parashikuar e drejta e
ankimit, u njoftohen palëve ose pjesëmarrësve të tjerë në proces kur gjykimi është zhvilluar
në mungesë të tyre, përveç kur parashikohet ndryshe në këtë Kod. Njoftimi bëhet sipas
rregullave të parashikuara në nenet 130 dhe 131 të këtij Kodi”.
Ligji procedurial në mënyrë eksplicite ka parashikuar të drejtën e palës për të marrë
dijeni (kur ajo nuk është e pranishme), për vendimin e dhënë nga gjykata. Jo më kot
ligjvënësi ka bërë një parashikim të tillë të rëndësishëm dhe jo pa arsye ai ka përcaktuar një
procedurë të caktuar të shprehur qartë në nenet 130, 131 të K.Pr.Civile, kjo pasi njoftimi i
akteve (ku futen dhe vendimet e gjykatave), si një akt procedurial kushtëzon drejtpërsëdrejti
disa prej efekteve që passjell akti që njoftohet. Në referim të nenit 444 të K.Pr.Civile, që
parashikon se: “Afatet e caktuara në nenin e mësipërm (443 të K.Pr.Civile), janë të prerë dhe
fillojnë nga dita e nesërme e shpalljes së vendimit përfundimtar. Kur çështja është gjykuar
nga gjykata e shkallës së parë ose nga gjykata e apelit, në mungesë të njërës palë, ky afat
fillon nga dita e njoftimit të vendimit”, rezulton se njoftimi kushtëzon fillimin e afatit të
kundërshtimit të vendimit.
Respektimi i rregullave dhe i formës së njoftimit është kusht i domosdoshëm për
vlefshmërinë e aktit procedurial. Në rast se respektohen sa më sipër, krijojnë prezumimin se
pala pjesëmarrëse në procesin gjyqësor ka dijeni për aktin dhe kopja e njoftimit të këtij akti
përbën provë të plotë për gjykatën dhe për të llogaritur afatet e paraqitjes së kërkesës
ankimore.
Mungesa e një njoftimi, sipas formës dhe procedurës së parashikuar shprehimisht në
K.Pr.Civile nuk mundet të zëvendësohet me asnjë mjet tjetër; mjetet e tjera nuk mundet që të
barazojnë njoftimin e parashikuar shprehimisht në ligj. Për këtë arsye në K.Pr.Civile, në
kapitullin IV, “Njoftimet”, janë të parashikuara në mënyrë të hollësishme mënyra se si duhet
të realizohet ky i fundit në mënyrë që të jetë i vlefshëm. Mungesa e njoftimit të vendimit apo
pavlefshmëria e tij bën që vendimi i dhënë në mungesë të mos i nënshtrohet asnjë afati, pra të
mund të kundërshtohet në çdo kohë (neni 445 i K.Pr.Civile).
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë konstaton se në dosjen gjyqësore nuk ndodhet asnjë
dokument nga ku të rezultojë që nëpunësi gjyqësor të ketë njoftuar palën e paditur për
vendimin e Gjykatës së Apelit Durrës nr.186, datë 30.04.2007.
Pala e paditur pretendoi se ata kishin marrë dijeni vetëm kur vendimi nr.1617, datë
10.07.2006 i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, lënë në fuqi nga vendimi i Gjykatës së
Apelit Durrës nr.186, datë 30.04.2007, ishte kthyer në titull ekzekutiv dhe kishte filluar
ekzekutimi i tij dhe konkretisht në datën 16.07.2007.
Në analizë të sa më sipër, duke qenë se rekursi i anës së paditur është depozituar
pranë sekretarisë së Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës në datën 23.07.2007, Kolegji Civil i
Gjykatës së Lartë vlerëson se rekursi i paraqitur nga Dega e Doganës Durrës është në afat
dhe kjo gjykatë duhet ta marrë në shqyrtim atë.

6
Ky Kolegj konstaton se Gjykata e Apelit Durrës, ashtu sikurse dhe Gjykata e Rrethit
Gjyqësor Durrës, në kundërshtim me kërkesat e normave proceduriale nuk ka kryer “një
hetim gjyqësor të plotë dhe të gjithanshëm në përputhje me ligjin për konfliktin objekt
gjykimi” (neni 14 i K.Pr.Civile). Të dyja gjykatat e ulëta nuk kanë hetuar dhe nuk i kanë
dhënë përgjigje asnjërës prej pretendimeve dhe kërkesave të palës së paditur (neni 6 i
K.Pr.Civile), të parashtruara në procesin gjyqësor, duke bërë që gjykimi të jetë i njëanshëm
dhe duke sjellë si pasojë zgjidhjen e kësaj mosmarrëveshjeje në kundërshtim me dispozitat
ligjore dhe normat e tjera në fuqi, që janë të detyrueshme të zbatohen prej tyre” (neni 16 i
K.Pr.Civile).
Siç rezulton dhe më lart në këtë vendim, (Pjesa: Rrethanat dhe faktet e çështjes),
konflikti i krijuar mes palëve ka ardhur si pasojë e aplikimit nga ana e autoritetit doganor të
nenit 36 të K.Doganor. Pra, rezulton të jemi para një mosmarrëveshje në fushën e doganave,
e cila rregullohet dhe disiplinohet në mënyrë specifike nga K.Doganor.
Në këto kushte, Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë vlerëson si të pabazuar në ligj
pretendimin e ngritur nga Avokatia e Shtetit dhe përfaqësuesit e anës së paditur se padia e
paditësit duhet të rrëzohet, për arsye se shkaku ligjor i saj është i pabazuar në ligj pasi
paditësi padinë e tij e ka mbështetur vetëm në nenin 655 të K.Civil, “Begatimi pa shkak”.
Rezulton se formulimi i kërkimit të paditësit në kërkesë padi është “Kthim shume”
dhe paditësi padinë e tij e ka mbështetur në dy dispozita në nenin 655 të K.Civil dhe në nenin
249 të K.Doganor. Pra si shkak ligjor paditësi ka përdorur dhe “Begatimin pa shkak” të
rregulluar nga K.Civil dhe “Rimbursimin për gabimet” të rregulluar nga K.Doganor.
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë e vlerëson të drejtë argumentin e dhënë nga
përfaqësuesit e palës së paditur se shkaku i parë ligjor i padisë nuk qëndron, pasi, në
respektim të nenit 658 të K.Civil, kjo lloj padie nuk mund të ngrihet kur i dëmtuari mund të
ngrejë një padi për të kërkuar shpërblimin e dëmit të pësuar, ose padi të një lloji tjetër.
Por, në të njëjtën kohë, vlerëson të theksojë se mosmarrëveshja e krijuar mes palëve
para se të rregullohet nga K.Civil (nga e drejta materiale e përgjithshme), rregullohet nga
K.Doganor (ligji specifik, i cili rregullon këto mosmarrëveshje) dhe është i njohur parimi që
ligji specifik mbizotëron mbi të drejtën materiale të përgjithshme.
Neni 249 i K.Doganor rregullon pikërisht këtë lloj mosmarrëveshjeje të krijuar midis
palëve ndërgjyqëse dhe paditësi ka përcaktuar dhe këtë të fundit si shkak ligjor të padisë. Dhe
jo vetëm kaq, por në rast se do të shikohet gjithë përmbajtja e procesit gjyqësor të zhvilluar
në gjykatat më të ulëta si dhe të gjitha pretendimet e palëve, konstatohet lehtë se paditësi
kërkon kthimin e shumës me pretendimin se ka paguar “më tepër detyrime importi” dhe kjo
shumë në momentin e pagimit të detyrimit ligjërisht “nuk përbënte detyrim”, duke iu referuar
në mënyrë të vazhdueshme nenit 249 të K.Doganor dhe jo nenit 655 të K.Civil. Sa më sipër
del qartë dhe nga përmbajtja e të gjitha provave shkresore të ndodhura në dosje, si dhe nga
veprimet konkludente të palëve në proces, siç janë: “kërkesa datë 07.02.2005, kërkesa për
rimbursim datë 14.01.2005 dhe datë 27.05.2005 (fq. 30, 39 e dosjes gjyqësore)”, me anën e të
cilave paditësi në mënyrë të vazhdueshme ka kërkuar kthimin e kësaj shume në bazë të nenit
249 të K.Doganor.
Ana e paditur, me shkresën e saj të datës 20.07.2005, i ka kthyer përgjigje paditësit
duke i sqaruar se kërkesa e tij nuk merret parasysh, “pasi ka mospërputhje të lindura
ndërmjet kontratës, vlerave të paraqitura, faturave të përcaktuara në deklaratën e eksportit
me atë të importit, regjimin e mallit të eksportuar, faktin se çmimi i këtij malli të kuotuar në
bursë ka një diferencë të madhe me çmimin e paraqitur nga ana juaj, si dhe për faktin se neni

7
34/1/b i K.Doganor ka pengesë ligjore për zbatimin e transaksionit në rastin e praktikave
tuaja...”.
Ka rezultuar që paditësi pasi ka ezauruar procedurën administrative të parashikuar në
nenin 249 të K.Doganor, menjëherë sapo ana e paditur ka kthyer përgjigjen e mësipërme, në
datën 22.07.2005, brenda të gjitha afateve ligjore të parashikuara në K.Doganor dhe në
K.Pr.Civile, i është drejtuar me padi gjykatës ku ka kërkuar kthimin e kësaj shume, duke
përcaktuar si shkak ligjor dhe nenin 249 të K.Doganor.
Në analizë të sa më sipër dhe në referim të vendimit unifikues nr.9, datë 09.03.2006
të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, ku shprehimisht thuhet: “E drejta subjektive
e pretenduar e paditësit dhe e përcaktuar prej tij në padi, si pjesë përbërëse e shkakut të
padisë, në kuptim të nenit 185 të K.Pr.Civile, është e njëjtë me bazën juridike të padisë
(cilësimin juridik të bërë nga paditësi), në kuptim të nenit 16/I të K.Pr.Civile”, ky Kolegj
çmon se e drejta subjektive që paditësi pretendon se i është shkelur dhe kërkon ta mbrojë me
anë të këtij procesi gjyqësor (detyrimi doganor paguar më tepër), është e njëjtë me të drejtat
që parashikohen në nenin 249 të K.Doganor, ku shprehimisht thuhet:
1. Detyrimet e importit ose detyrimet e eksportit rimbursohen kur konstatohet se në
çastin e pagimit kjo shumë ligjërisht nuk përbënte detyrim ose se shuma ishte kontabilizuar
në kundërshtim me nenin 235(2).
Detyrimet e importit ose detyrimet e eksportit shuhen kur konstatohet se në çastin e
kontabilizimit të këtyre detyrimeve, ato sipas ligjit nuk përbënin detyrim, ose se kontabilizimi
është bërë në kundërshtim me nenin 235(2). Nuk jepet rimbursim ose shuarje detyrimesh në
rast se faktet, që çojnë në përfundimin se detyrimet nuk përbënin ligjërisht detyrim, ose se
kontabilizimi është gabuar, janë pasojë e një veprimi të qëllimshëm nga personi i interesuar.
2. Detyrimet e importit ose detyrimet e eksportit rimbursohen ose shuhen me
paraqitjen e një kërkese në zyrën doganore kompetente, brenda një periudhe trevjeçare, që
fillon nga data kur shuma e këtyre detyrimeve i është njoftuar debitorit. Kjo periudhë zgjatet,
nëse ky person i interesuar jep prova se mosparaqitja e kërkesës brenda afatit të caktuar
është pasojë e rrethanave të jashtëzakonshme ose fuqie madhore. Kur autoritetet doganore
nga ana e tyre, zbulojnë se brenda këtij afati janë krijuar një ose më shumë situata, të cilave i
referohet nënparagrafi i parë dhe i dytë i paragrafit të parë, ato rimbursojnë ose shuajnë
detyrimet e importit me nismën e tyre.
Në këto kushte, pavarësisht se pala paditëse ka vendosur si shkak ligjor dy dispozita,
ky Kolegj çmon se për aq kohë sa pretendimet e kësaj pale për shkeljen e të drejtës janë në
përputhje me parashikimet e një prej dispozitave që përbëjnë shkakun ligjor të padisë, kjo e
fundit do të konsiderohet se është ngritur drejt dhe gjykatat me të drejtë kanë marrë në
shqyrtim çështjen përkatëse.
Në lidhje me zbatimin e së drejtës materiale në çështjen objekt gjykimi, Kolegji Civil
i Gjykatës së Lartë e gjen të bazuar pretendimin dhe argumentin e anës së paditur se të dyja
gjykatat më të ulëta, si pasojë e një hetimi jo të plotë dhe të gjithanshëm nuk kanë pasur
parasysh faktin se nuk jemi para rastit klasik të aplikimit dhe zbatimit të nenit 34 të
K.Doganor, pasi në çështjen objekt gjykimi rezulton se vlera e mallit të importuar
kushtëzohej nga vlera e mallit që paditësit i ka dorëzuar (eksportuar) tek Shoqëria shitëse
“Izmir Demir Celik”.
Ky pretendim i autoritetit doganor bie ndesh me parimin e vlerës reale të transaktuar,
parashikuar në nenet 34 pika (1.b) të K.Doganor dhe mbështetet në aneksin 6 dhe nenin 81.1

8
të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr.205, datë 13.04 1999. Në këto dispozita
shprehimisht thuhet:

Neni 34, pika (1.b) e K.Doganor:


Vlera doganore e mallrave të importuara është vlera e transaktuar që është çmimi
realisht i paguar ose që duhet paguar për mallrat e shitura për eksport drejt territorit
doganor të Republikës së Shqipërisë, duke marrë në konsiderate dhe rregullimet që mund t’i
bëhen në përputhje me nenet 37 dhe 38, me kusht që: ....
b) shitja ose çmimi nuk janë objekt i kushteve apo shqyrtimeve, për shkak të së cilave
nuk mund të përcaktohet vlera doganore e mallrave që duhen vlerësuar;:
Pika 81.1 e Vendimit të Këshillit të Ministrave nr.205, datë 13.04.1999:
81.1 Autoritetet doganore nuk duhet të përcaktojnë vlerën doganore të mallrave të
importuara mbi bazën e metodës së vlerës së transaktuar, në qoftë se, në përputhje me
procedurat e përcaktuara në paragrafin 2, ata nuk binden, mbi bazën e dyshimeve të
arsyeshme, se vlera e deklaruar përfaqëson shumën totale realisht të paguar ose që duhet
paguar sipas nenit 34 të Kodit.
Pikërisht hetimi i plotë dhe dhënia përgjigje nga Gjykata e Apelit Durrës e këtij
pretendimi të ngritur nga autoriteti doganor bazuar në provat që ndodhen në dosjen
gjyqësore, në mendimin e specializuar të ekspertëve, si dhe në ligjin specifik, vlerësohet nga
ky Kolegj si esencial për zgjidhjen e çështjes objekt gjykimi në përputhje me ligjin.
Përveç sa më sipër rezulton që gjykatat më të ulëta nuk i kanë dhënë përgjigje dhe
pretendimeve të anës së paditur se ekzistonte dyshimi i arsyeshëm rreth dokumentacionit të
paraqitur nga paditësi në momentin e importimit të mallrave. Pala e paditur ka pretenduar se
në të gjitha praktikat doganore ka munguar vlera e siguracionit të mallit si dhe kontrata e
transportit, elemente këto të detyrueshme për t’u shtuar në vlerën doganore të mallrave sipas
nenit 37/1 të K.Doganor.
Neni 24 i K.Doganor thotë: “Për zbatimin e legjislacionit doganor, çdo person i
përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë, ose të tërthortë në operacione që lidhen me tregtinë e
mallrave, duhet t’u paraqesë autoriteteve doganore të gjithë dokumentet dhe informacionin e
nevojshëm, pavarësisht nga mënyra e përdorur për mbajtjen e tyre, si dhe të japë gjithë
ndihmën e nevojshme të kërkuar prej tyre, brenda afateve kohore të përcaktuara nga
autoritetet doganore. Në analizë të sa më sipër si dhe të nenit 26 të K.Doganor, autoriteti
doganor ka të drejtë të kërkojë, ndërsa subjekti është i detyruar që të bindë këtë të fundit, që
vlera e paraqitur prej tij është vlera realisht e paguar. Nëse dokumentacioni i paraqitur në çdo
rast është ose jo i mjaftueshëm për llogaritjen e saktë të vlerës doganore kjo varet nga
vlerësimi dhe bindja që i krijohet autoritetit doganor. Në çdo rast subjekti tregtar është i
detyruar të paraqesë dokumentacionin e kërkuar dhe të nevojshëm për të hequr çdo dyshim
dhe për të vërtetuar saktësinë e të dhënave mbi të cilat llogaritet vlera doganore e mallit.
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë vlerëson se ishte detyrim i gjykatave më të ulëta, në
respektim dhe të nenit 14 të K.Pr.Civile, të hetonin nëse (i) ndodheshim para rastit klasik të
aplikimit të nenit 34 të K.Doganor, apo para rasteve përjashtimore të pretenduara nga organi
doganor dhe të parashikuara në aneksin 6 dhe nenin 81.1 të Vendimit të Këshillit të
Ministrave nr.205, datë 13.04 1999; (ii) ekzistonte dyshimi i arsyeshëm i pretenduar nga pala
e paditur për sa i përket dokumentacionit të paraqitur nga paditësi? A ishte i plotë dhe i
mjaftueshëm dokumentacioni i dorëzuar në doganë apo ishte e nevojshme paraqitja e

9
dokumenteve shtesë? (iii) a është aplikuar drejt ligji gjatë procedurës së zhdoganimit të
mallit?
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë vlerëson se dhe akti i ekspertimit i realizuar nga
eksperti kontabël Hysen Beka nuk i ka dhënë përgjigje të plotë dhe të saktë pretendimeve dhe
kërkimeve të mësipërme të parashtruara nga ana e paditur, të cilat ishin të karakterit teknik
dhe shkencor.
Gjithashtu, ky Kolegj konstaton se ka një pasaktësi të dukshme në të dyja vendimet e
gjykatave më të ulëta për sa i përket vlerës që ana e paditur duhet t’i kthejë paditësit. Ndërsa
eksperti vlerën e taksës doganore të paguar më tepër e ka llogaritur 9.968.927 Lekë, gjykata
rimburson një vlerë në shumën 20.203.691 Lekë, pa analizuar dhe pa treguar se nga ka dalë
kjo shumë.
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë vlerëson se në rigjykim, gjykata e apelit, në mënyrë
që t’u japë përgjigje të gjitha pyetjeve dhe problemeve të trajtuara më lart në përputhje me
nenet 224, 465 të K.Pr.Civile dhe me aktet normative që janë në fuqi, mund të caktojë një
ekspert me njohuri teknike dhe shkencore të fushës, i cili duke u mbështetur në provat që
ndodhen në dosjen gjyqësore si dhe në aktet normative përkatëse, mund të ndihmojë gjykatën
në zgjidhjen e këtij konflikti.
Në rigjykim, Gjykata e Apelit Durrës do t’u bëjë të qartë palëve që është detyrë e
secilës prej tyre, që në përputhje me ligjin, të provojnë faktet mbi të cilat bazojnë pretendimet
për të drejtat që kërkojnë. Palët ashtu siç kanë të drejtat kanë dhe detyrimet që rrjedhin prej
këtij procesi, në format dhe afatet e parashikuara në ligj.
Kryerja e veprimeve si më sipër, si dhe e të tjerave që eventualisht mund të lindin
gjatë rigjykimit, do të lejojnë gjykatën të mund të arrijë në përfundime të drejta dhe objektive
lidhur me zgjidhjen e çështjes.

PËR KËTO ARSYE


Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, mbështetur në nenin 485/c të K.Pr.Civile,

VENDOSI
Prishjen e vendimit nr.186, datë 30.04.2007 të Gjykatës së Apelit Durrës dhe kthimin
e çështjes për rigjykim po në këtë gjykatë, me tjetër trup gjykues.

Tiranë, më 13.09.2011
Kunder
A. MUSKAJ

10

You might also like