You are on page 1of 4

REPUBLIKA E SHQIPËRISË

GJYKATA E LARTË
KOLEGJI CIVIL

Nr. 11214-02280-00-2013 i Regj. Themeltar


Nr. 00-2013- 2280 i Vendimit (518)

VENDIM
NË EMËR TË REPUBLIKËS

Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë i përbërë nga :

Ardian Nuni Kryesues


Majlinda Andrea Anëtar
Guxim Zenelaj Anëtar
Admir Thanza Anëtar
Artan Broci Anëtar

në seancën gjyqësore të datës 26.09.2013 mori në shqyrtim çështjen civile me palë:

PADITËS: Shoqëria “TORREFAZIONE CAFFE’ MICHELE


BATTISTA” s.r.l, me seli në Bari, Itali, Përfaqësuar nga

av.Pervis Maksuti

E PADITUR: Shoqëria “ERED TEORENA” SHPK, u paraqiten


administratori Erjon Kotorri dhe avokat Sokol Kepi, pa akt
përfaqësimi

PERSON I TRETË: Shoqëria “E.K.A. Contruksion” SHPK, në mungesë

OBJEKTI I PADISË: Detyrimin e palës së paditur të përmbushë detyrimet e


rrjedhura nga akt marrëveshja me nr.225 Rep. dhe nr.137 Kol.,
datë 13.01.2012, hartuar nga notere Luljeta Cenaj, pjesën e
papaguar të furnizimit të kafes të bërë nga ana e firmës në
pamundësi të më dorëzojë apartamentin e banimit me S=73.2
m2, që ndërton shoqëria “E.K.A. Contruksion” SHPK, në
lagjen “1 Maji” Vlorë, sipas kësaj akt marrëveshje.

BAZA LIGJORE: Nenet 32/a, 52 e 153 e vijues të K.Pr.C, nenet 419-422, 436-
441 dhe 722-783 të K.C
---------------

1
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier me vendimin nr.62-2013-2745 (1326), datë 22.07.2013 ka
vendosur:
Të nxjerrë jashtë juridiksionit gjyqësor çështjen civile nr. regj.them. 11214-00939-62-2013
(1022), datë 27.03.2013.

Kundër vendimit të mësipërm ka paraqitur ankim të veçantë pala paditëse, e cila ka kërkuar
prishjen e tij, duke parashtruar:

- Akt marrëveshja është lidhur në Republikën e Shqipërisë. Ajo është hartuar nga noteri
publik, dhe si e tillë në bazë të nenit 253 të K.Pr.C, ka vlerë të plotë juridike. Gjykimi
i mosmarrëveshjeve që lindin nga moszbatimi i saj është në juridiksionin e gjykatave
shqiptare, në bazë të nenit 37/2 të K.Pr.C.
- Në akt marrëveshjen datë 13.01.2012, nuk shprehet fakti se, ajo është pjesë përbërëse
apo shtesë e kontratës së furnizimit hartuar në Itali, më datë 03.01.2012. Me këtë
aktmarrëveshje pala e paditur ka vënë garanci në favor të palës paditëse një
apartament banimi, nëse nuk do të likuidonte vlerën e kafesë që do të furnizohej nga
pala paditëse nga viti 2012 e në vazhdim. Vendimi për nxjerrjen jashtë juridiksionit
gjyqësor, duke marrë për bazë shkresën private 03.01.2012 është i padrejtë dhe i
pabazuar në ligj.
- Në bazë të nenit 72 të ligjit nr.10428, datë 02.06.2011 “Për të drejtën Ndërkombëtare
Private”, gjykatat shqiptare kanë juridiksion ekskluziv në çdo rast për gjykimin e
çështjeve me objekt të drejtën e pronësisë dhe të drejta reale mbi sende të
paluajtshme, etj, kur këto ndodhen në Republikën e Shqipërisë.
- Kontrata e furnizimit e hartuar nga palët në Itali, nuk plotëson kriteret që kërkojnë

nenet 266 e 267 të K.Pr.C, pasi ne gjykim është administruar kopje e shkresës private
datë 03.01.2012, qe nuk plotëson kushtet e nenit 266 të K.Pr.C.

KOLEGJI CIVIL I GJYKATËS SË LARTË

pasi dёgjoi relatimin e gjyqtarit Guxim Zenelaj, dhe si bisedoi çështjen nё tёrёsi,

VËREN

Vendimi nr.62-2013-2745 (1326), datë 22.07.2013 tё Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier është
marrë në mosrespektim të ligjit dhe si i tillë duhet të prishet dhe çështja të dërgohet në po atë
gjykatë, për vazhdimin gjykimit.

Rezulton se, pala paditëse shoqëria “TORREFAZIONE CAFFE’ MICHELE BATTISTA”


s.r.l, me seli ne Bari, Itali, i është drejtuar kësaj gjykate me padinë me objekt:

Detyrimin e palës së paditur të përmbushë detyrimet e rrjedhura nga Akt marrëveshja me nr.
225 Rep. dhe nr.137 Kol., datë 13.01.2012, hartuar nga notere Luljeta Cenaj, pjesën e
papaguar të furnizimit të kafes të bërë nga ana e firmës në pamundësi të më dorëzojë
apartamentin e banimit me S=73.2 m2, që ndërton shoqëria “E.K.A. Contruksion” SHPK, në
lagjen “1 Maji” Vlorë.

Pala paditëse ka pretenduar se, sipas akt marrëveshjes datë 13.01.2012, pala paditëse shoqëria
“TORREFAZIONE CAFFE’ MICHELE BATTISTA” s.r.l, është subjekt privat me seli në

2
Bari, Itali dhe ka lidhur më parë një kontratë furnizimi me palën e paditur shoqërinë “ERED
TEORENA” SHPK, për të tregtuar “Kafe Battista”, në Shqipëri. Po sipas kësaj
aktmarrëveshje, pala e paditur shoqëria “ERED TEORENA” SHPK për punimet elektrike
dhe hidraulike që po bën në një ndërtim të personit të tretë shoqëria “E.K.A. Contruksion”
SHPK, do të marrë si këmbim një apartament banimi. Ky i fundit do të lihet si garanci, për
likuidimin e vlerës së blerjes së kafesë ndaj palës paditëse. Nëse pala e paditur nuk likuidon
vlerën e kafesë së shitur, atëherë apartamenti do të kalojë në favor të palës paditëse.

Në seancën përgatitore të datës 26.06.2013, nga pala e paditur shoqëria “ERED TEORENA”
SHPK është kërkuar nxjerrja e çështjes jashtë juridiksionit gjyqësor me pretendimin se,
marrëveshjen datë 03.01.2012, të lidhur midis palës paditëse dhe palës së paditur, është
parashikuar se;
kontrata rregullohet nga ligji italian dhe se të gjitha mosmarrëveshjet që mund të rrjedhin
eventualisht nga kjo kontratë ose kanë lidhje me këtë kontratë (e ndryshimeve veç me
kompromis me arbitrazh) do t’i kalojnë me vendim tre arbitrave prej të cilëve dy të emëruar
nga secila palë dhe i treti në funksionin e kryetarit do të emërohet nga dy arbitrat e emëruar
më parë ose nga kryetari i gjykatës së Barit në rast mosrënie dakort ose vonesë...

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier me vendimin nr.62-2013-2745 (1326), datë 22.07.2013 ka


nxjerrë çështjen jashtë juridiksionit gjyqësor. Kundër vendimit të mësipërm ka paraqitur
ankim te veçantë pala paditëse, e cila ka kërkuar prishjen e tij.
 
Në shqyrtim të akteve të ndodhura në dosjen gjyqësore, objektit dhe shkakut të padisë,
pretendimeve të palëve të parashtruara në këto akte, vendimit të gjykatës dhe parashtrimeve

të ankimit, Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, në interpretim të dispozitave ligjore të


zbatueshme për rastin konkret, arrin në konkluzionin se çështja objekt shqyrtimi i përket
juridiksionit gjyqësor.

Ky Kolegj vlerëson të marrë në zbatim të gabuar të ligjit, vendimin e Gjykatës së Rrethit


Gjyqësor Fier, e cila, lidhur me bazueshmërinë e kërkimit të palës së paditur, i është referuar
nenit 37 të K.Pr.Civile, ligjit nr.10 428, datë 2.6.2011 “Për të Drejtën Ndërkombëtare
Private” dhe Konventës Europiane të Arbitrazhit, të miratuar me ligjin Nr.8687, datë
09.11.2000.

Sipas kësaj gjykate, me shkresën private të lidhur në datë 03.01.2012 midis palës paditëse
dhe palës së paditur, është parashikuar klauzola e arbitrazhit me qëllim zgjidhjen e
mosmarrëveshjeve që rrjedhin nga mospërmbushjet e detyrimeve kontraktore. Njëkohësisht
në këtë marrëveshje është identifikuar ligji i aplikueshëm për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve,
i cili është ligji italian, si dhe është përcaktuar numri dhe modalitetet e zgjedhjes së arbitrave.
 
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier nuk ka përcaktuar drejt natyrën juridike të mosmarrëveshjes,
nuk ka bërë një identifikim të elementeve dhe/ose kritereve ligjore që për rastin konkret
shërbejnë për përcaktimin e juridiksionit.

Ndryshe nga sa pranon gjykata e shkallës së parë, ky kolegj, referuar objektit dhe shkakut të
padisë objekt shqyrtimi, vlerëson se, pala paditëse ka kërkuar përmbushjen e detyrimeve qe
rrjedhin nga akt marrëveshja me nr.225 Rep. dhe nr.137 Kol., datë 13.01.2012, e lidhur midis
palës paditëse shoqëria “TORREFAZIONE CAFFE’ MICHELE BATTISTA” s.r.l, dhe palës

3
së paditur shoqërisë “ERED TEORENA” SHPK. Është pikërisht kjo aktmarrëveshje qe do t’i
nënshtrohet hetimit dhe shqyrtimit gjyqësor dhe jo marrëveshja datë 03.01.2012 që i është
referuar gjykata.

Në nenin 36 të Kodit të Procedurës Civile parashikohet se “Në juridiksionin e gjykatave


hyjnë të gjitha mosmarrëveshjet civile dhe mosmarrëveshjet e tjera të parashikuara në këtë
Kod e në ligje të veçanta”.

Mosmarrëveshja mes palëve ndërgjyqëse lidhur me përmbushjen e detyrimeve juridiko-civile


që burojnë nga kontrata është mosmarrëveshje civile, për të cilën, juridiksioni është ekskluziv
i gjykatave nëse palët kontraktore i drejtohen asaj me anë të padisë.

Përjashtimisht, palët në kontratë mund të parashikojnë shprehimisht t’i drejtohen më parë


gjykatës së arbitrazhit. Nëse nuk ka një parashikim të tillë, si në rastin konkret, çështjen mund
ta shqyrtojë e zgjidhë vetëm gjykata e juridiksionit të zakonshëm gjyqësor.

PËR KËTO ARSYE

Kolegji Civil i Gjykatёs sё Lartё mbёshtetur nё nenin 485 tё K.Pr.C

VENDOSI

Prishjen e vendimit nr.62-2013-2745 (1326), datë 22.07.2013 tё Gjykatës së Rrethit Gjyqësor


Fier dhe dërgimin e çështjes në po atë gjykatë, për vazhdimin e gjykimit.

Tiranё, mё 26.09.2013

ANËTAR ANËTAR KRYESUES


Guxim ZENELAJ Majlinda ANDREA Ardian NUNI

ANËTAR ANËTAR
Artan BROCI Admir THANZA

Vertetohet njesia me origjinalin P.Drejt.Adm.Gjyq.E.Haxhia M.D

You might also like