You are on page 1of 1

“Arturo Ui” u shkrua në vitin 1941 nga dramaturgu dhe regjisori i shquar gjerman e botëror Bertolt Brecht (1898 –

1956) gjatë kohës së mërgimit të tij trejavësh në Helsinki (Finlandë). Ai, asokohe, përndiqej nga fashizmi dhe po e
priste vizën për shpërngulje në SHBA. Edhe pse ngjarjet e kësaj drame janë të përqendruara në Çikago dhe në
Cicero të SHBA-së, ato, në të vërtetë, janë një aludim metaforik për ndodhitë dramatike të asaj kohe në Austri dhe
në Gjermani. Si e tillë, me formën, me përmbajtjen, me frymën dhe me vetat e saj, kjo dramë, në mënyrë simbolike,
përshkruan, tematizon dhe pasqyron historinë e dhunshme të rrëmbimit të pushtetit ekonomik dhe politik nga
gangsteri Arturo Ui (alias Adolf Hitler) dhe pasuesit e tij në vitet ‘30 të shekullit 20. Dhuna fizike, plaçkitjet, djegiet,
grabitjet, trysnitë, tagri dhe kërcënimet ndaj tregtarëve, politikanëve e gazetarëve, deri edhe vrasjet e tyre, alibitë dhe
gjyqet farsë, detyrimet e dhunshme dhe shantazhet ndaj dëshmitarëve të krimit, janë vetëm disa nga tablotë e kësaj
drame.
Personazhet , si gangsteri Arturo Ui dhe vartësit e tij, të tillë si: Ernesto Roma, Emanuel Gjiri e Xhuzepe Xhivola,
apo të nënshtruarit e tij, të tillë si politikani dhe biznismeni Dogsboru, apo pronari i gazetës Injac Dëllfit, si dhe
tregtarët dhe pronarët e trustit të lulelakrës, krejt këta janë karaktere të gdhendura me mjeshtëri. Me veprimet dhe
ndodhitë e tyre nëpër të cilat kalojnë, ata e formësojnë mozaikun e plotë të karrierës dhe të historisë së bujshme e të
dhunshme të një gangsteri politik e të bandës së tij.
Pse mund te jete aktuale deh sot?
Njerëzit janë duke vuajtur rritjen e vështirësisë në rrethana të përkeqësuara, krimi është në rritje, papunësia
gjithashtu, dhuna ka shpërthyer në rrugë, drejtësia është e gjunjëzuar.
është një drame për heshtjen dhe bashkëfajësinë për gjendjen e rëndë në të cilën ndodhemi, sepse lejuam që një
grusht kriminelësh të veshur me petkun e politikanit të vjedhin, të vrasin, dhe të kërcënojnë të ardhmen tonë…
Lejuam që kjo “tufë” të na fyejë inteligjencën. Të tallen dhe të shkelin mbi dinjitetin tonë..
“Situata në drejtësi, situata ekonomike a sociale që kalon sot shoqëria shqiptare dhe jo vetëm ajo, përkon shumë me
situatën e veprës së Brehtit. Gjykata dhe vendime gjyqësore, të cilat merren nën trysninë e kërcënimit dhe presionit
nga bota e krimit. Luftë deri në eliminime fizike, brenda klanesh ekonomike dhe politike. Dëshmitarë, që
deformojnë dëshminë e tyre apo dhe që eliminohen fizikisht, hapur dhe pa frikë. Këto janë ato që ndodhin në skenat
e ndryshme të veprës së Brehtit, të cilat për koincidencë, i kujtojnë gjithsecilit raste, histori dhe personazhe reale”
Me sistemet diktatoriale, lufta për pushtet zhvillohet më e egër në nivelet e dyta, pasi diktatori nuk vihet në
diskutim. Lufta bëhet për trashëgimtarin, për numrin dy. Kjo ka bërë që ne drame forcojmë linjën e konfliktit midis
tre bashkëpunëtorëve të Arturo Ui-së; Romës, Gorit dhe Xhivolës. Por gjithashtu, për të shprehur idenë që, diktatorët
nuk lindin, por ata i krijon shoqëria, duke i toleruar si të tillë, duke bashkëpunuar me ta, duke i sponsorizuar
politikisht dhe duke i përdorur. Duhen analizuar dhe te perpiqemi të evidentojmë momentet në të cilat gaboi
shoqëria e asaj kohe, duke i krijuar mundësi nazizmit që të përhapej dhe zhvillohej.
Drama është një alegori shumë satirike e Adolf Hitlerit në Gjermaninë naziste, ngritja e të cilit përfaqësohet në
paralel me atë të Arturo Ui-së së Brehtit.
Arturo Ui, një personazh i dalë nga bota e gangsterëve, që ngrihet lart deri në kastat drejtuese, për të marrë në duar
fate njerëzish e qytetërimesh. Ndërthurja e biznesit, politikës, gangsterëve (krimit), sjell një personazh në të cilin
Bertold Breht ka fshehur Hitlerin. E shkruar në kohën kur vetë autori kishte ikur për t’i shpëtuar Holokaustit, ky
është gangster, edhe mafioz, edhe nazist, edhe politikan, edhe biznesmen”.
Brehti (hebre) e ka shkruar atë në momentin kur Hitleri kishte ardhur në pushtet në Gjermani dhe duke njohur
mendjen e tij, sepse ishte shpallur “Mein Kamp”. Atëkohë, vetë autori ishte në Finlandë dhe priste një vizë për
Amerikë për t’i shpëtuar Holokaustit, dhe shkroi një vepër që, qoftë në kontekstin shoqëror, njerëzor, politik, është
aktuale edhe sot. Është aktuale, jo se bota sot rrezikohet nga një Hitler, por rrezikohet nga mentalitete e mendësi
naziskine. Dy ishin pikat nevralgjike që Hitleri dhe ndjekësit e pasuesit e tij bënë: luajtën fort me kartën e
Gjermanisë, dinjitetit dhe nacionalizmit gjerman dhe me kartën antihebraike. Ishin dy realitete që ishin në zgrip. Nga
një anë ‘gjermanët e vërtetë’ ndiheshin të përçudnuar nga fatet e Luftës së Parë Botërore, miliarda marka sanksione,
dhe e dyta, realiteti i hebrenjve gjermanë që kishin zënë shumë pozicione në ekonomi, tregti, biznes e administratë.
Ai arriti më pas që të mblidhte pas vetes shumë militantë dhe besnikë fanatikë dhe, sigurisht, pati aftësinë e tij për të
gënjyer e mashtruar. Të gjitha këto që thamë janë pjesë e kompleksitetit të figurës, ndërsa në rastin e Ui-së, Brehti,
në kuptimin e strukturës dramaturgjike, brenda principeve të teatrit të tij, përdor një simbolikë që është shumë më e
thjeshtë, simbolika e kësaj bande gangsterësh që zbritën nga New York-u në Çikago, përdor trustin e lulelakrës apo
kanabisin, të tregtisë, uzurpimin e saj e me të, uzurpimin e parasë, përmes së cilës vjen pushteti.

You might also like