You are on page 1of 5

Tema: Struktura morfologjike e fjalës dhe tipat e fjalëformimit

Çështjet:

 Fjala dhe morfema


 Llojet e morfemave
 Tema e fjalës
 Analiza morfematike
 Fjalët e parme / jo të parme
 Mënyrat e formimit të fjalëve në gjuhën shqipe

1. Fjala dhe pjesët e saj përbërëse (fjala dhe morfema)

Sikundër mund ta dini, fjala është njësia themelore e gjuhës që ka kuptim leksikor të
mëvetësishëm. Ajo është unitet i shprehjes së formës dhe përmbajtjes (përmbajtja është
leksiko-gramatikore, ndërsa forma është fonetiko-gramatikore).
Shumica e fjalëve mund të ndahen në njësi më vogla, të quajtura morfema, (nga gr.
morphe – formë), të cilat bartin kuptime leksikore e gramatikore, si punë-tor; fush-a; mal-e-
ve, etj.
Morfema ka disa veçori:
a) Është njësia më e vogël e kuptimshme e fjalës.
b) Nuk mund të zbërthehet në njësi më të vogla të kuptimshme (fonema është njësi
më e vogël, por ajo është thjeshtë shenjë gjuhësore dhe nuk ka kuptim leksikor).
c) Morfema mund të përbëhet nga disa fonema ose nga një fonemë e vetme (pra,
dallimi i morfemës nga fonema është cilësor dhe lidhet me funksionet e
ndryshme dhe jo me anenë sasiore)
Fjala dhe morfema janë njësi të kuptimshme të gjuhës, por mes tyre ka dallime të
rëndësishme.
a) Fjala është njësi leksiko-gramatikore, pra ka kuptim leksikor të mëvetësishëm,
merr forma të caktuara gramatikore dhe në fjali ka një funksion të caktuar
sintaksor. Mbi bazën e këtyre tri tipareve, çdo fjalë klasifikohet në një pjesë të
caktuar të ligjëratës.
b) Fjala është njësi e mëvetësishme e gjuhës, kurse morfema nuk e ka këtë
funksion, sepse ajo ekziston vetëm brenda strukturës së fjalës.
c) Fjala mund të ndahet në morfema, kurse morfema është e pandashme në njësi
më të vogla të kuptimshme.
d) Morfema si pjesë e fjalës, nuk ka kuptim të plotë; nuk është e formëzuar
morfologjikisht si fjala dhe nuk mund të kryejë funksione sintaksore.
Në gjuhën shqipe ka një numër fjalësh që përbëhen vetëm prej një morfeme. Këto janë
kryesisht pjesë të pandryshueshme të ligjëratës, siç janë disa ndajfolje, lidhëza e pjesëza të
thjeshta.
Morfema mund të mos paraqitet gjithmonë me të njëjtën trajtë fonetike, p.sh. djeg -
digj-ja, dogj-a. këto nuk janë tri morfema të ndryshme, por trajta të së njëjtës morfemë.

2. Llojet e morfemave

Meqenëse morfemat janë njësi të kuptimshme të gjuhës, edhe klasifikimi i tyre


mbështetet në kuptimet që shprehin. Nga kjo pikëpamje dallohen dy grupe morfema sh:
a) Morfema rrënjore
b) Morfema ndajshtesore
Rrënja – është bërthama leksikore e fjalës. Ajo bart kuptimin leksikor themelor, si:
besë, besim, besoj, etj..
Fjalët që kanë të njëjtën rrënjë formojnë një familje ose çerdhe fjalësh, p.sh. punoj,
punim, punësoj, punësim, përpunim, i papunë, etj., formojnë çerdhen e fjalës punë.
Nga pikëpamja materiale, rrënja është e barabartë me temën e parë, d.m.th, me atë pjesë
të fjalës që mbetet pasi t’i hiqen të gjitha morfemat ndajshtesore: punë është rrënja e fjalëve
punoj, punim, punësoj, punësim, përpunim, i papunë, etj.
Rrënja është një morfemë që detyrimisht gjendet te çdo fjalë. Fjalë pa rrënjë nuk ka.
Si rregull, rrënja ka kuptim të mëvetësishëm, të pavarur nga kuptimet e morfemave
ndajshtesore. Kuptimi i rrënjës është i qartë dhe kapet lehtë, p.sh. besë.
Por, ka raste, kur kuptimi i rrënjës sqarohet vetëm brenda fjalës, si bath (mbath, zbath);
ngrij –shkrij, etj.
Rrënjë quhet ajo pjesë e fjalës, e cila mbetet pasi të hiqen prej saj prapashtesat,
parashtesat dhe fjala tjetër e bashkuar me të.
Morfemat ndajshtesore me të cilat formojmë fjalë të reja janë prapashtesat dhe
parashtesat.

3. Tema fjalës dhe llojet e saj


Temë e fjalës quhet ajo pjesë e cila mbetet pasi të hiqen mbaresat dhe ndajshtesat
trajtëformuese. P.sh
Trajta e pashquar

(një) qytetar-ø qytetar-ë


i(e) (një) qytetar-i i(e) qytetar-ë-ve
(një) qytetar-i qytetar-ë-ve
(një) qyetar-ø qytetar-ë
prej (një) qytetar-i qytetar-ë-sh

Trajta e shqyuar

qytetar-i qytetar-ë-t
i(e) qytetar-it qytetar-ë-ve
qytetar-it qytetar-ë-ve
qytetar-in qytetar-ë-t
prej qytetar-it qytetar-ë-ve

Morfemat leksikore sajojnë temën e fjalës, të cilën mund ta paraqesim me skemë në


këtë mënyrë
MP+MRr+MPr= Temën e fjalës
Përgjithësisht, rrënja përmban kuptimin themelor leksikor të fjalës, ndërsa tema
përmban kuptimin e tërësishëm leksikor të fjalës.
Por, ka raste edhe kur rrënja dhe tema janë të njëjta. Kjo ndodh te fjalët që nuk kanë
morfema ndajshtesore, p.sh. lis, mal, fushë, arë, ujë, et..
Temat e fjalës mund të jenë të parme dhe jo të parme.
Tema e parme është e pazbërthyeshme morfologjikisht dhe e pamotivueshme
semantikisht, p.sh.: lis, pëllumb, qiell, i zi, etj.
Temat jo të parme janë të zbërthyeshme morfologjikisht dhe të motivueshme
semantikisht, p.sh., qytetar, lumturi, atdhe, etj.
Çdo temë jo e parme mund të ketë një a më shumë tema të parme, si: qytetar-qytet,
zemërzjarrtë-zemër dhe zjarrtë.
a) Tema fjalëformuese quhet tema prej të cilës është formuar një temë jo e parme,
si: besë, besnik-ëri, besnikër-isht, etj. Ndajshtesat i shtohen temës
fjalëformuese, por një nga një, si hallkat e një zinxhiri. Krahaso: i lirë - lir-o-j,
ç-lir-o-j, ç-lir-im, ç-lir-im-tar, etj.
b) Tema morfologjike është pjesa e fjalës që mbete duke ia hequr vetëm mbaresën
(jo dhe prapashtesën fjalëformuese), p.sh. qytetar-i.

4. Analiza morfematike dhe fjalëformuese


Fjala mund të analizohet nga pikëpamja e përbërjes morfematike dhe nga mënyra e
formimit.
Me analizën morfematike të fjalës caktohen morfemat prej të cilave përbëhet ajo,
d.m.th, bëhet zbërthimi i fjalës në rrënjë, parashtesë, prapashtesë dhe mbaresë, si pa-aftë-si-a,
krye-qytet-as-i, etj.. pra qëllimi i analizës morfematike është identifikimi i morfemave të
fjalës.
Analiza fjalëformuese zbulon mënyrën e bashkimit të morfemave që e përbëjnë një
temë jo të parme. Përmes kësaj analize gjenden tipat e ndryshëm të fjalëformimit që veprojnë
në gjuhë. Në rend të parë gjendet tema fjalëformuese (ose temat fjalëformuese) dhe pastaj
mjetet fjalëformuese (prapashtesat dhe parashtesat), si: kryeqytet+as, Ujë+sjellës, përhap-je,
z+bukur+o+j, etj.
Dallimi i analizës morfematike nga analiza fjalëformuese mund të shihet qartë nga
krahasimi i këtyre shembujve:
Analiza sipas ndërtimit:
Kryeqytetas – krye+qytet+as=3 morfema
Ripërpunojmë – ri+për+pun+o+jmë=5 morfema
Analiza sipas formimit (fjalëformimit):
Kryeqytetas- kryeqytet+as= 2 pjesë
Ripërpunojmë- ri+përpunojmë 2 pjesë

5. Tipat e fjalëve (fjalët e parme dhe jo të parme)


Nga pikëpamja e fjalëformimit të gjitha fjalët ndahen, sipas karakterit të temës, në fjalë
të parme ose të pamotivueshme dhe në fjalë jo të parme ose të motivueshme.
Fjalë të parme janë të gjitha to fjalë që nuk janë formuar (ose që sot nuk ndihen si të
formuara) prej fjalësh të tjera, p.sh. mal, fushë, i ri, pesë, unë, për, mos, etj..
Fjalët jo të parme ose të motivueshme përbëhen prej temës së fjalëformuese dhe prej
formantit fjalëformues.
Formant quhet tërësia e ndryshimeve formale me vlerë fjalëformuese ndaj temës së një
fjale jo të parme dhe temës fjalëformuese të saj: qytet: qytetar (formanti –ar), i bukur:
zbukuroj (formanti z-; -o). Pra, formanti mund të shprehet me një ose më shumë morfema.
Një pjesë e fjalëve jo të parme kanë dy ose më shumë tema fjalëformuese. Të tilla janë
kompozitat dhe fjalët e përngjitura: atdhe (at+dhe), bashkëpunëtor (bashkë+punëtor),
gjëegjëzë (gjë+e+gjëzë)

Mënyrat e formimit të fjalëve në gjuhën shqipe

Nga pikëpamja e fjalëformimit të gjitha fjalët ndahen, sipas karakterit të temës, në fjalë
të parme ose të pamotivueshme dhe në fjalë jo të parme ose të motivueshme.
Fjalë të parme janë të gjitha to fjalë që nuk janë formuar (ose që sot nuk ndihen si të
formuara) prej fjalësh të tjera, p.sh. mal, fushë, i ri, pesë, unë, për, mos, etj..
Fjalët jo të parme ose të motivueshme përbëhen prej temës së fjalëformuese dhe prej
formantit fjalëformues.
Formant quhet tërësia e ndryshimeve formale me vlerë fjalëformuese ndaj temës së një
fjale jo të parme dhe temës fjalëformuese të saj: qytet: qytetar (formanti –ar), i bukur:
zbukuroj (formanti z-; -o). Pra, formanti mund të shprehet me një ose më shumë morfema.
Një pjesë e fjalëve jo të parme kanë dy ose më shumë tema fjalëformuese. Të tilla janë
kompozitat dhe fjalët e përngjitura: atdhe (at+dhe), bashkëpunëtor (bashkë+punëtor),
gjëegjëzë (gjë+e+gjëzë)

I. Mënyrat e formimit të fjalëve


Të gjitha fjalët jo të parme, duke marr parasysh mënyrën dhe tipin përkatës të
fjalëformimit ndahen në:
1. Fjalë të prejardhura (meparashtesa, me prapashtesa, me parashtesa dhe prapashtesa
njëkohësisht, ose pa ndajshtesa);
2. Fjalë të formuara me paranyjëzim
3. Fjalë të përbëra (kompozita)
4. Fjalë të përngjitura
5. Fjalë të formuara me konversion
6. Fjalë të formuara me mënyra të përziera
Të gjitha fjalët jo të parme, të formuara me të njëjtin lloj formanti i takojnë një mënyre
fjalëformimi
Mënyrat e mësipërme të fjalëformimit ndahen në:
a) Mënyra morfologjike (ndajshtesimi, para nyjëzimi, kompozimi)
b) Mënyra jomorfologjike (përngjitja dhe konversioni)

1. Prejardhja – është mënyra më prodhimtare në sistemin e formimit të fjalëve në


gjuhën shqipe.
Prejardhja quhet formimi i fjalëve të reja me anë të bashkimit të ndajshtesave
fjalëformuese me tema fjalësh ose fjalë të tjera.
Kemi prejardhje:
a. Parashtesore - mosbesim, i paaftë, përplas, jozyrtar, etj.
b. Prapashtesore – punim, nderoj, traktorist, elbasanas, frikacak,endacak,etj.
c. parashtesore-prapashtesore – përfundim, nguros, përgjithësoj, përfundoj, i
përditshëm, etj.
d. Prejardhja pa ndajshtesë – hap-i, mund-i, etj., të formuara nga foljet përkatës;
foljet huaj, krip, ndryshk, sit, shëndosh, trash, etj., të formuara nga emrat dhe
mbiemrat hua, krip, ndryshk, sitë, i shëndoshë, i trashë, etj..

2. Paranyjëzimi – është formimi i fjalëve të reja me anë të nyjës së përparme. P.sh.


prej pjesores formohen mbiemra: i ardhur, i qeshur, i fjetur, i mërzitur, etj. Kjo
mënyrë është prodhimtare edhe për formimin e emrave prejfoljorë asnjanës dhe
femërorë: të ecurit, të menduarit, të folurit, e qeshura, të qeshurit, etj..
3. Kompozimi (përbërja) - është një nga mënyrat më prodhimtare për formimin e
fjalëve në gjuhën shqipe. Në këtë mënyrë formohen fjalë të reja që kanë në
përbërjen e vet dy a më shumë tema motivuese (fjalëformuese). Njëra nga këto
(tema mbështetëse, që është zakonisht e dyta) e formëzon gramatikisht gjithë
kompozitën, ndërsa tema tjetër është e neutralizuar: bregdet, bregdeti, bregdetin,
bregdet, etj.. Marrëdhëniet sintaksore ndërmjet gjymtyrëve të kompozitës janë
këpujore dhe përcaktore.
Këpujore me lidhje bashkërenditëse: dritëhije, gushtovjeshtë, hekurbeton, juglindje,
hyrje-dalje, kuqezi, afro-aziatik, etj.
Përcaktore me marrëdhënie nënrenditëse: kryeqytet, këpucëbërës, parapaguaj, etj.
Përveç këtyre kemi edhe kompozimin rrokjesor: MAPO (magazinë popullore), profarma
(prodhime farmaceutike), etj., dhe nistor: UÇK, ATSH, OKB, etj.

4. Përngjitja – është fjalëformimi me anë të së cilës formohen fjalë të reja nga


leksikalizimi i një togfjalëshi: farefis (farë e fis), gjëegjëzë (gjë e gjëzë),
trembëdhjetë (tre mbë dhjetë), etj.
5. Konversioni – është mënyra e formimit të një fjale si pasojë e kalimit në një pjesë
tjetër të ligjëratës e cila e ndërron krejt paradigmën ose e humbet fare atë.
Pjesë të pandryshueshme të ligjëratës
- si parafjalë prej ndajfoljesh: afër, anës, drejt, gjatë, sipër, etj.
- lidhëza prej ndajfoljesh: ku, kur, nga, etj.
- pjesëza prej ndajfoljesh: vetëm, plot, gati, etj
- pjesëza prej lidhëzash: sapo, posa, edhe, etj.

Pjesë të ndryshueshme të ligjëratës


– emra prej mbiemrash: e bukura, të ftohtët, të lashtat, e bardha (e vezës, e
syrit), etj.
– mbiemra prej emrash: kukull (qeveri), plak (burrë), bullgar, frëng, turk, etj.,
Kështu janë formuar edhe përemrat e pacaktuar gjë e njeri, prej emrave gjë dhe njeri
6. Mënyrat e përziera – veprojnë shpeshherë edhe në ndërthurje me njëra tjetrën.
a) Përngjitje + prapashtesim: njëherazi, papritmas, përgjumësh, etj
b) Kompozim+prapashtesim: pjesëmarrës, kryengritës, marrëveshje, këmbadoras,
etj.
c) Paranyjëzim+prapashtesim: i hekurt, i artë, i zakonshëm, etj.
d) Paranyjëzim + parashteso-prapashtesim: i përbotshëm, i përpiktë, etj.
e) Paranyjëzim + përngjitje: i pashkollë, i pashtëpi, i paraçlirimit, etj.
f) Paranyjëzim + përngjitje+prapashtesim: i përdyjavshëm, i përmuajshëm, etj.

Thënia e javës:
Vritmëni, po ma ruani gjakun se do t’u duhet nipërve dhe stërnipërve
tuaj të shkruajnë gjuhën shqipe.
Petro Nini Luarasi
(1865-1911)

Ju falemnderit!

Ushtrime:
Gjeni morfemat e këtyre fjalëve: zbardhte, skuqte, amëza, pranverore,
sikush, këngëtarë, çlirimtarët.

You might also like