You are on page 1of 3

Puthja e parë s'harrohet...

Kisha parë shumë filma, në ato rastet kur prindërit nuk ndodheshin në shtëpi, për
të ndërrruar kanalin, në çastin kur personazhet kryesore të filmave, putheshin.
Dukej aq bukur, çfti qëndronte symbyllur, muzika në sfond shpeshherë
epshndjellëse, psherëtimat joshëse...

Më kishin puthur gjyshet e gjyshërit nga 4 herë në të dyja faqet, prindërit kur ishin në
humor ndonjëherë, por kurrë nuk kisha provuar atë puthjen e ndaluar, puthjen buzë më
buzë. Puthjen që dukej aq magjike, aq intime dhe e arritshme, vetëm për të rriturit.

Ndonjëherë edhe kisha tentuar të puth tek shkallet e pallatit, diku si padashje e diku si me
sforco, ndonjë çupkëz, por nuk ishte kjo shije që më joshte. Kërkoja atë puthjen me
pasion, atë puthjen me miratim të dyanëshëm. Atë puthje për të cilën edhe pse vetëm
duke e imagjinuar, të rrihte zemra fort, shumë më fort se pas një sprinti kur nga pas të
vihej ndonje i rritur që kërkonte të të rrihte, apo ndonjë fshatar që kërkonte të të
ndëshkonte për ndonjë frut apo perim që i kishe vjedhur...

Kisha parë se kur çiftet putheshin nëpër filma, (sepse prindërit mund të ziheshin e
griheshin në sytë tanë, por për të shprehur dashuri, ishte tmerrësisht e ndaluar, e
dëmshme dhe e tuprshme përballë fëmijëve) se gjatë puthjes përdorej edhe gjuha, edhe
dhëmbët, por se si dreqin perdoreshin nuk e kisha aspak idenë.

Kisha provuar gjithashtu të kap me gjuhë një kumbull të thartë jeshile në një
filxhan çaji dhe e kisha praktikuar shpeshherë, po se sa do të më ndihmonte kjo
praktikë, nuk e dija.
Ajo që dija ishte se e dëshiroja shumë këtë puthje, aq shumë më intrigonte saqë nuk
kishte fare rëndësi se kush do të ishte vajza që do ma jepte këtë mundësi, dashuroja
puthjen mbi të gjitha...

Dhe ja një ditë të vonë, prej ditësh të shumë pritura, rasti trokiti në derën time, që
qëndronte hapur prej kohësh. U takuam pasdite, ishim vetëm ne të dy që rrotulloheshim
rreth një peme dhjetra vjecare mes një pylli të vogël. Ajo fliste dhe unë e dëgjoja, por nuk
kuptoja asgjë. Isha tërësisht i fantaksuar tek buzët e saj, ashtu si çdo mashkull i rritur
magnetizon sot sytë 1-2 pëllëmbë më poshtë...
Mendoja e shtrydhja veten se çfarë loje mund të shpikja apo te krijoja që të afrohesha për
tek buzët e saj. Me siguri isha aq lehtësisht i lexueshëm e transparent, sa ajo kur flite
buzët i mbante gjatë gjithë kohës mbyllur, saqë dukej edhe shëmtuar. Zemra po më dilte
vendit dhe unë përpiqesha më kot t'a mbaja frymën. Fluturat më fluturonin në bark e
përcillesha lehtazi, sa herë i shmangesha shikimit të saj.
Në kokë më përplaseshin qindra mendime në sekondë. Njëri prej tyre më quante të
paaftë, tjetri më shtynte ti hidhesha përpjetë, një tjetër më nxiste të tërhiqesha fare
dhe keshtu unë i dëgjoja të gjithë me rradhë.
Këpus një gjethe dhe e shtrëngoj me dhëmbë duke e ftuar shoqen e pasdites ta tërhiqte
nëse mundej me gojën e saj.
Ajo afrohet ngadalë duke qeshur dhe në çastin kur hapa buzët për ta puthur ajo afrohet
nxitimthi e ma shkëput gjethen prej gojes. Mirë puthjen që nuk ia mora, por edhe rrengun
gjethe ma rrëmbeu...

Mesa duket, në mes të atij pylli, unë isha krijesa e vetme që nuk e kisha kuptuar, se ajo e
priste atë puthje prej meje. Madje edhe pemët më dukeshin sikur qeshnin me mua...
-"A do të me puthesh?
- Po ti nuk di te puthesh...!
- Kush unë, unë jam ekspert - i them dhe i hidhem përballe gjithë vrull, me sytë mbyllur
dhe krahët hapur, si nëpër filmat e të rriturve.

Herën e parë u degjua një e kërcitur, si e një kërcelli te thyer peme, kur thyen qetësinë e
natës, Ishin dhëmbët tanë të parë, që u përplasën ballë për ballë. Një çast shtangem, pastaj
mbyll sytë përsëri dhe tentova të fshihja ku të mundja, dhëmbët. Buzët e saj të holla dhe
te miat mbyllur si mbulesë e dhëmbëve, krijuan një takim si i dy fijesh makaronash, por u
puthëm.

Në çast kujtoj puthjen franceze dhe hidhem në sulm sërish. Gjuha ime preku një push të
lehtë të faqes së saj, në një pamje si të lopës kur fërkon shpinën e saj me gjuhë. Ishte kaq
i shpifur ky mosakordim përmes emocionesh, sa nuk guxuam më tej. U kapëm për duarsh
dhe u ndjeva më i qetë. Më vinte turp e më përzihej me krenari. Shokët e mi ndoshta ishin
duke luajtur ende tek lagja dhe unë sapo kisha shkëmbyer puthjen time të parë. Kisha
dëgjuar nga të rriturit se puthja e parë nuk harrohet dhe me vjen shumë keq, që edhe pse
sot kam puthur aq shumë e ku e ku më bukur, është pikërisht kjo puthje, që mbetet në
kujtesën time.

E di ndokush sekretin, se si harrohet puthja e parë?


Shkroi: Stop Injorancës

Read more: http://stopinjorances.blogspot.com/search/label/Stop%20Injoranc


%C3%ABs?max-results=20#ixzz1LTaGvwmP

You might also like