You are on page 1of 9

AGIM SHEHU

(Nga Erotika nëpër vite)

TRISHTIM HËNOR

Qëndroj i vetëm në ballkon,


ti në dritaren përkarshi.
Pse vallë mbrëmja ne na shkon
me sytë lart në kaltërsi!?

Të dy sodisim pa një fjalë


ndonjë shkëndijë mos na çel!
Ti pret një yll që nuk ka dalë
e unë hënën që s’po del!

Sikur një udhë tok të zëmë


në një lëndinë a në një pyll!
Në s’daltë hëna - bëhu hënë,
në s’daltë ylli - bëhem yll!
(1956)

TË DASHURËS,
NGA NJË MATEMATIKAN

(studentes korçare Liza K.)

Ty po të drejtohem, vajzë moj syzezë,


më do a s’më do - kjo është hipotezë!

Pamja jote e ëmbël më ngjan teoremë,


kur të shoh përpara sikur zgjidh problemë!

Ti je elegante si ekuacion,
mesi yt i hollë posi Y-psilon;

Dy supet e tua - harqe projeksioni,


qafa si cilindër, koka si trung koni!
Ç’m’i ke ndarë aq bukur ato flokë spirale
oj t’u thaftë dora, si me simetrale!

Reze të rezojnë sytë e tu të qeta,


njeri rezet alfa, tjetri rezet beta.

Dashurisë për ty, mos t’i shuhet vapa,


çdo fjalë që do thuash, do ta fus në kllapa.

Bukuria jote, bukuri limit


po m’i lëviz mëndtë gjer në infinit.

O formula ime, po më tret të gjallë


si një copëz akull në plus një qind shkallë.

Shprehu, shpirti im, shpirt në maksimum,


se pa ty s’kam gjumë as në minimum.
(1955)

MOTIV POPULLOR

“Ç’u ngrita me natë vajta te burimi...”


ti po laje sytë me ujë trandafili.

U ula të pija - më mbeti në grykë,


floriri mbi ujë më verboi sytë.

Zgjat dorën te lulet, të mbahem te “njëra” –


fijet e tërfilit, me tri fletë të tëra!

Të fola një fjalë, prita një përgjigje…


ujë i sylynjarit pa përgjigje ridhte.

Laje sytë e zes me ujë trandafili…


duart më mbenë lidhur te një fletë tërfili.
(1977)

PUTHJA QIELLORE
Binin nga qielli
miliarda flokë bore të bardha.
Njëra, e dehur, vrapon në ballë si veriu.
Sa ra, qau nga gëzimi
që puthi tokën e para,
e me duar në qafë te një fije bari
shkriu. (1984)

ASTRONOMIA DHE GJIMNAZISTJA

Herë lart në kozmos herë në libër


kërkonim tok dy yj - dyzakë.
Sa shumë kërkonim yjet sipër
e njeri tjetrin poshtë - sa pak !..

Yjet na panë si i kërkonim


e nga habia mbenë pa mënd
(të të kish parë astronomi,
një yll do kishte emrin tënd).

Ti pyet, se sa larg - me mëndje -


është mjegullnajë e Andromedës!..
I humbur në floknajën tënde
unë ngatëroj çdo centimetër!

Ka yj që s’janë më mijëra vjet


ndërsa tek ne sot u vjen drita!
Ta di që u nise e po vjen,
ndoshta aq gjatë do të prisja!

Miliona vite udhë, më shumë,


dhe ylli prapa dritës vjen…
Ti, asnjë metër larg nga unë
dhe zgjat, përton, a s’di ç’të them !..
(1984)

***

Ti në plazh na erdhe mbrëmë,


në breg valët u harlisën.
(hëna që e plotë kish rënë
siç duket, pruri baticën!..)

Pas dy javësh më s’u duke.


Thua, ra një tkurje bote:
(deti zuri të ikte tutje -
ra zbaticë nga ikja jote).
(1981)

MONOLOG TË DASHURUARISH

Ka ditë, vajza m’u zëmërua


me hënën motër sikur qe:
herë vjen “e plotë” siç e dua,
herë vjen „e ngrënë“, s’di nga se!

Dy fjalë këmbyem si mëri,


dhe s’del në udhët që shëtitëm
(hëna humbet dy javë a tri,
dhe kthehet prapë, vazhdon orbitën).

Hije mërish kot mban në sy


e mira ime, hënë „e ngrënë“.
Merr dritë nga malli im për ty,
mbushe dhe gjysmëzën „e ngrënë“.
(1983)

VELLUA E BARDHË

Taksia në shteg qe futur.


Femrat zgjasnin sytë nga rruga:
“dhëndëri a qe i bukur
siç kish dalë e bukur nusja”?!

Shikimet nga unë të tërë:


si të rrija, çfarë të flisja?!
Gjersa dhëndër isha bërë,
sadopak, i bukur isha!
Nusja - njomur sytë në „vaj“
la krahun t’ia zija unë.
Mjegullën-vello të saj
ndjeva pak, asgjë më shumë!

Kaq e largët sot më rrinte


thua pranë nuk më ndjeu
(ç’kishim thënë para ca dite
nën „mjegull“ të bardhë qe fshehur).

...Taksia thellë udhësh hyri,


krushqit i la pas, i humbi.
Nusja, nga çdo cep i syrit
më buzëqeshte te supi.

U zgjuan ç’takime bënim


mbi lëndina e në bregdete...
(mbi Vjosë një mjegull argjëndi
vellon e kish marrë me vete).

...Vetura tek “unë” na solli.


Sa pa krushqit në çdo skaj,
«nusja» prapë nga unë doli,
hyri te «mjegull» e saj…
(1982)

KUR NA TROKITI DASHURIA E PARË

Ne ishim qelq i hollë ajri


kur po afroheshe si në përrallë.
Për tisin tënd të ngrohtë prej zjarri
brymë ngurimi kishim në çdo fjalë.

Ti ngjaje një ylber ujvare


tërë drita qielli në sy!
U poqëm te “Sokaku i të Marrëve”
dhe s’dinim ç’të bënim me ty!...

Ç’të të dhuronim nga leximi i netëve


brënda konakëve me varfëri!
Gjithë erotikën e poetëve
si të ta bënim një fustan të ri!?

Mikes së parë të rinisë


posi thesarit më të shtrenjtë të botës
iu qasëm nën ylber të dashurisë
dhe ngecnim shpesh te rrethi i “motrës”!

Dikush të derdhi ca vargje me penë


e u vuri një pasthirmë kapak!
S’t’u njoh kush qe, djalë fshati a sirenë -
gjysma në stofë, gjysma shajak!

Tërë gjuhët që të vegjël u mësuam zogjve


për ty na u bënë muzikë - magji.
Te vijë e drejtë me merak e flokëve
thamë se gjëndej udha për tek ti!

Pak buzëqeshje mbrëmjeve të deshëm


tek prisnim gjatë në një cep “pazari”.
Ti dilje me vëllanë
nga filmi “Ivan i Tmerrshëm”
e yt vëlla na shihte, thua ne qemë Cari!

Ëndëra rinie - kodra përmbi mal


me vajzat qëndisur në mes.
Guximin mbrëmja e mblidhte kristal,
mëngjezi e shkrinte në vesë.

Gjer fluturimin ne u ndiqnim zogjve


e kapnim lepurin në arat e katundit,
në sallën e vallzimit për te shoqet
arrinim të fundit.

Nënat mbanin merak për vete


me sy mbi ne gjithmonë,
mos dashurisë, udha për tek ne i ngecte
te një andër e saj mbi veshjen tonë.

Na erdhe - aromë lule limoni,


na gjete në lojën “topa - bore”...
“Sokakët” e shtrëmbër si t’ia shtronim
lëndinës sate diellore?!.
(1987)

“DANUBI BLU”

Valsi fillonte si një ëndër


(çapkënët e këndonin këngë).
«Danubi Blu» më kërcënonte ëmbël
nga valët e fustanit tënd.

Ti bëje orbita pëllumbi,


unë valsit tënd me zor i bëja ballë:
Herë ndiqja «lumin»,
herë më merrte «lumi»
mbi pllakat e lëmuara në sallë.

Danubi ridhte diku larg në Europë,


madhor, i turbullt apo blu.
Unë kurrë s’e pashë,
as e mendoja dot
më të paprekshëm se në sytë e tu!

Një hark fustani si një valë batice


zgjatej, më prekte…ngjethesha pa mënd.
E ftoja pranë…ajo prapë tërhiqej,
i mblidhej si për mbrojtje trupit tënd !

Ne ëndëronim si tej resh


atë magji vallzimi përmbi valë…
Danubi ridhte qetë midis nesh.
Ca “mbyteshin”, ca delnin gjallë!
(1993)

MATURANTES ME PELIÇE TIGRI

Tingujt drejt yjve thua iknin


në atë mbrëmje maturanti.
Ti me peliçë të jashtme tigri,
unë me dok prej kombinati.

Ku isha - s’do ta kuptoj kurrë


atë vallzim disi magjik:
herë në mbrëmje në maturë,
herë te një xhungël në Afrikë!

Ti dridheshe me vështrim gjetkë


e mua më lije me bishën.
Gëzofin ia lëmoja lehtë
që të më linte tek ti lirshëm!

Shkujdesur krejt, ti aq e lumtur


veç buzëqeshje rreth dhuroje
gjersa mbi trup, mbi gjinjtë e bukur
të rrinte ngjitur tigri - roje!

Një çast dukej se bënte gjumë


rreth qafës tënde, sipër gjinjve;
sa të afroja pak më shumë,
ai zgjohej, kreshpëronte qimet!..

Mbaronte mbrëmja. Veshur “dok”


kokulur drejt shtëpisë ikja.
Në ëndër tek qëndronim tok,
nga xhunglat vinin zëra bishash.
(1994)

GRUAS

Ledhaton vajzën, përkëdhel birin...


Afrohem...ti mendon „pazarin“!
Te thinjat rri të lëmoj hirin
e më merr mall për zjarrin.
(1995)

ZANËS

Ç’u largua kaq shumë, kaq shumë


dhe kaq pranë vjen e më rri
ajo kohë kur ishim të rinj!
E tani s’i kap dot asnjë gjurmë
asaj kohe, larguar aq shumë!
Dhe ti ishe ëngjëll i brishtë -
sy të zinj me përndritje ari.
Si ta dije ti, se një ditë
tek më dridhje flokët në gisht
do të varje trasta pazari!

Horizonti m’u duk pallat - qelq


ku ne bashkë do rronim si zogj.
Ç’na gënjeu jeta aq keq,
na jep mënd sot që bëhemi pleq
ne, hënorëve me ëndëra për zogj!

Kur më erdhe ti, dashuri,


paskam qënë me shpirt çunak!
Kur më ikje, thashë s’ikën larg!
Sot dyshoj, isha unë ai i ri
kur më erdhe ti, dashuri!

Duke pritur atë që s’e pres,


sodis hënën t’i qaj një hall poshtë.
Ime shoqe hyn trastëbosh;
më vështron, e vështroj edhe vdes
duke pritur atë që s’e pres.

Ç’presim më, e dashur, të ikim,


na e vranë kaq ngrica shpirtin.
Veç të lutem për aq ç’të kam dhënë,
ule pak atë hënë të ngrënë
që ta bëj arkivol, e të ikim!..
(1995)

You might also like