You are on page 1of 4

Liria - si ta menagjojmë

Koncepti dhe kuptimi i së drejtës dhe i lirisë si dhe manaxhimit të


saj, në këtë kontekst edhe të gjitha të drejtat dhe liritë e njeriut, në
kuptimin e vet shkencor paraqesin problematikë themelore për njeriun
dhe shoqëritë univerzale të këtij shekulli. Gjithmonë kur flitet për të
drejtat, pa marrë parasysh karakterin e tyre, ato u referohen dhe
nënkuptojnë të drejtat dhe liritë e njeriut. Këto të drejta dhe liri janë të
dhëna dhe ekzistojnë vetëm nëpërmjet qenies njerëzore, ato lidhen
vetëm me njeriun dhe për njeriun.
Kuptimi i konceptit bashkëkohorë i të drejtave dhe të lirive të
njeriut, në suaza të strukturës shoqërore dhe politike të shoqërive
bashkëkohore, përkufizohet në kuptimin e ngushtë dhe akcepton
mbrojtjen e disa të drejtave dhe të lirive, të cilat gjatë historisë së
njerëzimit janë mohuar ose nuk janë përfillur.
Kuptimi i sotshëm i së drejtës dhe i lirisë në përgjithësi i të
drejtave dhe të lirive të njeriut, është rrjedhim i botëkuptimeve e i
doktrinave filozofike dhe politike që nga shek. XVI të cilat kanë
dominuar në Evropën Perëndimore. Reformacioni dhe zhvillimi i
mendimit të lirë bashkë me Renesansën, kanë krijuar idealin e lirisë së
njeriut, i cili është i lidhur me kuptimin bashkëkohorë të lirisë e
qytetërimit modern. Në fakt qytetari, bashkë me konceptet përcjellëse
si “të drejtat qytetare” dhe “liria qytetare”, janë kategori themelore që
hasim në historinë e pushtetit demokratik, qysh nga Revolucioni
Francez e këndej. Por në kontekstin tonë si analizohet koncepti mbi
lirinë dhe si mund të menaxhohet:
Shqiptarët sot në trendet e marrdhënive ndërkombëtare dhe
në politikat e sigurisë si dhe në të drejtat dhe liritë nuk janë vetëm
objekt i saj por edhe subjek i përgjegjshëm dhe historikisht i
natyrshëm. Në fakt sovraniteti i një vendi duhet të jet shprehje e
zgjedhjes së lirë dhe vetëvendosjes së qytetarit. Zhvillimi dhe
qëndrueshmëria politiko-ekonomike e një vendi janë të mundura vetëm
me zgjerimin e lirive të qytetarëve. Përpjekjet e tanishme për kufizim e
sovranitetit të Kosovës janë përpjekje për kufizim të lirisë së
qytetarëve, është përpjekje për kufizim të mundësive për zhvillim. Liria
e vërtetë për qytetarët e Kosovës dhe shqiptarët në përgjithësi është
e paalternativë.
Liria qytetare nuk është standard që duhet medituar apo menaxhuar
nga lartë poshtë, por ajo lindë nga poshtë - populli e ngritet lartë,
përtej asaj që pretendohet sot, ajo është jetike që duhet jetuar e
kultivuar. Sovraniteti nuk është çështje meritokracie.
Sovraniteti buron nga vullneti i qytetarëve dhe u takon atyre. Ai
është e drejtë dhe si i tillë duhet manaxhuar drejtë. Andaj, çdo zgjidhje
e njëtrajtshme që nuk merr për bazë vullnetin dhe lirinë e qytetarëve
dhe, që në çfarëdo mënyre kufizon shprehjen e lirë të vullnetit politik të
tyre, është e paqëndrueshme.
Në fakt mobilizimi qytetar për të vetëvendosur për lirinë qytetare është
i domosdoshëm kur kërkohet nevoja. Kërkesa e qytetarëve të Kosovës
është e qartë: Jo kufizime! Jo politika ditore! Jo krijim të Identiteteve jo
gjenetike! Jo liri për lëvizje vetëm në 10800 kilometrave katrorë! por
Liri të vërtetë dhe vetëvendosje të natyrshme në trojet etnike dhe në
standardet euroatlantike!
Shteti dhe shoqëria nuk kanë të drejtë të cenojnë liritë
personale të njeriut, atë që Xhon Stjuart Milli i madh i quante liritë e
"përqendruara tek vetja", që nuk cenojnë liritë e tjetrit dhe për të cilat
shteti nuk ka të drejtë të ndërhyjë. Por shteti në të njëjtën kohë nuk
mund të jetë indiferent apo, aq më pak, nuk mund të lejojnë të
nëpërkëmbet liria qytetare e njerëzve të tjerë nga disa kriminelë
ordinerë, rebelë apo anarkistë të pakorrigjuar. Të frenosh ata, do të
thotë të kesh të garantuar sigurinë dhe lirinë për qytetarët, për
shoqërinë shqiptare në tërësi, andaj shoqëria shqiptare në përgjithësi
do të jet e lirë vetëm si e bashkuar në natyrshmërinë e saj.
Shoqëria shqiptare, sipas meje, ka një problem të madh
aktualisht. Ajo është e dhënë së tepërmi pas lirisë individuale, në
konceptin më të pakufizuar, duke harruar në njëfarë mënyre detyrat
dhe përgjegjësitë. Shfaqet e shëmtuara të mungesës së kulturës
qytetare e kolektive, që fillojnë nga mungesa e përgjegjësisë për
plehrat, e deri tek shtimi i krimit dhe vrasjeve të shumta, po infektojnë
atmosferën qytetare të shoqërisë tonë, janë tregues të konceptimit të
lirisë si anarki sociale. Në këto kushte duhet të punojmë sinqerisht, me
të gjithë kategoritë shoqërore, që të sigurojmë "ekuilibrin social" midis
lirisë individuale, duke i baraspeshuar dëshirat individuale me disa
vlera të tjera, që kanë natyrë sociale, që janë vlera të përbashkëta për
qytetërimin tonë.
Po ashtu edhe ndikimi i qeverisë në krijimin e alternativave
mbi garantimin e lirisë është i domosdoshëm. Fjala vjen si shembull;
nëse qeveria nuk do të kirijonte hapsirën e sistemit arsimor -
akreditimin, duke e zgjeruar alternativën e arsimit publik edhe me
arsimin privat, do të ishte e pamundur të realizohej liria e prindërve,
nxënësve dhe studentëve, për të zgjedhur llojin dhe mënyrën e
arsimimit sipas dëshirës. Kjo është "liria e jashtme", një pjesë e së cilës
është padyshim në dorën e pushtetit, si krijuese e kushteve dhe e
alternativave. Pa këto do të ishte e pamundur për t'u realizuar "liria e
brendshme" e studentëve, e drejta e tyre për të marrë vendime
përzgjedhëse personale, dhe për të zgjedhur midis shumë
alternativave ekzistuese për studimet e zgjegjura.
Në një ambient global ku lëvizja e mallrave dhe e kapitalit
inkurajohet pandalë, ndërsa lëvizja e njerëzve konsiderohet si problem
sigurie dhe/ose një lloj deziorientimi kulturor; në një periudhë kur
ndërhyrja ndërkombëtare, qoftë për “shkaqe sigurie” si në Afganistan
dhe Irak, apo për shkak se një ndërhyrje e tillë mirëpritet nga popullsia
vendore, si në Kosovë, Timor Lindor, në ishujt e Sollomoneve, apo në
Liberi, bëhet një realitet global gjithnjë e më i pashmangshëm; kur nën
slloganin “luftë kundër terrorizmit” justifikohet çdo lloj shkelje e ligjit
ndërkombëtar dhe, për më tepër, shkelja e çfarëdo të drejte e lirie të
njohur njerëzore, madje edhe në vendet demokratike; sikurse në
diskursin evropian e perëndimor akoma nuk gjejmë lirinë univerzale.
Së fundi mund të konkludojmë se edhe ballkani përfundimisht
kaloi nga një skenë urrejtjesh etnike deri te gjenocidi që s’ndalen nga
koha antike, në një oqean të pazotërueshëm kriminelësh, gangsterësh,
hajdutësh dhe tregtarësh të gjithçkaje që është e ndaluar; çështja e të
drejtave qytetare, politike dhe sociale e njerëzve të margjinalizuar
bëhet gjithnjë e më tepër aktuale, për më tepër siguri mbi lirinë. Me
vet faktin e zgjerimit të Nato-së me anëtarët e rinjë Shqipërinë dhe
Koacinë, ballkani përfundimisht akceptohet më i sigurtë se kur më
parë, është i qartë reliteti i qytetarit si më i lirë përtej një ballkani të
tarzuar. Megjithatë mendoj unë, se ky duhet të jetë edhe një nga
prioritetet kryesore të angazhimit qytetar politik në gjithë rajonin dhe
Kosovë, që të krijohen, jo vetëm parakushtet, por kushtet reale të
manaxhimit legal dhe institucional të sigurisë për garantimin dhe
mbrojtjen e pakusht të të drejtave qytetare dhe liritë njerëzore, politike
dhe sociale të qytetarëve të Kosovës. Ky është parakusht që veprimi
jonë, si qytetarë të një shteti të ri, si një “Lindje e re - Nuwborn”, të
jetë manaxhues dhe garantues i sigurisë për liritë dhe të drejtat e
qytetare. Ky është parakushti, tek e fundit, që në këto hapësira
historikisht të trazuara, vërtetë të krijohet perspektiva e një
demokracie reale dhe e menaxhuar si kuptim i drejtë i pavarësisë
kombëtare dhe lirisë gjenetike gjithëshqiptare.

Fund

You might also like