You are on page 1of 9

Konferencë Shkencore: “Integrimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian / Sfidat” ,

29 – 30 qershor 2013 Shkup & Tetovë

Kultura Politike dhe Media


Nga:
Prof. Ass. Dr. Bujar DUGOLLI / Universiteti i Prishtinës
Prof. Asc. Dr. Agim ZOGAJ / Universiteti i Prishtinës

Abstrakt
Në formimin e kulturës politike të një shoqërie, përgjegjësinë më të madhe e kanë elitat
politike dhe shpirtërore, elitat e diturisë, njohurisë. Po ashtu, rol të madh në këtë rrafsh kanë
edhe media, sepse ndikimi i tyre në formimin, zgjerimin dhe afirmimin e kulturës politike të
individit, shoqërisë, është përcaktues. Studiuesit konsiderojnë se, propaganda e mediave, jo
rrallë, përmes porosive të caktuara lëndon, ofendon arsyen e shëndosh të individit. Prandaj, ka
vlerësime se, mediat në duart e elitave politike, elitave sunduese shërbejnë edhe për “ dhunimin”
e arsyes dhe të publikut të gjerë. Nga ana tjetër, nuk ka kulturë politike demokratike pa dialog
dhe pa tolerancë, ndaj roli i mediave në edukimin, arsimimin e qytetarëve për tolerancë, për
dialog, për demokraci është shumë i rëndësishëm. Roli, rëndësia e fuqisë së mediave
bashkëkohore, në formimin, përparimin e kulturës politike – demokratike të individit, të grupeve
shoqërore etj. është i madh. Mediat, në shoqëritë e Epokës së Globalizimit nuk janë, thjeshtë
vetëm transmetues i porosive që ndikojnë në formimin e kulturës politike, por janë edhe mjete të
cilat me reagimin e tyre ndaj politikës mund të japin rezultate afirmative në zhvillimin e
shoqërisë. Natyrisht, sikur dje në shoqëritë totalitare, edhe sot në shoqëritë në transicion
ekziston rreziku për kulturën politike demokratike të një shoqërie, sidomos, në rast se mediat
janë në shërbim të zgjerimit, të përhapjes së paragjykimeve, stereotipeve, diskriminimit, gjuhës
së urrejtjes. Kjo, sepse përhapja e paragjykimeve politike, e prodhuar përmes mediave mund të
nxisë, të shkaktojë pasoja të cilat mund të jenë shumë të dëmshme. Pranimi masiv, pa kriter, pa
qasje kritike i paragjykimeve, të shpërndara përmes mediave, sidomos në kohërat e krizave mund
të merr përmasa të urrejtjes te karakterit raciste ashtu siç kishte ndodhur me popullin serb, i cili
jo vetëm në kohën e Sllobodan Milosheviqit , por para dhe pas tij, duke mos gjetur justifikim për
dështimet vazhdon me identifikimin e shqiptarëve si “ fajtor historik, si popull me qëndrim anti
serb”! Në rastin përkatës, të përhapjes së paragjykimeve anti shqiptare, përmes mediave serbe,
në fakt ka ndodhur forma më ekstreme e racizmit kulturor deri në nivel të shovinizmit kolektiv
serb! Rajoni i Evropës Juglindore po e hap një kapitull të ri të paqes, paqe, drejtësi, demokraci,

1
përparim për të gjithë popujt, ndaj, roli i mediave po e tejkalon përgjegjësinë të cilën ato e kanë
si fuqi e katërt në shoqëritë moderne. Në këtë kuptim, mediat, në të gjithë hapësirën shqiptare po
reflektojnë kulturë të thellë, qytetëruese politike, kulturë demokratike, duke i zgjeruar hapësira
të reja për dialog, tolerancë dhe komunikim civilizues.

Fjalë kyçe: Kultura politike; elitat politike; dialogu dhe toleranca; roli i medieve.

I. Propagandimi i vullnetit sundues


Kultura është definuar në mënyra të ndryshme nga ana e ekspertëve qe merren me studime
kulturore dhe nga ana e shkencëtarëve. Si konstatim ne rastin konkret munde te themi se, Kultura
nuk është asgjë tjetër veç se rregullim i jetës njerëzore duke u bazuar ne rregulla pozitive qe
njerëzimi i kultivoj dhe i avancoj ne vazhdimësi gjatë historisë. Pra ngadhënjimi i vlerës ndaj te
pa vlerës. Parregullsia dëshmon për mungesën e shpirtit, prandaj nga kjo del se në botën e
kulturës nuk ka vend për parregullsi.
Kultura politike, si pjesë e kulturës së përgjithshme është bartje, përcjellje e rregullit, e rendit
të caktuar në jetën politike, përkatësisht në fushën publike. Kulturën politike e përbejnë vlerat,
besimet, bindjet, qëndrimet , simbolet dhe stilet e veprimit politik si dhe të sjelljeve të individëve
në shoqëri. Në veçanti, kultura politike në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të specifikuar ndikon në
zgjedhjen e qëllimeve dhe drejtimeve në bazë të cilave individi, shoqëria dhe shteti lëvizin,
zhvillohen. Nga niveli i zhvillimit të kulturës politike varet rregullimi i rendit, sistemit politik,
demokracia, toleranca brenda shoqërisë, dialogu si mjet i zgjidhjes së problemeve, përparimi i
harmonisë sociale, zgjidhja paqësore e konflikteve etj. Pra, aq më shumë sa është e pa zhvilluar
kultura politike e individit, po aq më tepër rriten mundësitë për manipulim dhe uzurpim në
secilin nivel të jetës politike, shoqërore. Dhe e kundërta, aq më tepër sa të jetë e zhvilluar kultura
politike e individit po aq, bashkësia politike, shteti demokratik, shteti i së drejtës do të jetë i
zhvilluar, përkatësisht, i ndërtuar mbi bazat e rregullave dhe të rendit qytetërues, pra, edhe në
epokën e Globalizimit. Gjithsesi, në këtë pikë vështrim, pra, në krijimin e kulturës së re politike,
të përmasave globale, një rol të madh e luajnë edhe mediat. Kjo, mendojmë, veçmas vlen për
shoqëritë në transicion, të dala nga sistemi komunist, totalitar, nëpër të cilin sistem kaloi edhe
shoqëria shqiptare gjithandej.
Në formimin e kulturës politike të një shoqërie përgjegjësinë me të madhe e kanë elitat
shoqërore, politike dhe shpirtërore. Ato, elitat e lartpërmendura, përmes arsimimit dhe
socializimit, por edhe përmes ndikimit të drejtpërdrejtë në edukim kanë rol të madh, përcaktues.
Po ashtu, rol jashtëzakonisht të rëndësishëm kanë edhe mediat. Prandaj, mediat janë faktorë
qenësorë, shumë i rëndësishëm dhe përgjegjës kur është ne pyetje formimi, zgjerimi dhe mbajtja
e kulturës politike të ndonjë individi, shoqërie dhe të shtetit. Nga mënyra, se si e përcaktojnë
elitat strategjinë e shoqërisë dhe të shtetit, nga ajo përmbajtje varet se si do të jetë kultura
politike në një ambient të caktuar shoqëror.
Në pushtetet, në sistemet autoritare mediat shfrytëzohen vetëm për qëllime propaganduese dhe

2
manipuluese. (Filip Breton, Fjala e manipuluar, 2000).
Për aq sa propaganda dhe manipulimi janë të fuqishme, për aq pasojat për ata te cilët u
kundërvihen janë më brutale dhe më vulgare. Pushtet autoritare dhe kulturat politike autoritare,
veprimet mediatike i orientojnë në propagandimin e vullnetit sundues dhe me këtë rast
rrezikojnë lirinë e mendimit dhe standardet e thirrjes gazetareske. Duke u vënë në pozicion
thjeshtë të transmetuesit, mediet nuk janë më institucione publike rreth të cilave duhet të
përcillen të gjitha informatat lidhur me atë se çfarë ndodh në shoqëri dhe në shtet, por mediat
shndërrohen në mjet për përcjelljen, bartjen e porosive sipas dëshirës, synimeve, interesave dhe
përzgjedhjesh që e bëjnë vetë elitat sunduese, qendrat e vendosjes në pushtet. Nga ajo se çfarë
synojnë, çfarë përzgjedhin mediat në politikat e tyre redaktuese ka jo vetëm dhunë
propagandistike, por madje, edhe dhunë shpirtërore. Jo rrallë, përmes porosive të tilla mediave,
propaganda mediale lëndon, ofendon arsyen e shëndosh të qytetarit, veçmas nëse ky poshtërim
ndodh mbi bazat e përkatësisë etnike. Në fakt, pikërisht përmes propagandës së mediave, ato,
pra,s elita politike ia pamundësojnë opinionit që, ai të jetë i informuarën mënyrë objektive edhe
për veprimin e elitave sunduese, politike...

Mediat, në duart e tyre, pra, fjala është për elitat sunduese shërbejnë për “dhunim” dhe për
“dhunë” ndaj arsyes dhe publikut. Në shoqëritë demokratike ekziston kultura politike
pjesëmarrëse . Ajo kulturë politike është prodhim i zhvillimit të vetëdijes qytetare tek individi.
Ajo vetëdije rrjedh nga njohuritë, nga jeta e lirë dhe demokratike si dhe nga vetëdija për të
drejtat dhe detyrimet, përgjegjësitë qytetare. Në bazë të kësaj vetëdije mbi të cilën ndërtohet edhe
kultura politike pjesëmarrëse, qytetari është i vetëdijshëm për rolin, rëndësinë e jetës politike,
për jetën e tij dhe për jetën e bashkësisë dhe të shoqërisë. Prandaj, për këtë arsye qytetari në
mënyrë aktive merr pjesë në jetën politike, përkatësisht zgjedh ose është i gatshëm që të jetë
edhe i zgjedhur. Në këtë mënyrë, si rezultat i kulturës politike pjesëmarrëse, individi nuk është i
nënshtruar, por është qenie e lirë i cili nuk pajtohet që të tjerë të vendosin për të, ndaj, lirinë dhe
fatin e vet e merr në duart e veta. Vetëdija, ndërgjegjësimi dhe gatishmëria për të qenë aktiv në
jetën shoqërore politike e formojnë kulturën politike demokratike të individit dhe përmes saj
edhe të tërë shoqërisë.

II. Kultura e dialogut dhe media


Kulturën politike e karakterizojnë vlerat e përhershme dhe reagimet ditore ndaj
problemeve dhe veprimeve politike, të cilat reagime përcillen edhe përmes mediave. Pikërisht në
reagimet ditore njihen vlerat të cilat i bartë i paraqet individi. Në rastin kur është në pyetje
kultura politike demokratike në radhë të parë fjala është për vlerat univerzale. Mbi bazën e atyre
vlerave, pra të kulturës politike demokratike, individët orientohen dhe veprojnë në jetën
politike. Niveli i zhvillimit të kulturës politike demokratike varet nga përvetësimi dhe zbatimi i
vlerave univerzale (e vërteta, drejtësia, e mira, e bukura, dashuria, liria, krenaria dhe solidariteti
njerëzor) si masë për të gjitha vlerat tjera , të veçanta dhe individuale. Kultura politike varet edhe

3
nga niveli i kulturës së përgjithshme të qytetarit. Respektimi i individit, respektimi dhe garantimi
i të drejtave individuale dhe kolektive i besimit midis dhe pushtetit, udhëheqësve nga gatishmëria
që të mbrohet e drejta për të gjithë, si dhe nga përgjegjësia individuale dhe kolektive. Krahas
këtyre elementeve është e nevojshme të bëhen praktikë shoqërore edhe mjetet e tjera në jetën
politike, dialogu, toleranca, kompromisi, konsensusi, kritika dhe vetë kontrolli. Gjithashtu, në
shoqëritë bashkëkohore, ku kultura politike është themel i demokracisë politike janë të
rëndësishme edhe tri parime: parimi i dorëheqjes, parimi i ndërrimit, dhe parimi i mandatit të
kufizuar.
Dialogu, i realizuar edhe përmes ndikimit medial është një akt i lartë i mendimit politik,
veprimit dhe i sjelljes dhe forma më e mirë e komunikimit politik. Formula “nuk ka vepra pa
fjalë” është shembull për sjelljen e njeriut në shoqërinë e përbashkët. Për jetën në bashkësinë
politike duhet të mbështetemi, të udhëhiqemi sipas rregullit se prapa fjalëve të thëna gjithmonë
duhet të ekzistoj vepra, domethënia ose e bukura.
Dialogu, mesazhet e të cilit mund të përcillen edhe përmes mediave, është mjet në
komunikimin politik por njëherazi edhe një prej elementeve më të rëndësishme të kulturës
politike demokratike. Nuk ka kulturë politike demokratike pa dialog. Sistem, rregullim shoqëror
demokratik nuk mund të ketë nuk mund të ndërtohet dhe as të funksionoj pa dialog. Dialogu në
politikë kërkon që tjetri të dëgjohet me kujdes, që ndaj tjetrit të dëshmohet urti, respekt dhe që
tjetri të pranohet në mënyrë të barabartë.
Nuk ka dialog në politikë pa dallime, pa ndryshueshmëri, pa sinqeritet, pa respektimin e
vetës dhe të tjerëve. Prandaj shoqëritë shumë nacionale politike janë shans i madh për dialog
politik, pra edhe për formulimin dhe marrjen e vendimeve të matura dhe të mira. Dialog politik
nuk ka atje ku masë e së vërtetës është fuqia, atje ku vendimet politike merren ne rrethe të
ngushta të elitave politike, ku qytetarët shndërrohen ne masë, ku nuk ekziston bashkëpunimi mes
qytetarëve dhe ku nuk i lidhin vlerat universale, liria, barazia, miqësia, solidariteti, atje ku nxiten
konfliktet fetare nacionale, racore, klasore, ku politikanët e shfrytëzojnë të drejtën në gabime (e
drejta në gabime në politike nuk ekziston - ai i cili gabon duhet përgjigjur), atje ku politikanët
manipulojnë me qytetarët, atje ku politikanët, përmes propagandës përhapin ndjenjat e këqija
( varësinë, urrejtjen, nënshtrimin etj.) dhe gjendjen e vështirë (frikën, shqetësimin, panikun,
dinakërinë), atje ku jetën politike i nëpërkëmbin, keqpërdorin fjalët dhe gjuhën (atëherë kur
prapa fjalëve të thëna nuk qëndrojnë veprat, por mashtrimet dhe gënjeshtrat)...
Në politikën e mbi fuqisë, e epërsisë nuk bisedohet, por vetëm bëhen marrëveshje. Është
dallimi i madh midis bisedave dhe marrëveshjeve. Bashkëbisedojnë vetëm të barabartit dhe jo të
pabarabartit. Përmes bisedimeve më së shpeshti evitohet pasoja përfundimtare e ekskluzivitetit-
përdorimi i forcës dhe fuqisë. Në bisedime, pra, jo në bashkë marrëveshje, në bashkëbisedime të
fuqishmit më së shpeshti imponojnë zgjidhjet, kurse të pafuqishmit u përshtaten.
Mjet tjetër shumë i rëndësishëm për kulturën demokratike është toleranca. Fjala tolerancë
rrjedhë nga gjuha latine dhe e shpreh atë që në jetën tonë të përditshme e quajmë durim. Janë dy
domethënie të fjalës tolerancë: e pra, durimi ndaj mendimit, bindjes veprimit dhe sjelljes tjetër
dhe e dyta, pranimi dhe respektimi i dallimeve.

4
III. Toleranca dhe kompromisi
Pra, toleranca, nënkupton gatishmëri për kompromis dhe sipas këtij kuptimi toleranca
është fitore ndaj të keqes. Toleranca është e vendosur, mbështetur, rrënjët i ka në viktimën, sepse
në rastin e tolerancës ne viktimizojmë diçka tonën, heqim dorë nga diçka e jona personale
(bindjet etj) me qëllim që të mos vij deri te konflikti me të tjerët. Prandaj, njeriu tolerant është i
dashur dhe i respektuar për të gjithë në jetën e përditshme, sepse është i mirë për shoqërinë dhe
rrethin. Sipas kuptimit të dytë, toleranca nënkupton pranimin e dallimeve, përkatësisht, kuptimin
se jeta nuk mund të zhvillohet pa dallime. Pikërisht kjo vetëdije se jeta nuk mund te zhvillohet pa
dallime paraqet hap të madh njerëzor. Kjo sepse që nga ai moment, kur njeriu e ka kuptua se nuk
mund të ketë jetë demokratike pa respektimin e dallimeve, pikërisht nga ai çast, njeriu ka filluar
ta pranoj mendimin pluralist, pluralizmin e të menduarit, të pikëpamjeve, të bindjeve, veprimeve
dhe sjelljeve. Dallimet në vetëdijen e tij bëhen diçka normale.

Në jetën politike të një shoqërie dhe të një shteti mjet i rëndësishëm është kompromisi
(bashkëpunimi). Atje ku është e mundësuar liria e të menduarit, shprehjes, organizimit, atje
jetësohet edhe përplasja, ballafaqimi jo vetëm i mendimit por edhe i interesave. Ai ballafaqim ,
ajo përplasje shumë lehtë mund të përfundoj edhe në konflikte, madje ne konfliktet më të
rëndësishme siç është lufta. Me qëllim që të mënjanohen, evitohen konfliktet qeveritë
demokratike e shfrytëzojnë kompromisin. Prandaj kompromisi është mjet i rëndësishëm, që do
të thotë se bashkëpunimi përmes kompromisit arrihet për interesa të përgjithshme. Kompromisi
në politikë, për të mirën e përgjithshme të qytetarëve nuk është vetëm e nevojshme por edhe i
domosdoshëm. Atëherë kur e përdorim modelin e bashkëpunimit ne i vëmë në plan të dytë
interesat tona me qëllim që t’i realizojmë qëllimet e përgjithshme. Pushteti demokratik nuk
pajtohet me ekskluzivitetin por i kërkon zgjidhjet më të mira, më optimale, të dobishme për të
gjithë. Natyrisht, kompromisi përkatësisht, bashkëpunimi i ka edhe kufijtë e vet: Nuk ka
kompromis midis të vërtetës dhe gënjeshtrës, midis të drejtës dhe të pa drejtës, midis të mirës
dhe të keqes. Hegeli konsideronte se “nuk është problem e as tragjedi zgjedhja midis drejtësisë
dhe pa drejtësisë, por se tragjedia ndodh atëherë kur duhet marrë vendim dhe zgjedhur midis dy
ose më shumë të drejtave- cila është ajo e vërteta dhe më e mira”. Kompromisi arrihet midis dy
drejtësive ose dy të mirave-me ballafaqimin drejtë kompromisit ne do ta pranojmë ose zgjidhjen
e mesme ose zgjidhjen e cila për momentin është më mirë e argumentuar.
Kultura politike demokratike është e pa imagjinueshme edhe pa një mjet- konsensusin,
( pajtimi i të gjithëve). Në jetën e përditshme zgjedhjet më të mira arrihen me pajtimin e gjithë
pjesëmarrësve, sepse atëherë kur pjesëmarrësit në vendim marrjen politike janë në pajtim atëherë
askush prej tyre nuk është i mbivotuar dhe askush prej tyre nuk e ka ndjenjën se është
anashkaluar ose mundur. Konsensusi është shumë i rëndësishëm në procesin e marrjes së
vendimeve më substanciale, veçmas në shtetet shumë nacionale. Imponimi i vullnetit të shumicës
ndaj pakicës mund të jetë shkak i mos pajtimeve dhe konflikteve të rënda. Prandaj, pikërisht, në
shtetet e tilla, konsensusi mundëson që pakicat nacionale, fetare, etj. të ndjehen të barabarta dhe
jo të anashkalura.

5
Kritika nënkupton ballafaqim të arsyeshëm, racional dhe të argumentuar me ndonjë ide
koncept, problem. Kritika gjithnjë mundëson zgjidhjen në mënyrën më të mirë të problemeve
shoqërore dhe marrjen e vendimeve të vlefshme, Volteri shkruante se, “... të përfundosh së
kritikuari, pra, të mos kritikosh do të thotë të jesh i vdekur...”. Jeta politike pa kritike është e
rrezikshme, sepse kritika ndihmon dhe pamundëson që pushteti të përfundoj në uzurpim.
Gjithsesi, pa kritikë, pra edhe pa kritikë mediale pushteti mund të përfundoj lehtë në të kundërtën
e asaj që është demokracia.

IV. Përhapja e paragjykimeve raciste përmes mediave


Mbikqyrja nxit efikasitetin e pushtetit dhe pengon uzurpimin dhe veprimet e pa ligjshme.
Sa më tepër mekanizma të kontrollit, po aq më të vogla do të jenë mundësitë e keqpërdorimit të
pushtetit.
Kur bëhet fjalë për formimin dhe ngritjen e nivelit të kulturës politike demokratike të
individit, grupeve shoqërore, roli, rëndësia e fuqisë së mediave është e madhe. Mediat nuk janë
vetëm transmetues i porosive që ndikojnë në formimin e kulturës politike, por janë mjete të cilat
me reaksionin e tyre ndaj politikës mund të japin rezultate të rëndësishme në zhvillimin e saj.
Janë tre probleme ndaj të cilave gazetarët dhe mediat shpesh mbajnë qëndrim mbrojtës.
Problemi i parë është ai i objektivitetit. Gazetarët mbrohen me objektivitetin, atëherë kur ai
objektivitet e humb kuptimin e tij. Regjisori, Zhan Lik Godar vërente se në emër të objektivitetit
gazetaret i përmbahen logjikës në epokën e sundimit nazist: Një minutë Hitlerit një minutë
Hebrenjëve. Shtrohet pyetja a mund të arsyetohet, përmes mediave objektiviteti dhe barazia me
praninë në publik? Në ketë kontekst kjo nuk mund të arsyetohet sepse në këtë mënyrë barazohet
e drejta dhe e padrejta, e keqja dhe e mira.
Problem tjetër është, problemi i neutraliteti gazetaresk dhe medial. A thua në ndonjë
ngjarje ose në ndonjë rast mund të mbahet pozicioni i neutralitetit- veçmas në ato raste në të
cilat, afirmohet dhuna krimi, urrejtja dhe diskriminimi. Prandaj, neutraliteti nënkupton edhe
përgjegjësi për fjalën publike. Mirë, dhe me të drejtë e kishte vërejtur Filip Breton ( Fjala e
manipuluar, 2000)kur kishte konstatuar se, “...nën maskën e ndarjes së punës dhe ideologjisë
profesionale të ndihmuar me të ashtuquajturin neutralitet, mediat janë shndërruar në mjetin më
të përshtatshëm për përhapjen e ksenofobizmit i cili, mund të ndikojë në mënyrë shkatërruese te
opinioni”.
Problemi i tretë ndërlidhet me çështjen e manipulimit, përkatësisht me bartjen e porosive
manipuluese. Ky problem nuk është lehtësisht i zgjidhur, sepse ata të cilët, përmes mediave
përcjellin porosi manipuluese këtë e bëjnë me vetëdije të plotë duke i keq përdorur mediat. E
vetmja mënyrë është që të bëhen përpjekje për të penguar logjikën sipas të cilës të gjitha fjalët
vlejnë në mënyrë të barabartë. Nëse te gazetaret është e zhvilluar kultura morale, si pjese e
kulturës politike demokratike atëherë ata gazetaret do të jenë të ndjeshëm ndaj logjikes së sipër
përmendur dhe, përmes përdorimit të fjalëve do të zbulojnë porosinë manipuluese dhe
manipuluesin. Në të kundërtën, nëse nuk do të ketë rezistencë ndaj logjikes së tillë atëherë do te

6
vijë deri te forcimi i manipulimit i cili manipulim do të shkaktojë pasoja shkatërruese në jetën e
publike dhe në opinion.
Rrezik i madh për kulturën politike demokratike është prania dhe zgjerimi, përmes mediave i
paragjykimeve dhe i stereotipeve, diskriminimit, fjalime e urrejtjes dhe përhapja jo kritike e
porosive.
Përhapja e paragjykimeve përmes mediave mund të shkaktojë pasoja të cilat mund të jenë
tragjike. Paragjykimet janë qëndrime për diçka dhe për dike pa mbështetje në fakte dhe në arsyet
racionale. Janë këto qëndrime të aprovuara të përkrahura pa argumente dhe pa verifikim
( Shpjego: paragjykimet raciste të politikës mediave, në nivel shteti të Serbisë ndaj
shqiptarëve.. .) Paragjykimet më të rrezikshme janë ato për të tjerët sepse ato mund të kenë
pasoja të rënda nëse sillemi dhe veprojmë mbi bazën e tyre. Paragjykimet më të rrezikshme janë
ato ndaj racës, kombit, popullit, pakicave etj. Ndjenja e superioritetit pa mbulesë shkon deri te
nënçmimi dhe urrejtja ndaj tjerëve, të cilët nuk janë sikur ne. Madje, në periudhë krizash ajo
ndjenjë merr përmasa patologjike. Prandaj është shumë e rrezikshme nëse përmes mediave
nxiten përhapen paragjykime të tilla. Pranimi masiv i paragjykimeve në kohërat e krizave,
doemos përfundon në kërkimin e fajtorit për situatën e keqe, gjë që është një nga format e
reflektimit psikologjik, zbrazjesh psikologjike. Ky reflektim psikologjik, duke u mbështetur në
paragjykime mund të jetë fatal për ata të cilët janë shënjuar si fajtorë kolektiv ( Serbia, edhe
përmes propagandës mediale, shqiptarët e Kosovës i kishte shpallur faktor kolektiv...Në fakt,
përmes mediave, Serbia, popullit të Kosovës i kishte shpallur luftë në të gjitha frontet, e cila
luftë kulmoi me agresionin ushtarako policor – paramilitar të forcave serbe!? ). Ka shume
shembuj të veprimeve të tilla të mediave në Serbi, në Maqedoni, Mal të Zi : Nga fashistet dhe
nazistet deri te luftërat e udhëhequra në ish Jugosllavi si rezultat i nazizmit modern serb.
Çlirimi nga paragjykimet raciste nuk është i lehtë dhe as i shpejtë.
Diskriminimi më së shpeshti shfaqet si rezultat i paragjykimeve. Diskriminimi është sjellje,
veprim në të cilin grupeve të tjera, të ndryshme nga ne u pa mundësohet ti realizojnë mundësitë
( liria dhe e drejta) të cilat mund t’i realizojë ai grup shoqëror që bën diskriminim. Forma me e
rrezikshme e diskriminimit është diskriminimi institucional. Prandaj, duke zbërthyer racizmin
institucional Entony Gidens shkruante se ,” ideja e racizmit institucional sugjeron se racizmi në
mënyrë sistematike depërton përmes të gjitha strukturave të shoqërisë”.
Sot, sipas Gidens është i pranishëm edhe një forme e racizmit, racizmi kulturor ose racizmi i
ri. Në rastin e racizmit kulturor nuk janë në pyetje dallimet fizike por dallimet kulturore midis
grupeve... Në rastin e Serbisë, në radhë të parë në raport me shqiptarët është zhvilluar dhe
vazhdon të zhvillohet racizmi kulturor deri ne nivelin e shovinizmit, përkatësisht të ideologjive
më ekstreme fashiste.
Gjuha e urrejtjes, në hapësirat publike më së shpeshti përfundon në dhunë. Urrejtja,
nënçmimi janë ndjenja të këqija të njeriut. Në fakt, sipas Pierre Janet në librin, Dashuria dhe
urrejtja (1968) “...emocionet e urrejtjes, të nënçmimit rrjedhin që nga fazat e evolucionit dhe
nënkuptojnë antagonizmin ndaj atyre që nuk janë pjesëtarë të bashkësisë tonë...” Shprehja më
ekstreme e këtyre emocioneve janë luftërat. Erich Froom, kishte tërhequr vërejtjen me
konstatimin se “ agresioni njerëzor si duket e tejkalon agresionin e paraardhësve tanë”. Njeriu,
7
sipas Fromit është e kundërta nga shumica e shtazëve, është vrasës i vërtetë . Prandaj sipas tij
del se urrejtja është synim për shkatërrimin e një personi tjetër... Nga kjo rrjedhë se, atëherë kur
urrejtjes i jepet shansi që të manifestohet në skenën publike atëherë mund të konsiderojmë se me
urrejtje, drejtojnë udhëheqin njerëzit jo të mirë dhe të rrezikshëm / Hitleri, Millosheviqi.../.
Dominimi i urrejtjes, i ngritur, i zhvilluar, i drejtuar edhe përmes mediave, porosive mediale nuk
është asgjë tjetër veç se dominim i njerëzve të këqij në pushtet. Mediat, të cilat gjuhën e
urrejtjes e përdorin dhe zgjerojnë janë bashkëpjesëmarrës në shumë krime të cilat janë rezultat i
urrejtjes... Në luftën kundër fjalës, kundër shprehjes së urrejtjes në media gjithnjë duhet pasur
parasysh se pa lirinë e shprehjes, pa lirinë e fjalës nuk ka shoqëri të lirë. Prandaj, është e
domosdoshme që krahas kontrollit shtetëror dhe shoqëror të shprehjes edhe më shumë duhet
mundësuar presionin e organizuar të qytetarëve të cilët ndaj shprehjes së urrejtjes përgjigjen
vetëm me fjalë të argumentuara. Sigurisht, Lis Alvinday ne librin e tij, Etika ne media (2008)
kishte të drejtë kur vlerësonte: ”kundër helmi i vërtetë për fjalimet e urrejtjes nuk është
ndërprerja e fjalimit, por sa më shumë fjalime...” Secila urrejtje paralajmëron kufizime izolime
mbyllje dhe hakmarrje. Është rrezik kush do qoftë që mbështetet në urrejtjen sepse ai i cili e
praktikon urrejtjen vështirë se mund të lirohet nga ajo. Urrejtja, pra, e propaganduar edhe përmes
mediave, siç kishte bërë gjithmonë dhe bën Serbia e helmon trurin. Ajo, urrejtja, qoftë e
shpërndarë përmes medieve prodhon krim. Individët grupet popujt të infektuar me urrejtje nuk
kanë shans për të ardhme, ndërsa politika që llogarit në urrejtje dhe e cila synon të shkatërroj
gjithçka, shndërrohet në fabrikë që prodhon armiq dhe hakmarrës. Urrejtja gjithnjë qëndron në
kufijtë që të shkaktojë, të nxis brutalitet dhe terror, pengon afirmimin, forcimin e demokracisë.
Prandaj, sipas kësaj pikëpamje, del se, pa kulturë politike demokratike nuk mund të ketë as
media demokratike. Kultura politike demokratike është një prej parakushteve për formimin,
zhvillimin e pushtetit demokratik, udhëheqjes, afirmimin, forcimin e demokracisë. Gjithsesi, pa
kulturë politike demokratike, pa rolin e mediave në përmbajtjen e kulturës demokratike të
komunikimit nuk ka garanci për vendosje, për vendimmarrje demokratike dhe, aq më pak për
mënyrë demokratike të jetuarit.

Bibliografia:

1. Almond, G. A., A disipline Divided: Schools an Sects in Political Science, London, 1990.
2. Almond, G.A., and Verba , S., The Civic Culture – Revisited, London, Sage Publication,
Inc.,1989.
3. Battistoni, R. M., Public Schooling and dhe Education of Democratic Citiyens, University
Press of Mississippi, 1985.
4. Brenkert, G. G., Political Freedom, Routhledge, 1991.
5. Ericson , R. S., McIver, J. P., and Wright, G. C, Jr., State Political Culture and Public
Opinion, American Political Science Review, nr.3, 1987.
6. Kavanagh, D., Political Culture, London: Micmillan, 1972.Torres, C. A., Democracy,
Education, and Multiculturalism: Dilemmas of Citizenship in a Global World, Rowman
& Littefield Publishers, Inc., 1998.

8
7. Sparks, Colin, Komunizmi, Kapitalizmi dhe masmedia, Tiran;, 2000.
8. Baylon, Christian & Mignot, Xavier, Komunikimi, Tiranë, 2003.
9. Zanchini, Giorgio, Teledemokracia: Nënshtetas kokulur apo qytetar, Tiranë, 2001.
10. Filder, Roger, Mediamorfoza, Tiranë, 2001.
11. Muka, Arben, Depërtimi në media, Tiranë, 2003.
12. Fuga, Artan, Lexime në Komunikim, Tiranë, 2005.
13. Smith, Anthony, The Age of Behemoths: The Globalization of Mass Media Firms, New
York, 1991.
14. Bake, Marik, new media politics, Comparative perspektives in Western Europe, London,
1986.
15. Sachram, W. Mend, . Mesagge and Media, new York, 1973.
16. Bagdikiam, B, : The media Monopoly, Boston, 1973.
17. Benett, W. Lauce, The Politic’s of Ilusion, New York/ London, 1988.
18. Mc Nair, Brian., An Introduction To Political Communication, Rontledge, London/ New
York, 2003.

You might also like