You are on page 1of 19

Faqja 12/13 - SPECIALE Korrik 6, 2003

DOSSIER I

Për herë të parë dëshmia e Çlirim Ballukut, djalit të madh të ish-Ministrit të Mbrojtjes dhe
zv/ kryeministrit që u pushkatua në një tunel të fshehtë të Linzës në 5 nëntor 1975

"Ja historia e panjohur e babait tim, Beqir Ballukut"

Dashnor Kaloçi

Historia e familjes Balluku dhe e Beqirit nga periudha e Monarkisë deri në 1944

Të parët e familjes së Beqir Ballukut, njërit prej personaliteteve më popullorë të regjimit komunist
të Enver Hoxhës, i cili për më shumë se dy dekada me rradhë mbajti postet e Ministrit të
Mbrojtjes, zë / kryeministrit të parë, deputetit të Kuvendit Popullor dhe anëtarit të Byrosë Politike,
mendohet të jenë vendosur në qytetin e Tiranës të paktën katër breza përpara Beqirit dhe origjina
e hershme e tyre është nga qyteti i Krujës. Që nga ajo kohë të parët e familjes Balluku u
vendosën në lagjen "Hasanbeg" të qytetit të Tiranës e cila ndodhet diku fare pranë Pazarit të Ri
të kryeqytetit, përballë Shkollës së Kuqe. Babai i Beqirit, është quajtur Ali Balluku, ndërsa nëna e
tij e cila kishte lindur në Stamboll dhe pati jetuar deri në vitet '60-të, quhej Naxhije. Ali Balluku që
gjatë viteve të para të Monarkisë së Zogut, pati shërbyer si komandant i një poste xhandarmërie
në qytetin e Tiranës dhe nga ajo detyrë ai hoqi dorë pas prillit të vitit 1939, kur Italia fashiste kreu
agresionin ushtarak ndaj Shqipërisë. Ali Balluku dhe bashkëshortja e tij, Naxhija, patën tre fëmijë:
dy djem, Beqirin, (i cili u lind në 14 janar 1917) dhe Qemalin ( 1921) si dhe një vajzë, Ikbalin.
Gjatë gjithë periudhës së Monarkisë së Zogut, familja e Ali Ballukut u mbajt vetëm me rrogën e tij
si ushtarak i Xhandarmërisë Mbretërore dhe nuk kishte asnjëlloj të ardhure tjetër nga ndonjë
aktivitet privat. Pas mbarimit të shkollës filllore dhe asaj unike, Beqiri, djali i madh i Ali Ballukut,
ndoqi shkollën Teknike amerikane në Tiranë, e njohur si shkolla e Harry Fultzit. Atë shkollë ai nuk
arriti që ta përfundonte dot, pasi për arsye ekonomike e ndërpreu atë kur kishte mbaruar vitin e
dytë. Pas ndërprerjes së shkollës aty nga viti 1932-33, për t'i ardhur në ndihmë familjes që po
kalonte një situatë të vështirë ekonomike, Beqiri u detyrua dhe u fut në punë si shegert tek një
zanatçi tiranas i quajtur Filip Ujka, i cili kishte një punishte për përpunimin e hekurit. Që në atë
kohë Beqiri filloi të shquhej për një fizik të fortë dhe krahas punës që bënte në punishten e hekurit
të Filip Ujkës, ai filloi të merrej edhe me sporte të ndryshme, si atletikë, not, futboll, etj. Në sportin
e futbollit që ai e kishte me shumë passion, arriti të aktivizohej edhe me ekipin e Shprefesë në
ndeshjet që zhvilloheshin asokohe në Tiranë. Aty nga viti 1937, Beqiri u njoh për herë të parë dhe
ra në kontakt me idetë komuniste, nëpërmjet literaturës që ia jepnin dy shokët e të tij të ngushtë,
Vasil Shanto dhe Vojo Kushi, me të cilët ai kalonte një pjesë të madhe të kohës. Në vitin 1940,
Beqiri u mobilizua si rekrut për kryerjen e shërbimit të detyrueshëm ushtarak dhe pas një kursi
për nënoficer që bëri në qytetin e Tiranës, ai fitoi gradën e kapterrit dhe u dërgua menjëherë në
frontin e luftës italo-greke. Nga fundi i vitit 1940 teksa ishte në frontin e luftës, ai u internua nga
Komanda e Ushtrisë Italiane, i akuzuar si rebel që nxiste dezertimet në rradhët e ushtarëve
shqiptarë. Pasi qëndroj për dy-tre muaj si i internuar në qytezën e Shijakut, ku u cilësua si
element turbullues, italianët e transferuan përsëri në një postë ushtarake në rrethinat e Ulqinit. Në
vitin 1941 ai e përfundoi shërbimin e detyryeshëm ushtarak në postën ushtarake të Ulqinit dhe
pas kësaj u kthye pranë familjes në shtëpinë e tij në qytetin e Tiranës. Në atë kohë, Beqiri
rivendosi lidhjet e tij me ish-shokët që kishte pasur përpara se të shkonte ushtar, Vasil Shanton
dhe Vojo Kushin, të cilët e afruan në celulat komuniste dhe në marsin e vitit 1942 e pranuan si
anëtar të Partisë Komuniste. Që nga ajo kohë shtëpia e Ali Ballukut aty në lagjen "Hasanbeg" të
Pazarit të Ri të Tiranës, u bë një nga bazat më të rëndësishme të guerilasve dhe komunistëve
ilegalë ku midis krerëve kryesorë të Partisë Komuniste që strehoheshin aty, si Vasil Shanto, Alqi
Kondi, Misto Mame, Vojo Kushi, Gogo Nushi, Myslym Keta etj, të cilët ishin dhe miqtë më të
ngushtë të Beqirit, aty vinte edhe Enver Hoxha. Duke qenë një nga drejtuesit kryesorë të
njësitëve guerile të Tiranës, Beqir Balluku ra në sy të Kuesturës për aktivitetin e tij në lëvizjen
antifashiste dhe në vitin 1942 ai u arrestua nga italianët dhe u izolua në Burgun e Vjetër. Arrestimi
i Beqirit bëri bujë të madhe në qarqet më të larta të PKSH, por më pas ai u lirua për mungesë
provash. Edhe pas daljes nga burgu, Beqiri nuk e ndërpreu aktivitetin e tij në lëvizjen antifashiste
ku në Qarkorin Komunist të Tiranës që udhëhiqej nga Gogo Bushi, ai ishte ngarkuar me detyrën e
Sekretarit për problemet ushtarake. Nisur nga aktiviteti i madh që ai kreu në atë kohë, pas vrasjes
së Vojo Kushit në tetorin e vitit 1943, PKSH e caktoi atë në detyrën e komandantit të njësiteve
guerile të Tiranës. Atë detyrë Beqiri e mbajti deri në fundin e vitit 1943 dhe në atë kohë me
krijimin e Brigadës së Dytë partizane në Shëngjergj të Tiranës, ai u caktua me detyrën e
komandantit të saj. Mbarimi i Luftës Antifashite në fundin e nëntorit të vitit 1944, e gjeti Beqir
Ballukun me detyrën e Komandantit të Qarkut të Tiranës.

Goditja ndaj babait tonë, Beqir Ballukut, i cili prej vitesh mbante postin e Ministrit të Mbrojtjes dhe
zv / kryeministrit të parë në qeverinë e kryesuar nga Mehmet Shehu, filloi në qershor-korrikun e
vitit 1974 me mbledhjen e zgjeruar të Aktivit të Ushtrisë, e cila u mbajt në Vilën e Zogut të qytetit
të Durrësit. Goditja ndaj tij ishte e parapërgatitur në bazë të një skenari të hartuar mjaft mirë nga
kupola e piramidës së lartë të PPSH, me njerëz të veçantë brenda rradhëve të Ministrisë së
Mbrojtjes. Kjo gjë vërtetohet edhe nga fakti se akuzat ndaj tij filluan në një kohë që materiali me
tezat që duheshin të paraqiteshin për diskutim në Këshillin e Mbrojtjes, nuk ishin bërë ende
publike dhe ndodheshin të mbyllura në kasafortën e zyrës në Ministrinë e Mbrojtjes. Pas asaj ai u
analizua edhe në mbledhjet e Byrosë Politike ku Enver Hoxha dha i pari orientimin e sulmeve
ndaj tij, duke e akuzuar si tradhëtarin më të madh që kishte pasur Shqipëria deri në atë kohë. Pas
atyre mbledhjeve të Byrosë Politike, babai u analizua edhe në Pleniumin e Pestë të K.Q. të
PPSH, që u mbajt më 25 korrik 1974, ku u sulmua nga dikush më shumë dhe nga dikush me pak.
Në fund të atij Pleniumi ai u përjashtua dhe u shkarëkua nga të gjitha funksionet partiake e
shtetërore. Pas asaj mbledhje, babai nuk u arrestua si shumë nga ish-personalitetet e larta të
udhëheqjes së lartë komuniste që ishin goditur vite më parë, por u la i lirë që të vinte në shtëpi.
Më kujtohet si tani kur erdhi babai në shtëpi pas asaj mbledhje dhe na tregoi gjithëshka që kishte
ngjarë në atë Plenium, si dhe vendimet që ishin marrë aty në adresë të personit të tij. Në thelb të
atyre fjalëve që na tha babai atë pasdreke në shtëpinë tonë, ku ishim mbledhur të gjithë ne
pjestarët e familjes, ishte ajo që ai nuk ishte tradhëtar dhe nuk e kishte tradhëtuar asnjëherë
Partinë dhe Enver Hoxhën. Pas asaj dite babai qëndroi edhe rreth dhjetë ditë të tjera pa dalë fare
nga shtëpia, pasi edhe ata që e goditën nuk kishin vendosur ende se në çfarë vëndi do e
dërgonin. Gjatë atyre dhjetë ditëve që babai nuk doli fare nga shtëpia, në afërsi të vilës sonë aty
në Bllok, u përforcuan masat e sigurisë gjë e cila dukej qartë edhe nga shtimi i ushtarëve të
Gardës. Gjatë asaj kohe, në bisedat që bënte me ne, për për herë të parë Beqiri u shpreh hapur
kundra udhëheqjes së lartë të Partisë, duke na thënë se ajo po e godiste kot dhe gjithshka thuhej
në adresë të tij ishte e manipuluar". Njeriu që flet dhe dëshmon për herë të parë ekskluzivisht për
"Gazetën", është 58-vjeçari Çlirim Balluku, djali i madh i ish-Ministrit të Mbrojtjes, anëtarit të
Byrosë Politike dhe zë / kryeministërit të parë në qeverinë komuniste të kryesuar prej Mehmet
Shehut, i cili rrëfen të gjithë historinë e panjohur të babait të tij, Beqir Ballukut, i cili u pushkatua
në 5 nëntorin e vitit 1975 në një tunel të fshehtë në periferi të Tiranës afër fshatit Linzë, së bashku
me dy vartësit e tij, Shefin e Shtatmadhorisë, Petrit Dumen e Drejtorin Politik të Ushtrisë, Hito
Çakon. Po kush ishte Beqir Balluku, cila ishte origjina dhe e kaluara e tij e ku u shkollua ai? Si u
lidh Beqiri për herë të parë me grupet komuniste, kush ishin shokët e tij më të ngushtë gjatë
Luftës dhe si u njoh ai për herë të parë me Enver Hoxhën në vitin 1943? Cilat ishin akuzat që iu
bënë Beqir Ballukut nga Enver Hoxha në mbledhjet e Byrosë Politike dhe Pleniumin e pestë që u
mbajt në 25 korrikun e vitit 1974 dhe çfarë iu tha Beqiri familjes së tij pas asaj mbledhje ku e
përjashtuan nga të gjitha funksionet partiake e shtetërore? Çfarë ndodhi me Beqirin ato dhjetë
ditë që ai qëndroi i izoluar në vilën e tij të Bllokut, kush ishte njeriu i vetëm që mundi të hynte në
shtëpinë e tij dhe çfarë porosish iu dha ai fëmijëve të tij? Ç'farë i kërkoi sekretari i partisë i TV
shqiptar, Çlirimit, djalit të madh të Beqirit, kur e thirri atë në zyrën e tij dhe cila ishte përgjigjia që
mori prej tij? Si e hoqën Beqirin nga vila e tij e Bllokut për ta internuar në Roskovec të Fierit dhe
si u arrestu ai në shtatë dhjetorin e vitit 1974 kur ishte i internuar në Selenicë të Vlorës? Si e
mësoi familja Balluku ekzekutimin e Beqirit dhe si u trajtuan që nga ajo periudhë e deri në vitin
1991 kur qëndruan të internuar në Selenicë të Vlorës?(vijon nesër)

Kush ishte Beqir Balluku

1917 U lind në qytetin e Tiranës më 14 janar, në lagjen "Hasanbeg"


1934 Ndërpret mësimet në vitin e tretë të shkollës Teknike të Fultzit
1934 Fillon punë si hekurpunues tek zanatçiu Filip Ujka në Tiranë
1937 Lidhet me grupet komuniste me anë të shokut të tij, Vasil Shantos
1940 Mobilizohet ushtar dhe dërgohet në frontin e Luftës italo-greke
1941 Për nxitje dezertimesh internohet në Shijak dhe transferohet në Ulqin
1942 Pranohet anëtar i Partisë Komuniste dhe shtëpia e tij bazë e ilegalëve
1943 Komandant i Çetës "Dajti" dhe batalionit Krujë-Ishëm
1942 Arrestohet nga italianët dhe lirohet për mungesë provash
1943 Komandant i Njësiteve Guerile të Tiranës pas vrasjes së Vojo Kushit
1944 Komandant i Brigadës së Dytë partizane që u formua në Shëngjergj
1944 Komandant i Divizionit të Dytë të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare
1945 Komandant i Qarkut në Tiranë dhe deputet i Kuvendit Popullor
1946 Komandant i Divizionit të Korçës, me gradën e Kolonelit
1947 Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë me gradën gjeneral-brigade
1951 Në Akademinë Ushtarake "Voroshillov" të Moskës
1955 Ministër i Mbrojtjes, anëtar i Byrosë Politike dhe zv / Kryeministër i Parë
1974 Enveri filloi goditjen ndaj tij në Aktivin e Ushtrisë që u mbajt në Durrës
1974 Përjashtohet nga funksionet partiake dhe shtetërore në Pleniumin e Pestë
1974 Në 4 gusht e largojnë nga Blloku dhe e internojnë në Roskoves të Fierit
1974 Në 7 dhjetor arrestohet në Selenicë të Vlorës ku ishte i internuar pas Fierit
1975 Në 5 nëntor pushkatohet në një tunel në Linzë me Petrit Dumen e Hito Çakon
2000 Eshtrat e tij gjenden në fshatin Vranisht të Vlorës ku ishin groposur me urdhër të Kadri
Hazbiut pas ekzekutimit.

Faqja 12/13 - SPECIALE Korrik 6, 2003

DOSSIER II

Dëshmia e 58-vjeçarit Çlirim Balluku, lidhur me marrëdhënit e babait të tij, Beqirit, me


Enverin, Mehmetin, Hysniun, Ramizin, Kadriun, Gogon dhe ushtarakët madhorë

"Përse Beqiri kishte mik të ngushtë vetëm Gogo Nushin"

Dashnor Kaloçi

Në pjesën e parë të këtij shkrimi të botuar në numrin e djeshëm, u njohëm me një histori të
shkurtër të ish-Ministrit të Mbrojtjes, zë / kryemnistrit të parë të qeverisë shqiptare, deputetit dhe
anëtarit të Byrosë Politike, Beqir Ballukut dhe familjes së tij. Beqir Balluku u lind më 14 shkurt të
vitit 1917 në qytetin e Tiranës dhe origjina e familjes së tij është nga qyteti i Krujës, ku të parët e
saj ishin shpërngulur që katër breza para Beqirit. Babai i Beqirit quhej Ali Balluku, ndërsa e jëma
e tij, Naxhije. Që në vitet e para të Monarkisë së Zogut e deri në vitin 1939 kur Italia fashiste
sulmoi Shqipërinë, Aliu shërbeu si komandant i një poste xhandarmërie në qytetin e Tiranës. Në
vitin 1934, për arsye ekonomike Beqir Balluku u detyrua të ndërpriste mësimet në shkollën
Teknike amerikane të Harry Fultzit në Tiranë dhe u fut në punë tek punishtja e hekurit e Filip
Ujkës. Në vitet 1936-37, Beqiri ra në kontakt me idetë komuniste nëpërmjet shokut të tij të
ngushtë, Vasil Shantos, i cili e furnizonte me literaturë të ndaluar bolshevike. Në vitin 1940, Beqiri
u mobilizua si rekrut dhe u dërgua në frontin e Luftës Italo-greke, nga ku më pas italianët e
internuan në Shijak, duke e akuzuar për rebel që nxiste dezertimet në rradhët e ushtarëve
shqiptarë. Pas kësaj ai u transferua në një postë ushtarake në periferi të Ulqinit dhe në fundin e
vitit 1941, ai mbaroi shërbimin ushtarak duke u kthyer në Tiranë. Në atë kohë ai rivendosi lidhjet
e vjetra me ish-shokët e tij komunistë si Vasil Shanto, Vojo Kushi, Misto Mame e tj dhe në marsin
e vitit 1942, u pranua anëtar i Partisë Komuniste Shqiptare. Pas vrasjes së Vojo Kushit në tetorin
e vitit 1943, Beqiri u caktua Komandant i Njësiteve Guerile të Tiranës, më pas Komandant i
Çetës së Dajtit dhe Batalionit Krujë-Ishëm. Këto detyra ai i mbajti deri sa u krijua Brigada e Tretë
partizane në malësitë e Tiranës ku Beqiri u caktua Komisar i saj dhe më pas me krijimin e
Brigadës së Dytë në Shëngjergj të Tiranës, ain u caktua Komandant i saj dhe në vitin 1944,
Komandant i Divizionit të Dytë.
(vijon nga numri i kaluar)

58-vjeçari Çlirim Balluku, është djali i madh nga gjashtë fëmijët e Beqir Ballukut, ish-Ministrit të
Mbrojtjes, deputetit, anëtarit të Byrosë Politike dhe zë / kryeministrit të parë në qeveritë
komuniste të Mehmet Shehut, i cili qëndroi në ato funksione të larta deri në vitin 1974, kur u
akuzua dhe u godit nga Enver Hoxha, duke u quajtur sabotator, armik dhe kreu i Puçit Ushtarak
që kishte për qëllim rrëzimin me dhunë të pushtetit popullor në Shqipëri. Si djali i madh i familjes
Balluku, Çlirimi i mban mënd mjaft mirë dhe i ka përjetuar vetë shumë nga ngjarjet e asaj kohe të
largët kur babai i tij ishte në majat më të larta të regjimit komunist të Enver Hoxhës, si dhe më
pas kur ai u sulmua nga Enveri me akuza nga më të rëndat, të cilat tashmë janë bërë publike për
lexuesin e gjerë nga botimet e shumta në shtypin e përditshëm të pas viteve '90-të. Nisur nga ky
fakt dhe për t'u njohur akoma dhe më shumë mbi anën e panjohur të figurës së Beqir Ballukut
dhe familjes së tij, në vazhdën e dhjetra shkrimeve të kësaj natyre që kanë gjetur vënd në faqet
speciale të gazetës sonë, ne iu drejtuam duke i kërkuar një intervistë zotit Çlirim Balluku, së cilës
ai iu përgjigj pozitivisht.

Zoti Çlirim, për të krijuar një përfytyrim sa më të qartë të fizonomisë së babait tuaj Beqirit,
desha t'ju pyes si fillim se cilët kanë qenë miqtë më të ngushtë të tij në periudhën e
Luftës?
"Para se t'ju përgjigjem pyetjes suaj, në parantezë desha t'ju them se babai ynë Beqiri, ka qenë
një tip që nuk fliste shume as për vete dhe as për shokët e Luftës dhe gjithashtu as për problemet
e tija të punës. Për t'u njohur me aktivitetin apo me miqtë e tij të kohës së Luftës, shpesh herë më
është dashur t'i mësoja nga persona të tjerë. Nga babai dëgjoja për Vojo Kushin, të cilin e kishte
mik të ngushtë dhe për të fliste me simpati të veçantë. Po kështu me të njëjtën simpati ai fliste
dhe për Lym Keten, Kozma Naskën, Misto Mamen, Alqi Kondin etj. Kjo përsa i perket kohës së
njësitit guerril. Në kohën e formacioneve më të mëdha partizane jeta e tyre ndryshoi, ndoshta pati
dhe shumë humbje të dhimshme në atë kohë lufte. Por në atë periudhë, im atë fitoi mikun më të
mirë të tij Gogo Nushin, i cili kishte funksionin e Sekretarit Organizativ. Ndërsa nga shokët e
brogadave partizane, babai ka pasur miqësi edhe me Kiço Ngjelën dhe Irakli Bozon. Më duhet te
shtoj se unë nuk jam në gjendje të përcaktoj të gjithë miqtë e tij të asaj kohe, por sigurisht një mik
që vlerësonte shumë im atë ishte populli, me një fjalë njerëzit e thjeshtë prej të cilëve ai kishte
miq të shumtë. Këto vitet e fundit, (në 1998 dhe 2003) kam asistuar në dy përvjetorë festash të
njësive partizane, të Brigadës së Dytë në Shëngjergj dhe të Batalionit Krujë-Ishëm, ku unë u
ndjeva shumë i emocionuar nga kujtimet plot dashuri që ata njerëz shprehnin per babain tim
Beqirin. Të gjithë ish partizanët e thjeshtë dhe populli i zonës, rendnin për të më takuar dhe gjatë
bisedave me ta më thoshin se po nxirrnin mallin e ish-komandantit të tyre".
Po me Enver Hoxhën kur dhe në ç'rrethana ka qenë njohur Beqir Balluku?
"Me Enverin babai ynë është njohur në vitin 1943 kur ai vinte si ilegal në shtëpinë e gjyshit tonë,
Ali Ballukut, që ndodhej në lagjen "Hasanbeg:" fare pranë Pazarit të Ri, e cila ishte kthyer në një
bazë e rëndësishme e lëvizjes antifashiste. Këtë ma ka treguar gjyshja ime, nje grua fortë por
njëkohësisht dhe shumë e ëmbël".

Po pas mbarimit të Luftës, nga viti 1944 e deri në vitin 1974, kush kanë qenë miqtë më të
ngushtë të babait tuaj, nga personalitetet e udhëheqjes së lartë të regjimit komunist?
"Babai ynë kishte relata të mira me shumë nga udhëheqesit e asaj kohe, si Ramiz Aline, Haxhi
Lleshin , Spiro Kolekën apo Kadri Hazbiun, por këto i konsideroj si relata të thjeshta pune. Ndersa
më kujtohet që në fëmijërinë time, im atë kishte miqësi me Hysni Kapon. Shpesh flisnin gjatë , por
në Bllokun e asaj kohe dhe ndoshta keshtu ka qenë gjithmonë, nuk dihej nëse miqesitë ishin të
vërteta, apo thjeshtë aleanca momentale. Dhe këtë e them se në rastin e Hysni Kapos, pak para
momenteve te vështira të '74 miqësia e tyre u ftoh pa kuptim. Në atë kohë shumë gjëra janë bërë
nën presione të rënda psikollogjike dhe askush nuk mund të analizojë apo gjykojë sot për lëvizjet
e të tjerëve në atë kohë. Me Gogo Nushin ndryshonte puna. Gogo Nushi ka qenë një nga miqt
më të ngushtë të babait tonë dhe njohja me të ka qenë që nga koha e Luftës. Deri në vitin 1969
sa ishte gjallë Gogo Nushi, ai mbeti miku më i afërt i babait . Me Gogon babai ynë Beqiri nuk
kishte fare kortezi zyrtare dhe ata të dy hynin e dilnin në shtëpitë e njeri tjetrit si në shtëpinë e
tyre. Do të shkruaja pa fund për miqsinë e vertete të këtyre dy burrave që unë i admiroja kur
flisnin aq qetë e qeshnin aq çiltër me njëri tjetrin, por në mendje më vjen momenti më i trishtuar i
kësaj lidhje miqësore. Vdekja e Gogo Nushit. Se kisha parë kur tim atë, Beqirin, më të dërmuar
se në atë moment. Pashë lot dhe trishtim në sytë e njeriut që për mua ishte sinonim i forcës,i
burrërisë. Një natë vere të vitit 1974, tek flisja me te, ndjeva se kishte nevojen e Gogos e mikut te
vertete, por fatekeqësisht ai kishte pesë vjët që s'jetonte më".

Po me Enverin, çfarë marrëdhëniesh ka pasur Beqiri dhe a vinte ai në shtëpinë tuaj?


"Enver Hoxha vinte në shtëpinë tonë në raste të ralla kur kishte takime për probleme punë me
babain. Ndërsa kur kishte raste të veçanta familjare , aty vinin të gjithë shokët e udhëheqjes,
sigurisht dhe Enveri me to. Por desha të shtoj se kontaktet më të shpeshta dhe ardhjet e Enverit
në shtëpinë tonë kanë qenë në vitet 1960-1961, gjatë periudhës së krizës me Bashkimin
Sovjetik".

Po me Kryeministrin Mehmet Shehu, çfarë marrëdhëniesh ka pasur Beqiri dhe a vinte ai në


shtëpinë tuaj?
"Edhe me Mehmet Shehun, im atë mbante vetëm relata zyrtare pune, ashtu si me Enverin,
Kadriun, Ramizin e ndonjë tjetër".
(vijon nesër)

Historia e panjohur e Beqir Ballukut dhe familjes së tij nga 1945 deri në 1974

Detyrën e Komandantit të Qarkut të Tiranës, e cila iu dha Beqir Ballukut në saj të kontributit të
madh që kishte dhënë gjatë Luftës, ai e mbajti deri
në në vitin 1946, pasi në atë kohë u transferua nga Tirana duke u emëruar në detyrën e
Komandantit të Divizionit të Korçës. Transferimi i Beqir Ballukut në atë detyrë, u bë për arsye se
në atë kohë në vëndin fqinjë, në Greqi, ishte intesifikuar lufta civile ndërmjet forcave qeveritare të
Kryeministrit Caldaris dhe atyre komuniste partizane të udhëhequra nga Niko Zaharjadhis dhe
Gjenerali Markos Vafjadhis. Si rezultat i asaj lufte civile, kishte trazira edhe në kufirin jug-lindor të
Shqipërisë, i cili iu besua Divizionit të Korçës të komanduar nga Kolonel Beqir Balluku dhe
Komisar, Panajot Plaku. Në atë detyrë, Beqiri qëndroi deri në vitin 1948 dhe në atë kohë ai u
thërrit në Tiranë për të zëvëndësuar Mehmet Shehun në funksionin e Shefit të Shtatmadhorisë
shqiptare, pranë Komandës së Përgjithshme të Ushtrisë që komandohej nga Gjeneral-Armate,
Enver Hoxha. Në atë kohë, Beqiri së bashku me bashkëshorten e tij, Taibe Kafazi me të cilën
ishte martuar që në fundin e vitit 1944, u vendos me banim në një nga vilat e Bllokut, që ndodhej
fare pranë asaj së Enver Hoxhës. Pas emërimit në funksionin e Shefit të Shtatmadhorisë
Shqiptare, Beqirit iu dha edhe grada Gjeneral-brigade dhe në Kongresin e Parë të Partisë
Komuniste të Shqipërisë që u mbajt në nëntorin e vitit 1948, ai u zgjodh edhe anëtar i Komitetit
Qëndror të PKSH. Funksionin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, Beqiri e mbajti deri në vitin
1951 kur u dërgua për studime pranë Akademisë Ushtarake "Voroshillov" të Moskës, të cilën ai e
mbaroi në vitin 1955. Edhe gjatë kohës që ai ishte me studime në Bashkimin Sovjetik, nuk u
zëvëndësua në funksionin e Shefit të Shtatmadhorisë, por vazhdoi ta mbante atë detyrë të lartë,
duke u kthyer herë pas here në Shqipëri. Në vitin 1953, pasi Kryeministri Enver Hoxha u lirua nga
postet e Ministrit të Jashtëm dhe atij të Mbrojtjes, Beqir Balluku u emërua në postin e Ministrit të
Mbrojtjes Popullore. Po kështu në vitin 1953, Beqiri u zgjodh edhe anëtar i Byrosë Politike të K.Q.
të PPSH . Që nga viti 1956, përveç funksionit të Ministrit të Mbrojtjes, Beqir Ballukut ia dha edhe
funksioni i zë-Kryeministrit të Parë në qeverinë e kryesuar nga Mehmet Shehu, detyra të cilat ai i
mbajti deri në 25 korrikun e vitit 1974. Po kështu që nga aderimi i Shqipërisë në Traktatin e
Varshavës, Gjeneral-kolonel Beqir Balluku, mbajti edhe detyrën e nënkomandantit të atij Traktati,
ashtu si të gjithë ministrat e vëndeve të tjera anëtare të Lindjes komuniste që aderonin në atë
pakt ushtarak. Që nga viti 1956, Beqir Balluku konsiderohej si njeriu më i afërt dhe më i besuar i
Sekretarit të Parë të K.Q. të PPSH, Enver Hoxhës dhe njëkohësisht edhe krahu i djathtë i tij. Nga
martesa me zonjën Taibe Kafazi, Beqiri pati gjashtë fëmijë: Çlirimi, (1945) Vladimiri, (1949) Drita,
(1950) Agimi, (1952) Lulja, (1954) dhe Agroni (1956). Nga viti 1947 e deri në vitin 1961, Beqir
Balluku me familjen e tij ka banuar në disa vilë të ndryshme te bllokut dhe pas vitit 1961 e deri në
vitin 1974, për arsye zgjerimi pasi iu rritën fëmijët, ata u vendosëen në vilën përballë vilës së
Enverit (aty ku sot ndodhet kafe REX). Deri në vitin 1974, dy djemtë e mëdhenj të familjes
Balluku, Çlirimi dhe Vladimiri, si dhe vjaza e madhe Drita,ishin diplomuar në Universitetin e
Tiranës për inxhinjeri elektronike, inxhinjeri ndërtimi dhe shkenca polotike ndërsa tre fëmijët e
tjerë, Agimi, Lulja dhe Agroni, vazhdonin shkollat e larta apo ato të mesme. Pas mbarimit të
studimeve universitare, djali i madh i familjes Balluku, Çlirimi, nga viti 1970 deri në vitin 1974
punoi në Radio-Televizionin Shqiptar, ndërsa Vladimiri në Institutin e Studimeve Ushtarake në
Tiranë. Po kështu krahas studimeve, si Çlirimi edhe Vladimiri që në moshë fare të re ishin marrë
me sport duke qenë emra shumë të njohur, në atletikë ku Çlirimi ishte kampion kombëtar në disa
gara dhe në futboll ku Vladimiri aktivzohej si një nga pikat e forta të ekipit të Partizanit. Edhe vetë
Ministri i Mbrojtjes, Beqir Balluku, në ato kohë ka qenë mjaft i njohur si një nga simpatizantët e
ekipit të futbollit Partizani. Ai kujdesej për t'i krijuar të gjitha kushtet futbollistëve të atij ekipi si dhe
grumbullimin e futbollistëve cilësorë nga skuadrat e tjera.

Faqja 12/13 - SPECIALE Korrik 8, 2003

DOSSIER III

Historia e panjohur e vitit 1960. Çfarë i kërkoi Ministrit Balluku, atasheu ushtarak sovjetik
në Tiranë, lidhur me Enverin, Mehmetin, Hysniun, Ramizin dhe Kadri Hazbiun

Sovjetikët i kërkuan Beqirit t'i ndihmonte për rrëzimin e Enverit"

Dashnor Kaloçi

Në pjesën e dytë të këtij shkrimi të botuar në numrin e së dielës, u njohëm me historinë e familjes
së Beqir Ballukut nga viti 1944 deri në 1974 dhe me një pjesë të intervistës së Çlirim Ballukut,
djalit të madh të ish-Ministrit të Mbrojtjes dhe zë / kryeministrit të parë, i cili dëshmoi se kush
kanë qenë shokët dhe miqtë më të ngushtë të babait të tij gjatë kohës së Luftës, si dhe lidhjet e
miqësitë me personalitetet e larta të udhëheqjes komuniste që nga 1944 e deri pak kohë para se
të fillonte goditja ndaj tij. Sipas dëshmisë së Çlirimit, në periudhën e Luftës, babai i tij Beqiri ka
pasur shokë e miq të ngushtë, Vojo Kushin, Misto Mamen, Alqi Kondin, Kozma Naskën etj.
Ndërsa pas mbarimit të Luftës nga viti 1944 e deri në vitin 1974 kur u godit nga Enver Hoxha,
Beqir Balluku ka pasur miqësi me Ramiz Alinë, Spiro Kolekën, Haxhi Lleshin dhe Kadri Hazbiun,
por më shumë miqësia me këtë konsistonte në relata normale pune, ndërsa miqësinë më të
ngushtë ai e ka pasur me Gogo Nushin, miqësi e cila ishte lidhur që nga koha e luftës kur Gogo
Nushi dhe Beqiri drejtonin Qarkorin Politik dhe Njësitet Guerile të Tiranës. Miqësia e tyre ishte aq
e ngushtë saqë ata nuk shikonin fare kortezitë zyrtare tek njëri tjetri. Po kështu sipas dëshmisë
së Çlirimit, ai kujton se në fëmijërinë e tij, përveç miqësisë që kishte me këta personalitete të larta
të udhëheqjes komuniste, Beqiri kishte pasur marrëdhënie më të ngushta me Hysni Kapon, i cili
në Parti ishte figura numër Dy dhe vinte menjëherë pas Enverit. Mirëpo për atë miqësi në mes
Beqirit dhe Hysniut, Çlirimi shprehet se nuk e pati kuptur kurrë nëse ishte miqësi e vërtetë apo
aleancë momentale e konjukturave politike, sepse në fillimin e vitit 1974, pak kohë para se të
fillonte goditja ndaj Beqirit, marrëdhëniet me Hysniun u ftohën plotësisht.(vijon nga numri i
kaluar)

Është thënë se Beqir Balluku deri në vitin 1974, ka qenë njeriu më i besuar i Enver Hoxhës, dhe
ajo gjë lidhej me faktin sepse Beqiri, e ka shëptuar dy herë Enverin. Rasti i parë bën fjalë për vitin
1948 kur Josif Broz Tito i kërkoi Beqirit që të firmoste udhërin për pranimin e futjen e dy
Divizioneve ushtarake jugosllave brenda kufirit tonë në zonën e Korçës, gjë të cilën Beqiri e
refuzoi. Po ta firmoste Beqiri futjen e tyre, nuk rrezikohej vetëm Enveri, por edhe ekzistenca e
shtetit shqiptar. Ndërsa rasti i dytë bën fjalë për vitin 1960 kur Shqipëria po i prishte marrëdhëniet
me Bashkimin Sovjetik. Një nga anëtarët e Byrosë Politike të asaj kohe, ka dëshmuar për
gazetën tonë duke thënë se në atë kohë që Enveri, Hysniu, Mehmeti, Kadriu dhe Ramizi
ndodheshin në Moskë, atasheu ushtarak sovjetik që ishte në Tiranë, në pije e sipër e provokoi
Beqirin duke i thënë: "Si thua, t'i lëmë jashtë ata të katërt dhe t'i japim ty çelsat e Shqipërisë?"
Dhe insinuatës tepër të qartë të diplomatit ushtarak sovjetik, Beqiri iu përgjigj i prerë:

Po t'ju ndodhi gjë atyre të pestëve që ndodhen në Moskë, unë me dorën time do t'i var në
Sheshin "Skënderbej" të 5000 rusët që janë në Shqipëri" . A keni dijeni ju për këto dy
ngjarje?
"Mund të them se për këto dy ngjarje kam dëgjuar natyrshëm në momente të veçanta nga
persona të ndryshëm, (jo të rangut të udhëheqjres së lartë) të cilët sot pas kaq vitesh nuk mund
që t'i përcaktoj qartë dhe me ekzaktësi se kush kanë qenë. Por mendoj se fakti, d,m.th. se kush
kanë qenë ata persona që kanë folur në prezencën e babait për ato dy momente historike, ku
kanë qenë dhe pjestarë të tjerë të familjes, nuk ka ndonjë rëndësi të madhe. Por vija re se lidhur
me historinë e atyre dy ngjarjeve dhe argumentimit të tyre, babait, Beqirit, nuk i pëlqenin të
diskutoheshin fare dhe personat që i hapnin bisedat për to, ai i ndërpriste menjëherë duke e
kaluar bisedën në çështje të tjera. Natyrisht duke mos qenë i njohur me ato ngjarje, sidomos me
atë të vitit 1948, nga kurioziteti i moshës, unë isha i interesuar të mësoja diçka më shumë se ato
që kisha dëgjuar nga goja e atyre personave që thashë më lart. Nisur nga kjo që thashë dhe
gjithashtu nga personaliteti politik e ndërkombëtar që gëzonte në atë kohë udhëheqësi i
Jugosllavisë, Marshalli Josif Broz Tito, unë në koefidencë e pata pyetur babanë, se si qëndronte
e vërteta lidhur me atë ngjarje. Dhe përgjigjigjia e babait ishte kjo që po jua them unë me fjalët e
mia sipas asaj që mbaj mënd nga biseda me të. Gjatë një vizite pune në Beograd, diku aty nga
viti 1948 kur babai ishte në funksionin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare,
Titua e kishte thërritur Beqirin në një takim, jashtë programit të vizitave dhe takimeve të punës që
ai kishte parashikur para nisjes nga Shqipëria për në Beograd. Gjatë asaj bisede, pasi kishte
shfaqur shqetësimin për një rrezik evident që mund t'i vinte Shqipërisë nga fqinji jugor i saj,
Greqia, Josif Broz Titua, i kishte kërkuar Beqirit që ai, me cilësinë e Shefit të Shtatmadhorisë
Shqiptare, të firmoste një dokument ku thuhej se ishte dakort për futjen e trupave jugosllave
brenda terrotirit shqiptar. Duhet të kemi parasysh se ky moment, pra kërkimi për firmosjen e atij
dokumenti, bën fjalë për atë kohë kur Josif Broz Tito deklarohej dhe konsiderohej si miku më i
madh i Shqipërisë".
Cila ishte përgjigjia e Beqir Ballukut lidhur me kerkesë që i bëri Josif Broz Tito?
"Përgjigjia që i kishte dhënë babai, Titos, ishte kjo: "Shqipëria nuk ka ndonjë rrezik evident që të
sulmohet nga Greqia, por edhe sikur të ndodhë kjo, ne jemi vetë në gjëndje që t'i mbrojmë vetë
kufijtë tanë me të gjithë arsenalin ushtarak që disponojmë. Por më kryesorja është se unë nuk
jam i autorizuar që të firmos një dokument të tillë. Ndoshta kjo histori për të cilën po flasim, është
e lidhur edhe me një ngjarje tjetër të panjohur që ka të bëjë me rrëzimin e avionit ushtarak
jugosllav me të cilin po kthehej babai nga Beogradi për në Tiranë pas mbarimit të asaj vizite.
Gjatë udhëtimit me atë avion për në Tiranë, piloti jugosllav bëri një ulje të detyruar diku në një arë
të punuar në afërsi të Liqenit të Pogradecit. Këtë ndodhi, edhe sot e kësaj dite, nëna jonë, Taibja
(bashkëshortja e Beqir Ballukut) e kujton me frikën që ndjeu në ato momente kur mësoi për
ngjarjen që i kishte ndodhur babait me avionin jugosllav".

Po për ngjarjen tjetër, atë të vitit 1960 me atasheun ushtarak sovjetik në Tiranë, ç'mund të
na thoni?
"Për sa i përket ngjarjes së vitit 1960, atë që bën fjalë lidhur me krizën që kishte përfshirë
marrëdhëniet e Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik, unë ato i kam të dëgjuara nga të tjerë, si në
atë kohë, apo i kam lexuar në shtypin shqiptar të pas viteve '90. Lidhur me sa pyetët, mendoj se
ka pak rëndësi forma se si iu përgjigj babai atasheut sovjetik (gjeneralit) në Tiranë, pas provokimit
apo sugjerimit që i bëri ai, sepse se rëndësinë më të madhe e ka ka përmbajtja e përgjigjies që i
dha Beqiri atij. Por, siç jam shprehur diku më lart gjatë kësaj interviste, desha të shtoj se duke
pasur parasysh impenjimin e madh të babait gjatë atyre ngjarjeve, më kujtohet fare mirë se ne si
fëmijë, e ndjenim mungesën e tij në familje".

Po me ushtarakët e tjerë madhëorë, ish-gjeneralë e kolonelë të cilët ishin edhe vartësit e


tij, çfarë marrëdhëniesh ka pasur Beqiri, kë kishte mikun më të afërt ndër ta dhe a vinin ata
në shtëpinë tuaj?
"Për këtë është më mirë që të pyseni ish-ushtarakët e lartë, por megjithëatë mund t'ju them se
nga takimet e rastësishme që unë kam pasur me ta, nuk ka qenë e vështirë që përnjeherë të
ndjeja simpatinë dhe respektin e madh të tyre ndaj tij. Besoj se kjo mjafton që të kuptosh mjaft
mirë marrëdhëniet që ka pasur babai me vartësit e tij dhe ish-ushtarakët e tjerë të lartë, ndaj të
cilëve ai nuk bënte kurrë dallime dhe i konsideronte të gjithë njëlloj. Por desha të theksoj se
Pogradeci mbetej vëndi më i preferuar i babit për pushime".

Ku i kalonte zakonisht pushimet e gjata verore Beqiri dhe familja juaj?


"Pushimet verore zakonisht babai me familjen i bënte në plazhet e Pogradecit, Vlorës dhe
Durrësit, aty ku i bënin zakonisht edhe ish-funksionarët e tjerë të lartë. Po në një rast të vetëm,
para prishjes së marrëdhënieve shtetërore me Bashkimin Sovjetik, babai ynë Beqiri i bëri
pushimet familjarisht në Çekosllavaki, sepse ai kishte një miqësi të ngushtë me Ministrin e
Mbrojtjes së këtij shteti, i cili e ftoi babanë tonë që t'i kalonte atje pushimet bashkë me familjen.
Por kjo gjë ishte një përjashtim dhe pas asaj edhe babai e ftoi homologun e tij çek i cili erdhi në
Shqipëri duke ia kthyer vizitën".

Cilat kanë qenë lojrat dhe argëtimet më të preferuara të Beqir Ballukut dhe me kë luante ai
nga personalitetet e tjera të udhëheqjes së lartë?
"Për sa i përket lojrave të ndryshme si bilardo apo letra, babai ynë nuk i luante fare sepse nuk i
kishte qejf. Në shtëpinë tonë ne nuk kemi pasur fare bilardo dhe as me letra babai nuk luante. Kjo
gjë ndodhte ndoshta edhe për arsye kohe, sepse pjesën më të madhe të kohës babai e kalonte
në punë. Ai kishte një regjim ditor po thuaj me një orar strikt. Në ora tetë ai shkonte në zyrë dhe
në shtëpi vinte në ora katër, ku pasi hante drekë, shkonte përsëri në punë dhe punonte edhe disa
orë të tjera. Atë pak kohë të lirë që i mbetej, babai e kalonte në shtëpi sepse ai ishte shumë i
lidhur me familjen. Babai kishte krijuar raporte shumë të afërta me ne fëmijët dhe nuk mbante
fare distancë. Ai ishte shumë komunikues dhe mund të bisedoje me të fare lirshëm pa të krijuar
asnjë distancë".
Cilët ishin sportet me të preferuara të babait tuaj?
"Soprtet më të preferuar të tij ishin gjahu, futbolli por edhe noti, sepse babai notonte shumë mirë.
Në funksion të periudhave të ndryshme dhe të moshës, ai i ka ushtruar ato dhe më vonë edhe
tenisin. Që në vitet e para të pasluftës apo dhe më vonë kur babai ishte më i ri, ai dilte në
stadiumin "Dinamo" apo në ndonjë palestër tjetër dhe luante futboll, kryesisht gjatë mbrëmjeve.
Këtë gjë siç thashë e bënte kur ishte i ri. Rrallë here e shoqëronim edhe ne dy çunat, unë me
vëllanë tjetër, Ladin, sepse edhe ne që të vegjël ishim të ingranuar me sportet e atletikës dhe
futbollit. Po kështu përveç futbollit, babai luante edhe tenis tek Shkolla e Bashkuar e Oficerëve
me Petrit Dumen (Shefin e Shtabit të Përgjithshëm) e Abdyl Këllezin (zë / kryeministërin) dhe
rrallë ndonjëherë në Klubin "Partizani".

"Është thënë se Beqir Balluku ka qenë një tifoz shumë i madh i Partizanit dhe bënte shumë
për atë skuadër që përfaqësonte Ushtrinë?
"Dua t'ju them se dikush që është marrë njëherë me sport, apo që e njeh atë, nuk mund të jetë
"tifoz". Futbollin ai e njihte që nga koha e të mëdhenjëve Riza Lushta e Naim Kryeziu, të cilat i ka
pas njohur personalisht. Gjatë viteve 1960-1970, babai ka pritur në shtëpi si Loro Boriçin që ishte
trainer i "Partizanit" ashtu dhe Lym Allën që ishte trainer i Tiranës. Natyrisht duke qenë Ministër i
Mbrojtjes, ai ishte i interesuar jo vetëm për futbollin, por edhe për të gjitha sportet e tjera të atij
klubi".

Po me muzikën, librat dhe artin në përgjithësi, a ka qenë i lidhur Beqir Balluku?


"Babai ka pas lexuar shumë shpesh libra të ndryshëm artistikë e historikë dhe ai e donte shumë
artin dhe sidomos muzikën. Ai nuk donte vetëm muzikën e Shqipërisë së Mesme, por kishte
preferenca edhe për muzikën operistike italiane dhe kryeveprat e muzikës botërore të cilat i
dëgjonte me vëmëndje të madhe. Ne kemi pasur shumë pllaka të vjetra gramafoni dhe shirtita
disqesh me atë lloj muzike që babai i dëgjonte me kënaqësi. Po kështu edhe kur hynë
manjetofonët e parë, babai filloi të koleksiononte shumë kaseta, disa nga të cilat i pata regjistruar
unë kur punoja në Radio-Televizionin Shqiptar në vitet 1970-74".

A ka qenë ndopak liberal babai juaj, apo anonte nga e kundërta, nga konservatorizmi?
"Mendoj se për kohën ka qenë liberal. Në atë periudhë kohe kur ne fëmijët ishim në moshë të re
dhe në radio apo manjetofona dëgjonim muzikë të huaj, babai nuk na tërhiqte vërejtje dhe nuk na
pengonte asnjëherë, kur dihej shumë mirë se ato ishin të ndaluara. Po kështu desha të shtoj se
në rrethin tim shoqëror kishte dhe nga ata me biografi jo të pastër, të cilët vinin edhe në shtëpinë
tonë. Në atë kohë, si mik i imi, në shtëpinë tonë vinte dhe Hans Bekteshi, nipi i Arshi Pipës, por
babai asnjëherë nuk më tërhoqi vëmëndje, përkundrazi takohej me përzemërsi me të edhe pse e
dinte shumë mirë se kush ishte ai".

Ju jeni një nga fëmijët e ish-Bllokut me moshëm më të madhe dhe njëkohësisht jeni
martuar më herët se të tjetër. A keni bërë dasëm ju kur jeni martuar, sa vetë kanë qenë të
ftuar aty dhe kush ka qenë nga personalitet e larta të udhëheqjes komuniste?
"Të ftuar në darkat e dasmave tona nuk ka pasur nga personalitet e larta të udhëheqjes, sepse
në darka thërriten miqtë dhe ata që të kanë ftuar në të tilla gëzime. Dy dasmat tona u bënë ashtu
siç bëheshin në popull dhe si bëhen sot. Babai vuante dhe e respektonte traditën shqiptare.
Ndërsa për vizitë në shtëpi, natyrisht që patën ardhur dhe personalitetet".

A ka pasur dëshirë babai juaj Beqiri që të bënte krushqi në Bllok dhe a keni pasur ju
fëmijët nxitje prej tij në këtë drejtim, pra për t'u lidhur me vajzat e Bllokut?
"Në këtë aspekt babai nuk na ka ndërhyrë asnjëherë në jetën tonë private dhe e respektonte
zgjedhjen tonë. Unë dhe motra ime Drita u lidhëm me njerëz të thjeshtë dhe babait i pëlqeu ajo
lidhje.(vijon nesër)

Faqja 12/13 - SPECIALE Korrik 9, 2003


DOSSIER IV

Dëshmia e Çlirim Ballukut lidhur me periudhën që u godit babai i tij, Beqiri, në 1974. Si u
rrethua vila me ushtarë dhe kush ishte personi i vetëm që guxoi të futej tek Ballukët

"Ja çfarë na tha babai për Enverin pas Pleniumit"

Dashnor Kaloçi

Në pjesën e tretë të këtij shkrimi të botuar në numrin e kaluar, nëpërmjet intervistës ekskluzive
për "Gazetën" të Çlirim Ballukut, djalit të madh të ish-Ministrit të Mbrojtjes dhe zë / kryeministrit të
parë të qeverive shqiptare nga viti 1956 e deri në vitin 1974, ndërmjet të tjerave u njohëm edhe
me dy ngjarje të tjera të Beqir Ballukut, të panjohura më parë për lexuesin e gjerë. Ngjarja e parë
bënte fjalë për vitin 1948, kur gjatë një vizite në Beograd, udhëheqësi i Jugosllavisë, Marshalli
Josif Broz Tito, i kërkoi Ministrit të Mbrojtjes së Shqipërisë, Beqir Ballukut, që ai të firmoste një
dokument për lejimin e futjes së trupave jugosllave në Shqipëri, pasi vëndi ynë rrezikohej nga
Greqia. Kërkesën e bërë nga Tito, Ministri Balluku e refuzoi në mënyrë kategorike dhe të gjithë
këtë ngjarje, Çlirimi e ka pas dëgjuar nga goja e babait të tij, Beqirit. Ndërsa ngjarja tjetër bënte
fjalë për vitin 1960, kur atasheu ushtarak sovjetik në Tiranë, i tha Ministrit Balluku: "Si thua, t'i
lëmë jashtë ata të pestë (Enverin, Hysniun, Mehmetin, Ramizin dhe Kadriun) dhe çelsat e
Shqipërisë t'i japim ty". Provokacionit të hapur të diplomatit ushtarak sovjetik në Tiranë, Beqiri i
ishte përgjigjur prerë: "Po t'ju ndodhi gjë atyre të pestëve, unë me dorën time do t'i var në
Sheshin "Skënderbej" të 5000 rusët që ndodhen në Tiranë". Këtë ngjarje, Çlirim Balluku,
shprehet se e ka pas dëgjuar nga goja e miqëve të babait në vizitat që bëheshin në shtëpinë e
tyre, por sa herë që hapej ajo histori dhe ajo e vitit 1948, Beqiri ua ndërpriste fjalën dhe e kalonte
bisedën në të tjera çështje. Ndërsa lidhur me anët e tjera të panjohura të Beqir Ballukut, Çlirimi
shpreht se babai i tij lexonte shumë libra, dëgjonte jo vetëm muzikën e Shqipërisë së Mesme, por
dhe ato operistike e kryeveprat e muzikës botërore, kishte pasion, futbollin, luante tenis e notonte
shumë mirë. Gjithashtu ai ishte tepër liberal dhe nuk i pengonte fëmijët e tij as për të dëgjuar
muzikë të huaj dhe as për t'u shoqëruar dhe ftuar në shtëpinë e tyre personat që kishin probleme
biografike.(vijon nga numri i kaluar)

Zoti Çlirim, si e mbani mënd fillimin e goditjes ndaj babait tuaj?


"Goditja ndaj babait, filloi diku atu nga qershori i vitit 1974, me Aktivin e Ushtrisë që u zhvillua në
vilën e Mbretit Zog që ndodhet edhe sot në kodrat e qytetit të Durrësit".
Para asaj mbledhje, a kishit vënë re ndonjë ndryshim në gjëndjen shpirtërore të babait tuaj dhe a
fliste ai faktikisht për ndonjë problem që kishte në atë kohë?
"Më sa më kujtohet pas datës 22 qershor të vitit 1974, babai filloi të kishte disa probleme në lidhje
me një material, i cili më vonë është i njohur si "Tezat e Zeza" apo "Teoria e Rrëshqitjes". Lidhur
me problemet që i kishin dalë atij për këtëo materiale, në atë kohë ne fëmijët nuk dinim gjë, sepse
babai nuk bisedonte me ne për probleme pune. Për herë të parë atë që po ndodhte me babanë
tonë ne e mësuam vetëm ne prag të mbledhjes që u zhvillua në Vilën e Zogut në Durrës".

Pas asaj mbledhje që u zhvillua në Durrës, a filloi Beqiri të bisedonte me ju në familje dhe
çfarë u thoshte në lidhje me akuzat që i kishin ngritur atje. A ju përmëndi ai atëhere ndonjë
nga emrat e udhëheqjes së lartë që e kishin kritikuar në Aktivin e Ushtrisë?
"Babai filloi të fliste në shtëpi pas mbledhjes së Durrësit dhe atë gjë ai e bëri sepse e pa
shqetësimin tonë që rrinim me ankth se diçka po ndodhte me të. Në bisedat e pakta që bënte me
ne në shtëpi, ai përsëri ishte i matur dhe tepër konçiz. Babai na thoshte se të gjitha akuzat që
ishin ngritur në ato mbledhje që po bëheshin në Durrës, nuk qëndronin dhe atë gjë e lidhte me
faktin se Ushtria Shqiptare ishte e fortë. Pak a shumë kjo gjë ishte kryefjala e atyre bisedave që
bënte babai me ne ato ditë".

Pas mbledhjes së Durrësit, a u ndje ftohja e shokëve të udhëheqjes me babanë tuaj dhe në
atë kohë a ju erdhi më njeri në shtëpinë tuaj siç ju kishin ardhur më përpara?
"Ju kam paraqitur dhe më parë se në fillimet e viteve 70, anëtarët e Byrosë Politike vinin në
shtëpinë tonë vetëm për raste të veçanta (datëlindje,Viti i Ri etj). Si rrjedhojë në korrik të vitit
1974, nuk kish çfarë ftohje të shihnim prej tyre. Përsa i përket miqve të tij, sapo u njohën me
problemin u larguan, pra në shtëpi nuk vinte më njeri".

Po pas mbledhjeve të tjera të Byrosë Politike dhe Pleniumeve ku vazhdoi goditja ndaj
Beqir Ballukut, a ju thoshte gjë babai kur vinte në shtëpi?
"Natyrshëm që tashmë bisedonim. Mbledhja e Byrosë Politike ishte përcaktuese për fatin e
familjes sonë. Ndërsa në Aktivin e Ushtrisë analizën e drejtonin Mehmet Shehu dhe Hysni Kapo,
në Byronë Politike merrnin pjesë të gjithë antarët me në krye Enver Hoxhën. Akuzat ishin po ato
të Aktivit të Ushtrisë të veshura politikisht, të cilat u kundërshtuan me forcë deri në fund nga im
atë Beqiri".

Cili ishte mendimi i babait tuaj në atë kohë lidhur me akuzat që i bëheshin?
"Nga bisedat që kemi bërë ne në atë kohë me babanë, ai dilte me konkluzionin se të gjitha akzuat
ndaj tij ishin të montuara dhe të parapërgatitura në bazë të një skenari tepër të qartë dhe me
qëllim goditjen dhe largimin e tij nga Ministër i Mbrojtjes. Ai gjykohej me shkas për një material të
cilin akoma nuk e kishte dorëzuar të përfunduar, e ç'ishte më e çuditshmja ai material ndodhej në
kasafortën e Ministrisë së Mbrojtjes".

Cila ishte mbledhja ku u godit më fort Beqir Balluku dhe cilët ishin ata që ngritën akuzat
më të ashpra ndaj tij?
"Nga Aktivi i Ushtrisë në Durres, në Byronë Politike deri në Pleniumin e Pestë që u mbajt më 25
korrik të vitit 1974, goditja erdhi e shkallëzuar dhe në rritje. Ndërsa në Aktivin e Ushtrisë u akuzua
për kundërshtim të tezave të Këshillit të Mbrojtjes, në Byronë Politike akuzat u rënduan duke u
cilësuar si devijator i vijës së Partisë dhe si agjent i imperializmit dhe i social-imperializmit. Maja
arriti në Pleniumin e peste që unë do t'a cilësoja gjyq të sajuar politik me moton: "Çfarë keni për
të shtuar të tjera për armikun e popullit?" Pleniumi u kthye në nje maskaradë ku shumica e të
pranishëmve merrnin fjalën për të fituar kredit ndaj Enver Hoxhës. Pra hetimi filloj në Aktiv,
vendimi u mor në Byronë Politike dhe pretenca u dha në Plenium. Kështu kish funksionuar
gjithnjë ky mekanizëm".

Po nga Enver Hoxha a pati sulme Beqir Balluku?


"Dua të shtoj dicka. Në Aktivin e Ushtrisë, Enver Hoxha nuk merrte pjesë, ai i ndiqte zhvillimet
nga Tirana. Këtu nuk bëhet fjalë për sulm por për direktiva. Në mbledhjen e Byrosë ai nuk la vend
të tjerëve për analizë, por dha direktivën: "Beqiri ka dalë nga vija e marksizëm-lenininzmit." Kaq
është e mjaftueshme për të cilësuar si shkoi kjo mbledhje më pas."

A ju tregoi babai juaj se çfarë akuzash i kishte bërë Enveri në atë Plenium?
"Si fillim desha të bëj një parantezë lidhur me atë Plenium. Ne mendonim se dita e Pleniumit do
të ishte hera e fundit që do të shihnim babanë tonë, Beqirin, por nuk e arrestuan menjëherë pas
mbledhjes, keshtu ai pati fatin të kthehej në shtëpi ku bisedoi gjerë e gjatë me ne duke na treguar
të gjitha ato që kishte ndodhur në atë Plenium dhe gjithëshka ishte thënë ndaj tij".

A mund të na thoni diçka rreth atyre që biseduat me babanë tuaj kur ai erdhi në shtëpi pas
përfundimit të atij Pleniumi?
"Ne biseduam gjatë, por ajo që është më e rëndësishmja për ju, mendoj se janë akuzat e Enver
Hoxhës në adresë të babait tonë, Beqirit, dhe cilat ishin fjalët që na tha ai në shtëpi lidhur me ato
akuza. Më kujtohet që babai erdhi në shtëpi pasdreke dhe fjalët e para të tij ishin për vendimet që
ishin marrë aty në adresë të tij, pra përjashtimin e tij nga të gjitha funksionet partiake e shtetërore
dhe gjithashtu ishte përjashtuar edhe nga Partia. Në atë Plenium Enveri ishte shprehur duke
thënë se Beqir Balluku ishte tradhëtari më i madh që kishte parë Shqipëria deri në atë kohë. Por
ato akuza nuk qëndronin kurrsesi, sepse po të kishte qenë Beqir Balluku tradhëtar, ai do të kishte
tradhëtuar në vitin 1948 dhe në 1960 (ju kujtoj ngjarjet me Titon dhe atasheun ushtarak sovjetik
në Tiranë) kur atij iu afrua një një mbështetje e madhe nga jashtë. Dhe kurrsesi babai nuk mund
të tradhëtonte në vitin 1974 kur ai nuk kishte asnjë lloj mbështetje. Këto ishin pak a shumë thelbi i
përgjigjieve të babait, ndaj akuzave që i kishte bërë Enver Hoxha në Plenium. Po kështu desha të
shtoj se duke e njohur mirë babanë tonë, me ato që po ndodhnin, mua më humbi krejtësisht
besimi tek Partia".

Po pse deri në atë kohë ju nuk kishit pasur asnjë rezervë në lidhje me vijën që po ndiqte
Enver Hoxha me udhëheqjen e lartë?
"Për të qenë sa më i sinqertë me ju dhe me lexuesin deri në fund, desha të them se unë me
vëllanë tim, Ladin, duke qenë se kishim dalë disa herë jashtë me sportin, kishim parë nivelin
ekonomik të atyre vëndeve dhe Shqipërisë e shpesh herë bënim krahësimin ndërmjet tyre.
Ndërsa përsa i përket dënimeve të njerëzve të pafaj për probleme politike, unë me Ladin thonim
se aty arrinte kulmi. Por të gjitha ato biseda ne i bënim vetëm me njëri tjetrin dhe kurrë jashtë
shtëpisë".

Çfarë ndodhi me babanë tuaj pas atij Pleniumi dhe si rrodhën ngjarjet më vonë?
"Pas atij Pleniumi, babai qëndroi në shtëpi edhe për afro dhjetë ditë të tjera, sepse si duket, ata
që e kishin sulmuar dhe goditur në atë Plenium, nuk e kishin vendosur ende se ku do e dërgonin.
Ato ditë që babai qëndroi i mbyllur në shtëpi, rreth e rreth shtëpisë sonë, u shtuan masat e
sigurisë, gjë e cila bëhej pa rënë në sy, por dukej fare mirë me shtimin e ushtarëve të armatosur
pak më tutje vilës sonë. Ndërsa babai qëndroi i mbyllur në shtëpi, ne të tjetër dilnim dhe nuk na
ndalonte njeri. Por mendoj se edhe ndaj nesh ishte vendosur masa e survejimit".

Ato dhjetë ditë që Beqiri qëndroi i mbyllur në shtëpi, a patët ndonjë vizitë dhe a shkeli aty
njeri tjetër jo pjestar io familjes?
"Ato dhjetë ditë në shtëpinë tonë mundën të vinin dy persona. I pari ishte një stomatolog nga
Poliklinika Qëndrore, të cilin vajta dhe e mora unë, pasi babai kishte probleme me dhëmbët. Kur
vajta atje, ai u tregua shumë i gatshëm dhe erdhi në shtëpi duke e mjekuar në kushtet që mund
të mjekohet një njeri jashtë klinikës stomatologjike. Mund të them si vajtja ime atje dhe ardhja e
atij stomatologu në shtëpinë tonë, kanë qenë të kontrolluar nga organet përkatëse".

Po njeriu tjetër që thatë se shkeli në shtëpinë tuaj, kush ishte?


"Personi tjetër që erdhi në shtëpinë tonë ato ditë që babai qëndroi aty i izoluar, pas atij Pleniumi
që e kishte cilësuar atë tradhëtar dhe armik, ishte guzhinjeri i familjes sonë, Nuredin Bufi, i cili
erdhi në shtëpinë tonë deri ditën e fundit që ne qëndruam aty. Nuredinin ne e kishim si njeriun e
shtëpisë (punonte aty për më shumë se 25 vjet), por ardhja e tij në atë kohë ishte një guxim më
shumë se i tepruar, pasi pas shkarkimit dhe përjashtimit të babait nga të gjitha funksionet partiake
dhe shtetërore, atij ia hoqën dhe të gjithë personelin e shërbimit, me shoferin, shoqëruesit, rojet
etj. Për atë mirënjohje apo njerzillëk që tregoi Nuredini ndaj familjes sonë, organet e Sigurimit të
Shtetit e dënuan më pas me dy vjet burg, duke e akuzuar gjoja për një derë hekuri".
Faqja 12/13 - SPECIALE Korrik 11, 2003

DOSSIER VI

Dëshmia e Çlirim Ballukut lidhur me internimin e babait dhe familjes në Roskovec e


Selenicë. Si e mësuan ekzekutimin e Beqirit kur ishin në Memaliaj dhe dënimi i Ladit me 18
vjet burg

"Ja si e arrestuan Beqirin në Selenicë të Vlorës"

Dashnor Kaloçi

Në pjesën e pestë të këtij shkrimi të botuar në numrin e djeshëm, në vazhdim të intervistës me


58-vjeçarin Çlirim Balluku, djalin e madh të Beqir Ballukut, ish-Ministrit të Mbrojtjes, deputetit të
Kuvendit Popullor, anëtarit të Byrosë Politike të Komitetit Qëndror të PPSH dhe zv / kryeministrit
të parë të qeverive shqiptare nga viti 1953 deri në vitin 1974, u njohëm me periudhën e pas
Pleniumit të 25 korrikut të vitit 1974, në të cilin Ministri Balluku u shkarkua dhe u përjashtua nga
të gjitha funksionet shtetërore dhe partiake duke u cilësuar nga Enveri si armiku më i madh që
kishte parë Shqipëria deri në atë kohë. Pas atij Pleniumi, Beqir Balluku qëndroi për afro dhjetë
ditë i izoluar në shtëpinë e tij e cila ishte e rrethuar me ushtarë të shumtë të Gardës së
Republikës dhe masat e sigurisë ishin në maksimum. Gjatë atyre dhjetë ditëve, aty në shtëpinë e
Ballukëve mundën të futen vetëm dy persona, i pari ishte një stomatolog i Poliklinikës Qëndrore
që u thirr nga Çlirimi për të mjekuar babanë e tij, Beqirin dhe i dyti ishte guzhinjeri i familjes,
Nuredin Bufi, i cili kishte 25 vjet që shërbente pranë tyre. Sipas dëshmisë së Çlirim Ballukut,
guximin e njerzillëkun e treguar me familjen Balluku, Sigurimi i Shtetit nuk ia fail Nuredin Bufit, të
cilin e dënoi me dy vjet burg, duke e akuzuar për një derë hekuri. Gjatë atyre dhjetë ditëve, në
adresë të familjes Balluku nuk pati asnjë telefonatë të vetme dhe po ashtu me përjashtim të
Çlirimit që njoftoi drejtorin e Agjensisë së Shërbimit të Udhëtarëve për pronotimin e një taksie që
do t'i duhej familjes Balluku për të udhëtuar drejt Roskovecit, vëndit ku do të internoheshin, edhe
nga familja Balluku nuk u bë asnjë telefonatë. Dy-tre ditë para se Beqir Balluku me familjen e tij
të niseshin për në internim, Beqiri, në prezencë të gjithë pjestarëve të familjes, thërriti nusen e
Çlirimit, Zanën, dhe dhëndërrin e tij, bashkëshortin e Dritës, Gjergji Gjergon, të cilëve u tha se
për shkak të tyre ata do të kishin shumë vuajtje dhe nëqoftë do të ndaheshin nga bashkëshortët
e tyre, më mirë ishte btë ndaheshin ato ditë, se sa më pas kur të kishin presione të ndryshme.
Por si Zana ashtu dhe Gjergji , iu përgjigjën vjehrrit të tyre, Beqirit, se ata nuk kishin ndërmënd që
të ndaheshin nga fëmijët e tij dhe do t'i ndiqnin ata kudo që do t'i çonin. (vijon nga numri i
kaluar)

Po nëna juaj, Taibe Kafazi, nga ishte me origjinë, çfarë shtrese shoqërore i përkiste familja
e saj dhe ku kishte punuar deri në atë kohë?
"Origjina e nënës sonë është nga Berati dhe ajo rrjedh nga një familje bejlerësh të cilët pothuaj të
gjithë pasurinë e tyre e kishin shkrirë për Luftën Antifashiste Nac-Çlirimtare. Nje nga vëllëzërit e
nënës sonë, (daja i im) u vra gjatë luftës në vitin 1943 dhe ështe shpallur dëshmor i Atdheut. Njëri
nga dajat, që gjatë Luftës kur ishte ilegal në Tiranë, ka pasur njohje dhe miqësi me babanë tonë,
Beqirin dhe si rezultat i saj u bë më pas edhe miqësia me familjen e tyre. Dhe nëna mori pjesë
aktive në luftë, duke u inkuadruar në Brigadën e tretë partizane, ku për pak kohë babai ish
komisar i saj. Ndërsa nëna jonë, Taibja, në vitin 1974 kur filloi goditja ndaj familjes sonë, pati
punuar në Ndërrmarjen Artistike "Migjeni" në Tiranë".
Pas largimit nga Tirana më 5 gusht 1974, ku e dërguan babanë tuaj, Beqirin, nënën, Taiben,
Lulen dhe Agimin?
"Pas largimit nga Tirana, babai, nëna, Lulja, Agimi dhe Agroni udhëtuan në drejtim të qytezës së
Roskovecit që ishte paracaktuar si vëndi i internimit. Në atë qytezë të vogël, ata u vendosën me
banim në katin e dytë të një pallati, që ishte "rregulluar" apostafat për familjen tonë".

Sa kohë qëndruan ata në qytezën e Roskovecit dhe a u lejonin ju të tjerëve që ishit në


Tiranë për të shkuar dhe për t'i takuar ata?
"Në Roskovec, babai bashkë me pjesën e familjes që e shoqëronte nuk qëndroi për më shumë se
një muaj e gjysëm, sepse ata i lëvizën edhe që andej duke i internuar përsëri për në Selenicë të
Vlorës. Por gjatë asaj periudhe kohe që ata qëndruan në Roskovec, ne nuk pengoheshim per te
shkuar atje, por natyrisht të gjitha lëvizjet tona ishin të kontrolluara nga Sigurimi i Shtetit".

Gjatë kohës që ata ishin në Roskovec, me çfarë të ardhurash financiare mbahej familja dhe
si i kalonte ditët atje babai juaj, Beqiri"?
"Gjatë kohës që babai me nënën, Lulen, Agronin e Agimin qëndruan në Roskovec, ata
mbaheshin vetëm me pensionin e babait të cilin nuk ia dhanë përnjëherë por ia vonuan për
shumë kohë. Ndërsa lidhur me pyetjen që bëtë se si i kalonte babai ditët atje në Roskovec, ju
them se gjatë asaj kohe ai nuk doli për asnjë minutë nga shtëpia. Ai qëndronte në shtëpi duke
lexuar libra dhe gjithashtu degjonte radio dhe shikonte televizorin bardh e zi që ia kisha dërguar
unë nga Tirana. Kjo përsa i përket kohës së lirë sepse në këtë kohë babai kishte dicka të
rëndësishme për të bërë, "autokritikën" me shkrim që iu kërkua nga pleniumi i 5 i Komitetit
Qëndror të PPSH. Le të kthehemi pak më pas në kohë, kur në prolog të këtij Pleniumi u shtrua
pyetja nga Enver Hoxha: "Ç'dënim mendoni ti japim Beqir Ballukut?" Pasi ishin dëgjuar më të
zellshmit që bërtisnin "të arrestohet këtu armiku i popullit", pati një propozim që në kontekst ishte
"të mendohet dhe brënda tre muajve të na paraqesë në Komitetin Qëndror me shkrim, një
autokritikë të shëndoshë ku të na paraqesë veprimtarinë e tij armiqesore". Enver Hoxha e
mbështeti këtë propozim dhe Pleniumi që kuptoi që ky ishte urdhëri i tij e miratoi atë një zëri. Pra
në Roskovec babai shkroi shumë dhe këtë material e solli në Tiranë Agimi, i cili ia dorëzoi në dorë
Haxhi Kroit, sekretarit të Enver Hoxhës. Dua të theksoj se këtë material asnjë nga ne nuk e ka
lexuar".

Atehere kur ju ishit bashke ne shtepi a u bisedua pse nuk u be arrestimi i Beqirit ne
Plenium?
"Natyrisht që po. Arrestimi nuk u krye për arsye të personalitetit të tij dhe simpatisë që gëzonte
babai në popull. Në këtë rast Enveri mendoi që veprimet t'i bënte hap pas hapi dhe i dha rëndësi
elementit kohë. Për të gjitha këto dhe se çfarë fati e priste pas tre muajsh, babai e dinte mirë".

Po pas Roskovecit ku e dërguan babanë tuaj me familjen?


"Pas afro një muaj e gjysëm qëndrimi në Roskovec, babanë me nënën, Lulen e Agimin i hoqën
që aty dhe i internuan përsëri në Selenicë të Vlorës, duke i vendosur me banim në katin e parë të
një pallati të vjetër".

Sa kohë qëndroi Beqiri aty dhe kur u bë arrestimi i tij?


"Aty në atë banesë të atij pallati të vjetër të Selenicës, babai qëndroi i izoluar pa dalë fare jashtë
për asnjë minutë, deri në datën 17 dhjetor të vitit 1974, kur ndodhi arrestimi i tij".

Kush ndodhej në shtëpi atë ditë që u arrestua babai, a e priste ai që të arrestohej dhe nga
cilat forca u realizua arrestimi i tij?
"Atë ditë të 17 të dhjetorit të vitit 1974 që ndodhi arrestimi i babait në Selenicë të Vlorës, në shtëpi
ishte vetëm nëna, Taibeja. Po atë ditë që ndodhi arrestimi i tij, në Tiranë zhvillohej Pleniumi i
gjashtë i Komitetit Qëndror të PPSH dhe menjeherë pas mbarimit të asaj mbledhje, u arrestuan
pa dalë nga salla, Petrit Dumja, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Hito Çako, Drejtori i Drejtorisë
Politike të Ushtrisë dhe Rrahman Parllaku, një nga oficerët e lartë të Ministrisë së Mbrojtjes. Me
sa di unë, arrrestimi i tyre u bë pasi në atë Plenium ata u akuzuan si bashkëpunëtorët më të
ngushtë të Beqir Ballukut. Për arrestimin e babait aty në Selinicë, ishin mobilizuar forca speciale
të Sigurimit të Shtetit nga Tirana dhe nga Dega e Punëve të Brendëshme të Vlorës. Siç më ka
treguar nëna, ata ishin një grup shumë i madh dhe pas arrestimit të babait, ata nisën një kontroll
shumë të imët duke bastisur të gjithë shtëpinë, Gjatë atij kontrolli ata sekuestruan dhe morën me
vete të gjitha dokumentat e fotografitë e shumta që gjetën aty. Pas largimit të tyre, për disa orë
nëna jonë mbeti krejt e vetme në shtëpi".

Po pas arrestimit të babait, çfarë ndodhi me ju pjestarët e tjerë të familjes që ishit në


Tiranë?
"Po atë ditë që u arrestua babai, forca të tjera speciale të Sigurimit të Shtetit, shkuan tek shtëpia
e tezes sonë, Zybejde Kafazi që banonte në Tiranë dhe e morën atë së bashku me Agronin e
Lulen dhe po atë ditë i sollën të internuar në Selenicë të Vlorës".

Po pas goditjes dhe internimit që iu bë babait tuaj, Beqir Ballukut, çfarë masash u morën
ndaj jush dhe vëllezërve e motrave të tjerë. E kam fjalën, a ju lëvizën menjeherë nga vëndet
e punës ku ishit deri në atë kohë dhe a ju ndaluan të vazhdonit shkollat?
"Pas goditjes së babait, menjeherë filluan që të merreshin masa edhe ndaj nesh, fëmijëve të tij.
Kështu mua më ho qën nga Televizioni Shqiptar ku kisha punar si inxhinjer elektronik që nga viti
1970, vëllanë e dytë, Ladin, e hoqën nga Instituti i Studimeve Ushtarake ku punonte si inxhinjer
dhe gjithashtu edhe nga skuadra e futbollit të "Partizanit". Dritën dhe Zanën gjithashtu i hoqën
nga Arsimi ku punonin si mësuese dhe përveç këtyre masave që u morën ndaj nesh që ishim në
marrëdhënie pune, sulmet nuk munguan edhe ndaj Lules dhe Agimit që vazhdonin Universitetin e
Tiranës, te cilet u përjashtuan nga universiteti me motivacionin : "bijët e armikut të popullit".

A e lajmëruan familjen tuaj për të asistuar në gjyqin e babait që u zhvillua në Tiranë?


"Që nga dita e arrestimit më shtatë dhjetor të vitit 1974, familja jonë nuk dinte asgjë rreth fatit të
babait tonë. Kështu që as për zhvillimin e atij gjyqi ne nuk kishim asnjë lloj dijenie, sepse të
gjithëve ne të familjes që ishim në internim, nuk na lanë që të vinim asnjëherë në Tiranë".

Kur u ekzekutua Beqir Balluku dhe kur e mësuat ju atë gjë?


"Edhe për ekzekutimin e babait, ne nuk kishim asnjë lloj dijenie dhe atë gjë unë e kam mësuar
gjatë kohës që isha i internuar në Memaliaj së bashku me vëllanë e dytë, Ladin".

Kush ua komunikoi atë gjë?


"Aty nga fundi i vitit 1975 apo fillimi i vitit 1976, kur unë së bashku me Ladin ndodheshim ende të
internuar në Memaliaj, na lajmëruan për të shkuar në një mbledhje ku do të merrte pjesë i gjithë
populli. Aty në atë mbledhje që me sa mbaj mënd drejtohej nga Fronti, u komunikua ekzekutimi i
Beqir Ballukut, Petrit Dumes dhe Hito Çakos, të cilëve "Partia u kishte dhënë dënimin e merituar,
duke i pushkatuar si armiq të popullit".

Pas asaj çfarë ndodhi me familjen tuaj dhe ku e vuajtët internimin?


"Në janar të vitit 1977, mua me Ladin na hoqën nga Tepelena dhe na dërguan në Selenicë të
Vlorës, duke na bashkuar me pjesën tjetër të familjes, nënën, Lulen, Agimin dhe Agronin. Ndërsa
motra, Drita me Gjergjin ndodheshin të internuar në qytetin e Rrëshenit".

Ku u sistemuan me punë në Selenicë dhe si ju trajtuan gjatë gjithë periudhës që qëndruat


atje?
"Nënën e kemi mbajtur në shtëpi, unë me Ladin, Gimin dhe Gonin kemi punuar në minierë,
ndërsa motra, Lulja në bujqësi. Trajtimi që na u bë aty, kuptohet dhe nuk ka nevojë për përgjigjie.
Por ndërsa shteti mendonte si të na shtypte më shumë, aty kishte dhe shumë njerëz të mirë që
mundoheshin të na ndihmonin. Hakmarrja e kupolës së regjimit komunist ndaj familjes sonë, nuk
mbaroi me internimin që na u bë në Selenicë, sepse pak kohë më vonë, në vitin 1979, vëllanë
tonë, Ladin, e dënuan tetë vjet burg duke e akuzuar për agjitacion e propagandë. Kur nuk kishte
bërë më shumë se nëntë muaj burg, Ladin e ridënuan edhe me dhjetë vjet të tjera dhe ai u lirua
në marsin e vitit 1991, me të fundit të burgosur politik. Në atë kohë u liruam edhe ne nga internimi
dhe u kthyem në Tiranë". (vijon nesër)

Faqja 12/13 - SPECIALE Korrik 12, 2003

DOSSIER VII

Dëshmia e Çlirim Ballukut për vuatjet e familjes në Selenicë dhe peripecitë që kaluan nga
1991 deri në 2000 për gjetjen e vëndvarrimit të babait. Kush ishte personi i vetëm që dinte
vëndin?

"Ja si i gjetëm pas 10 vjet kërkimesh eshtrat e Beqirit"

Dashnor Kaloçi

Në pjesën e gjashtë të këtij shkrimi të botuar në numrin e djeshëm, nëpërmjet dëshmisë


ekskluzive për "Gazetën" të 58-vjeçarit Çlirim Balluku, djali i madh i ish-Ministrit të Mbrojtjes,
deputetit, anëtarit të Komitetit Qëndror të PPSH dhe zv / kryeministrit të parë të qeverive
shqiptare nga viti 1953 deri në vitin 1974, u njohëm me ngjarjet e periudhës gusht-dhjetor të vitit
1974, kur familjen Balluku e larguan nga Tirana dhe e internuan në Roskovec të Fierit e më pas
në Selenicë të Vlorës. Në Roskovec të Fierit, Beqiri së bashku me bashkëshorten e tij, Taiben,
vajzën, Lulen dhe dy djemtë, Agimin me Agronin, i vendosën në katin e parë të një pallati i cili
ishte "rregulluar" apostafat për atë familje. Ndërkoë që ata u internuan në Roskovec, pjesa tjetër
e familjes, Çlirimi me bashkëshoreten e tij, Zana Hotin, dhe me vajzën e vogël, u vendosën
përkohëshisht në një apartament afër shkollës "Mihal Grameno", ku nuk qëndruan shumë se
përsëri i hoqën që andej dhe i internuan në Memaliaj, së bashku me Ladin, djalin e dytë të
familjes Balluku. Ndërsa vajzën, Dritën me bashkëshortin e saj, Gjergji Gjergon, i internuan në
Rrëshen. Pasi Beqiri me familjen e tij qëndroi për një muaj e gjysëm në atë banesë të
Roskovecit, atë e hoqën që andej dhe e internuan për në Selenicë të Vlorës. Që nga periudha që
u internua në Roskovec dhe më më pas në Selenicë, Beqir Balluku shkroi një letër të gjatë të
cilën ia kishte kërkuar Enver Hoxha dhe Pleniumi i Komitetit Qëndror të PPSH, të cilën pasi e
përfundoi ia dha djalit të tij, Agronit dhe ai e solli në Tiranë duke ia dorzuar në dorë, Haxhi Kroit,
sekretarit të Enverit. Ndërsa ndodhej i internuar në Selenicë të Vlorës, më 17 dhjëtor të 1974,
Beqir Balluku u arrestua nga forcat sepciale të ardhura nga Tirana në bashkëpunim dhe me ato
të Degës së Brendëshme të Vlorës, të cilat pasi i bastisën shtëpinë duke i bërë një kontroll të
imët, i konfiskuan shumë dokumete dhe fotografi që i gjetën aty. Ekzekutimin e Beqirit, që ishte
bërë më 5 nëntor 1975, familja e tij e mësoi disa kohë më vonë, nga njoftimi që iu bë popullit
nëpër mbledhjet që organizonte Fronti. (vijon nga numri i kaluar)

Zoti Çlirim, gjatë kohës që ishit në Selenicë, a kishit miqësi me ndonjë nga familjet që ishin
të internuara aty?
"Aty në Selenicë të Vlorës ku ndodheshim ne, kishte disa familje të tjera të internuar dhe numri i
personave arrinte në 37 vetë. Por ne kishim njohje dhe miqësi familjare vetëm me familjet Ngjela
dhe Mamaqi. Për Kiço Ngjelën kemi folur më lart në këtë intervistë, që njohja e tij me babanë
tonë ka qenë që nga koha e Luftës në Brigadën e Dytë. Po kështu edhe me Dashnor Mamaqin im
atë kishte miqësi familjare. Vetëm me këto dy familje kemi pasur miqësi gjatë kohës që
ndodheshim të internuar në Selenicë".
Po nga rrethi juaj farefisnor apo ai i krushqive që kishit në atë kohë, a ju vinte njeri për t'ju
takuar në Selenicë?
"Desha të them se ka qenë rast unik, qëndrimi që ka mbajtur familja e bashkëshortes sime,
Zanës, ndaj familjes sonë. Duke filluar që nga koha që ishim në Memaliaj e deri në fundin e
internimit në Selenicë të Vlorës, për 16 vjet me rradhë, ata kanë ardhur për të na takuar atje pa
ndrojtjen më të vogël dhe pa marë fare parasysh konsekuencat që mund të kishin. Vjehrri im,
Sabri Hoti, nga zv / prokuror që ishte, u shkarkua dhe u përjashtua nga partia. Drita, e shoqja e
tij, që punonte ekonomiste, u përjashtua nga partia, dy motrat e Zanës, Mira e Meli, gjithashtu u
hoqën nga punët ku ishin. E megjithë këto represione që patën ata si familje, të gjithë vinin tek ne
dhe vizitonin, edhe nënën, motrën dhe vëllezërit e mij. Kishte raste kur dy motrat e Zanës,
Majlinda me Lidën, megjithëse ishin ende të vogla, (në vitin 1975) merrnin rrugën dhe vinin aty
tek ne për të na takuar. Po kështu nuk mund të rri pa përmëndur edhe nënën e Zanës, Dritën,
këtë grua me shpirt të madh, e cila përveç të tjerash ka mbajtur e rritur dy vajzat e mija që nga
mosha dy vjeç e më tej. Ka qenë fati im që u lidha me këtë familje".

Keni vuajtur shumë gjatë kohës që ishit në Selenicë?


"Për jetën dhe vuajtjet tona në Selenicë, nuk kam dëshirë që të flas gjatë, sepse edhe tani pas
kaq kohësh, rrallë e kujtoj, kur më pyesin. Puna në minierë ku punuam ne të katër vëllezërit, ishte
shumë e vështirë. Por goditja më e madhe për familjen tonë ishte arrestimi i vëllait tonë, Ladit, më
14 mars 1979. Regjimi komunist krijonte procese gjyqësore absurde, me qëllim për të mbajtur
nën presion dhe frikë të gjithë familjen. Desha të them se regjimi komunist në atë kohë nuk
respektonte as ligjet e veta, sepse në rastin e familjes sime dhe atë të motrës, Dritës, nuk kishte
pse të internoheshim, sepse ne jetonim të ndarë nga pjesa tjetër e familjes. Por këto gjëra nuk u
morën parasysh dhe si përfundim familja jonë, përveç ekzekutimit të babait, vuajti gjithësej 124
vjet internim dhe 12 vjet burg. Në këto shifra nuk llogaritet familja e xhaxhait tonë, Qemalit, e cila
u internua në Ballsh, apo djali i hallës sonë, Ikbalit, që vuajti tre vjet burg. Po kështu këtu nuk po
llogaris inkuizicionin që u ushtrua ndaj farefisit dhe rrethit tonë miqësor, pa llogaritur gjithashtu
edhe dënimin e vuajtjen e dhjetra e dhjetra vartësve, miqëve e shokëve të babait që përfunduan
burgjeve. Me një fjalë desha të them, se Enver Hoxha jo vetëm që na ekzekutoi babanë tonë pa
asnjë faj, por na mori dhe gjënë më të shtrejtë që kishim, rininë".

Kur u kthyet në Tiranë dhe a patët probleme strehimi?


"Në Tiranë ne u kthyem në prillin e vitit 1991 dhe padyshim që u ndeshëm me vështirësi të
mëdha sidomos për strehimin. Shtëpitë që kishim pasur unë dhe motra, Drita, nuk u morën
parasysh dhe nuk na i dhanë më kur u kthyem. Ndërsa për nënën dhe pjestarët e tjerë të
familjes, as që bëhej fjalë për strehim. Ndoshta kjo është dhe një nga arsyet kryesore që në
Shqipëri kemi mbetur vetëm unë me nënën dhe vëllanë Ladin, pasi të tjerët ndodhen në SHBA,
Kanada e Francë".

Pas kaq vite vuajtjesh, në ç'pozita social-ekonomike gjendet aktualisht familja e Çlirim
Ballukut dhe vëllait tuaj, Ladit?
"Unë punoj si inxhinjer elektronik pranë Telekomit në Tiranë, po kështu në marrëdhënie pune janë
dhe dy vajzat, Belinda me Pamelën, ndërsa djali, Ogreni, studjon në Fakultetin Ekonomik. Ndërsa
Ladi me bashkëshorten, Aldën, ka një vajzë që këtë shtator ulet për herë të parë në bankat e
shkollës".

Pas kthimit në Tiranë, kur patët filluar për gjetjen e eshtrave të babait tuaj, Beqir Ballukut,
dhe kur ndodheshit në internim, a e patët diskutuar ndonjëherë atë gjë?
"Gjatë kohës së internimit as që mendohej që ne të kërkonim apo të interesoheshim për atë gjë,
për arsye që tashmë dihen dhe sështë nevoja t'i përtmëndim përsëri. Natyrisht, pas kthimit në
Tiranë ne filluam të viheshim në lëvizje për gjetjen e eshtrave të babait, duke e pasur atë si një
nga piksynimet tona kryesore".

A patët probleme dhe me çfarë vështirësish u ndeshët në atë kohë?


"Që në fillim të kërkimeve tona u ndeshëm me vështirësi të shumta, për arsye se në dikasterin
përkatës, në Ministrinë e Brendëshme, mungonte krejtësisht dokumentacioni që na interesonte
ne. Po kështu atë gjë na e vështirësoi edhe një pjesë e medjas që me lajmet e shkrimet e dhëna,
na çorientonte akoma dhe më shumë, sepse ata e bënin të mbaruar atë, që eshtrat e Beqir
Ballukut, ishin djegur".

Cili ishte hapi i parë që ndërmorët për të filluar kërkimet?


"Hapi i parë që ndërmorëm ne, ishte plotësimi i skemës me emrat e personave që ishin marrë me
izolimin dhe gjykimin e babait. Për këtë gjë u angazhua dhe xhaxhai ynë, Qemal Balluku, i cili
kishte njohuri mbi funksionimin e dikasterit të Ministrisë së Brendëshme dhe mund të mblidhte të
dhëna edhe nga shokët e tij. Kjo skemë përmblidhte, Prokurorin, hetuesit, doktorin dhe
përgjegjësin e rrethimit të tretë të Burgut të Tiranës ku ishte mbajtur babai i izoluar. Pra, në atë
kohë, unë mësova se Burgu i Tiranës në periudhën 1974-75, kishte pasur tre skalione rrethimesh,
rast i paprecedent".

Ku u mbështetët më shumë ju nga këta që përmëndët?


"Xhaxhai, Qemali, gjykoi se pika e referimit duhet të ishte përgjegjësi i tre rrethimeve dhe e
vërteta ashtu doli, sepse tre të parët nuk treguan, pasi nuk kishin njohje për ekzekutimin dhe
vëndin e varrimit".

A e gjetët atë person dhe a u tregua i gatëshëm ai për t'ju ndihmuar?


"Pas shumë kërkimesh, për arsye se ai nuk gjendej, takimin e parë ne e bëmë me të në vitin
1996, duke biseduar në zyrat e Ministrisë së Mbrojtjes. Aty në atë takim, përveç meje dhe vëllait
tim, Agimit, ndodheshin edhe Spartak Dume, nipi i Petrit Dumes, me Çobo Skënderin, nipi i Hito
Çakos. Atë takim ne na i mundësoi Çobo Skënderi, duke na thënë që personi të cilin kërkonim,
pranonte të bisedonte me ne. Në atë takim ai u pronocua për herë të parë duke na thënë se e
dinte afërsisht vëndin (pasi kishin kaluar 21 vjet) i cili ndodhej diku në fshatin Tërbaç të Vlorës".

Pas kësaj a filluat kërkimet?


"Menjëherë unë me Ladin dhe dy nipërit e Hitos e Petritit, u nisëm në drejtim të Tarbaçit, por me
ato të dhëna, për të mos thënë fare e kotë, ishte tepër e vështirë të kërkoje. Por ajo që na mundoi
më shumë, ishte fakti se me këtë person i humbëm lidhjet deri në 1 korrik të vitit 2000. Në atë
kohë ai na u shfaq përsëri duke na thënë se nuk vdiste pa e mbaruar atë punë që kishte marrë
përsipër. Këtë rradhë për të përcaktuar vëndin e varrimit, shkoi edhe Ladi me të. Ata kërkuan
gjatë në fshatin Vranisht, ku dhe arritën të bënin përcaktimin e vëndit. Aty Ladi kishte bërë dhe
disa foto, ku nga sa shihej relievi disi me rrëshqitje, të krijohej përshtypja se aty duhej të ishin".

Çfarë bëtë pasi përcaktuat vëndin?


"Pas kësaj unë i kërkova ndihmë Ministrit të Rendit, të asaj kohe, Spartak Poçit, me të cilin kisha
njohje që në fëmijëri. Ai u tregua krejt i gatshëm për të na ndihmuar dhe na vuri në dispozicion
ekspertët kriminalistë dhe mjekun specialist me në krye shefin e tyre, Estref Myftarin. Me ketëa
ne shkuam në vëndin që kishim përcaktuar por kërkimet u vështirësuan sepse vëndi ku gërmuam
nuk dha rezultate. Më pas duke shfrytëzuar të dhënat e personit që na kishte informuar dhe na
kishte çuar aty, ne trokitëm në portën e shtëpisë së ish-kryetarit të kooperativës, sepse vetëm ai
kishte dijeni për atë ngjarje nga e gjithë ajo krahinë".

Si ju priti ai?
"Ai na priti shumë mirë dhe filloi të na tregonte se aty në atë fshat kishte qenë e internuar familja
e Xhemal Ballukut, një kushëririt tonë të afërt, i cili e pësoi vetëm nga mbiemëri që kishte. Pasi na
foli me simpati për familjen e Xhemalit, ne i bëmë pyetjen: "A dini gjë se ku ndodhen?" Ai na u
përgjigj: "Po, do t'ju çoj unë atje".

Çfarë ndjetë në ato çaste?


"O zot, na u duk vetja sikur fituam qiejt në atë momente. Nuk di si t'jua përshkruaj".
Çfarë bëtë pas asaj që u tha ai?
"Pas asaj ai erdhi me ne dhe na përcaktoi vëndin, por gaboi pak dhe na u desh një orë e gjysëm
për të arritur atje ku duhej, pra të preknim me dorë ato eshtra që i kërkonim prej vitesh. Pas
dhjetë ditësh u organizua edhe ceremonia e varrimit gjë e cila është e njohur nga lexuesi dhe nuk
e shikoj të arsyeshme të ndalemi përsëri. Por desha të shtoj se sa herë unë shkoj për vizitë tek
familja e kushëririt tonë, Xhemal Ballukut, vajzat e tij më thonë: "Pranë atij vëndi ne kemi punuar
dhe s'dinim gjë".

Në mbyllje të kësaj interviste kaq të gjatë, a mendoni se keni lënë ndonjë gjë tjetër të
pathënë ?
"Historia e babait tim, Beqir Ballukut, për periudhën e fundit të viteve '60 dhe fillimin e viteve '70,
pothuaj është krejt e pazbardhur. Ndoshta asaj periudhe kohe, mund t'i rikthehemi edhe një herë
në të ardhen, sepse kjo intervistë ishte momentale dhe me një kohë të pamjaftueshme për t'i
përmbledhur të gjitha". (Çlirim Balluku e lë të hapur rrëfimin për historinë e panjohur të babait të
tij)

You might also like