You are on page 1of 14

DETYRË KURSI

TEMA:
______________
"Restaurimi dhe rivitalizimi i qendrave historike "

PUNOI:

Xhorxhiana TONA

PRANOI:

Prof. Dr. Florian NEPRAVISHTA;


Dr. Ledita Mezini; Ark. Xhejsi BARUTI; Ark. Altin PERA; Ark. Gladiola BALLIU; Ark.
Benida KRAJA

Tiranë, 2021
RIJETËZIMI I ANSAMBLIT HISTORIK TË PAZARIT, KORÇË

Xhorxhiana Tona
Fakulteti i Arkitekturës dhe Urbanistikës
anatona24@gmail.com, grupi V_B

Përmbledhje:

Ky relacion bën një vlerësim të zhvillimit dhe transformimit të qendrës historike të Pazarit
Mesjetar në qytetit e Korçës, duke u fokusuar në projektin final të adaptimit dhe rijetëzimit
për t’u përshtatur ritmit të ri të jetesës së shoqërisë shqiptare. Është analizuar historiku dhe
problematikat e zhvillimit të këtij ansambli që nga krijimi dhe deri në ditët tona duke
krahasuar elementë të tij me pazarin mesjetar të qendrës në Bitola, Republika e
Maqedonisë. Më pas është sjellë një tablo e gjendjes ekzistuese para ndërhyrjes rijetëzuese
të vitit 2015, duke evidentuar problematikat e adaptimit, si ato në aspektin funksional, ato
në aspektin urbanistik po ashtu edhe ato të adaptimit stilistik dhe arkitekturor. Është
analizuar si i përgjigjet ndërhyrja e vitit 2015, ajo aktuale secilës prej këtyre problematikave
dhe janë nxjerrë konkluzione mbi impaktin që ka patur kjo ndërhyrje në zhvillimin e sotëm
turistik, po ashtu dhe nxitjen e rruajtjes së vlerave të trashëgimisë kulturore.

Fjalë kyçe: ansambël historik, pazar, njësi tregëtare, hane, rijetëzim, adaptim.

Hyrje:
Adaptimi i qendrave historike për tu përshtatur kërkesave të reja të jetesës kontemporane
është një çështje delikate, shumë e diskutuar. Shoqëria shqiptare po përjeton ashtu si çdo
shoqëri, zhvillimet e natyrshme që vijnë nga shtimi i popullsisë urbane që nënkuptojnë
nevoja për më tepër hapësira, më tepër burime dhe më tepër shërbime. Qendrat historike e
kanë gati të pamundur të mos bëhen pjesë e këtyre zhvillimeve dhe të mos tjetërsohen gjatë
këtij procesi.
Pazari mesjetar i qytetit të Korçës përbën një ansambël me shumë rëndësi në
organizimin e qytetit të konsoliduar të Korçës. Ai sot ka një vlerë të madhe si dëshmi
historike dhe arkitektonike e jetës së shoqërisë shqiptare, e nivelit të zhvillimit, mjeshtërisë
së mendimit dhe ndërtimit të kësaj shoqërie.
Prania e pazarit ka influencuar shumë në zhvillimin e qytetit, duke takuar në këtë
pikë kultura dhe mallra të ndryshme. Mendohet se në fund të shek XIX ky pazar ka patur
aktivitet të madh tregëtar, madje më të madh krahasuar me pazarin më të hershëm në
Bitola, Maqedoni. Dëshmitë letrare si Kodiku i Mitropolisë dhe ai i Selasforit tregojnë për një
aktivitet të përditshëm të pazarit në këtë periudhë ku përmenden 600 njësi tregëtare. Ai
mblidhte mallra dhe tregëtarë vendas, maqedonas si dhe nga krahinat greke të Kosturit,
duke patur një pozitë shumë të favorshme gjeografike. (1)
Ansambli historik i Pazarit Korçë ka patur një historik të mundimshëm zhvillimi deri
në ditët tona, ku shpesh ka qenë subjekt i djegies, përmbytjeve, luftës dhe harresës. Për të
kuptuar më mirë kompozimin e këtij ansambli dallojmë tre elementë kryesorë përbërës (2) :
njësitë tregëtare dhe prodhuese ku bëjnë pjesë dyqanet dhe punishtet e artizanëve të
ndryshëm; objektet me shërbim pritës dhe akomodues, siç ishin hanet e shumta; dhe së
fundmi sheshet e grumbullimeve dhe tregëtimit, po ashtu me rëndësi të madhe
kompozicionale. Pazari ka patur shtrirje në të dy anët e Lumit të Korçës (Moravës), ky dy
anët komunikonin përmes urave të drunjta. Shpesh ky lumë në stinë me rreshje të mëdha
shkaktonte përmbytje të njësive tregëtare dhe shesheve. Plani i përgjithshëm i ansamblit siç
është rikrijuar në fig.1 tregon për një shpërndarje të rregullt dhe të organizuar me rrugë dhe
sheshe, ku kryesisht përgjatë rrugëve dhe në perimetër të shesheve vendoseshin njësitë
tregëtare/ dyqanet dhe në periferi të ansamblit, shpesh në kufij me fshatra dhe rrugë
kryesore lidhëse ishin pozicionuar hanet që merrnin emrin e krahinave nga ku kishin
klientelën më dominuese.
Prania e shesheve të ndryshme bënte një zonim të mirë funksional të tregjeve ku
dallojmë përkatësisht Pazarin e Madh në perëndim të lumit të Korçës, Pazarin e Vogël në
lindje të këtij lumi, Pazarin e Bagëtive, Pazarin e Peshkut, atë të Grave si dhe Bezistenin. (3)
Në Pazarin e Madh tregëtoheshin prodhime bujqësore dhe zeje të ndryshme. Në Pazarin e
Vogël tregëtohej kryesisht bereqeti. Pranë tij ndodhej Pazari i Bagëtive ku ishte edhe një
therrtore. Në pazarin e Peshkut tregëtohej peshku nga liqeni i Prespes po ashtu edhe nga ai I
Kosturit. Tregjet e sipërpërmendura organizoheshin në prani të shesheve para tyre dhe
shpesh në ditë me aktivitet të lartë tregëtia bëhej edhe duke vendosur mallra në shesh.
Ndërsa tregje të tjera zhvilloheshin në gjatësi rruge të pazarit ku rruga merrte emrin e
aktivitetit tregëtar që zhvillohej. Të tillë kanë qenë Pazari i Bulmetit; Pazari i Grave, ku
tregëtoheshin prodhime tekstile, orendi shtëpiake etj; si dhe Bezisteni, një lloj tregu i
sendeve me vlerë. Prania e Bezistenit tregonte për një shkallë të lartë mirëqenie dhe për një
shtresëzim të popullësisë. (4)
Mendohet që rindërtimi i strukturave që janë trashëguar deri në ditët tona është
bërë pas zjarrit të tretë që ndodhi në këtë pazar, ai i vitit 1879. Strukturat më të hershme
nuk i kanë mbijetuar zjarreve dhe përmbytjeve dhe kjo dëshmon për materiale ndërtimi jo të
qëndrueshme si druri dhe teknika ndërtimi jo shumë të avancuara. Në rindërtimin e vitit
1879 u përdorën materiale si guri, tulla dhe çeliku të cilat i bënë këto struktura t’i rezistojnë
kohës deri në ditët tona. Kjo periudhë është dalluar edhe për pasurimin me elemente
dekorative të këtyre ndërtimeve. Ky rikonstruksion ruajti funksionet fillestare të tregjeve
duke rikrijuar panoramën e vjetër.
Ansambli i Pazarit të Korçës përbën sot një zonë historike me vlera të mëdha. Vënia
në mbrojtje e tij u bë në vitin 1973 si një monument arkitekturor. (5) Pothuaj të gjitha
strukturat e mbijetuara nga rikonstruksioni i fund-shek XIX si dhe raportet e tyre me rrugët,
sheshet dhe hanet u vinë në mbrojtje. Deri në këtë moment pazari kishte humbur funksionet
origjinale , me shtrirjen e aktivitetit ekonomik përgjatë 2 akseve të bulevardeve kryesore në
qytetin e Korçës. Po ashtu me avancimin e teknologjisë prodhuese dhe asaj të konsumit u
zhvlerësuan produktet artizanale dhe shërbimet tradicionale. Në këtë kohë urbanistika e
qytetit kishte propozuar një aks automobilistik në vendndodhjen e vjetër të lumit të Korçës
që tashmë ishte tharë. Pjesa e Strukturave të mbetura ishin vetëm ato në Perëndim të
rrjedhës së vjetër të lumit. (6)
Nga momenti i vënies në mbrojtje të këtij ansambli lindën problematika të
rigjallërimit të tij për të marrë pjesë aktive në zhvillimin e qytetit. Propozimi i funksioneve të
reja mbi ato të humbura do të kishte pasoja negative në prishjen e karakterit të ansamblit
dhe do e bënte të vështirë identifikimin e tij si një ansambël historik. Kështu pas një
periudhe të gjatë qetësie, u integruan si më të pranueshme tre grupe funksionesh ku
përkatësisht: Grupi 1- Funksione tregëtimi, riparimi dhe prodhimi artizanal; Grupi 2-
Funksione me karakter kulturor dhe turistik si ekspozita dhe koncerte që përfshinë
përkohësisht strukturat e haneve dhe shesheve të pazarit; dhe së fundmi Grupi 3-
Funksionet e shërbimeve si kafene, birrari apo restorante. (7) Në rijetëzimin e qendrave
historike jo vetëm përshtatja e funksioneve, por edhe integrimi urbanistik ka rëndësi të
veçantë. Ansambli ka një mbrojtje të monumentit të kategorisë së parë dhe kjo nuk ka lejuar
ndërtime të reja në territorin e këtij ansambli dhe as tjetërsimin e volumeve dhe elementeve
dekorativë të tyre. Megjithatë në prani të ansamblit janë bërë ndërtime të reja që përbëjnë
qytetin e ri. Gjatë regjimit komunist që përkon edhe me vënien në mbrojtje dhe rijetëzimin e
parë të ansamblit, janë ndërtuar në prani të zonës historike grupe banesash kolektive.
Megjithatë ndërhyrja evidenton zonën historike nga qyteti i ri. Këto banesa të reja janë
organizuar me sheshe dhe rrjet rrugor që i distancon nga ansambli i pazarit. Ato janë trajtuar
me çati të ngjashme me mbulesat e strukturave të pazarit, janë orientuar me faqet e
shkurtra të seksioneve nga rruga për të mos prezantuar volume masive që mbyllnin
shikueshmërinë në zonën historike. Po ashtu në prani të ndërtesave të ansamblit ndërtimet
e reja ulin lartësitë e tyre në mënyrë graduale duke kaluar nga katër kate, në tre dhe duke
përfunduar në dy kate. Megjithatë nuk mund të cilësohet si trajtimi më i përgjegjshëm ndaj
zonës historike. Gjendja që është krijuar është thjesht një kontrast i dukshëm midis të resë
dhe të vjetrës, por për perceptimin e ansamblit është e nevojshme të ndodhesh në aksin
rrugor të krijuar.

Figura 1: PLANI I PËRGJITHSHËM I PAZARIT SHEK XIX – Pirro Thomo_Korça, Urbanistika dhe Arkitektura (2012)
Këto problematika të integrimit janë trashëguar edhe në ditët e sotme dhe
evidentohen progresivisht me zhvillimet e reja të qytetit dhe kërkesave të shoqërisë për
qytetin. Periudha post- komuniste e shoqërisë shqiptare, i dha udhë informalitetit të
ndërtimit të banesave dhe objekteve me karakter ekonomik. Këtë fat e pati edhe ansambli i
pazarit të Korçës, ku shumë pranë tij por edhe në territorin e tij janë ndërtuar banesa
individuale. Ato nuk kanë konsideruar pamjen e përgjithshme të ansamblit si në trajtim
estetik ashtu edhe në dimensione. Problematikat e bartura nga historia po ashtu edhe
informaliteti përbenë sfidën e gjendjes ekzistuese të ansamblit para ndërhyrjes rijetëzuese
të vitit 2015, i cili është objekt qendror i këtij relacioni. Këto problematika mund të
klasifikohen në problematika të integrimit funksional, stilistik si dhe në ato të integrimit
urbanistik, secila më delikate së tjetra.

Ansambli i Pazarit në kontekstin e zhvillimi të ri urban:


Në kuadrin e zhvillimit turistik kulturor në programin e Bashkisë Korçë, u shpall
konkursi për masterplanin e ri të qytetit dhe projekti fitues ishte ai i BOLLES+WILSON në vitin
2009 (8). Ky propozim midis të tjerash trajtonte edhe qendrën historike të Pazarit duke
integruar disa funksione tregëtare dhe hoteleri në prani të ish-Hanit të Elbasanit dhe atij të
Manastirit brenda ansamblit të Pazarit. Megjithatë trajtimin e këtij ansambli, restaurimin
dhe rivitalizimin e plotë e ndërmori Fondi Amerikano-Shqiptar i Zhvillimit në vitin 2015 duke
kontraktuar disa kompani ku autorësinë për planin urban dhe projektin e restaurimit të
njësive si dhe specifikimet teknike e ka Consulting & Management Albania (C & M Albania)
Sh.p.k (9).

Figura 2: PROPOZIMI FITUES I PLANIT TË ZHVILLIMIT TË KORÇËS – Bolles+Ëilson 2009


Informaliteti i veprimtarisë tregëtare në liri të pronës private:
Deri ne vitin 2015 ansambli i pazarit kishte mbajtur funksionet e dhëna nga rijetëzimi
i administrimit në periudhën Komuniste po ashtu dhe më vonë në regjimin demokratik ku
shumë prej dyqaneve në këtë ansambël kishin pronarë si dhe shumë ishin dhënë në
përdorim kundrejt qirave. Kështu në afërsi të sheshit pranë Hanit të Elbasanit ishte
përqëndruar aktiviteti kryesor ku kishte shitje të veshjeve, të orendive shtëpiake, tekstileve
për banesat, bizhuve dhe kozmetikës, por jo të një prodhimi vendas apo artizanal. Në këtë
kohë tregëtoheshin mallra të prodhimit në masë. Pazari sërisht mblidhte njerëz nga treva të
ndryshme dhe po ashtu kishte interes nga blerësit e trevave fqinje si grekët apo
maqedonasit. Në këtë kontekst, “përdoruesit” e rinj ishin të kulturave dhe prejardhjeve të
ndryshme, me shumë pak informacion mbi vlerat e këtij ansambli, kështu ai u bë shpesh
viktimë e keqpërdorimit, montimit të elementëve për qëllime tregëtare në fasada, prishjeve
të elementëve dekorativë origjinalë apo edhe vandalizmit të të pastrehëve që kërkonin një
vend për të qëndruar në këto struktura siç mund të shihet në imazhin shoqërues.

Figura 4: GJENDJA EKZISTUESE PARA NDËRHYRJES SË VITIT 2015, INFORMALITETI I TREGJEVE

Shumë pranë Hanit të Stavros, ku mendohet të kenë qenë Hani i Trebickallinjve dhe ai i
Voskopojarëve, është integruar një strukturë /qendër tregëtare (rreth vitit 2010), e cila ka
një trajtim modern përkundrejt ansamblit historik, ka ruajtur prej tij vetëm volumet në
fasadë, ndërsa në brendësi zhvillohet si një mapo me mbulesë transparente (fig 5), por me
një volum ndjeshëm në disproporcion me ato të ansamblit historik. Qëllimi i kësaj strukture
ishte të mblidhte brenda saj të gjithë aktivitetin tregëtar që zinte vend informalisht në
sheshet e pazarit të vjetër duke krijuar rreth 60 dyqane në dy nivele si dhe shërbime të tjera
kafeterie, shërbimi të ushqimi të shpejtë, argëtimit për fëmijë etj. Megjithatë informaliteti i
tregëtimit ishte prezent edhe 5 vite në vazhdim, duke qenë se shumë tregëtarë nuk
përballonin dot qiratë e ambienteve brenda qendrës së re tregëtare.
Figura 5: STRUKTURA E QENDRËS SË RE TREGËTARE BRENDA ANSAMBLIT TË PAZARIT

Trajtimi i ri adaptues:
Projekti TID Korça, i ngjashëm me disa proejkte TID të ndërmara nga Fondi
Amerikano-Shqiptar i Zhvillimit pati një vizion për të restauruar strukturat e ansamblit të
pazarit, po ashtu për të përshtatur funksione të reja që do të nxisnin turizmin kulturor në
qytetin e Korçës. Adaptimi i bërë duhet analizuar në disa aspekte lidhur me problematikat e
sipërpërmendura të ndërhyrjeve në qendra historike.
ADAPTIMI I FUNKSIONEVE
Së pari do të analizohen problematikat e adaptimit të funksioneve. Funksionet e reja
që ka sot ky pazar përqendrohen në tre drejtime të pranueshme të diskutuara më lart:
Funksione të tregëtimit, riparimit dhe prodhimit artizanal që janë tashmë më të pakta në
numër që prej ritrajtimit të viteve ‘70-’80, ku dallojmë tregëtimin e alkoolit artizanal,
tekstileve dhe qilimave artizanale, suvenireve të ndryshme të drurit, qeramikës apo
metaleve, apo veprave të artit dhe librave. Megjithatë duket se ka ende njësi të cilat presin
të kthehen në funksione tregëtare dhe ftojnë artizanë të tjerë t’i okupojnë.
Funksionet e dyta, ato turistike dhe kulturore po ashtu kanë marrë një zhvillim më të
organizuar. Shpesh pazari ka qenë pjesë e aktiviteteve kulturore si koncerteve, teatrit në
ambiente të jashtme po ashtu edhe ekspozitave dhe paradave, aktiviteteve edukative të
fëmijëve etj.
Funksionet e treta, por më të pranishme janë ato të shërbimeve si kafene, birrari,
restorante duke u përshatur në trajtime më moderne si ato të bistorve, coctail-bareve, apo
music-bareve. Prania e tyre e ka kthyer pazarin në një destinacion për çdo orë të ditës dhe
për të gjitha grupmoshat. Gjithashtu një funksion i ri, i cili nuk ka gjetur vend në adaptimet e
mëparshme është ai i akomodimit dhe hotelerisë, i cili ofron një eksperiencë më të
prekshme të historisë së këtyre strukturave, sidomos atyre të Haneve të hershme me trajtim
të veçantë arkitektonik.
Ky adaptim i ri funksionesh i ka risjellë gjallëri dhe mund të vlerësojmë që ka përmbushur
qëllimin e ndërhyrjes rivitalizuese për të rritur numrin e vizitorëve në këtë ansambël. Po
ashtu organizimi i ri funksional i ka dhënë fund informalitetit të tregëtimit të mallrave në
sheshe dhe të ndërhyrjes në fasadat e objekteve të ansamblit për qëllime tregëtare apo
qëllime reklamimi.
ADAPTIMI Në STRUKTURËN URBANE
Analiza dytësore është ajo e problematikave të adaptimit në strukturën urbane të
krijuar. Duket shumë struktura kanë humbur në degradimin e kohës dhe informalitetin e
ndërtimit, sidomos ato struktura më periferike të ansamblit të vjetër. Trajtimi i ri ka
restauruar ato struktura që kanë mbijetuar dhe ka krijuar një kontur të ri të ansamblit, me
shpresën që ai të jetë i paprekshëm ndaj ndërhyrjeve. Trajtimi i TID Korça ka theksuar
sheshet ekzistuese duke i bërë qendra kompozicionale për aktivitete të ndryshme. Duke i
dhënë një trajtim estetik të unifikuar strukturave, bëhet njëkohësisht theksimi i këtij konturi
duke i kthyen ansamblit identitetin arkitektonik dhe urban që mbart.
TRAJTIMI STILISTIK
Për sa i përket ndërhyrjeve stilistike, një problemaitkë tjetër me rëndësi në
ndërhyrjen rivitalizuese, dallojmë trajtimin në eksterier ,po ashtu atë në interier.
(Fig 6) Strukturave të ruajtura u janë theksuar elementët dekorativë në fasadë, si dhe në
shumë raste ato që mungonin janë rikrijuar duke imituar ato origjinale si psh: qepenat e
kateve përdhe të dyqaneve, grilat metalike të dritareve në katet e para, kornizat dekorative
të dritareve etj. Strukturat e ruajtura kanë qenë ato të rindërtimit të vitit 1879 ku për të
siguruar qëndrueshmëri nga zjarret dhe tërmetet katet tregëtare u ndërtuan me mure guri
ose tulle me breza antisizmikë druri, ndërsa katet e para prodhuese ose të magazinimit u
ndërtuan me materialin e tullës. Në disa struktura janë gjetur edhe elementë çeliku.
Mendohet që elementët metalike të qepenave dhe dritareve po ashtu të jenë krijuar për
shkak të mbrojtjes nga zjarri. Megjithatë në trajtimin e ri të fasadave vihet re përdorimi i
materialeve të reja që bien ndesh me strukturat ekzistuese. Përdorimi i rifiniturave e zbeh
karakterin e fortë historik që ka patur ansambli. Nëse krahasojmë rastin e ngjashëm të
trajtimi të pazarit mesjetar në Bitola, do të kuptojmë se aty rasti është invers (10). Pra janë
ruajtur një numër më i madh strukturash, kanë marrë funksione moderne të tregëtimit të
prodhimit në masë, duke mos rikrijuar funksionet e vjetra artizanale, por kanë patur shumë
pak ose aspak trajtim stilistik të fasadave dhe elementeve arkitektonikë. Kjo i jep këtij pazari
një identitet më të fortë në qytet.(fig 9)

Figura 6: IMAZH 3D PROPOZIMI RESTAURUES – C&M Albania SH.P.K


Figura 7: VIZATIM- PAMJE E NJË BLLOKU NJËSISH TREGËTARE TË ANSAMBLIT – Pirro Thomo_Korça, Urbanistika
dhe Arkitektura (2012)

Figura 8: TRAJTIMI STILISTIK I RESTAURIMIT, ELEMENTËT E KALLKANEVE


Figura 8.1: TRAJTIMI STILISTIK I RESTAURIMIT

Figura 8.2: TRAJTIMI STILISTIK I RESTAURIMIT


Figura 9: IMAZH NGA NJËSI TREGËTARE NË PAZARIN E BITOLËS, MAQEDONI – Ministria e Kulturës Republika e
Maqedonisë (2014)

Për sa i përket trajtimit të interiereve, ai është subjekt i zhvillimit dhe vizionit që ka patur
secili sipërmarrës në ambientin që zotëron ose përdor përkundrejt qerasë. Megjithatë në
disa struktura me karakter të fortë si Hanet apo Dyqani i “Rakos” (një njësi në trajtën e
mapos që mblidhte disa nën njësi tregëtare brenda tij), janë ruajtur elemente stilistike dhe
arkitekturore të interierit, duke përmendur:
-mbulesat me qemer, një element dominues i rindërtimit të fund-shek XIX, për t’ju
përgjigjur më mirë lëvizjeve sizmike, si dhe për të mbrojtur mbulesën e çatisë së drurit nga
zjarri.
-kolonat me kapitele të dekoruar me motive otomane të kohës. (fig 10)
-harqe të ambienteve të brendshme.
Një element tjetër i ruajtur dhe i vënë në dukje, është edhe elementi i kallkanit që shpesh
del edhe mbi lartësinë e çatisë dhe bën ndarjen midis njësive ndërtimore të bashkangjitura.
Ky ishte një element i trajtimit pas rindërtimit nga zjarret që mbronte një ambient nga tjetri
në raste zjarri. (fig 8)
Figura 10: ISH DYQANI I “RAKOS”, ELEMENTËT DEKORATIVË TË KOLONAVE

Figura 11: SKEMA TË MBULESAVE ME QEMER TË DYQANEVE – Pirro Thomo_Korça, Urbanistika dhe Arkitektura
(2012)
Figura 12: ELEMENTE STILISTIKE TË DRITAREVE DHE QEPENAVE – Pirro Thomo_Korça, Urbanistika dhe
Arkitektura (2012)
Përfundime:
Trajtimi i TID Korça, (në vitin 2015) ka rezultuar një ndërmarrje e suksesshme
pavarësisht të gjitha çështjeve të trajtuara më sipër. Duke patur në fokus rijetëzimin dhe
përshtatjen e zonës historike në ritmet e jetës së qytetit, funksionet e reja e kanë realizuar
plotësisht këtë. Ansambli i pazarit sot është një hapësirë publike me aktivitete për të gjitha
grupmoshat, si dhe një atraksion turistik-kulturor. Ky projekt e ka marrë shumë herët
feedback-un e dëshiruar dhe ndoshta ka marrë më tepër se aq. Zënia dhe përdorimi i çdo
njësie të këtij ansambli sot, ndoshta i ka kaluar pritshmërite e konceptimit të tij fillestar. Kjo
lloj nisme po inkurajon më tepër ruajtjen e traditave dhe trashëgimisë sonë kulturore, si atë
arkitektonike po ashtu atë materiale duke ftuar gjithnjë e më tepër artizanë, artistë dhe
sipërmarrës që kanë diçka për të ofruar, të krijojnë një komunitet me identitet të fortë.
Në aspektin ekonomik, funksionet e shtuara të pazarit kanë sjellë punësim të më shumë
banorëve dhe shtim të iniciativave sipërmarrëse, një aspekt shumë i nevojshëm për
zhvillimin e ekonomisë së vendit. Po ashtu, është nxitur prodhimin vendas, duke investuar
më shumë në teknologji, materiale dhe cilësi të tyre, brenda tregut shqiptar. Ansambi i
pazarit historik është integruar tashmë në çdo aspekt me jetën dhe zhvillimin e qytetit të
Korçës.

REFERENCAT

Libër:

(10) MINISTRIA E KULTURËS, REPUBLIKA E MAQEDONISË (2014). Study for revitalization of the Old
Bitola Bazaar.

(1) (2) (3) (4) (6) (7) Thomo, Pirro, (2012). Korça, Urbanistika dhe Arkitektura.

Kapitull ne Libër: Kapitulli V dhe VII

Artikull në revistë:

(5) INSTITUTI I MONUMENTEVE TË KULTURËS (1975) , Lista e Monumenteve , Rrethi Korçë.

Burime interneti:

(8) https://bolles-wilson.com/projects/

(9) https://cmalbania.al/portfolio/detailed-design-for-restoration-of-mediaeval-old-bazaar-of-korca/

(10) www.cherplan.eu

(11) https://www.aadf.org/project/tourism-improvements-districts/korca/

You might also like