You are on page 1of 18

KAPITULLI I

HYRJE NE INXHINIERINË BREGDETARE

1.1 Objekti i inxhinierisë bregdetare

Inxhinieria bregdetare, si një degë e specializuar e profesionit të inxhinierisë,


është një kombinim i shumë disiplinave të fizikës dhe të inxhinierisë, që aplikohen në
zonat bregdetare për projektimin dhe ndërtimin e objekteve, që ndryshojnë ose
kontrollojnë bashkveprimin e ajrit, detit dhe tokës në këto zona, në dobi të njerëzve dhe
të rritjes së burimeve natyrale bregdetare. Ajo i adresohet si ndryshimeve natyrale ashtu
dhe atyre të shkaktuara nga njeriu në zonën bregdetare, mbrojtjes strukturale dhe jo
strukturale të këtyre ndryshimeve dhe ndikimeve të dëshirueshme ose të padëshirueshme
në bregdet prej zgjidhjeve të mundëshme në ato zona që kanë probleme. Pra kryesisht
ajo fokusohet në projektimin dhe zbatimin e punimeve portuale, e punimeve për
përmirësimin e kanaleve të lundrimit, e punimeve për mbrojtjen dhe stabilizimin e
brigjeve detare nga errozioni i shkaktuar prej veprimeve dinamike të valëve, etj.
Hidraulika detare, meqënëse studion ligjet e lëvizjes së ujërave detare si dhe
dukuritë hidraulike që shoqërojnë këto lëvizje në zonat bregdetare, është nga disiplinat
bazë të inxhinierisë bregdetare. Njohuritë mbi këte disiplinë shkencore, në kushtet e
vendit tonë ku një pjesë e mirë e territorit është bregdetare, janë të domosdoshme për
përgatitjen e inxhinierit hidroteknik dhe të specialistëve të tjerë që punojnë në këtë fushë.
Rajonet bregdetare, me qënë se ndodhen në zonën e kontaktit të litosferës me
hidrosferën dhe atmosferën, zënë një pozicion të privilegjuar në lidhje me pasuritë
natyrale që disponojnë. Gjatë gjithë kohërave, aq më tepër në epokën tonë, këto rajone
janë bërë objekte të zhvillimit të aktiviteteve të ndryshme njerëzore si peshkimi, tregëtia,
industria nxjerrëse e përpunuese, bujqësia, turizmi etj. Në qëndrat e mëdha të banimit te
vendosura këtu jetojnë rreth 2/3 e popullsisë botërore . Kjo prirje shihet edhe në vëndin
tonë, sidomos me ndryshimet demografike që kanë ndodhur këto vitet e fundit, apo që do
të ndodhin në të ardhmen.
Lundrimi lumor dhe detar ka qënë forma më e përshtatshme për komunikimin
midis vendeve të ndryshme që në kohërat më të vjetra të ekzistencës së shoqërisë
njerëzore. Njerëzit në atë kohë u përqëndruan nëpër brigjet e lumenjve, liqeneve dhe
deteve, në ato vende ku mjetet e lundrimit ishin te mbrojtura nga valet dhe afrimi per ne
breg nuk kerkonte ndertime te posaçme.
Me zhvillimin e tregtisë, per mjetet e lundrimit lindi nevoja e ndertimit te
strukturave te veçanta per qendrimin e këtyre mjeteve në brigjet e mbrojtura detare.
Port (nga latinishtja skelë, liman) quhet një pjesë e detit, liqenit ose e lumit me
mbrojtje nga valët natyrale ose artificiale, me kompleks strukturash inxhinierike, që
sigurojnë qëndrimin e përshtatshëm të anijeve, për të kryer proçeset e ngarkim
shkarkimit ose të proçeseve të nevojshme në shërbim të anijeve.
Zhvillimi i lundrimit dhe i porteve, për secilën epokë të shoqërisë njerëzore ka
pasur karakteristikat e veta për çdo vënd në veçanti.
Në vëndin tonë historia e zhvillimit detar fillon që nga Ilirët, të cilët ishin
vendosur në bregun lindor të Adriatikut. Porte të periudhës së lashtë mendohet të kenë
qënë në Butrint, Sarandë, Porto Palermo, Spile, Orikum, Vlorë, Triport, Apolloni,
Durrës, Bisht i Pallës, Kep i Rodonit, Shëngjin dhe në Bunë. Më vonë u zhvilluan më
tepër porti i Durrësit dhe ai i Vlorës, pasi këto qytete u lidhën me akset kryesore të
rrugëve tokësore.

1
Këto porte duhet të kenë qënë me gurë ose blloqe gurësh të lidhura me llaç,
gjithashtu janë përdorur dhe pilota druri, mbi të cilat ndërtohej dyshemeja prej dërrase.
Pas Luftës së Dytë Botërore gjëndja e transportit në vëndin tonë ishte e vështirë
pasi porti i Durrësit ishte dëmtuar, po ashtu edhe moli i Vlorës, si dhe pontilat në
Sarandë e në Shëngjin. Tonazhi i përgjithshëm, i përbërë prej barkash druri, në atë kohë
ishte rreth 2 mijë ton. Në vitin 1967 flota jonë arriti në rreth 40 mijë ton mjete, ndërsa në
vitin 1971 asaj iu shtua anija transoqeanike “Tiarna” me tonazh 12 mijë ton.
Krahas rritjes së tonazhit të flotës tregtare dhe të peshkimit u rindërtuan porti i
Durrësit, moli i Vlorës, pontilat në Sarandë e në Shëngjin dhe u kryen një pjesë e
punimeve për portin e ri në Vlorë. Po ashtu flota teknike u pajis me bigën e batipalin
lundrues, me draga, rimorkiatorë, motoskaf pilotazhi, etj.
Shkalla e zhvillimit të një vendi varet shumë nga zhvillimi i transportit, prandaj
roli i tij në ekonominë tonë është mjaft i rëndësishëm. Për zhvillimin e transporteve
parësore janë infrastrukturat përkatëse të tyre si rrugët, hekurudhat, portet etj.
Me transportin detar nuk lidhen vetëm qytetet brënda një shteti por edhe shtetet
ndërmjet tyre si dhe kontinentet me njëri tjetrin. Transporti detar është më ekonomik,
sepse shpenzimet për sigurimin e rrugëve të kalimit të anijeve dhe për karburantet janë
më të vogla. Jetëgjatësia e shërbimit të mjeteve detare është më e gjatë se e transporteve
të tjera dhe po të marrim parasysh edhe kursimin e karburantit rezulton që transporti
detar të jetë rreth 2 herë më i lirë se hekurudhori dhe shumë herë më i lirë se
automobilistiku. Shpejtësia teknike e lëvizjes midis dy stacioneve me transport
hekurudhor është më e madhe se sa me transport detar, por shpejtësia mesatare në të
gjithë gjatësinë e rrugës, duke përfshirë të gjitha stacionet, në krahasim me transportin
detar është më e vogël.
Leverdia ekonomike e transportit detar është e lidhur edhe me mundësinë e rritjes
së tonazhit të anijeve, prandaj gjatë projektimit të porteve merret në konsideratë edhe
perspektiva e rritjes së kapacitetit të anijeve të vendit dhe të huaja.
Gjatë 10 vjeçarit të fundit, në kuadrin e zgjerimit dhe të kompletimit të portit të
Durrësit, janë kryer punime ndërtimi në kalatën lindore dhe terminalin e targeteve. Në
portin e Vlorës në vitin 1994 u ndërtua kalata e trageteve. Në portin e Shëngjinit, sipas
një masterplani zhvillimi, që nga viti 1999, po punohet për ndërtimin e dy seksioneve të
kalatave në drejtim normal me pontilin ekzistues. Gjatë vitit 2000 në kuadrin ëe
zhvillimit të porteve sekondarë në portin e Sarandës filluan punimet për ndërtimin e
kalatës së re si dhe kalata e skafeve për zbritjen e pasagjerëve nga anija në breg. Në vitet
e ardhshme ndofta do të vazhdojë zgjerimi dhe modernizimi i portit të Durrësit, zhvillimi
i plotë i portit të Shëngjinit sipas masterplanit përkatës, rifillimi i punimeve për projektin
e plotë të portit të ri në Vlorë, etj.
Përveç ndërtimit të porteve tregtare, një drejtim tjetër i inxhinierisë bregdetare
në vendin tonë është edhe ndërtimi i porteve turistike. Një objekt i tille ka filluar nga një
investitor i huaj në gjirin e Vlorës pranë qytetit të Orikumit. Portet turistike janë objekte
të rëndësishme dhe me perspektivë për zhvillimin e turizmit në bregdetin shqiptar.
Procesi i errozionit është bërë tepër shqetësues, sidomos këto vitet e fundit, në
disa plazhe të Adriatikut shqiptar, prandaj aty shtrohet detyra e marrjes së masave
mbrojtëse inxhinierike, për të stabilizuar e përmirësuar gjendjen, duke i kthyer ato në
zona depozitimi të sedimenteve. Objektet e mbrojtjes së bregdetit nga erozioni ende nuk
janë praktikuar tek ne, kur në vende të tjera mesdhetare, si në bregdetin italian të
Adriatikut, apo bregdetin mesdhetar të Francës, ato janë aplikuar me kohë dhe në
përmasa të mëdha.
Zhvillimi i turizmit në Shqipëri siç dihet tashmë do të mbështetet në një startegji
afat gjatë, në të cilën qëndrueshmëria është cilësuar një faktor kyç. Vetëm një proçes

2
zhvillimi që merr në konsideratë mbrojtjen e mjedisit duhet të jetë baza për një zhvillim
ekonomikisht të suksesshëm të turizmit. Vizioni i vitit 2012 në strategjinë afatgjatë
parashikon një turizëm të qëndrueshëm dhe miqësor me mjedisin, ku turizmi i diellit dhe
i plazhit ka një rol parësor. Nga analiza e bërë lidhur me dinamikën e zhvillimit natyror
të disa plazheve tona ka rezultuar se ato janë përfshirë nga kriza e përgjithshme erozive
dhe për pasojë prognoza është e tillë që në të ardhmen nuk do të kemi shtim natyror të
sipërfaqeve, por përkundrazi pakësim të mëtejshëm të tyre. Prandaj strategjia e
ndërhyrjeve efikase inxhinierike për përmirësimin e zonave bregdetare duhet të jetë e
tillë që të rehabilitohen plazhet ekzistuese dhe të shtohen sipërfaqet e tyre nëpërmjet
krijimit të plazheve të rinj.
Masat inxhinierike, që përmirësojnë ujëkëmbimin e lagunave bregdetare me
detin, përcaktohen nga zgjidhja e problemeve hidraulike në këto sisteme. Në kushtet e
sotme lagunat e Nartës, Karavastasë etj, kanë komunikim të dobët, gjë që ndikon
negativisht për jetën biologjike në këto ekosisteme. Po kështu mund të thuhet edhe lidhur
me sistemimin e grykderdhjeve të lumenjeve, të cilat krijojnë probleme duke përmbytur
tokat e ulëta gjatë shkarkimit te plotave.
Me studimin e problemeve hidraulike detare është e bazuar dhe vendosja e
platformave notuese për kërkim nafte dhe gazi në shelfin detar.
Përvec sektorëve të ndryshëm të ekonomisë në bregdetin tonë ka interesat e veta
edhe flota detare në lidhje me ndërtimin e bazave detare.

1.2 Karakteristikat e hapësirës detare

Hapësira oqeanike dhe detare mbulon rreth 71% të sipërfaqes së Tokës, ku


volumi i ujërave të ëmbla është vetëm 2.5 % e volumit të përgjithshëm i ujërave marine
prej 1368 milion km 3 dhe me kripshmëri mesatare 35 ‰. Avullimi, si rezultat i rezatimit
diellor në sipërfaqet e të gjithë oqeaneve dhe deteve, është 505 mijë km 3 në vit.
Thellësia më e madhe në të gjithë hapësirën oqeanike është matur 11032 m në
oqeanin Paqësor ( ishujt Marianne). Thellësitë më të mëdha se 6 mijë m janë te ralla, ato
përbëjnë 1.2 % të gjithë hapësirës, ndërsa thellësitë 4 mijë deri 6 mijë m përbëjnë 33 %
të gjithë hapësirës.
Të gjithë lumenjtë e botës derdhin gjatë një viti në hapësirën marine 42 mijë km 3
ujë në vit dhe 14.2 km3 sedimente. Vetëm një përqindje e vogël e këtyre sedimenteve
është e madhësisë së grimcave të rërës ( 0.1 deri 2 mm ), e cila gjëndet me shumicë në
plazhe.
Errozioni i brigjeve marine në botë vlerësohet në rreth 0.12 km 3 në vit materiale
të ngurta, por megjithëse kjo sasi përbën vetëm rreth 1% te materialit të ngurtë të
transportuar nga lumenjtë, ajo është burimi kryesor në fraksionet e rërës të çliruar nga
brigjet.
Pellgu i Mesdheut, pjesë e të cilit është edhe bregdeti ynë, ka një sipërfaqe të
përgjithshme të pasqyrës së ujit prej rreth 2.5 milion km 2 dhe një thellësi maksimale
5120 m në detin Jon.
Shqiperia, duke patur një vijë bregdetare prej rreth 430 km të gjatë, që laget nga
deti Adriatik ( 280 km ) dhe deti Jon ( 150 km ), si dhe një sipërfaqe detare brënda
kufijve shtetërorë rreth 12900 km2 , është një vënd tipik bregdetar në pellgun e Mesdheut.
Sipërfaqia e Shqipërisë prej 28748 km 2 kufizohet nga një vijë kufitare shtetërore
prej 1094 km e gjatë. Ana perëndimore e kësaj vije rreth 300 km e gjatë përbën kufirin
detar.

3
Sipërfaqia detare kufizohet nga njëra anë nga vija bregdetare dhe nga ana tjetër
nga kufiri detar. Kjo sipërfaqe përfaqëson ujërat e brendshme bregdetare dhe ujërat
territoriale.
Ujërat e brendshme bregdetare përfshijnë hapësirën detare që kufizohet nga toka
me vijën bregdetare dhe nga deti me vijën e thyer të formuar nga drejtëzat që bashkojnë
derdhjen e Bunës, kepat e Rodonit, të Pallës, të Lagjit e të Semanit, derdhjen e Vjosës,
bregun perëndimor të Sazanit, kepat e Gjuhzës, të Gramës, të Palermos, të Qefalit e të
Sarandës.
Ujërat territoriale shtrihen deri tek kufiri detar, i cili kalon nga derdhja e Bunës
sipas vijës së kufirit detar shqiptaro – jugosllav, pastaj vazhdon me vijën që shtrihet
12 milje detare larg nga vija kufizuese e ujërave të brendshme midis kepit të Rodonit
dhe kepit të Palermos dhe përfundon me vijën e kufirit detar shqiptaro – grek. Kufiri
detar shqiptaro – grek kalon midis bregdetit tonë dhe ishujve grek, ndërsa në kanalin e
Korfuzit kalon në mes të tij, duke përfunduar në gjirin e Ftelias poshtë kepit të Stillos
( Fig.1-1 ).
Deti Adriatik, sipas studimeve të kryera në këto dekadat e fundit, nga pikëpamja
morfologjike ndahet në Adriatikun Verior, Qëndror dhe Jugor. Vijat e ndarjes të këtij
pellgu me sipërfaqe të përgjithshme 130 mijë km 2 janë përkatësisht S. Benedeto – Zadar,
Vieste – Dubrovnik dhe Otranto – Kepi i Gjuhzës.Vija Otranto – Kep i Gjuhzës me
gjatësi 75 km përcakton kufirin midis Detit Adriatik dhe Detit Jon.
Përsa i përket formës së përgjithshme Deti Adriatik është i zgjatur sipas drejtimit
VP – JL, ndërsa përsa i përket topografisë nënujore pjesa më e madhe e batimetrisë ka
thellësi nën 200 m, madje afro gjysma e pellgut të tij ka thellësi nën 100 m. Kjo është
dhe arësyeja që nga ana morfologjike Adriatiku konsiderohet një det shelfor. Adriatiku
Verior është pjesa më e cekët, ku thellësia maksimale nuk i kalon 80 m, ndërsa Adriatiku
Jugor është pjesa më e thellë, ku shquhet një gropë e madhe me sipërfaqe 800 km2 dhe
thellësi maksimale 1589 m. Vija bregdetare nga derdhja e Bunës deri tek Kepi i Gjuhzës
përfaqson bregdetin lindor të Adriatikut të Jugut.
Në topografinë e tabaneve nëndetare ashtu si dhe në Adriatikun e Jugut, nga ana
gjeomorfologjike dallohen zakonisht katër forma kryesore; zona e plazhit, shelfi
( cektina ) kontinental, rrëpira ( shpatina ) kontinentale dhe rrafshina e thellësive me të
mëdha.
Gropa e Adriatikut të Jugut ndodhet në thellësi mbi 800 m. Topografia e
rrafshinave të thellësive më të mëdha është e ngjashme me topografinë e sipërfaqes së
tokës. Faqet e tyre janë të ndërprera nga kanione të shumta në formën e përrenjve
nëndetare. Në fund të këtyre faqeve vihen re depozitime terrigjene. Pjesa më e madhe e
materialeve të këtyre rrafshinave është me origjinë detare.
Rrëpira kontinentale në përgjithësi ka një pjerrësi mesatare të tabanit të rendit
1/20 ku materialet dominuese janë lymrat, me shkëmbenj të zbuluar. Në anën tonë të
Adriatikut të Jugut rrëpira kontinetale shtrihet nga thellësia – 200 m deri në – 800 m.
Me termin shelf ose cektinë kontinentale nënkuptohet pjesa pranë bregdetare e
fundit të detit relativisht e sheshtë, zakonisht me pjerrësi mesatare 1/500 dhe maksimale
2 0 , ku materiali dominues është rëra, ndërsa pjesët shkëmbore dhe deltinore janë më të
pakta. Niveli i sipërm i shelfit është niveli i qetë i detit, ndërsa niveli i poshtëm
përcaktohet për çdo rast konkret, duke u bazuar jo vetëm në morfologjinë ose formën e
relievit të tij, por edhe në veçoritë gjeomorfologjike të fundit të detit. Sipas kësaj shelfi
përbën atë pjesë të fundit të detit që ndodhet me pranë brigjeve dhe qe nga pikëpamja
gjeomorfologjike dhe gjeologjiko – strukturore është vazhdim i drejtpërdrejtë i ultësirave
bregdetare. Proceset e sedimentimit këtu janë të rëndësishme dhe materialet e dekantuara
me origjinë terrigjene janë nën veprimin e valëve dhe të rrymave. Gjithashtu shelfi detar

4
Fig.1-1 Forma batimetrike e bregdetit lindor të Adriatikut të jugut

5
është tepër i rëndësishëm për peshkim sidomos në zonat e grykave të lumenjve dhe në
laguna.
Nga përcaktimet e mësipërme niveli i poshtëm i shelfit tonë të Adriatikut
rezulton të jetë në thellësi – 200 m. Në sipërfaqen e këtij shelfi, sipas llojit të materialeve
te dekantuara, mund të veçohen tre breza:
a. Cektina bregdetare e shtrirë deri në – 50 m, e cila ndodhet nën veprimin e valëve dhe
të rrymave, ku dominojnë sedimentet ranore dhe ranoro – alevrolitike.
b. Ultësira e sheshte shelfore e shtrirë deri në – 100 m, ku dominojnë sedimentet
alevrolitike.
c. Ultësira e pjerrët shelfore e shtrirë deri në – 200 m, ku dominojnë sedimentet deltinoro
– alevrolitike dhe deltinore.
Në këto kushte ujërat e brendshme bregdetare shtrihen në brezin e cektinës të
shelfit tonë detar, ndërsa ujërat territoriale të Adriatikut përgjithësisht shtrihen në brezin
e ultësirës së pjerrët shelfore dhe ato të Jonit në zonën e rrëpirës kontinentale. Veçojmë
këtu faktin që në bregdetin tonë të Jonit izobatet më të vogla se 200 m kalojnë shumë
afër bregut në krahasim me bregdetin e Adriatikut.
Zona e plazhit është një rrip toke i përmbytshëm nga deti, në të cilën vija e ujit
ndryshon në mënyrë të vazhdueshme nga veprimet e detit. Gjërësia e kësaj zone diktohet
nga ndryshimet e nivelit të detit.
Bregu i detit është një sipërfaqe e rrafshët me gjërësi ndofta disa kilometra , që
shtrihet nga vija e bregut në drejtim të tokës, deri në ngritjen e parë të theksuar të
relievit.
Vija e ujit ndodhet në pozicione të ndryshme gjatë zonës së plazhit nga niveli me
i ulët në nivelin më të lartë, që është dhe vija e bregut, e cila përfaqëson kufirin e sipërm
efektiv të valëve të stuhisë .
Zona e plazhit përfshin paraplazhin dhe bankinat e plazhit. Paraplazhi është
zona që ndodhet nën veprimin e vazhdueshëm të baticave, ndërsa bankinat nën veprimin
e valëve të stuhisë. Kufiri midis zonës së plazhit dhe shelfit është vija e ujit.
Zona afër plazhit është një zonë e papërcaktuar e shelfit, që shtrihet nga ana e
detit prej vijës së bregut deri përtej zonës së thyerjes të valëve. Këtu veprojnë rrymat e
valëve në drejtim të bregut të shoqëruara me transportin e masës, rrymat paralele me
vijën e bregut dhe rrymat e kundërta.
Zona larg plazhit është një zonë deri diku e rrafshët me gjërësi të ndryshueshme,
që shtrihet nga zona e thyerjes së valëve deri në fundin e shelfit kontinental (Fig. 1-2).

Fig.1-2 Profili skematik i plazhit

6
Vija e ujit është vëndi i takimit të detit me tokën. Pozicioni i kësaj vije ndryshon
në funksion të nivelit të detit. Kur valët janë prezente në plazh kjo vijë njihet si kufiri i
poshtëm i zbritjes së valëve në paraplazh. Përafërsisht vija e ujit përcaktohet si
intersektim i nivelit të qetë të ujit me sipërfaqen e tokës.
Me vijë të bregut të detit teknikisht kuptojmë vijën që formon kufirin midis
bregut të detit dhe plazhit. Në kuptimin e zakonshëm ajo mund të njihet si kufiri midis
tokës dhe ujit. Në hartat detare kjo vijë përshkruhet si intersektim i sipërfaqes së plazhit
me sipërfaqen e nivelit të lartë masatar të detit.
Gjatë vijës bregdetare gjënden njësi të ndryshme fiziografike siç janë plazhet,
kepet etj. Gjithashtu në lidhje me orientimin i vijës bregdetare karshi hapësirës detare
gjënden zona të tëra që janë të ekspozuara nga veprimet dinamike të masës së ujit
( ishujt, kepet, zonat e pambrojtura ) dhe zona të tjera të mbrojtura në drejtime të
caktuara (gjiret, lagunat ). Njësi fiziografike të ekspozuara nga Deti Adriatik dhe Deti
Jon janë kepat e Rodonit, të Pallës, të Gjuhzës e të Qefalit dhe ishulli i Sazanit. Ndërsa
njësi të mbrojtura deri në një farë mase janë gjiret e Drinit, Lalzit, Durrësit, Vlorës,
Palermos dhe Sarandës, po ashtu edhe lagunat e Vilunit, të Lezhes, Patogut, Karavastasë,
Nartës, Pasha- Limanit dhe liqeni e Butrintit.
Në përgjithësi në bregdetin shqiptar shquhen dy zona kryesore morfologjike;
bregdeti i ulët e lagunore, i cili është dominues në zonën e Adriatikut dhe bregdeti i lartë
shkëmbor, i cili është dominues në zonën e Jonit. Me gjithë se shquhen këto dy zona
kryesore morfologjike, në çdo njërën ndodhen pjesë të veçanta te tjetrës. Kështu në
zonën e parë gjënden pjesë të tilla si ajo e bregdetit verior të Shëngjinit, Rodonit, Pallës,
Treportit, pjesa shkëmbore e gjirit të Vlorës, të cilat karakterizohen nga një bregdet i
lartë shkëmbor abraziv. Po ashtu në zonën e dytë të Jonit bën përjashtim pjesa
akumulative në jug të derdhjes së kanalit të Butrintit.
Karakteristike për zonën akumulative është ekzistenca e grykëderdhjeve të
lumenjve kryesore të vëndit, të cilët derdhin në detin Adriatik një prurje të lëngët
mesatare vjetore prej 1200 m 3 /s dhe sasinë vjetore të aluvioneve pezull prej rreth
30 milion ton. Gjithashtu në këtë zonë ndodhen të gjitha lagunat e bregdetit shqiptar me
sipërfaqe të përgjithëshme me se 100 km 2, kur në zonën tjetër ndodhet vetëm liqeni i
Butrintit me origjinë tektonike që ka një sipërfaqe të pasqyrës së ujit rreth 17 km2 dhe
thellësi maksimale 21.4 m. Elementët morfologjik më karakteristik për zonën e ulët janë
barrierat nënujore, dunat e rërës dhe brezat ranore që kufizojnë lagunat dhe godullat me
detin.

1.3 Ndryshimet e nivelit të detit

Vija e bregut të detit, e cila nënkupton intersektimin e vazhdueshëm të litosferës


me hidrosferën detare, në pozicionin e saj i nënshtrohet ndryshimeve të nivelit të detit
nga lëkundjet baticore dhe thyerjet e valëve, por megjithatë gjëndet një nivel mesatar i
baticës zero dhe pa valë, që duket fiks dhe të cilit i referohemi për të matur lartësitë e
pikave në sipërfaqen e tokës ose thellësitë e detit. Në realitet, ky nivel i detit, përveç
ndryshimeve për një kohë të shkurtër, i është nënshtruar edhe ndryshimeve me afat të
gjatë, njohja e të cilave është e domosdoshme për të kuptuar morfologjinë dhe
evolucionin e bregdetit.
Ndryshimet me afat të gjatë të nivelit të detit kanë qënë rezultat i
bashkëveprimeve komplekse të fenomeneve të shumta me natyrë astronomike,
klimatike, gjeofizike dhe gjeodinamike. Gjatë epokave të transformimeve të rëndësishme
gjeologjike të tilla ndryshime kanë ndodhur në mënyrë të vazhdueshme. Kështu gjatë
Kuaternarit, erës gjeologjike më të re, ngritjet dhe uljet e nivelit të detit i kanë ndryshuar

7
në përmasa të mëdha sipërfaqet mbi ujë. Në qoftë se 300 mijë vjet më parë niveli i ujrave
mendohet të ketë qënë 50 m deri në 100 m mbi nivelin aktual të detit, në mbarim të
periudhës së fundit të ftohtë nga formimi i akullnajave 18 mijë vjet më parë mendohet të
jetë ulur në 100 m deri 120 m më poshtë. Por më vonë, për shkak të shkrirjes së akujve
në tokë, niveli i detit pësoi ngritje të vazhdueshme deri sa të arrinte kuotat aktuale rreth
5 ose 6 mijë vjet më parë. Meqenëse që nga ajo periudhë niveli i detit ka tentuar të
stabilizohet rreth nivelit që ka ende sot, ajo njihet edhe si pika e nisjes së evolucionit të
bregdeteve aktuale (Fig.1- 3).

Fig.1-3 Ndryshimi i nivelit të detit para mijëra vjetësh

Nga shqyrtimi i rregjistrimeve të më se 100 nivelmatësve të instaluar pothuaj


kudo në botë është përcaktuar qartë se rreth gjatë një shekulli më parë (1890-1990) niveli
i detit është ngritur me një shpejtësi të rendit 1.5 mm/vit. Kjo ngritje prej 15 cm gjatë 100
vjetëve të fundit i dedikohet rritjes së temperaturës mesatare të atmosferës prej 0.50 C,
prej të cilës nga shkrirja e akujve ka patur një ngritje të nivelit prej 10 cm, ndërsa nga
ngrohja e shtresës së sipërme të ujrave të oqeaneve dhe deteve ka patur vetëm një ngritje
të nivelit prej 5 cm .
Niveli i detit në shekullin e XXI, siç parashikohet do të vazhdojë të ngrihet
ndofta me një shpejtësi ende më të madhe për shkak të rritjes së mëtejshme të
temperaturës prej efektit serë, i cili do të jetë i lidhur me shtimin e përshpejtuar të gazit
karbonik në atmosferë nga lëndët djegëse dhe shpyllëzimet. Vlerësimet e konsideruara si
më të arësyeshme japin paraprakisht një parashikim të ngritjes së nivelit të detit të rendit
20 cm në vitin 2030, 40 cm në vitin 2070 dhe 60 cm deri 70 cm në fundin e këtij shekulli.
Regjimi i nivelit të detit në bregdetin tonë, si kudo në një moment të caktuar kohe
i nënshtrohet jo vetëm ndryshimeve të vazhdueshme baticore nga veprimi i forcave me
origjinë kozmike, por edhe atyre me natyrë meteorologjike.
Sipas të dhënave të matjeve të kryera nga Instituti Hidrometeorologjik lëkundjet
periodike baticore me periodë 12 orëshe kanë amplitudë të vogël (jo më shumë se

8
40 cm), ndërsa ndryshimet e nivelit të detit nga veprimi i erërave të forta mbi sipërfaqen
e ujit janë më të mëdha. Erërat intesive me shpejtësi dhe kohëzgjatje të madhe, që fryjnë
nga deti në tokë, “ngjeshin” masën e ujit në breg dhe shkaktojnë ngritje të
konsiderueshme të nivelit të detit. E kundërta ndodh kur ato fryjnë me drejtim nga toka
në det, duke shkaktuar ulje të tij.

1.4 Shkaqet natyrore të paqëndrueshmë risë dhe të krizës erozive të plazheve

Në epokën e madhe më të fundit të formimit të akujve që ka njohur globi si


pasojë e uljes së theksuar të nivelit të detit një pjesë e madhe e asaj sipërfaqe që sot
njihet si platforma kontinentale ose shelfi detar ka qënë mbi ujë. Këtu si rezultat i
coptimit të shkëmbenjve nga faktorët klimatikë dhe nga erozioni u depozituan me
kalimin e kohës sasira të mëdha sedimentesh. Por në epokat e mëvonshme se 18 mijë
vjet më parë, krahas depozitimeve të sedimenteve, si rezultat i ngritjes së nivelit të detit,
ky stok sedimentar i vënë në lëvizje edhe nga veprimet dinamike të valëve çvendoset
përpara në drejtim të detit ndërsa vija e bregut të detit tërhiqet më në brëndësi të tokës.
Plazhet dhe sipërfaqet e dunave filluan të formohen rreth 5 deri 6 mijë vjet më
parë kur niveli i detit filloi të stabilizohej rreth nivelit aktual. Evolucioni natyror i
plazheve në përgjithësi ka njohur dy faza të rëndësishme zhvillimi; së pari gjëndjen e
bollëkut me sedimente të disponueshme dhe së dyti gjëndjen e varfërimit të tyre. Këto
gjëndje nuk zhvillohen në të njëjtën kohë në të gjitha plazhet, por ndryshojnë nga njëri
vënd në tjetrin .
Gjëndja e bollëkut vazhdon deri sa të ketë shteruar rezerva detare e sedimenteve
dhe të jetë arritur ekuilibri littoral midis shuarjes maksimale të energjisë së valëve dhe
transportit minimal të sedimenteve, gjë që për vënde të ndryshme kërkon kohë pak a
shumë të gjatë. Një epokë e pakësimit të materialeve fillon më tej dhe ajo është e
përgjithshme sot sepse kufizohen këtej e tutje të vetmet sjellje me rëndësi direkt prej
erozionit kontinental dhe detar. Pra situata në përgjithësi është e pasigurtë për plazhet
nga pikëpamja e furnizimit me sedimente. (Fig.1-4).

Gjatë periudhës së parë(A) të karakterizuar nga një bollëk furnizimi me rërë janë
formuar një seri kreshtash plazhi dhe vija e bregut ka avancuar në drejtim të detit. Por
më vonë gjatë një periudhe të dytë(B) si pasojë e pakësimit të ushqimit me sedimente
është vënë re tendenca e kundërt tërheqja e plazhit nga erozioni.

Fig.1-4 Evolucioni i një plazhi gjatë mijëvjeçarëve të fundit.

9
Gjatë shekullit të kaluar, për shkak të ngritjes së nivelit të detit me rreth
1.5 mm/vit, situata e pasigurisë së plazheve duket të jetë bërë më e agravuar. Mbi një
plazh në gjëndje ekuilibri një ngritje e nivelit të detit nxit tërheqjen e plazhit , profili
tërthor i tij çvendoset paralelisht në drejtim të tokës prej erozionit të pjesëve të sipërme
të mbiujëshme. Një pjesë e materialit të tërhequr prej këtej akumulohet në paraplazhin e
momentit në mënyrë të tillë që trashësia e shtresës littorale të ujit të mbetet konstante.
Kjo tërësi e këtyre efekteve shpjegohet nga i ashtuquajturi princip i Bruunit, i cili pasi i
është nënshtruar me sukses provave laboratorike në model të reduktuar, është verifikuar
gjithashtu me anën e vrojtimeve në terren. (Fig.1-5).

Modeli në plan dypërmasorë tregon kundërveprimin e një sistemi të përbashkët plazhi


dhe paraplazhi në gjëndje ekuilibri sedimentar nga ngritja e nivelit të detit. Siç vihet re
plazhi tërhiqet, ai humbet materialet e përfituara nga paraplazhi i momentit ku trashësia
e shtresës së ujit tenton të mbetet konstante. Por ai gjithashtu merr material nga pjesa
më e thellë e paraplazhit.

Fig.1-5 Skema e modelit për ilustrimin e principit të Bruunit

Gjatë këtij shekulli, duke qënë se ngritja e nivelit të detit parashikohet të jetë
rreth katër herë më e lartë se shekullin e kaluar, kriza sedimentologjike e plazheve pritet
të shtrihet në përmasa akoma më të mëdha.
Pakësimi i sasisë së sedimenteve të disponueshme, ngritja e nivelit të detit,
forcimi i mundshëm i fuqisë dëmtuese të valëve janë shkaqet kryesore natyrore, të cilat
duke vepruar së bashku i vënë plazhet në gjëndje paqëndrueshmërie. Këto shkaqe shpesh
përshpejtojnë krizën në fjalë nga efektet çrregulluese të ekuilibrit prej ndërhyrjeve
njerëzore në bregdetet e plazheve.
Kriza erozive e plazheve sot është një fenomen i përhapur kudo në botë. Një
anketë ndërkombëtare ka përcaktuar se rreth 70% e gjatësisë së përgjithshme të plazheve
të botës në kushtet e sotme ndodhen në proçes erozioni, 20% e tyre janë në gjëndje
stabiliteti dhe vetëm 10% janë në proçes avancimi. Fakti që erozioni nuk është çfaqur
gjithëkund në të njëjtën kohë, që ai vepron si në bregdetet e pabanuara dhe në ato të
populluara, që shpejtësitë e çvendosjes së vijës bregdetare nuk janë kudo të njëjta
tregojnë me sa duket se shkaqet e një situate të tillë janë komplekse. Disa prej tyre janë
natyrore të tjerat me prejardhje humane, por me qënë se ato interferojnë tek njëri tjetri
vështirësohet zgjidhja e problemit të mbrojtjes së plazheve.

10
Bregdeti ynë, në mënyrë të veçantë pjesa e Adriatikut, po i nënshtrohet gjithnjë e
më shumë proceseve të erozionit. Ka vlerësime të tilla që këto proçese mund të jenë
shtrirë në rreth 60% të gjatësisë të përgjithshme të kësaj vije bregdetare. Megjithatë deri
tani nuk është ndërmarrë ndonjë studim i plotë i mirëfilltë për të vlerësuar dinamikën e
evolucionit të plazheve tona sipas një metodike shkencore të aprovuar dhe të aplikuar në
vëndet të tjera. Pavarësisht nga ky vlerësim sot janë të njohura faktet që zona të caktuara
si plazhi i Shëngjinit, plazhi në anën e djathtë të grykëderdhjes së Matit deri te fshati
Tale, plazhi i Patogut, i Rushkullit në anën e djathtë të grykëderdhjes së Erzenit, i
Karpenit, ana e majtë e grykëderdhjes së Shkumbinit, i Semanit dhe një pjesë e plazhit të
vjetër të Vlorës janë përfshirë në erozion intesiv. Ky intesitet në shumicën e rasteve po
dëmton rëndë strukturën funksionale të plazheve dhe peisazhin turistik të tyre, por në
ndonjë rast të veçantë siç është plazhi i Patogut e ka degraduar plotësisht atë.

1.5 Roli i dunave në mbrojtjen e plazheve të kërcënuara nga e rozioni

Duna littorale, plazhi dhe zona afër plazhit janë elementë gjeomorfologjikë, të cilët
i nënshtrohen vazhdimisht veprimeve dinamike të detit.
Të tre këta elementë bashkëveprojnë ngushtë me njëri tjetrin, çdo ndërhyrje tek
njëri prej tyre, prish ekuilibrin dinamik dhe në elementët e tjerë.
Dunat janë forma të akumulimit me origjinë eoliene. Erërat me drejtim nga deti në
tokë i çvendosin grimcat e rërës prej sipërfaqeve të plazhit, të çveshura nga vegjetacioni
dhe i depozitojnë në zonat me bimësi, ku shpejtësia e erës zvogëlohet shumë, duke
formuar kështu brezin e dunave littorale.
Grimcat e rërës me diametër mesatar 0.2 mm deri në 0.3 mm fillojnë të çvendosen
kur shpejtësia e erës arrin 5 deri 6 m/sek. Kapaciteti i kësaj çvendosje për shpejtësi
12 m/sek vlerësohet në 150 kg rërë për metër linear plazh në një orë.
Plazhi dhe littorali më i afërt me të përbëjnë një rajon ku forcat dinamike të detit
reagojnë ndaj bregut. Lëvizjet dinamike të detit transmetojnë energjinë nga thellësia në
breg, ndërsa bregu e absorbon këtë energji.
Valët e gjeneruara nga era përhapen në distanca të gjata mbi sipërfaqen e detit deri
sa arrijnë bregun, ku energjia e mbetur e tyre konsumohet nga bashkëveprimi me të.
Fuqia e valëve kur ato ato arrinë littoralin pranë bregut mund të ndryshojë nga
1.39 mw/km front vale (3 mijë k. fuqi / milje), në një ditë relativisht e qetë (lartësia e
valës 0.6 m), deri në 25 herë më e madhe ose më shumë në momentet e stuhisë.
Erërat e forta të stuhive duke e ngjeshur masën e ujit afër brigjeve ngrehin nivelin e
detit dhe formojnë në këtë mënyrë “ngritjen e erës” ose “valët e stuhisë”. Plazhi
vazhdimisht përshtat profilin e tij për të siguruar mënyrat më të efektshme të shuarjes së
energjisë së valëve ardhëse. Kjo përshtatje është dinamika natyrale e kundërveprimit të
plazheve ndaj detit. Megjithatë herë pas here arrihet një ekuilibër midis plazhit dhe detit,
por “paqja” është e shkurtër sepse përsëri fillon “beteja”.
Në kushtet reale të natyrës ekzistojnë dy tipe kryesore të dinamikës së
kundërveprimit të plazhit ndaj goditjeve të valëve, kundërveprimi në kushte normale
dhe në kushtet e stuhive.
Në kushte normale, të dominuara nga valë të vogla dhe të gjata, kemi çvendosjen e
rërës nga barrierat nënujore dhe vendosjen e saj në plazh. Erërat që fryjnë nga deti në
tokë, duke u penguar nga brezi i bimësisë, e grumbullojnë rërën sipër dunave dhe kështu
plazhi fillon të ripërtërihet pas sulmit të një stuhie të mëparshme.
E kundërta ndodh në kushte stuhie, kur gjenerohen valë të fuqishme (me lartësi të
madhe), të cilat krijojnë në zonën littorale pranë bregut një gjëndje valëzimi me ngritje të

11
nivelit të detit, gjë që ekspozon nga goditjet e valëve edhe pjesët e plazhit të kuotave më
të larta, duke përfshirë edhe dunën kufitare, që zakonisht është e paprekshme nga valët.
Energjia e valëve në këtë rast harxhohet për erozionin e plazhit dhe nganjëherë të
dunave. Materiali i eroduar mbartet në sasira të mëdha në drejtim të thellësisë dhe
depozitohet në tabanin e littoralit pranë bregut për të formuar përsëri barrierat nënujore
me synimin e thyerjes së valëve ardhëse sa më larg bregut. (Fig.1-6)
Duna, duke luajtur për plazhin rolin e rezervatit të rërës, përbën një mbrojtje
natyrale ndaj erozionit të bregdetit në mekanizmin e ndërlikuar të dinamikës së
kundërveprimit të plazhit ndaj goditjeve të valëve dhe faktorëve të tjerë hidrografik dhe
meteorologjik.
Dunat kanë shtrirje gjatë bregdetit tonë të Adriatikut (Velipojë, Kune, Rrushkull,
Divjakë, Zvërnec, etj.), ku gjënden duna të reja, në formim dhe të vjetra të veshura me
bimësi.
Në kohën e valëve të stuhive të jashtëzakonshme, për shkak të mbingritjeve
maksimale të nivelit të detit, mund të gërryhen edhe pjesë të rëndësishme të dunave. Veç
erozionit të plazheve valët e stuhisë dëmtojnë strukturat e objekteve për shkak të
gërryejes së bazamenteve të tyre, kur ato janë të pambrojtura dhe të vendosura afër vijës
së ujit.
Në vënde të veçanta, ku kreu i dunës ndodhet në kuota të ulëta, për shkak të stuhive
të forta, mund të ndodhi kalimi mbi të i rrymës së valëve dhe të shkaktohen përmbytje të
tokave të ulëta bregdetare dhe formimi i një lagune të re.
Një seri stuhish të forta lokale në një periudhë kohe të shkurtër shkaktojnë erozione
të ekzagjeruara të bregut, kur mbrojtja natyrale nuk arrin të riformohet në intervalet
midis stuhive.
Megjithëse shumë ngjarje serioze të erozionit bregdetar ndodhin gjatë stuhive, në të
vërtetë këtu veprojnë edhe shkaqe të tjera të nxitura si nga natyra ashtu dhe nga njeriu.
Shkaqe natyrore të errozionit janë ato që ndodhin si një rezultat i kundërveprimit të
plazhit nga efektet e natyrës. Errozioni i nxitur nga njeriu ndodh kur ai orvatet të
ndërhyjë në sistemin e natyrës.
Shkaqet e erozionit bregdetar, duhet të identifikohen dhe të studiohen me kujdes
për një periudhë të shkurtër dhe të gjatë kohe para se të vendoset për mënyrën e
mbrojtjes bregdetare. Nga përvoja e vëndeve të tjera, që kanë ndërmarrë masa mbrojtëse
në bregdet, ka rezultuar që shpesh ndërhyrje të tilla në vënd që të mbronin kanë nxitur
më shumë proçesin e erozionit, në ato raste kur zgjidhjet e projekteve i kanë përcaktuar
këto masa pa gjetur më parë shkaqet.
Shumë raste të erozionit të nxitur nga njeriu janë shkaktuar nga mungesa e të
kuptuarit të fenomeneve por ato janë rehabilituar nga menaxhimi i mirë i zonës
bregdetare. Aplikimi i projekteve të ndërtimeve (ndërtimi i digave të rezervuarëve në
shtretërit e lumenjëve, porteve etj.) me rëndësi ekonomike për njeriun shpesh ka nxitur
erozionin bregdetar. Kur nevoja për këto ndërtime është e domosdoshme, para se të
ndërmerren punimet e zbatimit, duhet të studjohen ndikimet në sistemin natyror dhe
nëpërmjet zgjidhjeve të projektimit duhet të mënjanohen ose të reduktohen sa më shumë
këto ndikime (1-7).
Në praktikën e inxhinierisë bregdetare sot njihen 7 shkaqe natyrore dhe po kaq të
nxitura nga njeriu.Në kushtet e vëndit tonë si shkaqe natyrore veçojmë ngritjen e nivelit
të detit nga efekti serrë dhe pakësimin e ushqimit me sedimente të zonës littorale për
shkak të thatësirave në kushtet e motit. Ndërsa si shkaqe të nxitura nga njeriu veçojmë
reduktimin e furnizimit me sedimente të zonave littorale për shkak të ndërtimit të
rezervuarëve dhe të marrjes së inerteve nga lumenjtë për material ndërtimi, largimin e

12
Fig. 1-6 Paraqitja skematike e goditjes së valëve të stuhisë në plazh dhe në dunë

13
ORGANIGRAMA E NJË STUDIMI DETAR

PËRCAKTIMI I OBJ EKTIVAVE

PËRMB LEDHJ E E TË DHËNAVE


VROJTIME DHE MATJ E
Meteorol ogji, Hi draulike, Oqeanografi, Sedi mentologji,
Ndotje e Ambientit, Gjeoteknik PLOTËS UES E NË NATYRË

VROJTIMI I ZONËS BREGD ETARE

SINTEZ Ë E FENOMENEV E TË NATYRËS


ANALIZAT S EDIMENTOLOGJ IKE

STUDIM I KRYER MB I PLANET E ZONËS


BREGDETARE

STUDIM NË MODEL TË REDUKTUAR FIZIK


DHE MATEMATIK
Refraksion, Përhapje e Lëkundjeve të Ni velit të MATJ E E MUND ËS HME
Detit, Sedimenti m, Erozion, Qëndrueshmëri e
Objekteve, manovrim I Ani jeve, Akosti m,
Përhapje e ndotjeve dhe Ri aftësim I mbetjeve

PROJ EKTIM
REALIZIM KONTROLL I
PARAS HIKIMEV E
STUDIM NE MODEL FIZIK I FAZAVE TË
NDËRTIMIT

Fig. 1-7

14
rërave nga plazhet dhe dunat, duke dëmtuar mbrojtjen natyrale të bregdetit dhe së fundi
shkatërrimin e vegjetacionit të dunave kufitare.
Stabilizimi i dunave me anën e mbrojtjes së vegjetacionit, ose realizimi i
rrethimeve në formën e gardheve mbi to është një nga teknikat e mirënjohura që
përdoren si masë kundër erozionit të bregdetit në shumë plazhe të botës .

Rast tipik i shkatërrimit të vegjetacionit të dunave kufitare është prerja masive e


brezit pyjor në bregdetin e Rrushkullit, në veri të grykëderdhjes së Erzenit. Kjo dhe
marrja pa kriter e inerteve nga lumi Erzen kanë bërë që të degradojë plazhi në këtë zonë
dhe të rezikohen seriozisht dunat kufitare për shkak të erozionit galopant (Fig. 1-8).
Si përfundim dunat kufitare të shkatërruara duhet të rikrijohen atje ku është e
mundur, të degraduarat duhet të restaurohen dhe të pacënuarat duhet të mbrohen.

Fig. 1-8 (Foto) Pamje nga errozioni i dunës në Gjirin e Lalzit

1.6 Vetitë fiziko kimike të ujit të detit

Temperatura, densiteti, kripshmëria dhe përbërja kimike janë elementët më të


rëndësishëm të ujit të detit dhe që lidhen midis tyre.

1.6.1 Temperatura

Njohja e temperaturës i shërben jo vetëm ekonomisë së peshkimit e të


akuakulturës në përgjithësi, por edhe studimeve që kanë të bëjnë me energjinë
termike të deteve. Ajo influencon në një farë mase në veprimin e detit tek materialet
e ndërtimeve në det si llaçet, betonet, çeliqet etj. dhe veprimi destruktiv e korroziv
rritet në lidhje me temperaturën.

15
Temperatura në sipërfaqe pëson një ndryshim ditor të vogël (1°C në det të thellë
-5°C në drejtim të brigjeve të cekëta); ndryshimet vjetore janë të vogla në rajonet
ekstreme të globit (2 °C në Pol dhe në Ekuator), më të forta në rajonet e ngrohta
(5°C deri 10°C) dhe në detet e brendshme (15 °C deri 20 °C në Mesdheun Lindor,
Detin e Zi).
Temperatura e sipërfaqes ndryshon në mënyrë të rregullt me gjatësinë
gjeografike nga 0°C drejt Polit në 8 °C drejt Paralelit 50, 14°C drejt Paralelit 40 dhe
24 °C deri në 27°C në rajonet tropikale dhe ekuatoriale. Por parregullsi janë
konstatuar edhe në të njëjtin oqean; bregdeti amerikan i Atllantikut është 7°C deri në
8°C më i ftohtë se bregdeti europian drejt gjërësisë gjeografike 60 ° V dhe 7 °C më i
ngrohtë drejt gjërësisë gjeografike 20° V për shkak të influencës së Golf Strimit dhe
rrymës së ftohtë të Labradorit.
Temperatura ndryshon në lidhje me stinët (La Manche dhe Deti i Veriut 7 °C në
dimër 17 °C në verë, Mesdheu Lindor 12 °C në dimër 22°C në verë.
Temperatura në thellësi është më e vogël se në sipërfaqe dhe korelativisht
densiteti është më i madh; ndryshimi i temperaturës në thellësi është njëkohësisht më
i vogël se në sipërfaqe; ai është praktikisht zero në thellësi më të mëdha se 300 m.
Karakteristikë për bregdetin tonë është temperatura e lartë e ujit; gjë që diktohet
nga komunikimi me pellgun e Mesdheut, nga pozita gjeografike, shtrirja e
Adriatikut në drejtim VP-JL, forma e thyer e vijës bregdetare dhe kushtet klimatike
të rajonit.
Temperature mesatare e ujit në sipërfaqe të detit rritet nga veriu në jug dhe nga
perëndimi në lindje. Kështu temperatura mesatare mujore më e ulët për periudhën
1953-1975 ka rezultuar 11.6°C në muajin shkurt në vëndmatjen e Shëngjinit, ndërsa
më e larta 25.1 °C në muajin gusht në vendmatjen e Vlorës. Po ashtu në Shëngjin
gjatë kësaj periudhe është matur temperatura më e ulët prej 6.8°C, ndërsa në Vlorë
temperatura më e lartë prej 30.4°C Ndryshimi stinor i temperaturës së ujit ndodh
kryesisht deri në thellësinë 200 m deri 250 m, më poshtë ajo mbetet e
pandryshueshme në rreth 13 °C

1.6.2 Densiteti
Njohja e densitetit është veçanërisht e rëndësishme për studimin e veprimeve
dinamike të valëve mbi strukturat hidraulike bregdetare dhe për thellësinë e zhytjes
së anijeve.
Matja e densitetit bëhet me anën e metodave klasike me kampionet e marra prej
aparateve oqeanografike
Megjithatë, densiteti duke qënë kryesisht i lidhur me kripshmërinë e ujit të detit,
synohet gjithnjë e më shumë të përdoret matja e kripshmërisë për të njohur
densitetin.
Densiteti i ujit të detit sipas Fig.1-9 varet nga kripshmëria e tij S dhe nga
temperature t°C d.m.th. ρ = ρ ( S, t°C ).
Siç shihet nga figura e mësipërme për S = 0 (ujë i ëmbël) në intervalin
0 < t C < 4 °C densiteti ρ rritet me rritjen e temperaturës t °C (ky është materiali i vetëm
°

në Tokë ku ρ rritet me rritjen e t°C ), ndërsa në intervalin t > 4°C zvogëlohet me


rritjen e temperaturës (ky është rasti i të gjitha materialeve që ndodhen në Tokë).
Kështu uji i ëmbël është më i rëndë në temperaturën 4 °C. Kjo është tepër e
rëndësishme për ekologjinë sepse ujërat e thellësisë nga ky ndryshim mund të marrin
oksigjen të tretur vetëm nga qarkullimi vertikal i ujit.

16
Fig.1-9 a) Densiteti në funksion të temperaturës për akullin dhe ujin e ëmbël
b) Densiteti në funksion të temperaturës dhe të kripshmërisë

Në oqeanografi në vend të densitetit përdoret një parametër tjetër


σt = ( ρ - 1) 1000, i cili shpreh masën specifike të ujit të detit.
Për temperatura të vogla kurbat e σ t janë pothuaj paralele me boshtin e t°C. Kjo
tregon se në këtë rast dominon influenca e kripshmërisë S, ndërsa ndikimi i ndryshimeve
të temperaturës është tepër sekondar. Kjo është një situatë që përket vëndeve polare.
Nga ana tjetër, në vëndet me gjërësi gjeografike të vogël ndryshimet e
kripshmërisë janë shumë të vogla, kështu që vlerat e σ t janë kryesisht nën ndikimin e
temperaturës.
Për analogji mund të themi që në oqeane dhe në detet e hapura vlerat e σ t do të
jenë kryesisht funksion i temperaturës, ndërsa në zonat afër bregut, në limane, estuare, të
diktuara nga rrjedhjet e ujit të freskët, ato do të varen kryesisht nga kripshmëria.

1.6.3 Përbërja kimike e ujit të detit

Njohja e veprimit kimik të ujit të detit është e domosdoshme për zgjedhjen e


materialeve që përbëjnë objektet e ndërtimit në det e anijet, si dhe për mbrojtjen e tyre
nga korrozioni.

17
Përcaktimi i përbërjes kimike të ujit të detit bëhet me anën e mënyrave klasike të
analizës kimike. Përbërja kimike për një kampion 1000 gr ujë deti, që përmban 35 gr
kripë minerale e tretur (sipas Dittmar) paraqitet si më poshtë:

Përbërja kimike e ujit të detit


Pasqyra 1-1
Elementët kimik Sasia ( gr ) % ndaj 35 gr.
NaCl 27.21 77.70
MgCl2 3.81 10.88
MgSO 4 1.66 4.70
CaSO4 1.26 3.60
K 2 SO4 0.86 2.46
CaSO3 0.12 0.34
MgBr 2 0.07 0.22
etj. etj etj.

Në ujin e detit janë zbuluar më se 100 elementë kimik por jonet më të


rëndësishme janë Cl -, Na+, SO4 - -, Mg++,Ca++, K+, Si+,P,Fe,… Megjithëse P dhe Fe janë
në sasi shumë të vogla, ato janë tepër të rendësishme për jetën biologjike në det.
Kripshmëria, që është pesha totale e kriprave minerale të tretura në 1000 gr ujë
deti, ka një vlerë mesatare prej 35 gr dhe ndryshon nga një det në tjetrin (43 gr në Detin
e Kuq, 38 gr në Mesdhe, 32 gr në Atllantikun e Veriut dhe 10 gr në Detin Balltik), por
përqindjet e kripërave të ndryshme mbeten pothuaj të njëjta.
Për të përcaktuar kripshmërinë e një uji deti duhet të mbetemi të kënaqur me
gjetjen e sasisë së halogjeneve dhe sidomos të klorit Cl. Klorimi (Cl) është pesha e Cl, që
do të precipitonte sasi të njëjta të nitratit të argjëndit, si tërësia e halogjeneve të
përshtatshme në kg të kampionit të ujit të detit të analizuar.
Formula empirike e mëposhtme jep kripshmërinë në funksion të klorimit:
S = 0.03+1.805 (Cl).
Ndryshimi i kripshmërisë është kompleks.
Kripshmëria ndryshon në mënyrë të konsiderueshme në boshtin horizontal dhe
atë vertikal të thellësisë në estuare.
Paraqitja e kripshmërisë në sipërfaqe bëhet me anën e vijave me vlerë të njëjtë të
kripshmërisë të quajtura izohalinja.
Në zonën tonë bregdetare kripshmëria më e ulët vrojtohet në muajt e dimrit,
ndërsa më e lartë në muajt e verës. Vlerat më të larta të kripshmërisë rreth 39‰
vrojtohen para rreshjeve të vjeshtës, ndërsa vlerat më të ulta arrinë në rreth 30‰.
Kripshmëria mesatare mujore në Durrës ndryshon nga 35.8 ‰ në 38.8 ‰. Në ujërat e
lagunave bregdetare në periudhën e verës kur avullimi është maksimal kripshmëria
arrinë në vlera shumë më të larta.

18

You might also like