You are on page 1of 12

1.

Themelimi i Organizatës Ndërkombëtare të Punës dhe roli i saj në zhvillimin dhe


avancimin e legjislacionit ndërkombëtar të punës

Përderisa ideja për krijimin e legjislacionit ndërkombëtar të punës kishte filluar në shekullin e
nëntëmbëdhjetë, origjina formale në krijimin e Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ONP),
rrjedh në Konferencën e Paqes në Paris, mbi përfundimin e luftës së parë botërore. 1 Përgjatë
punimeve të konferencës, Komisioni i caktuar nga konferenca, për herë të parë në historinë
diplomatike mblodhi së bashku jo vetëm përfaqësuesit e qeverive, por gjithashtu edhe
përfaqësuesit e punëtorëve nga bota për t'i dhënë propozimet e tyre në lidhje me çështjet e kësaj
fushe. Në të vërtetë pjesa e XIII-të, e Traktatit të Versajës, e cila ka dalë nga punimet e kësaj
konference dhe pjesa dërmuese e këtyre dispozitave janë inkorporuar në Kushtetutën e ONP-së.

Pas konflikteve globale, paqja sociale ishte parë si një parakusht për ruajtjen e paqes në aspektin
e përgjithshëm. Kësisoj, ONP-së i ishte besuar ky objektiv 2 dhe i ishte dhënë kompetencë që të
krijojë parimet dhe standardet ndërkombëtare për të vënë në funksion qëllimin e proklamuar.

Aspirimi për një drejtësi sociale, përmes së cilës çdo i punësuar, femër ose mashkull, mund të
veprojë lirshëm dhe në bazë të mundësive të barabarta, ka ardhur vazhdimisht duke u rritur pas
themelimit të ONP-së. Për t'i zgjidhur problemet globale nga fusha e punës, organizata në fjalë
(ONP-ja), filloi aktivitetin e saj në nxjerrjen e konventave dhe rekomandimeve (burimet kryesore
juridike të saj), të cilat gjejnë aplikim në shtetet që i ratifikojnë ato.

E rëndësishme për t’u theksuar është fakti se ONP-ja ka status të personit juridik dhe përkundër
një Marrëveshje të veçantë me Kombet e Bashkuara, që ka hyrë në fuqi më 14 dhjetor të vitit
1946, sipas të cilës kjo organizatë cilësohet si agjenci e specializuar e OKB-së, ajo ka autonomi
të plotë si nga aspekti financiar, ashtu edhe nga aspekti administrativ.3

Standardet e funksionimit të ONP-së, karakterizohen në dy tipare të rëndësishme. Në rend të parë


burimet e tyre juridike kanë karakter universal,4 sepse intenca e tyre është që të gjejnë aplikim në
të gjitha shtetet që janë anëtare të saj. Në anën tjetër ato posedojnë një lloj fleksibiliteti në
zbatimin e tyre. Nëse konventat e nxjerra pranë kësaj organizate duhet të jenë universale dhe
kësisoj të arrihet zbatimi i tyre tek shtetet, tek të cilat zhvillimi ekonomik dhe aspekti ligjor
dallon prej një vendi në vendin tjetër, mënyra më e mirë (reale) për të arritur adoptimin e tyre

1
Për origjinën, krijimin dhe mandatin e ONP-së shih Morse, David “The Origin and Evolution of the ILO and its
role in the World Community (Ithaca, 1969); Alcock, A. History of the International Labour Organization (London,
1971); Nicolas Valticos, Droit international du travail, in Traite de droit du travail, Vol. 8 Botimi i dytë, Paris,
Dalloz, 1983, Chs. 1 dhe 2.
2
M. Humblet dhe M. Zarka-Martes, International labour standards in the service of social justice, fq. 9.
3
Hava Bujupaj - Ismajli, E Drejta e Punës, Prishtinë, 2014, fq. 59.
4
Jean- Michael Servais, Universal labour standards and national cultures. Labour Law: Its role trend and potential
2006 /2-3, No. 143-144, fq. 29 - 36
është fleksibiliteti,5 në mënyrë që të gjejë aplikim konventa në fjalë në pjesën dërmuese të
shteteve.6

Standardet (rregullat) ndërkombëtare të punës luajnë një rol të rëndësishëm, para se gjithash në
zhvillimin e njeriut si qenie njerëzore. Në pikëpamjet e njohësve të ndryshëm nga fusha
respektive, të adresuara në simpoziume dhe konferenca të ndryshme, është konstatuar ndër të
tjera se “puna nuk është një mollë, televizion apo ndonjë produkt tjetër, me të cilën palët mund ta
negociojnë për një profit më të lartë apo për ndonjë çmim më të ultë".7 Kësisoj, puna është pjesë
e përditshme e jetës sonë dhe është esenciale për dinjitetin e njeriut dhe zhvillimin e tij të
përgjithshëm si qenie njerëzore. Perceptimi i ideatorëve të ONP-së, në kohën e themelimit të saj
(1919), ishte që ekonomisë globale i nevojiten rregulla të reja në mënyrë që progresi ekonomik të
zhvillohet në përputhje me drejtësinë sociale, prosperitetin dhe paqen në përgjithësi.8

Gjithashtu, standardet ndërkombëtare të punës kanë ardhur duke u rritur falë veprimtarisë së
ONP-së, dhe efikasitetit të instrumenteve të saja mbikëqyrëse në punë dhe politikat sociale, si
dhe duke u kthyer në një mbikëqyrës të vazhdueshëm në dedikimin e arritjes së objektivave dhe
për t'i zgjidhur problemet e mundshme brenda shteteve të cilat janë anëtarë të saj (ONP).
Konventat dhe rekomandimet janë komponenti kryesor ligjor i determinizmit të punës së kësaj
organizate në zhvillimin progresiv global, promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm, si dhe asaj
që njerëzit të punojnë me dinjitet dhe siguri sa më të lart.

Për të arritur qëllimet e një pune të përshtatshme në ekonominë globale, kërkohet një efikasitet
në nivelin ndërkombëtar. Komuniteti ndërkombëtar po i përgjigjet kësaj sfide duke i zhvilluar
instrumentet ligjore në tregti, financa, të drejtat e njeriut dhe nga puna. Në këtë drejtim ONP-ja,
kontribuon në zhvillimin e sistemit juridik, duke siguruar që ky zhvillimi ekonomik të shkojë në
proporcion me garantimin e të drejtave të punëtorëve në fushat përkatëse.

Standardet ndërkombëtare të punës po perceptohen si determinues i fuqishëm në zhvillimin


ekonomik. Pagat e mira, kushtet e mira për punë, mund të përkthehen si motivim për punë dhe
zbutje të pakënaqësisë. Investimi në trajnimin dhe zhvillimin e të drejtave të të punësuarve, 9
mund të rezultojë në arritjen e standardeve të larta të punës.

Punimet e saja të para Konferenca e Përgjithshme e ONP-së (për të cilin organ do të flitet në
vijim), i ka zhvilluar në Washington D.C. në tetor të vitit 1919, nga e cila janë nxjerrë 6
Konventa dhe 6 Rekomandime.10

5
P.sh. paga minimale nuk mund të jetë e njëjtë në të gjitha shtetet, por shteteve ju kërkohet që të caktojnë
minimumin e pagës, duke u bazuar në zhvillimin ekonomik dhe rrethanat tjera që i përshtaten vendit përkatës.
6
M. Humblet dhe M. Zarka-Martres, vep. e cit, f. 3.
7
Po aty, f. 10.
8
International Labour Standards, Rules of the game for the global economy. Publikuar nga Zyra Ndërkombëtare e
Punes (Emërtimi zyrtar: International Labour Office), Gjenevë, 2014, f. 9.
9
Në kuadër të ONP-së, funksionon Qendra e trajnimeve me seli në Torino të Italisë. Informatat e detajuara të kësaj
qendre janë të qasshme në faqen: http://www.itcilo.org/en, qasur më 15 Tetor 2017.
10
M. Humblet and M. Zarka-Martres, International labour standards in the service of social justice, 2001, f. 4.
Padyshim që periudha pas krijimit të Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ONP), karakterizohet
me një praktikë të begatshme të rregullimit të marrëdhënieve të punës në sferën ndërkombëtare.
Hiq viteve 1939-1944, që korrespondojnë me Luftën e Dytë Botërore, periudha e mëpastajme
shquhet për një efikasitet në sferën legjislative dhe të veprimeve të tjera pozitive të ndërtuara nga
kjo organizatë.

Realisht ONP-ja njihet si një nga organizatat më të suksesshme ndërkombëtare në historikun e


funksionimit të saj.11 Mirëfilli është i ditur roli dhe kontributi i jashtëzakonshëm i kësaj
organizate në drejtim të zhvillimit të marrëdhënieve të punës në aspektin global.

Aktiviteti kryesor i ONP-së, në periudhën fillestare ishte i përqendruar në mbledhjen e


informatave, të materialeve të ndryshme, në përpunimin e tyre, si dhe në marrjen e masave për
zgjidhjen e problemeve nga sfera e marrëdhënieve të punës, me qëllim të sigurimit të paqes së
përhershme përmes drejtësisë sociale.

Në preambulën e Kushtetutës së ONP-së, numërohen prioritetet apo objektivat që ka për synim


kjo organizatë, ku ndër kryesoret bëjnë pjesë: orari i punës, mbrojtja nga papunësia, pagat
minimale, mbrojtja e punëtorëve kundër sëmundjeve, mbrojtja nga lëndimet në punë, mbrojtja e
fëmijëve, të rinjve dhe grave, mbrojtja e të punësuarve që operojnë jashtë shtetit të tyre si dhe
njohja e lirisë sindikale dhe asociimit.

Qëllimet, aktiviteti dhe veprimtaria e ONP-së janë përcaktuar në Kushtetutën e saj të miratuar në
vitin 1919,12 si dhe në Deklaratën e Filadelfias (1944), e cila u kishte prirë disa amendamenteve
kushtetuese të bëra në periudha të caktuara. Njëherësh kjo deklaratë është pjesë përbërëse e
Kushtetutës së ONP-së, apo thënë më saktë është aneks i saj.

Ndryshimet kushtetuese të aprovuara në vitin 1946 (si rrjedhojë e Deklaratës së Filadelfias),


kishin për qëllim forcimin e sistemit organizativ të ONP-së. Referencë kryesore e ndryshimeve
kishte të bënte me obligimin e shteteve për të raportuar në lidhje me efektet e dhëna, ose që pritet
të prodhojnë në të ardhmen, konventat apo rekomandimet e paratifikuara. Ndryshimet e tjera
ndërlidhen me procedurën në ekzaminimin e ankesave në pretendimet për mosrespektimin e
konventave.13 Përfundimisht një amendament kushtetues parashihte themelimin e një tribunali
për shqyrtimin, respektivisht interpretimin e konventave.

Në vitet në vijim ONP-në, e kishte karakterizuar aplikimi i disa parimeve bazike, të cilat
ndërlidheshin me mbikëqyrjen e aplikimit të konventave me karakter të rëndësishëm. Kështu në
vitin 1950, ishte parashikuar një procedurë specifike në mbrojtjen e Lirisë së Asociimit.14
11
Këtë fakt e ka dëshmuar koegzistenca e saj, si dhe efektet pozitive që ka sjellë në aspektin ndërkombëtar.
12
Teksti origjinal i Kushtetutës së vitit 1919, është ndryshuar me amendamentet e vitit 1922 të cilat kanë hyrë në
fuqi më 4 Qershor 1934; Instrumentet e Amendamentit të vitit 1945 hyrë në fuqi në 26 Shtator 1946; Instrumentet e
Amendamentit të vitit 1946 hyrë në fuqi më 20 Prill 1948; Instrumentet e Amendamentit të vitit 1953 hyrë në fuqi
më 20 Maj 1954; Instrumentet e Amendamentit të vitit 1962 hyrë në fuqi më 22 Maj 1963; Instrumentet e
Amendamentit të vitit 1972 hyrë në fuqi më 1 Nëntor 1974.
13
Shih nenet 26 dhe 34 të Kushtetutës.
14
ILO law on freedom of association: Standards and procedure, ILO, Geneva, 1995.
Parimet kryesore të proklamuara në Deklaratën e Filadelfias, të cilat u sendërtuan në Kushtetutën
e ONP-së janë: a) puna nuk është mall; b) varfëria kudo që të ekzistojë paraqet rrezik për
prosperitetin, c) bashkëpunimi ndërkombëtar ndërmjet tri palëve (qeverisë, punëdhënësve,
punëmarrësve) është i domosdoshëm, d) liria e shprehjes dhe liria bashkimit gjithashtu janë të
domosdoshme.

Deklarata shpreh decidivisht përparësinë e parimeve sociale në politikën ndërkombëtare, të cilat


realizohen me krijimin e kushteve ku të gjitha qeniet njerëzore, pa marrë parasysh racën, gjininë
dhe pikëpamjet religjioze, kanë të drejtë të punojnë për progresin e tyre material dhe shpirtëror,
për lirinë dhe dinjitetin e tyre dhe për siguri ekonomike në kushte të njëjta.15

Njëherësh, përveç përpunimit të parimeve kryesore, Deklarata në fjalë përcakton obligimin


moral të ONP-së që të ndikojë të të gjithë njerëzit e botës në marrjen e masave që do të siguronin
punësim sa më të madh, me qëllim të ngritjes së standardit jetësor, punësimit të punëtorëve në
vendet e punës ku do të mund t’i shprehnin plotësisht aftësitë e tyre profesionale, sigurimin e
pagave në atë nivel që do t’u mundësonte t’i mbulojnë shpenzimet e kostos së jetës, të drejtën në
negociata kolektive, zgjerimin e sigurimit social, sigurimin e kushteve të njëjta për shkollim dhe
arsim etj. Duke pasur në konsideratë faktin se në Kushtetutën e saj promovon paqen sociale,
ONP-ja, nuk mund të qëndrojë pasive para sfidave të ekonomisë globale. Përderisa zhvillimi
global ekonomik i ka përparësitë e veta, kjo gjithashtu po ndikon në rritjen e dallimeve mes
shteteve të pasura dhe shteteve të varfra, dhe brenda vetë shoqërisë. Edhe pas gati një shekulli të
funksionimit të ONP-së (1919), duhet pranuar faktin se ende ekzistojnë sfida në implementimin
e standardeve ndërkombëtare të punës16 në të gjitha shtetet, kjo për faktin e ndryshimeve në
zhvillimin ekonomik, shkallës së demokracisë, politikave të mirëqenies sociale dhe faktorëve të
tjerë relevantë, të cilët mund të ndikojnë në zhvillimin e përgjithshëm.

Përgjegjësitë e ONP-së, në sfidat e globalizimit shtrihen në dy dimensione. Në radhë të parë,


nevoja për të siguruar riafirmimin e të drejtave fundamentale të punëtorëve, 17 dhe së dyti,
Organizata ka shtuar angazhimet në modernizimin e sistemit të saj juridik, duke ju përshtatur
rrethanave aktuale të zhvillimeve që po e përcjellin shoqërinë. Këto angazhime janë fokusuar në
njërën anë në burimet juridike ekzistuese, të mbikëqyrura nga Këshilli Administrativ, në krijimin
e një grupi punues në mënyrë që të ekzaminojë instrumentet juridike ekzistuese dhe të japë
rekomandime për to, aty ku është e nevojshme, dhe në anën tjetër të hulumtojë për nevojat e
ardhshme që duhen adresuar.
15
Përmbajtja origjinale e Deklaratës së Filadelfias mund të gjendet në Botimin e Zyrës Ndërkombëtare të Punës -
International Labour Office, Geneva 2010, në versionet e gjuhës angleze dhe frënge, titulluar “ Constitution of the
International Labour Organisation and selected texts - Constitution de l’ Organisation international du Travail et
textes selectioness”.
16
Shih The ILO, standard setting and globalization, Report of the Director-General to the 85-th Session (1997) of
the Conference, ILO, Geneva, 1997, f. 7.
17
Shih Raportin e Zyrës Ndërkombëtare të Punës-International Labour Office, International Labour Standards, A
global approach f.10. Në dispozicion:
https://www.ilo.org/wcmsp5/groups/public/---ed_norm/---normes/documents/publication/wcms_087692.pdf , qasur
më 16 Tetor 2017.
Në punimet e Samitit Social të Kopenhagës18 të vitit 1995, janë identifikuar 8 (tetë) konventat
bazë të miratuara nga ONP-ja, të kualifikuara si fundamentale, për të cilat është promovuar një
kampanjë specifike. Për konventat respektive do të flitet në veçanti në Kapitullin e II-të.

2.1 Veçoritë kryesore të Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ONP)

Politikat e punës së ONP-së, nuk mund të përshkruhen mirë nëse së pari nuk i bëjmë një
hulumtim karakteristikave kryesore të cilat e personifikojnë punën e saj. Karakteristika kryesore
e cila e veçon këtë organizatë është tripartiteti i saj apo thënë ndryshe niveli i barabartë i
përfaqësimit të tri subjekteve që përherë janë pjesë e proceseve të cilat zhvillohen në kontekstin e
marrëdhënieve të punës: qeveria, organizatat e punëdhënësve dhe organizatat e punëmarrësve
(sindikatat).19

Kushtetuta e ONP-së (Neni 3 dhe 7), përcakton qartë se dy organet kryesore të saj, Konferenca e
Përgjithshme dhe Këshilli Administrativ, duhet të kenë përbërje tripartite, dhe natyrshëm kjo dhe
ka ndikuar në reflektimin e shteteve anëtare të ONP-së, që të harmonizojnë legjislacionet e tyre
kombëtare dhe të inkorporojnë partnerët socialë në mënyrë permanente në procesin e dialogut
social në të gjitha fushat e punës, negociatave kolektive dhe mirëqenies sociale. Një praktikë të
tillë e ka instrumentalizuar edhe Republika e Kosovës, ku në funksion të dialogut social dhe
aspekteve të tjera të politikave të punë dhe mirënie, ka aktiv Këshillin Ekonomiko Social
(04/L/008), në të cilin institucion janë të përfaqësuar në nivel nacional të gjithë partnerët socialë,
gjegjësisht qeveria, organizatat e punëdhënësve dhe organizatat e të punësuarve.

Është e kuptueshme që zhvillimit të legjislacionit të punës në aspektin ndërkombëtar, i ka


ndihmuar praktika e shteteve të zhvilluara, por në të njëjtën kohë edhe bashkëpunimi i
kënaqshëm në kuadër të kësaj organizate ndërmjet shteteve dhe organeve brenda ONP-së, ka
ndikuar që organizata të marrë mbi vete meritat e zhvillimit të marrëdhënieve të punës dhe të
çështjeve sociale.

Duhet theksuar që përbërja e dy organeve kryesore të ONP-së, (Konferencës së Përgjithshme dhe


Këshillit Administrativ), është tripartite20. Për më tepër, nxjerra e ndonjë konvente në
Konferencën e Përgjithshme kërkon votimin e dy të tretave të anëtarëve prezent, duke përfshirë
përfaqësuesit e qeverive, përfaqësuesit e punëtorëve dhe të punëdhënësve.

Konferenca si organi më i lartë, e cila ka për mandat të nxjerrë konventa dhe rekomandime (Neni
3 i Kushtetutës ONP), është e përfaqësuar nga secili shtet anëtar i organizatës me nga 4 delegatë
gjithsej (ku në përbërje përfshihen 2 nga qeveria dhe nga një delegat nga punëdhënësit,

18
Po aty, f. 11.
19
Po aty, f. 55.
20
Për shkak të rëndësisë së Tripartitetit, ONP-ja ka bërë ratifikimin dhe implementimin e Konventës (Nr.144) të vitit
1976, të Konsultimit Tripartit.
respektivisht punëmarrësit), të cilët kanë liri të plotë në adresimin e çështjeve të cilat ngrihen për
diskutim apo votim.

Në fakt është tripartiteti i cili e ka legjitimuar barabarësinë mes palëve, parim i cili i ka dhënë
fryt punës dhe të arriturave brenda këtij organizmi ndërkombëtar. Pa lirinë e Asociimit, ose me
fjalë të tjera, pa organizimin autonom dhe të pavarur të përfaqësuesve të punëtorëve dhe
punëdhënësve, për një mirëqenie të avancuar, parimi i tripartitetit do të rrezikohej, si dhe gjasat
për një drejtësi sociale, seriozisht do të ishin vështirë të realizueshme.21

Standardet ndërkombëtare të punës janë krijuar dhe mbikëqyrur nga struktura tripartitë, të cilat e
bëjnë ONP-në unike në sistemin e Kombeve të Bashkuara. Tripartizmi gjithashtu është i
rëndësishëm në nivelin nacional. Përmes konsultimeve tripartite, qeveritë mund të dëshmojnë që
standardet e ONP-së, aplikohen dhe mbikëqyren edhe nga ana e partnerëve tjerë social,
respektivisht të punëdhënësve dhe punëmarrësve.22

Aspektin tjetër pozitiv të cilën e ka ndërtuar për gati një shekull të ekzistimit të saj, e
karakterizon edhe universaliteti i saj, ku pjesë e kësaj organizate janë shumica dërmuese e
shteteve anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), por dhe shtete që nuk janë
pjesë e OKB-së.23 Veçantia e saj qëndron në faktin se brenda kësaj organizate të gjitha shtetet
janë të barabarta në procedurat e marrjes së vendimeve dhe në çështjet e tjera të cilat janë pjesë e
punës së saj.

Duhet thënë që tripartiteti dhe universaliteti janë dy prej elementeve qenësore që e karakterizojnë
punën e ONP-së. Standardet e inkorporuara përmes burimeve të saja juridike, i japin frymë dhe
zgjidhje çështjeve të cilat përfshijnë edhe raste të diversiteteve brenda shteteve, por që me një
fleksibilitet arrijnë që këto interesa të ndryshme t'i inkorporojnë më se miri brenda shteteve
nacionale.

Duke pasur parasysh tiparet e lartcekura, ato kanë ndihmuar që kjo organizatë të mundë të
funksionojë në mënyrë të përhershme,24 që po ashtu është një prej veçorive kryesore të kësaj
organizate dhe në këtë mënyrë të mundë t’u bëjë ballë sfidave të cilat, jo rrallëherë, ishin
paraqitur para saj, sfida këto të natyrshme kur të kihen parasysh aspiratat e shteteve të mëdha që
fuqia e tyre t’i shtrijë rrënjët edhe në këtë sferë, por që për organizatën interesi i përgjithshëm ka
pasur rolin primar, të cilën edhe e ka ruajtur në mënyrë të përsosur deri më tani.

Qëllimi i themelimit të ONP-se ishte që në mënyrë të vazhdueshme t’i studiojë çështjet nga sfera
e marrëdhënieve të punës dhe të politikës sociale, si dhe t’i propozojë masat për zgjidhjen sa më
të mirë të problemeve që paraqiten në këto sfera, për çka mund të të arrijmë në përfundim që kjo
21
Cituar nga fjalimi i z. Hector G. Bartolomei de la Cruz, Drejtori i Departamentit të Standardeve Ndërkombëtare të
Punës, dhe z. Giuseppe Querenghi, Drejtor i Byrosë për Aktivitete të Punës (ONP), në botimin “ILO Law on
Freedom of Association – Standards and Procedure”, të autorëve Alberto Odero dhe Oracio Guido, Geneva, 1995.
22
Shih International Labour Standards, Rules of the game for the globalized economy, 2014, f. 44.
23
Aktualisht 187 shtete janë anëtare të Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ONP).
24
Fakti që ONP-ja funksionon që nga viti 1919, tregon për rolin dhe rëndësinë historike të kësaj organizate.
organizatë e ka realizuar këtë çështje në mënyrë të suksesshme. Kuptohet që baza e fuqisë
vendimmarrëse, në mënyrë demokratike dhe në përputhje të plotë me legjislacionin
ndërkombëtar në fushën e marrëdhënieve të punës nga ana e organeve nacionale brenda një
shteti, burojnë pikërisht nga konventat dhe rekomandimet (për të cilat do të flitet në veçanti) që
nxirren në Konferencën e Përgjithshme të ONP-së si organi më i lartë legjislativ, e që të njëjtat
do duhej të ratifikoheshin nga parlamentet nacionale të atyre shteteve të cilat e kanë votuar atë
konventë apo rekomandim.

Kushtetuta e ONP-së në mënyrë të detajuar ka precizuar të gjitha rregullat dhe procedurat, të


cilat do duhet ndjekur nga palët pjesëmarrëse (shtetet) që nga momenti i fillimit të propozimit të
një konvente e deri të miratimi i saj.25 Praktika e funksionimit të kontrollit brenda organizatës
nga institucionet përkatëse mbi punën e më pastajme, të cilën e bëjnë shtetet në implementimin e
konventave të miratuara, ka bërë që shtetet në këtë drejtim të jenë të kujdesshme në
harmonizimin e legjislacionit nacional, duke pasur për bazë konventën e ratifikuar dhe njëherësh
obligimet që dalin nga ajo.

Andaj, në këtë kuptim rezultati pozitiv i funksionimit të ONP-së del të jetë pasi që shtetet janë të
interesuara që në raportimet e rregullta të cilat i dorëzohen mekanizmave relevantë përgjegjës në
kuadër të kësaj organizate, të jenë të kënaqshme dhe në harmoni me atë çka është akorduar, në të
kundërtën demaskimi i një shteti se ai nuk ka mundur që konventën e caktuar ta aplikojë,
padyshim se do mund t’i shkaktonte shumë kokëçarje në raporte me shtetet tjera dhe natyrisht në
imazhin e tij jo të mirë para përfaqësuesve të pothuaj të gjitha shteteve të botës.

Nga praktika e funksionimit të ONP-së është e ditur se në fillim të veprimtarisë së saj kjo
organizatë për bazë të punës së saj ka pasur evidencimin e problemeve të natyrave të të
ndryshme, të cilat e kanë përcjellë procesin e punës në aspektin ndërkombëtar, si dhe nxjerrjen e
konventave nga fusha përkatëse. Natyrisht në këtë kontekst, sidomos në kohën bashkëkohore,
angazhimi fillon me një intensitet edhe më të madh për rregullimin e një varg çështjesh të tjera të
aspekteve të punës në kohën e zhvillimit global.

Andaj pjesë e pandashme e zgjidhjes së këtyre zhvillimeve dhe e ballafaqimit me sfida të reja, të
cilat lindnin apo paraqiteshin përherë e më shumë, ishte kontributi i shteteve pjesëmarrëse,
gjegjësisht i organizatave të punëdhënësve dhe punëmarrësve nën ombrellën ku vepronin
bashkërisht brenda organizatës.

Kuptohet që sikur në çdo organizatë ndërkombëtare, evidencimi i diferencave dhe i


kundërshtimeve ishte dhe vazhdon të jetë i pranishëm me rastin e shqyrtimit qoftë të ndonjë
çështjeje për diskutim apo me rastin e nxjerrjes së ndonjë konvente, por që është i kuptueshëm
nga fakti i asaj se brenda kësaj shtëpie punuese preken tema të një karakteri të rëndësishëm në
aspektin e mirëqenies në nivel global. Është çdoherë ndihmuese të rikujtojmë faktin që aplikimi
dhe sendërtimi i standardeve (përmes konventave dhe rekomandimeve), ka qenë dhe vazhdon të
25
Kushtetuta e ONP-së, respektivisht nenet 19 – 21, i kushtojnë rëndësi stadeve – procedurave në miratimin e
Konventave.
jetë element esencial për stabilitetin social, progresin ekonomik dhe arritjen e paqes brenda
shoqërisë.

Asnjë sistem juridik nuk mund të jetë statik. Në kushtet e një zhvillimi të hovshëm ekonomik –
teknologjik dhe ndryshimeve sociale, është më se e domosdoshme të mirëpresim edhe nevojën e
zhvillimeve të koncepteve të reja, të cilat kanë rol ndikues në të ardhmen e të drejtës
ndërkombëtare të punë.26 Kësisoj, një numër i konsiderueshëm i konventave dhe rekomandimeve
janë ndryshuar gjatë viteve. Për më tepër një numër i vendimeve të nxjerra së fundmi nga
Këshilli Administrativ dhe Konferenca e Përgjithshme, kanë nxjerrë përfundimin se disa prej
konventave të aprovuara më herët, më nuk i përgjigjen nevojave aktuale. Si rezultat i këtij
përfundimi, kanë ardhur në shprehje veprime konkrete në rishikimin e një pjese të konventave, të
cilat kanë pasuar në shfuqizimin e disa prej tyre, apo ndryshimin e tyre.

Duhet theksuar që konventat e para përmbanin një klauzolë për rishikimin e tyre, sipas së cilës,
së paku një herë në 10 vite, Këshilli Administrativ duhej të përgatiste një raport për konferencën
se a duhet të jenë pjesë e diskutimeve në punimet e konferencës nevojat për shfuqizimin,
respektivisht modifikimin e ndonjë prej konventave të aprovuara. Sidoqoftë as Kushtetuta e
ONP-së, por as vetë konventat nuk e kanë paraparë një mundësi të tillë për rishikimin e
konventave. Kësisoj, Këshilli Administrativ vetë e kishte parashtruar këtë çështje në fundin e
dhjetëvjeçarit të parë të fillimit të punës (1929).

Një procedurë specifike në rishikimin e konventave që paraparë në Rregulloren e Punës


(Standing Order) të Këshillit Administrativ dhe të Konferencës të viteve 1928, respektivisht
1929. Kjo procedurë për herë të parë është aplikuar në vitin 1931, që për subjekt ndryshimi të
pjesshëm kishte konventën nr. 28 të vitit 1929 për mbrojtjen e punëtorëve në rast aksidenti. 27
Tutje gjatë historikut të punës së ONP-së, janë rishikuar edhe konventa të tjera 28, të cilat janë
konsideruar si të nevojshme për t'u trajtuar.

Këshilli Administrativ në mes të viteve 1995 – 2002, kishte rishikuar të gjitha konventat e
miratuara nga viti 198529 (duke mos i përfshirë konventat fondamentale të listuara më poshtë),
për të vlerësuar se a kanë nevojë të njëjtat të ndryshohen. Si rezultat i këtij rishikimi, Këshilli
Administrativ kishte konkluduar që disa prej këtyre konventave duhet të rishikohen, disa prej të
cilave kanë status të përkohshëm, disa janë të vjetruara dhe për disa të tjera nevojiten informata
shtesë.
26
Shih fjalimin hyrës të drejtorit të Departamentit të Zyrës Ndërkombëtare të ONP-së, Jean - Claude Javillier, në
publikimin e raportit të Zyrës Ndërkombëtare të Punës - International Labour Office, International Labour Standars:
A global approach 2009, f. 1.
27
Konventa nr. 28 është ndryshuar në vitin 1932 (Nr. 32) e cila është ratifikuar nga 46 shtete, si dhe me Konventën
Nr. 152 të vitit 1979 e cila kishte emërtimin e ri “Konventa për Mbrojtjen, Shëndetin dhe Sigurinë në Punë” e cila
është ratifikuar nga 26 shtete.
28
Shih publikimin nga Zyra Ndërkombëtare e Punës - International Labour Office, nga Sesioni 106 i Konferencës
Ndërkombëtare të Punës, ILC.106/VII/1. Agjenda dhe punimet e Konferencës janë në dispozicion:
http://www.ilo.org/ilc/ILCSessions/106/reports/reports-to-the-conference/WCMS_431648/lang--en/index.htm , qasur
më 18 Tetor 2017.
29
International Labour Standards: Rules of the game for the global economy, f. 20, 2014.
Për më tepër në vitin 1997, Konferenca e përgjithshme adoptoi amendamentin kushtetues të
ONP-së, me të cilin do të lejonte shfuqizimin (abrogimin) e konventës e cila është në fuqi, por që
është e vjetruar apo që nuk është në përdorim, nëse për këtë masë votojnë dy të tretat e anëtarëve
të konferencës. Ky amendament, është ratifikuar nga 120 shtete anëtare dhe ende nevojitet
ratifikimi edhe i dy shteteve për të hyrë në fuqi.

Si çështje tjetër e cila kishte ngre shqetësime, ishte ajo e konsekuencave për tekstet e ndryshme
të konventave që adresojnë subjektin e njëjtë. Kështu që një numër i anëtarëve të Këshillit
Administrativ, kishte kërkuar me të drejtë uniformitetin e legjislacionit, në të kundërtën nëse
vazhdohej me revizionimin e vetëm disa konventave, do të mund të prodhonin pasojat në jo -
uniformitetin e tyre.30

Kushtetuta e ONP-së në Nenin 2, përcakton përbërjen e saj strukturore.

2.1.1 Konferenca e përgjithshme: Nga aspekti i veprimit dhe i pasojave juridike që krijojnë
aktet e nxjerra nga organi në fjalë (konventat), mund të krahasohen me ligjet që nxirren nga
parlamentet në nivel nacional. Konferenca është organi, respektivisht institucioni më i lartë i
kësaj organizate ndërkombëtare.

Përbërja e saj është tripartite (dy përfaqësues nga qeveria, ndërsa nga një përfaqësues janë nga
punëdhënësit dhe punëmarrësit, të emëruar nga shtetet anëtare të ONP-së). Përfaqësuesit e
punëdhënësve dhe të punëmarrësve, emërohen apo zgjedhen nga organizatat më reprezentative
në nivelin nacional. Përfaqësuesit e zgjedhur janë të lirë në diskutime dhe në votim, pavarësisht
se si votojnë, përfaqësuesit e qeverisë së shtetit përkatës.31

Punimet e saj, si rregull, i zhvillon një herë në vit, mirëpo sipas nevojës mund të mblidhet edhe
më shpesh. Ashtu siç u theksua, konferenca është i vetmi organ ligjdhënës i autorizuar për të
nxjerrë konventat dhe rekomandimet, që njëherësh janë baza kryesore e fushës legjislative.

Në raste të caktuara, varësisht nga trajtimi i çështjeve që mund të paraqiten, ky organ mund të
miratojë edhe rezoluta që kanë ndikim të konsiderueshëm në sferën e marrëdhënieve të punës,
por që fuqia juridike e tyre nuk është e njëjtë sikurse e konventave dhe rekomandimeve të tjera.

Përveç kompetencave të këtij organi në aspektin legjislativ, kompetencat e tjera shtrihen edhe në
fushën e emërimeve dhe planeve të tjera në organizim, si: përcaktimi i buxhetit vjetor të ONP-së,
vendosja për të gjitha çështjet me rëndësi që i propozon këshilli administrativ, emërimi i
anëtarëve të këshillit administrativ si dhe kompetenca të tjera.32

30
Në raportin e Zyrës Ndërkombëtare të Punës, të cituar“International Labour Standards - A global approach” f. 5,
merret si referencë intervenimi i bërë nga anëtari i Këshillit Administrativ z. Mahaim, në Sesionin e 38 të vitit 1928.
31
International Labor Law and Domestic Law, A training manual for judges, lawyers and legal educators, Edited by
Xavier Beaudonnet, International Training Center of ILO, Torino, 2010, f. 8.
32
Hava Bujupaj - Ismajli, vep. e cit. f. 61.
Duke pasur në konsideratë përbërjen tripartite të konferencës, njëherësh kjo ka kushtëzuar në
krijimin e tri grupeve punuese të qeverisë dhe kësisoj edhe të punëdhënësve dhe punëmarrësve.
Këto grupe paraqesin mekanizmin aktiv të konferencës në hartimin e punimeve dhe të gjitha
atyre çështjeve të cilat paraqiten në suaza të kompetencave të tyre.

2.1.2 Këshilli Administrativ: Organ tjetër i rëndësishëm dhe që realisht mund të quhet motor i
gjithë veprimtarisë në aspektin e përgjithshëm të ONP-së, është Këshilli Administrativ. Nëse
organin e parë (Konferencën e trajtuam si Parlament), Këshilli ngjason në rolin e një qeverie në
relacionin nacional. Ky organ ka një rol të rëndësishëm, mban përgjegjësi të përgjithshme për
bashkërendimin e të gjitha veprimeve brenda organizatës, që duhet të realizohen përbrenda
mjeteve financiare të cilat i disponojnë.

Ndër detyrat kryesore të këtij organi janë se: shqyrton projektin e buxhetit vjetor të ONP-së,
përcakton formën sipas së cilës shtetet janë të obliguara t’i paraqesin raportet e tyre lidhur me
zbatimin e konventave dhe rekomandimeve, emëron drejtorin e ONP-së etj. Këshilli
Administrativ takimet i zhvillon në Gjenevë dhe mblidhet tre herë brenda viti, respektivisht në
muajin mars, qershor dhe nëntor .33

Duhet potencuar se përbërja e Këshillit ka pësuar ndryshime, duke pasur parasysh ndryshimet
kushtetuese të cilat e kanë përcjellë Organizatën. Aktualisht ky organ në përbërje ka 56 anëtarë
(28 nga qeveria, ndërsa nga 14 nga dy organizatat – punëdhënësit, respektivisht punëmarrësit).

Nga numri i përgjithshëm prej anëtarëve që i përfaqësojnë qeveritë (gjithsejtë 28), dhjetë
përfaqësues i kanë shtetet anëtare, të cilat janë më të zhvilluara industrialisht, ndërsa 18
(tetëmbëdhjetë) shtetet anëtare të cilat, për qëllime të njëjta, i caktojnë delegatët qeveritarë në
konferencë, duke i përjashtuar delegatët e shteteve të lartpërmendura. 34 Ky organ, sa herë që ta
shohë të arsyeshme, do të përcaktojë se cilat shtete anëtare janë më të rëndësishme në aspektin
industrial dhe t’i institucionalizojë rregullat me të cilat do të sigurohej shqyrtimi.

2.1.3 Zyra (Byroja) Ndërkombëtare e Punës: E gjithë veprimtaria administrative-teknike është


e fokusuar në Byronë Ndërkombëtare të Punës (BNP). Ky organ u krijon apo u siguron kushte
për punë Konferencës së Përgjithshme dhe Këshillit Administrativ, por gjithashtu është
ndërmjetësues midis shteteve anëtare të ONP-së dhe i mban lidhjet ndërmjet përfaqësuesve të
punëdhënësve dhe punëmarrësve.

Në mesin e kompetencave kryesore, të cilat janë në funksion të BNP-së, si kryesoret janë:


mbledhja, përpunimi dhe shpërndarja e informatave që kanë të bëjnë me rregullimin
ndërkombëtar të kushteve të punës, përgatit dokumentacionin dhe materialin tjetër për punën e

33
International Labor Law and Domestic Law, A training manual for judges, lawyers and legal educators, Edited by
Xavier Beaudonnent, International Training Center of ILO, Torino, 2010, f. 8.
34
International Labor Law and Domestic Law, A training manual for judges, lawyers and legal educators, Edited by
Xavier Beaudonnent, International Training Center of ILO, Torino, 2010, f. 8.
dy organeve të tjera (Konferencës dhe Këshillit), u jep ndihmë qeverive të shteteve sipas
kërkesës së tyre, ndjek zbatimin e konventave dhe rekomandimeve nga ana e shteteve anëtare.35

Barra e përgjegjësisë në drejtimin e punës dhe veprimtarisë së këtij organi është në kompetencën
e Drejtorit të Përgjithshëm, të cilin e zgjedh Këshilli Administrativ në një periudhë kohe prej
pesë vitesh. Në të njëjtën kohë drejtori i përgjithshëm (gjeneral) ushtron edhe funksionin e
Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës Ndërkombëtare të Punës.

Ministritë e shteteve anëtare që merren me çështjet e punës dhe të punësimit, munden


drejtpërdrejt të komunikojnë me drejtorin e përgjithshëm nëpërmjet përfaqësuesve të qeverisë së
tyre në Këshillin Administrativ të Byrosë Ndërkombëtare të Punës, 36 por nëse nuk ka përfaqësues
të tillë, këtë e bën nëpërmjet ndonjë funksionari tjetër të kualifikuar për atë qëllim dhe të caktuar
nga ana e qeverisë së shtetit të interesuar. Duhet theksuar që Zyra Ndërkombëtare e Punës
operon me zyra të saja në shumicën e vendeve të botës, në mënyrë që të zhvillojë kontaktin e
drejtpërdrejtë me shtetet anëtare, respektivisht partnerët socialë.

Përveç organeve të lartpërmendura, në kuadër të ONP-së veprojnë edhe organe të tjera ndihmëse,
si: komisionet dhe komitetet, roli i të cilave është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Në këtë kuadër
veprojnë shumë komisione, por që më të rëndësishmet janë: Komisioni administrativ për buxhet,
Komisioni i Ekspertëve për zbatimin e konventave dhe rekomandimeve, Komisioni i përhershëm
për bujqësi, Komisioni për organizata ndërkombëtare dhe Komisioni për kërkim dhe pajtim në
sferën e lirive sindikale.

Prej komiteteve që luajnë rol të rëndësishëm janë: Komiteti për liri sindikale, Komiteti kundër
diskriminimit dhe Komiteti për ankesa. Rol të rëndësishëm në kuadër të Organizatës luajnë edhe
komisionet e posaçme, detyra e të cilave është në angazhimin për përmirësimin e kushteve të
punës dhe të jetës së punëtorëve në degë dhe veprimtari të ndryshme.

Organizata Ndërkombëtare e Punës, në kuadër të dispozitave kushtetuese,37 do bashkëpunojë me


çdo organizatë të përgjithshme ndërkombëtare, detyrë e së cilave është koordinimi i veprimeve
ndërkombëtare të organizatave juridiko-publike të ngarkuara me çështje profesionale në lëmenj
të ngjashëm.

ONP-ja gjithashtu mund të miratojë dispozita përkatëse (Neni 12 i Kushtetutës) sipas të cilave
përfaqësuesit e organizatave ndërkombëtare publike-juridike marrin pjesë pa të drejtë vote në
shqyrtimin e çështjeve të caktuara. Nëse konsiderohet e nevojshme, ONP-ja mund të marrë të
gjitha masat e nevojshme për këshilla me organizatat e pranuara ndërkombëtare joqeveritare,
përfshirë edhe organizatat ndërkombëtare të punëdhënësve, punëtorëve dhe bujqve.

Në lidhje me çështjet buxhetore, sipas Nenit 13 të Kushtetutës, ONP-ja mund të lidhë


marrëveshje financiare që i konsideron të volitshme me Kombet e Bashkuara, mirëpo derisa këto
35
Po aty, f. 9.
36
The International Labour Organisation – The first decade, Përmbledhje nga Albert Thomas, 1938, f. 322.
37
Kushtetuta e ONP-së, Neni 12.
marrëveshje nuk janë të lidhura, atëherë secili prej vendeve anëtare do t’i paguajë shpenzimet e
rrugës dhe shpenzimet e qëndrimit të delegatëve dhe të këshilltarëve të vet teknikë, si dhe të
përfaqësuesve që marrin pjesë në seancat e Konferencës dhe të Këshillit Administrativ.

Shpenzimet e tjera të Byrosë se Punës, të Konferencës dhe të Këshillit Administrativ, do t’i


paguajë drejtori i përgjithshëm nga buxheti i ONP-së. Aprovimi i buxhetit të ONP-së është në
kompetencë të Konferencës, e cila duhet ta miratojë buxhetin me shumicën e 2/3 të anëtarëve të
pranishëm.

Duke pasur parasysh rolin dhe kontributin e dhënë në aspektin ndërkombëtar për sensibilizimin e
opinionit dhe arritjen e rezultateve në sferën e marrëdhënieve nga puna, ONP-ja në vitin 1969
merr Çmimin Nobel për Paqe.38 Ky shpërblim natyrisht që ishte motiv i mirë për vazhdimin e
aktivitetit dhe arritjes së rezultateve të tjera të rëndësishme pozitive.

38
Për më shumë shih faqen zyrtare të ONP-së: https://www.nobelprize.org/nobel_prizes/peace/laureates/1969/,
qasur më 20 Tetor 2017.

You might also like