You are on page 1of 12

UNIVERSITETI I PRISHTINËS

Fakulteti i Filologjisë

Dega: Gjuhë Shqipe

FORMAT FOLJORE ANALITIKE TË DËFTORES


(PUNIM SEMINARIK)

Profesori: Studentja:
Prof.Ass.Dr. Shpëtim Elezi Vesa Avdiu

Prishtinë, qershor 2021


PËRMBAJTJE

Abstrakt....................................................................................................................................3

1. Hyrje.............................................................................................................................4
2. Sistemi foljor i gjuhës
shqipe........................................................................................5
2.1. Mjetet gamatikore të sistemit
foljor.......................................................................5
3. Mënyra dëftore.............................................................................................................6
3.1. Format foljore analitike të
dëftores........................................................................7
3.2. Kohët e
kryera........................................................................................................7
3.3. Kohët e
ardhme......................................................................................................8
4. Zgjedhimi jovepror.....................................................................................................10
5. Përfundime.................................................................................................................11

Bibliografia....................................................................................................................................12
ABSTRAKT

Punimi si tërësi ka pretendime të trajtojë format foljore analitike të dëftores, në rrafshin e


gramatikës historike të gjuhës shqipe. Do të tregohen të gjitha format që janë krijuar në këtë
formë, duke marrë edhe shembuj.

Qëllimi i këtij punimi është të paraqesë në mënyrë sa më të qartë dhe sa më


gjithpërfshirëse të gjitha format e foljes së mënyrës dëftore, që janë analitike, duke i përfshirë
edhe kohët e kryera edhe kohët e ardhme të kësaj mënyre.

Në këtë punim do të shihen këto forma duke i dalluar ato nga kohët sintetike të mënyrës
dëftore. Do të vihen re edhe format e diatezave veprore e joveprore në kuadër të këtij punimi.

3
1. HYRJE

Në punimin seminarik me temën “Format foljore analitike të dëftores” do të mundohemi të


paraqesim një punim sa më të detajuar e sa më të saktë rreth përdorimit të këtyre formave.

Do të shikohen se cilat kohë janë zhvillime të brendshme të shqipes e cilat kohë janë të
trashëguara. Pse quhen të tilla e si kanë ardhur deri te këto forma analitike të gjuhës shqipe.

Në këtë hulumtim do të shikohen vetëm kohët e mënyrës dëftore dhe vetëm ato që janë të
përbëra, pra, analitike. Do ta shikojmë cilat janë mbaresat e tyre, si bëjnë diatezat dhe evoluimi i
tyre deri në ditët e sotme të shqipes.

Për ta bërë punën më të lehtë e kemi ndarë në kapituj këtë punim dhe secili prej tyre do të
ketë një temë të veçantë. Fillimisht, do të flasim në mënyrë të përgjitshme për foljen, si pjesë të
ligjëratës. Pastaj, do të shikojmë mënyrën dëftore e mandej edhe format analitike, të cilat do të
ndahen në kohë të kryera dhe të ardhme.

4
2. Sistemi foljor i gjuhës shqipe

Folje quhet ajo pjesë e ligjëratës që tregon një veprim si proces dhe që ka kategoritë
gramatikore të vetës, të numrit, të mënyrës, të kohës dhe të diatezës. Folja përbën bërthamën
kryesore të fjalisë. Ajo ka format e shtjelluara dhe ato të pashtjelluara. 1

Gjuha indoevropiane prej së cilës buron shqipja, ka pasur një sistem foljor mjaft të zhvilluar,
nëpërmjet të cilit shpreheshin format e ndryshme vetore, modale, kohore, aspektore etj.

Gjuha shqipe ka bërë ndryshime shumë të mëdha në sistemin e saj foljor në krahasim me
tipin e lashtë indoevropian. Shumë forma foljore janë zhdukur dhe disa forma kohore janë
shkrirë në një formë të vetme. Në vend të tyre janë krijuar forma të reja në zhvillim të
brendshëm. Kanë ndryshuar edhe mjetet gjuhësore me të cilat shqipja bën dallimin e formave
vetore, modale e kohore. Të gjitha këto kanë bërë që ky sistem të paraqitet i riorganizuar.

Elementet e gjuhës indoevropiane që ka ruajtur sistemi foljor i gjuhës shqipe janë:

- Temat e formave kohore;

- Disa mbaresa foljore;

- Format e apofonisë në të dy format e saj, cilësore dhe sasiore;

- Prapashtesat e formave të pashtjelluara;

- Prapashtesat e aoristit sigmatik dhe

- Prapashtesat e mënyrës dëshirore.2

2.1. Mjetet gramatikore të sistemit foljor

Mjetet me të cilat shqipja ndërton format gramatikore të foljeve janë të shumta e të


ndryshme. Disa prej tyre janë të trashëguara, disa të tjera janë krijuar në zhvillimin e saj të
brendshëm. Mjete të tilla janë:

1
Gramatika e gjuhës shqipe, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, fq., Tiranë, 2002
2
Bazat e gramatikës historike të gjuhës shqipe, Kolec Topalli, fq. 168, Tiranë, 2011

5
1. Mbaresat vetore (hapa – hape). Janë mjetet më të shpeshta që përdoren për ta bërë
dallimin e formave foljore. Mbaresa të trashëguara janë: -m, -më, -të, -ë, -n dhe –në.
2. Zanoret anaptitike (hapim, punonjëmë). Janë tinguj që shtohen ndërmjet temës dhe
mbaresës kur e para mbaron dhe e dyta fillon me një bashkëtingëllore. Në sistemin foljor
të shqipes zanore anaptitike janë –ë-ja dhe –i-ja.
3. Bashkëtingëlloret antihiatizuese (lava, punoja). Kryejnë të njëjtin funksion si zanoret
anaptitike. Ato ndërhyjnë ndërmjet zanoreve të dy morfemave për të mënjanuar
ndeshjen e tyre. Të tilla janë: -v-, -h- dhe –j-.
4. Prapashtesat trajtëformuese (shkofsha). Përdoren për të ndërtuar forma foljore, janë të
trashëguara dhe të formuara në zhvillimin e brendshëm të shqipes.
5. Ndërrimet fonetike në temë (dal ~ del ~ dil ~ dola). Janë një mjet i hershëm gramatikor,
që bën dallimin e formave gramatikore duke ndryshuar një zanore a një
bashkëtingëllore.
6. Ndryshimi i gjatësisë së zanoreve (v. I hā – v. II dhe III hă). Dukuria shfaqet në format e
së tashmes së disa foljeve që dalin me rrokje të hapura.
7. Foljet ndihmëse (kam larë – jam larë). Janë mjete analitike që formojnë forma të
përbëra.
8. Foljet modale dhe foljet aspektore (mund të vij, do bërë). Foljet modale, që shprehin
nuance modale të veprimit foljor, janë të ngurosura. Ato shprehin mundësi a
domosdoshmëri.
9. Pjesëzat që krijojnë forma analitike (të shkoj, do të shkoj). Mjet gramatikor, me anë të të
cilave ndërtohen forma të ndryshme modale, aspektore e kohore.
10. Supletivizmi (shoh – pashë, jam – qeshë). Dukuri e trashëguar, e cila gjendet në gjuhët e
vjetra e të reja, ku disa forma kohore shprehen me folje rrënjësh të ndryshme.3

3. Mënyra dëftore

Dëftorja nga pikëpamja e modalitetit karakterizohet negativisht, duke qenë se folësi


nëpërmjet formave foljore të kësaj mënyre, në përgjithësi, vetëm pohon që një veprim, po kryhet,
është kryer ose do të kryhet, pa shprehur njëkohësisht edhe qëndrimin e tij në formën e një

3
Bazat e gramatikës historike të gjuhës shqipe, Kolec Topalli, fq. 172-174, Tiranë, 2011

6
dëshire, dyshimi, emocioni etj. Për më tepër, format foljore të dëftores, nuk kanë ndonjë tregues
modal të veçantë.4

Mënyra dëftore i dallon format sintetike dhe ato analitike. Kohët sintetike të mënyrës
dëftore janë: e tashmja, e pakryera dhe e kryera e thjeshtë. Ndërsa, kohët analitike janë: e kryera,
më se e kryera, e kryera e tejshkuar, e ardhmja, e ardhmja e përparme, e ardhmja e së shkuarës
dhe e ardhmja përparme e së shkuarës.

3.1. Format foljore analitike të mënyrës dëftore

Siç u cek më lart, që gjuha shqipe ka krijuar një sërë formash foljore analitike. Fillimisht,
është shfaqur koha e kryer dhe mbi bazën e saj më pas janë krijuar edhe dy formimet e tjera
kohore analitike të së shkuarës.

– Mjetet me të cilat ndërtohen format foljore analitike janë: foljet ndihmëse, foljet modale
dhe aspektore dhe pjesëzat.

– Foljet ndihmëse janë mjete analitike që formojnë forma foljore të përbëra (kam bërë, jam
bërë).

– Foljet modale dhe aspektore janë gjithashtu mjete analitike. Foljet modale, që shprehin
nuanca modale të veprimit foljor, janë të ngurosura. Ato mund të shprehin sidomos
mundësi a domosdoshmëri. Të tilla janë: mund (mund të shkosh), do (do bërë), duhet
(duhet bërë).

– Pjesëz që shërben për të ndërtuar forma foljore analitike te mënyra dëftore, është pjesëza
do e kohës së ardhme, që në origjinë ka qenë një folje (dua).

3.2. Kohët e kryera

Forma të kohëve të kryera analitike ka krijuar edhe gjuha shqipe, madje, forma të tilla janë
krijuar për të gjitha mënyrat e tjera, përveç urdhërores, modaliteti i së cilës nuk përputhet me
kohën e kryer. Si pikë referimi kohor për këto forma mund të jetë e tashmja, e shkuara dhe e
ardhmja.

4
Gramatikë historike e gjuhës shqipe, Shaban Demiraj, fq. 309, Tiranë, 2002

7
Në dialektin e Veriut janë krijuar edhe forma të mbipërbëra, që zakonisht nuk kanë ndonjë
pikë referimi të ndryshme nga kohët e tjera, por përdoren për ta larguar më shumë në kohë
veprimin foljor, p.sh.: Paskan pasë kenë tre vllazen. Në të folme të gegërishtes janë krijuar
forma të kryera edhe me format e pashtjelluara, p.sh.; Me e pasë pa atë gjallë...

Forma analitike e së kryerës (kam larë – jam larë) është e përbërë prej dy elementesh, që
janë të lidhur aq ngushtë, saqë midis tyre nuk mund të ndërfutet ndonjë element tjetër. Pjesorja e
shkuar, e cila e mbart kuptimin leksikor të foljes përkatëse, ka luajtur rolin kryesor për të
shënjuar përfundimin e veprimit, ndërsa folja ndihmëse në formën e kohës së tashme ka shërbyer
për të shënjuar lidhjen e këtij veprimi të përfunduar me çastin e ligjërimit.

Format relative të së kryerës (më se e kryera dhe e kryera e tejshkuar) mund ta kenë si pikë
referimi të pakryerën ose të kryerën e thjeshtë, që janë forma absolute të së shkuarës. Megjithëse
në përbërjen e tyre kanë folje ndihmëse me kuptime aspektore të ndryshme (kisha punuar – pata
punuar), kuptimet aspektore të këtyre dy kohëve relative janë neutralizuar. Shkaku i kësaj
dukurie është se foljet ndihmëse kam e jam, që përdoren për ndërtimin e këtyre formave kohore,
e kanë shume të zbehtë opozicionin e pakryer – e kryer, kështu, këto dy forma kohore janë
kthyer në forma sinonimike dhe përdorimi i tyre ka më fort karakter stilistik sesa gramatikor.5

3.3. Kohët e ardhme

Kohët e ardhme janë gjithashtu formime të brendshme të shqipes.

Për të shprehur kohën e ardhme janë krijuar forma analitike nga togje foljore, ku si folje
ndihmëse ose modale shërbejnë foljet dua dhe kam, ndërsa folja kryesore mund të jetë në
mënyrën lidhore ose në formën e paskajores.

Forma e krijuar me folje dua (do të shkoj) është quajtur futurum voluntatis, meqenëse
togjet foljore, të ndërtuara me këtë folje, në krye të herës kanë shprehur dëshirën e vullnetin e
folësit, kurse format e krijuara me foljen kam (kam për të shkuar), janë quajtur futurum
necessitates, meqenëse togjet foljore, kanë shprehur një nevojë a një domosdoshmëri.

Në tipin e së ardhmes me foljen kam, meqenëse paskajorja është formë foljore jovetore (e
pazgjedhueshme), kategoritë gramatikore i shënon folja kam, e cila ndryshon gjatë tërë
5
Bazat e gramatikës historike të gjuhës shqipe, Kolec Topalli, fq. 202, Tiranë, 2011

8
paradigmës së zgjedhimit. Kurse, në tipin e së ardhmes me foljen dua, meqenëse kategoritë
gramatikore i shënon folja e mënyrës lidhore, vetë folja do është ngurtësuar duke u kthyer në
tregues monofunksional vetëm për kategoritë e kohës së ardhme për të gjitha format.

Në futurin (do të punoj) forma e ngurosur do e foljes dua, nuk është përftuar nga funksioni
si folje gjysmëndihmëse modale, sepse këtë funksion nuk e ka pasur e as që e ka forma veprore e
foljes dua. Prandaj, funksioni gjysmëndihmës modal i formës do del të jetë përftuar nga ndikimi i
formës duhet.6

Dy janë format foljore që kanë shërbyer si model për ndërtimin e formave të tjera të së
ardhmes. Njëra është e ardhmja e tashme (do të punoj), që ka shërbyer si model për të krijuar të
ardhmen në të shkuarën (do të punoja), ku lidhorja e pakryer ka zëvendësuar lidhoren e tashme.

Forma tjetër është koha e kryer (kam punuar), sipas së cilës janë krijuar format do të kem
punuar, nga do të kem + punuar (e ardhme + pjesore) dhe do të kisha punuar nga do të kisha
+ punuar (e ardhme në të shkuarën + pjesore).

Format e së ardhmes në të shkuarën përdoren edhe si mënyrë kushtore, për të shprehur


veprime që varen nga një kusht i caktuar. E ardhmja në të shkuarën përdoret si kushtore e
tashme, kurse e ardhmja e përparme në të shkuarën përdoret si kushtore e kryer.

Në Veri përdoret më shumë forma kam + paskajore, kurse në Jug, meqenëse, Jugu nuk e ka
atë formë të paskajores, është përhapur forma tjetër, dua + lidhore.

Sa i përket dokumentimit të tyre, në dialektin e Veriut, që është dokumentuar më herët dhe


ka më shumë të dhëna, të dy tipat e së ardhmes shfaqen që në dokumentet më të lashta: tipi me
foljen kam + paskajore shfaqet si forma kryesore në veprën e parë të gjuhë shqipe, të shkruar në
gjysmën e dytë të shekullit XVI; kurse e ardhmja me foljen do + lidhore shfaqet për herë të parë
në Fjalorthin e Arnold von Harff-it, që vizitoi Shqipërinë më 1497.

Të gjitha këto dëshmojnë vjetërsinë e këtyre formave të së ardhmes, krijimi i të cilave arrin
periudhën paraletrare të shqipes.

6
Periodizimi i ndryshimve morfologjike të shqipes, Besim Bokshi, fq. 62, Prishtinë, 2010.

9
4. Zgjedhimi jovepror

Kategoria gramatikore e diatezës, ashtu si mpnyra dhe koha, i përket vetëm sistemit foljor.
Me anë të saj marrëdhëniet ndërmjet subjektit dhe veprimit foljor shprehen me forma të
ndryshme foljore.

Zgjedhimi jovepror bëhet me anë të tri mjeteve në mënyrën dëftore: me anë të mbaresave të
prapavendosura, me anë të pjesëzës –u dhe me anë të foljes ndihmëse jam.

Te foljet analitike zgjedhimi jovepror bëhet me foljen ndihmëse jam, e cila përdoret kështu
në kundërvënie me foljen ndihmëse kam të formave veprore të së kryerës (e kryera - kam larë ~
jam larë, më se e kryera - kisha larë ~ isha larë dhe e kryera e tejshkuar - pata larë ~ qeshë
larë).

Nga të gjitha mjetet për formimin e zgjedhimit jovepror, mjeti më i ri është me foljen
ndihmëse jam.

Zgjedhimi jovepror te kohët e së ardhmes bëhet në këtë formë:

Koha e ardhme: do të laj – do të lahem (me prapavendosje te mbaresës –em, sikur te e


tashmja e dëftores);

Koha e ardhme e përparme: do të kem larë – do të jem larë (me anë të foljes ndihmëse
jam);

Koha e ardhme e së shkuarës: do të laja – do të lahesha (me prapavendosje të mbaresës –


esha, sikur te e pakryera e dëftores);

Koha e ardhme e përparme e së shkuarës: do të kisha larë – do të isha larë (me anë të foljes
ndihmëse jam).

10
5. Përfundime

Nga sa pamë në këtë punim seminarik, mund të vërehet qartë evolucioni i madh që kanë
pësuar format foljore analitike të dëftores.

Vërejtëm se dëftorja kishte 10 kohë dhe se këto kohë ndaheshin në kohë sintetike dhe në
kohë analitike. Prej tyre vetëm 3 janë sintetike, kurse 7 janë analitike, duke përfshirë këtu tri
kohët e së shkuarës (kohën e kryer, kohën më se të kryer dhe kohën e kryer e tejshkuar), edhe 4
kohët e së ardhmes (kohën e ardhme, kohën e ardhme të përparme, kohën e ardhme të së
shkuarës dhe kohën e ardhme të përparme të së shkuarës).

Këto kohë analitike, pra, të përbëra, ndërtohen me anë të mjeteve të ndryshme gramatikore
në mënyrë që të jenë të përbëra. E pamë, se ato ndërtohen me anë të foljeve ndihmëse, me anë të
foljeve modale dhe aspektore dhe me anë të pjesëzave.

Në sy ra edhe krijimi i disa formave analitike nga disa forma të tjera, për shembull koha e
kryer ndërtohet mbi bazën e së tashmes, koha më se e kryer ndërtohet mbi bazën e së pakryerës
dhe koha e kryer e tejshkuar ndërtohet mbi bazën e së kryerës së thjeshtë.

Kjo gjë vërehet edhe te kohët e ardhme. Format foljore që kanë shërbyer si model për
ndërtimin e formave të tjera të së ardhmes janë e ardhmja e tashme, që ka shërbyer si model për
të krijuar të ardhmen e së shkuarës. Ndërsa, forma tjetër është koha e kryer, sipas së cilës janë
krijuar format do të kem punuar nga do të kem + punuar (e ardhme + pjesore) dhe do të kisha
punuar nga do të kisha + punuar (e ardhme e së shkuarës + pjesore).

Po ashtu, trajtuam edhe zgjedhimin jovepror dhe e pamë që nga 3 mënyra e formimit të
kësaj diateze, vetëm një nga to e formon diatezën joveprore për format foljore analitike dhe ajo
është me anë të foljes ndihmëse.

11
Bibliografia

1. Topalli, Kolec, “Bazat e gramatikës historike të gjuhës shqipe”, Shtëpia botuese e librit
universitar, Tiranë, 2011.
2. Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Gramatika e gjuhës shqipe”, Botimi i Akademisë
së Shkencave, Tiranë, 2002.
3. Demiraj, Shaban, “Gramatika historike e gjuhës shqipe”, Botim i Akademisë së
Shkencave, Tiranë, 2002.
4. Bokshi, Besim, “Periodizmi i ndryshimeve morfologjike të shqipes”, Botime të veçanta
CX. Seksioni i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Prishtinë, 2010.

12

You might also like