You are on page 1of 9

REPUBLIKA E SHQIPËRISË

GJYKATA E LARTË
KOLEGJI PENAL

Nr. 56430-1159-00-2017 i Regj. Themeltar


Nr. 00-2022- 1067 i Vendimit (218)

VENDIM

NË EMËR TË REPUBLIKËS

Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë i përbërë nga gjyqtarët:

Ilir PANDA Kryesues


Sokol BINAJ Anëtar
Sandër SIMONI Anëtar

Sot në datë 13.09.2022, mori në shqyrtim në dhomë këshillimi, çështjen penale nr.56430-
01159-00-2017, që i përket:

KËRKUESE: Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë,

I GJYKUAR: Kristaq Prifti (alias Aurel Prifti),

AKUZUAR: Për kryerjen e veprës penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit


rrugor", parashikuar nga neni 290/3 të Kodit Penal.

KOLEGJI PENAL I GJYKATËS SË LARTË

Pasi dëgjoi relatimin e gjyqtarit Sandër Simoni dhe shqyrtoi çështjen në tërësi,

VËREN SE:

I. Rrethanat e çështjes

1. Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë ka dërguar për gjykim çështjen
penale me nr. 495, viti 2016, në ngarkim të pandehurit Kristaq Prifti, i akuzuar për veprën
penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor", parashikuar nga neni 290/3 të Kodit
Penal. Gjykimi i çështjes pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë është zhvilluar sipas
procedurës së gjykimit të shkurtuar, në gjendjen e akteve të përfshira në fashikullin e hetimit,
në konformitet me kërkesat e neneve 403 – 406 të Kodit të Procedurës Penale (në vijim KPP)
dhe konkluzionet e vendimit unifikues nr. 2/2003 të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së
Lartë.
2. Gjatë gjykimit ka rezultuar se, më datë 29.04.2016 rreth orës 00:30 është njoftuar
Drejtoria e Policisë së Qarkut Korçë se në segmentin rrugor Korçë, Devoll në afërsi të fshatit
Belorta, kishte ndodhur një aksident automobilistik me pasojë vdekjen e një shtetasi të mitur.
Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se shtetasi Kristaq Prifti në drejtim të një
automjeti tip veture të markës "Mercedes-Benz", me targa AA 387 MG, duke udhëtuar në

1
këtë segment rrugor ka humbur kontrollin e mjetit dhe ka dalë nga rruga duke u përplasur me
murin rrethues të një banese private.
3. Si pasojë e këtij aksidenti rrugor ka gjetur vdekjen e menjëhershme shtetasi
Aleksandro Hasan, i datëlindjes 20.08.2002, i cili në momentin e ndodhjes së aksidentit ishte
si pasagjer në vendin e parë të këtij automjeti. Si pasojë e këtij aksidenti rrugor dhe shtetasi
Kristaq Prifti ka pësuar dëmtime të shumta fizike për të cilat është shtruar e trajtuar në
Spitalin Rajonal të Korçës. Nga veprimet hetimore rezulton se shtetasi Kristaq Prifti e ka
djalë të tij biologjik shtetasin e mitur Aleksandro Hasan. Në këto kushte, është bërë arrestimi
në flagrancë i shtetasit Kristaq Prifti dhe ndaj tij është caktuar masë sigurimi personal me
karakter shtrëngues “Detyrim për paraqitje në policinë gjyqësore” parashikuar nga neni 234 i
K.Pr.Penale.
4. Shtetasi Kristaq Prifti, në momentin e ndodhjes së ngjarjes ka qenë nën efektin e
pijeve alkoolike, e vërtetuar nga dokumentacioni mjekësor i administruar nga kartela klinike
e Spitalit Rajonal Korçë, dhe është i pajisur me leje drejtimi me numer serie
Nr.K0023221/H50708024E, të kategorisë B.
5. Në bazë të aktit të ekspertimit mjeko-ligjor me nr. 14, datë 29.04.2016 të Institutit të
Mjekësisë Ligjore Korçë, "Mbi ekzaminimin e kufomës së shtetasit Aleksandro Hasan"
rezulton se: Në trupin e shtetasit Aleksandro Hasan u konstatuan: "Kontuzion i rëndë i trurit,
shok traumatik- hemoragjik, thyerje të artikulacionit të shpatullës nga ana e djathtë, dërmishje
të shpërndara në gjithë trupin më së shumti djathtas, ekimoza në pjesën e kokës me
karakteristikat e përshkruara në akt. Këto dëmtime janë shkaktuar me mjet të fortë mbretës,
me mekanizmin e goditje përplasjes që është karakteristikë e aksidenteve automobilistike.
Shkaku i vdekjes së shtetasit ka qenë kontuzioni i rëndë i trurit. Shoku traumatik hemoragjik
në terren të politraumës si pasojë e aksidentit automobilistik."
6. Në bazë të aktit të ekspertimit me nr.212, datë 11.05.2016 të Mjekësisë Ligjore Korçë,
mbi dëmtimet e shtetasit Kristaq Prifti, rezulton se dëmtimet e këtij shtetasi hyjnë në ato
dëmtime që shkaktojnë paaftësi të përkohshme për punë në masën mbi 9 (nëntë) ditë. Këto
dëmtime hyjnë në kategorinë e plagosjeve të lehta.
7. Në bazë të aktit të ekspertimit autoteknik të datës 30.06.2016 të ekspertit autoteknik
pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, rezulton se si shkak i ndodhjes së aksidentit
rrugor janë shkeljet e rregullave të qarkullimit rrugor nga ana e drejtuesit të mjetit me targa
AA 387 MG, shtetasit Kristaq Prifti, i cili ka shkelur nenin 139 të Kodit Rrugor pasi ka
humbur kontrollin e drejtimit të mjetit dhe ka qenë me shpejtësi në momentin e ndodhjes së
aksidentit.
8. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë, me vendimin nr. 41-2017-25(6), datë
05.01.2017, ka vendosur:
- Deklarimin fajtor të të pandehurit Kristaq Nikollaq Prifti, për kryerjen e veprës penale
të “Shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”, parashikuar nga neni 290/3 i K.Penal
dhe dënimin e tij me 4 (katër) vjet burgim.
- Në aplikim të kërkesave të nenit 406/1 të K.Pr.Penale, uljen e 1/3 të këtij dënimi me
burgim dhe, dënimin përfundimisht të të pandehurit Kristaq Prifti me 2 (dy) vjet e 8
(tetë) muaj burgim.
- Në aplikim të nenit 59 të K.Penal, urdhërohet pezullimi i ekzekutimit të dënimit me
burgim për të pandehurin Kristaq Prifti, duke e vendosur këtë të shtetas në kohë prove
prej 3 (tre) vjetësh, me kusht që gjatë kësaj kohe të mos kryejë vepër tjetër penale.
- Urdhërohet shtetasi Kristaq Prifti të paraqitet para Shërbimit të Provës Korçë dhe të
ndjekë programet përkatëse rehabilituese, që duhet të aplikohen gjatë kohës së caktuar
të provës.
- Në mbështetje të nenit 37 të K.Penal, të pandehurit Kristaq Prifti i hiqet e drejta për
drejtim mjetesh motorike për një periudhë 2 (dy) vjeçare, nga dita që kjo vendimarrje
do paraqitet e formës së prerë.

2
- Provat materiale “Leje drejtimi të kategorisë B” në emër të shtetasit Kristaq Prifti me
numër serie nr.KO023221/H50708024E, të mbahet e bllokuar nga Sektori i Policisë
Rrugore pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë dhe t’i kthehen personit që i
përkasin shtetasit Kristaq Prifti në bazë të nenit 190/1/b të K.Pr.Penale në përfundim
të periudhës dy vjeçare të heqjes së të drejtës për të drejtuar automjete.
- Shpenzimet gjyqësore të evidentuara vetëm nga shpenzimet gjatë fazës paraprake të
hetimit në masën 10 000 lekë i ngarkohen për pagim të pandehurit Kristaq Prifti dhe
shkojnë në favor të Buxhetit të Shtetit.
- Kundër vendimit mund të bëhet ankim nga prokurori dhe i pandehuri, brenda afatit
ligjor të përgjithshëm 10 ditor nga data e nesërme e shpalljes së këtij vendimi në
gjykatën kompetente, Gjykata e Apelit Korçë.”
8.1. Gjykata e shkallës së parë, në lidhje me llojin, masën e dënimit dhe mënyrën e
ekzekutimit të saj (referuar shkaqeve të ankimit dhe më pas të rekursit), ndër të tjera ka
argumentuar se: “(...)Me anë të veprimeve të kundërligjshme i pandehuri Kristaq Prifti ka
plotësuar elementët e veprës penale të “Shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor” me
pasojë vdekjen e një shtetasi të parashikuar nga neni 290/3 të K.Penal, pasi ky i pandehur
në shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor ka humbur drejtimin e mjetit të cilin po
drejtonte duke dalë jashtë rruge dhe duke u përplasur me një mur ku si pasojë e aksidentit
ka humbur jetën djali i tij biologjik, i mitur Aleksandro Hasan.
Vepra penale e kryer nga i pandehuri ka cënuar marrëdhëniet juridike të vendosura nga Kodi
Rrugor për të siguruar qarkullimin e rregullt rrugor të automjeteve, i cili lidhet edhe me
sigurinë e jetës dhe të shëndetit të njerëzve dhe të përdoruesve të tjerë të rrugës.
Ana objektive e veprës penale të “Shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor” me pasojë
vdekjen e një shtetasi të parashikuar nga neni 290/3 të K.Penal, është kryer me veprime
aktive të kundërligjshme të kryera nga pakujdesia nëpërmjet formës së vetëbesimit të tepruar,
që ka sjellë si pasojë shkaktimin e vdekjes së një shtetasi e vërtetuar kjo nga akti i ekspertimit
mjeko-ligjor të viktimës.
I pandehuri është fajtor për shkaktimin e aksidentit e vërtetuar kjo nga akti i ekspertimit auto
teknik të administruar në dosjen e hetimit.
I pandehuri është subjekt i përgjithshëm, i cili rezulton të ketë mbushur, moshën për
përgjegjësi penale dhe është i përgjegjshëm para ligjit.
Për sa i përket lidhjes shkakësore, rezulton se mosveprimi korrekt dhe veprimi i
kundërligjshëm i të pandehurit për sa është specifikuar korrektësisht në lidhje me veprën
penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, parashikuar si krim nga neni 290/3 i
K.Penal dhe pasoja vdekja e një shtetasi në këndvështrim të rregullit të shkelur nga ky i
pandehur, vlerësohet nga gjykata se gjen lidhje të plotë shkak-pasojë.
Në këtë rast gjykata individualizon masën e dënimit me burg, duke pasur parasysh për sa
është argumentuar më sipër se, i pandehuri paraqitet i dënuar, por për vepra penale të
ndryshme nga kjo aktuale, nuk paraqet në raport me ngjarjen penalizuese dhe akuzën nën të
cilën ndodhet personalitet të dyshimtë, rezulton se mban qëndrim tejet pendues për sjelljen
penalizuese në lidhje me veprën penale dhe shpreh në mënyrë të qartë këtë aspekt gjatë
gjykimit, përpiqet dhe jep garanci personale që një sjellje e tillë penalizuese nuk do të
përsëritet. Paraqitet i ndërgjegjësuar për kundërligjshmërinë e veprimeve të veta dhe për
kuptueshmërinë e pasojave të kësaj vepre penale, për sa parashtron si justifikim, duke u
shfaqur me mundësi rehabilitimi brenda këtij lloji ndëshkimi penal me burg për aspekte
afatmesme në raport lidhës me marzhin maksimal që parashikon dispozita penale.
Mbështetur në këto rrethana objektive dhe subjektive, gjykata individualizon masën e dënimit
me burgim, duke mbajtur parasysh pasojën e ardhur nga vepra penale që është vdekja e një
shtetasi, duke mbajtur thelbësisht parasysh dhe lidhja e të pandehurit me viktimën dhe se i
pandehuri paraqet rrezikshmëri shoqërore relativisht të pakët, lidhur me ndërgjegjësimin që
paraqet dhe pendimin që shpreh, ndërsa rrezikshmëria e veprës penale individualizohet

3
relativisht e lartë, e vlerësuar kjo në raport me zbërthimin e anës objektive dhe subjektive të
pandehurit dhe pasojave përkatëse të shkaktuara nga aksidenti rrugor.
Të vlerësuar në raport këto dy rrezikshmëri faktike e juridike si dhe faktet nga
individualizohen ato, në lidhje me rrezikshmërinë shoqërore të veprës penale dhe atë të
pandehurit, gjykata vlerëson se masa e dënimit me burg, duhet të përcaktohet në nivelin
mesatar të kësaj ndëshkueshmërie të parashikuar nga dispozita konkrete penale, neni 292/3 i
Kodit Penal dhe duhet të jetë si dhe është vlerësuar në raport të drejtë me mbrojtjen që
ligjvënësi i ka bërë objektit të figurës së veprës penale konkrete.
Duke u bazuar në të gjitha rrethanat e mësipërme gjykata vlerëson dhe çmon se alternativa e
dënimit me burgim është më e përshtatshme për këtë të pandehur duke individualizuar atë të
parashikuar nga neni 59 i K.Penal.
Për sa është analizuar i pandehuri Kristaq Prifti plotëson një grup kriteresh të
nënvizuara, të cilat mundësojnë aplikimin në këtë rast konkret të këtij lloji dënimi alternativ
mbi dënimin e individualizuar, duke çmuar se periudha e provës duhet të jetë tre vjet.”
9. Ndaj vendimit ka ushtruar ankim prokuroria, duke kërkuar: “Ndryshimin e vendimit
nr.41-2017-25(6), datë 05.01.2017, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë, përsa i përket
pezullimit të dënimit të dhënë nga gjykata ndaj të pandehurit duke mos aplikuar nenin 59 të
Kodit Penal dhe dënimin e tij përfundimisht me 2 vjet e 8 muaj burgim.”
10. Gjykata e Apelit Korçë, me vendimin nr. 157, datë 18.05.2017, ka vendosur:
- "Lënien në fuqi të vendimit nr. 6, datë 05.01.2017 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor
Korçë.".
10.1. Në referim të shkakut të ankimit të çështjes nga prokurori, për mosaplikimin e nenit
59 të Kodit Penal, Gjykata e Apelit Korçë ka arsyetuar ndër të tjera se: “....Gjykata e Apelit
konstaton se Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë ka bërë një analizë të drejtë dhe
ligjore të provave të administruara në gjykim, veprimeve të kryera nga i pandehuri,
rrethanave të kryerjes së veprës penale, pakujdesinë si formë e fajit etj., e rrethana, të cilat
janë bërë objekt i një analize të plotë dhe ligjore të të gjithë provave shkresore të
administruara në gjykim, kjo në kuadrin e aplikimit të gjykimit të shkurtuar kur të gjithë aktet
e fashikullit hetimor kanë marrë vlerën e provës në procesin gjyqësor.
Përsa i përket kualifikimit ligjor dhe konsumimit të veprës penale parashikuar nga neni i
290/3 i Kodit Penal nga i pandehuri Kristaq Prifti, asnjë nga palët nuk ka ankim prandaj
Gjykata e Apelit vlerëson të mos bëjë rishtaz pjesë të analizës së saj rrethanat që kanë të
bëjnë me këtë vepër penale. Lidhur me masën e dënimit Gjykata e Apelit vlerëson se kjo
gjykatë, në kuptim të nenit 47 e vijues të Kodit Penal ka marrë drejt në vlerësim rrethanat që
kanë të bëjnë me caktimin e masës së dënimit, shkallën e veprimeve të të pandehurit,
qëndrimin e tij gjatë procesit hetimor dhe atij gjyqësor, gjendjen gjyqësore dhe
personalitetin e të pandehurit, rrethanat e kryerjes së veprës penale, rrezikshmërisë së autorit
dhe të veprës së konsumuar dhe të tjera rrethana që janë bërë objekt i vlerësimit të gjykatës.
Në këto kushte kjo gjykatë çmon se masa e dënimit të dhënë për të pandehurin Kristaq Prifti
është e përshtatshme për rrezikshmërinë e autorit, veprës penale dhe rrethanave të tjera të
provuara gjatë gjykimit.
Gjykata e Apelit vlerëson se Gjykata e Shkallës së Parë Korçë ka vlerësuar drejt rrethanat
që e kanë çuar atë në aplikimin e nenit 59 të Kodit Penal.
Nga gjykimi është vërtetuar që ashtu siç parashtron prokurori i çështjes, “I pandehuri
Kristaq Prifti është një person i dënuar disa herë për vepra të rënda penale “. Porsa nga
dosja konstatohet se këtë vepër e ka kryer në rrethana të tilla që siç shpjegon ai: “Në
momentin e ndodhjes së aksidentit, i kishte vrarë sytë me drita të gjata një kamion ose një
autobus”. Gjykata e Apelit vlerëson se lloji i veprës penale i kryer nga i pandehuri
shkaktohet nga pakujdesia, në këtë aspekt qënia e tij i dënuar më përpara nuk duhet të
përbëjë shkak për moszbatimin e nenit 59 të Kodit Penal. I pandehuri Kristaq Prifti ka
treguar pendim për veprën penale që ka ndodhur, për më tepër që në këtë ngjarje ka

4
humbur jetën djali i tij i vetëm. Në rrethana të tilla ekziston mundësia e rehabilitimit të tij në
komunitet, nën mbikëqyrjen dhe kontrollin shtetëror (shërbimin e provës).
Gjykata e Apelit vlerëson se në këtë rast Gjykata e Shkallës së Parë ka vlerësuar raportin që
ka pasur i pandehuri me viktimën dhe siç shprehet në vendimin e saj se: “ai tashmë dukshëm
e ka marrë “dënimin" duke e konsideruar vetën të dënuar moralisht dhe faktikisht”.
Në këtë aspekt nuk qëndron pretendimi i prokurorisë i ngritur në ankim sipas të cilit: “nuk u
vërtetua se ky i pandehur ka ndonjë problem shëndetësor apo mendor të atillë që të conte
gjykatën në marrjen e vendimit për pezullimin e dënimit” mbasi humbja e djalit të tij të
vetëm e ka dëmtuar atë jashtë mase, si nga ana shëndetësore ashtu dhe mendore.
Të pabazuar e gjen Gjykata e Apelit dhe pretendimin e prokurorisë se: “Gjatë gjykimit nuk u
vërtetua se i pandehuri Kristaq Prifti është duke ndjekur një shkollë ose proces mësimor ose
është në një punë të tillë të cilat do ta dëmtonin atë rëndë dhe mënyrën e tij të jetesës, ashtu
siç e kërkon neni 59 të Kodit Penal” mbasi nuk janë vetëm këto rrethana të posaçme që
kërkon neni 59 i Kodit Penal. Fakti që ai në aksidentin që ka kryer, ka humbur djalin e tij të
vetëm, e ve të pandehurin, në kushtet e rrethanave të posaçme, çka e bën të panevojshme
izolimin e të pandehurit nga shoqëria.
Pë sa më sipër Gjykata e Apelit e gjen të drejtë e të argumentuar vendimin e Gjykatës së
Rrethit Gjyqësor Korçë në lidhje me aplikimin e nenit 59 të Kodit Penal ndaj këtij të
pandehuri.
Po kështu Gjykata e Apelit vlerëson se drejt ka vepruar Gjykata e Shkallës së parë e cila ka
dhënë dhe dënim plotësues në referim të nenit 37 të Kodit Penal duke urdhëruar ndalimin e
këtij të pandehuri për të drejtuar automjete për një periudhë 2 (dy) vjeçare, dënim plotësues
ky që duhet të aplikohet njëkohësisht me dënimin kryesor.
Në të tilla rrethana Gjykata e Apelit arrin në përfundimin se nuk ka vend të pranohet kërkesa
ankimore e prokurorit të çështjes dhe për pasojë vendimi Nr.6 datë 05.01.2016 i Gjykatës së
Rrethit Gjyqësor Korçë duhet të lihet në fuqi.".
11. Kundër vendimit nr. 157, datë 18.05.2017, të Gjykatës së Apelit Korçë, ka paraqitur
rekurs, më datë 15.06.2017, Prokuroria pranë Gjykatës së Apelit Korçë, me të cilin ka
kërkuar, ndryshimin e vendimit penal nr.157, datë 18.05.2017 të Gjykatës së Apelit Korçë dhe
vendimit penal nr.6, datë 05.01.2017 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë duke mos
aplikuar nenin 59 të Kodit Penal, në mënyrë të përmbledhur, në rekurs janë parashtruar këto
shkaqe:
- Vendimet e dy gjykatave janë marrë në shkelje të hapur të ligjit material, neni 59 i
Kodit Penal dhe për këtë arsye duhet të ndryshohen.
- Në rastin konkret nuk plotësohet asnjë nga kërkesat e nenit 59 të Kodit Penal.
- Ndryshe nga sa arsyetojnë gjykatat, i pandehuri Kristaq Prifti është person me
rrezikshmëri të lartë shoqërore, ai rezulton i dënuar në tre raste, nga të cilat në dy raste
për vepra me rrezikshmëri të lartë shoqërore, “Vrasje me dashje e mbetur në
tentativë” sipas nenit 76 e 22 të K.Penal dhe në një rast për “Mbajtje pa leje të armëve
luftarake” sipas nenit 278/2 të K.Penal, kjo del qartë nga certifikata e gjendjes
gjyqësore nr.17 datë 10.10.2016.
- Nga ana tjetër arsyetimi i Gjykatës së Apelit është i pambështetur në ligj, sepse
ndryshe nga sa thotë Gjykata e Apelit vlerëson se lloji i veprës penale i kryer nga i
pandehuri shkaktohet nga pakujdesia, shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor është
vepër penale që kryhet me dashje direkte, ndërsa qëndrimi subjektiv ndaj pasojës
është nga pakujdesia.
- I pandehuri ka drejtuar automjetin me shpejtësi aq të lartë sa nuk ka mundur të
manovrojë në kohën dhe momentin e duhur duke shkaktuar aksident, i pandehuri me
ndërgjegje nuk ka vlerësuar praninë e një fëmije duke u sjellë në mënyrë kriminale.
- I pandehuri është person që nuk ka përmirësim në personalitetin e tij, megjithëse është
ndëshkuar më parë. Rekomandimi i Këshillit të Europës nuk ka vlerë për këtë të

5
pandehur, përkundrazi referimi i bërë nga Gjykata e Apelit nuk është korrekt dhe nuk
ka lidhje me cilësitë e të pandehurit.
- Vepra penale e “Shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor” me pasojë vdekjen e një
shtetasi, është një vepër me rrezikshmëri të lartë shoqërore që parashikon një masë
dënimi nga tre deri në dhjetë vjet burgim.
- I pandehuri është një person me moshë të pjekur, ai është mbi 40 vjeç dhe është i
përgjegjshëm para ligjit, kështu që nuk ekziston asnjë kusht në lidhje me moshën dhe
gjendjen e tij që të sillte bindjen e gjykatës se duhej të pezullohej ekzekutimi i
vendimit gjyqësor.
- Gjatë gjykimit nuk u vërtetua se ky i pandehur ka ndonjë problem shëndetësor apo
mendor të atillë që të çonte gjykatën në marrjen e vendimit për pezullimin e dënimit.
- Nuk u vërtetua se i pandehuri Kristaq Prifti është duke ndjekur një shkollë ose proces
mësimor ose është në një punë të tillë të cilat do ta dëmtonin atë rëndë dhe mënyrën e
tij të jetesës, ashti siç e kërkon neni 59 i K.Penal.
- Gjykata në dhënien e këtij vendimi nuk ka pasur parasysh faktin se i pandehuri nuk i
ka normalizuar marrëdhëniet me palën e dëmtuar, që është ish-bashkëjetuesja e tij,
pasi kjo shtetase ka kërkuar dënimin me burgim të këtij shtetasi.
- Në përfundim gjykimi nuk ka evidentuar rrezikshmëri të pakët të personit,
përkundrazi rrezikshmëri shumë të lartë të tij, nuk ka evidentuar të plotësuar asnjë
kërkesë tjetër të nenit 59 të K.Penal, përkundrazi, vendimet e të dy gjykatave,
rezultojnë se janë marrë në shkelje të ligjit penal material, nenit 59 të K.Penal.

II. Vlerësimi i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë:

12. Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë (në vijim Kolegji), evidenton faktin e ndryshimeve
ligjore që ka pësuar Kodi i Procedurës Penale me ligjin nr. 41/2021, hyrë në fuqi në datën
29.05.2021. Në nenin 38 të ligjit nr. 41/2021, mbi dispozitat tranzitore parashikohet se: “1.
Përbërja e trupave gjykues, si dhe procedura e gjykimit në Gjykatën e Lartë rregullohet sipas
përcaktimeve të këtij ligji, pavarësisht parashikimeve të ndryshme në ligje të tjera. 2.
Rekurset e paraqitura, por ende të pashqyrtuara, konsiderohen të pranueshme nëse
plotësojnë parashikimet e ligjit në fuqi në kohën e depozitimit të tyre”. Në kuptim të kësaj
dispozite, në lidhje me formimin e trupit gjykues si dhe procedurën e gjykimit, Kolegji Penal
zbaton parashikimet e ligjit nr. 41/2021, ndërsa në lidhje me kushtet e pranueshmërisë së
rekursit i referohet ligjit procedural që ka qenë në fuqi në kohën e depozitimit të tij.
13. Kolegji konstaton se rekursi i paraqitur nga prokuroria plotëson kërkesat formale dhe
është depozituar brenda afatit 30 ditor të parashikuar në nenin 435 të KPP (sipas dispozitës në
fuqi në momentin e depozitimit të rekursit). I gjykuari është njoftuar, fakt i dokumentuar nga
akti ‘dëftesë komunikimi për rekursin’.
14. Gjykata e Lartë, sipas ndryshimeve kushtetuese të nenit 141 pika 1 të Kushtetutës së
Republikës së Shqipërisë (ligji nr. 76/2016, datë 22.07.2016) shqyrton çështje lidhur me
kuptimin dhe zbatimin e e ligjit, për të siguruar njësimin ose zhvillimin e praktikës gjyqësore
sipas ligjit. Ky parashikim në Kushtetutë është shoqëruar me ndryshime procedurale në
Kodin e Procedurës Penale (ndryshime që kanë hyrë në fuqi në datë 1 gusht 2017). Neni 432 i
KPP (dispozita që ka qenë në fuqi në kohën e paraqitjes së rekursit nga prokuroria në këtë
rast) në pikën 1 të tij, parashikon se rekursi kundër vendimit të gjykatës së apelit mund të
bëhet kur nuk është respektuar ose është zbatuar gabim ligji material ose procedural, i cili
është me rëndësi për njësimin ose zhvillimin e praktikës gjyqësore; kur nuk është respektuar
ose është zbatuar gabim ligji procedural me pasojë pavlefshmërinë e vendimit,
pavlefshmërinë absolute të akteve ose papërdorshmërinë e provave; ose kur vendimi i
ankimuar vjen në kundërshtim me praktikën e Kolegjit Penal ose të Kolegjeve të Bashkuara
të Gjykatës së Lartë.

6
15. Një ndër shkaqet kryesore për të cilat lejohet rekursi është zbatimi i gabuar i ligjit
material ose procedural (errores in iudicando/errores in procedimendo), që ka një rëndësi
themelore për njësimin, sigurinë dhe/ose zhvillimin e praktikës gjyqësore. Qëllimi (ratio) i
kësaj pjese të dispozitës është që të kushtëzojë proceduralisht ushtrimin e rekursit, vetëm për
arsye të shkeljeve të ligjit material apo procedural penal që të mund të krijojë premisë për
zhvillim të jurisprudencës dhe të drejtës gjyqësore në përgjithësi. GJEDNJ në disa vendime
ka vlerësuar se uniformiteti i zbatimit të ligjit nga jurisprudenca përbën garanci për zbatimin
e parimit të sigurisë juridike, që është elementi thelbësor i shtetit të së drejtës (çështja
Chapman v. United Kongdom, Vendimi i GJEDNJ datë 18.01.2001), duke pasur lidhje të
drejtpërdrejtë me garancitë e nenit 6 të KEDNJ.
16. Në rastin konkret, Kolegji vlerëson se nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë dhe
Gjykata e Apelit Korçë, është zbatuar jo në mënyrë të drejtë ligji material penal në lidhje me
nenin 59 të Kodit Penal, për të gjykuarin Kristaq Prifti (alias Aurel Prifti). Neni 59 i Kodit
Penal, “Pezullimi i ekzekutimit të vendimit me burgim dhe vënia në provë”, ka pësuar
ndryshime, me ligjin nr. 10023, datë 27.11.2008, si dhe me ligjin nr. 36/2017, datë 30.3.2017,
duke parashikuar shprehimisht se: “1.Për shkak të rrezikshmërisë së paktë të personit,
moshës, kushteve shëndetësore apo mendore, mënyrës së jetesës dhe të nevojave, veçanërisht
atyre që lidhen me familjen, shkollimin ose punën, rrethanave të kryerjes së veprës penale, si
dhe të sjelljes pas kryerjes së veprës penale, gjykata, kur jep dënim me burg deri në pesë vjet,
mund të urdhërojë që i dënuari të mbajë kontakte me shërbimin e provës dhe të vihet në
provë, duke pezulluar ekzekutimin e dënimit, me kusht që gjatë kohës së provës të mos kryejë
vepër tjetër penale. (...)”
17. Në interpretim të kësaj dispozite, Kolegji vlerëson se zbatimi i nenit 59 të Kodit
Penal, “pezullimi i ekzekutimit të vendimit me burgim dhe vënia në provë”, lidhet me
plotësimin e kritereve ligjore të përcaktuara në këtë dispozitë si: 1) rrezikshmëria e pakët e
personit; 2) rrethana të tilla si: mosha, kushtet shëndetësore, mënyra e jetesës apo nevojat
familjare; shkollimi, puna; apo/dhe rrethanat e kryerjes së veprës penale dhe sjellja e të
pandehurve pas kryerjes së saj; 3) si dhe dhënia e një dënimi me burg deri në pesë vjet. Këto
kritere të ligjit duhen vlerësuar në unison me provat në mbështetje të tyre, prova që duhet të
jenë/janë të tilla që të justifikojnë pezullimin e dënimit me burgim dhe vënien në provë të
pandehurit.
18. Kolegji vëren se, pezullimi i ekzekutimit dhe vënia në provë është një alternativë e
dënimit me burgim, që synon parandalimin e kryerjes së veprave penale dhe si qëllim
integrimit dhe risocializimin e të dënuarit në shoqëri. Vënia në provë e të dënuarit shoqërohet
edhe me mbikëqyrjen e tij nga shërbimi i provës, që ka si detyrë të lehtësojë rehabilitimin dhe
riintegrimin shoqëror të personave nën mbikëqyrje, parandalimin e veprave penale dhe uljen
e rrezikut të përsëritjes së tyre, uljen e kostove sociale, si dhe të kontribuojë në mbrojtjen e
interesit publik.
19. Kolegji vëren se, bazuar në analizën e tekstit të dispozitës së nenit 59 të Kodit Penal,
se gjykata në aplikimin e kësaj alternative të dënimit me burgim duhet të mbajë në
konsideratë jo vetëm masën e dënimit të caktuar, por edhe rrethanat e kryerjes së veprës
penale që duhen analizuar për të evidentuar rrezikshmërinë e personit, e më pas të analizojë
edhe nëse ekziston një nga rrethanat e tjera që mund të justifikojnë vënien në provë të
pandehurit. Siç shihet nga përmbajtja e dispozitës së këtij neni, ligjvënësi i jep të drejtën
gjykatës që në raste të veçanta, kur jep dënimin me burgim gjer në pesë vjet të urdhërojë që i
dënuari të vihet në provë, duke u pezulluar ekzekutimi i dënimit, por në çdo rast gjykata
duhet të mbajë parasysh rrezikshmërinë e pakët të personit dhe rrethanat e kryerjes së veprës
penale.
20. Kolegji vëren se, në lidhje me kushtin e dytë “rrethanë e posaçme”, sipas formulimit
të nenit 59 të Kodit Penal rezulton se ato përfshijnë tre drejtime kryesore, që janë: i)
detyrimin e të dënuarit ndaj punës, arsimit, kualifikimit ose aftësimit profesional; ii)
përgjegjësitë thelbësore familjare të të dënuarit; iii) nevojën e të dënuarit për trajtim apo

7
rehabilitim mjekësor. Nga formulimi i nenit 59 të Kodit Penal rezulton se këto rrethana janë
të pavarura nga njëra-tjetra dhe nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën. Për të aplikuar në mënyrë sa
më të drejtë nenin 59 të Kodit Penal, gjykata gjatë shqyrtimit gjyqësor ka për detyrë të
identifikojë “rrethanën e posaçme” që ekziston në jetën e përditshme të të pandehurit.
21. Duke iu kthyer çështjes në shqyrtim, Kolegji konstaton se, gjykatat e themelit kanë
arsyetuar se: “...Nga gjykimi është vërtetuar që ashtu siç parashtron prokurori i çështjes, “I
pandehuri Kristaq Prifti është një person i dënuar disa herë për vepra të rënda penale “.
.... Gjykata e Apelit vlerëson se lloji i veprës penale i kryer nga i pandehuri shkaktohet nga
pakujdesia, në këtë aspekt qenia e tij i dënuar më përpara nuk duhet të përbëjë shkak
për moszbatimin e nenit 59 të Kodit Penal. I pandehuri Kristaq Prifti ka treguar pendim
për veprën penale që ka ndodhur, për më tepër që në këtë ngjarje ka humbur jetën djali i tij
i vetëm. Në rrethana të tilla ekziston mundësia e rehabilitimit të tij në komunitet, nën
mbikëqyrjen dhe kontrollin shtetëror (shërbimin e provës). Gjykata e Apelit vlerëson se në
këtë rast Gjykata e Shkallës së Parë ka vlerësuar raportin që ka pasur i pandehuri me
viktimën dhe siç shprehet në vendimin e saj se: “ai tashmë dukshëm e ka
marrë “dënimin" duke e konsideruar vetën të dënuar moralisht dhe faktikisht”.
Në këtë aspekt nuk qëndron pretendimi i prokurorisë i ngritur në ankim sipas të cilit: “nuk u
vërtetua se ky i pandehur ka ndonjë problem shëndetësor apo mendor të atillë që të conte
gjykatën në marrjen e vendimit për pezullimin e dënimit” mbasi humbja e djalit të tij të
vetëm e ka dëmtuar atë jashtë mase, si nga ana shëndetësore ashtu dhe mendore...Të
pabazuar e gjen Gjykata e Apelit dhe pretendimin e prokurorisë se: “Gjatë gjykimit nuk u
vërtetua se i pandehuri Kristaq Prifti është duke ndjekur një shkollë ose proces mësimor ose
është në një punë të tillë të cilat do ta dëmtonin atë rëndë dhe mënyrën e tij të jetesës, ashtu
siç e kërkon neni 59 të Kodit Penal” mbasi nuk janë vetëm këto rrethana të posaçme që
kërkon neni 59 i Kodit Penal. Fakti që ai në aksidentin që ka kryer, ka humbur djalin e tij të
vetëm, e ve të pandehurin, në kushtet e rrethanave të posaçme, çka e bën të panevojshme
izolimin e të pandehurit nga shoqëria. ...Për sa më sipër Gjykata e Apelit e gjen të drejtë e të
argumentuar vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë në lidhje me aplikimin e nenit
59 të Kodit Penal ndaj këtij të pandehuri....”, duke arritur në përfundimin se ndaj tij mund të
aplikohet neni 59 i Kodit Penal.
22. Të gjitha rrethanat e evidentuara nga gjykata e apelit në këtë rast, kanë ndikuar në
caktimin e dënimit me burgim në vlerësim të kritereve të përcaktuara nga neni 47 i Kodit
Penal dhe në kufijtë e përcaktuar nga dispozita penale konkrete (neni 283/2 i Kodit Penal).
Por, për zbatimin e nenit 59 të Kodit Penal, gjykata duhet të argumentojë edhe ekzistencën e
kritereve ligjore të parashikuara në këtë dispozitë në raport me provat, ku është bazuar
analiza dhe konkluzioni i gjykatës. Pavarësisht raportit gjinor viktimë – autor, Kolegji Penal
thekson se ligji penal mbron jetën e njeriut kundrejt pasojës e në rast të humbjes së jetës nga
veprimet e kundraligjshme të autorit të veprës penal pavarësisht lidhjeve të tilla, gjykatat
duhet të vlerësojnë në mënyrë të përshtatshme pasojën në raport me dënimin nisur nga parimi
human se jeta e njeriut në këtë rast e një viktime në moshë të re është më e shtrenjtë se pasoja
mbi autorin- dhimbja për humbjen e njeriut të afërm kur shkaktar është vetë ai.
23. Në këtë kontekst pasoja e shkaktuar nga autori i veprës penale, vlerësohet në raport
me rrezikshmërinë e tij i cili duke qenë një person i dënuar edhe më parpara për vepra kundër
jetës rezulton se ka rrezikshmëri shoqërore jo të pakët.Në këtë rast vlerësimi i rrezikshmërisë
së pakët të të pandehurit i cili është i dënuar më parë për vepra kundër jetës po kështu nga ana
e gjykatës së apelit nuk është i argumentuar referuar rrethanave të kryerjes së veprës penale,
pasi sikundër konstatohet, vepra penale në ngarkim të të pandehurit është kryer në ndikimin e
alkoolit, çka evidenton rrezikshmëri jo të pakët të autorit të saj.
24. Në këto kushte, Kolegji çmon se vendimi i Gjykatës së Apelit Korçë është i
cënueshëm, ndaj kjo çështje duhet të rishqyrtohet në apel, në lidhje me zbatimin e kritereve
ligjore të parashikuara nga neni 59 i Kodit Penal. Kolegji vëren se, gjykata e apelit nuk ka
argumentuar vendimmarrjen e saj referuar provave dhe akteve të përfshira në fashikull, si në

8
lidhje me rrezikshmërinë e madhe të të pandehurit ashtu edhe në lidhje me vlerësimin e
kritereve të tjera të kësaj dispozite.
25. Kolegji konstaton se nuk rezulton të jetë argumentuar dhe as nuk është evidentuar
ndonjë provë apo akt që të përligjë pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burgim dhënë ndaj
të gjykuarit. Në rigjykim, gjykata e apelit duhet të vlerësojë dhe të arsyetojë me kujdes në
lidhje me rrethanat e sipërcituara, duke argumentuar në lidhje me ekzistencën e tyre në raport
me provat dhe nëse ato janë të tilla që justifikojnë apo jo pezullimin e ekzekutimit të dënimit
me burgim dhe vënien në provë të të gjykuarit.
26. Në rrethanat e parashtruara sa më sipër, Kolegji vlerëson se vendimi nr. 157, datë
18.05.2017, të Gjykatës së Apelit Korçë duhet të prishet dhe çështja të dërgohet për
rishqyrtim në këtë gjykatë, me tjetër trup gjykues.

PËR KËTO ARSYE,

Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, bazuar në nenin 441, pika 1, shkronja “c” të Kodit të
Procedurës Penale,

V E N D O S I:

Prishjen e vendimit nr. 157, datë 18.05.2017, të Gjykatës së Apelit Korçë dhe dërgimin e
çështjes për rishqyrtim në këtë gjykatë, me tjetër trup gjykues.

Tiranë, më 13.09.2022

You might also like