You are on page 1of 5

QËNDRIMI

TRADITA / MODERNITETI

Në jetën tonë të përditshme kalojmë përditë para muzeumeve dhe rrallë kujtojmë që t’i
vizitojmë ato; shohim buste apo monumente të personaliteteve të ndryshme por nuk ua
njohim historinë emrave që janë të ngurtësuara në hapësirat tona publike; emrat e rrugëve
i kemi të fiskuar edhe në aplikacionet e pajisjeve smart, por kemi pak informacione në
mendje. Pa folur më tej për numrin gjithnjë e më të vogël të librave që lexojmë për historinë
e krahinës apo vendit ku jetojmë: Të njëjtën gjë mund të themi për kulinarinë tradicionale,
e cila është modifikuar gjithnjë e më shumë në funksion të ushqyerjes së shpejtë në jetën
tonë të pakohë, apo për zhdukjen e veshjeve kombëtare, të cilat e kemi të vështirë t’i gjejmë
edhe në stendat e muzeumeve. Me pak fjalë, shumica prej nesh ka perceptime të vagullta
për brezin e dytë apo të tretë, ndërsa “gjyshi” nuk është më një institucion që na dëshmon
historinë tonë familjare apo përtej saj, por gjithnjë e më tepër një qenie pasionale që na lidh
mbiemri. Një situatë e tillë është thuajse kudo nëpër botë. Në kohën që po jetojmë
konsumojmë gjithnjë e më pak “histori”, teksa në vend të saj është e tashmja e momentit,
e cila na fikson me malin e informacionit që prodhohet nga mediumet e shumta dhe pajisjet
inteligjente.
Nëse do të mateshin të dhënat që marrim çdo ditë, ato do të ishin përafërsisht 36 gigabit,
ose rreth 2000 herë më shumë sesa në vitet 2000: Një mal i madh informacioni,
vështirësisht i kapërdishëm për mendjen tonë. Përfshirja e ethshme në çdo gjë që ndodh në
moment, nuk na jep mundësi që të kthejmë kokën pas; nuk mund të reflektojmë mbi të
shkuarën tonë, - nuk mund të bëjmë një dialog ndërveprues; nuk kemi kohë të reflektojmë
dhe është tej mase e vështirë ta shijosh edhe bisedën me një mik apo soditjen në natyrë.
Nëse do të analizonim cilësinë e informacionit që marrim përmes mediumeve të ndryshme,
- qoftë edhe përmes pajisjeve smart, televizionit, rrjeteve sociale apo edhe bisedave që
ndajmë me miqtë, pjesa dërrmuese e tij do të konsiderohej pa vlerë të qenësishme. Ne jemi
tej mase të mbingarkuar me informacion.
Për shkak të sasisë së pazakontë të informacionit që marrim në rrugë të ndryshme, ka
ndodhur një ndërprerje komunikimi mes të shkuarës dhe të tashmes tonë; ka vështirësuar
njohjen e rrënjëve, teksa ndodhemi të izoluar sikur të ishim brenda një tullumaceje virtuale
me perceptime subjektive dhe me pak njohuri të qenësishme për historinë tonë. Kemi
humbur procesin përpunues dhe aftësinë për të menduar në mënyrë kritike.

1
Në të gjithë këtë panoramë, sot jemi më të manipuluar sesa më parë përsa i përket cilësisë
së informacionit. Fake news janë pjesë e pandarë e malit të informacionit që na serviret
apo që konsumojmë. Ato janë pjesë e manipulimit edhe të narrativave publike apo të
mënyrës sesi paraqiten ngjarje, personazhe apo procese historike në të tashmen tonë.
Në këtë kontekst, raporti mes traditës dhe modernitetit apo bashkëkohësisë ndodhet në
proces distancues shumë herë më të madh, krahasuar me të gjitha periudhat e tjera të
historisë tonë. Kur flasim këtu për konceptet traditë dhe modernitet, nuk ju referohemi
thjeshtë koncepteve të ngushta të traditës dhe modernitetit, por sjelljeve komplekse
kulturore, sociale dhe politike të tyre. Pra, flasim për një kulturë të së shkuarës dhe kulturë
të të tashmes; për një tërësi rregullash të të jetuarit që i përkasin traditës dhe për mënyrën
sesi e ndërtojmë jetën tonë sot; për mënyrën sesi sendërtoheshin ideologjitë dikur dhe për
mënyrën sesi përcillen tek publiku sot: për mënyrën sesi ndërtoheshin besimet, bindjet dhe
vlerat dikur dhe për mënyrën sesi formësohen sot.
Kjo përballje në debat mes traditës dhe modernes nuk synon për të shtirë kërkimet në
shumë disiplina, por për të pozicionuar individin në raportin e tij mes të shkuarës dhe të
tashmes, - në mënyrën sesi ai e percepton traditën së cilës i përket dhe sesi e bën pjesë të
përditshmërisë së tij në mendjen e tij, në familje, apo jetën komunitare, apo edhe në
reflektimet që bën në raport me traditën dhe të tashmen. Kjo qasje na çon tek aspektet
thelbësore të identitetit të individit në ditët tona, ku krejt natyrshëm shtrohen edhe pyetjet
nëse kemi një identitet të formësuar apo ndodhemi në një krizë identitare për shkaqe
objektive apo subjektive? Mbase edhe për faktin se sot kemi shumë identitete sipas roleve
që luajmë në shoqërinë tonë, duke përfshirë për shembull; një identitet familjar apo
krahinor, një identetitet profesional, apo një identitet gjinor dhe kështu me radhë. Njëri prej
tyre mund të potencohet më shumë se të tjerët në aktivitetetin e përditshëm por, fakt është
se identeteti po bëhet gjithnjë e më i parrokshëm kur marrim në konsideratë automatizimin
e proceseve, përfshirjen e teknologjisë në jetën tonë, zhdukjen e gjuhëve lokale apo
zgjerimin e hapësirave virtuale. Sot flitet për një identitet dinamik, madje edhe për një
identitet virtual, i cili duket sikur zhvillohet në mënyrë paralele me identitetin real, dhe që
thuhet se e gërryen identitetin që i ka rrënjët mbi traditën. Ai ka predispozitën për të krijuar
identitete të reja.
Raporti mes traditës dhe modernes është i kushtëzuar edhe nga mënyra sesi ne jemi të
edukuar; në cilësinë e njohurive që marrim përmes sistemit arsimor dhe universitar; në
mënyrën sesi ndërtohet diskursi publik, në mënyrën sesi pranohen apo imponohen vlerat e
përbashkëta dhe sesi promovohen ato. Sigurisht, ne duhet të ndërtojmë një mendim kritik
qoftë mbi traditën, qoftë edhe mbi modernen, - duhet të reflektojmë për fenomenet që
shfaqen apo na imponohen, duhet të debatojmë rreth tyre me kulturë dhe qasje empatie. Ky
proces është po aq i vështirë sa edhe mënyra sesi reflektojmë ndaj vetes tonë, ku është e

2
vështirë të dalim nga gropa mendore dhe perceptuese që e kemi futur veten dhe ku është e
vështirë që të pranojmë gabimet tona. Kjo kërkon një mendësi të hapur, përkundër faktit se
shoqëria jonë përgjithësisht është edukuar me një mendësi të ngurtë qoftë në raport me
individualen, por edhe me kolektiven.
Çdo individ apo edhe shoqëri e ndërton raportin me kohët falë aftësive njohëse, sistemeve
të edukimit që ndërton dhe mënyrës sesi një bashkësi njerëzish projekton shpresën për të
ardhmen, duke pranuar disa vlera të përbashkëta dhe duke sakrifikuar për disa kauza të
përbashkëta. Një individ në krizë apo një shoqëri në tranzicion e ka të vështirë të ndërtojë
një raport të ekuilibruar me të shkuarën e saj. Aq më tepër kur ndërtohen ideologji të cilat
na shfaqen si asgjesuese ndaj njëra – tjetrës.
Ftesa për debat në raportet mes traditës dhe modernes / bashkëkohësisë nuk synon
asgjësimin e njërës apo fitoren e tjetrës, - përkundrazi: Përmes tij synohet një reflektim mbi
të shkuarën dhe të tashmen tonë, - mbi mënyrën sesi e perceptojmë traditën dhe sesi e
bëjmë pjesë apo e refuzojmë atë në të tashmen tonë, - në mënyrën sesi e formësojmë
identetitetin tonë në një mjedis dinamik, - në mënyrën sesi pranojmë apo refuzojmë pjesë
të traditës apo të modernes. Sot jetojmë në një mjedis në ndryshim të vazhdueshëm. Ne
përballemi me një modernitet të lëngët dhe vështirësisht të përcaktueshëm. Arsyeja e do që
njerëzimi të ndërtojë një zhvillim progresiv përkundër ulje-ngritjeve që e kanë shoqëruar
zhvillimin njerëzor. Për këtë arsye, për këdo është e rëndësishme që të ndërtojë procesin e
vazhdimësisë ku tradita dhe modernja marrin dhe japin me njëra – tjetrën, ku ka një proces
të hapur për pranimin e vlerave dhe një dakordësi për ndërtimin e kohëzgjatjes së
përbashkët. Kure flitet për traditën dhe raportin që ajo ndërton me modernen, kur vihet në
diskutim aftësia për të pasur memorie të kthjellët, secili prej nesh ndodhet përballë një
muri, i cili përgjithësisht të shkakton ankth, stres. Ai na shfaqet si një pengesë; edhe për
shkak të pafuqisë tonë edhe për shkak të mënyrës sesi të tjerët duan ta vënë të shkuarën në
shërbimin e interesave të tyre. Me të drejtë Oruelli pati paralajmëruar se kush kontrollon
të shkuarën tonë, kontrollon edhe të tashmen tonë.
Traditën shpesh herë e shohim në mënyrë mitike, - i atribuojmë vlera të cilat mund të mos
kenë qenë të qenësishme dhe në këtë drejtim – ky debat e ka edhe një qëllim çmitizues,
gjithmonë në të gjitha rastet kur jepen fakte për lexime mitike të traditës tonë. Mediat e
reja, kinemaja, letërsia, rrjetet sociale, shkollat dhe universitetet kontribuojnë në percetimin
e të shkuarës. Secili prej nesh ka qasje subjektive ndaj të shkuarës, por për ne është e
rëndësishme që të ndërtojmë kuptime të përbashkëta, gjë që kërkon shumë kohë dhe mundë
nga secili prej nesh.
Afërmendësh, zhvillimi njerëzor ndërtohet si rezultat i ndërveprimit apo përballjes mes
traditës dhe modernes: Nëse do të bënim përherë të njëjtat veprime, do të kishim të njëjtat

3
rezultate. Që të kemi rezultate të ndryshme na nevojiten risitë. Edhe në kulturën tonë ka
pasur përherë përplasje mes “të vjetrës” dhe të “resë”; janë shfaqur konflikte mes brezave.
Mënyra sesi zhvillohet konfikti ka më shumë rëndësi sesa vetë rezultati. Ne sot jetojmë një
një botë pa ide dhe ideologjik. Konflikti i ideve është më rezultativ sesa një luftë pa ide.
Idetë janë armët me të cilat ne e ndërtojmë ose e shkatërrojmë botën. Përmes tyre ne
sendërtojmë të shkuarën apo të tashmen tonë.
Moderniteti na vendos të gjithëve në sfidën për të qenë në bashkëkohësi, pra për të qenë në
lartësinë e kësaj kërkese. Pra, kjo vë në sfidë secilin prej nesh që të perceptojë dhe të rrokë
kohën. Ja se çfarë thotë Giorgio Agamben: “Kjo do të thotë se bashkëkohor nuk është
vetëm ai që duke perceptuar errësirën e së tashmes, kap dritën që nuk mbërrin; është edhe
ai që duke ndarë e futur ndërmjet kohën, është në gjendje ta shndërrojë dhe ta vendosë në
marrëdhënie me kohë të tjera; ta lexojë historinë në mënyrë ende të padëgjuar, ta citojë
simbas një nevoje që nuk vjen kurrsesi prej vullnetit të tij, por prej një kërkese së cilës ai
nuk mund të rrijë pa iu përgjigjur”.
Ky debat është një ftesë dhe sfidë personale për secilin prej të rinjve pjesëmarrës që të
vendosë një raport reflektues mes traditës dhe modernes; të sjellë këndvështrime të cilat i
shërbejnë vazhdimësisë, duke evidentuar vlerat dhe duke u distancuar nga fenomene
negative; dhe të kontribuojë në evidentimin e fakteve dhe sjelljeve që kanë kuptim në
shoqërinë tonë.
BURIMET KRYESORE
1. “Building a Second Brain” by Tiago Forte; Atria Books (2022)
2. “Vetëvrasja e Europës” nga Dougllas Murray; përktheu Ivana Tomço, Botart; Tiranë
2018
3. “Pasojat e modernitetit” nga Anthony Giddens; Valbona Nathanaili/ Fatos Tarifa/
Blerjana Bino; UET Press; - Tiranë, 2013
4. “Teoria e shoqerise” nga Niklas Luhmann, Raffaele De Giorgi; përkthyer nga Adriana
Prizreni, Pika pa Sipërfaqe - Tiranë, 2016
5. “Moderniteti i lëngët” nga Zygmunt Bauman; shqipëroi: Dritan Xhelo: Shtëpia botuese
“Pika pa sipërfaqe” – Tiranë 2017
6. “Nacionalizmi:Kombi, shteti dhe politika në epokën moderne” nga Enis Sulstarova:
Shtëpia botuese “Pika pa sipërfaqe”, Tiranë – 2022
7. “Çka është bashkëkohori?” nga Giorgio Agamben; përktheu Zef Paci; Botues Art House
Foundation – Bulëzat; Shkodër, 2020

4
8. “Shoqëria e sfilitur” nga Byung Chul Han, përktheu Marsela Likaj, shtëpia botuese
“Berk” - Tiranë 2022

You might also like