You are on page 1of 9

REPUBLIKA E SHQIPËRISË

GJYKATA E LARTË
KOLEGJI PENAL

Nr. 53104-01478-00-2017 i Regj. Themeltar


Nr. 00-2022-137 i Vendimit (62)
VENDIM
NË EMËR TË REPUBLIKËS

Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, me trup gjykues të përbërë nga:

Ilir PANDA Kryesues


Sokol BINAJ Anëtar
Sandër SIMONI Anëtar

sot, më datën 22.02.2022, mori në shqyrtim, në dhomë këshillimi, çështjen penale me nr.
53104-01478-00-2017 akti, që ju përket palwve:

KËRKUES : Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë


I PANDEHUR : Dorjan Arapi
AKUZUAR : Për kryerjen e veprës penale “Vjedhja e energjisë elektrike ose
impulseve telefonike”.
BAZA LIGJORE : Nen137/2 i Kodit Penal
KOLEGJI PENAL I GJYKATËS SË LARTË

pasi dëgjoi relacionin e gjyqtarit Ilir Panda dhe diskutoi në dhomë këshillimit çështjen në
tërësi,
VEREN:
I. Rrethanat E Çështjes

1. I pandehuri Dorjan Arapi është banor i qytetit Vlorë. I pandehuri ka marrë me qira
nga shtetasi Marko Luka një ambient në katin e parë të një ndërtesë shumëkatëshe, të
ndodhur në lagjen “Ujë i Ftohtë”, në të cilin kryen aktivitet tregtar me objekt “Market
Ushqimor”. Me qëllim furnizimin me energji elektrike të këtij objekti qiradhënësi ka lidhur
me shoqërinë OSHEE sh.a., kontratën nr. 47707. Për shkak të detyrimeve të papaguara, në
datën 28.10.2015, punonjës të shoqërisë OSHEE sh.a. kanë ndërprerë furnizimin me
energji elektrike të objektit ku i pandehuri ushtron aktivitet tregtar deri në kryerjen e
pagesave të prapambetura, duke përpiluar edhe procesverbalin përkatës.
2. Në datën 31.10.2015, mbas një kontrolli të ushtruar nga punonjësit e shoqërisë
OSHEE sh.a., ka rezultuar se i pandehuri Dorjan Arapi kish realizuar rilidhjen me rrjetin
elektrik. U vërtetua se lidhja e paligjshme me rrjetin e energjisë elektrike ishte realizuar
nga i pandehuri Dorjan Arapi pas ndërprerjes së energjisë, pa dijeninë e shoqërisë OSHEE
sh.a. dhe pa kryer pagesat e prapambetura. Punonjësit e shoqërisë OSHEE sh.a. që kanë

1
konstatuar faktin kanë përpiluar procesverbalin e verifikimit dhe të ndërprerjes së energjisë
elektrike duke njoftuar edhe shërbimet e policisë gjyqësore të Komisariatit të Policisë
Vlorë për faktin e konstatuar. Në rrethana të tilla shërbimet policore, në datën 31.10.2015,
kanë kryer arrestimin në flagrancë të të pandehurit dhe kanë kryer veprimet e para
hetimore duke këqyrur vendin e ngjarjes dhe administruar procesverbalet përkatëse.
3. Është referuar fakti në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Vlorë e cila, në datën
02.11.2015, ka urdhëruar regjistrimin e procedimit penal nr. 2177/2015 duke shënuar edhe
emrin e të pandehurit Dorjan Arapi si person nën hetim për kryerjen e veprës penale
“Vjedhja e energjisë elektrike dhe impulseve telefonike”, parashikuar nga neni 137/2 i
Kodit Penal. Bazuar në kërkesën e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, me vendimin nr.
515, datë 03.11.2015, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë ka vleftësuar të ligjshëm arrestimin
në flagrancë të të pandehurit, ndërsa ka caktuar ndaj tij masën e sigurimit personal “Arrest
në shtëpi”, masë e cila është zëvendësuar me vendimin nr.60-2015-2719, datë 01.12.2015,
të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, me masën e sigurimit “Detyrim për të qëndruar në
një vend të caktuar”, vendim i cili është ekzekutuar në datën 04.12.2015.
4. Në rrethana të tilla është marrë me cilësinë e të pandehurit shtetasi Dorjan Arapi dhe
është akuzuar për kryerjen e veprës penale “Vjedhja e energjisë elektrike dhe impulseve
telefonike”, parashikuar nga neni 137/2 i Kodit Penal. I pandehuri nuk e ka pranuar
rilidhjen e energjisë elektrike, duke pretenduar se energjia elektrike që furnizon objektin e
administruar prej tij nuk është rilidhur prej tij.
5. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë, me vendimin nr.488, datë 19.07.2016, ka
vendosur: “Deklarimin fajtor të të pandehurit Dorjan Arapi për kryerjen e veprës penale
të “Vjedhja e energjisë elektrike dhe impulseve telefonike”, parashikuar nga neni 137/2 i
Kodit Penal dhe në bazë të këtij neni e dënon me 1 (një) vit burgim. Në bazë të nenit 406 të
Kodit të Procedurës Penale urdhërohet ulja e 1/3 së masës së dënimit. Vuajtja e dënimit i
fillon nga data e arrestimit në flagrancë, 31.10.2015. Në bazë të nenit 59 të Kodit Penal
urdhëron pezullimin e ekzekutimit të pjesës së pavuajtur të dënimit duke u vënë i pandehuri
në provë për një periudhë kohore 18 muaj.Në bazë të nenit 61 të Kodit Penal urdhërohet i
pandehuri të mbajë kontakte me shërbimin e provës dhe të marrë pëlqimin nga shërbimi i
provës për ndryshimin e vendbanimit apo për lëvizjet e shpeshta brenda vendit. Deklarohet
heqja e masës së sigurimit caktuar me vendimin nr. 515, datë 03.11.2015, të Gjykatës së
Rrethit Gjyqësor Vlorë. ...”.
6. Në vendimin e saj Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë ka arsyetuar se:
6.1 Në rrethana të tilla, në veprimet e të pandehurit Dorjan Arapi, gjenden të
konsumuara elementet e figurës së krimit të “Vjedhja e energjisë elektrike dhe impulseve
telefonike”, të parashikuar nga neni 137/2 i Kodit Penal. Rezultoi e vërtetuar se i pandehuri
Dorjan Arapi, në kushtet kur shoqëria OSHEE sh.a, e cila është subjekti që operon në
fushën e prodhimit, tregtimit dhe shpërndarjes së energjisë elektrike, sipas kontratës për
furnizimin me energji elektrike kishte ndërprerë furnizimin me energji elektrike të objektit
ku i pandehuri ushtronte aktivitet tregtar, për shkak të mospagimit të energjisë së
konsumuar, ka realizuar rilidhjen me rrjetin elektrik duke përfituar kështu në mënyrë të
paligjshme energji elektrike. I pandehuri Dorjan Arapi duke kryer një ndërhyrje të tillë në
rrjetin elektrik, pra duke përfituar energji elektrike në mënyrë të paligjshme, ka konsumuar
me veprime konkrete anën objektive të figurës së krimit për të cilën akuzohet.
6.2 I pandehuri Dorjan Arapi është subjekt i veprës penale për të cilën akuzohet, është i
përgjegjshëm, madhor dhe pa deklarime mangësish në lidhje me gjendjen psikike. Veprën
për të cilën do të deklarohet fajtor, i pandehuri e ka kryer me dashje direkte. Janë elementet
e figurës se veprës penale por edhe rrethanat e tjera të faktit që e drejtojnë gjykatën në këtë
përfundim. Gjithashtu, vepra për të cilat i pandehuri gjendet fajtor nuk mund të
konsumohet në forma të tjera të anës subjektive veçse me dashje direkte, me qellim
përfitimi material.

2
6.3 Në rrethana të tilla, i pandehuri Dorjan Arapi gjendet dhe do të shpallet fajtor për
kryerjen e veprës penale të “Vjedhja e energjisë elektrike dhe impulseve telefonike”. Në
caktimin e llojit dhe të masës së dënimit gjykata mban parasysh rrezikshmërinë shoqërore
të veprës penale për të cilën akuzohet i pandehuri, e shprehur në sanksionin penal të
parashikuar në nenin 137/2 të Kodit Penal dhe rrezikshmërinë shoqërore të autorit. Bazuar
në këto elemente gjykata çmon se dënimi me i përshtatshëm për të pandehurin Dorjan
Arapi për kryerjen e veprës penale të “Vjedhja e energjisë elektrike dhe impulseve
telefonike” është dënimi me një vit burgim.
6.4 Në arritjen e këtij konkluzioni gjykata mban parasysh rrethanat konkrete të kryerjes
së veprës penale, rrethanat lehtësuese në favor të të pandehurit dhe mos konkurrimin e
asnjë rrethane rënduese. Gjykata mban parasysh edhe personalitetin dhe zhvillimin e të
pandehurit, rrethanat familjare dhe sjelljen e tij ndaj procedimit penal. Gjykata në kuptim
të nenit 49 të Kodit Penal, mban parasysh si rrethana lehtësuese në favor të të pandehurit:
moshën e të pandehurit, nivelin arsimor dhe kulturor të saj, gjendjen ekonomike dhe
familjare të të pandehurit, faktin që i pandehuri nuk ka precedentë penale çka ndikon në
vlerësimin e rrezikshmërisë shoqërore të tij e cila konsiderohet relativisht e ulët.
6.5 Bazuar në gjitha rrethanat e mësipërme të provuara në gjykim, gjykata çmon se
ekzekutimi i dënimit me burgim ndaj të pandehurit Dorjan Arapi duhet të pezullohet duke
u vënë i pandehuri në provë, me kusht që gjatë kohës së provës të mos kryeje vepër tjetër
penale. Gjykata çmon se pezullimi i ekzekutimit të dënimit me burgim, si alternative e
dënimit me burgim, për të pandehurin Dorjan Arapi është alternativa më e përshtatshme në
gjykimin e rastit konkret. Gjykata arrin në këtë konkluzion duke pasur parasysh
rrezikshmërinë e ulët të të pandehurit, mënyrën e sjelljes së tij pas kryerjes së veprës
penale, ekzistencën e disa rrethanave lehtësuese në ngarkim të tij, rrethanat familjare si dhe
mundësinë e rehabilitimit të të pandehurit.
7. Kundër vendimit ka bërë ankim prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit
Gjyqësor Vlorë e cila ka kërkuar ndryshimin e vendimit për sa i përket aplikimit të nenit
59 të tij duke u hequr pezullimi i ekzekutimit të dënimit me burgim pasi:
-Ka rezultuar se nga ana e të pandehurit Dorjan Arapi, qiramarrës i objektit dyqan me
emërtimin “Market Fieraku” ishte rilidhur energjia elektrike e cila ishte e ndërprerë në
datën 28.10.2015. Konstatimi i rilidhjes së energjisë elektrike është provuar me
procesverbalin e datës 31.10.2015.
-I pandehuri ka mohuar që të ketë rilidhur energjinë elektrike, pra që të ketë ndërhyrë
në sistemin e matjes, kur nga procesverbali i punonjësve të OSHEE është e provuar e
kundërta pasi është ndërhyrë në sistemin e matjes në mënyrë të paligjshme dhe të
paautorizuar me qëllim përfitimi pra vijimin e aktivitetit tregtar.
-Vepra penale e parashikuar nga neni 137/2 i Kodit Penal paraqet rrezikshmëri
shoqërore duke iu referuar edhe sanksioneve vetëm me burgim nga një deri në 5 vjet
burgim.
-Ashpërsimi i masës së dënimit për këtë vepër u imponua për shkak të përhapjes së
kësaj vepre sidomos kundër përdoruesve jofamiljar të energjisë.
-I pandehuri nuk ka pranuar veprën edhe pse provat vërtetojnë të kundërtën. Ky
qëndrim duhet të vlerësohet në raport me personalitetin e tij.
-Nisur nga rrethanat e kryerjes së veprës penale nuk mund të flasim për një
rrezikshmëri të pakët të veprës dhe të autorit. Prandaj ndaj tij nuk mund të aplikohet
neni 59 i Kodit Penal.
8. Kundër vendimit kanë bërë ankim i pandehuri që kanë kërkuar prishjen e
vendimit dhe pushimin e çështjes penale pasi fakti nuk përbën vepër penale për këto arsye:
-Vendimi i gjykatës bie ndesh me provat e marra në hetimin e çështjes.

3
-Sipas pretendimeve të OSHEE në boksin kolektiv të pallatit, ku ndodhej matësi i
dyqanit në përdorim të të pandehurit është konstatuar rilidhja e energjisë elektrike e
ndërprerë në datën 28.10.2015 për shkak të një detyrimi prej 70,000 lekë.
-Lidhur me faktin penal i pandehuri ka deklaruar se në datën 28.10.2015 ka qenë
duke luajtur kalçeto, kur e ka marrë bashkëshortja e cila i ka thënë për ndërprerjen e
energjisë elektrike në dyqan dhe pas 10-15 minutash e kishte njoftuar përsëri se
kishin ardhur dritat dhe nuk duhet të vinte për këtë shkak.
-Për muajin e fundit ishte akumuluar një debi prej 70,000 lekësh. Në datën
31.10.2015 ai i kishte dhënë bashkëshortes një shumë prej 100,000 lekësh me qëllim
që të paguante edhe konsumin e muajit Tetor.
-Gjatë kohës që bashkëshortja ka përfunduar vizitën e fëmijës në ambulancën
qendrore dhe është drejtuar në ambientet e OSHEE për të paguar debinë, punonjësit
e OSHEE kishin shkuar në dyqan dhe kishin konstatuar rilidhjen e energjisë në
kontratën e abonentit jofamiljar nr. 47707 duke u operuar më pas me arrestimin e të
pandehurit për veprën penale të parashikuara nga neni 137/2 i Kodit Penal.
-Sipas nenit 137/2 të Kodit Penal ligjvënësi ka pasur si element të domosdoshëm të
veprës penale qëllimin e përfitimit të paligjshëm të energjisë elektrike, i cili mungon
në rastin konkret.
-Edhe sikur të pranohen se i pandehuri e ka rilidhur energjinë elektrike në mënyrë të
paautorizuar në dyqanin në përdorim të tij, energjia e rilidhur kalon dhe futet në
matësin e energjisë me nr. kontrate 47707 dhe përllogaritet konsumi.
-Në ditën që është bërë arrestimi i të pandehurit, ai nuk ka pasur asnjë debi ndaj
operatorit të shpërndarjes së energjisë elektrike, gjë që vërtetohet nga vërtetimi i
datës 31.10.2015 i lëshuar nga OSHEE.
-Në veprimet e të pandehurit Dorjan Arapi nuk ekzistojnë elementët e veprës penale
të parashikuar nga neni 137/2 i Kodit Penal.
-Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë ka interpretuar në mënyrë të gabuar ligjin material
pasi vepra penale është e metë pasi mungon një aspekt i domosdoshëm pikërisht
“qëllimi i përfitimit të paligjshëm të energjisë elektrike”.
9. Gjykata e Apelit Vlorë, me vendimin e saj nr.417, datë 13.06.2017, ka vendosur :
“Prishjen e vendimit nr.488 e dt.19.07.2016 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë dhe
pushimin e çështjes penale” .
10. Në vendimin e saj Gjykata e Apelit Vlorë ka arsyetuar se:
10.1 Gjykata e Apelit Vlorë pasi shqyrtoi pretendimet e ngritura në ankim nga të dyja
palët dhe provat e marra në kuadër të gjykimit të shkurtuar çmon se vendimi nr.488 datë
19.7.2016 i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë është marrë në zbatim të gabuar të ligjit dhe
të provave. Në bazë të nenit 428/c të Kodit të Procedurës Penale vendimi duhet të prishet
dhe çështja penale duhet të pushohet. Ndryshe nga sa arsyetohet në vendimin e gjykatës së
shkallës së parë, nga tërësia e akteve të administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor, nuk
konstatohet në veprimet e të pandehurit elementet e veprës penale të vjedhjes së energjisë
elektrike.
10.2 Sipas nenit 137/1 të Kodit Penal, të ndryshuar me ligjin nr.98/2014: “Vjedhja e
energjisë elektrike ose impulseve telefonike, dëmtimi i matësit, si dhe çdo ndërhyrje tjetër e
paligjshme dhe e paautorizuar në sistemin e matjes apo në rrjetin elektrik ose rrjetin
telefonik, e kryer me qëllim përfitimi të paligjshëm, përbën vepër penale dhe dënohet me
burgim deri në tre vjet.”
10.3 Duke analizuar tre nga elementet kryesor të kësaj vepre penale, pikërisht objektin,
anë objektive dhe anën subjektive të saj, konstatohet se:
a. kjo vepër penale synon të mbrojë ato marrëdhënie juridike të vendosura me ligj për
të siguruar përdorimin dhe mirë-administrimin e rregullt të energjisë elektrike,

4
b. mund të kryhet me veprime aktive me anë të vjedhjes së drejtpërdrejtë të energjisë
elektrike, ose me anë të dëmtimit të matësit ose çdo ndërhyrje tjetër të paligjshme
dhe të paautorizuar në sistemin e matjes apo në rrjet në funksion të vjedhjes,
c. kërkohet detyrimisht ekzistenca e qëllimit të përfitimit të paligjshëm.
10.4 Ligjvënësi në dispozitivin e kësaj norme, ka përshkruar veprimet që konsiderohen
vjedhje e energjisë, duke qenë kështu ky dispozitiv me karakter përshkrues. Duke qenë se në
anën objektive që parashikon kjo normë juridike, evidentohen edhe veprime të tilla si
dëmtimi i matësit ose çdo ndërhyrje tjetër të paligjshme dhe të paautorizuar në sistemin e
matjes apo në rrjet, të cilat, jo gjithnjë mund të kenë qëllim vjedhjen, për të përcaktuar se në
cilat raste këto veprime do të konsiderohen vjedhje e energjisë, do t’i referohemi kuptimit që
praktika gjyqësore i ka dhënë kësaj vepre penale. Me vjedhje të pasurisë kuptohet marrja,
hedhja në dorë, në mënyrë të kundërligjshme të fshehtë ose të hapur të pasurisë së luajtshme
e kryer me dashje dhe me qëllim për të mos e kthyer më, për të nxjerrë përfitim material për
vete ose në dobi të personave të tjerë.
10.5 Objekti i krimit të vjedhjes janë marrëdhëniet juridike të vendosura nga shteti për të
siguruar paprekshmërinë e pronës mbi sendet e luajtshme të personave. Nga ana objektive,
vjedhja kryhet me veprime të kundërligjshme në mënyrë të fshehte ose të hapur, kundër
vullnetit të pronarit, personit që e ka në nëndorësi, e ruan ose e ka ne administrim. Vjedhja
quhet e kryer në çastin kur pronari ose poseduesi zhvishet nga posedimi i pasurisë. Nga ana
subjektive, kryhet vetëm me dashje dhe me qëllim të caktuar për të mos e kthyer më dhe për
të nxjerrë përfitim material.
10.6 Pra, për të ekzistuar vepra penale e vjedhjes së energjisë, duhet detyrimisht të
provohet se veprimet e personit kanë konsistuar në përfitimin në mënyrë të kundërligjshme,
të fshehtë ose të hapur të kësaj energjie, me qëllim për t’iu shmangur evidentimit të detyrimit,
qoftë edhe pjesërisht, për të paguar vlerën e energjisë reale të konsumuar. Një mënyrë e tillë
do të ishte ndërhyrja në sistemin matës duke ndikuar që ky sistem të mos kryente funksionin
e leximit real të energjisë së konsumuar, apo çdo ndërhyrje tjetër e paligjshme dhe e
paautorizuar në sistemin e matjes apo në rrjet, me qellim mos pasqyrimin e konsumit real të
energjisë elektrike dhe për pasojë në përfitimin e paligjshëm të saj duke iu shmangur
detyrimit për të paguar energjinë e konsumuar.
10.7 Jo pa qëllim ligjvënësi, kur ka evidentuar këto dy forma të anës objektive të kësaj
vepre penale, pra atë të dëmtimit të matësit ose çdo ndërhyrje tjetër të paligjshme dhe të
paautorizuar në sistemin e matjes apo në rrjet në funksion të vjedhjes, e ka konsideruar si
kusht të domosdoshëm që këto veprime të anës objektive, të udhëhiqen nga mendimi kriminal
për të përfituar në mënyrë të paligjshme. Ndërkohë që, siç u analizua edhe më lart, përfitimi i
paligjshëm në veprën penale të vjedhjes është dashja për të marrë dhe mos e kthyer më
sendin, pra për të ndikuar në shtimin në mënyrë të paligjshme të pasurisë së autorit, ose të të
tretëve.
10.8 Duke iu referuar rrethanave të faktit penal të pretenduar nga organi procedues, ka
rezultuar se veprimet e të pandehurit kanë konsistuar në rilidhjen prej tij të energjisë elektrike
pikërisht në pjesën ku qëndronin automatet në boksin kolektiv, pra në të njëjtën vend ku ishte
ndërprerë në datën 28.10.2015 energjia elektrike. Pra, në këtë rast, i pandehuri ka vepruar në
mënyrë të kundërligjshme, duke rilidhur energjinë e ndërprerë, por duke rivënë në funksion të
njëjtin mekanizëm të furnizimit me energji, atë të lidhjes me rrjetin sipas skemës së
furnizimit të rregullt të instaluar nga punonjësit e OSHEE dhe kalimit të energjisë nëpërmjet
aparatit matës dhe për rrjedhojë, të matjes së rregullt të energjisë së konsumuar.
10.9 Pra, konstatohet qartë se sjellja e të pandehurit dhe ndërhyrja e paligjshme në rrjet e
kryer prej tij, përbën, së pari, shkelje të detyrimeve kontraktore, duke mos kryer pagesat e
rregullta të energjisë së konsumuar dhe së dyti, vetëgjyqësi, duke rivendosur vetë një të drejte
që ka menduar se i takon (të drejtës për të mos ndërprerë furnizimin me energji elektrike për
shkak të detyrimit të prapambetur), pa iu drejtuar organit kompetent. Sjellja e të pandehurit
nuk përmban elementët e veprës penale të vjedhjes së energjisë elektrike, pikërisht për shkak

5
të mungesës së qëllimit kriminal-mos pasqyrimin e konsumit real të energjisë elektrike dhe
për pasojë në përfitimin e paligjshëm të saj duke iu shmangur detyrimit për të paguar
energjinë e konsumuar.
10.10 Në kushtet që nuk provohet ana subjektive e kësaj vepre penale, pra qëllimi për të
mos e matur, për rrjedhojë për mos ta kthyer më sasinë reale të konsumuar dhe për të nxjerrë
përfitim material, vendimi i gjykatës së shkallës së parë që e ka deklaruar atë fajtor për këtë
vepër penale, duhet të prishet dhe të vendoset pushimi i çështjes për këtë akuze.
10.11 Në lidhje me veprën penale të vetëgjyqësisë, gjykata e apelit konstaton se me ligjin
nr. 141/2016 datë 21.12.2016, nenit 6 të tij, : “1. Pushohen ndjekjet penale për çështjet në
hetim, për çështjet e pashqyrtuara ose në proces shqyrtimi nga gjykatat, si dhe për kallëzimet
që ndodhen në këto organe, pavarësisht nga data e regjistrimit të tyre, për veprat penale të
kryera deri në datën 25.12.2016, për të cilat Kodi Penal parashikon një dënim me burgim në
maksimum deri në 2 vjet, ose çdo lloj dënimi tjetër më të butë, me përjashtim të veprave të
parashikuara nga paragrafi i parë i nenit 124/b, paragrafi i parë i nenit 130/a, paragrafi
parë i nenit 235, paragrafi i parë i nenit 236, nenet 237, 238, 242, 243, paragrafi i parë i
neni 246, neni 246/a, paragrafi parë i nenit 247, të Kodit Penal.
10.12 Sipas nenit 277 të Kodit Penal: “Ushtrimi i një të drejte prej personit që i përket
ose që kujton se i përket dhe që nuk njihet nga tjetri pa iu drejtuar organit kompetent
shtetëror, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre
muaj.”. Vepra penale e cila i atribuohet te akuzuarit pretendohet te ketë ndodhur para datës
25 dhjetor 2016.
10.13 Sipas nenit 290 pika 1 gërma “dh” të Kodit të Procedurës Penale : “Procedimi
penal nuk mund të fillojë dhe, në qoftë se ka filluar, duhet të pushojë në çdo gjendje të
procedimit, kur: …është dhënë amnisti …”. Sa më sipër, për shkak të amnistimit të ndjekjes
penale për veprën penale të vetëgjyqësisë, duhet të vendoset pushimi i çështjes.
11. Kundër vendimit të Gjykatës së Apelit Vlorë, ka ushtruar rekurs në
dt.10.07.2017, prokurori i Apelit Vlorë. Rezulton se i pandehuri është njoftuar me anë të
avokatit për rekursin në dt.08.09.2017.
12. Rekursuesi ka parashtruar këto shkaqe:
-Nga studimi i vendimit të Gjykatës së Apelit rezulton se, shkaqet për të cilat ajo
gjykatë ka vendosur prishjen e vendimit dhe pushimin e çështjes për të pandehurin
Dorjan Arapi, janë ato që kanë të bëjnë me elementët e anës subjektive të veprës
penale, për të cilën gjykata konkludon me të padrejtë se, përderisa energjia elektrike e
konsumuar nga biznesi në administrim të të pandehurit mbas rilidhjes së paligjshme
kalonte përsëri përmes matësit elektrik, sipas saj në këtë rast nuk kishim të bënim me
vjedhje të energjisë elektrike dhe për pasojë i pandehuri nuk kishte përgjegjësi penale.
-Me qëllim për të justifikuar këtë vendimmarrje të sajën, Gjykata e Apelit i ka bërë një
analizë të hollësishme vetë përmbajtjes së dispozitës penale të parashikuar nga neni
137 i Kodit Penal, duke dalë në konkluzionin e gabuar se, sipas saj, jo çdo ndërhyrje e
paligjshme në rrjetin e energjisë elektrike do të parashikohej si vepër penale, por vetëm
ato ndërhyrje që kishin si qëllim vjedhjen e energjisë elektrike, siç ishin rastet klasike
të vjedhjes së energjisë duke e marrë atë jashtë matësit, apo dëmtimi i matësit me
qëllim që ai të regjistronte më pak se sa energjia e konsumuar në realitet.
-Një arsyetim i tillë i Gjykatës së Apelit, sipas të cilës po nuk u vërtetua plotësisht
ekzistenca e qëllimit kriminal të përfitimit të paligjshëm nuk ka vepër penale,
vlerësojmë se nuk është aspak i drejtë dhe ligjor për arsye se:
-Së pari, nga përmbajta e dispozitës rezulton se ligjvënësi ka parashikuar si vepër
penale edhe rastet kur konstatohen dëmtime të matësit, si dhe ndërhyrje të tjera të
paligjshme e të paautorizuara në sistemin e matjes apo në rrjetin elektrik, që do të thotë
se do të kemi vepër penale edhe kur thjesht konstatohet dëmtimi i matësit apo çdo lloj
ndërhyrje tjetër të paautorizuar, pikërisht si ato të kryera nga i pandehuri.

6
-Së dyti, në lidhje me togfjalëshin “përfitim i paligjshëm”, Gjykata e Apelit gabon kur
interpreton se në këtë rast përfitimi i vetëm i subjektit i kërkuar nga ligja do të jetë ai i
vjedhjes së energjisë elektrike, ndërkohë që ne kemi mendimin se përfitimi në këtë rast
ka qenë ai që i pandehuri ka vijuar të marrë energji elektrike nga rrjeti edhe mbas
marrjes së masës ndëshkuese të ndërprerjes si pasojë e mos shlyerjes së detyrimeve të
prapambetura.
-Referimi i gjykatës së apelit tek doktrina e të drejtës penale me synimin për të sqaruar
se çfarë do të kuptojmë me vjedhje të pasurisë në përgjithësi, duke konkluduar se po
nuk pati zhveshje nga pasuria e pronarit apo personit që e ka në nëndorësi pronën, nuk
do të kemi të bëjmë me vjedhje të pasurisë, nuk është se i shërben rastit në shqyrtim
pasi dispozita materiale penale e parashikuar nga neni 137 i Kodit Penal, në formën se
si është formuluar, bën dallim nga vjedhjet e tjera për shkak të objektit që merr në
mbrojtje dhe të natyrës së mallit, që në këtë rast nuk është një send konkret i prekshëm
dhe me një formë të caktuar.
-Ne vlerësojmë se jo pa qëllim nga ana e ligjvënësit, brenda të njëjtës dispozitë janë
parashikuar disa forma të kryerjes së veprës penale, siç është vjedhja e energjisë
elektrike ose impulseve telefonike, dëmtimi i matësit si dhe çdo ndërhyrje tjetër e
paligjshme dhe e paautorizuar në sistem, dhe se kryerja e çdonjërit prej këtyre
veprimeve do të përbënte vepër penale sipas kësaj dispozite.
-Po kështu Gjykata e Apelit gabon edhe kur, në analizë të veprimeve të kryera nga i
pandehuri, ka konkluduar se: “Sjellja e të pandehurit dhe ndërhyrja e paligjshme në
rrjet e kryer prej tij, përbën, së pari, shkelje të detyrimeve kontraktore, duke mos kryer
pagesat e rregullta të energjisë së konsumuar dhe, së dyti, vetëgjyqësi, duke rivendosur
vetë një të drejtë që ka menduar se i takon pa ju drejtuar organit kompetent”.
-Një konkluzion i tillë i Gjykatës së Apelit, e cila e cilëson veprimet e të pandehurit si
të kryera në shkelje të nenit 277 të Kodit Penal, për të cilën në bazë të Ligjit Nr.
141/2016 “Për dhënie amnistie” ka çmuar se nuk mund të ushtrojë dot ndjekje penale
sepse vepra penale e “Vetëgjyqësisë” është amnistuar, përveç se vjen në kundërshtim
me përmbajtjen e ligjit, bie ndesh edhe me praktikën gjyqësore tashmë të konsoliduar
edhe në Gjykatën e Apelit Vlorë, ku në asnjë rast nuk ka ndodhur që veprime të tilla të
konsiderohen si vetëgjyqësi.
-Ky vendim i gjykatës së faktit e vlerësojmë se është tërësisht i bazuar në ligj dhe në
prova përsa i përket cilësimit juridik të veprës, fajësisë, por edhe llojit dhe masës së
dënimit të caktuar për të pandehurin Dorjan Arapi, për të cilat ne nuk kemi patur
kundërshtim dhe kemi kërkuar lenien e tij në fuqi, me ndryshimin e vetëm për mënyrën
e vuajtjes së dënimit, për të cilin kemi kërkuar mosaplikimin e nenit 59 të Kodit Penal
dhe urdhërimin për vënien në ekzekutim të vendimit për vuajtjen e plotë të dënimit të
mbetur prej 6 muaj dhe 26 ditë burgim nga ky i pandehur.

II. VLERSIMI I KOLEGJIT PENAL


13. Paraprakisht, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë (në vijim Kolegji) vlerëson të
evidentojë faktin e ndryshimeve ligjore që ka pësuar Kodi i Procedurës Penale me ligjin nr.
41/2021, hyrë në fuqi në datën 29.05.2021. Në nenin 38 të ligjit nr. 41/2021, mbi dispozitat
tranzitore parashikohet se: “1. Përbërja e trupave gjykues, si dhe procedura e gjykimit në
Gjykatën e Lartë rregullohet sipas përcaktimeve të këtij ligji, pavarësisht parashikimeve të
ndryshme në ligje të tjera. 2. Rekurset e paraqitura, por ende të pashqyrtuara, konsiderohen
të pranueshme nëse plotësojnë parashikimet e ligjit në fuqi në kohën e depozitimit të tyre”.
Në kuptim të kësaj dispozite, në lidhje me formimin e trupit gjykues si dhe procedurën e
gjykimit, Kolegji Penal zbaton parashikimet e ligjit nr. 41/2021, ndërsa në lidhje me kushtet e
pranueshmërisë së rekursit i referohet ligjit procedurial që ka qenë në fuqi në kohën e
depozitimit të tij.

7
14. Shkaqet e rekursit në Gjykatën e Lartë parashikohen nga neni 432 i Kodit të
Procedurës Penale. Kjo dispozitë, në pikën 1 të saj, parashikon se rekursi kundër
vendimit të gjykatës së apelit mund të bëhet kur nuk është respektuar ose është zbatuar
gabim ligji material ose procedural i cili është me rëndësi për njësimin ose zhvillimin e
praktikës gjyqësore; kur nuk është respektuar ose është zbatuar gabim ligji procedural me
pasojë pavlefshmërinë e vendimit, pavlefshmërinë absolute të akteve ose papërdorshmërinë e
provave; ose kur vendimi i ankimuar vjen në kundërshtim me praktikën e Kolegjit Penal ose
të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë.
15. Kolegji vlerëson se vendimi i Gjykatës së Apelit Vlorë nr.417, datë 13.06.2017, është
marrë në zbatim dhe interpretim të gabuar të ligjit material. Rekursuesi, Prokuroria e Apelit
Vlorë, në rekursin e paraqitur para Gjykatës së Lartë, i referohet vlerësimit të gabuar të
elementeve të veprës penale “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike”,
parashikuar nga neni 137/2 të KP, të arsyetuar nga Gjykata e Apelit Vlorë si dhe aplikimit të
kritereve të nenit 59 të KP.
16. Në të gjitha rastet kur rekursi nuk i përmbahet shkaqeve të përcaktuara nga neni 432/1
i Kodit të Procedurës Penale, Kolegji Penal vendos mospranimin e rekursit. Qëndrimi që
mban Kolegji për rastin në shqyrtim, bazohet edhe në jurisprudencën e konsoliduar të
Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, që referon në jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese dhe
të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, sipas të cilave shkaqet e parashtruara në rekurs
që rezultojnë haptazi të pabazuara vlerësohen si të papranueshme për pranimin e rekursit.
17. Në lidhje me pretendimin për zbatim të gabuar të ligjit penal dhe procedural nga ana e
Gjykatës së Apelit, Vlorë ai është një pretendim i bazuar. Nga ana e Gjykatës së Apelit janë
analizuar elementet e veprës penale të parashikuar nga neni 137/2 të KP, interpretim i cili nuk
përputhet me interpretimin që i bëhet në aspektin teorik dhe praktik konkretisht kësaj vepre.
Vjedhja e energjisë elektrike nga ana objektive konsumohet dhe me rilidhjen e energjisë
elektrike jo në formën e kërkuar nga ligji, që konsiston me prezencën e punonjësve të
OSHEE-së, të cilët janë të vetmit subjekte që mund të ndërhyjnë në matësin e energjisë
elektrike, pasi nga subjekti debitorë janë paguar detyrimet ose nëse mes palëve kontraktore
është lidhur një marrëveshje për pagimin e energjisë ose janë zgjidhur mosmarrëveshjet mes
palëve në formën e kërkuar nga ligji. Kolegji konstaton se ky qëndrim në lidhje me anën
objektive të kryerjes së veprës penale në formën e rilidhjes së energjisë elektrike është një
qëndrim i konsoliduar si nga gjykatat e faktit dhe nga Gjykata e Lartë.
20. Në lidhje me pretendimin e Prokurorisë së Apelit Vlorë, për zbatim të gabuar të
kritereve në lidhje me zbatimin e dënimit alternativ, të pezullimit të dënimit me burgim dhe
vënien në provë sipas nenit 59 të Kodit Penal, si element i zbatimit të ligjit penal material, ky
pretendim është i pabazuar. Neni 59 i Kodit Penal përcakton kriteret ligjore për zbatimin e
këtij dënimi alternativ, duke parashikuar se: “Për shkak të rrezikshmërisë së paktë të
personit, moshës, kushteve shëndetësore apo mendore, mënyrës së jetesës dhe të nevojave,
veçanërisht atyre që lidhen me familjen, shkollimin ose punën, rrethanave të kryerjes së
veprës penale, si dhe të sjelljes pas kryerjes së veprës penale, gjykata, kur jep dënim me burg
deri në pesë¸ vjet, mund të urdhëroj¸ që i dënuari të mbajë kontakte me shërbimin e provës
dhe të vihet në provë, duke pezulluar ekzekutimin e dënimi.”
21. Në referim sa sipër, në caktimin e këtij dënimi alternativ, gjykata duhet të verifikojë
plotësimin e disa kushteve. Së pari, masa e dënimit të caktuar të jetë deri në pesë vjet dhe së
dyti të ekzistojnë një ose disa nga këto kushte; rrezikshmëria e paktë e personit, mosha,
kushtet shëndetësore apo mendore, mënyra e jetesës dhe nevojat, veçanërisht ato që lidhen
me familjen, shkollimin ose punën, rrethanat e kryerjes së veprës penale, si dhe të sjellja pas
kryerjes së veprës penale. Tërësia e këtyre kushteve verifikohet nga gjykata në caktimin e
dënimit alternativ dhe ky dënim caktohet gjithmonë në ato raste kur gjykata vlerëson se një
dënim i tillë do të realizojë funksionin rehabilitues të përgjithshëm dhe të posaçëm në drejtim
të të pandehurit.
22 Duke i’u kthyer çështjes objekt rekursi, në zbatim të parimeve të mësipërme, ky

8
Kolegj vlerëson se masa e dënimit e caktuar në rastin konkret është në zbatim korrekt të
neneve 47, 48 dhe 59 të Kodit Penal. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë ka interpretuar kriteret
e përcaktuara në nenin 59 të Kodit Penal dhe i ka zbatuar ato me korrektësi në çështjen
konkrete. Kolegji vlerëson se, i pandehuri plotëson kushtet e përcaktuara nga neni 59 i Kodit
Penal, prandaj ndaj tij është aplikuar dënimi alternativ i pezullimit të dënimit me burgim dhe
vënies në provë.
23. Në drejtim të zgjidhjes së çështjes, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë konkludon se,
vendimi i Gjykatës së Apelit, Vlorë është rrjedhojë e zbatimit të gabuar të ligjit procedural
penal. Nga provat e administruara dhe nga aktet që ndodhen në fashikullin e gjykimit, ky
Kolegj çmon se Gjykata e Apelit Vlorë ka bërë një vlerësim jo të drejtë të elementeve të
veprës penale “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike”, parashikuar nga neni
137/2 i KP, duke e kualifikuar veprën penale si “Vetgjyqësi”, parashikuar nga neni 277 i KP,
dhe në bazë të ligjit të amnistisë e ka pushuar çështjen.
24. Përkundrazi, Kolegji vlerëson se analiza ligjore e kryer nga Gjykata e Rrethit
Gjyqësor Vlorë, në evidentimin e elementeve të veprës penalë “Vjedhja e energjisë elektrike
ose impulseve telefonike”, parashikuar nga neni 137/2 të KP, si dhe në caktimin e llojit dhe
masës së dënimit, duke aplikuar dhe kriteret e nenit 59 të KP, është një vlerësim i drejtë dhe i
bazuar në ligjin penal dhe procedural.
25. Gjykata e Lartë, pa i hyrë analizës së provave, nga shqyrtimi i materialeve të dosjes
gjyqësore dhe pretendimeve të parashtruara në rekurs evidenton nëse nga gjykatat e faktit
janë lejuar ose jo shkelje të normave procedurale dhe nëse ligji material është respektuar ose
jo. Në varësi të zgjidhjes së këtyre çështjeve nga gjykatat e faktit, Gjykata e Lartë, në
realizim të funksionit të saj, shprehet për bazueshmërinë ose jo në ligj të vendimeve të
gjykatave të faktit.
26. Rrjedhimisht, Kolegji vendos prishjen e vendimit të Gjykatës së Apelit Vlorë dhe
lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë.

PËR KËTO ARSYE


Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, bazuar në nenin 433 dhe 441/1-b të Kodit të Procedurës
Penale,
VENDOSI
Prishjen e vendimit të Gjykatës së Apelit Vlorë nr.417, datë 13.06.2017 dhe lënien në fuqi të
vendimit nr.488, datë 19.07.2016, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë.

Tiranë, më 22.02.2022

You might also like