You are on page 1of 7

SHPJEGIME RRETH KËRKESË PADISË QË I PËRKET

PADITËSI:Gentian DALIPAJ, i biri Myzaferit, lindur në Cakran më 29.01.1983 dhe banues në Tiranë,me
adresë Rr.“Muhamet Deliu”,Pallati Eurovini,Shkll. 3, Ap.20,Tiranë,me Nr.personal I30129012V (nr. cel:
0694021847 dhe e-mail: genti.dalipaj@gmail.com);

I PADITUR:Shoqëria “PETROL ALBA” Sh.a, regjistruar në QKB me NUIS K81706017T, me seli Njësia
Bashkiake Nr.7, Rruga e Kavajës, Godinë e Ndërmarrjes Industriale Nr.1, Tiranë.

OBJEKTI:Detyrimi i palës së paditur për dëmshpërblim të barabartë me pagën e 12 (dymbëdhjetë)


muajve, për shkak të zgjidhjes së menjëhershme dhe të pajustifikuar të kontratës së punës nga
punëdhënësi;

Detyrimi i palës së paditur për dëmshpërblim të barabartë me pagën e 3 (tre) muajve për
mosrespektim të afatit të njoftimit në zgjidhjen e kontratës së punës;

Detyrimi i palës së paditur për dëmshpërblim të barabartë me pagën e 2 (dy) muajve për shkak të
mosrespektimit të procedurës së zgjidhjes së kontratës së punës;

Detyrimi i palës së paditur për dëmshpërblim të barabartë me pagën e 3 (tre) muajve për efekt të
vjetërsisë në punë.

Vënien në ekzekutim të përkohshëm të vendimit.

BAZA LIGJORE:Nenet 143,144,145,dhe 155 të Kodit të Punës së Republikës së Shqipërisë,Nenet 32,


153 e vijues të Kodit të Procedurës Civile;

PËRPARA GJYKATËS SË SHKALLËS PARË TË JURIDIKSIONIT TË PËRGJITHSHËM

TIRANË

E nderuar Zj Gjyqtare,

Unë Paditësi, Gentian DALIPAJ duke filluar nga data 29.07.2016 kam qenë në marrëdhënie pune
pranë të Paditurit Shoqëria PETROL ALBA Sh.a (“PetrolAlba”), në pozicionin e Likuidatorit, provuar
nga Ekstrakti i Shoqerise PetrolAlba dhe Vërtetim Page.

Gjatë kohëzgjatjes së marrëdhënies së punës, e cila ka qenë më tepër se 3 vjet, unë Paditësi kam
përmbushur me sukses detyrat e pozicionit të punës, duke mos ekzistuar asnjë vërejtje apo
paralajmërim lidhur me aftësinë time për t’iu përgjigjur kërkesave që ky pozicion kishte.

Në datën 11.05.2022, më është komunikuar shkresa me Nr.8277 Prot,datë 09.05.2022 nënshkruar


nga Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Vendim i Asamblesë së Përgjithshme të Aksionarit Nr.54,
datë 09.05.2022 për “Lirimin e Likuidatorit të Shoqërisë Petrol Alba Sh.a Tiranë, sipas të cilës, mua
më është komunikuar urdhëri i punëdhënësit për ndërprerjen e menjëhershme të marrëdhënies së
punës.Në dispozitivin e këtij vendimi, në pikën 1 është përcaktuar “Lirimi i z. Gentian Dalipaj, nga
detyra e likuidatorit të shoqërisë “PETROL ALBA” Sh.a, për shkak të përfundimit të afatit ligjor”.

Sqarojmë se ndërprerja e marrëdhënies së punës nga punëdhënësi PetrolAlba është bërë në mënyrë
të njëanshme, të menjëhershme dhe pa u respektuar afati i njoftimit parashikuar nga neni 143 (1) si
dhe procedurat e njoftimit parashikuar në nenin 144 të Kodit të Punës. Punëdhënësi kishte detyrimin
që, bazuar në përcaktimet e Kodit të Punës (pasi nuk ka pasur një kontrate pune me shkrim midis
palëve), në rast vendimmarrje për të zgjidhur kontratën me punëmarrësin, të respektonte afatet e
njoftimit të sanksionuara nga neni 143 i Kodit të Punës si dhe procedurat për zgjidhjen e kontratës së
punës përcaktuar në nenin 144, dispozita të cilat detyrojnë palën që vendos të zgjidhë kontratën e
punës me afat të pacaktuar, të respektojë një afat njoftimi prej 3 muajsh, nëse marrëdhënia e punës
ka zgjatur mbi pesë vite dhe të bëjë takim me punëmarrësin dhe të bisedojë me të.

Me ndryshimet që i janë bërë Kodit të Punës, me ligjin Nr.136/2015, datë 5.12.2015, që kanë hyrë në
fuqi në Qershor 2016 dhe që janë të zbatueshme në çështjen konkrete, ligjvënësi ka bërë ndryshime
lidhur me shkaqet për të cilat punëdhënësi mund të zgjidhë kontratën e punës jo vetëm në rastet e
zgjidhjes së menjëhershme por edhe në rastet e zgjidhjes normale të saj (ndërkohë që përpara këtyre
ndryshimeve, referuar edhe vendimit unifikues të vitit 2007 të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së
Lartë, zgjidhja e kontratës mund të bëhet për çfarëdo lloj shkaku, me përjashtim të rasteve që
parashikohen në pikën 1 të nenit 146, që konsiderohen si shkaqe abuzive).

Tashmë është parashikuar dhënia e detyrueshmë nga ana e punëdhënësit e një shkaku apo e një
arsyeje, dhe se shkaku apo arsyeja duhet të jetë nga ato që ka parashikuar ligji.

Zgjidhja e kontratës individuale të punës përfaqëson një prej rasteve të përfundimit të


marrëdhënieve të punës si rezultat i shfaqjes së vullnetit të njërës palë, punëmarrësit ose
punëdhënësit. Në një kontratë pune të dyja palët, si punëdhënësi ashtu edhe punëmarrësi janë të
prirur drejt përmbushjes se atyre detyrave për të cilat është lidhur marrëveshja, me qëllim që njëra
palë të marrë shpërblimin dhe tjetra punën. Por, shpesh në këtë proces për arsye që lidhen direkt me
vetë palët ose edhe për arsye të tjera kjo nuk realizohet. Në këtë mënyrë një ndër kushtet objektive
të kontratës së punës, konkretisht shkaku, mbetet i pa-ezauruar. Shkaku është ai për të cilin palët
kanë lidhur marrëveshjen ose kanë rënë dakort ndërmjet tyre palët dhe që shoqerohet nga shërbimi
për punëdhënësin dhe shpërblimi për punëmarrësin.

Pavarësisht lirisë së vullnetit në lidhjen e një kontrate pune midis punëdhënësit dhe punëmarrësit,
në lidhje me zgjidhjen e saj legjislatori ka parashikuar në mënyrë të detajuar rregullime specifike, të
cilat parashikojnë:i) njoftime midis palëve;ii) takime; dhe iii) njoftimi me shkrim për zgjidhjen e
kontratës së punës.

Zgjidhja e kontratës individuale të punës është shprehje e vullnetit të njërës palë në mënyrë të
njëanshme dhe e detyrueshmë për njoftim palës tjetër, duke respektuar formën dhe afatet e
caktuara për njoftimin e saj. Kodi i Punës, për zgjidhjen e kontratës së punës parashikon dy mënyra:
i)Mënyra e zakonshme duke respektuar afatin e njoftimit dhe procedurën e përcaktuar shprehimisht
në ligj; ii)mënyra e jashtëzakonshme që quhet zgjidhje e kontratës me efekt të menjëhershëm, pa e
respektuar afatin e njoftimit.

Ligjvënësi ka mirëpërcaktuar rolet e palëve të lidhura në një kontratë punë, duke limituar nëpërmjet
rregullave të karakterit të përgjithshëm dhe të posaçëm rolin dominues të punëdhënësit i cili jo pak
herë në praktike ushtron presionin e tij për arritjen e qëllimeve të cilat palët nuk kanë rënë dakort
me kontratë. Në këtë kuptim vjen dhe fryma e ligjit ose qëllimi i tij (ratio legis) e cila në këtë
procedurë nuk është zbatuar nga punëdhënësi dhe që ka të bëj me nenin 143 paragrafi 1 ku
përcaktohet se: “Pas kohës së marrjes në provë, për të zgjidhur kontratën me periudhë të pacaktuar,
palët duhet të respektojnë një afat njoftimi prej dy javësh, kur marrëdhënia e punësimit ka zgjatur
deri në gjashtë muaj, prej një muaji, për kohëzgjatjen mbi gjashtë muaj deri në dy vjet, prej dy
muajsh, për kohëzgjatjen mbi dy vjet deri në pesë vjet, dhe prej tre muajsh, për kohëzgjatjen për më
shumë se pesë vjet dhe paragrafi 3 ku disponohet qartë se: afati i njoftimit për zgjidhjen e Kontratës
zgjatet sipas rastit, deri në fund të javës ose muajit”.

Në qëndrimin e mbajtur në Vendimin Unifikues të Gjykatës së Lartë Nr. 19, datë 15.11.2007, është
unifikuar praktika gjyqësore se: “Si përfundim, nga analiza e neneve 141 dhe 146 të Kodit të Punës,
rezulton se zgjidhja e kontratës mund të bëhet për çfarëdolloj shkaku, me përjashtim të rasteve që
parashikohen në pikën 1 të nenit 146, që konsiderohen si shkaqe abuzive.”

Nga analiza e kësaj sentence unifikuese arrijmë në dy konkluzione të rëndësishme të cilat janë arritur
dhe nuk janë mohuar as nga legjislatori: i) ekzistenca e shprehur e një shkaku dhe ii) shkaku të mos
jetë një nga ata që parashikon pika 1 e nenit 146 të K.Punës. Janë këto dy momente në të cilat çdo
gjykatë duhet të përqëndrohet për të arritur në një vendimmarrje të drejtë dhe ligjore.

Në lidhje me ekzistencën e një shkaku që duhet t’i bëhet i njohur punëmarrësit, me qëllim që
punëmarrësi të vihet në dijeni, të mbrohet dhe të “dëgjohet”, i referohemi kryesisht legjislacionit në
fuqi dhe konkretisht Kodit të Punës, i cili është i detyrueshëm, por edhe marrëveshjeve
ndërkombëtare.

Duke ju referuar Kodit të Punës, mbajmë në vëmendje nenin 144 të Kodit të Punës në fuqi në
momentin e zgjidhjes së marrëdhënies së punës i cili parashikon “Procedurën e zgjidhjes së
marrëdhënies së punës” i cili aktualisht ka pësuar ndryshime parashikon se: “Pas kohës së marrjes në
provë, kur punëdhënësi mendon të zgjidhë kontratën e punës, ai duhet të njoftojë me shkrim
punëmarrësin të paktën 72 orë përpara takimit dhe të bisedoj me të. 2. Punëdhënësi gjatë kësaj
bisede, i parashtron punëdhënësit arsyet e vendimit të parashikuar për t’u marrë dhe i jep atij
mundësi për t’u shprehur. 3. Zgjidhja i njoftohet me shkrim, brenda një afati nga 48 orë deri në një
javë pas takimit. Në njoftimin me shkrim, punëdhënësi përcakton arsyet e zgjidhjes së kontratës të
cilat lidhen me shkaqe të tilla si aftësia, sjellja e punëmarrësit ose kërkesat operacionale të
ndërmarrjes. 4. Shfuqizohet.5.Punëdhënësi i cili nuk respekton procedurën e përcaktuar në këtë nen,
detyrohet t’i japë punëmarrësit një dëmshpërblim të barabartë me pagën e dy muajve, që i shtohet
dëmshpërblimeve të tjera të mundshme. I takon punëdhënësit të provojë respektimin e procedurës
së përcaktuar në këtë nen.”

Nga ana e legjislatorit është sanksionuar “detyrimi” i punëdhënësit për të përcaktuar në mënyrë të
shprehur arsyet e zgjidhjes së kontratës së punës, dhe që këto shkaqe, apo arsye sikurse i ka quajtur
legjislatori, të kenë lidhje vetëm me aftësinë e punëmarrësit, sjelljen e tij (përfshirë edhe etikën), si
edhe me kërkesat operacionale të ndërmarrjes, që nënkuptojnë edhe kërkesat specifike në lidhje me
pozicionin e punës.

Gjykata e të Drejtave të Njeriut, në çështjen Chapman kundër Mbretërisë së Bashkuar, datë


18.01.2001, është shprehur se:“...Gjykata mendon se është në interes të sigurisë juridike, të
parashikueshmërisë dhe të barazisë para ligjit që ajo të mos shmanget pa motiv të vlefshëm nga
precedentët”.

Nisur nga teknika legjislative, ashtu siç ka qenë përmbajtja e nenit 144 të Kodit të Punës, rezulton se
legjislatori i ka mbajtur në vëmendje arsyet e largimit nga puna që duhet t’i bëheshin të ditura apo të
njohura punëmarrësit, por nuk kishte parashikuar ndonjë karakteristikë të tyre. Parashtrimi i arsyeve
apo shkaqeve për të cilat ishte parashikuar të zgjidhej marrëdhënia e punës rezultojnë në paragrafine
parë të nenit 144 të Kodit të Punës para ndryshimeve dhe më specifikisht në paragrafin e dytë të tij
ku parashikohet se: “1. ... 2) Punëdhënësi, gjatë kësaj bisede, i parashtron punëmarrësit arsyet e
vendimit të parashikuar për t’u marrë dhe i jep atij mundësi për t’u shprehur.”

Është e vërtetë që marrëdhënia e punës është një marrëdhënie e vullnetshme në momentin e lidhjes
së saj, pra përputhjes së vullneteve midis punëdhënësit dhe punëmarrësit, por pas këtij momenti kjo
kontratë rregullohet në mënyrë të shprehur nga Kodi i Punës. Sipas Kodit të Punës dhe rregullimeve
të tij specifike, në dispozitat e marra në analizë nga shumica, momenti i shfaqjes së vullnetit të njërës
palë për zgjidhjen e marrëdhenies së punës është i ndryshëm me momentin që për ligjin
konsiderohet e zgjidhur marrëdhënia e punës. Për sa më sipër, përpara se të konsiderohet e zgjidhur
një marrëdhenie pune, nga ana e njërës palë duhet të shprehet vullneti për zgjidhje të marrëdhënies
së punës nëpërmjet dhënies së arsyeve apo shkaqeve, gjatë zhvillimit të bisedimeve sipas nenit 144
të Kodit të Punës dhe pas këtij momenti, me kalimin e afateve të parashikuara në ligj dhe si më sipër
“kontrata e punës konsiderohet e zgjidhur”.

Në rastin konkret marrëdhënia e punës midis Paditësit në pozitën e punëmarrësit dhe palës së
paditur si punëdhënës, ka zgjatur më shumë se 5 vjet dhe më pak se 6, dhe për pasojë për zgjidhjen
e kësaj kontrate afati i njoftimit në bazë të nenit 143/1 të K.Punës është 3 muaj. Nga pala paditur
nuk është respektuar ky afat njoftimi dhe në këtë rast duke ju referuar nenit 143/4 të K.Punës “Kur
njëra nga palët e zgjidh kontratën pa respektuar afatin e njoftimit, zgjidhja trajtohet si zgjidhje e
kontratës me efekt të menjëhershëm dhe zbatohet neni 153 i K.Punës.Nënvizoj faktin se jemi para
rastit të zgjidhjes së menjëhershme të kontratës së punës jo vetëm kur afati i njoftimit nuk
respektohet aspak por edhe kur nuk respektohet i plotë. Në këtë mënyrë mbrohet pala me e dobët
kontraktuese nga abuzimi që punëdhënësi mund të bëj me të drejtën për të zgjidhur kontratën, mjaft
që të respektoj afatin e njoftimit. Afati jo vetëm duhet të respektohet por duhet të jetë saktësisht ai
që parashikohet në dispozitat urdhëruese të Kodit të Punës duke marrrë parasysh edhe nenet për
mënyrën e llogaritjes së tij.”,jemi para zgjidhjes së kontratës në mënyrë të menjëhërshme dhe pa
shkaqe të arsyeshme.

I Padituri, duke kryer zgjidhjen e menjëhershme të kontratës, nuk ka respektuar afatin 3 mujor të
njoftimit, çka edhe i ka mohuar Paditësit të drejtën për t’u njohur me shkaqet që shtynë
punëdhënësin të marrë vendimin e pushimit dhe mundësinë për t’u trajtuar financiarisht gjatë këtyre
tre muajve dhe për të kërkuar dhe gjetur një tjetër vend pune.

Duke qenë se zgjidhja e kontratës është bërë në mënyrë të menjëhershme, pa respektuar


procedurën dhe afatin e njoftimit, Gjykata e Shkallës së Parë duhet që të marrë në analizë rrethanat
e zgjidhjes së kontratës së punës, për të vlerësuar nëse jemi para zgjidhjes së saj për shkaqe të
justifikuara apo të pajustifikuara, me qëllim zgjidhjen e pasojave për palët. Në analizë të rrethanave
të faktit konkludohet se zgjidhja e kontratës është bërë për shkaqe të pajustifikuara. Sipas nenit 153
të Kodit të Punës, gjykata vendos nëse ekzistojnë shkaqe të justifikuara për zgjidhjen e kontratës së
punës. Konsiderohen si shkaqe të justifikuara rastet kur: a) punëmarrësi shkel detyrimet kontraktuale
me faj të rëndë, dhe b) me faj të lehtë, në mënyrë të përsëritur, megjithë paralajmërimet me shkrim
të punëdhënësit. Nga një interpretim logjik i dispozitës përcaktohet parimisht se dy janë kushtet
kryesore për t’u plotësuar që zgjidhja e kontratës të jetë e rregullt dhe e justifikuar: kushtet
subjektive dhe kushtet objektive. Kushtet subjektive, lidhen me qëndrimin subjektiv, shkeljen e
raportit të mirëbesimit ndaj punëdhënësit, i cili në çdo kohë, për çfarëdolloj rrethane, mjafton që të
mos jetë abuzive, mund të zgjidhë kontratën e punës me punëmarrësin në mënyrë të
menjëhershme. Kushti subjektiv nuk mund të qëndrojë i vetëm, por duhet të jetë bashkërisht me
kushtin objektiv që gjen mishërim në pikën 3 të këtij neni. Që zgjidhja e kontratës të jetë e justifikuar
duhet që elementët e nenit 153 të përmbushen njëherazi. Mospërmbushja e njërit prej këtyre
kushteve nuk cënon vlefshmërinë e zgjidhjes së kontratës, por e cilëson atë si të pajustifikuar: a)
punëmarrësi të ketë shkelur një detyrim kontraktor, b) shkelja të jetë kryer me faj të rëndë ose të
lehtë në mënyrë të përsëritur dhe pas një paralajmërimi. c) ekzistenca e lidhjes shkakësore midis
shkeljes dhe zgjidhjes së menjëhershme të kontratës; d) shkelja të ketë cënuar raportin e besimit
midis palëve kontraktuese

Në këto rrethana duke ju referuar kërkesave të nenit 153 të K.Punës, konstatohet se në veprimet e
paditësit nuk vërehen shkelje me faj të rëndë të detyrimeve kontraktuale apo shkelje me faj të lehtë
në mënyrë të përsëritur të detyrimeve kontraktuale. Duke qenë se në këto raste ligji e trajton
zgjidhjen e kontratës si zgjidhje të saj me efekt të menjëhershëm, sipas përcaktimeve të bëra në
nenin 153/2 të K.Punës, i takon punëdhënësit të provojë, nëse kontrata është zgjidhur për shkaqe të
arsyeshme apo jo.

Sqarojmë se punëmarrësi nuk ka kryer asnjë shkelje me faj të rëndë të detyrimeve kontraktuale dhe
nuk është paralajmëruar as edhe një herë të vetme për asnjë lloj shkelje nga punëdhënësi.Shkaku i
cituar në vendim, ai i përfundimit të afatit ligjor nuk qëndron, sepse referuar Ligjit Nr. 9901 datë
14.04.2008 “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, neni 191 i tij, si dhe referuar Urdhërit Nr.5098/1
date 29.07.2016 të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarjes “Për Lirimin
dhe Emërimin në detyrë të Likuidatorit të Shoqërisë “PETROL ALBA”Sh.a në likuidim” pika 3, si dhe
Ekstraktit Historik të Regjistrit Tregtar për të dhënat e subjektit Shoqërisë“ PETROL ALBA” Sh.a në
likuidim, pika 16, Likuidatorët dhe pika 16/1 Afati i emërimit,nuk përcaktohet afat për detyrën e
likuidatorit.

Gjithashtu, referuar afatit të likuidimit të shoqërisë, sipas nenit Neni 198 të ligjit “Për tregtarët dhe
shoqëritë tregtare”, nëse procedura e likuidimit zgjat më shumë se një vit, likuiduesi përgatit,
gjithashtu, pasqyrat financiare vjetore të shoqërisë, detyrë e cila është përmbushur me korrektësi
ndër vite.

Arsyeja e zgjatjes së procedurës së likuidimit të PetrolAlbas Sh.a, është sepse me një sërë urdhërash
të aksionarit të vetëm, ministrisë së linjës, Shoqërisë i janë kaluar në pronësi një sërë asetesh të cilat
janë likuiduar në vite. Ndër to:

• Urdhëri Nr.79,datë 30.01.2014 “Për kalimin në pronësi të shoqërisë PETROL ALBA Sh.a në likujdim
të disa aseteve” - kane kaluar në pronësi të PetrolAlbas ish TEC Fier, Ish TEC Korçë, Ish TEC Cërrik, Ish
TEC Kuçove, Ish TEC Vlorë dhe disa pika pakice pasqyruar ne Ekstraktin Historik date 06.02.2014 me
Numer ceshtje:CN-347918-02-14;
• Urdhëri Nr.3632,datë 05.05.2015 dhe Urdhëri Nr.3632/4,datë 13.07.2015 të Ministrit të Financave
dhe Ekonomisë- zmadhuar kapitali me ish HEC-et e vegjël, dikur në administrim të KESH Sh.a
pasqyruar ne Ekstraktin Historik date 20.07.2015 me Numer ceshtje:
CN-156103-07-15 ;
• Urdhri Nr.166, datë 21.10.2017 i Ministrit të Financave dhe Ekonomisë – PetrolAlba është
ngarkuar me likuidimin e shoqërisë KEPUCA SHA Korçë dhe kryerjen e të gjitha
veprimeve ligjore për nxjerrjen e certifikatave të pronësisë;
• Urdhëri Nr.287, datë 25.10.2018 i Ministrit të Financave dhe Ekonomisë “Për bashkimin me
shoqërinë PETROL ALBA në likuidim, me anë të përthithjes të shoqërisë Shpërndarja e Librit Shkollor
Sh.a” - PetrolAlba në likuidim ka përthithur Shoqërinë Shpërndarja e Librit Shkollor Sh.a pasqyruar ne
Ekstraktin Historik date 21.05.2019 me Numer ceshtje :
CN-168550-04-19 ( Projekt bashkimi me perthithje);
• Urdhërat e Ministrit të Financave dhe Ekonomisë Nr.106; 107; 108; 109, datë 26.11.2019 “Për
bashkimin e Shoqërisë “PETROL ALBA” Sh.a në likuidim me anë të përthithjes të Shoqërisë “NIMEKS”
Sh.a, Berateks Sh.a, Kombinati Energjetik Sh.a,Bursa Tirana Sh.a” – zmadhuar kapitali i PetrolAlbas
edhe me asete të këtyre shoqërive pasqyruar ne Ekstraktin Historik date 17.12.2020 me Numer
ceshtje:CN-622183-11-20 ( Projekt bashkimi me perthithje);

Nga te gjithë Urdhërat e sipercituar, të cilët janë të gjithë të depozituar në QKB, duket qartë se afati i
likuidimit të PetrolAlbas është zgjatur në vazhdimësi nga vetë aksionari dhe nuk ka ardhur si pasojë e
veprimeve apo mosveprimeve të Paditësit.

Të gjitha sa më sipër dhe arsyet se përse shkaku i përmendur në udhërin/vendimin e lirimit nga
detyra nuk qëndron, i janë bërë të ditura edhe aksionarit të PetrolAlbas (Ministrit të Financave dhe
Ekonomisë) nëpërmjet shkresës ankesë me Nr.58/02 Prot. të datës 11.05.2022, por pavarësisht
afateve të detyrueshme ligjore për kthim-përgjigje, ende në datën e hartimit të kësaj padie nuk është
marrë një përgjigje.

Për më tepër, është vetë përfaqësuesi aktual, Ministri që ka nxjerrë urdhrin për lirimin nga detyra të
Paditësit, që në Janar të vitit 2022 (rreth tre muaj më parë) ka miratuar zgjatjen e afatit dhe
rikonfirmimin në detyrë të Paditësit si likuidator, kur ka miratuar secilën nga marrëveshjet e
përthithjes, të PerolAlbës dhe përkatësisht Shoqëritë NIMEKS Sh.a, Berateks Sh.a, Kombinati
Energjetik Sh.a dhe Bursa Tirana Sh.a. Në faqen 5 të secilës nga këto marrëveshje përcaktohet se
likuidator pas përthithjes është Z. Gentian Dalipaj. Secila nga këto marrëveshje është miratuar nga
Ministri i Financave dhe Ekonomisë në cilësinë e aksionarit me vendimin e Asamblesë së
Përgjithshme Nr. 21 datë 06.01.2022 (shkresa e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë me Nr.
1919/1 Prot, datë 06.01.2022). Pra, vetë Ministri në cilësinë e aksionarit ka miratuar përthithjet e
Shoqërive nga PetrolAlba, ka caktuar Paditësin si Likuidator duke e ngarkuar praktikisht atë me
likuidimin e aseteve të 4 Shoqërive të tjera dhe pa u bërë 4 muaj, e largon me justifikimin se është
kaluar afati!

Theksojmë gjithashtu se, në kuptim të dispozitës ligjore të nenit 153 të Kodit të Punës shkaku i
justifikuar do të mund të konsiderohet si i tillë, vetëm me plotësimin në të njëjtën kohë të katër
kushteve:

- Jemi përpara shkeljes së detyrimit kontraktual nga punëmarrësi;


- Shkelja është bërë, duke iu referuar rastit konkret, me faj të rëndë;
- Ekzistenca e lidhjes shkakësore midis shkeljes së bërë nga punëmarrësi dhe vendimit për pushimin
nga puna të marrë nga punëdhënësi;
- Natyra e shkeljes të jetë e tillë që, ekzistenca e saj të ketë krijuar një situatë të rëndë, e cila sipas
parimit të mirëbesimit, nuk i lejon që t’i kërkohet atij që ka zgjidhur kontratën, të vazhdojë
marrëdhëniet e punës.

Mos plotësimi qoftë dhe i vetëm njërit prej këtyre kushteve e pozicionon zgjidhjen e kontratës së
punës nga punëdhënësi në kushtet e zgjidhjes së menjëhershme të pajustifikuar, situatë e cila
parashikohet nga dispozitat e nenit 155 të Kodit të Punës. Ashtu siç do të provojmë gjatë gjykimit në
rastin konkret jemi në kushtet kur nuk plotësohet as edhe një kusht i vetëm nga ata të renditur më
sipër.

Në këtë rast, punëmarrësi ka të drejtën e përfitimit të pagës që do të kish marrë, nëse marrëdhënia e
punës do të kishte përfunduar në fund të afatit të njoftimit prej 3 muajsh. Për më tepër, me
konstatimin nga gjykata se zgjidhja e menjëhershme është e pajustifikuar, kërkojmë që punëdhënësi
të dëmshpërblejë Paditësin me një shumë që arrin deri në masën e pagës së 12 muajve.

Gjithashtu, në vështrim të parashikimeve të nenit 145 të Kodit të Punës, Paditësi në cilësinë e


punëmarrësit, kishte të drejtën e përfitimit të një shpërblimi për vjetërsi në punë, në kushtet kur
kontrata e punës është zgjidhur nga punëdhënësi e në kushtet kur marrëdhëniet e punës kanë pasur
një shtrirje kohore prej më tepër se 3 vjet (27.07.2016 – deri ditën e ndërprerjes së marrëdhënies
financiare). Ky shpërblim nuk i është dhënë nga i Padituri, që e ka zgjidhur kontratën e punës në
mënyrë të menjëhershme.

Në këto kushte, bazuar dhe në provat që do të administrohen në gjykim, duke qenë se plotësohen
kërkesat e Kodit të Punës, kërkojmë nga pala e paditur të dëmshpërblejë Paditësin Gentian DALIPAJ
me pagën e 12 (dymbëdhjetë) muajve për shkak të zgjidhjes së menjëhershme dhe pa shkak të
justifikuar të kontratës së punës nga punëdhënësi, ii)për mosrespektimin e afateve të njoftimit në
masën e 3 (tre) muajve pagë, iii) për mosrespektim të procedurës së përcaktuar në ligj për zgjidhjen e
kontratës së punë me 2 (dy) muaj pagë si edhe iv) për efekt të vjetërsisë në punë, me 3 (tre) muaj
pagë.

Në kushtet e mësipërme kërkesë padia është e mbështetur në fakte,prova dhe ligj dhe kërkoj
pranimin duke vendosur sipas objektit të saj:

Detyrimin e palës së paditur për dëmshpërblim të barabartë me pagën e 12 (dymbëdhjetë) muajve,


për shkak të zgjidhjes së menjëhershme dhe të pajustifikuar të kontratës së punës nga punëdhënësi;

Detyrimi i palës së paditur për dëmshpërblim të barabartë me pagën e 3 (tre) muajve për
mosrespektim të afatit të njoftimit në zgjidhjen e kontratës së punës;

Detyrimi i palës së paditur për dëmshpërblim të barabartë me pagën e 2 (dy) muajve për shkak të
mosrespektimit të procedurës së zgjidhjes së kontratës së punës;

Detyrimi i palës së paditur për dëmshpërblim të barabartë me pagën e 3 (tre) muajve për efekt të
vjetërsisë në punë.

Vënien në ekzekutim të përkohshëm të vendimit.

PADITËSI
Gentian DALIPAJ

______________________
7

You might also like