You are on page 1of 39

Fatos Lubonja

Bëhu i ditur të jesh i lirë

(Mbi debatin për Skënderbeun)

e diel, nëntor 30, 2008 (perpjekja)

"Të çmitizosh figurën e Gjergj Kastriotit do të thotë të bësh sulm


kundër konceptit të lirisë." Ky titull gazetash që i atribuohej
shkrimtarit Ismail Kadare, lexuar në pasqyrën e shtypit të mëngjesit,
më tërhoqi vëmendjen sepse më prekte edhe në punën time. Kam
mëse dhjetë vjet që botoj një revistë (Përpjekja) synimi i së cilës
është futja e frymës kritike në kulturën shqiptare, e, në këtë kontekst,
edhe çmitizmi (dekonstruktimi) i shumë miteve të nacional-
komunizmit në emër të diturisë dhe lirisë. "Fac sapiens liber eris"
(bëhu i ditur që të jesh i lirë) është edhe motoja e revistës. Kurse
Kadareja na thotë, se të çmitizosh do të thotë të jesh kundër lirisë për
robërinë. Dhe kjo nuk përbën një diferencë të vogël, por është bash e
kundërta.

Kur hapa gazetën pashë se teksti ishte edhe më agresiv: "Çmitizimi i


figurës së Gjergj Kastriotit është një nga turpet e kombit shqiptar. Ka
disa autorë që janë përpjekur ta bëjnë këtë gjë në mënyrën më të
pafytyrë. Te jesh kundër kësaj figure do të thotë të jesh kundër lirisë
për robërinë." Me një të rënë goje, çmitizimi bëhet "të jesh kundër"
mitit dhe të jesh kundër tij bëhet "të jesh për robërinë". Ca më poshtë
del, se kjo do të thotë edhe të bësh një turp që nuk e paska bërë kush
në Evropë. Edhe ky pohim është bash e kundërta e asaj që di për
Evropën.

Duke shfletuar shtypin pashë se debati qënka ndezur pas botimit të


monografisë së Skënderbeut të Oliver Schmitt, përkthyer nga Ardian
Klosi. Në fakt, për mua dhe revistën Përpjekja ky është një debat i
vjetër dhe i marrë e rimarrë në argumenta gjithashtu. Mjaft të lexosh
Përpjekja 15 -16 (Mbi rolin e miteve në historinë e Shqipërisë,
Tiranë, Dhjetor 1999) që përmbledh materialet e një konference me
të njëjtin titull që u mbajt në Londër, me studiuesit më në zë
ndërkombëtarë të historisë së shqiptarëve (ndër të cilët Natalie
Calyer, Berndt Fischer, Noel Malcolm), që është botuar edhe në
Angli nën titullin "Albanian Identities". Po ashtu, polemizime ndaj
veprës së Kadaresë, si një prej farkuesve kryesorë të miteve të
nacional-komunizmit, gjenden që në numrin e dytë të Përpjekjes.
Megjithatë, është për t'u trishtuar kur sheh se me kalimin e viteve, në
vend se të shfaqen historianë, studiues e pedagogë të rinj me frymën
e studiuesve të sipërpërmendur shoqëria jonë, duke filluar nga
shkollat apo akademitë, ka prirjen të ngurtësohet në klishetë
nacional- komuniste, çka reflektohet pastaj në formën më banale në
mediat. Duke parë këtë realitet, një studiues i huaj më tha një ditë me
të qeshur, se intelektualisht ju duket se nuk jetoni në shekulin XXI,
por në mesin e shekullit XIX. Edhe Oliver Schmitt, një nga mendjet
e ndritura të shkencës austriake, të cilin kam pasur rastin ta takoj
personalisht para disa muajsh, me rastin e një konference shkencore
në Vienë, me të qeshur do t'i marrë sulmet që i bëhen. Por, ajo e
qeshur ne duhet të na ndihmojë të kuptojmë se ka ardhur koha të
rritemi, se në botën e dijes e të qytetërimit nuk mund të hyjmë si
fëmijë mbi kalin e Skënderbeut, por si të rritur me punë e studim
serioz. Nuk mund të vazhdojmë të jemi ilustrim i thënies së
Shtadmylerit, të afro një shekulli më parë, se ballkanasit nuk janë
pjekur ende të shkruajnë historinë e tyre.

Miti i Skënderbeut dhe e sotmja

Le ta marrim pak më shtruar. Nëse do të kërkonim të ishim


mirëkuptues me nacional-komunistët tanë të shndërruar në nacional-
romantikë të vonuar, do të thoshim se thelbi i idesë së tyre konsiston
në atë se Skënderbeu është simbol i luftës së shqiptarëve për liri (dhe
për bashkim me Evropën thotë Kadareja) dhe, si i tillë, nuk ka pse
preket. Ka nga ata që thonë se edhe nëse është përrallë "le ta mbajmë
si përrallë" apo se "na duhen heronjtë". (Pëllumb Kulla, Franko Egro,
Shekulli, 18 nentor 2008). Me fjalë të tjera, sipas tyre, po të fillosh të
shkruash apo të botosh një histori shkencore të Skënderbeut, sipas së
cilës del se Skënderbeu mund edhe të mos ketë qenë shqiptar, se ai
nuk na paska ndërtuar ndonjë shtet të pavarur shqiptar, se ai nuk
është bashkuar për të luftuar vetëm me shqiptarë për interesa
shqiptarie, por se është bashkuar edhe me sllavë etj. për interesa
fetare dhe pronësie, se ka qenë vasal i mbretit të Napolit dhe, si i
tillë, ka bërë edhe ndoca masakra në Puglia, se ka marrë Krujën jo
me ndonjë luftë nacional-çlirimtare, por me një ferman të rremë; kjo
do të thotë që njerëzit të humbasin dashurinë për të. Dhe kjo humbje
dashurie për Skënderbeun do t'u shkaktoka thyerjen e shtyllës
kurrizore apo helmimin e palcës së saj dhe rënien përtokë. Pra, edhe
humbjen e heroizmit e të ndjenjës së lirisë e me rradhë. Po a është
kështu? Aspak. E ka provuar koha e Enver Hoxhës këtë dhe po e
provon edhe kjo e sotmja. Ju siguroj unë, sikur të gjithë shqiptarët të
marrin vesh e të binden se Skënderbeu paska qenë thjesht një
maskara, asgjë nuk do të ndodhë. Ne do të mbetemi po kaq përtokë
sa ç'jemi, sepse robëria më e madhe është ajo e paditurisë. Sepse sot
problemi nuk është ai i shekullit XIX kur u ngjiz miti i Skënderbeut:
të bëhej Shqipëria si shtet dhe shqiptarët të kishin një ndjenjë
kombëtare. Sot problemi është të bëhen shqiptarët e shekullit XXI,
shqiptarët me një ndjenjë qytetare të kohës që jetojmë sepse
Shqipëria, për mirë a për keq të shqiptarëve, është bërë dhe
shqiptarët, për mirë a për keq, një ndjenjë kombëtare e kanë. Dhe për
këtë nuk na ndihmon dot miti i Skënderbeut, por duhen të tjera
instrumente intelektuale e shpirtërore. Poende, sot (ashtu si edhe në
kohën e diktaturës) jetojmë në një kohë kur shqiptarët nuk kërkojnë
të çlirohen nga ndonjë armik i jashtëm, por nga armiku i brendshëm
që janë shqiptarët vetë - në thelb padituria e tyre, - armik ky i njëjtë
me Enver Hoxhën i cili, megjithëse e mbushi Shqipërinë anekënd me
buste dhe statuja të Skënderbeut, i masakroi shqiptarët në atë farë
feje sa ikën nga sytë këmbët nga Shqipëria e tij dhe vazhdojnë të ikin
edhe sot e kësaj dite, megjithëse Skënderbeun nuk e ka lëvizur njeri
nga kali. (Dikush do të më përmendë shqiptarët e Kosovës, por në
thelb mendoj se e njëjta gjë mund të thuhet edhe për ta dhe çështjen e
tyre: se armiku i tyre më i madh është padituria. Dhe është kulmi i
paditurisë, në mos marrëzi, të mendosh se evropianët si Schmitt
shkruajnë ashtu për Skënderbeun sepse kanë hall që të diskreditojnë
çështjen e shqiptarëve të Kosovës. Pikërisht, një mendim i tillë i
diskrediton më shumë se çdo gjë ata sepse i tregon të papjekur
kulturalisht për t'u bërë pjesë e komunitetit evropian). Në fakt
Skënderbeu nuk luan dot nga kali për të na ngritur në këmbët e dijes,
përkundrazi ai ka kohë që përdoret nga nacional-komunistët e
ricikluar për të mbajtur në këmbë ata që na mbajnë ne përtokë. Dhe
vetë ai i gjori ka nevojë të çlirohet nga kali ku e kanë mbërthyer për
ta keqpërdorur dhe të dalë në dritë me gjithë vërtetësinë e tij.

Të bëhen shqiptarët e shekulli XXI

Dhe tek problemi "të bëhen shqiptarët e shekullit XXI" hyn edhe
debati i fundit mbi nevojën apo jo të dekonstruktimit të miteve
nacional - komuniste.

Sipas meje, mjafton të lexosh shumicën e debatuesve për të parë se


sa i nevojshëm është dekonstruktimi i miteve. Le të radhis disa
argumente.
Së pari, duhet thënë se të dekonstruktosh një mit nuk do të thotë
thjesht të jesh kundër tij, apo ta hedhësh poshtë atë (ndonëse edhe kjo
mund të jetë), por të kuptosh se si e pse është ndërtuar ai. Në këtë
kontekst, edhe dekonstruktimi i mitit të Skënderbeut nuk ka lidhje
me njohjen e historisë së shekulit XV, por me njohjen e historisë së
shekulit XIX pra me tërë atë proces identitet ndërtues në shekullin
XIX që e nxorri Skënderbeun nga historia nëpërmjet një procesi
selektiviteti dhe e ktheu në mit e simbol. E, në këtë kuptim, vetë fakti
që shqiptarët, ndonëse me vonesë, kanë filluar të ndajnë mitin nga
historia përbën një hap përpara drejt njohjes. Vetë fakti që historia e
Skënderbeut pranohet se mund të jetë e ndryshme nga ajo çka u është
mësuar në kohën e Enver Hoxhës është një hap edhe drejt
dekonstruktimit, çka do të thotë një hap drejt njohjes së historisë
shkencore të kohës së Skënderbeut dhe, po ashtu, të historisë së
ngjizjes së mitit të tij në kohën e Rilindjes. Një hap drejt
vetëdijësimit se tjetër është historia e tjetër është miti i nacionalizmit
shqiptar; se për tjetër gjë na duhet historia (për të njohur më mirë
vetveten) e për tjetër gjë na ka shërbyer apo na shërben miti historik
e prandaj njerëzit e ditur e të pjekur këto i ndajnë.

Së dyti, dihet se mitet shërbejnë si fillesa përbashkuese


frymëzuese, se ato i japin kuptim jetës së një komuniteti, i japin edhe
identitet. Por, nga ana tjetër, edhe ky përbashkim në një identitet
kolektiv ka rreziqet e veta që i ka provuar dhe vazhdon t'i provojë
historia. Rreziku më i madh është se, duke u bërë pjesë e një
komuniteti që ndan disa simbole identitare, njeriu rrezikon të
humbasë lirinë e vet si individ. Shpesh njerëzit e kanë më të lehtë të
strehohen tek identitete kolektive se sa të zhvillojnë individualitetin e
tyre. Por kjo i bën shumë të vegjël si individë përpara kolektivitetit
dhe heronjve që i simbolizojnë ata; krijon një ndarje të tillë saqë
individi nuk bëhet dot më shpëtimtar i vetvetes, por e pret shpëtimin
nga heronjtë imagjinarë që në jetën reale shpesh nuk i gjen kërkund,
ose i gjen në trajta aventurierësh paranojakë e delirantë. Ky është një
nga rreziqet, por jo i vetmi.

Sikurse thotë një antropolog i njohur italian "identiteti, i cilit çdo lloji
qoftë (etnik, nacional, personal etj.) është një varfërim, një heqje e
diçkaje, një reduktim i mundësive si për pupujt edhe për individët"
(Francesco Remotti "Contro l'identita" 1996). Veçarisht është e
vërtetë kjo kur identiteti shihet sipas një qasjeje esencialiste, si gjetje
dhe ruajtje e një bërthame të pandryshueshme. Mjaf të kesh parasysh
se si ne kërkojmë të heqim e harrojmë historinë e gjatë të
bashkjetesës me sllavë, turq, grekë vllehë, maqedonas në emër të
identitetit tonë për të kuptuar këtë varfërim.
Jo vetëm kaq, por çështja shtrohet edhe se çfarë mund të ndodhë me
ata individë apo grupe që nuk i ndajnë simbolet apo ritet e një
komuniteti. Mund të ndodhë deri ajo që u ndodhi çifutëve që, duke u
konsideruar si mish i huaj, dikush pati idenë makabre t'i asgjësojë
edhe fizikisht. Dhe ideologjia që shkoi deri këtu ishte e ndërtuar bash
mbi mite nacionaliste. Dikush mund të thotë se kam shkuar larg në
krahasim, por lexoni se ç'shkruan një nga skënderbejanët e shekullit
XXI në debatin e fundit: "kombi, atdheu imponohet me të gjithë
madhështinë e së shenjtës. Dekretet e tij janë imperative. Bindja ndaj
tyre është pa kushte. Ai imponon tabutë e tij, ritet, ceremonitë,
heronjtë dhe simbolet e tij – shkelja apo rrëzimi i tyre (qoftë dhe në
tentativë) është thjesht tradhti ndaj kombit". (Mira Meksi, Shekulli,
18 nëntor 2008). Këto fjalë, për besë, nuk do të guxonte t'i thoshte
kaq hapur edhe Hitleri kur proklamonte madhështinë e kombit
gjerman dhe përgatiste zhdukjen e çifutëve, social-demokratëve,
priftërinjve në emër të simboleve e riteve të tij. Personalisht m'u
ngjethën mishtë duke i lexuar sepse m'u kujtuan tërë ata
bashkëvuajtës që për një tentativë arratisjeje dënoheshin nga dhjetë
deri në 25 vjet burg, deri edhe me vdekje për "tradhëti" ndaj atdheut.
Prandaj nuk duhet harruar asnjëherë se mitet e atdheut, ata që
pretendojnë se janë mbrojtësit e tyre/tij, i kanë përdorur jo rrallë si
instrumente pushteti për të shtypur lirinë e individëve dhe grupimeve
që mendojnë ndryshe. Sikurse thotë Durrenmatti: "shteti e quan
gjithmonë veten atdhe kur përgatit një vrasje".

Së treti, aftësimi i njeriut për të dalluar mitin nga e vërteta shkencore


ka të bëjë pikërisht me diturimin e tij, me fjalë të tjera me rritjen e
pjekurinë e tij, prandaj edhe të lirisë së tij. Çështja që ngrihet është: a
duhet apo nuk duhet që shqiptarët ta lexojmë një libër si ai i
historianit Oliver Schmitt? A duhet që tekste të tilla të hyjnë në
programet tona shkollore? Apo duhet të bëjmë sikur libra të tilla nuk
ekzistojnë?
Disa mbrojtës më të sofistikuar të mosdekonstruktimit të mitit kanë
hedhur idenë që të vërtetën shkencore le tua lemë akademikëve, pa e
ngatërruar punën e tyre me punën e shkollave: "E vetmja mënyrë që
akademia t’i shkoqitë me urtësi mitet kombëtariste totalitare të
trashëguara nga Rilindja dhe periudha komuniste, është që të lihet ta
bëjë këtë në pavarësi të plotë nga shkolla, kultura popullore, simbolet
kombëtare dhe përdorimi i rrëfenjave historike si instrumente të
edukimit etik dhe qytetar të shtetasve." "Historia e Shqipërisë, ashtu
siç është përpunuar në formë mitologjike, është pjesë e misionit të
shkollës për t’u dhënë fëmijëve një identitet qytetar modern. (Ardian
Vehbiu Shekulli, 18 nëntor 2008) Po a është vërtet kështu? A
formojmë vërtet një identitet qytetar modern duke i ushqyer fëmijët
me mite nacionaliste ashtu siç janë farkuar ata një shekull e gjysëm
më parë dhe përforcuar me frymë totalitare nga diktatura komuniste?
Mjafton të shohësh klishetë nacional-komuniste me të cilat trajtojnë
këto argumente gazetat shqiptare, apo reagimet në internet të
shumicës së atyre që kanë qenë fëmijë në kohën diktaturës, për të
kuptuar se nuk është kështu. Mjafton të shohësh se deklaratat
absurde, e njëherësh paternaliste e delirante të Kadaresë, që janë një
turp për një intelektual të kohës sonë, shihen prej tyre si fjalë të
shenjta, për të kuptuar se nuk është kështu. Nëse fëmijëve tanë do t'u
tregojmë gënjeshtra, edhe ata do të vazhdojnë të tregojnë gënjeshtra e
ne do të vazhdojmë të kultivojmë kulturën e rrenës dhe manipulimit.

Jo vetëm, po cila qenka mosha në të cilën fëmijëve u duhet thënë e


vërteta duke patur parasysh se fëmijëria vazhdon deri në moshën 18
vjeç? Si u duhet thënë kjo e vërtetë, mos duke përdorur edhe ca
gënjeshtra më të ngrënëshme që të mos traumatizohen? Po ende, ky
argument të bën të lindë edhe pyetja: pse na duhen akademikët dhe
shkenca në përgjithësi? Pse vetëm akademikët u dashka ta kenë gurin
e dijes (ndonëse kur ke parasysh këtë klimë bëhet edhe më e
kuptueshme se pse nuk dalin dot studiues të rinj seriozë në këtë
vend). Pse populli sëbashku me fëmijët paska nevojë të mbetet në
padije? Për t'u sunduar më mirë nga elitat dhe akademikët e tyre, apo
pse ai nuk e di se çfarë të bëj me diturinë e tij dhe me lirinë e tij?
Edhe në kohën e Hoxhës vetëm udhëheqja kishte mundësi të shihte
filmat e ndaluar për popullin, të lexonte librat e ndaluar për popullin
apo të mësonte lajmet e ndaluara për popullin. Po ende, në cilin nivel
arsimimi mbarokan akademikët dhe filloka populli, sepse kjo
përmban edhe një rrezik tjetër të madh: të të bëjnë "popull". Ta bëjnë
"popull" edhe Vehbiun vetë.

Së katërti, mitet duhen dekonstruktuar edhe në emër të frymës së


kohës kur jetojmë. Miti i Skënderbeu është një konstrukt historik i
ndërtuar në një kohë të caktuar dhe në një kontekst të caktuar luftrash
dhe urrejtjesh nacionale. Pra, kur ai trajtohet si mit, çështja nuk duhet
shtruar se si "ka qenë" Skënderbeu por "si dhe në ç'kontekst është
konstruktuar" miti i Skënderbeut. Sikurse e kam shkruar edhe herë
tjetër, ai është një mit i rimarrë i rikonstruktuar mëse një herë. Ai
është konstruktuar së pari si mit në emër të krishtërimit, kur u
mbiquajt "kalorës i krishtërimit", kurse dy tre shekuj më vonë u
rimorr në emër të nacionalizmit. Madje, kur bëhet fjalë për
nacionalizmin, ai është konstruktuar e rikonstruktuar në një proces të
gjatë që meriton një studim më vete.

Dihet se ka pasur pretendime për "ta marrë" Sënderbeun nga


nacionalizmat e vendeve fqinje ku nuk mungon edhe ndonjë projekt
që ai të jetë një simbol shqiptaro/sllav. Për këtë "çudi" na flet një
historiane tjetër e njohur Nathalie Clayer. Ajo vëren se ndjenja e
shqiptarisë ngjyroset me antisllavizëm (pasi ishte ngjyrosur me
antiturqizëm dhe antigreqizëm) në fillim të shekullit të XX nga
veprimtarët patriotë katolikë të krahinës së Shkodrës. Ndërkaq, sipas
saj, në periudhat e mëparshme, ishin bërë përpjekje të ndryshme,
sidomos nga ana e mirditorëve, për të bashkëpunuar me fqinjët
malazezë ose serbë, kundër “turqve”. Po ashtu, disa qarqe italiane
vazhdonin të mendonin për një afrim midis Malit të Zi ortodoks dhe
veriut shqiptar katolik, nën ombrellën e tyre. Kurse Austro-Hungaria,
që kërkonte të pengonte përparimin serb dhe malazez në drejtim të
Adriatikut, kishte si interes të përforconte dallimet “shqiptar”
kundrejt “sllav” dhe “katolik” kundrejt “ortodoks”. Në këtë kontekst
një nga promotorët e planit austro-hungarez të veprimit në Shqipëri,
Ludwig von Thalloczy, pohonte se duhej vepruar kundër projektit
italian dhe sillte shembullin e letërsisë popullore serbe e cila “po
përparonte” në malësitë e veriut, në rajonet e Shpuzës dhe të
Podgoricës dhe po përhapte një lloj besimi shqiptaro-sllav përmes
figurës së Skënderbeut që paraqitej si luftëtar sllav, duke përmendur
veprën e priftit françeskan kroat Andrija Kačić- Miošić (Razgovor
ugodni naroda slovinskoga, Venise, 1756) e cila i këndonte bëmave
të Skënderbeut dhe që ishte bërë shumë popullore (Natalie Clayer,
"Aus origines du nationalisme albanais", Paris 2007).

Që ky projekt shqiptaro-sllav të mos realizohet, siç e shpjegon më


tej Clayer, ndikuan shumë gjëra, përveç të tjerash edhe nacionalizmat
e sllavëve. Por, me çka thashë më sipër, desha të ilustroj se kemi të
bëjmë me projekte konstruksionesh identitare të shekullit XIX - XX
dhe se, sikur disa rrethana që lidhen me lojën e forcave në shekullin e
XIX - XX të kishin qenë ndryshe, do të kishte qenë ndryshe edhe
konstrukti i mitit Skënderbe.

Problemi është, se ne kemi patur fatin e keq që dorën e fundit dhe


më të gjatë ky konstrukt nacionalist e ka marrë në simbiozë me
ideologjinë komuniste të Enver Hoxhës, që e përdori për interesat e
veta të pushtetit, veçanërisht pas prishjes me BS, kur Skënderbeu
zëvendësoi Stalinin në sheshin qendror të Tiranës. Në sajë të këtij
manipulimi me frymë tejet totalitare, që edhe shkencën e vinte në
funksion të ideologjisë, sikurse e thotë edhe Oliver Schmitt,
Skënderbeu do të merrte përmasat e veta "më irreale", si projeksion
në Mesjetë i vetizolimit të Shqipërisë/kështjellë që u bën ballë
sulmeve të imperializmit dhe revizionizmit. E kjo pjesë sigurisht i
djeg më shumë edhe Kadaresë, si farkues i kësaj mitologjie nacional
- komuniste, me librat e tij të shumta për mesjetën shqiptare të
trajtuara me këtë simbolikë. Edhe figurativisht, imazhi i Skënderbeut
i ndërtuar nëpërmjet skulpturës dhe bustit të Paskalit, e shumë
veprave të tjera të asaj kohe, është ai i një luftëtari të egër mbi kalë,
shumë i ndryshëm nga imazhi që ka qarkulluar në vendet evropiane:
ai i një plaku të urtë e të ditur, njeri i armëve sigurisht, por edhe i
qytetëruar dhe i formuar.

Në këtë kontekst, le të them edhe dy fjalë për mitin si përrallë që u


tregohet fëmijëve. Sigurisht, fëmijëve të vegjël ne do t'u flasim për
Skënderbeun dhe për kalin e tij. Në mos për gjë, sepse ata e shohin
kudo në sheshet e qyteteve. Por, sipas meje, assesi nuk duhet t'u
flasim ashtu sikurse u është folur gjatë izolimit/dimrit të madh. Kjo
nuk ndikon aspak për formimin e tyre me një identitet qytetar
modern. Sot edhe përrallat/përralla me njerëz apo me kafshë që u
tregohen fëmijëve janë ndryshuar me synimin që të transmetojnë një
tjetër kulturë. Ato janë ndryshuar psh. për të edukuar fëmijët me një
tjetër frymë përsa i përket raportit të burrit me gruan. Ato janë
ndryshuar për të ndryshuar qëndrimin e fëmijëve ndaj kafshëve. Ato
janë ndryshuar për të ndryshuar qëndrimin e fëmijëve ndaj luftës dhe
paqes. Edhe mitet ndryshohen, apo harrohen, apo ndërtohen të tjera
në funksion të kohës që jetojmë dhe aspiratave të tjera që kemi. Pra,
nëse Kadareja shkruante në vitet e komunizmit se shpata e
shqiptarëve të Skënderbeut ishte e drejtë, pasi shqiptarët ishin të
mirë, kurse shpata e turqve (jatagani) ishte e shtrembër sepse ata
ishin të këqij (Shih poemën për fëmijë "Në muzeun e armëve",
Tiranë, 1989) nuk është me vend që sot, në kohën e aspiratës për të
hyrë në Evropë sëbashku me turqit, të krijohet tek fëmijët i njëjti
imazh për ta si ai i kohëve të luftrave nacionaliste apo të izolimeve
nacional-komuniste. Skënderbeu si mit, ashtu si është ndërtuar në
mitologjinë nacional-komuniste, nuk mund të përdoret në kohën e
sotme edhe tek fëmijët. Ai nuk mund të jetë njëherësh edhe
frymëzues i armiqësisë edhe inspirues i miqësisë dhe bashkimit me
turqit, grekët, serbët, maqedonët etj. në Evropë. Jo vetëm, por kjo
krijon edhe një skizofreni të rëndë. T'u thuash sot shqiptarëve se
Skënderbeu është pararendës i NATO - siç thotë Kadareja duke iu
referuar luftrave të tij me perandorinë osmane - ndërkohë që Turqia
ka hyrë në NATO para nesh e është kandidate para nesh për të hyrë
në Evropë, kjo krijon skizofreni. Koha e sotme kërkon mite e heronj
të rinj edhe për fëmijët, por edhe shikimin e miteve të vjetra sa nën
filtrin e dijes shkencore aq edhe në funksion të frymës së kohës dhe
aspiratave të kohës.

Nga sa di unë, e gjithë Evropa e ka rishkruar historinë e saj në këtë


kontekst. Ka pasur gjithashtu edhe projekte për të rishkruar historinë
e Ballkanit, po në këtë kontekst, ku kanë marrë pjesë edhe historianë
shqiptarë. Duke parë reagimin ndaj librit të Oliver Schmiditt, mund
të thuhet se është bërë shumë pak. Dhe i vetmi shpjegimi në thebin e
vet, sipas meje, është se ata që e kanë në dorë këtë punë kanë frikë
nga diturimi i njerëzve, sepse kjo do t'i bëjë të lirë ndaj pushtetit të
tyre, të cilin e kanë keqpërdorur dhe keqpërdorin në formën më
dramatike për atdheun e kuptuar si shoqëri shqiptare. Ja pse ngulmoj
se përgjigja më e mirë ndaj histerisë së ngritur kundër librit të
Schmittit është: "bëhu i ditur të jesh i lirë". (Korrieri, 30 nentor 2008)

Nga nacional-komunizmi në nacional-


evropianizëm

(Mbi debatin për Skënderbeun)

e enjte, shkurt 05, 2009

Debati mbi monografinë e Skënderbeut të Oliver Schmitt nuk


është një çështje e së shkuarës, por një çështje e së tashmes. Po ashtu,
ky debat, nuk ka të bëjë vetëm me figurën e Skënderbeut, madje as
thjesht me shkencat tona të studimeve historike apo mitologjike. Ai
ka të bëjë me krejt kulturën tonë. Ai mund të integrohet fare mirë në
debatin mbi nevojën e dekomunistizimit të shoqërisë shqiptare pasi,
në thelbin e vet, sipas gjykimi tim, ai është një ballafaqim i metodave
dhe modeleve të të menduarit të kulturës nacional-komuniste të
kultivuar për pesëdhjetë vjet në regjimin e Enver Hoxhës me ato të
kulturës së një shoqërie të hapur, demokratike, libertare. Ai vlen, pra,
edhe për të matur se sa, pas tetëmbëdhjetë vjetësh, Shqipëria ka dalë
nga izolimi kulturor që i imponoi ai regjim.
Kam ndjekur me vëmendje reagimet e shumta të këtij debati. Edhe
ato pas shkrimit tim "Bëhu i ditur të jesh i lirë" ku jam përpjekur të
shtjelloj kryesisht dy argumente: së pari, se tjetër gjë është historia si
shkencë dhe tjetër gjë janë konstruket identitare, mitet e ndërtuara
mbi historinë me frymën e një ideologjie të caktuar; së dyti se përse
është e nevojëshme të kuptohen konstruktet identitare apo mitet -
veçanërisht ata nacional-komuniste - si produkte të një kohe të
caktuar dhe se, t'i kuptosh ata dhe kohën që i ka ngjizur, do të thotë t'i
dekonstrktosh (zbërthesh), t'i veshë në dyshim, t'i adoptosh apo, në
raste të caktuara, edhe t'i harrosh apo dënosh në emër të një fryme
tjetër: atë të kohës kur jetojmë.
Reagimet e shumta në shtyp dhe internet do t'i ndaja në tre
kategori. Një kategori (rreth 90%) që refuzon ta njohë ndarjen histori
– mitologji. Këta, në rastin konkret, ngulmojnë se historia e
Skënderbeut, ashtu siç e kemi mësuar në historiografinë nacional -
komuniste, nuk është mit, por një e vërtetë historike. Është një
kategori tjetër prej rreth 8 % që e pranon se ka një diferencë midis të
dyjave, por që, megjithatë, kërkon që miti të mos preket duke
nënvizuar nevojën që kanë për të veçanërisht njerëzit e thjeshtë.
Vetëm një 2% (ndoshta edhe më pak) mbron idetë se për tjetër na
shërben historia dhe për tjetër na shërben miti, se identifikimi i
historisë me mitin na pengon njohjen e historisë dhe zhvillimin e
mendimit shkecor, e se, vetë miti, duke qenë produkt i një ideologjie
që është shfrytëzuar si instrument pushteti, duhet parë me sy kritik.
Sipas gjykimit tim këto përqindje (të përafruara), nuk reflektojnë
përqindjen e njerëzve që mendojnë kështu, sepse në shfaqjet publike
të shoqërisë shqiptare ka edhe shumë konformizëm dhe frikë për të
dalë nga kultura e shumicës që është edhe zyrtare. Megjithatë raporti
i sipërpërmendur, gjithsesi, flet për një shumicë që, sipas mendimit
tim, është dramatike për një shoqëri që synon të bëhet e lirë dhe e
hapur.
Si për të shprehur ngulmimin e kësaj shumice shqiptarësh për të
mbetur në mbyllje shkrimtari Ismail Kadare, duke u bërë zëdhënësi
më i shquar i tyre, shkruan rreth debatit:
"Intelektualët që nismëtuan baltën kundër Skënderbeut dhe Rilindjes
nuk janë katundarë me shallvare që i bien daulles e klithin "Dum
Babën!" […] janë jo vetëm më të rrezikshëm, por më vulgarë e më
pa moral se ata. Duket fyerje, natyrisht, të merresh me ta. […] Por,
kur ujërat e zeza vërshojnë befas, dikush duhet të merret me to. […]
me raportet mit-histori, është e lehtë të bëhen spekulime. […] Në
kohën kur Shqipërisë së sotme, familja e popujve europianë i kërkon
zbardhjen e së vërtetës për regjimin e saj të turpshëm, prej të cilit nuk
ka as njëzet vite që ka dalë, një aksion thellësisht çoroditës kërkon ta
kthejë energjinë dhe vëmendjen gjashtë shekuj pas, në një hulumtim
krejtësisht të kotë. [...] Ismail Kadare "Intrigat që fshihen pas sulmit
ndaj Skenderbeut" (Shqip, 27 dhjetor 2008)
Këtyre sulmeve iu bashkua edhe Presidenti Bamir Topi, i cili, në
një konference të organizuar më 17 janar 2009 me rastin e ditëlindjes
së Skënderbeut, ku ishin mbledhur tërë mbështetësit e ortodoksisë së
historisë zyrtare të Skënderbeut u shpreh midis të tjerave: "Ndokush
mund të ketë xhelozi për heroin tonë kombëtar, për bëmat, famën,
marrëdhënien, që ai ndërtoi me kombin e tij dhe Europën ushtarake e
politike të kohës, duke u perpjekur sot ta ridimensionojë atë. [ …]
Ndonjë mendje e robëruar, e pajisur me një guxim regresiv, përpiqet
sot të tjetërsojë rolin e Skënderbeut në historinë tonë apo në historinë
e qytetërimit europian. Kjo është një përpjekje e mjerueshme..."
Në fakt këta lloj sulmesh nuk janë një histori vetëm shqiptare.
Përkundrazi, ato janë tipike të elitave që janë formuar në regjimet
nacional - komuniste të Lindjes, që kanë kontribuar për kulturën e
atyre regjimeve dhe që sot kanë ende kanë pushtetin politik dhe
kulturor në mjaft nga ato vende. Në Bullgari kohët e fundit - jo më
larg se në vitin 2007 - nacional-komunistët bullgarë (drejori i muzeut
kombëtar, Bozhidar Dimitrov, por edhe presidenti i shtetit, Parvanov)
drejtuan një sulm të ngjashëm kundër dy kolegëve, prof. Ulf
Brunnbauer-it (tani drejtor i Südost-Institut-it në Regensburg,
Gjermani) dhe dr. Maria Baleva-s të cilët kishin përgatitur një
ekspozitë mbi ikonografinë e masakrës së Batak-ut të vitit 1876.
Është fjala për një masakër që kanë kryer turqit kundër bullgarëve në
ato kohë që bullgarët luftonin për çlirim kombëtar, e që është kthyer
në një ndër mitet kryesore të nacionalizmit bullgar. Më kot Boleva
përpiqej të shpjegonte se, si çdo komb, edhe ndërtimi i kombit
bullgar bazohet në mite e, një nga këto mite, është masakra e
Batakut; se mitet "në botëkuptimin shkencor, janë një lloj arti i
caktuar i të treguarit të historisë, një art që nuk merret më me ngjarjet
e ndodhura, por kryesisht me çështjen e identitetit, të së tashmes dhe
së ardhmes."; se "është e rëndësishme të kuptojmë se si tregohet kjo
histori, çfarë roli kanë luajtur paraqitjet e ndryshme historike dhe si
janë manipuluar ato politikisht." Publicistët dhe politikanët bullgarë
pretenduan se „të huaj“ dhe bullgarët „e blere“ nga Gjermania po
mohonin një tragjedi kombëtare. Askush nuk e kishte lexuar librin e
tyre, askush nuk i kishte dëgjuar shpjegimet e tyre (njëlloj si shumë
nacional - komunistë shqiptarë që deklaronin se as donin ta lexonin
librin e Schmitt). Nacionalistët bullgarë e sulmuan Brunnbauer-in në
zyrën e tij në Berlin; Baleva u detyrua të kërkonte mbrojtje ne
Gjermani dhe, vetem pas ndërhyrjes së ambasadorit gjerman ne
Sofje, intelektualët liberalë, të cilët kishin heshtur deri atëhere, e
kuptuan se një diskutim i tillë dëmtonte edhe imazhin e Bullgarisë në
BE dhe u prononcuan.
Me vetëdije apo pa vetëdije si Kadareja ashtu edhe Presidenti
janë ilustrimi më i mirë i të njëjtit reaksion në Shqipëri. Një reaksion
që reflekton jo vetëm mosdaljen nga regjimi që Kadare e quan "të
turpshëm", por ngulmimin për të qendruar në kulturën e tij. Në fakt,
në shkrimin e Kadaresë gjen bash tiparet kryesore të kulturës së atij
regjimi dhe të interpretimit prej tij të historisë: ideologjizimin
nacional - komunist të historisë që jo vetëm identifikon mitin me
historinë, e që kërkon të mbrojë versionin zyrtar të kanonizuar në atë
kohë, por edhe të pastroj si armik të shqiptarëve çdo histori të
shkruar me tjetër metodologji. Krahas fyerjeve që zëvendësojnë
argumentat ("njollë e zezë", "ujra të zeza"…) aty gjen edhe deri
thirrje për "pastrim" të atyre intelektualëve që shkruajnë e mendojnë
ndryshe nga kultura zyrtare që Kadareja përfaqëson. Ashtu si në
shkrimet e Kadaresë të kohës së regjimit edhe aty gjen racizëm dhe
ksenofobi, ndonëse kësaj herë vetëm ndaj botës lindore: "Është e
qartë tani - shkruan Kadare - përse rimohuesit shqiptarë janë kundër
testamentit të tij. (Skënderbeut) Teza e tyre se sundimi osman s‘ka
qenë i keq, e keqe ka qenë qëndresa, mund të përkthehet fare saktë: e
mirë për Shqipërinë nuk është Europa, por Azia." - duke ilustruar
kështu edhe në kohën e sotme vlerësimin e albanologut të njohur
Giusepe Velentini, i cili, kur analizon historiografinë e kohës së
Hoxhës, e quan atë " nacionaliste … me tipare raciste." Në shkrimin
e tij gjen edhe teori konspiracioni nga ato që vetëm Hoxha mund t'i
përpunonte me paranojën e tij: "Gjergj Kastrioti është vënë kështu në
një rrethim të dyfishtë: nëse përbaltet, siç ëndërrojnë rimohuesit,
problemi mbyllet thjesht. Nëse mbetet në këmbë, siç ka ndodhur e do
të ndodhë përsëri, të mbetet i tillë jo si shqiptar, por me tjetër
kombësi. Kjo do të ishte nga njëra anë zbrazja më e madhe e
Shqipërisë, e, nga ana tjetër, mbyllja e një cikli të zi për Kosovën,
kur kjo e fundit, provincë e përjetshme serbe dhe djep i Serbisë, siç
ëndërrohet prej sllavëve, do ta kishte të natyrshëm, sipas tyre, një
kryezot serb.[...]".
Si ta interpretojmë këtë reagim që, paradoksalisht, drejtohet
kundër shkencëtarësh evropianë në një kohë kur politikanë si Topi
apo intelektualë si Kadare flasin aq shumë për Evropën në emër të
aspiratave të mazhorancës që përfaqësojnë kulturalisht?
Arësyet janë disafishe do të thoja. Kryesorja është ajo se një
ideologji e caktuar si ajo nacional - komuniste, e cila ka qenë mënyra
e edukimit dhe e të menduarit të një shoqërie për një gjysëm shekulli,
nuk ndryshon lehtë. Aq më tepër po të kemi parasysh se kjo ideologji
në Shqipëri pati tiparet më totalitare dhe mbeti e tillë deri në fund,
pasi vendi ishte krejtësisht i izoluar. Shoqëria jonë nuk njohu,
ndryshe nga vendet e tjera të Lindjes, asgjë nga mendimi evropian i
pas Luftës së Dytë dhe, në gjirin e saj, nuk ka pasur thuajse asnjë
disidencë të hapur politike e kulturore si në vendet e tjere të Lindjes.
Schmitt kur flet në librin e tij për ideologjinë nacional - komuniste të
regjimit dhe historinë e Skënderbeut të manipuluar prej saj thotë:
"Skënderbeu u bë simbol i një regjimi izolacionist, ateist, paranoid
dhe ksenofob, me një trashëgimi që rëndon deri në ditët e sotme mbi
shoqërinë shqiptare."
Në fakt, siç e përmenda më lart, në Bullgari intektualët liberalë
ishin në gjendje të kuptonin se reaksioni i nacional - komunistëve po
prishte imazhin e Bullgarisë në Evropë dhe reaguan, kurse në
Shqipëri numri i atyre që arrijnë ta kuptojnë këtë (e kam fjalën për
ata që edhe shprehen publikisht) është fatkeqësisht thuajse i
papërfillshëm. Kur ke parasysh se shkrimtari që pretendon të marrë
çmimin Nobel e që u dekorua së fundi nga Ministria e Kulturës për
promovimin e imazhit të Shqipërisë në botë bëhet kampion i këtij
reaksioni, që në thelb prish edhe imazhin, nuk mund të mose ngresh
pyetjen: a ka në Shqipëri intelektualë liberalë?
Një tjetër arësye e këtij reaksioni është sepse, duke qenë ende
kulturë mbizotëruese, ajo nacional - komuniste është më e lehtë të
përdoret për pushtetin politik. Në këtë mënyrë nacional - komunistët
e kanë më të lehtë të mbrojnë pushtetin e tyre të trashëguar nga ajo
kohë. Dihet se kontrolli i diturise, i kulturës, është një nga armët më
të forta të pushteteve. Me stilin e njohur komunist ata e krijojnë
armikun për të stabilizuar pushtetin e tyre, i grumbullojnë të gjithë
ata që nuk mendojnë si ata në një thes armiqsh (si liberalizmi edhe
konservatorizmi janë njëlloj të rezikshëm thoshte Enver Hoxha) dhe,
duke marrë kështu rolin e shpëtimtarëve të kombit, sigurojnë
vazhdimësinë e pushtetit të tyre. Kështu rezulton të jenë përsëri ata të
djeshmit që edhe sot përcaktojnë se cili është armiku dhe cili është
miku se cili është drejtimi i drejtë dhe cili drejtimi i gabuar.

Mirëpo, nga ana tjetër ky pushtet nuk mund të mbahet pa Evropën.


Dhe ja ku vijmë në një sinkretizëm dy ideologjish që teorikisht janë e
kundërta e njëra tjetrës, siç ka qenë edhe nacionalizmi me
komunizmin në kohën e Hoxhës. Në fakt ideologjia komuniste
teorikisht predikonte internacionalizmin ("proletarët nuk kanë
atdhe"), por praktikisht ushtrohej duke ngritur kultin e
atdheut/kështjellë që u izolua nga krejt pjesa tjetër e botës. Edhe
Evropa, kështu siç e përdorin këta, e fetishizuar, nuk po kryen tjetër
funksion në ideologjinë e sotme të pushtetit veçse po zëvendëson
utopinë komuniste të djeshme. Nacional komunizmi bëhet kështu
nacional - evropianizëm. Pra paradoksalisht flitet për Evropën me
gjuhën e simbolikën e një kulture të trashëguar nga diktatura, të një
kulture që duke, qenë jopluraliste, jo kritike, përkundrazi fetishizuese
dhe dogmatike përmban, ashtu sikurse të gjitha kulturat e mbrujtura
nga një ideologji e vetme, më një anë ngritje kultesh të paprekshëm
dhe më anë tjetër urrejtje kunder tjetrit që nuk ndan atë ideologji,
urrejtje kundër intelektualeve liberalë veçanërisht, kundër
marrëdhënieve kulturore me botën e lirë dhe të hapur që janë tipare
thelbësore të vlerave të Evropës sot.
Në fakt, një trajtim me frymën e kulturës së sotme evropiane të
historisë do të thotë jo vetëm një trajtim shkencor, me mendim kritik,
që kërkon të vërteta (të përafruara) nëpërmjet kërkimesh e
dokumentesh dhe jo të vërteta të padiskutueshme, absolute, jo vetëm
një trajtim jonacionalist, por edhe një trajtim liberal të saj. Me këtë të
fundit dua të them se në një shoqëri të lirë nuk ka më vetëm një
interpretim të historisë, por, meqënëse ka perspektiva të ndryshme,
ka gjithashtu edhe interpretime të ndryshme të kujtesës dhe të
historisë. Gjithashtu, në një shoqëri të lirë, çdo brez shkruan historinë
e tij që nuk mund të jetë kurrsesi transferim automatik i historisë së
vjetër nga brezi në brez, sikurse na propozojnë etërit tanë kulturorë.
Në një shoqëri të lirë çdo brez i ri, në kushte të reja, me të tjera
interesa historike, me të tjera koncepte mbi historinë, me të tjera
vizione për botën e me të tjera rezultate kërkimesh, që nuk reshtin,
shkruan një histori tjetër.
Për të gjitha sa thashë më lart një histori që i afrohet sa më shumë
së vërtetës mund të shkruhet vetëm në një shoqëri të lirë dhe të
hapur, ndërsa qëndrimet autoritare janë armike edhe të historisë. Siç
është provuar, në mënyrën më ekstreme në kohën e nacional -
komunizmit shqiptar, një qëndrim autoritar në të sotmen dikton edhe
një qëndrim autoritar ndaj së djeshmes. Regjimi i Hoxhës i bëri të
heshtin apo të flasin protagonistët e historisë sipas interesit të vet.
Kush mendon se historia e Mesjetës, me në krye atë të Skënderbeut,
nuk hyn në këtë praktikë gabohet (për këtë në vijim të shkrimit do të
sjell shembuj). Edhe heshtja apo mosleximi me të cilin duan të
dënojnë dokumentet dhe zërat e rinj që sjell Schmitti, ashtu sikurse
edhe presionet dhe kërcënimet mbi ata që vlerësojnë veprën e tij, nuk
janë tjetër veçse tregues të vazhdimit të të njëjtës mendësi autoritare.
Një kulturë historike e pjekur mund të zhvillohet vetëm si
bashkudhëtare e një kulture që zhvillohet në një shoqëri të lirë e të
hapur. (Korrieri, 5 shkurt 2009)

Historia dhe nacional – komunizmi si fe


shtetërore

(Mbi debatin për Skënderbeun)

e hënë, shkurt 09, 2009

Përpara se të ilustroj se si është manipuluar historia e


Skënderbeut në funksion të regjimit diktatorial e izolacionist të
Hoxhës, për të argumetuar se si dhe pse ideologjia nacional -
komuniste ka penguar njohjen shkencore të historisë, dhe se si të
njëjtat metoda manipuluese, po ripërdoren nga nacional -
evropianistët e sotëm në dëm të njohjes shkencore, e shoh me vend të
cek disa aspekte teorike të raportit të historisë si shkencë me
fenomene të tilla si ato fetare apo ideologjike.
Debati mbi monografinë e Skënderbeut të Schmitt nuk mund të mos
të më sillte ndërmend filozofin August Comt, i cili, më shumë se një
shekull më parë, dmth. bash asaj kohe kur është konstruktuar edhe
miti ynë nacionalist i Skënderbeut, flet për tre stadet e njohjes së
njeriut: ai teologjik, ai metafizik dhe ai shkencor, pozitiv. Në stadin e
parë, sipas tij, njeriu i shpjegon gjërat dhe shkaqet e tyre nëpërmjet
ndërhyrjesh mbinatyrore, në të dytin i zevendëson këto me koncepte
abstrakte dhe vetëm në stadin e tretë, atë shkencor, pozitiv, arrin të
kuptojë se nuk mund të gjejë arësyen e epërme të gjërave, të vërtetën
absolute, dhe kufizohet në zbulimin e ligjeve të fenomeneve të
veçanta nëpërmjet përdorimit të arsyes dhe vëzhgimit. Kjo ndarje
vlen edhe kur flasim për njohjen që na jep historia si shkencë dhe
“njohjen” që ajo na përcjell e shndërruar në fenomen fetar apo
ideologjik si dhe për diferencën midis këtyre dy njohjeve.
Mirëpo, siç e thotë edhe Comti (duke folur për kohën e tij), arritja e
stadit të tretë nuk se ka ardhur pasi u fshinë dy stadet e tjera; ato
bashkjetojnë me njëri tjetrin – gjë që vazhdon edhe sot. Madje stadi i
tretë ka përjetuar në Evropën e Comtit (po kufizohem të flas për
kontinentin tonë) edhe periudha të rënda mrrudhjeje dhe errësimi, siç
ka ndodhur veçanërisht në regjimet fashiste dhe komuniste, ku
shkenca është vënë në shërbim ideologjish çnjerëzore. Ashtu sikurse
nuk mund të mos vemë re edhe bashkëjetesën e shkencës me besimet
fetare, ose, duke përdorur konceptet e Comtit, të stadit shkencor me
stadin teologjik.
Përpara se të hyj në raportin midis ideologjisë së regjimit tonë
totalitar dhe shkencës, e shoh me vend të them dy fjalë të
përgjithëshme edhe për raportin midis shkencës dhe fesë dhe për
dallimet midis tyre gjithashtu. Përgjithësisht për dogmat fetare thuhet
se ato duhen besuar nuk duhen provuar. Nuk mund ta provosh dot
psh. se Krishti ishte njëherësh edhe Zot edhe Bir/Njeri edhe Shpirt i
Shenjtë. Këtë duhet ta besosh dhe këto besime nguliten, më të
shpeshtën, në fëmijëri, atëhere ku njeriu është, si të thuash, më afër
stadit teologjik të shpjegimit të gjërave. Në përgjithësi besimi i
njerëzve në dogmat fetare e ka shtyrë Frojdin të thotë në veprën e tij
“E ardhmja e një iluzioni” se: "atje ku bëhet fjalë për çështje besimi
njerëzit bëhen fajtorë për çdo lloj pandershmërie dhe palegjitimiteti
intelektual".
Pa u zgjatur do të thoja se të paktën ç'prej kohës së Comtit, (por edhe
më parë) ka një konsensus në botën për të cilën po bëjmë fjalë, se
kërkimi shkencor i bindet deontologjisë së vet, e cila përjashton çdo
lloj "pandershmërie intelektuale" sepse qëllimi i tij është të arrijë në
rezultate të sigurta për momentin e studimit, deri kur kërkime të tjera,
zbulime të tjera, dokumente të tjera të mund t'i ndryshojnë këto
rezultate për të na propozuar përfundime të tjera. Shkenca, pra, synon
perfeksionimin e vazhdueshëm të pohimeve të verifikueshme kurse
besimi apo teologjia synon t'i konsiderojë të pandryshueshme të
vërtetat e veta edhe kur zbulime të shkencës i bëjnë ato të
pabesueshme. Shkenca dhe besimi lëvizin, kësisoj, në dy rrafshe të
ndryshme. Një histori e mbështetur mbi dokumente është një gjë
shumë e ndryshme nga një konstruksion teologjik apo mitologjik, i
cili, ky i fundit, duke synuar kryesisht emocionet dhe ngjalljen e
besimit, i duhet t'i ndryshojë e filtrojë faktet nëpërmjet kategorish që
i ikin kontrollit të arsyes.

Në këtë pikë besoj se është e rëndësishme të thuhen dy fjalë edhe


mbi ngjashmërinë dhe dallimin midis ideologjisë së regjimeve
totalitare dhe fesë. Përgjithësisht studiuesit ndahen në dy kategori kur
karakterizojnë ideologjitë e regjimeve totalitare - siç ishte edhe
nacional-komunizmi shqiptar: në ata që e kanë trajtuar atë si një fe
dhe kanë gjetur analogji me historinë e feve si dhe në ata që e kanë
trajtuar si një kafshë të veçantë, të papërsëritur ndonjëherë më parë
në historinë e njerëzimit. Nëse do t’u mshojmë ngjashmërive midis
ideologjisë së regjimeve totalitare dhe fesë (po i referohem historisë
së fesë së krishterë që e njoh më mirë) duhet të kthehemi në kohën
kur, pas Kostantinit të Madh, krishtërimi, nga një fe e persekutuar që,
midis tjerash, mbronte lirinë e besimeve dhe po ashtu ishte kundër
pushtetit perandorak (madje edhe kundër botës tokësore) u kthye u
bë fe shtetërore. Që nga kjo periudhë, duke përdorur krahun
shekullar të pushtetit ai filloi persekutimin e “të ndryshmëve”:
praktikuesve të religjionit pagan të perandorisë romake, të sekteve të
tjera që kishin buruar nga periudha e parë judeokristiane e tij si
arianizmi, donatizmi, pelagjismi manikeizmi etj. ashtu sikurse edhe
persekutimin e ebrenjve, të heretikëve të ndryshëm në emër të
unifikimit të të gjithëve në një të vërtete të vetme. Do të thoja se
krahasimi i ideologjisë së totalitarizmit me fenë të imponohet
veçanërisht edhe kur ke parasysh paradigmën mesjetare të Kishës,
kur papët qenë edhe luftëtarë e nisnin edhe kryqëzata, kur ke
parasysh Inkuizicionin, apo principin e vitit 1555 “Cuius regio, eius
religio” të perandorit Karli V të Perandorisë së Shenjtë Romane sipas
të cilit të gjithë nënshtetasit ishin të detyruar të kishin fenë e
sundimtarit. Pra një element i përbashkët i fesë së krishterë të këtyre
periudhave me ideologjinë e totalitarizmit është se kanë qenë fe dhe
ideologji shtetërore, që, me fjalë të tjera, mund të quhen instrumente
pushteti, që ndanin një të vërtetë të vetme me pushtetin dhe që,
nëpërmjet forcës bindëse apo denoncuese të njërit krah, dhe forcës
ekzekutuese të krahut tjetër, eliminonin “të ndryshmit” nga ata.
Megjithatë ideologjia e totalitarizmit nuk ka qenë thjeshtë një fe.
Diferenca bije në sy jo vetëm kur kemi parasysh evoluimin e raportit
të religjionit të krishterë me pushtetin shekullar, veçanërisht pas
paqes së Vestfalisë (1648) apo pas Iluminizmit e Revolucionit
Francez. Ndryshimi konsiston edhe përsa i përket njohjes. Një nga
ndryshimet kryesore është se besimi nënkupton një akt që qëndron
mbi njohjen racionale. Kurse ideologjia ka pretenduar të jetë
njëherësh dy gjëra: edhe “fe” tek e cila duhet të besojmë edhe
“teori”, e argumentuar racionalisht, që pretendon se është e provuar.
Pra ajo pretendonte se jepte një shpjegim të plotë shkencor të botës
ku jetojmë; si të historisë ashtu edhe të dukurive natyrore dhe
shpirtërore. (për më hollësisht mbi këtë argument shih "Privatësia në
regjimin totalitar" F. Lubonja, Përpjekja 20). Një ndryshim tjetër i
rëndësishëm është se, ndërsa tek feja autoriteti absolut, Zoti, mbetet
transhendent dmth. midis njeriut dhe autoritetit absolut ka hendek që
gjithsesi njeriun e bën të nështruar ndaj Tij dhe nëse kristiani ka
mbetur, po ashtu, me një ambiguitet përsa i përket pranimit të kësaj
bote dhe refuzimit të saj në emër të Qytetit të Zotit, tek ideologjia e
totalitarizmit hyjnia, në mënyrë eksplicite, vendoset në tokë. Njeriu
që identifikohet me ideologjinë totalitare nuk ka frikë askend sepse e
konsideron veten hyjni që premton se po e ndërton mbretërinë e tij
mbi tokë. Ai është edhe pushteti shekullar edhe pushteti spiritual
edhe përfaqësuesi edhe mbrojtësi i së vërtetës së vetme.
Nëse çka thashë më sipër do ta aplikojmë në kontekstin shqiptar do
të thoja se edhe nacional-komunizmi shqiptar ka qenë një nga
variantet e ideologjisë së regjimeve totalitare që pretendonte të ishte
fe dhe teori shkencore njëherësh.
Për nacionalizmin thuhet përgjithësisht se është një "fe laike", që
ka altarin e vet (atdheun, kombin) dhe shenjtorët e vet, ashtu sikurse
edhe klerikët e vet. Por, ndërsa për vendet e tjera ballkanike mund të
thuhet se ata e përdorën më lehtësisht fenë si një princip identitar,
duke identifikuar kombin me fenë, për shqiptarët procesi i
konstruktimit të identitetit kombëtar ishte disi më i komplikuar. Për
shkak të qënies së shqiptarëve të tre feve të ndryshme, ai ndoqi një
rrugë disi tjetër në raportin me fetë, që e reflekton edhe thënia/thirrje
e Vaso Pashës "Feja e shqiptarit është shqiptaria" e cila nuk do të
thoshte se shqiptarët nuk ishin apo nuk duhet të ishin fetarë, por se
ata duhet t’i bashkonte, megjithë ndryshimet fetare, ky besim i ri i
madh. Në procesin e ndërtimit të kësaj feje laike në shqipëri mitet e
saj u diferencuan kështu edhe më shumë nga fetë. Pra, nëse në vendet
e tjera ballkanike si Serbia, Greqia feja si pushtet shpirtëror mbeti,
gjithsesi, e fuqishme përballë apo edhe si partnere e pushtetit
shekullar, pra edhe në raport me ideologjinë nacionaliste, duke
krijuar binomin fe – atdhe si dy anë të së njëjtës medalie (por
gjithsesi dy anë), në rastin shqiptar ideologjia nacionaliste pati
prirjen t’i mbisundonte dhe t’i linte në plan të dytë tre fetë
tradicionale, ose më saktë t’ua pakësonte pushtetin shpirtëror e
politik. Edhe Skënderbeu në këtë projekt, që ka disa faza, fillon e
bëhet kështu një nga shenjtorët kryesorë të kësaj feje laike, i
zhveshur nga përmbajtja fetare që ka miti i tij në Evropën
Perëndimore.
Megjithatë vetëm kur nacionalizmi bashkohet me ideologjinë
komuniste të materializmit dialektik dhe historik, duke u bërë pra
nacional-komunizëm, kemi një ideologji shtetërore që merr tiparet
totalitare që i përshkruam më lart duke qenë, paradoksalisht, edhe
absolutiste dhe me pretendimin e teorisë shkencore. Pra, nëse
nacionalizmi e manipulon historinë në shërbim të identiteteve të
shekullit XIX, të ndërtimit të ardhmërisë me mjete mitologjike, duke
përcaktuar edhe një destinatë të popullit shqiptar, nëpërmjet
materializmit dialektik dhe historik kjo mitologji vishet edhe me një
petk teorik, shkencor. Historia nën trysninë deterministe të
materializmit dialektik e historik bëhet ilustrim i një filozofie të
caktuar të historisë duke dhënë një shpjegim (teleologjik) të ecurisë
së botës e, në kontekstin specifik, të historisë së popullit shqiptar në
shekuj, por njëkohësisht edhe një e vërtetë shkencore.
Ndërkaq, sa më shumë bëhet fe/ideologji shtetërore nacional -
komunizmi aq më shumë synon të pastrojë të gjitha fetë e tjera, gjë
që, për arësyet që thashë më lart, e ka më të lehtë sesa vendet e tjera
komuniste. Në vitin 1967, kur u ndalua feja dhe u prishën kishat e
xhamijat, fushata u mbështet mbi akuzën se fetë dhe klerikët e saj
janë agjente të të huajve, armiq ndaj fesë së vërtetë të shqiptarit,
shqiptarisë. Që atëhere deri më 1990 nacional – komunizmi u bë e
vetmja fe/ideologji në ngritje që kishte shenjëtorët e vet:
Skënderbeun, rilindasit, Ismail Qemalin, heronjtë e luftës nacional –
çlirimtare, heronjtë e ndërtimit të socializmit etj., që kishte klerikët e
vet me në krye Enver Hoxhën, dhe që, nga ana tjetër, besimin nuk e
kërkonte vetëm në formën “Credu ut intellegam” (besoj pra kuptoj),
por edhe në formën “Intellego ut credam” (kuptoj pra besoj).
Personazhet më të rëndësishme të historisë sonë të manipuluara nga
kjo ideologji u kthyen kësisoj në shenjtët e kësaj feje/ideologjie. Kjo
është një ndër arësyet pse sot është aq e vështirë të ndahet historia si
shkencë nga mitologjia nacional-komuniste. Ky është problemi dhe
jo vetëm me Skënderbeun, por me të gjithë historinë tonë të shkruar
në atë kohë. Ajo që bie në sy në dabatin tonë të ndezur me rastin e
botimit të librit të Oliver Schmittit është se shumica dërrmuese edhe
e pjesës së shkolluar të shqiptarëve nuk arrijnë të dallojnë
ndryshimin midis mitit dhe historisë si shkencë, përkundrazi besojnë
në përputhjen midis tyre. Ata sillen si besimtarët e një feje të cilëve u
preken shenjtët edhe për shkak se “shkencëtarët” e tyre u kanë folur
me të njëjtën gjuhë të “klerikëve” të tyre, edhe sepse në shkolla u
predikohet feja nuk u mësohet historia.
Në fakt ky nuk është një fenomen vetëm shqiptar, paçka se tek ne
shkalla e përhapjes së tij është e paimagjinueshme në Evropë. Për të
mbetur në kontinentin tonë, edhe në Italinë e sotme ekziston
problemi i mësimit të historisë së fesë së krishterë nëpër shkolla. Atje
mësimi i fesë së krishterë është fakultativ, pra ata që nuk besojnë
mund të mos e ndjekin atë; por problemi qëndron në faktin se ata që
e ndjekin nuk mësojnë historinë e krishtërimit si shkencë por se, në
vend të kësaj, në shkolla u bëhet një lloj katekizmi. Një ndër
historianët më të njohur italianë të historisë së krishtërimit, Remo
Cacitti duke denoncuar këtë fakt që, sipas tij, një pjesë (atë të
nxënësve jobesimtarë) i le pa dije mbi historinë e krishtërimit, kurse
pjesës tjetër nuk i mëson historinë, por u bën katekizëm, sjell një
shembull shumë domethënës: Përballë dëshmive që jepen në ungjijtë
se Jezusi ka pasur katër vëllezër dhe disa motra, - thotë ai - një
mësues i fesë në shkollat italiane mund të jetë i bindur se bëhet fjalë
për vëllezër dhe motra të vërtetë, por nuk mund ta thotë këtë sepse
kjo bije ndesh me doktrinën zyrtare të Kishës. E në përgjithësi një
besimtar i krishterë sot nuk e di (apo nuk do ta dijë) se Krishti mund
të ketë pasur edhe vëllezër e motra, paçka se kjo thuhet shprehimisht
në ungjijtë.
A nuk shembëllen kjo shumë me faktin se, ndonëse thuajse në të
gjithë librat mbi historinë e Skënderbeut thuhet se e ëma e tij ka qenë
sllave, në shkollat tona kjo gjë nuk mësohet dhe thuajse nuk ekziston
në ndërgjegjen kolektive të shqiptarëve? Jemi pikërisht në fenomenin
e “filtrimit” që bën konstruksioni teologjik apo mitologjik, i cili, për
të ngjallur besimin në idenë që don të përçojë, i duhet t'i transformojë
faktet, nëpërmjet kategorish që i ikin shkencës dhe kontrollit të
arsyes dhe pastaj të ngulmojë se personazhi i historisë dhe
personazhi i besimit përputhen.
Pa dyshim ai që lexon çka shkruan Schmitt nuk mund ta gjejë më
këtë përputhje, nuk mund të besojë, pra, njëherësh edhe ato që thotë
historia që mëson në shkolla për Skënderbeun edhe çka thotë
historiani. Skënderbeu nuk mund të jetë njëherësh në mendjen e tij
edhe heroi që iku nga Sulltani për të shpëtuar mëmëdheun edhe një
gjeneral turk që u prish për vdekje me Sulltanin pasi ky i vrau të atin;
nuk mund të jetë njëherësh edhe një princ i gjithpushtetshëm i një
shteti sovran edhe një vasal. Ai nuk mund të jetë njëherësh edhe
simboli i shqiptarit më të mirë edhe me gjak serb ne dejet e tij.
Besimtarit i tronditet një bazament i fortë nëse pranon të lexojë librin
e Shmittit. Ai ngulmon të besojë që të kuptojë, ndërkohë që pakkush
e ndihmon të kuptojë që të besojë. (Korrieri, 9 shkurt 2009)

Vijon të enjten

Dëmet e izolimit kulturor

(Mbi debatin për Skënderbeun)

e enjte, shkurt 12, 2009

Nëse do të përmblidhja, mbështetur mbi çfarë kam thënë deri tani,


vështirësitë kryesore që ngre për shqiptarin e kohës së sotme inercia
e kulturës së nacional – komunizmit si fe/ideologji zyrtare, për ta
bërë atë që, edhe sot, të besojë për të kuptuar, (por jo të kuptojë për të
besuar) një tjetër fe/ideologji zyrtare që sot mund ta quajmë nacional
- evropianizëm, do të veçoja tre aspekte thelbësore:
Së pari, ajo kulturë eliminoi diversitetin e këndvështrimeve dhe
perspektivave mbi botën. “Uno itinere non potest pervenire ad tam
grande secretum” (një rrugë e vetme nuk mjafton për të të çuar në një
sekret kaq të madh) thoshte Aurelio Simmaco përfaqësuesi i
paganëve në senatin romak (384 ) duke u grindur me senatorët
katolikë, që kërkonin eliminimin e besimeve të tjera në perandori.
Predikimi i një rruge të vetme drejt së ardhmes dhe përdorimi i
dhunës shtetërore për të ndaluar çdo predikim tjetër e bëri nacional -
komunizmin të fshijë çdo mënyrë tjetër të interpretimit të botës, çdo
fe dhe besim tjetër, çdo filozofi tjetër gjithashtu. Kjo solli edhe
mbylljen mendore të shqiptarëve ndaj diversitetit. Edhe sot është
shumë e vështirë hapja ndaj tjetrit të ndryshëm, ndaj teorive të
ndryshme, njohja e kontradiktave edhe brenda vetë një mënyre të të
vështruarit të botës, aftësia për ta vënë veten në dyshim, gjithashtu.
Së dyti, do të veçoja prirjen, në vazhdim, më një anë për të ndërtuar
fe/ideologji zyrtare dhe, më anë tjetër, përdorimin e saj dhe klerikëve
e këngëtarëve të saj si “rrip transmisioni” të pushtetit. Termi "rrip
transmisioni" i atribuohej Stalinit kur fliste për organizatat e tjera të
masave në raport me pushtetin e partisë komuniste, por, në fakt, e
gjejmë të përdorur shumë herët në histori. Sekti i donatianëve, që
refuzonin pushtetin tokësor kundër të cilit të krishterët kishin luftuar
për tre shekuj, filluan të akuzojnë si "rripa transmisioni" të pushtetit
autokrat perandorak të krishterët katolikë që, pas Kostantinit të
Madh, e vunë fenë e tyre në shërbim të tij.
Së treti, dëmi që i ka sjellë shkencës së historisë shqiptare dhe
nëpërmjet saj krejt vetëdijes historike shqiptare dhe, tek e fundit,
njohjes së vetvetes, tjetërsimi i shkencës së historisë në mitologji
duke u bërë shprehëse të vërtetash absolute dhe jo të vërtetash që
saktësohen vazhdimisht falë studimesh dhe zbulimesh të mëtejshme;
si dhe, sëbashku me këtë, orientimi politik i kërkimeve dhe i
zbulimeve për të vërtetuar të vërtetat tashmë të parathëna e të
zbuluara nga politika dhe qëllimet e saj të ditës.
Duke u nisur nga këta tre aspekte besoj se, nëse do të tentojmë ta
sintetizojmë të keqen më të madhe që solli regjimi nacional -
komunist nga pikëpamja kulturore, do të thoja se ky e ka emrin
izolim kulturor. Vetë izolimi u kthye në një mit duke i dhënë një
identitet shqiptarit të diktaturës nga i cili nuk është çliruar ende, së
paku kulturalisht. Është miti i veçansisë së popullit shqiptar: si një
popull që nuk ishte fetar si gjithë të tjerët sepse kishte një fe sipërore:
shqiptarizmin, si një popull që ishte i vetmi në rrugën e drejtë e të
vërtetë, i vetmi popull i mirë në mes të të këqinjve. Ky izolim
kulturor ka lënë gjurmë të ndjeshme edhe në të tashmen. Dhe në këtë
kontekst, midis të tjerash, në debatin tonë ky reflektohet në formën e
paaftësisë për të kuptuar se nacionalizmi nuk është një fenomen i
vjetër sa ç'është historia e njerëzimit, por një fenomen relativisht i ri,
i shekujve XIX - XX, jo vetëm shqiptar, por evropian e më gjerë, e
në këtë kontekst, se figura historike e Skënderbeut dhe e shumë
shenjtorëve të nacional - komunizmit nuk përputhet me figurën e tyre
të ndërtuar nga kjo fe/ideologji në shekullin XIX e XX.
Oliver Schmitt, duke folur në librin e tij për studiuesit shqiptarë,
thotë: "deri më sot në studimet shqiptare nuk vihet në dyshim
prapaprojektimi në Mesjetë i identiteteve moderne etnike". Me fjalë
të tjera kjo do të thotë se në Shqipëri studiuesit nuk janë ende në
gjendje të kuptojnë se historitë e Mesjetës, ndër to edhe ajo e
Skënderbeut, janë manipuluar politikisht për të ndërtuar një identitet
e ardhmëri në shekullin XIX e më pas në periudhën komuniste. Ata
vazhdojnë ta shikojnë historinë si një vazhdimësi e pandërprerë
teleologjike sipas thënies së Enver Hoxhës: "Populli shqiptar e ka
çarë historinë me shpatë në dorë" ku e tashmja dhe, për rrjedhojë,
edhe politikanët e sotëm, përbëjnë pikën kulminante të kësaj historie,
janë, si të thuash, mesia që pritej të zbriste, më në fund, mbi tokë.
Le ta ilustrojmë "prapaprojektimin" për të cilin flet Schmitt dhe
përdorimin e tij politik me një nga aspektet më negative të politikës
së regjimit nacional - komunist: izolimin e shqiptarëve.
Enver Hoxha duke trajtuar Skënderbeun thoshte: "Populli ynë luftoi
për një çerek shekulli të tërë me heroin tonë kombëtar Gjergj
Kastrioti Skënderbeu në krye. Ai doli gjithmonë fitimtar mbi
hordhitë e Perandrisë osmane sepse populli luftonte për lirinë,
pavarësinë, dhe tokën." Vini re: nuk thotë për fenë. Në fakt nuk ka
historian serioz që e interpreton luftën e Skënderbeut si luftë
nacionale të popullit shqiptar. Luftrat me karakter çlirimi kombëtar
kanë filluar në shekullin XIX dhe, po ashtu, nuk ka pasur një ndarje
dhe aq më pak armiqësi midis popujve që jetonin në Ballkan
asokohe. Dallimi dhe armiqësia më e madhe ishte fetare: ajo midis të
krishterëve dhe muslimanëve që po vinin me osmanët. Mirëpo Enver
Hoxhës nuk i intereson ta verë në dukje ekzistencën e fesë. Duke
komentuar këtë interpretim të historisë nga ana e Enver Hoxhës
mund të themi se ai nuk ka bërë tjetër veçse ka marrë mitet
nacionaliste të Rilindjes, por duke i parë ato me metodologjinë e
materializmit dialektik dhe historik u jep një karakter teleologjik, pra
në frymën e filozofisë së historisë marksiste sheh një ecje gjithnjë
përpara të historisë në sajë të mekanizmit shpjegues: dialektikës së
luftës së klasave. Mehmet Shehu e pasuron edhe më komponenten
komuniste kur shkrua: "Faktor vendimtar dhe burimi i vetëm i
qëndresës heroike dhe i fitoreve të arritura në atë luftë të gjatë kanë
qenë masat popullore, kryesisht fshatarësia. Masat popullore ishin
kundërpesha ndaj lëkundjeve dhe tradhtisë feudale…" (Dy citimet
janë marrë nga libri i Schmitt). Pra në optikën e ideologjisë së kohës
së Mehmet Shehut dhe Enver Hoxhës, historia e Skënderbeut të
Mesjetës popullohej me "feudalët tradhëtarë" dhe "masat popullore"
besnike të çështjes kombëtare. Kemi të bëjmë me një
"prapaprojektim" në Mesjetë të identiteteve dhe ideologjisë të kohës
kur Hoxha e Shehu burgosnin klasat e ashtuquajtura të pasura duke i
akuzuar edhe si agjentë të të huajve. Në këtë optikë
instrumentalizuese Aleks Buda, historiani më i njohur shqiptar,
shkruante në artikullin e tij "Fan Noli, historian i Skënderbeut" që
vazhdon të botohet dhe ribotohet në Shqipëri dhe Kosovë: "Pas luftës
së madhe antifashiste, ku pjesëmarrja e masave popullore luajti një
rol kaq të madh në asgjësimin e pushtuesve, figura e Skënderbeut u
bë përsëri aktuale dhe mori një vlerë të re. Historiografia jonë ka për
t'i dhënë heroit tonë, ashtu si gjithë figurave të mëdha historike, rolin
e vet të merituar, nëse do të niset nga vlerësimi për rolin e masave
popullore."
Këtij prapaprojektimi të politikës së Hoxhës të shekullit XX
(veçanërisht pas viteve '60) në Mesjetë, ndryshe këtij
instrumentalizimi të Skënderbeut në funksion të stabilizimit të
regjimit të izolimit, i këndonin jo vetëm politikanët dhe historianët,
por edhe shkrimtarët e artistët shqiptarë. Ja si shkruan kritiku letrar
Jorgo Bulo, tek parathënia e kolanës së veprave të Ismail Kadaresë,
(“Naim Frashëri” Tiranë 1981): "I. Kadarenë e interesoi në mënyrë të
veçantë, në fazën e pjekurisë së talentit të tij, problemi i fateve
historike të kombit tonë, i fateve të socializmit në Shqipëri." Vini re
se si "fatet historike" dhe "fatet e socializmit" vihen në një lidhje
vazhdimësie vijëdrejtë historike. Më tej Bulo vazhdon: "Në rrethanat
që u krijuan pas tradhëtisë së hapur revizioniste, […], çasti kërkonte
prej shoqërisë shqiptare të mobilizonte të gjitha energjitë e veta
materiale e shpirtërore për t’i bërë ballë bllokadës, […] Në këto
kushte u aktivizua si asnjëherë mendimi shoqëror dhe ndërgjegjja
estetike e kombit, u gjallëruan kërkimet artistike për të pohuar,
përmes artit, burimet e thella morale që frymëzonin qëndresën
heroike të Shqipërisë dhe mbushnin me besim e optimizëm për
fitoren." Po në të njëjtën optikë, në vitin 1971, kritiku letrar Vasil
Melo do të botonte një recension mbi romanin "Kështjella" ku
shkruan: "Dhe vetvetiu kapërcehen hapësirat, afrohen epokat,
gjenden pikat e përbashkëta, dhe ajo kështjellë e romanit merr një
kuptim edhe më të gjerë, ajo na duket se është edhe Shqipëria e
sotme dhe ata kështjellarë shqiptarët me përpjekjet dhe luftën e tyre
për të mbrojtur vendin, lirinë dhe fitoret e revolucionit. [… ]
Përcaktimi i fytyrës së perandorisë osmane në roman nuk mbetet
vetëm brenda kornizës së historisë, por ai vlen edhe për të
karakterizuar armiqtë e sotëm të vendit tonë dhe të njerëzimit."
(“Nëntori”, nr. 4, 1971, f. 25.) Vetë Kadare duke folur për këtë roman
thotë: "Shfrytëzova analogjinë historike midis epokës së Skënderbeut
dhe epokës së sotme». (Vepra, vol 12, Shtëpia botuese “Naim
Frashëri”, Tiranë 1981, f. 320.)
Është mëse e qartë se si politika dhe arti në shërbim të saj
"prapaprojektojnë" të tashmen në Mesjetë; se Skënderbeu dhe epoka
e tij modelohen ashtu që të flasin në emër të interesave të elitës së
diktaturës.
Duke karakterizuar gjendjen e shkencës së historisë në këtë kohë të
diktaturës, por duke mbrritur, prej saj, deri në kohën e sotme, Schmitt
shkruan kështu në librin e tij:
"Pas prishjes së diktatorit Enver Hoxha me Bashkimin
Sovjetik u përforcua ai izolim që e çoi jetën shkencore në ngushtica
nacionaliste e shpesh ksenofobe, prej të cilave edhe sot e ka vështirë
të çlirohet. Shqipëria totalitare përhapi, me mjetet e shtetit totalitar,
imazhin e vet për Skënderbeun. Prej fundit të viteve '60 e deri më sot
janë në thelb po të njëjtët historianë që përcaktojnë interpretimin e
heroit kombëtar."
Do të thoja jo vetëm të njëjtët historianë, por, siç po e provon
edhe debati në fjalë, edhe të njëjtët shkrimtarë, të njëjtët kritikë arti
po ashtu. Dhe kjo është një nga arsyet e reagimit të tyre kaq të egër.
Ajo që i prek ata më shumë është pjesa e fundit e librit të Schmitt,
kapitulli "Kujtesa harresa dhe rikujtesa" ku ai flet për përdorimin e
Skënderbeut nga projektet e ndryshme politike, veçanërishta ata
nacional - komuniste dhe për rolin e tyre në këta projekte.
Por, siç e kam thënë edhe në shkrimin paraardhës, problemi nuk
është e kaluara, por e tashmja. Problemi është se e njëjta metodologji
"prapaprojektuese" e "afrimimt të epokave" , e intrumentalizmit të
historisë me qëllime politike të kohës që jetojmë, në dëm të
shkencës, në dëm të mendimit kritik po ashtu, tek e fundit, në dëm të
nevojës për dalje nga izolimi kulturor ku na futi diktatura nacional -
komuniste po vazhdon edhe sot. Si ilustrim i kësaj na shërben fjala e
Presidentit të sotëm Bamir Topi në konferencën që organizoi këtë vit
me rastin e 17 janarit, ditëlindjes së Skënderbeut. Aty ai mbajti një
ligjëratë me temë "Familjet e Mëdha fisnike dhe kontributi i tyre në
historinë e Kombit dhe Shtetit Shqiptar". Në mes të tjerash, pasi i
quan "mendje të robëruara", historianët si Schmitt dhe ata
intelektualë shqiptarë që e mbrojnë veprën e tij, sepse ata "përpiqen
sot të tjetërsojë rolin e Skënderbeut në historinë tonë apo në historinë
e qytetërimit europian" thotë: "Unë jam i bindur që e gjithë fisnikëria
historike, si dhe ato familje që iu bashkangjitën asaj me gjeste të
rralla patriotizmi, heroizmi, mençurie apo aksion politik në shërbim
të lirisë kombëtare, të Pavarësisë së Kosovës dhe prosperitetit të
kombit, në kohë të vjetra dhe të reja, dëshmojnë që Skënderbeu,
Kryefisniku është kudo, tek çdo shqiptar, si ideal dhe si realitet."
Metodologjia është tipike e nacional - komunizmit: manipulim i
historisë për qëllime ideologjike e politike të kohës që jetojmë.
Ndryshon vetëm komponentja "komuniste" për t'u bërë
"antikomuniste". Nëse komunistët, duke aplikuar ideologjinë e tyre të
pushtetit, flisnin për "masat popullore" si faktori kryesor në luftën
për çlirimin e atdheut në Mesjetë, Topi, meqënëse e quan veten sot si
i djathtë, përfaqësues të famijeve të mëdha që i persekutuan
komunistët në shekullin XX, i kthehet kohës së Skënderbeut,
mjerisht me të njëjtën metodë prapaprojektuese duke provuar se, ka
bërë të njëjtën shkollë. Ata që Mehmet Shehu i quante "tradhëtarët
feudalë" ky i riabiliton dhe i bën "fisnikëri historike". Pra, nëse në
Shqipërinë e Enver Hoxhës miti rilindas i Skënderbeut u plotësua me
dimensionin komunist të "udhëheqësit të masave" të "gjeneralit
partizan", të autorit të reformës agrare, në Shqipërinë e Bamir Topit
të vitit 2009 ai interpretohet si udhëheqësi i "fisnikërisë historike" e
cila, paska luftuar që nga koha Skënderbeut e këtej për çlirimin e
Shqipërisë dhe të Kosovës. Në fakt e vërteta historike e asaj kohe
nuk ka të bëjë fare më këto tentativa narracionesh të reja mitologjike
në shërbim të politikave të ditës së sotme. Një pjesë e atyre që
Mehmet Shehu i quan "feudalë tradhëtarë" kurse Topi "fisnikëri
historike" në fakt për të ruajtur pronat e tyre u konvertuan në
muslimanë, pastaj i shërbyen me devotshmëri perandorisë për disa
shekuj dhe vazhduan t'i sundojnë ato që M. Shehu i quan "masat
popullore", ndërkohë që historia e tyre mesjetare nuk ka lidhje as me
çlirimin kombëtar shqiptar dhe as me revolucionin socialist dhe
reformën agrare.
Në fakt çështja është se në luftrat e tyre të sotme për ruajtje të
pushtetit politik dhe kulturor, përfaqësuesit e kulturës së izolimit
kërkojnë të na përçojnë idenë se, duke u prekur Skënderbeu,
Shqipëria vihet në rrezik, por se ata janë aty, duke vigjëluar, në
mbrojtje të shqiptarëve nga armiqtë e tyre dhe të Skënderbeut.
Mirëpo në fakt Shqipëria rrezikun më të madh në historinë e saj e
kaloi pikërisht në kohën kur miti i Skënderbeut u ngrit më këmbë më
fort se kurrë dhe pikërisht nga ata që i ngritën atij monumentet.
Shqipëria, në fakt. mund të mbrohet shumë më mirë duke u
angazhuar përditë në luftën kundër korrupsionit, shkatërimit
ekologjik, mjerimit kulturor e me rradhë që po përjeton fatkeqësisht
ndërkohë që ata kanë pushtetin politik e kulturor dhe hyjnizojnë prap
Skënderbeun. Prandaj do të thoja se, minimalisht, ata meritojnë
thënien e shkrimtarit gjerman Karl Schlogel: "Një devocion për të
vdekurit që nuk buron nga respekti për të gjallët është i dyshimtë."
(Korrieri, 12 shkurt 2009)

Skënderbeu dhe identiteti i sotëm evropian

E hene, Shkurt 23, 2009

Pjesa më e komplikuar e debatit mbi Skënderbeun është ajo që lidhet


me argumentet e atyre (8%) që përmenda në krye të këtij shkrimi, të
cilët, edhe pse e njohin dallimin midis historisë dhe mitit, i mshojnë
nevojës së këtij të fundit. Pse ta prekim Skënderbeun; të gjithë popujt
kanë mitet e tyre? A është kjo koha?-janë pyetjet, në të cilat
sistetizohet reagimi i tyre. Edhe Kadare, ndonëse bën pjesë ndër ata
që refuzojnë të njohin mospërkimin e narracionit historik me
narracionin mitik, sepse "njëri i dendësuar jashtë mase, e tjetri, po
ashtu, jashtë mase i faktuar, mëtojnë të njëjtën gjë: të rrëfejnë botën
dhe njerëzimin" (sikur diferenca të qendrojë në kompresimin dhe jo
në interpretimet e ndryshme, që i bën i miti historisë), thotë,
megjithatë, se janë "dy vizione të botës".
Oliver Schmitt, në parathënien e librit të tij për botimin shqip, ku
ndjehet se e ka pasur merakun e reagimit të nacionalistëve shqiptarë,
shkruan se shoqëritë, nëpërmjet heronjve të tyre, "projektojnë
dëshirat dhe idealet e tyre". Ai citon edhe historianin R.R. Davis, i
cili ka shkruar një monografi të heroit kombëtar të Uellsit, që i ka
shërbyr si pikë referimi, i cili thotë se "gjithë dituritë e historianëve
shpesh nuk mjaftojnë që të ndryshojnë imazhet e rrënjosura thellë"
dhe se prandaj "nuk ka shumë kuptim të merresh me
"dekonstruksion" imazhesh.
Por Schmitt thotë në parathënien e tij edhe diçka të rëndësishme për
argumentet e debatit në fjalë: se ata, heronjtë apo imazhet,
"pasqyrojnë gjendjen inteletkuale dhe morale të një shoqërie".
Le të qëndrojmë tek ky pohim i Schmitt. Pra, nëse mitet pasqyrojnë
gjendjen intelektuale dhe morale të një shoqërie, atëhere çfarë ndodh
kur gjendjet intelektuale dhe morale të shoqërive ndryshojnë-siç ka
ndodhur dhe ndodh në histori. A nuk duhet të themi se, për rrjedhojë,
edhe imazhet që pasqyrojnë këtë gjendje intelektuale dhe morale
duhet të ndryshojnë? Dhe, për t'iu afruar kontekstit tonë, a nuk duhet
të themi se një shoqëri e rritur në diktaturë e izolim të thellë ka një
gjendje intelektuale dhe shpirtërore të ndryshme nga ajo e një
shoqërie të rritur në liri.
Thelbi i gjithë sa kam shkruar deri tani në këtë shkrim ka të bëjë
pikërisht me nevojën e ndryshimit të imazheve. Se një individ i rritur
në një shoqëri të lirë, siç është ajo që aspirojmë, duhet t'i shohë
heronjtë e tij dhe t'i ndërtojë imazhet e veta në një mënyrë tjetër nga
ajo se si i ka parë dhe ndërtuar në diktaturë, ndërkohë që inercia e
diktaturës, e shfaqur në formën e reaksionit të elitës që ka ndërtuar
këta imazhe dhe që ka ende pushtetin politik dhe kulturor, nuk po e
lejon ta bëjë këtë.

Nevoja e historisë kritike

Niçe, në esenë e tij të njohur "Mbi dobinë dhe dëmin e historisë për
jetën" flet për tre mënyra të vështrimit të historisë që lidhen me tre
nevoja themelore shpirtërore të njeriut. Sipas tij njeriu ka aspirata
dhe pasione prandaj e sheh historinë në mënyrë "monumentale"-me
çka nënkupton se edhe ai don të bëhet si heronjtë e historisë dhe i
kërkon modelet tek ajo. Njeriu gjithashtu ruan dhe nderon, prandaj e
sheh historinë në mënyrë "antikuare"-bën kërkime arkeologjike,
ndërton muzeume etj. Por njeriu-thotë Niçe-edhe vuan dhe kërkon të
çlirohet, prandaj ai e sheh historinë edhe në mënyrë "kritike", që të
mos përsëriten të njëjtat situata që e kanë bërë atë të mbetet nën
pranga, pra ta ndryshojë historinë, të krijojë histori.
Në qendër të këndvështrimit të Niçes vihet liria dhe krijimtaria e
njeriut që sipas tij, në mungesë të historisë kritike, rrezikojnë të
mbyten nga mbipesha e historisë. Ajo "monumentalja" edhe ajo
"antikuarja", që i përgjigjen nevojës së njeriut për heronj dhe
nderimi, në mungesë të vështrimit kritik, rrezikojnë ta mbysin jetën e
njeriut që kështu mbetet, pasiv, në admirimin dhe imitimin e së
kaluarës.
Mendoj se ka diçka të përbashkët midis tekstit dhe kontekstit në të
cilin është shkruar shkrimi i Niçes dhe kontekstit shqiptar, në të cilin
zhvillohet debati ynë. Edhe ne jemi në një periudhë kur ndjehemi të
mbytur nga një histori e interpretuar në një mënyrë të caktuar për
interesa të caktuara ("nuk ekzistojnë fakte, vetëm interpretime"-thotë
Niçe) dhe na mungon kritika ndaj kësaj historie dhe heronjve të saj.
Po ashtu, historia e lexuar vetëm në mënyrë monumentale dhe
antikuare pa ndërgjegjen kritike i ka bërë shqiptarët të imitojnë
heronjtë e ndërtuar nga mitologjia e tyre, por pa bërë histori të re.
Sepse edhe aspirata (monumentale) e njeriut për të qenë si heronjtë
nënkupton që heronjtë të kenë edhe vetitë e tij tokësore, virtytet dhe
dobësirat e tij. Ai ka nevojë që heronjtë të jenë sa më të besueshëm.
Përndryshe vijmë në trajtimin e historisë si letërsi e realizmit
socialist apo si përrallë për fëmijët: Na ishte njëherë e një kohë "kur
Shqipëria pillte vetëm trima dhe luanë". Por edhe fëmijët mund të
shtrojnë pyetjen: po pse nuk pjell më vetëm trima dhe luanë kjo
Shqipëria?
Tek nevoja për t'u çliruar nëpërmjet historisë kritike duhet të
kërkojmë edhe atë ngulm të njeriut për të ditur e për të
dekonstruktuar mitet dhe imazhet e një kohe. Sepse kemi parë se sa
të shumtë janë edhe sot ata që duan ta fshehin të vërtetën, për të
manipuluar konsensusin e njerëzve, që kanë nevojë për një shkencë
të nënshtruar, të paaftë për të na dhënë interpretime të reja, që ngrenë
mite e heronj që u shërbejnë pushtetit të tyre. Historia jonë është e
mbushur me të tillë. Mjafton të kesh parasysh se, në të njëjtën
mënyrë, është shkruar edhe historia e Luftës Nacional-Çlirimtare. Se
për ironi me të njëjtën metodologji është shkruar edhe historia e
heronjve të demokracisë. Se po ashtu, në të njëjtën mënyrë, po
shkruhet edhe historia e heronjve të UÇK-së në Kosovë. Historia e
shkruar në këtë mënyrë bëhet histori paragjykimesh dhe dogmash që
mbështeten me kokëfortësi, kombinuar me intolerancë dhe
fanatizëm. Janë histori që përsëriten, pa bërë histori.

Përkatësia dhe liria

Problemi i nevojës së njeriut për heronj e mite më një anë dhe


dekonstruktimin e tyre më anë tjetër ka të bëjë edhe me një
kontradiktë themelore të njeriut: atë midis nevojës së tij për përkatësi
në një komunitet, për identitet dhe, nga ana tjetër, nevojës së tij për
liri. Pa mitet ku projekton idealet e, rreth të cilëve, organizon jetën e
tij shoqërore njeriu mbetet një individ i izoluar edhe pse mund të
jetojë mes njerëzve. Nga ana tjetër shpesh këto mite, këta identitete,
bëhen kërcënim për lirinë e tij sepse, nëse ai nuk i pranon vlerat dhe
heronjtë me të cilët identifikohet komuniteti, rrezikon të nxirret
jashtë tij e të persekutohet.
I gjithë thelbi i këtij problemit, sipas meje, është se njeriut në vend se
ta jetojë këtë kontradiktë ka kërkuar ta zgjidhë dhe, në më të
shpeshtën e herëve në historinë e tij e ka zgjidhur duke ia nënshtruar
lirinë e tij individiuale përkatësisë në komunitet dhe nderimit të
miteve të tij. Por, thënë më konkretisht, nëse më një anë ka qenë feja,
atdheu, dhe më anë tjetër liria e tij individuale, deri në shekullin e
XX ai ka qenë i shtrënguar t'ia nënshtrojë këtë të fundit atyre të
parave. Dhe ky është një fenomen i njohur. Një kult të tillë si ai i
atdheut edhe njeriu perëndimor e vuri në dyshim pasi ky e çoi në
luftrat botërore.
Po ashtu, pakush shqetësohet për atë se krijimi i identiteteve si
nevojë thelbësore nënkupton edhe një reduksionizëm që, nëpërmjet
një procesi që Levi-Strauss e quan "kanibalizëm kulturor" varfëron
njeriun dhe shoqërinë.
Po t'i shohim shqiptarët e sotëm ata shkojnë e vijnë në Turqi, Greqi,
Serbi, Maqedoni, Itali e gjetkë, ku punojnë por edhe ku takohen me
turq, grekë, serb, italianë e maqedonas e hanë gjellë turke e sallatë
greke, ngasim makina evropiane apo aziatike, hanë ushqime greke
maqedonase, italiane lexojnë libra të përkthyera nga shumë gjuhë
dhe po kështu shohin filma e dëgjojnë muzikë me origjina të
ndryshme; por përdorin edhe shumë mallra kineze, shkollat më të
mira në Tiranë i kanë turke etj. Si është e mundur që ata, megjithatë,
kur vjen puna për identitetin e tyre harrojnë shumë nga këto pasurira
që ndërtojnë jetën e tyre të përditëshme dhe theksojnë e glorifikojnë
ato pak gjëra që i bëjnë të ndryshëm nga të tjerët, deri në urrejtje e
armiqësi?
Sipas meje, po të shohim me sy kritik këtë proces ndërtimi identiteti,
do të arrijmë në përfundimin se ato që i quajmë identitete shpesh nuk
janë tjetër veçse kafaze që i ndërtojnë elitat në pushtet duke
shfrytëzuar nevojën tonë për përkatësi. Këta mund të jenë kafaze ku
hyjmë vetë me dëshirë, me hekura më të ngushta ose me hekura më
të gjera, të larë edhe me ar ndonjëherë. Këta mund të jenë të
ndryshueshëm në formë nga koha në kohë, por mund të jenë edhe me
derë çelësin e të cilit e kemi ne, por që, në një moment të caktuar, na
e marrin nga dora. Në fakt janë kafaze virtualë që ne i ndërtojmë
nëpërmjet manipulimit që elitat i bëjnë mendjes sonë për pushtetin e
tyre. Ato shprehin njëherësh edhe dëshirën tonë për përkatësi për t'i
dhënë një kuptim jetës. Një kafaz i tillë ishte edhe komunizmi që do
të na jepte të hanim me lugë floriri, por edhe identiteti kombëtar apo
atdheu, që në kohën e Hoxhës na u kthye në burg. Këtu më vjen të
citoj një thënie që tingëllon sa cinike aq edhe e vërtetë e Karl
Deutsch i cili, në veprën e tij "Nationalism and its alternatives"
(Nacionalizmi dhe altarnativat e tij), thotë se kombi është "një grup
njerëzish që i bashkon një vizion i gabuar mbi të kaluarën e tyre dhe
urrejtja për fqinjët". Tamam një kafaz i rrezikshëm që njerëzit i ka
çuar deri në luftra shkatërrimtare.
Prandaj duhet të jemi të vetëdijshëm për kontradiktën që qëndron
midis nevojës sonë për përkatësi dhe asaj për liri. Mënçuria qëndron,
sipas meje, në përjetimin dhe jo zgjidhjen e kësaj kontradikte. Rrugët
drejt kësaj mënçurie janë të shumta. Personalisht do të rekomandoja
mbrojtjen e lirisë nëpërmjet zgjedhjes me vetëdije dhe dituri të
përkatësisë, dhe njohjen e respektimin e lirinë dhe përkatësinë së të
tjerëve, gjithashtu.

Miti i Skënderbeut dhe identiteti i ri evropian

Nëse do të pranojmë, pra, se pa heronjtë e mitet, pa përkatësinë, nuk


mund të bëjmë mund të shtrohen disa pyetje që lidhen me mitin e
Skënderbeut. Së pari, cilët janë ose duhet të jenë mitet që do t'i
bashkojnë shqiptarët me bashkësinë evropiane, a mund të ndihmojë
për këtë miti i Skënderbeut, a duhet të ndryshojë ai apo duhet të jetë
ashtu siç është ndërtuar në kohën e Rilindasve apo në atë të regjimit
komunist. Apo duhen mite të tjerë sepse ai mund të rezultojë i
pasuksesshëm?
Sipas meje miti i Skënderbeut po njeh një periudhë të tretë
rimodelimi në nacionalizmin e shqiptarëve. Kam parasysh kohën që
nga shek. XIX kur ai, nga një mit i evropianëve, që sipas Schmitt
vjen e zbehet pikërisht në periudhën e fillimshekullit XIX kur Turqia
nuk është më rreziku kryesor i Evropës (por Rusia), bëhet hero i
nacionalizmit shqiptar.
Periudha e parë është ajo e Rilindjes, kur ai ka shërbyer për të dhënë
identitet dhe njëherësh për të përcaktuar një kahe të ardhmërisë së
shqiptarëve përdrejt Evropës. Në fakt, heronjtë e vërtetë të
nacionalizmit shqiptar janë Rilindasit. Skënderbeu u ka shërbyer
atyre si princip identitar përballë botës. Duke i dhënë përkatësinë e
tyre një heroi të njohur evropian shqiparët pohonin të drejtën e tyre
për të ekzistuar si komb më vete, krahas të tjerëve. Por, për këtë nuk i
ka ndihmuar Skënderbeu, sikurse përfytyrojnë ata duke mos njohur
historinë e tij, por Rilindasit që luftuan që ai të njihet si shqiptar.
Në kohën e komunizmit manipulimi i Skënderbeut, sikurse e kam
shtjelluar, u bë në frymën e ndërtimit të imazhit të një Shqipërie që i
kishte qëndruar si kështjellë të gjithë armiqve, si në Lindje ashtu
edhe në Perëndim dhe, jo vetëm, por që i konsideronte si armiq të
vendit edhe fetë e këtyre vendeve.
Pas rënies së komunizmit kemi një rimodelim në kuadrin e një
rimodifikimi të mitologjisë nacionaliste që synon të bëhet nacional-
evropianiste. Sipas saj kombi shqiptar, më në fund, pas pesë shekujsh
robëri nën Turqi dhe gjysëm shekulli në Lindjen sllavoortodokse,
kthehet në origjinën e tij evropiane dhe kristiane, madje katolike, që
nuk e ka harruar asnjëherë në ndërgjegjen e tij. Dhe Skënderbeu
kthehet e bëhet kështu edhe katolik. Madje bëhet deri pararendës i
NATO-s.
Dikush mund të thotë: ky është një mit, ok, por ç'të keqe ka,
përderisa i ndihmon shqiptarët të bëhen pjesë e Evropës?
Sipas meje projektimi i dëshirave dhe idealve e tona për t’u bërë
pjesë e bashkësisë evropiane nuk arrihet me vlerat dhe identitetin që
përçon miti i manipuluar kësisoj, përkundrazi ky na ndan prej saj.
Madje, po të aplikojnë evropianët identitetin dhe vlerat që përçon ky
mit, ne nuk do të pranoheshim prej tyre. Le të shpjegohem.
Tek një miti i manipuluar kësisoj gjejmë rimarrjen e frymës
orientaliste të Rilindjes në thelbin e së cilës qëndron dikotomia
Perëndim-Lindje ku i pari mishëron të mirën kurse e dyta të keqen.
Në rindërtimim e kësaj mitologjie përdoret filozofia e manikeizmit
që është tipike në ndërtimin e mitologjive. Manikeizmi ka dy
principe "të mirën" dhe "të keqen"; tre kohë kohë: atë kur e mira dhe
keqja ishin të ndara, kohën kur këto përzihen dhe kohën kur këto
ndahen përsëri; si dhe dy hapësira gjeografike ku e mira dhe e keqja
kanë strehën. (Për ironi, sipas manikeistëve e mira në Lindje kurse e
keqja në Perëndim). Po ta përkthejmë këtë në konteksin e mitologjisë
nacional-evropianiste del se e mira ishte e ndarë nga e keqja në
kohën e Skënderbeut, kur Shqipëria ishte Evropë; pastaj erdhi një
periudhë pesë shekullore kur kjo u përzje me të keqen (Lindjen,
turqit), kurse tani kemi ardhur përsëri në periudhën kur e mira dhe e
keqja po ndahen, ndonëse ka ende një rezistencë nga ata që Kadare i
quan "rimohuesit", për të cilët "e mirë për Shqipërinë nuk është
Europa, por Azia". (Ismail Kadare "Intrigat që fshihen pas sulmit
ndaj Skenderbeut" (Shqip, 27 dhjetor 2008)). Në frymën e kësaj
mitologjie periudha osmane quhet "shkombëtarizim" sikur, pra,
kombi, e mira, të ketë ekzistuar para kësaj periudhe. Po ashtu, në
frymën e kësaj mitologjie, mungesa e shkollave shqipe nuk
shpjegohet me shkaqe historike, social ekomomike, fetare, por si një
konspiracion i së keqes ndaj shqiptarëve që, duke qenë e mira e
pastër, luftoheshin për vdekje nga e keqja. "Gati çdo gjuhë lejohej të
mësohej në "perandorinë tolerante", përveç njërës: gjuhës shqipe!"
(Kadare, po aty)
Duke i qëndruar Niçes sipas të cilit "faktet janë budallenj; janë
teoritë që i interpretojnë që duhet të jenë inteligjente" kjo mënyrë
interpretimi nuk është inteligjente. Nuk është e tillë sepse bashkësia
evropiane dhe identiteti evropian i kohës së sotme po ndërtohet bash
si e kundërta e principeve orientaliste, manikesite dhe si e kundërta e
ndarjes së të ndryshmëve.
Mbi identitetin evropian është folur shumë në vitet e mileniumit të ri.
Për një vend që synon të hyjë në komunitetin evropian ky është bërë
një debat mjaft i rëndësishëm që ka përfshirë shumë intelektualë të
njohur evropianë. Është i njohur shkrimi që Jurgen Habermas botoi
sëbashku me Jacques Derrida në maj të vitit 2003 në "Frankfurter
Algemeine Zeitung". Në këtë shkrim sugjerohet se identiteti evropian
është bash rezultat i ngjarjeve dramatike historike që ka përjetuar
Evropa për shkak të luftrave me karakter fetar apo nacional. Është
pra identiteti i atyre popujve që "kanë mësuar, me një çmim të lartë,
se si diferencat mund të qetësohen, kontrastet të instucionalizohen
dhe tensionet të stabilizohen". Është identiteti i një hapësire kulturore
ku është kuptuar më mirë se kudo se "njohja reciproke e tjetrit, në
diversitetin e tij, mund të bëhet shenja e një identiteti të përbashkët".
Është, pra, bash e kundërta e mënyrës se si kërkojnë të rimodelojnë
nacional-evropianistët shqiptarë mitin e Skënderbeut.

You might also like