You are on page 1of 4

Dr Dorian Koçi*

Armët e brezit verdhane të Elbasanit në Muzeun Ali Pasha Tepelena në


ishullin e Janinës.

Armët e brezit ose koburet kanë qenë pjesë e rëndësishme e armatimit të luftëtarit shqiptar. Ato
mbaheshin në brez edhe si pjesë e veshjes së përditshme gjatë fundit të shekullit të XVIII e në
shekullin e XIX. Ato prodhoheshin në punishtet e armëve që gjendeshin në qytetet shqiptare.  Të
dhënat historike dëshmojnë  se në Elbasan janë prodhuar armë zjarri që prej vitit 1670. Udhëtari
turk Evlia Çelebi në shënimet që ka mbajtur gjatë udhëtimeve të tij thotë se armët punoheshin me
mjeshtëri dhe elegancë. Njoftime më të sakta gjejmë në një kodik të esnafit të kondakçinjve,
sipas të cilit në Elbasan ka pasur rreth 18-20 dyqane armëtarësh. Pranë tyre qenë dyqanet e
argjendarëve dhe të saraçëve që merreshin me zbukurimet e tyre. Armët e zbukuruara me
argjend, kushtonin shtrenjtë dhe janë përdorur kryesisht prej shtresave të pasura. Në qytetin e
Shkodrës janë prodhuar karajfile me shumicë dhe të zbukuruara me argjend dhe me filigran,
ndërsa në pjesën jugore të Shqipërisë pushkët karajfile zbukuroheshin me savat. (Riza T.Drishti.
Armët dhe armëtarët shqiptarë.Tiranë:8 nëntori, 1976)
Një pjesë e kësaj trashëgimie kulturore materiale sot gjendet në muzeumet shqiptare por edhe
edhe një pjesë e akoma më e madhe gjendet e ekspozuar në muzeume të vendeve fqinj. Një
muzeum i tillë ndodhet në ishullin e liqenit të Janinës. Në ishullin e Janinës, në zonën mikpritëse
të Shën Panteleimonit , të cilin Ali Pasha Tepelena gjatë sundimit të tij e kishte shndërruar në
një shtëpi pushimi, falë iniciativës  të familjeve fisnike janiniote në 1958 u hap Muzeu
i  Periudhës së revolucionit Grek (1821-1829). Në të njëjtën godinë ndodhen Muzeu Ali Pasha
dhe periudha e revolucionit grek. Nga maji i vitit  2012, aty përfshihet  koleksioni i
shkëlqyeshëm i  Fotis Rapakousis që drejton këtë muze. Ndërtesa kryesore ekspozon objekte që
kanë një lidhje të drejtpërdrejtë ose të tërthortë me Ali Pasha gjatë periudhës së Pashallëkut të
Janinës  (1788-1822) dhe reliket e ndërtesës së dytë ekspozojnë periudhën e Revolucionit Grek
në  shekullin e  XIX. Mes objekteve shumta të këtij muzeu gjenden dhe dy kobure brezi të
prodhuara në Elbasan midis viteve 1780-1800. Ato i përkasin tipit të quajtur calina që  punohej
në Shqipëri. Në Shqipërinë Veriore ajo njihej me emrin calinë, celinë dhe gjarpërushe. Quhej
gjarpërushe për shkak të kokës së gjarpërit, që kishte në fundin e dorezës. Në Shqipërinë e
Mesme, në Elbasan quhej verdhë, ndërsa në Tiranë quhej latune vendi. Calinat kanë qenë shumë
të përhapura, sepse shiteshin lirë. Ato konsiderohen si armët e para të brezit në Ballkan. Sipas një
burimi historik të cituar nga Fotis Rapakusis mjeshtëria e prodhimit të këtyre armëve u soll në
Elbasan nga Hungaria gjatë kohës që ajo ishte nën sundimin otoman 1541-1699. Ato
prodhoheshin nga material bronzi dhe për këtë arsye ishin të shpërndara pothuajse në gjithë
Ballkanin. Armët e brezit verdhana u përdorën gjerësisht gjatë kohës së Ali Pashë Tepelenës dhe
revolucionit grek. Verdhanat e Elbasanit në muzeun Ali Pasha të ishullit të Janinës janë një
dëshmi e zhvillimit ekonomik të qytetit të Elbasanit gjatë fundit të shekullit të XVIII dhe
shekullit të XIX. Ky zhvillimi dedikohet pozitës gjeografike të qytetit por edhe institucioni i
esnafëve ose korporatat që rritën ndjeshëm rolin ekonomik të Elbasanit në rajon.
Pozicioni gjeografik i qytetit të Elbasanit e bënte këtë të fundit një qendër me rëndësi strategjike.
Qyteti ndërtohej në një pikë lidhëse midis pjesës veriore dhe asaj jugore të trojeve shqiptare.
Gjithashtu, zona në fjalë përshkohej nga rruga e famshme Egnatia, e cila lidhte Romën me
Konstandinopojën dhe që për shumë shekuj me radhë kishte qenë pikëkalimi i udhëtarëve,
mbretërve, ushtrive e karvaneve tregtare të ndryshme. Kjo gjeografi përbënte një nyje të
rëndësishme pikëtakimi për rrugët tregtare që bashkonin qytete me tregje të mëdha ekonomike
siç ishte Ohri, Dibra, Durrësi apo Berati.Përveç rrjetit të brendshëm tregtar pozicioni i Elbasanit
është përdorur edhe nga karvanet tregtare që merreshin me eksporte përmes portit të Durrësit.Të
gjitha këto elementë favorizues përbënin një potencial të madh për zhvillimin e ekonomisë së
qytetit ashtu edhe për shpërndarjen e prodhimeve të tij në një rrjet tregtar shumë të gjerë(Eduart
Caka. Vakëfet dhe funksioni i tyre në qytetin e Elbasanit gjatë shekullit të XVII, Revista Historike
1-2, 2016,fq 101-102)
Udhëtari i njohur osman Evlija Çelebiu në veprën e vet Udhëtimet (1660-1670) shkruan për
Elbasanin se ai ishte një qendër e sanxhakut, me një administratë të fuqishme dhe që kishte nën
varësi zona të rëndësishme përreth ku mund të përmenden Bashtova, Myzeqeja dhe Durrësi. Me
526 katunde, 18 zeamete dhe 128 timarë Elbasani në shek. XVII rezulton si një qendër e
fuqishme ekonomike e administrative. Përsa i përket përmasave të qytetit Çelebiu rrëfen se
vetëm brenda fortesës ndodheshin 460 shtëpi. Bashkë me lagjet që gjendeshin në periferi që
sipas tij shtriheshin deri në një orë larg, Elbasani kishte 1150 saraje dhe shumë shtëpi të nivelit
mesatar.(Eduart Caka. Vakëfet dhe funksioni i tyre në qytetin e Elbasanit gjatë shekullit të XVII,
Revista Historike 1-2, 2016,fq 104)
Përveç pozitës gjeografike, një faktor tepër i rëndësishëm që i dha zhvillim të madh qytetit të
Elbasanit gjatë kësaj periudhe padyshim ishte edhe institucioni i esnafëve ose korporatat.
Organizimi i tregtareve të të njëjtave zeje në korporata ishte një motor i rëndësishëm zhvillimi si
për vetë esnafët ashtu edhe për qytetin ku ato bënin pjesë. Gjurmët më të hershme dhe
embrionike të organizimeve esnafore në Elbasan datojnë që në vitet 1580 ku bëhet fjalë për disa
profesione më të zhvilluara siç mund të përmenden ato të tabakëve, papuçinjve, shpataxhinjve
leshpunuesve, etj. (Eduart Caka. Vakëfet dhe funksioni i tyre në qytetin e Elbasanit gjatë
shekullit të XVII, Revista Historike 1-2, 2016,fq 106-107).
Mbi bazën e esnafit të shpataxhinjve u ndërtuan më vonë dhe mjeshtëria e prodhimit të armëve
në Elbasan. Armët e Elbasanit ishin të famshme në rajon jo vetëm për cilësinë e tyre por edhe për
derdhjen në ar e argjend e zbukurimet e tyre. Prodhimet e qytetit të Elbasanit gjenin treg shitjeje
si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Këtë e dëshmon fakti që Perandoria Osmane në dy ekspozita
ndërkombëtare, njëra në Paris në vitin 1867 dhe tjetra në Çikago në vitin 1894, krahas artikujve
të tjerë të artizanatit ekspozoi edhe pushkë, pistoleta dhe silahe të prodhimit shqiptar të Shkodrës,
Elbasanit, Prizrenit, etj. (Historiku i Qytetit në https://elbasani.gov.al)

Gjurmimi dhe dokumentimi i trashëgimisë kulturore matëriale të shqiptarëve në rajon është një
sfidë që duhet të fillojë të përfshijë edhe ndërtimin e një regjistri të kësaj trashëgimie për ta
njohur dhe ekspozuar.

Bibliografia:

1- Eduart Caka. Vakëfet dhe funksioni i tyre në qytetin e Elbasanit gjatë shekullit të XVII,
Revista Historike 1-2, 2016.
2- Historiku i Qytetit në https://elbasani.gov.al)
3- Riza T.Drishti. Armët dhe armëtarët shqiptarë.Tiranë:8 nëntori, 1976
*Autori është studiues dhe aktualisht drejtor i Muzeut Historik Kombëtar të Shqipërisë.

You might also like