You are on page 1of 5

Dr.

Dorian Koçi

Martiri i lirisë së shqiptarëve...

Shteti kombëtar shqiptar lindi shumë i dobët në vitin 1912-1913. Nëse do perifrazonim një
shprehje të njohur diplomatike,do të përshkruhej përmes saj se ai lindi si një “fëmijë i gjallë
por i mekur”. Vështirësitë që hasi shteti i porsa lindur shqiptar nuk kishin të bënin vetëm me
vështirësitë e njohura të qeverisjes administrative dhe të sundimit të ligjit por kryesisht me
mbijetesën e tij. Territoret shqiptare u kthyen në një teatër luftimesh të Luftërave ballkanike
në 1912-1913 në vigjilje të lindjes së shtetit shqiptar dhe gjatë viteve të Luftës së Parë
Botërore (1914-1918), çka e vështirësoi shumë mbijetesën e pikëpamjes politike të
vazhdimësisë së shtetit shqiptar në kufijtë e përcaktuar në Konferencën e Londrës.

Pikërisht në këtë kohë, përpjekjet e patriotëve shqiptarë të shpërndarë nga zjarri i Luftës së
Madhe nëpër kolonitë shqiptare në Europë dhe SH.B.A për të krijuar vazhdimësinë juridike
të shtetit shqiptar dhe njohjen e tij nga aleancat e ndryshme që ishin krijuar gjatë Luftës së
Parë Botërore, janë përpjekje epike që meritojnë një vëmendje të veçantë nga ana e
studimeve historike. Krahina autonome e Korçës dhe figura e Themistokli Gërmenjit,
arkitektit të krijimit të këtij enti të veçantë shtetformues, përbëjnë një histori politike dhe
sociale të admirueshme, efektet e së cilave u ndjenë të ishin pak vite më vonë përcaktuese për
fatin politik të Shqipërisë dhe për vazhdimësinë kulturore të lidhjeve të Shqipërisë me
Perëndimin.

Korça është djepi i nacionalizmit shqiptar dhe qyteti ku u mbrujtën idetë e mëdha të krijimit
të shtetit të ardhshëm të shqiptarëve. Kjo ngjizje e ideve kombëtare në Korçë dhe rrethinat e
saj nuk ishte e rastësishme.Krahina e Korçës përmbushi shumë më herët se krahinat e tjera
shqiptare kushtet për një urbanizim të shpejtë nëpërmjet rritjes së volumit të tregtisë mes
krahinave të Epirit dhe Maqedonisë duke shfrytëzuar shumë mirë portin e Selanikut, si dhe
nëpërmjet emigracionit të suksesshëm në shumë qendra urbane të Evropës Lindore si
Bukuresht, Athinë, Sofje apo dhe deri në Afrikë, në Kajro, Aleksandri dhe Ismailia.
Në këto qendra urbane , kryesisht në Bukuresht e Kajro u mbrujtën dhe u formuan dy breza
veprimtarësh të Lëvizjes Kombëtare , ku mes tyre spikat dhe Themistokli Gërmenji. Patrioti
shqiptar Themistokli Gërmenji është një nga figurat kombëtare, jeta dhe aktiviteti i të cilit ka
lënë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën kolektive shqiptare. I shkolluar si shumica e
patriotëve shqiptarë në një shkollë greke në qytetin e Korçës , ashtu si shumë figura të tjera
në historinë e kombeve të tjerë, zgjimin kombëtar e përfiton përmes gjuhës së shkruar. Një
letër e ardhur nga Bukureshti nga i ati i tij emigrant në gjuhën shqipe, shërbeu si shkëndija
për të kuptuar identitetin e vet gjuhësor e kombëtar përkarshi identiteve të tjerë fetarë dhe
imagjinar që i mbivendoseshin nga arsimimi i tij. Historia e tij personale në fakt u kthye në
një histori të përgjithshme të komunitetit të tij që arsimohej në shkolla greqisht por frymonte
dhe gjallonte shqip në jetën e përditshme. Ndarja tejet e prapambetur e popullsisë sipas
modelit të mileteve në Perandorinë Otomane kishte krijuar keqkuptime të mëdha që
mundoheshin të plotësoheshin nga nacionalizmat agresivë të fqinjëve.

“Kultura islamike e Perandorisë Osmane i kishte mëshuar identifikimit të besimit fetar me


kombin, duke sheshuar dallimin midis shqiptarëve e myslimanëve të tjerë nga njëra anë dhe
duke nxjerrë më në pah, nga ana tjetër, atë midis islamikëve dhe të krishterëve
gjithfarësojësh. Në një shoqëri shumëkombëshe, siç ishte ajo e Perandorisë Osmane, jeta e
nënshtetasve të saj, ç’është e vërteta, ishte organizuar rreth besimit, të cilit, ata i përkisnin:
domethënë, vija ndarëse ndërmjet të qeverisurve dhe qeverisësve-ose, thënë më shkoqur,
popullsisë hegjemone-ishte religjioni dhe jo kombësia, ku padyshim, ashtu si në të gjithë
perandorinë, myslimanët përftonin një pozicion të priveligjuar, gjë që, në rastin e Shqipërisë
qe shndërruar e kishte përbërë një pengesë objektive për të arritur bashkimin kombëtar të
myslimanëve me të krishterët, qofshin ata ortodoksë apo katolikë.1

Themistokli Gërmenji do të ishte në ballë të zgjimit të komunitetit të vet shqiptaro-ortodoks


për të rikomfirmuar identitetin kombëtar dhe do të shndrohej në një tribun dhe udhëheqës të
popullsisë së vet. Ai do të ishte dhe njeri i aksionit pasi në krahinën e Korçës , çeta e tij
patriotike do të ishte nga të parat që do të ngrinte flamurin e lirisë. Kjo trashëgimi politike
dhe kulturore e personalitetit të tij do të ishin faktorë vendimtarë që në vitin 1916 do të bënte
të mundur themelimin e Krahinës Autonome të Korçës nën flamurin francez. Zona e
pushtimit francez ishte më e vogël se zona e pushtimit austro-hungarez dhe ajo italiane gjatë
Luftës së Parë Botërore në Shqipëri. Megjithatë në këtë zonë ndodhej një nga qytetet me të
rëndësishme të Shqipërisë, Korça. Para ardhjes së francezëve, Korça ishte në duart e ushtrisë
1
Salleo,F.(2000).Shqipëria:gjashtë muaj mbretëri.Tiranë: Shtëpia e Librit dhe Komunikimit.,faqe 22
greke e cila e pushtoi zyrtarisht qytetin më 27 tetor 1914. Menjëherë sa vendosën pushtimin
e tyre në këtë rajon për realizimin e synimeve aneksioniste, vendosën në të gjitha postet
kryesore funksionarë grek. Regjimi i egër i pushtimit grek dhe si dhe synimet e kahershme
ndaj qytetit të Korçës dhe krahinave përreth tij, shkaktuan pakënaqsi në rradhët e popullsisë
shqiptare. Në këto kushte sapo ushtria franceze vendoset në qytet, një komision korçarësh, në
emër të popullsisë së krahinës u kërkoi atyre largimin e menjëhershëm të trupave greke dhe
ngritjen e një administrate shqiptare. Komanda franceze jo vetëm nuk i mori parasysh këto
kërkesa, por e kaloi administratën e qytetit nga duart e grekëve kostandinistë në duart e
aleatëve të vetë, grekëve venizelistë. 2 Në rrethana të tilla patriotët shqiptarë i drejtuan armët e
tyre edhe ndaj pushtuesve francezë. Kjo lëvizja patriotike i detyroi autoritetet ushtarake
franceze dhe përfaqësuesit e qytetit të nënshkruanin marrëveshjen e 10 dhjetorit 1916 për
shpalljen e “Krahinës Autonome të Korçës”, e cila zgjati deri më 16 shkurt 1917. Protokolli i
10 dhjetorit ishte i përbërë prej 9 nenesh me një përfaqësi prej 14 vetash nga Korça, ku bënin
pjesë (7 ortodoksë e 7 myslimanë), të cilët arritën të nënshkruanin me komandantin e forcave
franceze të Korçës, me kolonelin Hanri Dekuan.3 Administrimi i krahinës iu besua një
këshilli administrativ i quajtur ndryshe këshilli qeveritar, i përbërë po nga ato figura politike
shqiptare, që kishin nënshkruar dokumentin. Ky këshill do kishte nën urdhrat e veta
xhandarmërinë dhe njëkohësisht do të krijoheshin edhe repartet lëvizëse shqiptare për të
ruajtuar “pavarësinë e territorit dhe lirinë e banorëve”. Ky protokoll mbyllej me dy pika të
ndjehme për shqiptarët, ku gjuha zyrtare do të ishte shqipja, ndërsa flamuri i krahinës
autonome të Korçës do të ishte “flamuri tradicional i Skënderbeut me shiritat trengjyrësh të
flamurit francez”.4 Shpallja e autonomisë me emrin “Republikë” u bë në një mbledhje
solemne, ku u mbajtën fjalime nga Themistokli Gërmenji dhe koloneli Dekuan. Me emrin e
“Republikës” u shtypën pulla poste dhe u vunë në qarkullim monedha 1 fr. dhe 0.5 fr.5

Stadi më evolues i Krahinës Autonome të Korçë, në Republikën e Korçës është frut i drejtë
për së drejtë i aksionit politik të Themistokli Gërmenjit që në atmosferën e krijuar në Korçën
e zbrasur nga ushtritë greke por ende me grekomanë shqiptarë brenda , diti të luajë një Real
Politikë të vërtetë duke plotësuar qëllimet e Lëvizjes kombëtare Shqiptare por edhe interesat
e francezëve në rajon. Ishte pikërisht arritja e këtij qëllimi të lartë shkaku i fundit tragjik të
Themistokli Gërmenjit. Patrioti shqiptar u vra dhe nuk u pushkatua ligjërisht nga organet e

2
Valentina Duka, Qytetet e Shqipërisë në vitet 1912-1924, Toena, Tiranë: 1997, fq. 62.
3
Histori e Popullit Shqiptar Vëllimi II, (Tiranë: Toena 2002), 88.
4
Arben Puto, Shqipëria Politike 1912-1939,(Tiranë: Toena, 2009), 174.
5
Arben Puto, Shqipëria Politike 1912-1939,(Tiranë: Toena, 2009), 176
sigurisë franceze sepse pikërisht ishte njeri që me aktivitetin e tij prishi të gjitha skemat e
pista të rregullimit të territoreve të pa luftës.

Në vitin 1916-1917 , Greqia po përjetonte një dilemë të madhe politike për të hyrë apo jo në
Luftën e Parë Botërore përkarshi Antantës, vendet e të cilave tradicionalisht kishin
sponsorizuar nacionalizmin agresiv grek po të qëndronte neutral për të ndihmuar Fuqitë
Qendrore pasi ishte e lidhur kulturialisht dhe politikisht nëpërmjet origjinë së Dinastisë së vet
mbretërore. Në krye të fraksionit pro Antantës qëndronte politikani i rafinuar grek Venizellos,
ndjekësit të Megali Idesë dhe hartuesi i politikës së jashme greke të tre deteve dhe dy
kontinenteve, ku krahina e Vorio-Eprit(Epirit të veriut) zinte një vend qendror në mëtimet
territoriale greke ndaj Shqipërisë. Për ti shpëtuar presionit politik të ruajalistëve grekë ai ishte
shpërngulur në Selanik ku ishte vendosur dhe Armata Franceze e Lindjes. Republika e
Korçës dhe aktet administrative të ngritjes së flamurit shqiptar, hapjes së shkollave shqip dhe
pjesëmarrjes së shqiptarëve të dy besimeve fetare në administratën franceze-shqiptare ishin
veprime politike që kishin shbërë gjithë politikën ekspansioniste greke të më së 30 vjetëve në
rajon. Venizellosi dhe përkrahësit e tij ishin kundërshtarë të rreptë të asaj se çkish ndodhur në
Korçë dhe stautusit që kishin fituar opatriotët shqiptarë në krahinë. Në Selanik ishte
vendosour dhe Esat Pashë Toptani sëbashku me 500 trupa të tij shqiptare që mëtonte se
përfaqësonte Shqipërinë dhe ishte rreshtuar përkrah Antantës. Edhe ai ishte një kundërshtar i
rreptë i çdo përpekje që delegjitimizonte aksionte e tij politike. Dokumentet e shqyrtuara dhe
të njohura deri më tash historike nuk na lejonë të flasim me siguri me për përfshirjen e këtyre
dy personazheve në pushkatimin e Themistokli Gërmenjit, por një analizë shkak pasojë na
bën të mundur që të sugjerojmë se edhe Venizellosi si dhe Pashai Tiranas mund të jetë
përfshirë në intrigën politike kundër Themistokli Gërmenjit.

Esat Pasha gjendej vetëm, pa përkrahje nga pothuajse e gjithë klasa dhe elita politike
shqiptare dhe kërkonte me ngulm një territor shqiptar ku mund të hynte sërish me luftëtarët
e vet dhe prej andej të shpallte qeverinë e vet. Pjesa veriore dhe qendrore e Shqipërisë ishte
nën administrimin austriak pas dërrmimit të Serbisë dhe zona jugore shqiptare ishte nën
Italinë. Me të dy këto fuqi ai tashmë nuk kishte më marrëdhenie të mira për ta lejuar që të
rikthehej në Shqipëri dhe i vetmi territor ku ai mund të kthehej ishte terriori i Korçës dhe
rrethinave të saj ku ishin trupat franceze. Esat pasha ishte në marrrëdhenie shumë të mira me
gjeneralin francez Sarrej dhe aksioni i tij politik përkonte shumë mirë me synimet politike
franceze në rajon. Reduktimi i statusit të Krahinës Autonome të Korçës menjëherë pas vrasjes
së Themistokli Gërmenjit dhe hyrjes së Greqisë në Luftën e Parë Botërore përkrah Antantës
dëshmon se interesat greke dhe franceze përputheshin në rajon.

Sigurisht që fjala e fundit i mbetet shqyrtimit të dosjes së plotë hetimore, të dëshmitarëve për
fat të keq shqiptarë në gjyqin me dyer të mbyllura ndaj Themistokli Gërmenjit që duhet të
shqyrtohet dhe shikohet nga historianët dhe penalistët. Por një gjë është e sigurtë se
Themistokli Gërmenji nuk u pushkatua sepse tradhëtoi për interes të një fuqie tjetër të huaj
idealet e mëdha të Republikës Franceze, Liri-Barazi-Vëllazëri por sepse me patriotizmin tij
për Shqipërinë dhe aksionin politik të krijimit të Republikës së Korçës prishi planet politike
të Greqisë dhe tutorëve të vet politikë në rajon. 102 vjet pas vrasjes së tij, çështja e
Themistokli Gërmenjit duhet sqaruar plotësisht para opinionit publik shqiptar në mënyrë të
tillë që organizatorët të mos i shpëtojnë gjyqit të historisë.

Bibliografi:

1- Arben Puto, Shqipëria Politike 1912-1939, Toena, Tiranë:2009.


2- Ferdinant Salleo, Shqipëria:gjashtë muaj mbretëri. Tiranë:Shtëpia e Librit dhe
Komunikimit:2000.
3- Histori e Popullit Shqiptar Vëllimi II, Tiranë: Toena 2002.
4- Valentina Duka, Qytetet e Shqipërisë në vitet 1912-1924, Toena, Tiranë: 1997

You might also like