You are on page 1of 13

Kuvendi i Lezhës i vitit 1444 dhe Shteti i Përqendruar shqiptar nën drejtimin

e Gj.K. Skënderbeut

 Lufta e madhe e popullit shqiptar kundër pushtuesve osmanë nën udhëheqjen e


Skënderbeut gjatë shek.XV shpejtoi zhvillimin e një procesi të ligjshëm dhe shumë të
rëndësishëm sikurse ishte bashkimi i vendit në një shtet të vetëm e të përqendruar. Për
zgjidhjen e detyrës historike të bashkimit të popullit shqiptar, Skënderbeu organizoi
mbledhjen e një kuvendi të përgjithshëm kombëtar, i cili ka hyrë në histori me emrin
Kuvendi i Lezhës.

 Kuvendi u mblodh më 2 mars 1444 në qytetin e Lezhës, që ishte nën sundimin e


Venedikut. Ai mblidhej mbi bazën e traditave të hershme shqiptare për t’i trajtuar
problemet e rëndësishme në kuvende të përbashkëta. Në kuvend morën pjesë feudalët më
të fuqishëm të vendit që përfaqësonin principatat e tyre, si Aranitët, Dukagjinët,
Muzakajt, Topiajt etj., feudalë të vegjël, si dhe krerë që përfaqësonin fshatarësinë e lirë të
malësive të Shqipërisë.

 Pas diskutimesh të shumta Kuvendi i Lezhës mori disa vendime të rëndësishme, të


cilat përcaktuan natyrën juridike të këtij organi. Në këto vendime u konkretizua ideja e
bashkimit të gjithë forcave ekonomike, politike dhe ushtarake të vendit në një front të
përbashkët kundër pushtimit osman.

Vendimi më i rëndësishëm ishte që të krijohej një besëlidhje ndërmjet feudalëve


shqiptarë që u quajt “Lidhja e princave shqiptarë” ose “Lidhja e Lezhës”. Skënderbeu u
zgjodh njëzëri kryetar i saj. Pjesëmarrja në Lidhje sillte për çdo feudal të drejtën e
mbrojtjes nga pushtimi i huaj, si dhe detyrimin për të kontribuar për krijimin e ushtrisë
së përbashkët dhe të mjeteve financiare përkatëse.
Kuvendi i Lezhës vendosi që të krijohej një ushtri shqiptare, e cila do të rekrutohej nga
Skënderbeu në Principatën e Kastriotëve, si dhe nga feudalët e tjerë në zotërimet e tyre të
veçanta. Secili anëtar i Lidhjes përcaktoi vullnetarisht numrin e ushtarëve, me të cilët do
të kontribuonte për krijimin e ushtrisë së përbashkët. Gj.K.Skënderbeu u zgjodh
komandant i përgjithshëm i ushtrisë së Lidhjes, kurse komandantët e reparteve të veçanta
do të emëroheshin nga vetë bujarët.

Për të përballuar shpenzimet e luftës Kuvendi i Lezhës vendosi krijimin e një fondi të
posaçëm në të holla që do të sigurohej pjesërisht me kontributin e feudalëve shqiptarë
dhe pjesërisht nga të ardhurat e kriporeve të Shën Kollit në veri të Durrësit që u përkisnin
Kastriotëve. Mjetet financiare, si dhe ushtria do të administroheshin nga Skënderbeu. Në
këtë mënyrë ai u jepte kontributin kryesor midis bujarëve të tjerë në ushtarë dhe në të
holla dhe merrte përgjegjësinë kryesore për zhvillimin e luftës çlirimtare.
 Lidhja e Princave Shqiptare ose Lidhja e Lezhës përbënte një aleancë politiko-
ushtarake (besëlidhje) midis bujarëve shqiptarë për mbrojtjen e zotërimeve të tyre
feudale me forca të përbashkëta. Brenda këtyre zotërimeve, bujarët shqiptarë ishin të
pavarur dhe mbajtës të pushtetit.

 Me gjithë rolin e udhëheqës e komandues të Skënderbeut në Lidhjen e Princave


Shqiptarë, pozita e tij juridike, të paktën në vitet e para të ekzistencës së saj, nuk ishte ajo
e një monarku, por e një të pari midis të barabartëve (primus inter pares). Të drejtat e tij
përmblidheshin vetëm në organizimin e mbrojtjes së vendit, pa cënuar privilegjet e
feudalëve të veçantë dhe pushtetin e tyre brenda zotërimeve të veta. Çdo anëtar i Lidhjes
ruante të drejtën e largimit prej saj, kur ta shihte të nevojshme dhe as Skënderbeu si
kryetar i Lidhjes, as vetë Lidhja nuk kishin të drejtë ta pengonin ose të merrnin masa
kundër tij.
Përveç kësaj, duke hyrë në Lidhje si organ i luftës së përbashkët kundër pushtimit turk,
bujarët feudalë ruajtën të drejtën të hynin në marrëdhënie ndërkombëtare me shtetet e
tjera në mënyrë të pavarur nga Lidhja dhe nga Skënderbeu. Në vitet e mëvonshme një
pjesë e mirë e princave shqiptarë përfunduan traktate ndërkombëtare me shtetet italiane.
Megjithatë, lufta e përbashkët kundër Turqisë dhe Venedikut, bëri që në ndonjë rast, të
dilte si subjekt i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe si palë në traktat Lidhja e Princave
Shqiptarë dhe jo ndonjë bujar i veçantë. Kështu pas vdekjes së Lekë Zaharisë, gjatë luftës
me Venedikun më 1448, Skënderbeu e kërkoi qytetin e Danjës në emër të Lidhjes, fitorja
u arrit me forca të përbashkëta të feudalëve shqiptarë, kurse Traktati i Paqes dt. 4 tetor
1448 u përfundua duke qenë palë, nga njëra anë, Lidhja e princave Shqiptarë e
përfaqësuar nga Skënderbeu dhe Nikollë Dukagjini, kurse nga ana tjetër Republika e
Venedikut. Në historinë e Lidhjes së Lezhës ky është rasti i parë dhe i vetëm, kur ajo
vepron me personalitet të plotë juridik në marrëdhëniet ndërkombëtare.

 Nga pikëpamja politike Kuvendi i Lezhës ishte organi i vetëm në shkallë


kombëtare brenda të cilit realizohej bashkimi i popullit shqiptar në luftë kundër pushtimit
turk. Kuvendi i Lezhës dhe vendimet e marra prej tij shprehnin interesat e gjithë popullit
që kërkonte një mbrojtje efektive kundër pushtimit të huaj.

Nga pikëpamja juridike Kuvendi i Lezhës ishte organ kushtetues që procedoi për krijimin
e organeve të tilla me rëndësi të përgjithshme si Lidhja e Princave Shqiptarë, komanda
unike e ushtrisë nën udhëheqjen e Skënderbeut dhe fondet e përbashkëta për përballimin
e luftës. Krijimi i organeve të përbashkëta për të gjithë vendin kishte rëndësi, sepse
shënonte hapin e parë drejt forcimit të pushtetit qendror dhe daljen nga kuadri i ngushtë i
copëtimit feudal.

Gjatë luftës së madhe shqiptaro-osmane, kur u realizua krijimi i shtetit të përqendruar


shqiptar, Lidhja e Princave Shqiptarë dhe organet e tjera që dolën nga Kuvendi i Lezhës,
pësuan ndryshime të rëndësishme, të cilat çuan në ndryshimin e natyrës së tyre juridike.
Krijimi i shtetit të përqëndruar shqiptar nën udhëheqjen e Skënderbeut

 Në vitet e para të luftës Lidhja e Princave Shqiptarë i dha një mbështetje të mirë
Skënderbeut për përballimin e pushtimit osman dhe të politikës armiqësore të Venedikut.
Mirëpo me kalimin e kohës, në vetë gjirin e Lidhjes filluan të vepronin forca që donin
shkëputje dhe që e dobësonin unitetin e saj.
Duke u mbështetur në privilegjet e tyre feudalët shqiptarë mbanin jashtë kuadrit të
ushtrisë së përbashkët trupa që vepronin nën urdhërat e tyre, përpiqeshin të forconin
pozitat e veta në kurriz të njeri-tjetrit shpesh nuk i përmbushnin detyrimet e veta për të
ndihmuar luftën e përbashkët me ushtarë e me të holla ose largoheshin nga Lidhja,
sikurse ishte rasti i Pjetër Spanit dhe Lekë Dushmanit më 1447 gjatë konfliktit me
Venedikun e më vonë largimi i Dukagjinëve.
Qëndrimi i lëkundshëm i feudalëve shqiptarë nxitej e shfrytëzohej edhe nga turqit e
venecianët, të cilët duke përçarë bujarët shqiptarë synonin të realizonin pushtimin e
Shqipërisë.

 Mirëpo lufta e madhe shqiptaro-turke ishte një luftë totale që kërkonte bashkimin e
të gjitha forcave materiale dhe njerëzore të vendit në një dorë të vetme nëpërmjet
forcimit të pushtetit qendror. Interesat e larta të mbrojtjes së vendit diktonin nevojën e
kapërcimit të copëtimit feudal dhe krijimin e shtetit të përqendruar shqiptar.

Për realizimin e këtij procesi me rëndësi historike Skënderbeu u mbështet në përkrahjen e


gjerë popullore si dhe në forcat e armatosura të përhershme që kishte në dispozicion si
komandant i përgjithshëm. Ushtria e krijuar për nevojat e mbrojtjes së vendit në zotërimet
e Kastriotëve dhe të bujarëve të tjerë ishte një mjet i fuqishëm kundër copëzimit feudal.
Jo vetëm ushtria e dalë kryesisht nga radhët e popullit por edhe një pjesë e feudalëve
shqiptarë, të mëdhenj e të vegjël, ishin të lidhur me pushtetin e Skënderbeut. Me
përjashtim të Dukagjinëve në Veri dhe të Aranitëve në Jug. Feudalët e tjerë i kishin
rifituar zotërimet dhe i gëzonin ato vetëm në sajë të fitoreve të ushtrisë shqiptare nën
udhëheqjen e Skënderbeut. Për të lidhur më tepër bujarët feudalë me luftën çlirimtare të
popullit shqiptar, Skënderbeu ndoqi politikën e shpërndarjes së pronave tokësore në dobi
të bujarëve feudalë, me kusht që të merrnin pjesë personalisht në luftë, së bashku me një
numër të caktuar ushtarësh.
Për hir të interesave të larta të mbrojtjes së vendit Skënderbeu, si përfaqësues i pushtetit
qendror, filloi të shkelte zoterimet e bujarëve të veçantë. Ai vendosi garnizone ushtarake
që vareshin drejtpërdrejtë prej tij në kështjellat e tyre dhe shkelte kufijtë e zotërimeve të
tyre gjatë veprimeve luftarake. Nevoja për të plotësuar radhët e ushtrisë së përbashkët
me luftëtarë të rinj e detyronte të mobilizonte ushtarë me inisiativën e vet edhe në
zotërimet e feudalëve të rjerë.
Këto veprime ishin, pa dyshim, jo vetëm shkelje e sovranitetit të bujarëve aleatë, por
edhe ushtrim i pushtetit në territore që nuk i përkisnin Principatës së Kastriotëve. Në këtë
mënyrë pushteti i feudalëve të veçantë filloi gradualisht të mënjanohej e të dobësohej,
ndërsa forcohej pushteti qendror i përfaqësuar nga Skënderbeu. Zotërimet e tyre filluan të
shkriheshin me Principatën e Kastriotëve.

 Përballë politikës centralizuese të Skënderbeut një pjesë e feudalëve shqiptarë


dolën nga Lidhja e Lezhës dhe filluan të kërkonin mbështetje te fuqitë e huaja si
Mbretëria e Napolit dhe Republika e Venedikut, ose kaluan në tradhti të hapur si Hamza
Kastrioti, Moisi Golemi, Gjergj Stres Balsha, etj. I mbështetur në përkrahjen e popullit
dhe të ushtrisë së përhershme që kishte në dispozicion, Skënderbeu mori masa kundër
tradhtisë dhe i burgosi fajtorët pa kursyer në këtë rast edhe të afërmit e tij. Masat që mori
Skënderbeu i shërbenin drejtpërdrejt forcimit të unitetit dhe të aftësisë mbrojtëse të
vendit, bashkimit të tokave shqiptare në një shtet të vetëm dhe të përqendruar.
Me këto masa principatat e dikurshme feudale e humbën karakterin e tyre si formacione
shtetërore më vete, duke u shtrirë e njësuar me shtetin e përqendruar shqiptar. Kufijtë e
tyre të dikurshëm nuk ekzistonin më. Në vend të tyre shteti i bashkuar shqiptar shtrihej
nga brigjet e Adriatikut deri në Prizren dhe nga lumi Devoll e Seman në Jug, duke
përfshirë zotërimet e Aranitëve në Jug deri në Dibër e Pollog.

 Nga pikëpamja territoriale bashkimi shtetëror i Shqipërisë nuk u arrit plotësisht.


Me gjithë përpjekjet e Skënderbeut dy nga zotërimet feudale më të fuqishme të vendit, ai
i Dukagjinëve në Veri dhe i Gjergj Aranitit në Jug qëndruan si principata më vete. Vetëm
me vdekjen e Gjergj Arianitit nga fillimi i viteve ’60, Skënderbeu mundi ta bashkonte
këtë principatë të fuqishme me shtetin e tij të përqendruar. Ndërkaq Dukagjinët në veri
ruajtën deri në fund pozitën e tyre si zotër të pavarur. Megjithatë sheti i Skënderbeut ishte
i përqendruar për shkak të organizimit të brendshëm të tij, sepse u kalua nga qeverisja
me vasalë, që ishte një formë e vjetëruar, tipike për periudhën e copëtimit feudal, në
qeverisjen e vendit me funksionarë që vepronin në emër dhe për llogari të pushtetit
qendror.

 Shteti shqiptar i themeluar dhe i udhëhequr për rreth një çerek shekulli nga
Gj.K.Skënderbeu (1443-1468) e vazhdoi ekzistencën e tij edhe pas vdekjes së Heroit
Kombëtar, deri në v.1478, kur ra Kruja, kryeqyteti i tij dhe kështjella kryesore e mbrojtjes
së vendit.
Krijimi i shtetit të përqendruar shqiptar nën udhëheqjen e Skënderbeut ishte një fitore
e madhe historike e popullit shqiptar dhe përfundimi i atij procesi të ligjshëm për
krijimin e formacioneve shtetërore të pavarura në mesjetë.

Bashkimi i popullit shqiptar në një shtet të vetëm e të përqendruar nën udhëheqjen e


Gj.K.Skënderbeut “ndihmoi në farkëtimin e unitetit politik të popullit tonë në luftë
kundër pushtuesve osmanë, si dhe në konsolidimin e kombësisë shqiptare mbi bazën e
gjuhës, territorit dhe të unitetit psiqik- kulturor” (Prof. A.Buda).
Organizimi në shtetin e Skënderbeut

Shteti i Skënderbeut përbën një fazë të re në organizimin politik të Shqipërisë në mesjetë.


Detyrat e shumta që duhej të përballonte gjatë luftës antiosmane, si në plan të brendshëm,
ashtu edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare, diktonin nevojën e krijimit të organeve
shtetërore të përshtatshme.
Shteti i Skënderbeut ishte organizur në formën e monarkisë feudale. Ndërmjet organeve
të larta të këtij shteti dallohen dy grupe: organet e larta të pushtetit shtetëror dhe ato të
administratës shtetërore.

I. Organet e larta të pushtetit shtetëror

1. Kryetari i shtetit (monarku). Pozita e Skënderbeut në aparatin shtetëror ishte ajo e një
monarku feudal, megjithëse ai asnjëherë nuk e ka përdorur këtë titull.
Titujt zyrtarë të Skënderbeut kanë ndryshuar vazhdimisht gjatë gjithë periudës 25-vjeçare
të sundimit të tij. Në fillim ai mbante një titull të thjeshtë feudal “zot” (lat. Dominus),
ashtu si shumica e krerëve feudalë të Shqipërisë. Më vonë quhet “Zot i qytetit të Krujës”,
kurse nga v.1456 “Zot i Shqipërisë” (Dominus Albaniae). Ndryshimi i titullit nga “Zot i
Krujës” në “Zot i Shqipërisë” është një provë tjetër që dëshmon për forcimin e pushtetit
qendror të përfaqësuar prej tij dhe vecanërisht me krijimin e shtetit të përqendruar
shqiptar.
Në mesjetë kurorëzimi i mbretërve dhe i perandorëve të Europës Perëndimore ishte një e
drejtë e Papës së Romës. Qëndresa heroike e popullit shqiptar kundër pushtuesve turq e
bëri Skënderbeun një figurë të shquar brenda vendit dhe në shkallë evropiane.
Në fillim të viteve gjashtëdhjetë po përgatitej një kryqëzatë kundër osmanëve, me
pjesëmarrjen e fuqive evropiane, nën drejtimin e Selisë së Shenjtë.
Papa i Romës i premtoi Skënderbeut se kur të vinte në Shqipëri në krye të kryqëzatës do
ta kurorëzonte Mbret të Shqipërisë, kurse këshilltarin e tij, kryepeshkopin e Durrësit Pal
Engjëlli do ta bënte kardinal të kishës së shenjtë romake. Mirëpo Papa vdiq në Ankona të
Italisë dhe kryqëzata nuk u krye, po kështu nuk u bë as kurorëzimi i Skënderbeut si mbret
i Shqipërisë.
Pavarësisht nga mungesa e titullit zyrtar të mbretit, Skënderbeu i ushtronte të gjitha
funksionet e një monarku feudal, si brenda vendit, ashtu edhe në marrëdhëniet
ndërkombëtare.

2. Lidhja e Princave Shqiptare - Si para, ashtu edhe pas krijimit të shtetit të përqendruar
shqiptar, vepronte Kuvendi i Princave Shqiptare që mblidhej herë pas here nën kryesinë
e Skënderbeut. Kuvendi ishte një organ që realizonte bashkimin e popullit shqiptar dhe të
klasës feudale në tërësi. Ai u krijua menjëherë pas kthimit të Skënderbeut në Shqipëri
(Kuvendi i Lezhës) dhe e vazhdoi veprimtarinë deri në fund të jetës së tij. Kuvendi i
Princave ishte një organ pushteti që mblidhej herë pas here për të përcaktuar masat më të
rëndësishme me karakter politik, ushtarak dhe ekonomik për mbrojtjen e vendit nga
pushtimi osman.
3. Këshilli i Lartë – Pranë Skënderbeut vepronte si në kohë paqeje, ashtu edhe në kohë
lufte, një këshill me cilësinë e organit të lartë të pushtetit që quhej Këshilli i Lartë. Në
përbërjen e tij hynin një numër i vogël bujarësh, besnikë të Skënderbeut, të cilët mbanin
detyra me rëndësi. Midis tyre përmenden figura të njohura si Vrana Konti, Tanush Topia,
Moisi Golemi, Pal Engjëlli, etj. Këshilli i Lartë ishte një organ i përhershëm këshillimor
pranë Skënderbeut që mblidhej herë pas here për të shqyrtuar probleme tepër të
rëndësishme të politikës së brendshme dhe të jashtme dhe kishte përbërje mikse (laikë
dhe fetarë).

II. Organet e larta të administratës shtetërore

1. Këshilli i Luftës. Komanda e lartë e ushtrisë shqiptare ishte në duart e Skënderbeut, por
për kryerjen e kësaj detyre ai ndihmohej nga një organ këshillimor që quhej Këshilli i
Luftës. Në këtë organ bënin pjesë disa nga oficerët më besnikë dhe më të aftë nga radhët
e aristokracisë feudale. Disa prej tyre bënin pjesë njëkohësisht në Këshillin e Lartë dhe në
Këshillin e Luftës, por këto dy organe dalloheshin nga njëri-tjetri si nga përbërja, ashtu
dhe nga funksionimi i tyre.
Në Këshillin e Lartë merrnin pjesë feudalë laikë dhe klerikë, kurse në Këshillin e Luftës
bënin pjesë vetëm ata që komandonin reparte të mëdha të ushtrisë shqiptare, si gardën
pretoriane, kalorësinë dhe shërbime të specializuara si: furnizimi, artileria, zbulimi etj.
Përveç kësaj, Këshilli i Lartë ishte organ pushteti, në kuadrin e shtetit të përqendruar të
Skënderbeut, kurse Këshilli i Luftës ishte organ i operacioneve ushtarake, ku merrnin
pjesë përveç oficerëve madhorë të Skënderbeut, edhe komandantët e reparteve të
dërguara nga bujarët aleatë.

2.Organet e financave – Luftrat e vazhdueshme për mbrojtjen e vendit kërkonin


shpenzime të shumta për ushtrinë. Pjesa më e rëndësishme e të ardhurave dilte nga
zotërimet e Skënderbeut, nëpërmjet rentës feudale dhe detyrimeve të tjera të popullsisë,
nga kriporet, doganat, etj. Pjesa tjetër vinte nga kontributi i bujarëve aleatë mbi bazën e
vendimeve të Kuvendit të Lezhës. Për administrimin e të ardhurave dhe të shpenzimeve
të shtetit shqiptar funksiononte një aparat ekonomiko-financiar. Në përbërjen e tij ishte
edhe mbajtësi i thesarit.

3. Organet e punëve të jashtme – Për zhvillimin e marrëdhënieve ndërkombëtare


shërbenin njerëz të posaçëm, të kulturuar, që dinin gjuhë të huaja dhe kishin përgatitje
juridike. Nga burimet historike njihen emrat e disa diplomatëve të Skënderbeut si p.sh.
Andrea, peshkop i Shqipërisë dhe Gjergj Pelini, që morën pjesë në bisedimet për
Traktatin e Paqes midis Lidhjes së Princave Shqiptarë dhe Republikës së Venedikut
(1448); peshkopi i Krujës, Stefan dhe Nikolla Berguci, të cilët përfunduan në emër të
Skënderbeut Traktatin e Gaetes me Alfonsin e Napolit (1451); Gjon dhe Pal Gazuli, të
cilët janë dërguar shpesh nga Skënderbeu në Venedik dhe Raguzë si diplomatë të tij.
Për realizimin e lidhjeve ndërkombëtare, Skënderbeu me cilësinë e kryetarit të shtetit,
dërgonte në vende të tjera ambasadorë, të cilët mund të ishin laikë ose klerikë. Ata
pajiseshin me letra kredenciale dhe konsideroheshin përfaqësues personalë të kryetarit të
shtetit. Me mbarimin e misionit ambasadorët ktheheshin, sepse në atë periudhë nuk
njiheshin përfaqësitë diplomatike të përhershme.

4. Kancelaria – Pranë Skënderbeut ekzistonte një zyrë kancelarie, ku shërbenin njerëz të


përgatitur, të cilët siguronin korrespondencën e gjerë të tij si brenda dhe jashtë shtetit,
përpilonin dokumentet diplomatike në gjuhë të huaj si p.sh.letër kredencialet për
ambasadorët e Skënderbeut, traktatet ndërkombëtare, aktet e përfaqësimit etj. Kancelarët
e Skënderbeut shërbenin njëkohësisht si përfaqësues të tij brenda dhe jashtë vendit. Një
varg dokumentash të dala nga kancelaria e Skënderbeut, të cilat kanë arritur deri në ditët
tona, dëshmojnë për nivelin e lartë të përgatitjes së personelit në shërbim të tij.

 Traktati i Paqës me Venedikun i vitit 1448

Republika e Venedikut ishte fqinji më i afërt i shtetit të Skënderbeut për shkak të


zotërimeve të saj në bregun shqiptar të Adriatikut, siç ishin qytetet e Durrësit, Lezhës,
Shkodrës, Drishtit, Ulqinit dhe Tivarit, të pushtuara prej saj qysh në fund të shek.XIV.
Duke qenë kështu Skënderbeu hyri në marrëdhënie me Venedikun qysh në ditët e para
pas kthimit të tij në Shqipëri (1443). Mirëpo qëndrimi i Venedikut ka qenë vazhdimisht
armiqësor, dinak dhe hipokrit ndaj krijimit dhe forcimit të shtetit shqiptar nën udhëheqjen
e Skënderbeut. Arsyet e një qëndrimi të tillë ndaj luftës së drejtë të popullit shqiptar
duhen kërkuar në synimet e Republikës së Venedikut për të ruajtur zotërimet e veta në
Shqipëri, të cilat rrezikoheshin nga forcimi i shtetit të përqendruar shqiptar.
Qëndrimi armiqësor i Venedikut ndaj feudalëve shqiptarë të bashkuar në Lidhjen e
Lezhës çoi në luftën e vitit 1447-1448, e cila filloi për shkak të pushtimit të qytetit të
Danjës dhe zotërimeve të tjera të Lekë Zaharisë nga Venediku pas vrasjes së tij nga Lekë
Dukagjini. Skënderbeu, që donte të shpëtonte Shqipërinë nga copëtimi, mblodhi Lidhjen
e Princave Shqiptare dhe vendosi t’i shpallte luftë Venedikut, si e vetmja rrugëdalje në
situatën e krijuar. Gjatë vitit 1448 Skënderbeu luftoi dhe fitoi njëkohësisht në dy fronte
kundër Venedikut dhe Perandorisë osmane. Midis tyre kishte një marrëveshje për ta
goditur Shqipërinë në të dy krahët.
Në përfundim të luftës, ndërmjet Lidhjes së Princave Shqiptare dhe Republikës së
Venedikut u lidh Traktati i Paqes më 4 tetor 1448. Traktati u përfundua në kampin e
fitimtarëve “në ushtrinë e të madhit Skënderbe pranë Lezhës”. Për palën shqiptare u
nënshkrua nga Skënderbeu dhe Nikollë Dukagjini. Për palën venedikase u nënshkrua nga
Andrea Venerio, ambasador i Venedikut në Shqipëri dhe Pal Loredani, kont dhe kapidan
i Shkodrës.

 Traktati i Paqes me Venedikun është dokumenti i parë dhe i vetëm që njohim,


ku Lidhja e Princave Shqiptare del si palë dhe si subjekt i pavarur në marrëdhëniet
ndërkombëtare. Traktatet e tjera janë lidhur nga Skënderbeu në emër të shtetit të
bashkuar shqiptar ose nga feudalë të veçantë, si sundimtarë të principatave të tyre. Dalja
e Lidhjes së Princave Shqiptarë si palë në traktat dhe subjekt në marrëdhëniet
ndërkombëtare ishte rezultat i përpjekjeve të saj të përbashkëta për mbrojtjen dhe çlirimin
e Shqipërisë, të cilat u vërtetuan edhe një herë në rastin e luftës me Venedikun.
Traktati konfirmon gjithashtu pozitën e veçantë të Skënderbeut në raport me bujarët e
tjerë si kryetar i Lidhjes dhe komandant i përgjithshëm i ushtrisë së saj. Kjo shfaqet në
vetë emërtimin e traktatit, i cili cilësohet si “Paqja me të madhërueshmin Skënderbe dhe
me zotërinjtë e tjerë të Shqipërisë”, ashtu dhe në disa privilegje me rëndësi që iu
akorduan posaçërisht Skënderbeut dhe Gjergj Arianitit.

Midis dispozitave të traktatit një vend kryesor zë Neni 1, i cili përcakton mbarimin e
gjendjes së luftës dhe vendosjen e paqes dhe të fqinjësisë së mirë midis Shqipërisë dhe
Venedikut. Kjo dispozitë duhej të qëndronte në themel të marrëdhënieve të ardhshme
ndërmjet dy shteteve, por nuk ndodhi ashtu. Si para ashtu dhe pas nënshkrimit të Traktatit
të Paqes, marrëdhëniet ndërmjet Skënderbeut dhe Republikës së Venedikut nuk u
normalizuan asnjëherë. Vetëm pas vitit 1463, kur zotërimet e Venedikut u kërcënuan
drejtpërdrejtë nga turqit, u arrit një marrëveshje ndërmjet Skënderbeut dhe Venedikut për
të luftuar së bashku kundër Turqisë.
Në bazë të Traktatit të Paqes qyteti i Danjës dhe të gjitha fshatrat matanë Drinit i
mbeteshin Republikës së Venedikut, por ajo detyrohej t’i paguante Skënderbeut dhe
trashëgimtarëve të tij meshkuj një pension vjetor prej 1400 dukatesh në vit.

Duke i dhënë fund gjendjes së luftës traktati parashikon faljen e ndërsjellë për çdo veprim
të kryer gjatë luftës. Efektet e kësaj dispozite shtriheshin jo vetëm mbi bujarët por edhe
mbi shtetasit e tyre, të cilët mund të ktheheshin në shtëpitë e veta pa asnjë rrezik.
Me rastin e përfundimit të paqes Venediku i akordoi Skënderbeut, feudalëve shqiptarë
dhe nënshtetsve të tyre të drejtën e strehimit në tokat e republikës, në rast se dëboheshin
nga turqit ose nga ndonjë armik tjetër. Strehimi politik për vete dhe për familjet e tyre
ishte një kujdes i vazhdueshëm i feudalëve shqiptarë në atë periudhë luftrash të
pandërprera. Ata përpiqeshin ta siguronin këtë të drejtë nëpërmjet traktateve, veçanërisht
me Venedikun, që i kishte zotërimet e veta brenda territorit të Shqipërisë dhe kishte
lehtësi për realizimin në praktikë. Këtë kërkesë e gjejmë të fiksuar edhe në marrëveshje
të tjera, para dhe pas traktatit të paqes me Venedikun të v.1448.

Lufta me Venedikun filloi për ta ruajtur Shqipërinë nga copëtimi. Skënderbeu e shpalli
këtë qëllim të saj që në fillim të veprimeve luftarake dhe shërbeu si një motiv i fuqishëm
për bashkimin e forcave ushtarako-politike të vendit në këtë luftë në dy fronte. Pas fitores
kundër venedikasve në afërsi të Shkodrës, Skënderbeu mund ta kishte çuar luftën deri në
fund dhe të çlironte nga sundimi i Venedikut jo vetëm Danjën, por edhe qytete të tjera të
Shqipërisë si Durrësin, etj. Mirëpo kishte dy arsye të forta që e detyruan të nënshkruante
traktatin e paqes dhe të lëshonte Danjën në duart e Venedikut.
Së pari, për Shqipërinë e vogël e me një unitet ende të pamjaftueshëm ishte tepër e
vështirë një luftë e njëkohshme në dy fronte kundër fuqive më të mëdha të kohës sikurse
ishin Turqia dhe Venediku. Ajo mund të çonte dhe në fakt shpuri në largimin e disa
feudalëve të lëkundur nga Lidhja siç ishin Spanët dhe Dushmanët; aty zuri fill edhe
armiqësia me Dukagjinët që vazhdoi për vite me radhë.
Së dyti, sikurse përmendet shprehimisht në traktat, Skënderbeu duhej të ndërpriste
veprimet luftarake dhe të nënshkruante paqen me Venedikun për të bashkuar forcat me
Janosh Huniadin, i cili kishte filluar një ekspeditë kundër turqve në Kosovë.

 Traktati i Gaetës ndërmjet Skënderbeut dhe Alfonsit të Napolit

Pas fitores së madhe të shqiptarëve nën drejtimin e Skënderbeut gjatë rrethimit të parë të
Krujës nga osmanet në v.1450 gjendja e vendit ishte e vështirë. Ekonomia ishte dëmtuar
rëndë nga lufta, ushtria kishte nevoja të shumta për armatime dhe furnizime, një pjesë e
feudalëve shqiptarë ishin mënjanuar nga lufta dhe nga përkrahja që i jepnin Skënderbeut
si kryetar i Lidhjes së Lezhës dhe komandant i përgjithshëm i ushtrisë së saj.
Këto rrethana e shtynë Skënderbeun të kërkonte ndihmën e Alfonsit, mbret i Napolit, i
Sicilisë dhe i Aragonës së Spanjës, i cili ishte i interesuar për dëbimin e turqve nga
Ballkani dhe dobësimin e ndikimit venedikas në zonën e Adriatikut, me qëllim që të
krijonte për vete një perandori të madhe në Detin Mesdhe që të shtrihej nga Spanja deri
në Kostandinopojë.

Marrëdhëniet ndërmjet Skënderbeut dhe Alfonsit të Napolit u përcaktuan në një traktat që


u nënshkrua në qytetin Gaeta të Italisë afër Napolit më 26 mars 1451. Ky ishte një traktat
aleance. Pala shqiptare përfaqësohej nga peshkopi i Krujës, Stefani dhe kleriku Nikolla
Berguci, ambasadorë të Skënderbeut. Alfonsi i Napolit përfaqësohej nga Arnaldo
Fonoleda, protonoter i tij. Ky ka hartuar edhe tekstin e traktatit, i cili ka arritur deri në
ditët tona nëpërmjet burimeve arkivale.

Traktati i Gaetës është përfunduar në emër të Skënderbeut, si sundimtar i principatës së


Kastriotëve dhe të bujarëve të tjerë farefis ose vasalë të tij. Për këtë arsye ai mban në
traktat titullin e thjeshtë “Zoti i qytetit të Krujës”. Pas Skënderbeut edhe bujarë të tjerë si
Gjergj Araniti, Gjin Muzaka, Pal Dukagjini, etj. lidhën traktate të veçanta me Alfonsin e
Napolit, duke hyrë në mënyrë të pavarur në marrëdhënie ndërkombëtare.
Lidhja e traktateve të veçanta me Alfonsin e Napolit dëshmon se bujarët shqiptarë e
ruanin me kujdes të veçantë pavarësinë e principatave të tyre dhe se Lidhja e Lezhës nuk
e kishte krijuar ende atë unitet të nevojshëm për të dalë kurdoherë si subjekt dhe si palë
më vete në marrëdhëniet ndërkombëtare, sikurse ishte rasti i Traktatit të Paqes me
Venedikun.

Në bazë të Traktatit të Gaetes, Alfonsi i Napolit merrte në mbrojtje Skënderbeun dhe


baronët e tjerë shqiptarë, farefis ose vasalë të tij dhe detyrohej të jepte ndihmë ushtarake
dhe financiare për vazhdimin e luftës kundër osmanëve. Alfonsi i Napolit merrte përsipër
jo vetëm mbrojtjen e Skënderbeut, por edhe çlirimin me forca të përbashkëta të tokave
shqiptare të pushtuara nga turqit, si qytete, kështjella, fshatra etj. Për tokat që do të
çliroheshin me forca të përbashkëta do të vendoste Alfonsi i Napolit: një pjesë do t’i
mbante për vete, kurse pjesën tjetër do t’ia jepte Skënderbeut dhe bujarëve të tij.

Si shpërblim për këtë ndihmë Alfonsi i Napolit kërkonte, së pari: dorëzimin simbolik të
qytetit të Krujës, pas dërgimit të ndihmës ushtarake dhe së dyti, njohjen e tij si kryezot,
kryerjen e ceremonialit (homazhit) sic ishte praktika mesjetare e kohës dhe pagimin e një
tributi të caktuar, pas çlirimit të tokave shqiptare të pushtuara nga turqit.

Traktati i Gaetes ndërmjet Skënderbeut dhe Alfonsit të Napolit ishte në thelb një traktat
aleance për të luftuar me forca të përbashkëta për mbrojtjen dhe çlirimin e Shqipërisë nga
turqit, por nga pikëpamja formalo-juridike ai ishte një traktat vasaliteti me kushte të
caktuara dhe të parashikuara shprehimisht. Ai u përfundua ndërmjet palëve mbi bazën e
koncepteve dhe praktikave të njohura të së drejtës ndërkombëtare të periudhës së
feudalizmit.

Ndërkaq në traktatin e Gaetës duhen vënë në dukje disa momente me rëndësi nga
pikëpamja politike dhe juridike, të cilat provojnë në mënyrë të qartë se Skënderbeu, edhe
pas nënshkrimit të tij, mbeti plotësisht i pavarur në politikën e brendshme dhe të jashtme
dhe se marrëdhëniet e vasalitetit nuk u krijuan asnjëherë midis tij dhe Alfonsit të Napolit.

Në bazë të traktatit të Gaetës, vasaliteti i pranuar në parim, ishte parashikuar të realizohej


gjatë dy etapave, në rast se do të vërtetohej kushti përkatës.

Etapa e parë ishte dorëzimi simbolik i qytetit dhe i kështjellës së Krujës, pasi të jepej
ndihma ushtarake dhe financiare nga Alfonsi i Napolit në dobi të Skënderbeut. Ndihma u
dha në ushtarë dhe armatime, por u asgjësua gjatë disfatës së Beratit. Skënderbeu nga ana
e tij bëri dorëzimin simbolik të kështjellës së Krujës duke pranuar atje një kompani me
100 ushtarë spanjollë.
Dorëzimi simbolik i qytetit dhe i kështjellës së Krujës nuk shënonte në vetvete krijimin e
marrëdhënieve të vasalitetit. Në bazë të traktatit ato do të krijoheshin vetëm në etapën e
dytë, kur të vërtetohej kushti tjetër me rëndësi themelore – çlirimi i plotë i Shqipërisë nga
turqit; atëherë do të bëhej prej Skërbeut ceremoniali përkatës i vasalitetit (betimi dhe
homazhi), si dhe do të fillonte pagimi i tributit.

Pra marrëdhënia e krijuar nga traktati ishte në thelb një veprim juridik me kusht. Krijimi i
raporteve të vasalitetit dhe njohja e Alfonsit si kryezot do të bëhej vetëm atëherë kur të
vërtetohej kushti përkatës - dëbimi i turqve nga Shqipëria.
Nga pikëpamja e formës, sipas normave dhe praktikës ndërkombëtare, krijimi i
raporeteve të vasalitetit ishte një veprim juridik ad solemnitatern, i cili kërkonte kryerjen
e disa ceremonive të caktuara si betimi dhe homazhet (nderimi), praktikë institucionale
që tashmë e kemi përmendur edhe në leksione të mëparshme.
Në të vërtetë, kushti i kërkuar në traktat – çlirimi i plotë i Shqipërisë nga turqit – nuk u
vërtetua, për pasojë nuk u bënë as veprimet formale të vasalitetit të kërkuara për këtë
qëllim. Pas disfatës në betejën e Beratit (1455), Alfonsi i Napolit praktikisht u tërhoq nga
Shqipëri. Pak më vonë (1458) ai vdiq dhe marrëdhënia juridike e krijuar ndërmjet
traktatit pushoi së ekzistuari me vdekjen e njërës nga palët.

Përfundimi i Traktatit të Gaetes ishte një hap i rëndësishëm taktik dhe politik i
Skënderbeut në fushën diplomtike për të siguruar aleatë në luftë kundër pushtimit turk
dhe qëndrimit armiqësor të Venedikut. Si para ashtu dhe pas këtij traktati ai mbeti
sundimtar i pavarur i shtetit shqiptar. Skënderbeu jo vetëm që nuk i pagoi asnjë tribut
Alfonsit të Napolit, por përfitoi deri diku nga ndihma e tij ushtarake, financiare dhe
politike, sado e pamjaftueshme që ishte ajo. Me rëndësi mbetet fakti se pas ushtimit të
Shqipërisë nga osmanët, Mbretëria e Napolit, sidomos krahina e Puljes, u bë strehë për
mijëra shqiptarë që u detyruan të braktisnin vendin dhe të emigronin jashtë vendit e që
sot pasardhës të tyre janë arbëreshët e Italisë.

E drejta dhe institutet e saj në shtetin e Skënderbeut

Burimet historike dëshmojnë për ekzitencën e një të drejte mjaft të zhvilluar në shtetin e
Skënderbeut, e cila njihte disa nga institucionet kryesore të së drejtës penale dhe civile.
Për krijimin e saj është përdorur rruga e sanksionimit të institucioneve kryesore të së
drejtës feudale romako-bizantine të periudhës së feudalizmit, e cila zbatohej në Shqipëri
edhe para Skënderbeut.
Përveç sanksionimit të së drejtës feudale romako-bizantine Skënderbeu ka nxjerrë edhe
akte normative të veçanta, të cilat përbëjnë një nga burimet kryesore të së drejtës që ka
vepruar në Shqipëri gjatë kësaj periudhe historike. Të tilla ishin p.sh.dekretet për
shpalljen e mobilizimit ushtarak që krijonin për shtetasit detyrimin për të marrë pjesë në
ushtrinë çlirimtare.
Një nga degët kryesore të së drejtës ishte e drejta penale që luante një rol me rëndësi
kundër elementëve armiq e tradhtarë. Ajo parashikonte disa lloj dënimesh në përputhje
me llojin e veprës penale. Dënime veçanërisht të rënda zbatoheshin për krimin e
spiunazhit dhe të tradhtisë. Spiunët dënoheshin me gjymtim (prerjen e duarve) ose me
vdekje. Krimi i tradhtisë dënohej me burgim ose me vdekje. Në këtë drejtim Skënderbeu
u tregua i palëkundur, pa kursyer edhe të afërmit e tij. Nipi i tij Hamza Kastrioti, pas
tradhtisë u kap rob dhe u dënua me burgim të përjetshëm. Po kështu u dënua edhe një
nip tjetër i tij, Gjergj Stres Balsha për dorëzimin me tradhti në duart e osmanëve të
kështjellës së Modricës.

E drejta penale në shtetin e Skënderbeut njihte institutin e faljes së dënimit. Këtë të drejtë
e kishte kryetari i shtetit. Skënderbeu e fali Moisi Golemin pas dorëzimit të tij dhe i ktheu
pasurinë e konfiskuar së bashku me postin komandues që kishte pasur në ushtri para
tradhtisë. Ky ishte një përjashtim për meritat e veçanta të M.Golemit dhe për pendimin e
tij të thellë. Nga pikëpamja e formës paraqet interes mënyra simbolike e dorëzimit të
M.Golemit. Pas shpartallimit të ushtrisë turke të komanduar prej tij. M.Golemi u dorëzua
te Skënderbeu në gjunjë, me një brez të lidhur në qafë, që donte të thoshte se njihte dhe
pranonte të drejtën e Skënderbeut për ta falur ose për ta dënuar me vdekje. Pas Moisiut,
Skënderbeu fali edhe Hamza Kastriotin, por këtij nuk i ktheu as pasurinë dhe as pozitën
shoqërore që kishte patur më parë.

Në fushën e së drejtës civile njiheshin dhe zbatoheshin disa institute me rëndësi të


përpunuara prej kohësh nga e drejta romako-bizantine, si përfaqësimi me ose pa prokurë,
kontratat e llojeve të ndryshme etj.
Nga burimet arkivore njihen disa akte përfaqësimi të Skënderbeut dhënë kancelarëve
(sekretarëve) të tij për kryerjen e veprimeve juridike jashtë shtetit. Nga pikëpamja e
formës ato dalloheshin në akte përfaqësimi me prokurë ose me shkresë të thjeshtë. Nga
një akt noterial dt.18 mars 1452, zbuluar në arkivin e Raguzës (Dubrovnikut) mësojmë se
Peshkopi i Shqipërisë, Andrea Suma shkon në Raguzë si përfaqësues i Skënderbeut për të
tërhequr në emër të tij një shumë të hollash që ishte depozituar atje. Peshkopi ishte paisur
nga Skënderbeu me një prokurë (akt përfaqësimi) që ishte hartuar te noteri në Shqipëri
dhe u regjistrua te noteri-kancelar i Raguzës. Nga ky dokument mund të nxjerrim
përfundimin se në Shqipëri, në kohën e Skënderbeut ekzistonte shërbimi noterial dhe
hartoheshin akte-noteriale vlefshmëria e të cilave njihej edhe jashtë vendit.

Një pjesë e rëndësishme e së drejtës civile në shtetin e Skënderbeut ishte ajo që


rregullonte marrëdhëniet kontraktore. Nga burimet arkivore njihen disa kontrata që kanë
lidhur përfaqësuesit e Skënderbeut me disa qytetarë të Raguzës. E tillë është p.sh. një
kontratë sipërmarrjeje për ndërtimin e kështjellës së Skënderbeut në kepin e Rodonit, e
përfunduar në Raguzë në 23 dhjetor 1463. Mbeturinat e kështjellës dhe një kishë e vogël
gjenden edhe sot. Për ndërtimin e tyre përfaqësuesit e Skënderbeut lidhën një kontratë me
tre muratorë nga Raguza, të cilët do të punonin kundrejt pagesës.

Për fat të keq kemi në dispozicion vetëm akte juridike si, kontrata, prokura etj. që kanë të
bëjnë me veprime, ku njëra nga palët është e huaj. Kjo vjen për shkak të mungesës
pothuajse të plotë të burimeve arkivore vendase të kësaj natyre që janë shkatërruar gjatë
pushtimit osman. Megjithatë, janë të gjitha arsyet për të menduar se veprime të tilla
juridike, që shqiptarët në kohën e Skënderbeut i kryenin me të huaj, i kryenin gjithashtu
edhe ndërmjet tyre.

Në Shqipërinë e kohës së Skënderbeut, ashtu si në gjithë Evropën mesjetare dhe feudale,


krahas së drejtës shtetërore vepronte edhe e drejta kishtare e ritit katolik dhe ortodoks.
Zbatimi i kësaj të drejte realizohej nga klerikët, të cilët ushtronin njëkohësisht kultin
fetar, si dhe funksione gjyqësore për disa çështje sic i kemi përmendur.
Mbas rënies së Kostandinopojës në duart e osmanëve më 1453, ndikimi i kishës lindore
bizantine u dobësua së tepërmi në Shqipëri, për pasojë u pakësua edhe sfera e veprimit të
normave juridike kishtare të ritit ortodoks. Gjatë gjithë periudhës së Skënderbeut kisha
katolike në Shqipëri, si dhe vetë pushteti qendror i përfaqësuar nga Skënderbeu mbajtën
marrëdhënie shumë të mira me Vatikanin. Papët e Romës që drejtuan Vatikanin njëri pas
tjetrit nga v.1443-1468e panë me simpati luftën heroike të popullit shqiptar, duke e
konsideruar si një mbrojtje të krishterimit dhe të qytetërimit evropian dhe i dhanë asaj
mbështetje shpirtërore, politike dhe deri diku ekonomike.

E drejta kishtare romake njihte nocionin e krimit kundër fronit papal. Subjekt i këtij krimi
ishin të gjithë besimtarët katolikë që kryenin vepra në kundërshtim me doktrinën e
krishterë. Si dënim kryesor ishte shpallja e fajtorit “i pabesë” dhe mallkimi i tij publik.
Në Shqipëri gjatë periudhës së Skënderbeut është dënuar në bazë të së drejtës kishtare
dy herë familja feudale e Dukagjinëve për bashkëpunim me turqit dhe qëndrim armiqësor
ndaj Skënderbeut. Pas kësaj Dukagjinët u pajtua me Skënderbeun, dhe patën meritën
historike se udhëhoqën qëndresën popullore edhe pas vdekjes së Heroit Kombëtar më
1468.

You might also like