You are on page 1of 5

Instituti Albanologjik

Pof.asoc.dr. Memli Sh. Krasniqi

Recesion për librin e Dr.Georgi N.Georgievit “Bulgaro-Albanski Politiqeski


Otnoshenija (1908-1915),[ Marrëdhëniet politike Bullgaro-Shqiptare (1908-
1915)], Sofia:Instituti Shkencor Maqedonas, 2019.

Shqiptarët dhe bullgarët, ndonëse jetojnë bashkërisht në Ballkan, dikur edhe në fqinjësi të
drejtëpërdrejtë, përsëri raportet ndërmjet tyre deri në vitet e 90 të shekullit të XX, rrallë
ishin objekt i ndonjë studimi më të thellë, ashtu siç ishin studimet mbi raportet shqiptaro-
serbo/malazeze (1830-1878) të studiuesit Sadulla Brestovcit e të Dr. Zekeria Canës, apo
raportet shqiptaro-malazeze (1881-1914) të Dr. Isa Bicaj, ose ato mbi raportet shqiptaro-
greke (1829-1881) të Dr. Shkelzen Raçës. Shkaqet e këtij interesimi të vogël të
studiuesve, përpos të tjerave ishin se me krijimin e shtetit të cunguar shqiptar, hapësira e
tyre etnike jo vetëm që u copëtua, por ata edhe u defaktorizuan, duke u lënë kështu “me
qëllim” në periferi të ngjarjeve në ballkan dhe në Evropë. Natyrisht, pozita e Shqipërisë
si shtet dhe shqiptarëve si tërësi, filloi të forcohet me daljen e Shqipërisë nga Pakti i
Varshavës më 1961 dhe përfundimisht më 1968, si dhe me procesin e afirmimit
kombëtar të shqiptarëve në ish RSFJ-në dhe vendosjen e themeleve institucionale të
Kosovës me kushtetutën e vitit 1974. Që nga kjo kohë interesimi për shqiptarët fillon të
rritet, me çka rrjedhimisht shtohen edhe botimet lidhur me marrëdhëniet e shqiptarëve
dhe bullgarëve. Kështu shkrimtari dhe albanologut shqiptar, Thoma Kacori dhe Bobi
Bobevi, më 1998 botuan studimin “Shqipëria e afërt dhe e panjohur”, studiuesi Bojan
Guzelev, botoi studimin “Shqiptarë në Ballkanin Lindor” , Rumjana Bozhilova, librin
“Bullgaria dhe çështja shqiptare në fillim të shekullit të XX: -Shqyrtim historik” , duke
vazhduar me botimet e albanologëve si dr Rusana Bejlerit dhe dr. Anton Panchev.
Ndërsa, libri i studiuesit bullgar, Dr. Georgi.N. Georgiev, Bulgaro-Albanski Politiqeski
Otnoshenija (1908-1915); Marrëdhëniet politike Bullgaro-Shqiptare (1908-1915),
mbushë këtë boshëllëk, edhe pse kjo vepër ende nuk është përkthyer në gjuhën shqipe,
gjë të cilën do ta bëjë Instituti Albanologjik, falë marrëveshjes me Institutin Shkencor
Maqedonas, ku dy palët obligohen të përkthejnë dhe të botojnë botimet në interesin e dy
palëve. Fillimisht autori i këtij studimi, Dr. Georgiev, sqaron se në periudhën historike
të përshkruar, bullgarët që shqiptarët i quanin “Arnautë”, i barazonin me turqit, ashtu siq i
konsideronin bullgarët e islamizuar, boshnjakët, arabët. Pra, të gjithë myslimanët
barazoheshin me një etni-turqit dhe njëkohësisht konsideroheshin përgjegjës për
“zullumin” e turqve ose myslimanëve ndaj të krishterëve. Tezë, të cilën ata pak
intelektualë shqiptarë e kundërshtonin, në mesin e tyre edhe Mid’hat Frashëri, i cili në
shumë shkrime do të polemizonte me ata, të cilët shqiptarët i konsideronin si “turq”,
vetëm ngase ata në masë ishin islamizuar. Po kështu, autori i librit, thekson se fjala
bullgare “ Arnautinjat”, përpos përkatësisë etnike, përcaktonte edhe temperamentin e
njeriut, si; ashpërsinë, egërsinë, etj. Rrjedhimisht edhe specialiteti i kuzhinës bullgare me
speca djegës quhet edhe sot “Arnautki”, ashtu si quhet edhe në Turqi “Arnavut Biberi”.

Periudha historike e trajtuar në këtë studim, përfshin dekadën e fundit të pranisë osmane
në Ballkan, pra vitet 1908-1912, e deri në vitet 1915, kur ende një pjesë e elitës osmane
shpresonte për një rikthim të pjesërishëm, sidomos në zonat shqiptare. Revolucioni
xhonturk i vitit 1908, ndonëse fillimisht solli një frymë lirie për kombet e shtypura të
Perandorisë Osmane, politika e saj e osmanizimit, sipas së cilës të gjithë shtetasit e
perandorisë ishin “osmalinj”, vetëm përshpejtoi procesin e shthurjes së saj nga Ballkani.
Autori i librit, Dr. Georgievi, me të drejtë thekson, se kjo politikë jo largëpamëse e elitës
xhonturke, vetëm se përshpejtoi krijimin e aleancës Ballkanike, duke i dhënë asaj edhe
atributet e një përplasjeje me karakter fetar, ndërmjet shteteve të krishtera ballkanike dhe
Kalifatit ose Perandorisë Myslimane-Osmane. Ndonëse, principata dhe shteti Bullgar,
kishin lejuar veprimtarinë kulturore dhe politike të shqiptarëve, Dr. Georgievi, me të
drejtë potencon se mundësia e bashkëpunimit shqiptaro-bullgar rreth çlirimit të
Maqedonisë dhe Shqipërisë, haste në më shumë pengesa se sa argumente pro një aleance
me shqiptarët. Rrjedhimit, ndonëse mbreti Bullgar, Ferdinandi ( biri i të cilit (Borisi)
fliste edhe gjuhën shqipe), parapëlqente opcionin, sipas së cilës ai do të ishte edhe mbret i
monarkisë shqiptare, ai përzgjodhi realitetin gjeopolitik të kohës, në të cilin Rusia shtynte
përpara zgjidhjen ushtarake të problemit osman në Ballkan. Si produkt i këtij presioni
ishte edhe krijimi i aleancës ballkanike dhe lëshimi pe i Bullgarisë karshi kërkesave greke
dhe serbe në zonën e njohur si Maqedoni, gjë që jo pak do t’i kushtonte Mbretërisë
Bullgare, e sidomos shqiptarëve. Në anën tjetër argumentet pro një bashkëpunimi me
shqiptarët, nuk peshonin shumë, pikësëpari për shkak të copëzimit kulturor dhe fetar të
shqiptarëve, të cilët në këtë periudhë historike, ishin në fazat e para të institucionalizimit
të vetëdijës kombëtare, proces të cilin e kishin përfunduar të gjitha shtetet-kombe të
Ballkanit. Një element tjetër frenues në bashkëpunimin e mundshëm shqiptaro-bullgar,
ashtu siq e thekson edhe autori i librit, padyshim ishte përkatësia islame e shumicës së
popullsisë shqiptare, të cilët te popullsia bullgare, si “arnautë” konsideroheshin pjesë e
aparatit represiv osman kundër popullsisë së krishterë të perandorisë. Dallime të tjera, po
kështu të thella, kishte edhe në programet politike të bullgarëve të përfaqësuar nga
Organizata e Brendshme Revolucionare Maqedonase dhe Edrenase (OBRME ose
“VMRO”) dhe Mbretërisë Bullgare, si dhe programit politik të shqiptarëve, i artikuluar
që në Lidhjen e Prizrenit. Kështu përpos dallimeve në qasjen rreth organizimit të
brendshëm të një “Vilajeti Shqiptar”, më së shumti pengesa paraqiste aspekti territorial i
këtij vilajeti potencial autonom. Bullgarët dhe Mbretëria Bullgare ishin kundër përfshirjes
në këtë njësi autonome ose në një shtet të ardhshëm Shqiptar të zonave të konsideruara si
Bullgare, siq ishin: Shkupi, Manastiri, Kosturi, Prilepi, Ohri, etj. Për më shumë, ky
projekt politik për një Shqipëri autonome që shtrrihej deri përgjatë lumit Vardar, kishte
edhe përkahjen Austro-hungareze, gjë që binte ndesh përpos me interesat serbe edhe me
pretendimet bullgare në Maqedoni.

Ndërsa, pika kulmore e kësaj krize, ishte Kryengritja e Përgjithshme Shqiptare” e vitit
1912 dhe hyrja e tyre në Shkup ose pushtimin e tij nga “arnautët”, siq e përceptonin elitat
politike dhe kulturore bullgare, përshpejtoi krijimin e aleancës ballkanike, fatale për
shqiptarët, por me pasoja traumatike edhe për shtetin bullgar. Gabimet e bëra nga shteti
bullgar u panë që në fillim të Luftës së Parë Ballkanike dhe ndryshuan qasjen drejtë një
qëndrimi pro shtetit të shpallur Shqiptar dhe vendosjes së një kufiri të përbashkët
bullgaro-shqiptar nga Mali i Sharrit e deri në Korçë, si një pykë ndërmjet Serbisë dh
Greqisë. Duhet thënë se pak a shumë, një rreshtim i tillë gjeostrategjik sot është bërë
realitet, me shtetet si: Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Duhet thënë, që në
fillimet e ekzistencës së shtetit Shqiptar, burrështetasit shqiptar janë përpjekur për
vendosjen e një bashkëpunimi më të thellë institucional. Kështu, autori i librit, Dr.
Georgievi, sjell të dhëna të reja, lidhur me dëshirën e shtetit shqiptar për të bashkëpunuar
me Bullgarinë kundër armiqve të përbashkët. Në një nga këto dokumente është edhe letra
e Ministrit të Punëve të Jashtme të Shtetit Shqiptar, Myfid bej Libohova (1913-1914),
dërguar përfaqësuesit bullgar në Vjenë, Ivan Salaboshevit, ku pos tjerash thuhej ”......si
bullgarët ashtu edhe shqiptarët janë të robëruar nga serbët dhe grekët. Kjo nxitë
Shqipërinë të jetë ngushtësisht e lidhur me Bullgarinë me shpresë që një ditë popujtë e
tyre të lirohen nga pushtuesit.” Autori, me të drejtë, gjithashtu thekson se për Mbretërinë
Serbe, bullgarët e Maqedonisë shërbenin si material gjenetik të “sllavëve të jugut” për
serbizimin e tyre, ashtu siq kishte ndodhur me bullgarët e sanxhakut të Nishit më 1878.
Ndërsa, shqiptarët, në Mbretërinë e zgjeruar serbe, duhej zvogëluar numerikisht ose
zhdukur fare. Kjo edhe arsyet e tjera kishin sjellur edhe përafrimin e ndërmjet
Perandorisë Osmane dhe Mbretërisë Bullgare, por pengesa ishte bërë kufijtë e shtetit të ri
shqiptar, gjë që kishte penguar aleancën e mundshme shqiptaro-bullgaro-osmane. Ndërsa,
pas shpërthimit të Luftës së Parë Botërore dhe negociatave të Bullgarisë me Gjermaninë,
si një nga kushtet e hyrjes së saj në anën e Fuqive të Boshtit, Sofja kishte bërë të qartë
dëshirën e saj që të njihej bashkimi personal ndërmjet Mbretërisë Bullgare dhe
Shqipërisë, në kufijtë e së cilës përfshihej edhe Kosova. Autori, në analizat e tij
përfundimtare, thekson krijimin e dy shteteve të reja ballkanike: Kosovës dhe
Maqedonisë së Veriut, në të cilën ende ekzistojnë kundërthëniet e brendshme etnike,
raporte këto, të cilat ndoshta mund të zgjidhen “në mënyrën evropiane”, thënë ndryshe
me integrimin e tyre në Bashkësinë Evropiane.

Ju faleminderit.

You might also like