You are on page 1of 1

INFORMACION PË NDRE MJEDËN

Motivet atdhetare e demokratike formojnë përmbajtjen edhe të krijimtarisë poetike të Ndre


Mjedës, një poet i lindur në Shkodër dhe i shkolluar për teologji në disa vende të Evropës kur u
kthye në atdhe, punoi si famulltar. Iu kushtua që herët lëvizjes atdhetare. Më 1901 së bashku me
të vëllanë themeloi shoqërinë “Agimi”, e cila krijoi një alfabet të shqipes dhe botoi disa tekste
me këtë alfabet. Për përgatitjen filologjike që kishte më 1902 mori pjesë në një kongres
orientalistësh që u mbajt në Hamburg, kurse në Kongresin e Manastirit më 1908 u zgjodh anëtar
i Komisionit për hartimin e alfabetit të njësuar të shqipes. Më 1916-1917 ishte anëtar i Komisisë
Letrare në Shkodër. Mori pjesë aktive në lëvizjen demokratike të viteve 1920-1924 dhe u zgjodh
edhe deputet. Pas rënies së kësaj lëvizjeje u tërhoq nga jeta politike dhe punoi si prift i thjeshtë
në Kukël. Vitet e fundit i mbylli si mësues i gjuhës shqipe në Shkodër.
Krijimtaria poetike e Ndre Mjedës nis herët, por pjesën më të madhe të poezisë së tij e botoi pas
shpalljes së Pavarësisë. Përmbledhja e parë që botoi në ato vite ishte “Juvenilia” (1917), ku
përfshihen vjersha të shkruara në fund të shek. XIX e në fillim të shek. XX.

Poema romantike “Vaji i bylbylit”, e shkruar më 1887 në frymën e Rilindjes, përshkohet nga
ideja patriotike dhe nga malli i të mërguarit për vendlindjen. Por krahas vjershave me tone
elegjiake Ndre Mjeda shkroi dhe poezi të mbrujtura me frymën luftarake të poezisë së fundit të
Rilindjes. Në poemën “Liria” (1910-1911) gjeti jehonë kryengritja e malësorëve të Veriut më
1911, lufta e tyre dhe aspirata për drejtësi shoqërore. Motivet shoqërore dhe fryma demokratike
erdhën duke u thelluar në krijimtarinë e Ndre Mjedës. Në poezinë “Mustafa Pasha në Babunë”
poeti ka shpotitur qëndrimin e lëkundshëm të asaj pjese të parisë feudale që iu shmang luftës
kundër pushtuesit osman. Ndre Mjeda është autor edhe i shumë krijimeve për fëmijë, të
mbrujtura me idetë e moralit të Rilindjes, me frymën e dashurisë për njeriun, për lirinë dhe për
natyrën.

You might also like