You are on page 1of 4

REPUBLIKA E SHQIPËRISË

MINISTRIA E ARSIMIT DHE E SHKENCËS


AGJENCIA KOMBËTARE E PROVIMEVE

PROVIMI I LIRIMIT
SESIONI I

E mërkurë, 13 qershor 2012 Ora 10.00

Lënda : Gjuhë shqipe

Udhëzime për nxënësin

Testi në total ka 25 pyetje.


Trembëdhjetë pyetje janë me qarkim.
Dymbëdhjetë pyetje janë me zhvillim.
Përgjigjet e të gjitha pyetjeve do të shkruhen në fletore.
Për pyetjet me alternativa do të shkruani në fletore numrin e pyetjes dhe shkronjën që i përgjigjet alternativës
së saktë.
Për pyetjet me shtjellim do të shkruani numrin e pyetjes dhe poshtë saj të gjithë përgjigjen që do të jepni.
Pikët për secilën pyetje janë dhënë përbri saj.
Koha për zhvillimin e kërkesave të testit është 2 orë e 30 minuta.

PJESA I
Lexoni pjesën e mëposhtme, pastaj përgjigjuni pyetjeve që vijojnë.
Ndotje
Në uturimën e pafundme të motorëve mbi rrugët e helmatisura, natyra mbijeton veç me mundim. Domosdo kopshti mbetet kopsht i
bukur, i mbjellë që prej një shekulli, dhe gjigantët që e popullojnë, tejlartësojnë ende, shumë përsipër nesh, floknajën e tyre të dendur
gjethore. Me gjithë naftën dhe vajin e makinave, prapë mbetet i mjaftueshëm jargavani që parfumos ajrin.
Mirëpo kopshti, që i bën zap duhmat e rrugës, nuk mund të bëjë asgjë për të mbrojtur qetësinë e natës. Mbrëmë, më hipi në kokë të
rrija e të dëgjoja sërish këngën e bilbilit. Nuk doja kurrsesi të vija gjumë në sy pa dëgjuar bilbilin. Por edhe pse ndenja deri vonë, lumi i
motorëve nuk rreshti në rrjedhën e vet. Në një çast ndërprerjeje, m’u duk sikur diktova në ajër dy notat e para luhatëse të bilbilit, të cilat i
mbuloi uturima e një kamioni. Mjeti vërtet u largua, po zogu heshti, ndoshta përgjithmonë. Fërfëllima e natës nuk ndihej. Ishte një heshtje
varri.
Shumë më pas, gjithnjë i zgjuar, u ngrita e u përkula mbi dritare, në humnerën kundërmuese. Një motor gjëmoi, jo nga ana e rrugës,
por poshtë yjeve. Këtë mbrëmje s’qenka e thënë që unë të dëgjoj bilbilin...
Është e pamundur t’i vihet në ndihmë natyrës së dhunuar ditë e natë në të gjitha rrugët, madje edhe në ato të qiellit, tokës së
përdhosur, të dënuar me mbiprodhim kimik, me barkun e çarë nga kërkuesit dhe aty ku mendohej se ishte e mbrojtur më së miri...
Tashmë, dihet që vetëm ne jemi në gjendje të vrasim natyrën. Nuk e kam fjalën këtu për shkatërrimin nga një luftë atomike. Askush
nuk mund ta mohojë që njeriu tashmë e zotëron këtë pushtet. Po edhe pse frika i pengon kombet të shpalosin forcat shkatërrimtare që
ato zotërojnë, unë i bëj vetes pyetjen: A do të rreshtin një ditë njerëzit duke vrarë natyrën, duke e asgjësuar pak e nga pak, javë për javë,
ditë për ditë, natë për natë? Tashmë, llojet shtazore janë në zhdukje e sipër. Kandrrat nuk arrijnë më të ushqejnë zogjtë. Peshqit e
helmatisur ngordhin në ujërat e ndotura. Edhe vetë deti...

1. Kur autori thotë gjigantët që e popullojnë (paragrafi I) nënkupton: 1 pikë


A) pemët e larta; B) shkurret në oborr;
C) njerëzit e rritur; D) krijesat magjike të përrallave.

© AKP 1 13 qershor 2012


2. Në cilën prej alternativave të mëposhtme gjuha e përdorur nga autori bëhet më emocionale dhe figurative? 1 pikë
A) Një motor gjëmoi, jo nga ana e rrugës, por poshtë yjeve.
B) Peshqit e helmatisur ngordhin në ujërat e ndotura.
C) Domosdo kopshti mbetet kopsht i bukur, i mbjellë që prej një shekulli.
D) Tokës së përdhosur, të dënuar me mbiprodhim kimik, me barkun e çarë nga kërkuesit.

3. Pas leximit të kësaj pjese, lexuesi arrin në përfundimin se: 1 pikë


A) autori dëshiron që të jetojë në një vend tjetër.
B) autori konstaton dëmin që njeriu i ka shkaktuar natyrës.
C) autorit vuan nga pagjumësia e shkaktuar nga zhurmat e qytetit.
D) autori po planifikon një veprimtari për t’i ardhur në ndihmë natyrës.
4. Në paragrafin e dytë, qëllimi i rikthimit prapa në kohë është bërë nga autori: 1 pikë
A) për të përshkruar oborrin në detaje. B) për të treguar sa shumë makina ka një qytet.
C) për të shpjeguar pamundësinë e gjetjes së qetësisë. D) për të përshkruar kënaqësinë që shkakton kënga e bilbilit.
5. Cila nga alternativat e mëposhtme shfaq më mirë qëndrimin e autorit në lidhje me marrëdhëniet e ndërsjella midis shoqërisë
dhe natyrës? 1 pikë
A) Me gjithë naftën dhe vajin e makinave, prapë mbetet i mjaftueshëm jargavani që parfumos ajrin.
B) Shumë më pas, gjithnjë i zgjuar, u ngrita e u përkula mbi dritare, në humnerën kundërmuese.
C) Mirëpo kopshti, që i bën zap duhmat e rrugës, nuk mund të bëjë asgjë për të mbrojtur qetësinë e natës.
D) A do të rreshtin një ditë njerëzit duke vrarë natyrën, duke e asgjësuar pak e nga pak, javë
për javë, ditë për ditë, natë për natë?
6. Sfondi i kësaj pjese krijon edhe gjendjen shpirtërore të autorit, e cila është: 1 pikë
A) optimiste në lidhje me të ardhmen. B) e dëshiruar për një strehë larg qytetërimit.
C) e shqetësuar për të ardhmen e natyrës. D) nervoze nga aroma e pakëndshme e naftës dhe e vajit.
7. Si do të ndryshonte kjo pjesë nëse do të shkruhej nga këndvështrimi i një personi tjetër objektiv, në vetën e tretë? 1 pikë
A) Ajo do të kishte një përmbajtje më pak emocionale.
B) Ajo do të përmbante më pak detaje në lidhje me natyrën.
C) Ajo do të përfshinte më shumë informacion në lidhje me autorin.
D) Ajo do të fokusohej më shumë në të tashmen se në të shkuarën.
8.
a. I gjithë paragrafi i parë dhe i dytë ndërtohet mbi bazën e kontrasteve. Zbuloni një të tillë dhe shpjegoni përfytyrimin
që ju krijon. 2 pikë
b. Identifikoni, në fragmentin e dhënë, dy shembuj që autori përdor për të dëshmuar dëminqë njerëzimi i ka sjellë
natyrës. 2 pikë
c. Shpjegoni si lidhet titulli i kësaj pjese me përmbajtjen e saj. 1 pikë

PJESA II
Lexoni pjesën e mëposhtme, pastaj përgjigjuni pyetjeve që vijojnë.

Luani
Më në fund, kur vogëlushja u ndal, ndodheshim në një përrua të thatë, në anë të të cilit kishte ca gardhe të dendura e të rregullta, si
mure. Patricia mbajti vesh gjatë, pastaj përcaktoi drejtimin e erës dhe më tha me zë të ulët:
- Mos luaj nga vendi! Nuk duhet të dëgjohet as frymëmarrja, derisa të thërras unë. Ki kujdes! Është shumë e rrezikshme.
Isha i vetëm në mes të asaj heshtjeje të thellë në tokën e egër të Afrikës, pranë ekuatorit, ndërkohë që dielli tashmë ishte në zenit
dhe ajri dridhej i tëri nga nxehtësia.
Isha i vetëm dhe kisha humbur në labirintin e xhunglës, pa mundur që të gjeja ndonjë rrugë që të më lidhte me botën e njerëzve; isha
plotësisht në dorën e një vogëlusheje që sapo kishte humbur në shkurre.
Nuk ishte frika ajo që më shkaktonte në trup ato drithërima që sa vinin më shtoheshin. Ose, në ishte frikë, ishte ndryshe nga ajo e
zakonshmja. Unë dridhesha, sepse çdo sekondë që kalonte, më afronte me një takim të pabesueshëm për një qenie njerëzore.
Dridhesha sepse, nëse parandjenja nuk më gënjente...
Isha në ethe. Frika vërtet po më shtohej, por ai ishte çasti më i lumtur i jetës sime.
Një e qeshur e mrekullueshme fëmijërore tingëlloi si këmbanëz e artë në heshtjen e shkurrnajës. Por e qeshura që e pasoi, ishte
edhe më e mrekullueshme. Sepse ishte tamam e qeshur. Nuk gjeja fjalë apo shprehje për ta përshkruar atë hungërimë të fortë e
babaxhane, atë gëzim aq të çmendur.
Tani të dyja të qeshurat - këmbanëza dhe vrumbullima*- përziheshin me njëra-tjetrën. Kur pushuan, dëgjova Patrician të më thërriste.
© AKP 2 13 qershor 2012
Pas gardhit ndodhej një hapësirë e gjerë me barëra të kositura. Në cep të saj ngrihej një pemë jo shumë e lartë, me ca degë të
trasha që formonin një si çadër gjigante. Në hijen e saj, me kokën e kthyer nga unë, qëndronte shtrirë një luan. Ishte një luan i vërtetë, me
një forcë të llahtarshme dhe me një krifë të dendur, qimet e së cilës i përhapeshin mbi turirin e shtrirë përtokë.
Në mes të gjymtyrëve të përparme dallova Patrician, që zbavitej duke luajtur me kthetrat e tij. Shpinën e kishte mbështetur te
kraharori i bishës së madhe. Me njërën dorë rrëmonte në krifën e tmerrshme.
Pra, ai ishte Kingu i famshëm! Mbreti King!

Kjo ishte e vetmja gjë që munda të mendoja në atë çast. Kisha ngrirë i tëri.
Luani ngriti kokën dhe hungëriu. Më pa. Ndihesha i plogët dhe nuk guxoja të bëja asnjë hap përpara. Me njërën dorë Patricia i
tërhoqi fort krifën, ndërsa me tjetrën zuri t’i fërkonte bishës turirin te pjesa e syve. Ndërkohë i thoshte me zë të ëmbël:

- Qetësohu, King! S’ka asgjë te keqe! Na ka ardhur një mik i ri. Një mik, King! King! Një mik... Një mik!
Bishti kërcënues nuk u përplas më. Hungërima, pak nga pak, u shua.
- Bëj një hap përpara! – më tha me një zë të butë.
U binda. Luani nuk lëvizte, por nuk m’i ndante sytë. Bëra dhe një hap tjetër. Ndërkaq, po ta shtrija krahun, mund ta prekja luanin.
- Dorën, shpejt! – tha Patricia. Pastaj i përkëdheli ballin luanit te pjesa e syve dhe më urdhëroi:
- Fërkoja qafën!
Bëra siç më tha.
– Më shpejt, më fort! – më urdhëroi vajza.
Luani shtriu pak turirin për të më marrë erë, pastaj gogësiu dhe mbylli sytë. Patricia e uli dorën. Unë vazhdoja ta fërkoja me forcë
lëkurën e ashpër. Kingu nuk lëvizte.
- Në rregull, tani u bëtë miq! – tha Patricia. Tani ai ta njeh erën, lëkurën, zërin...gjithçka. Mund të ulemi e të bisedojmë.
Luani ktheu kokën nga unë. Më hetoi me vëmendje. Atëherë, ndërkohë që çast pas çasti frika po më largohej, i shtangur lexova në
vështrimin që luani i madh i Kilimanxharos kishte ngulur mbi mua, ca shprehje që i përkisnin species sime, si: kureshtja, padjallëzia,
dashamirësia, bujaria e të fuqishmit.
- Çdo gjë po shkon për bukuri, gjithçka është në rregull! – thoshte Patricia duke kënduar me zë të ulët.
Ndërkaq, nuk i drejtohej më Kingut; zëri që këndonte, ishte në harmoni me botën. Një botë që nuk njihte pengesa dhe që s’kishte
nevojë për ndërmjetës dhe që, me ndërmjetësinë e Patricias, po bëhej dhe e imja. Në zgrip të një lumturie ku ndjenja e sigurisë s’kishte
më vend, po zbuloja i lemerisur një keqkuptim që prej kohësh s’mbahej mend. Afërsia e vendosur mes luanit dhe njeriut tregonte se ata
nuk i përkisnin më dy mbretërive të veçanta, të ndaluara për njëra-tjetrën, po ashtu të vendosura pranë e pranë, ato ishin shkrirë në një të
vetme, të të gjitha krijesave.
I magjepsur dhe gjysmë i vetëdijshëm për ato që bëja, u përkula drejt turirit të mbretit dhe, siç bëri pak më parë Patricia, me
majën e thoit i cika lehtë trekëndëshin e gështenjtë që i ndante sytë e mëdhenj të artë. Një drithërimë e lehtë e përshkoi krifën e Kingut.
Buzët e varura e të trasha u drodhën. Goja u hap dhe i shkëlqyen dhëmbët e tmerrshëm.
- Pa shiko! Pa shiko! – tha Patricia. - Ai po ju buzëqesh!
*Vrumbullimë – ulërimë, gumëzhimë, buçimë
9. Në fjalinë: Ndihesha i plogët dhe nuk guxoja të bëja asnjë hap përpara, fjala i plogët ka kuptimin: 1 pikë
A) i trembur; B) i lemerisur;
C) i pasigurt; D) i ngathët.
10. Në këtë pjesë spikat një kontrast i fuqishëm. Cila nga çiftet e mëposhtme të fjalëve jep në mënyrë figurative thelbin e tij? 1 pikë
A) këmbanëza - vrumbullima; B) të dendura - të rregullta;
C) pemë e lartë – degë të trasha; D) tokë e egër – ajër i nxehtë.

11.
a. Për çfarë e paralajmëron vogëlushja autorin e historisë në fillim të kësaj pjese? Përse e bën ajo këtë? 2 pikë
b. Cili është raporti që Patricia ka me luanin? Identifikoni dy shembuj që ilustrojnë këtë raport. 3 pikë

12.
a. Pse autori mendon se takimi që mund të ndodhë është i pabesueshëm për një qenie njerëzore? 1 pikë
b. Cili është përfytyrimi që krijoni për Patrician? Përgjigjen tuaj mbështeteni me dy shembuj të marrë nga historia. 3 pikë
13.
a. Autori zbulon se ka një keqkuptim të madh midis mbretërisë së kafshëve dhe asaj të njeriut. Cili është ky keqkuptim dhe
çfarë e shtyn atë të mendojë ndryshe? 2 pikë
b. Formuloni me fjalët tuaja një ide që përcillet përmes kësaj historie. 1 pikë
c. A mendoni se një lidhje e tillë, mes njeriut dhe luanit, si në këtë histori, mund të ndodhë edhe në jetën reale apo e gjitha
kjo mbetet thjesht një histori që e ndeshim vetëm nëpër libra? Shpjegoni mendimin tuaj. 2 pikë

© AKP 3 13 qershor 2012


PJESA III
14. Fjala i pabesueshëm është: 1 pikë
A) e thjeshtë; B) e përbërë;
C) e përngjitur; D) e prejardhur.
15. Folja përhapeshin është: 1 pikë
A) në kohën e tashme të dëftores, forma joveprore;
B) në kohën e pakryer të dëftores, forma veprore;
C) në kohën e pakryer të dëftores, forma joveprore;
D) në kohën e tashme të dëftores, forma veprore.
16. Gjeni mbiemrin në fjalinë e mëposhtme dhe tregoni në ç’shkallë është ai. 2 pikë
Një e qeshur tingëlloi si këmbanëz në heshtjen e shkurrnajës, por e qeshura që e pasoi, ishte edhe më e mrekullueshme.
17. Në ç’gjini është emri i nënvizuar në fjalinë e mëposhtme? 1 pikë
Të gjeja një rrugë që të më lidhte me njerëzit.
18. Ç’pjesë ligjërate janë fjalët e nënvizuara në fjalinë e mëposhtme? 2 pikë
Të dyja të qeshurat përziheshin me njëra-tjetrën.
19. Gjeni kryefjalën në këtë fjali: 1 pikë
Në hijen e saj, me kokën e kthyer nga unë, qëndronte shtrirë një luan.
20. Në fjalitë e mëposhtme gjeni kallëzuesin që lidhet me kryefjalën ne dhe tregoni llojin e tij. 2 pikë
- Në rregull, tani u bëtë miq, - më tha Patricia. – Ne tani mund të bisedojmë si miq.
21. Gjeni një kundrinor në fjalinë e mëposhtme dhe tregoni llojin e tij. 2 pikë
Pastaj i përkëdheli ballin luanit te pjesa e syve.
22. Cili është funksioni i formës së pashtjelluar në fjalinë mëposhtme? 1 pikë

- Çdo gjë po shkon për bukuri, gjithçka është në rregull! – thoshte Patricia duke kënduar me zë të ulët.
23. Fjala e nënvizuar në fjalinë: “Unë ndihesha i plogët dhe nuk guxoja të bëja asnjë hap përpara” kryen funksionin e: 1 pikë

A) rrethanorit të mënyrës; B) përcaktorit;


C) përcaktorit kallëzuesor të kryefjalës; D) përcaktorit kallëzuesor të kundrinorit.

24. Qarkoni fjalinë e përbërë dhe tregoni llojin e saj. 2 pikë


A) Isha i vetëm, në mes të asaj heshtjeje të thellë në tokën e egër të Afrikës, pranë ekuatorit.
B) Ishte një luan i vërtetë, me një forcë të llahtarshme dhe me një krifë të dendur.
C) Luani shtriu pak turirin drejt meje për të më marrë erë.
D) Në cep të saj ngrihej një pemë jo shumë e lartë, me degë që formonin një si çadër gjigante.
25. Të shkruajmë
Librat, këngët dhe filmat kanë një kuptim shumë të madh për njerëzit. Shpesh ato shkaktojnë emocione kaq të fuqishme, sa ndihemi sikur
jemi një prej personazheve. Ndonjëherë librat, këngët dhe filmat na bëjnë të mendojmë rreth jetës në një mënyrë të ndryshme nga ç’kemi
menduar më parë.

Mendoni pak rreth këtyre që lexuat më sipër dhe shpjegoni se si një libër, një këngë apo një film mund të ketë ndikim në jetën tonë.
6 pikë
(Mund të shkruani edhe vetëm për njërën prej tyre.)

© AKP 4 13 qershor 2012

You might also like