Professional Documents
Culture Documents
Krijimi i shteteve moderne sovrane, solli nevojën e krijimit të një grumbulli rregullash
për rregullimin e marrëdhënieve midis tyre. Ky grup rregullash - i përbërë nga zakonet
dhe traktatet - është ajo që ne e quajmë e drejta ndërkombëtare.
Traktati është një instrument që shtetet përdorin kur dëshirojnë të punojnë së bashku dhe
të vendosin më shumë rregulla të detajuara midis tyre.Marrëveshje ndërkombëtare janë
nënshkruar për tregtinë dhe mbrojtjen e mjedisit, për problemet financiare dhe bujqësore,
si dhe në çdo fushë të veprimtarisë qeveritare ku ka vend për një bashkëpunim të
suksesshëm.
Marrëveshjet ndërkombëtare janë përdorur gjithashtu edhe për ngritjen e gjykatave për
zgjidhjen e kundërshtive midis shteteve, sipas ligjit ndërkombëtar. Kjo favorizon ruajtjen
e paqes, dhe kufizon përdorimin e forcës. Institucioni më i lartë gjyqësor në këtë drejtim,
është Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.
Një çështje mund t'i paraqitet Gjykatës vetëm me pëlqimin e shteteve të interesuara. Në
fjalë të tjera, asnjë shtet sovran nuk mund të bëhet palë në një proces përpara Gjykatës pa
dhënë, në një mënyrë apo një tjetër, pëlqimin e saj për këtë. Për shembull, në rastin e Arit
të Marrë nga Roma në vitin 1943, i cili i takonte Shqipërisë, Italia aplikoi në Gjykatë,
duke pretenduar shpërndarjen e arit si shpërblim i pjesshëm për dëmin e pësuar nga një
ligj shqiptar. Shqipëria nuk bëri aplikim në Gjykatë. Në vendimin e saj më 15 Janar 1954,
Gjykata vendosi se nuk mund të trajtohej mosmarrveshja midis Italisë dhe Shqipërisë,
përderisa Shqipëria nuk kishte dhënë pëlqimin e saj për këtë gjë. Në fakt, ky ar iu dha
Anglisë me Vendimin e Gjykatës së vitit 1949 mbi çështjen e Kanalit të Korfuzit, dhe i
është kthyer Shqipërisë kohët e fundit.
Sot, Gjykata është e hapur praktikisht për të gjitha shtetet e botës, duke përfshirë edhe
Shqipërinë. Në fakt, Shqipëria ishte një nga palët e çështjes së parë që duhet të trajtonte
kjo Gjykatë; (Mbretëria e Bashkuar v. Shqipëria). Në këtë çështje, disa anije britanike u
dëmtuan rëndë dhe anëtarë të ekuipazhit të saj u vranë nga një eksplozion minash, ndërsa
po kalonin nëpër një hapësirë të ujrave shqiptare të ç'minuara më parë. Mbretëria a
Bashkuar e akuzoi Shqipërinë se kishte kryer ose kishte lejuar një palë të tretë që të
shtronte mina pasi ishin kryer operacionet e pastrimit të tyre. Shqipëria, nga ana e saj, i
drejtoi një kundër-akuzë Mbretërisë së Bashkuar për dhunim të sovranitetit të Shqipërisë,
nëpërmjet dërgimit të anijeve luftarake në ujrat shqiptare dhe për kryerjen e operacioneve
të pastrimit të minave në ujrat shqiptare pas shpërthimit. Gjykata dha tre vendime për
këtë çështje dhe të gjitha ato ishin të detyrueshme për të dy vendet. Gjykata vendosi që
Shqipëria ishte përgjegjëse për shpërthimet, por nuk e pranoi tezën sipas së cilës
Shqipëria i kishte vendosur vetë minat. Nga ana tjetër u vendos se minat nuk mund të
vendoseshin pa dijeninë e qeverisë shqiptare. Gjykata vendosi që Mbretëria e Bashkuar
kishte ushtruar të drejtën e kalimit të pafajshëm në rrugët ujore ndërkombëtare, por nga
ana tjetër u gjykua se pastrimi i minave kishte dhunuar sovranitetin e Shqipërisë, sepse
ishte kryer në kundërshtim me vullnetin e qeverisë shqiptare. Gjykata vendosi që
Shqipëria të paguante një shihër prej 844.000 paund.
E gjitha kjo është, ose mund të duket se është shumë larg interesave të qytetarit të
zakonshëm, i zënë me preokupimet e tij të përditshme. E drejta ndërkombëtare - mund të
thotë dikush - mund të jetë e përdorshme në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve midis shteteve
sovrane dhe të imponojë zbatimin e ligjit në vende të mëdha e të vogla. Ajo mund të
mbrojë paqen dhe sigurinë, të nxisë bashkëpunimin dhe drejtësinë midis kombeve, por a
është ajo vërtet e lidhur direkt me një qytetar të zakonshëm?
E drejta ndërkombëtare, mund të ndihmojë shqiptarin apo francezin, gjermanin apo çdo
qytetar tjetër evropian, që t'i respektohen të drejtat e tij njerëzore. Shumë gjëra që ne
përfitojmë në jetën e përditshme, janë të bazuara në ato që ne i quajmë "të drejtat e
njeriut". Këto të drejta përfshijnë të drejtën për të jetuar të lirë, për të shprehur opinionet
dhe idetë, për t'u trajtuar ndershmërisht dhe me dinjitet nga të tjerët, dhe pa asnjë
diskriminim mbi baza të tilla si seksi, raca, feja, mendimi politik apo i ndonjë lloji tjetër.
Të drejtat e njeriut janë zakonisht një pjesë themelore e çdo kushtetute moderne, por ato
janë gjithashtu të garantuara nga një numër tekstesh ndërkombëtare, duke përfshirë
Konventën e Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive
Themelore, e nënshkruar më 1950. Shqipëria është pjesë e Konventës që nga 29 Korrik
1996. Me anë të këtij traktati, Shqipëria dhe 39 vende të tjera evropiane, janë angazhuar
të garantojnë respektimin e disa të drejtave themelore të njeriut për të gjithë qytetarët që
ndodhen nën juridiksionin e tyre.
Këto të drejta duhet të jenë, dhe sigurisht janë, të siguruara më mirë në nivel kombëtar.
Dispozitat e Përkohshme Kushtetuese shqiptare, dhe pa dyshim kushtetuta e ardhshme,
përmbajnë dhe do të përmbajnë kryesisht të njëjtat të drejta me ato të Konventës.
Kontrolli ndërkombëtar, i zbatuar nga institucionet e përcaktuara nga Konventa, është
dhe duhet të jetë vetëm dytësor. Megjithatë roli i tij është shumë i rëndësishëm.
Rëndësia e kësaj konvente nuk qëndron vetëm në numrin e të drejtave të përfshira në të,
por gjithashtu në mekanizmat mbrojtës të vendosura në Strasburg për të hetuar shkeljet e
kallëzuara dhe për të respektuar respektimin e detyrimeve që rrjedhin nga Konventa. Ajo
mbahet nën shqyrtim të vazhdueshëm në mënyrë që të përmirësohet mbrojtja që jep
Konventa si nëpërmjet zgjerimit të numrit të të drejtave të garantuara ashtu edhe
nëpërmjet përmirësimit të strukturave ekzistuese.
Qëllimi i Konventës është dhënia e një një garancie ndërkombëtare, në vijim të mbrojtjes
në shtete të veçanta. Për më tepër, çështjet gjyqësore të Komisionit Evropian dhe të
Gjykatës së të Drejtave të Njeriut, kanë zhvilluar më shumë dispozitat e Konventës dhe
kanë ushtruar një influencë gjithnjë e më të thellë mbi ligjet dhe realitetet shoqërore të
shteteve anëtare. Gjykatat kombëtare të shteteve anëtare të Konventës, kur vendosin mbi
një çështje të të drejtave të njeriut, i referohen tashmë gjithnjë e më tepër vendimeve të
Strasburgut, dhe zbatojnë standartet dhe parimet e vendosura atje. Gjithashtu, mund të
përmenden shumë raste të modifikimit të legjislacionit të shteteve dhe të praktikave
administrative përpara ratifikimit të Konventës nga ana e tyre, veçanërisht në rastin e
atyre shteteve që i janë bashkuar së fundmi Këshillit të Evropës.
Në vitin 1994, Këshilli i Evropës i kërkoi Shqipërisë dhe 10 vendeve të tjera në të cilat
ishte ende në fuqi dënimi me vdekje, ta anullonin atë. Si rrjedhim, Shqipëria ndërmorri
ruajtjen e një moratoria prej tri vjetësh para ekzekutimit.
Ankesat pranë Gjykatës Evropiane, mund të bëhen si nga shtetet ashtu edhe individët.
Ankesat e individëve përbëjnë pjesën më të madhe. Numërohen më tepër se 30.000 të
tilla që nga hyrja në fuqi e Konventës në vitin 1953. Gjykata Evropiane, ka dhënë më
tepër se 600 gjykime që nga krijimi i saj në vitin 1959.
Ankesat e individëve i përkasin një numri në rritje çështjesh, duke përfshirë përdorimin e
dënimit trupor, izolimin e pacientëve mendorë, ndalimin e endacakëve, të dyshuarve
terroristë dhe redicivistëve, të drejtat e të burgosurve, disiplinën ushtarake dhe
profesionale, mundësinë e hyrjes në gjykata, gjatësinë e procedurave ligjore dhe
ndershmërinë e gjykatave, rregjistrimin e telefonatave, ndalimin e divorcit, ligjet mbi
aktivitetin homoseksual dhe abortin, statusin e transeksualëve, lirinë e shtypit, radios dhe
televizionit, kujdestarinë dhe përkujdesjen e fëmijëve, statusin e fëmijëve jashtë ligjit,
veprimtaritë sindikaliste, emigracionin, deportimin dhe ekstradimin, të drejtat e
pronësisë, kompensimin për shtetëzimet.
Procedura
Që nga 1 Nëntori 1998, do të ketë një Gjykatë të vetme të përhershme, me një numër
gjykatësish të barabartë me atë të shteteve anëtare të Konventës. Gjykata do të ketë
juridiksion në të gjitha problemet që i përkasin interpretimit dhe zbatimit të Konventës.
Gjithashtu, Gjykata do të jetë e aftë të japë mendime këshilluese, kur një gjë e tillë i
kërkohet nga Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës.
Gjykata do të pranojë aplikime nga çdo person, organizatë joqeveritare ose grup
individësh që ankohen se janë viktimë e një shkelje të konventës, d.m.th. i të drejtave të
tyre njerëzore, nga njëri prej shteteve anëtare.
Aplikimi individual do të shqyrtohet nga një trup gjykues prej tri gjykatësish, i cili do të
ketë kompetencën, që me votë unanime, të deklarojë si të papranueshëm një aplikim.
Gjykata mund të marrë në shqyrtim një çështje vetëm pasi të jenë përdorur të gjitha
shkallët gjyqësore vendase, dhe brenda një periudhe gjashtë mujore nga data në të cilën
është marrë vendimi përfundimtar.
Gjykata nuk duhet të merret me aplikime anonime, aplikime që në thelb janë të njëjta me
një çështje të trajtuar më parë ose që janë të pabazuara. Rreth 90% e rasteve të
rregjistruara deri tani, janë hedhur poshtëë si të papranueshme. Megjithatë, është e
rëndësishme të theksohet se Gjykata është e hapur për këdo që dëshiron të paraqesë një
ankesë. Për paraqitjen e një aplikimi përpara Gjykatës nuk kërkohet asnjë lloj shpenzimi
apo përfaqësimi ligjor, megjithëse asistenca e një juristi është e këshillueshme. Në të
njëjtën kohë, është e mundshme që aplikantët të marrin një ndihmë të pjesëshme ligjore.
Nëse një aplikim nuk deklarohet i papranueshëm nga komiteti, çështja do t'i transferohet
Trupit Gjykues, të përbërë nga shtatë gjykatës, të cilët do të shqyrtojnë pranueshmërinë
dhe meritat e çështjes. Gjykatësi, i zgjedhur nga shteti kundër të cilit është paraqitur
çështja, do të jetë gjithmonë i pranishëm në Trupin Gjykues.
çdo aplikim i regjistruar, do t'i jepet një gjykatësi raportues (rapporteur) i cili do të
komunikojë me palët duke synuar arritjen e një zgjidhje miqësore. Procedura normalisht
do të jetë e shkruar dhe gojore. Nëse nuk arrihet një zgjidhje miqësore, atëherë Trupi
Gjykues do të marrë një vendim.
Pas tri muajsh, nëse nuk është është kërkuar referimi i çështjes në Trupin e Lartë Gjykues
të përbërë nga 17 gjykatës, vendimi merr formë të prerë. Referimi i çështjes në Trupin e
Lartë Gjykues do të lejohet vetëm në rrethana të jashtëzakonshme, kur çështja ngre
probleme serioze të një rëndësie të madhe. Gjykimi duhet të jetë i argumentuar dhe i
detyrueshëm për shtetin. Komiteti i Ministrave duhet të sigurojë zbatimin e vendimit të
Gjykatës nga ana e qeverive.
Konventa për të drejtat e njeriut është plotësuar nga Konventa Evropiane për
Parandalimin e Torturës dhe Trajtimit ose Dënimit Jonjerëzor dhe Degradues, anëtare e
së cilës është edhe Shqipëria. Në vazhdim, shumë marrëveshje dhe rekomandime të tjera
të arritura në fushën e të drejtave të njeriut, nga Ministrat e Jashtëm dhe Asamble
Parlamentare, të cilat mund të ketë një ndikim domethënës mbi politikat e shteteve
anëtare në këtë fushë.
Konventa nuk është diçka e fiksuar dhe përfundimtare, por diçka që ka evoluar në
mënyrë të vazhdueshme, qysh prej arritjes së saj në vitin 1950. Vetë të drejtat kanë
evoluar përgjatë historisë njerëzore. Ato evoluojnë ende, dhe janë një trashëgimi e çmuar
por e brishtë për të cilën kanë luftuar gra e burra të guximshëm. Varet gjithashtu nga ne,
të kujdesemi për to, në mënyrë që të ketë gjithnjë e më pak njerëz të cilëve u mohoen
këto të drejta.