You are on page 1of 8

Jo dhunës, neglizhimit, abuzimit, shfrytëzimit të fëmijëve.

SHQIPËRIA PËR FËMIJËT - NJË FTESË NGA MINISTRI KLOSI…………………1


A E DINI SE... FAKTE DHE SHIFRA………………………………………………2
DHUNA, LLOJET DHE PASOJAT……………………………………………….2,3
QËLLIMET…………………………………………………………………………4
OBJEKTIVAT……………………………………………………………………….4
MESAZHET………………………………………………………………………...5

SI MUND TË BËHESH PJESË E PLANIT TË MOBILIZIMIT?………………………6

Kjo broshurë u mundësua me mbështetjen dhe kontributin e organizatës


ndërkombëtare World Vision në Shqipëri dhe Kosovë.
SHQIPËRIA PËR FËMIJËT
I /e nderuar lexues/e,

Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë me mbështetjen e partnerëve, fillon në mars 2016 një plan
mobilizimi për mbrojtjen e fëmijëve nga çdo formë e dhunës. Për muaj me rradhë ne kemi punuar
me partnerët tanë lokalë dhe ndërkombëtarë për të hartuar disa politika që përmirësojnë situatën e
mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve. Këto politika do të sjellin ndryshime në ligjin “Për Mbrojtjen e të
Drejtave të Fëmijëve” dhe miratimin e Agjendës Kombëtare për të Drejtat e Fëmijëve 2016-2020.

Kur flitet për të drejtat e fëmijëve nuk mund të mos mendojmë fëmijë të gëzuar, të cilët kanë mundësi të
arsimohen, marrin kujdesin e duhur shëndetësor, kalojnë kohë duke u argëtuar, janë pjesë e një familje e
komuniteti që i vlerëson, i mbron dhe kujdeset për ta, dhe jetojnë në një shtet që i ka në vëmendje fëmijët
në nevojë dhe rrezik. Është bindja dhe detyra jonë se sigurimi i një mjedisi të lirë nga dhuna për fëmijët
është përparësia kryesore e çdo shoqërie që kërkon zhvillim dhe mirëqenie.

Qëllimisht e kemi quajtur këtë levizje një Plan Mobilizimi, dhe jo një fushatë. Sepse ne duam që të gjithë
ata që do të marrin pjesë të angazhohen seriozisht dhe të bëjnë pjesën e tyre në këtë betejë të vështirë,
por jo të pamundur. #UnëMbrojFëmijët nuk është thjeshtë një slogan, por një zotim, të cilin çdo kush
duhet ta marrë përpara shoqërisë dhe fëmijëve.

Mobilizimi do të nisë nga institucionet publike, profesionistët që janë në kontakt me fëmijët, të cilët
duhet të ndërmarrin masa konkrete në mbrojtje të fëmijëve dhe realizimin e të drejtave të tyre. Si qeveri,
ne kemi marrë zotimin për të patur shkolla dhe institucione të përkujdesjes sociale pa dhunë,
neglizhencë dhe abuzim. Shteti ka detyrë të vendosë standarde dhe kontroll për zbatimin e ligjit. Së
bashku me Ministrinë e Arsimit, Ministrinë e Shëndetësisë dhe Ministrinë e Brendshme ne po punojmë
që të krijojmë mjedise ku fëmijët të rriten të mbrojtur nga çdo formë e dhunës. Po përgatism programe
aftësimi profesional për të gjithë profesionistët e fushës, si psikologët apo punonjësit socialë që punojnë
ngushtë me fëmijët, që të jenë të aftë të ndihmojnë në fuqizimin e familjeve, por njëkohësisht të përgjigjen
dhe të mbrojnë fëmijët në rastet e abuzimit. 

Nga ana tjetër, ne kemi nevojë që e gjithë shoqëria: biznesi, media, shkolla, familja, komuniteti, të
krijojë një mjedis mbështetës për fëmijët, një mjedis që nuk e pranon dhunën, që e refuzon atë, por edhe
e raporton dhe bën detyrën e vet ndaj së ardhmes së vendit. Ne duam që gjithkush që vendos sot t’i
bashkohet motos #UnëMbrojFëmijët, të zotohet para publikut që po bën punën e tij për mbrojtjen
e fëmijëve. Ky slogan do të jetë një kujtesë dhe thirrje për reflektim çdo ditë për situatën e fëmijëve dhe
të drejtën e tyre për tu rritur të lirë nga dhuna, neglizhenca dhe shfrytëzimi.

Në mënyrë të veçantë u bëj thirrje prindërve të na bashkohen në këtë lëvizje dhe të bëhen pjesë
e planit të mobilizimit i cili lufton dhunën si mjet edukimi. Vetëm duke krijuar bashkarisht një front të
unifikuar mbrojtjeje për fëmijët, ne do ta fitojmë betejën dhe përmbushim zotimin tonë për mbrojtjen
e fëmijëve.

E veçanta tjetër e fushatës është pjesëmarrja e fëmijëve në këtë plan mobilizimi. Ata janë protoganistë
me idetë, talentin dhe të drejtën për të qenë kontribues dhe jo vetëm fasadë. Shkollat dhe qendrat
komunitare do të jenë vatra kryesore të këtij plani ku fëmijët do të diskutojnë bashkë me institucionet
rreth shqetësimeve të tyre dhe si të mbrohen prej tyre.

Kjo është arsyeja pse ne ftojmë secilin/ën nga ju që merrni në dorë këtë broshurë me mesazhet dhe
kalendarin e aktiviteteve, të reflektojë mbi rolin e vet në këtë plan mobilizimi dhe të bëjë një zgjedhje të
informuar dhe të plotë për të qenë një zë më shumë në mbrojtje të fëmijëve.

Faleminderit,

BLENDI KLOSI

MINISTËR I MIRËQENIES SOCIALE DHE RINISË

1
A E DINI SE...
Fëmijët në Shqipëri përballen me forma të ndryshme të dhunës në familje, në shkollë,
në komunitet. Dhuna në familje ndikon negativisht tek gratë dhe fëmijët. Dhuna
psikologjike është forma e dhunës, që raportohet më së shumti nga fëmijët.

Rreth 61,69% e fëmijëve kanë përjetuar të paktën një formë të dhunës psikologjike
një herë në jetën e tyre
48,42% e fëmijëve kanë përjetuar të paktën një formë të dhunës fizike gjatë jetës
së tyre, dhe 59,45% e fëmijëve raportojnë se kanë përjetuar dhunë fizike gjatë vitit
të kaluar
11.4% e fëmijëve kanë përjetuar ngacmim seksual
4.88% e fëmijëve kanë përjetuar dhunë seksuale me kontakt, të paktën një herë
gjatë jetës së tyre
44% e fëmijëve shohin materiale pornografike çdo ditë
47% e fëmijëve të invervistuar pranojnë që, brenda vitit të fundit, janë kontaktuar
online nga një individ i panjohur. 40% e tyre ishin kontaktuar nga të huaj që jetojnë
jashtë vendit.

Burimi: Raport kombëtar mbi situatën e të drejtave të fëmijëve në Shqipëri 2013-2014 –


ASHMDF
Burimi: Të dhëna nga raporti i World Vision në Shqipëri dhe Kosovë për sigurinë e fëmijëve
në rrjet (2014)

ÇFARË ËSHTË DHUNA NDAJ FËMIJËVE?


Dhuna ose keqtrajtimi ndaj fëmijëve është çdo formë e
dhunës fizike, emocionale, apo seksuale. Formë e dhunës
ndaj fëmijëve është dhe neglizhimi edhe çdo formë tjetër
shfrytëzimi, si p.sh. përfshirja e fëmijës në punë të rënda
dhe me orë të zgjatura, gjë që e vë atë në situata jo të
shëndetshme apo demoralizuese, çon në dëmtim real ose
të mundshëm të shëndetit, mbijetesës dhe zhvillimit të
fëmijës.

2
CILAT JANË LLOJET E DHUNËS?
Dhuna psikologjike përfshin veprime dhe sjellje degraduese, kërcënuese, frikësuese,
diskriminuese, përqeshëse ose forma të tjera të trajtimit armiqësor apo refuzues
të fëmijës nga prindërit, motra, vëllai, gjyshi, gjyshja, përfaqësuesi ligjor, një i afërm i
familjes ose çdo person tjetër që e ka për detyrë të kujdeset për fëmijën.
Dhuna fizike përfshin çdo dëmtim fizik apo plagosje të fëmijës, nëpërmjet forcës
fizike, të cilat nuk janë aksidentale dhe synojnë të shkaktojnë dhimbje apo shqetësim.
Abuzim seksual përfshin çdo veprim apo aktivitet seksual për përfitim ose kënaqësi
seksuale të abuzuesit, pavarësisht nëse fëmija pranon ose jo.
Neglizhimi lidhet me mungesën e kujdesit dhe vëmendjes, me ose pa qëllim, nga
prindërit/kujdestarët ndaj nevojave të fëmijës për strehë, siguri, mbikëqyrje, ushqim,
shëndet dhe arsim, që sjell dëmtim fizik dhe/apo emocional të fëmijës.
Shfrytëzimi i fëmijës nënkupton përdorimin e fëmijëve nga prindërit apo të
rriturit për punë dhe përfitime ekonomike. Kjo përfshin, punë ose lypje, shërbime të
detyruara, shfrytëzimin seksual, prostitucionin, skllavërinë, trafikimin etj.
Bulizmi është përdorimi i forcës apo abuzimi në formë të përsëritur i një fëmijë
apo grupi fëmijësh për të frikësuar një fëmijë apo grup tjetër bashkëmoshatarësh.
Ai shoqërohet me dhunë fizike apo psikologjike dhe ndodh me ata fëmijë të cilët
ngacmuesit mendojnë se nuk përshtaten dhe sillen në shoqëri.
Dhuna online nënkupton përdorimin e internetit për të kërcënuar, ngacmuar, apo
poshtëruar një fëmijë duke dërguar mesazhe me përmbajtje jo të përshatshme, email,
fotografi dhe video tronditëse tek fëmijët.

CILAT JANË PASOJAT E DHUNËS TEK FËMIJËT?

Humbja e besimit tek të rriturit/strukturat

Rezultate të ulta në shkollë

Ulja e vlerësimit për veten

Mëson të bëhet dhunues

Mëson të gënjejë për të shmangur dhunën

Vështirësi gjatë adoleshencës

Kryerje e kundravajtjeve të ndryshme

Abuzimi me alkoolin dhe drogën

Shndërrimi në prindër që abuzojnë fëmijët e tyre

3
ÇFARË MUND TË BËJMË PËR TË PARANDALUAR
KEQTRAJTIMIN E FËMIJËVE?

Të njihemi me pasojat e keqtrajtimit,


ligjet dhe Konventat që mbrojnë fëmijët

Të njihemi me mënyrat e duhura të


edukimit dhe disiplinimit të fëmijëve

Të informohemi mbi shërbimet e


mbrojtjes së fëmijëve në komunitetin
ku jetojmë.

ÇFARË DUAM TË ARRIJMË:


Informimi dhe ndërgjegjësimi i publikut të gjerë dhe i profesionistëve mbi të
drejtat e fëmijëve me qëllim parandalimin e abuzimit dhe dhunës ndaj fëmijëve.
Qëllimet e planit të mobilizimit janë:
Të informojë dhe ndërgjegjësojë publikun:
mbi format e dhunës, abuzimit, neglizhimit dhe shfytrëzimit të fëmijëve
dhe PASOJAT negative që kanë në jetën dhe mirëqenien e fëmijëve
si dhe në shoqëri
mbi përmirësimet që do të sjellin në sistemin e mbrojtjes dhe në jetën
e fëmijëve, ndryshimet ligjore në Ligjin për Mbrojtjen e të Drejtave të
Fëmijëve
mbi praktikat e prindërimit pozitiv
Të hapë një debat publik lidhur me të drejtat e fëmijëve dhe respektimin e tyre
Të ndërgjegjësojë strukturat përkatëse për t’iu përgjigjur nevojave të fëmijëve.

4
ÇFARË DUAM T’I THEMI:

Publikut të gjerë

Afro 1 në 2 fëmijë dhunohet fizikisht apo psikologjikisht në Shqipëri. Ky


fëmijë ka nevojë për ndihmë. Ti mund të ndihmosh.
Dhuna ndaj fëmijëve në shoqërinë tonë shfaqet në forma të ndryshme duke
përfshirë dhunën fizike, emocionale, seksuale, por edhe neglizhimin dhe shfrytëzimin
për punë. Njohja dhe raportimi i hershëm i formave të dhunës tek fëmijët mund
të parandalojë pasojat e tmerrshme të saj mbi personalitetin e fëmijëve. Secili prej
nesh ka detyrën të raportojë çdo rast dhune ndaj fëmijëve.

Fëmijëve / Publikut

Fëmijët janë subjekt i dhunës në mjedise publike ose jo. Ti mund të


raportosh dhunën ndaj fëmijëve. Mos hesht!
Në shumicën e rasteve dhunuesi i fëmijëve është dikush që fëmija e ka në rrethin e
besimit, si psh prindërit, të afërmit ose mësuesit. Dhuna nuk është mjet displinimi
dhe fëmijët duhet të mësohen të mos e pranojnë atë dhe të kërkojnë ndihmë.
Detyra jonë është të refuzojmë përdorimin e dhunës si mjet edukimi duke filluar
nga familja, shkolla, dhe komuniteti.

Profesionistëve

Çdo fëmijë ka të drejtë të rritet i lirë nga dhuna, neglizhenca dhe


shfrytëzimi. Ti e ke për detyrë që kjo e drejtë të respektohet.
Dhuna ndaj fëmijëve është KRIM, dhe raportimi i saj një detyrë. Strukturat
përgjegjëse duhet ta raportojnë atë dhe të kujdesen për fëmijët duke mbajtur
parasysh interesin më të lartë të tij/saj.

Ligjvënësve dhe politikëbërësve

Shqipëria ka nevojë për një sistem të integruar të mbrojtjes së


fëmijëve. Për të ndërtuar këtë sistem, nevojitet përmirësimi i ligjit
“Për mbrojtjen të drejtave të fëmijëve” dhe i kuadrit ligjor, ku të
përcaktohen qartë rolet dhe përgjegjësitë e strukturave përkatëse si
dhe raportimi i detyrueshëm.
Qëllimi: Miratimi ndryshimeve ligjore me qëllim mbrojtjen efektive të fëmijëve në
gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.

5
SI MUND TË BËHESH PJESË E PLANIT TË MOBILIZIMIT?
Shkarko falas materialet nga faqja e Agjencisë së Mbrojtjes së Fëmijëve
femijet.gov.al
Përdor hashtag-un #UnëMbrojFëmijët në faqen tënde personale në rrjetet
sociale
Merr pjesë në aktivitetet në qytetin tënd sipas kalendarit ose vizito faqen e
Agjencisë për përditësime. Për më shumë informacion mbi aktivitetet e këtij
Plani, kontakto info@femijet.gov.al, ose telefono 044500329
Bëhu vullnetar në një qendër përkujdesi, qendër ditore, apo në Agjencinë
Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve
Telefono në Alo 116 111, 129 ose përdor aplikacionin “Raporto!Shpëto!” për
të raportuar çdo rast dhune ndaj fëmijëve
Monitoro dhe dëshmo zbatimin e ligjit nga institucione e biznese private për
dhunën ndaj fëmijëve
Kontakto Njësinë e Mbrojtjes së Fëmijëve pranë bashkisë tënde
Mbështet bizneset që kanë hashtag-un #UnëMbrojFëmijët të afishuar në
mjediset e tyre
Bisedo me fëmijët rreth situatës së të drejtave të tyre

You might also like