You are on page 1of 7

Universiteti i Tiranës

Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë


Departamenti i Gazetarisë dhe Komunikimit
Viti akademik 2022-2023

MATERIAL UDHËZUES PËR PUNIMIN E DIPLOMËS


Niveli “Master Shkencor”
Përgatiti Dr. Jonila Godole

1. Informacione bazë
Punimi i diplomës në studimet “Master shkencor” nënkupton trajtimin teorik dhe kërkimin
shkencor empirik mbi një tematike sipas njërit nga profilet që ofron Departamenti i Gazetarisë
dhe Komunikimit:
• Gazetari Europiane dhe Ndërkombëtare
• Marketing Mediatik
• Drejtimi dhe Menaxhimi Mediash
• Komunikim Ndërkulturor
• Marrëdhënie me Publikun

2. Përzgjedhja e temës
Studentët janë të lirë në përzgjedhjen e temës për Diplomën në Master sipas orientimeve dhe
propozimeve përkatëse që bën Departamenti. Propozimi prej tyre i një teme dhe diskutimi
paraprak me një nga pedagogët e fushës përkatëse është i mirëpritur. Është në përgjithësi e
detyrueshme të përzgjidhen tema që përputhen me profilin e studimeve të secilit, ku studentët
zotërojnë informacione paraprake teorike dhe/ose përvojë praktike.

3. Kohëzgjatja e punimit
Data e regjistrimit sipas rregullores është data që caktohet ditën e vendosjes zyrtare të temës
së diplomës. Mbrojtja e diplomave për gradën “Master shkencor” do të bëhet në datën e
përcaktuar nga Departamenti.
4. Udhëheqja e Diplomës
Për çështje të përmbajtjes në lidhje me temën secili nga studentët këshillohet të frekuentojë
orët e seancave metodologjike dhe oraret e këshillimit me pedagogun udhëheqës. Seancat
metodologjike kanë si synim që veç sqarimit të pikave kyçe të hartimit të një mikroteze edhe
të përmbyllen si rregull me një strukturë të përfunduar paraprake të punimit. Kjo strukturë i
dorëzohet pedagogut udhëheqës dhe vetëm pas aprovimit të tij, studenti vazhdon punën deri
në përfundim të temës së diplomës.

5. Ndërtimi i punimit Master

Hyrja: Studentët paraqesin qartë objektin e tyre të kërkimit, parashtrojnë tezat paraprake, ose
paradigmat dhe hipotezat kryesore mbi të cilat mbështetet puna e tyre si edhe legjitimojnë
strukturën e mikrotezës. Në hyrje jepet gjithashtu një panoramë e shkurtër e literaturës
ekzistuese në lidhje me problematikën që trajton punimi, paraqiten metodat e ndjekura për të
kryer studimin, si dhe argumenti specifik vetjak i studentit/es, që përbën të risinë e punimit.

Në pjesën argumentuese të punimit mund të jepet nga njëra anë struktura teorike e punimit,
dhe ana tjetër puna empirike dhe matjet në terren të studentit, analiza dhe rezultatet paraprake
të punimit.
Kjo pjesë ndahet në pjesë ose (edhe) në kapituj. Kurse kapitujt kanë nga ana e tyre edhe ata
një strukturë të brendshme të organizuar në sythe, etj. Kapitujt mund të t’i kushtohen
paraqitjes panoramike në planin cilësor ose sasior të objektit të marrë në shqyrtim; trajtesave
historike që kanë aftësi shpjeguese për objektin e marrë në shqyrtim; paraqitjeve krahasuese
me objekte apo realitete të ngjashme apo të ndryshme; vështrimeve bibliografike; si edhe
paraqitjeve të aspekteve themelore të objektit të studiuar, etj.

Në mbyllje të punimit, sillet edhe një herë për diskutim teza/tezat fillestare përmendur në
hyrje.
• Puna e bërë përmblidhet shkurtimisht dhe në mënyrë koncize
• Renditen rezultatet që u arritën me këtë punim brenda kontekstit të përgjithshëm.
• Bëhen konkluzione në bazë të rezultateve të arritura
• Në fund mund të shtohen edhe vlerësimet ose mendimet personale të
studentes/studentit në lidhje me to.
• Te konkluzionet mund të paraqiten edhe probleme të mundshme që dalin nga tematika

2
e trajtuar dhe që mund të gjejnë zgjidhje në të ardhmen.

SHËNIM: Duhet pasur parasysh që nuk ka një formulë të vetme për të ndërtuar strukturën e
mikrotezës. Ajo ndërtohet në mënyrë fleksibël në varësi të temës, të metodologjisë të
përzgjedhur, të këndvështrimit, si edhe të parapëlqimeve të çdo studenti. E rëndësishme është
që gjithçka të jetë e ndërtuar me logjikë, me koherencë të brendshme, me vazhdimësi dhe në
bashkëpunim e në drejtimin e pedagogut udhëheqës.

6. Këshilla praktike për përpilimin e punimit

Ndërtimi

Punimi duhet të përmbajë këto informacione sipas radhës:

Kopertina1

Faqja e parë e punimit përmban këto informacione sipas renditjes:

Universiteti i Tiranës
Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë
Departamenti i Gazetarisë dhe Komunikimit

• Diplomë e Nivelit “Master shkencor”


• Titulli i punimit
• Emri i studentes/studentit
• Adresa e E-Mail-it
• Semestri/Viti akademik/Data
• Pedagogu udhëheqës (grada e saktë para emrit)
• Përgjegjësi i departamentit

Abstrakti

1
Shiko si model faqen e parë të punimit të bashkangjitur në fund të këtij udhëzuesi (JGodole)

3
Një përmbledhje e shkurtër e punimit me maksimumi 250 fjalë (bashkëngjitet përpara
pasqyrës së lëndës).

Deklarimi për përpilimin e diplomës

“Deklaroj se punimin e mëposhtëm e kam kryer vetë dhe po ashtu citimet, burimet apo mjetet
e tjera ndihmëse i kam pasqyruar brenda tij me përpikëri.”
Data dhe firma e studentes/studentit

Përmbajtja e lëndës

Me numrin e saktë të faqes përkatëse në anë të djathtë.

Teksti

• Titujt do të numërohen në formatin: 1, 1.1 , 1.1.1


• Numrat e faqeve shënohen në fund të faqes.
• Faqja 1 merret faqja kur fillon teksti i punimit. Faqet e mëparshme (pasqyra e lëndës
p.sh. shënohet me numra romakë).
• Tabelat e përdorura në tekst shënohen me numër dhe titullohen..

Shtojca/Anekse
Mikroteza do të ketë përmbajë gjithashtu Anekse ose Shtojca në fund të punimit. Aty
vendosen të dhënat teknike, statistikat, tabelat shtesë, fotografitë, tekstet e pyetsorëve, etj.

Bibliografia
Bibliografia është e tematizuar sipas kësaj mënyre :

1. Botime shkencore (Sipas renditjes alfabetike të autorëve)


2. Artikujt shkencorë (Sipas renditjes alfabetike të autorëve)
3. Shkrime ose botime të tjera nga shtypi masiv (Sipas renditjes kronologjike)
4. Dokumenta zyrtarë (Sipas renditjes kronologjike)
5. Dokumente arkivorë (Sipas renditjes kronologjike)

4
6. Materiale me burime nga Interneti (Sipas renditjes kronologjike)

VINI RE! Literatura mbi të cilën do të bazohet punimi i diplomës do të përzgjidhet në


bashkëpunim me pedagogun/en udhëheqës/e. Për ta lehtësuar orientimin e studentëve në
fushën e studimeve mbi gazetarinë, median dhe komunikimin, studentët konsultohen
paraprakisht me revistat shkencore të botuara nga Departament i Gazetarisë dhe
Komunikimit. Ky botim i përvitshëm i Departamentit përmbledh punën shkencore si të stafit
mësimor, ashtu edhe të studiuesve të tjerë nga vendi, rajoni dhe operatorëve të njohur
mediatikë në Shqipëri. Referimet nga këto vëllime studimesh vendosen në bibliografinë e
punimit. Të gjitha kopjet e revistës shkencore të Departamentit të Gazetarisë dhe
Komunikimit mund të gjenden në hard copy, si dhe në versionin pdf në faqen e internetit të
Departamentit http://www.gazetaria-ut.net.

Rregullat e citimit
Citimi i burimeve do të bëhet në fund të tekstit, stili Chicago. Të gjitha citatet duhet të
shoqërohen me dokumentim të burimeve, shto këtu edhe numrin e faqes nga janë marrë ato,
kur bëhet fjalë për citime fjalë për fjalë. Këto të fundit vendosen në thonjëza. Si rregull, citatet
duhet të jenë të plota për të pasur kuptimin e saktë të tyre.

Shënime në fund të faqes


Këshillohet që mikroteza të jetë e pajisur me shpjegime dhe sqarime të detajuara si edhe me
informacione shtesë që ndriçojnë anë të studimit. Kur këta mund të rëndojnë tekstin apo të
dalin paksa jashtë objektit të marrë në shqyrtim, apo për arsye lehtësish leximi mund të
vendosen si “footnotes”, pra si shënime në fund të faqes, sipas shenjës numerike të vendosur
në tekst. Shënimet në fund të faqes paraqiten me një germë të madhësisë 10 police.

Bibliografia (Literatura e përdorur)

Këtu shënohen të gjitha burimet, si: libra, artikuj, tekste, dokumente arkivore, faqe interneti
etj.

Për librat: Emri i autorit (viti i botimit): Titulli dhe nëntitulli i librit. Shtëpia botuese. Vendi.
Botimi 1,2 nëse ka.

5
Shembull:
Michel Foucault (2010): Disiplinë dhe ndëshkim. Lindja e burgut. Odeon, Tiranë.
Për artikuj të revistave/botimeve shkencore: Emri i autorit (viti i botimit): Titulli i
artikullit. Botuar në: Titulli i veprës. Shtëpia Botuese. Nr. i faqeve të artikullit
Shembull:
Fatjon Cuka (2010): Kuadri juridik i shtypit. Botuar në: Studime albanologjike 3, Gazetari dhe
shkenca komunikimi: Mediat shqiptare në tranzicion. Tiranë. Fq. 118-125.
Për artikujt e gazetave/revistave: Emri i autorit: Titulli dhe nëntitulli i artikullit. Botuar në:
Emri i gazetës/revistës. Nr. Viti i botimit, Nr. i faqes 2
Shembull:
Amik Kasaruho: Miqësinë nuk e ndan dot as trilli i perëndive. Botuar në: Revistën AKT. Nr.
6. 2011, Fq. 59-60.
Burimet nga Interneti: Emri i autorit/organizatës. Titulli dhe nëntitulli. Koha e marrjes.
Adresa URL
Shembull: Artan Fuga: Qyteti i hapur. Gazeta Standard. Ora 16.35. 11.04.2011
http://www.standard.al/index.php/debat1/465-artan-fuga (Aksesuar për herë të fundit më
24.2.2023)

7. Formatimi kompjuterik/elektronik i punimit

Hapësirat : Standard A4 (Majtas 2.5 cm, djathtas 2.5 cm, lart dhe poshtë nga 2 cm)
Madhësia e shkronjës : Times 12
Hapësira mes rreshtave : 1.5
CD e bashkangjitur : Këtu do të dokumentohet produksioni i pjesës praktike. CD do të jetë e
futur në një xhep, ngjitur në faqen e fundit të brendshme të diplomës. CD do të përmbajë
versionin elektronik të punimit në formatin origjinal (p.sh. Word-Dokument, PDF si dhe
produksionin e kryer).

Numri i faqeve: Minimumi 60 deri në 80 faqe (pa shtojcën).


Sasia kopjeve të dorëzuara: Tre kopje të lidhura të diplomës në hard copy.

Suksese!

6
UNIVERSITETI I TIRANES
FAKLUTETI I HISTORI – FILOLOGJISE
DEPARTAMENTI I GAZETARISE DHE KOMUNIKIMIT
Viti akademik 2022/2023

Diplomë e nivelit “Master Shkencor”

“TITULLI”
Nëntitulli (nëse ka)

Emri i studentes/studentit:
Adresa e-Mail-it:
Drejtimi: __________________
Pedagogu/e udhëheqës/e:
Përgjegjësi i Departamentit: Prof. Dr. Mark Marku
Tiranë më, _______________

You might also like