You are on page 1of 38

Fjalë hyrëse

Pas disa librash në këtë gjini, libra që kanë lënë gjurmë te dashamirësit e humorit e
veçanërisht te fëmijët, Ferit Lamaj na vjen me një vëllim tjetër origjinal, të cilin e quan “201
fabula”. Të përmbledhësh në një libër 201 fabula është gjë e rrallë. Njeriu mund të shkruajë
tërë jetën dhe të mos arrijë të botojë as njëqind pjesë nga kjo sferë e mençurisë njerëzore.
Ndërsa Ferit Lamaj, ende djalë i ri, të habit me begatinë krijuese në këtë fushë.

Duke lexuar këtë libër ndjen një kënaqësi estetike, vë buzën në gaz nga rrëkezat e humorit,
ironisë dhe sarkazmës për shumë gjëra, që na bëjnë të qeshim në këtë botë të trazuar e të
mbushur me halle.

Fabulat janë plot me të papritura e paradokse, të shkruara shkathët e natyrshëm, jashtë


letrarizmave estetizante. Ato shquhen nga konciziteti dhe mençuria e batutave, duke iu
larguar moralizimit të hapur e banal, nga i cili ndonjëherë vuajnë edhe fabulistët e shquar.

Ndër to, nuk mund të mos vësh re edhe frymën popullore dhe kombëtare të përrallave e
rrëfimeve të popullit tonë, përmes personazhit - kafshë.

Jo vetëm kaq. Në fabulat e Ferit Lamajt ndihet edhe kultura, edhe ajo esencë që është përftuar
e nxjerrë qysh nga Ezopi e La Fonteni, Krillovi e Trilusa dhe deri te autorët bashkëkohës. Me
këtë dua të them, se autori i ka hyrë kësaj gjinie me seriozitetin e kulturës letrare dhe jo vetëm
me intuitën e një poeti, që e dashuron fabulën mes të tjerash.

Doemos, vlerësuesi më i mirë si gjithmonë është lexuesi. Dhe ky lexues në fabul është i të
gjitha moshave. Fabulën e do edhe gjyshi, edhe nipi, edhe shkencëtari, edhe bariu. Prandaj
fabula ka jetë të gjatë në gjirin e lexuesit. Le t’ia lëmë tani vlerësimet lexuesit.

18 mars 1995 Dritëro Agolli


Një thënie e re

Që prej shekujsh rron e thëna:


“Qengj i urtë pi dy nëna”.
Por nuk dini më të renë:
“Pi servili gjithë kopenë”…

Syri, veshi, hunda

Dhe kur sytë syze vunë,


U nxeh hunda: - Hë, moj hundë,
T’u mbush mendja që s’flas kot!
Me hilè e ka kjo botë.
I mbajmë syzet unë e ti,
Për të parë, sheh ai…
Dhelpra e Trojës

Një ditë kali takon dhelprën:


- Rroftë e qoftë dinakëria!
Me dredhira e shtyn jetën;
Për këtë flet lashtësia…

Ia pret dhelpra: - Pa kyç gojën,


Kur përmend kohën e vjetër;
Kafsha që mashtroi Trojën
Ishte kalë, s’ishte dhelpër!

- Eh, vërtet ishte një kalë,


Që trojanët i gënjeu.
Porse ky a s’kishte dalë
Nga një dhelpër, nga Odiseu!
Sekreti

Dëgjonin arinë
Në pyll, në kuvend,
Kafshë, shpendë ngrinë,
Rrinin si mbi gjemb.

- Mjaltin sot te zgjoi


Kush e hëngri, kush?
Sorkadhja, palloi
A ti, lepurush?

Ç’më rrini të ngratë,


Ç’më rrini të gjorë?
Po kur e përlatë
S’ju erdhi pak zor?!

Sekreti që heshtin
Na qenka gjetiu:
…Me miza te veshi
Është mbushur ariu.
Dora, masha e thëngjilli

Dora mashën zë për veshi,


E me të prushin përsheshi.

Një thëngjill nxori shkëndija:


- Ja që iku burrëria.
Pse fut mashën, moj e shkretë!
Po ta mbajti, më zër vetë…

Stomaku
(Dhe zorrët)

Prej tri ditësh s’merr ushqim.

I thanë zorrët: - More trim,


Veç dy orë ke afat,
Ndryshe bëmë demonstratë!...
Mullixhiu dhe pula

Një ditë një qen


Lëpinte në hi.
- Or ti, aty ç’bën,
Ç’trazon me turi?

Qenushi seç ngriu,


U tremb, u drodh shumë.
Qenkej mullixhiu:
- Pa eja tek unë!

Pa eja tek unë,


Mjaft ndenje në diell!
Bëje pra, një punë:
Ruaj këtë miell!

Qeni yna tani


Nisi majmërinë:
Nuk lëpin më hi,
Se miell lëpin.
Trenisti dhe kamionisti

Paralel, në udhë venë


Një kamion edhe një tren.
Kamionisti shtyp borinë:
- Ej, trenist, eja tek unë!
A s’e sheh, autostradë…

- Ç’flet kështu, Zoti të faltë! –


Shtoi tjetri nga kabina: -
Më pëlqen të ec mbi shina…
Kuzhinieri dhe maçoku

Kishte ditë që në kuzhinë


Maçi hiç s’gjuante minj.
E di pse, se te një kënd
Mbeturina kish një dëng.

Kuzhinieri merr inat:


- Do zësh minj, a të t’nxjerr jashtë!
Unë kurrkënd më kot nuk mbaj.

I tha macja: - Vetë ke faj!


Ç’minj të zërë, kur në dëng
Lëpin kocka, lëpin lëng…
Majmun kuzhinieri

Kur e zunë me presh në dorë,


Derdhi lot plot një orë.
- E pranoj, - tha, - në kuzhinë
E kam shkelur cilësinë.
Se dhe supën e kam shtuar
Plot me ujë, por kam gabuar.
Këta lot me dënesë,
Ju, si thoni, s’janë pendesë?

- Të besojmë, s’qan kot fare:


Ja, ke qepën dëshmitare…
Majmuni dhe molla

Një majmun dembel qe shtrirë


Nën një mollë të arrirë.
Të hipë lart, përtonte shumë:
- E di ç’ka, a s’ia fus gjumë!
Ndonjë kokërr po ra vetë,
Oh, sa mirë, sa mirë do jetë!
Dhe po s’ra, përsëri mirë,
Se kam hijen qelepir…
Breshka dhe gomari

Një breshkë ra në lumë


Edhe s’po dilte dot;
U lodh e shkreta shumë,
Ç’e do, nuk dinte not.

Kaloi andej pari,


Siç thuhet në përrallë,
Një visk, një zog gomari,
Që hodhi këto fjalë:
“Të mira ka përherë
Ky lumi, more shokë!”

Tha breshka: “Byrazer,


Vazhdo, se je në tokë!...”
Syri dhe veshi

Syrit na i thanë prerë:


- Kemi pra, një vend për mik.
Mund të fillosh menjëherë,
Le të merresh me muzikë!

Mirëpo syri me të drejtë


I shfaq tjetrit refuzimin:
- Dua punë, që të ketë
Ndopak lidhje me shikimin!

- S’të ndihmoj dot kurrësesi! –


I tha tjetri edhe qeshi: -
Atë vend që kërkon ti,
S’ka dy ditë, e zuri veshi…
Kërriçi dhe gomari

Me proverba hynë në garë


Një kërriç e një gomar.
Si gjithnjë pëllet i pari
Jo kërriçi, por gomari:
“Njëra dorë lan dorën tjetër”.

- S’na the gjë, tepër e vjetër!


Dora dorën lan vërtet…
Veç kur është e larë dhe vetë!
Ndryshe, - tjetri sytë lëviz, -
Nuk e lan, por e bën pis…
Dhelpra e qeni

Hajdutja dhelpër u nis me natë:


- Në mos një pulë, do të vjedh patë.
Iu qas kotecit… S’kish bërë një hap,
Kur qeni rojë iu hodh, e kap.

- O qen, o mik, unë këtë herë


S’erdha për pula, jo, jo, për nder! –
Edhe dinakja vijon dredhinë: -
Ju bëra provë gatishmërinë…
Dhelpra, korbi edhe ketri

Është e njohur ajo skenë:


Dhelpra poshtë, korbi në pemë.

Ne po shtojmë dhe një ketër,


Krahas korbit, zonjës dhelpër.

- Korb o korb, ta ka me hile!


Është dinake, është skile…

- La Fonteni dhe Ezopi


Janë tretur, - gjegjet korbi. –
Perëndoi kohë e parë.
Veproj kundrë, më del mbarë…
Snobizëm
(Konia dhe maçoku)

Maçoku ia kish krisur turravrap…


Mjerisht i shkeli kënba mbi një zhapë.
Rrëshqiti atje tej sa gjatë – gjerë…
Pastaj, si shkundi trupin nja tri herë,
Ndjeu një zë, një zë si nëpër erë:

- Çudi me ty, maçok, atë lëkurë


Jo që s’e shan, përkundër po ma mburr!
(Dhe kjo që fliste, qenkej veç një kone,
Mbërthyer fort në dorën e një zonje).

Ia kthen maçoku: - Mjau, mjau, xhane,


Nuk është zhapë bostani, por banane!...
Konia dhe njeriu

Ç’ngjau mbrëmë, si e qysh?


…Qe një kone, një këlysh.

Tek shëtiste buzëliqeni,


Ndjeu shprehjen: “Qen bir qeni!”

Gjer në tru iu ngjit inati,


Ç’iu vërsul tjetrit për shtati.

Nduk, kafsho, e gris, e shqep…


Mor, e la, me nder, pa brekë.

- Ham, ham, ham! – shton shend e verë: -


Shaj, po deshe, tjetër herë!
Konet dhe lepurushi

Qenë dy kone te një shesh,


Jepemerrnin vesh më vesh…

- Lepurushi qenka trim,


Paska forcë dhe guxim!
A s’e sheh me thikë në dorë?

Ia pret tjetra: - Moj e gjorë,


Hapi sytë, ç’ia fut kot:
S’është thikë, por karotë…
Lepurushi dhe ferra

Lepurushi këtë herë


Vetëtimë u struk në ferrë.
Uli ferra degë, fletë,
Të fshehë lepurin e shkretë.
Një qortim i jep pastaj:
- Qeni iku, tani çaj…
Veshllapush, s’e ditke vallë,
Që nepërka vjen vërdallë?
Qenit unë ia hodha sot;
Nga nepërka s’të mbroj dot!
Miushi në bibliotekë

Dhe miushit seç iu tek,


Shkon te një bibliotekë.
Në banak zonjës i flet:
- Nëm një libër a gazetë!

U ngrys zonja në fytyrë:


- O miush, gabim ke hyrë;
Pasi librat ti, - i tha, -
S’i lexon, porse i ha…
Dy pulat dhe kokoshi

Pulë e bardhë e pulë e zezë


Na u zunë për një vezë.

- Qysh s’e ditke, - u hodh njëra, -


Këtë vezë unë e bëra!

U ngrit tjetra dhe i tha:


- Është imja, ka – ka – ka!

Një kokosh, që u ndodh pranë,


Hyn në mes edhe i ndan:
- Fare kot po bëni zhurmë;
Vezën e kam bërë unë!
Iriqi dhe kërmilli

Kërmillit i hyn një gjemb;


Thirr e thirr se po i dhemb.
Jep e merr e bot e bot,
Mirëpo gjembin s’e nxjerr dot.

Një iriq që nga një drizë


I thotë: - Hipmë mbi kurriz.
Më kot qahesh, kërmill ti!
Ta nxjerr unë që tani.
Andaj jemi shokë e miq…

- Ç’flet kështu, more iriq?!


Më nxjerr gjembin që më shpon,
Por më ngul një batalion…
Kreditë
(Gomari, viçi dhe kërriçi)

Një gomar, përralla thotë,


Mori udhën nëpër botë.

Hodhi hejbet në kurriz,


T’i mbushë grurë e oriz.

Se ta themi, ngeli keq;


S’kish të hajë as bar, për dreq!

Lyp te zebra, te gjirafa…


Lyp e lyp, iu këput qafa.

Shpejt një kunj i rrasi viçi”


Merr ti, merr, i shlyen kërriçi!
Tenxherja dhe soba

- Sa sekrete mbaj unë brenda,


Asnjeriu s’ia pret mendja!

I tha soba: - Se ç’mban ti,


Kjo garuzhda mirë e di.
Pastaj luga ia thotë pjatës,
Pjata mishit e sallatës…

Brenda orës, moj mikeshë,


Tërë kuzhina e merr vesh!

Vetëfryrje
(Demi dhe miza)

Kur pa demin te një stallë,


Iu ul miza mu në ballë:
- Jo veç ti, o dem, - i tha, -
Por dhe unë bëhem kà…
Përpunim
(Lopa e dhia)

Në livadh mekërin dhia:


- Rroftë e qoftë kakërdhia!
Përpunim i rrallë, moj mike,
Si te linjë e një fabrike…

Për pak lopa shqeu sytë:


- Lëri, lëri kakërdhitë!
Shiko qumështin, moj e mjerë!
Atë përpuno një herë…
Delja dhe dashi

Qe një dash, vriste përpjetë:


“Do të bredh, ku dua vetë!”.
Dhe harbonte larg nga stani.
Më në fund u nxeh çobani:

- More, unë të kam në dorë! –


E i vari një këmborë.
Por s’i ulet ajo hundë,
Dang e dung këmborën tund.

I thotë delja: - O i ngratë,


Është këmborë, jo dekoratë!
Në dyqan
(Dashi e dhia)

I tha dashi dhisë shytë:


- Kur peshon, pse i mbyll sytë?

Foli dhia e pabrirë:


- Kur i mbyll, peshoj më mirë.

Ia kthen dashi: - Na mban hatër!


Ti i mbyll, ne i bëjmë katër…

Fletë e pemës dhe pranvera

U shkëput prej erës


Nga pema një fletë.
Na i tha pranverës:
- Për nder, ika vetë!...
Iriqi, kërmilli dhe urithi

Kuvendonin një ag prilli


Gjembashumi dhe kërmilli:

- More, ç’themi midis nesh,


Ky urithi e merr vesh!
Po, për nder, ka tradhti.
Ndonjë breshkë, ndonjë mi…
bëj çudi, çudi vërtet!

Tjetri gjembat fësht përpjetë:


- Ja, çudia e çudive:
Ky gërryen thellësive…
Gjarpri e gjeli

Te koteci një mëngjes


Gjarpri gëlltiste vezë.
Kur e zunë, u hodh përpjetë:
- Ah, jo, jo, s’kam ngrënë gjë vetë!
Që të bindem me tamam,
Më gjej gjurmët, ku i kam?

I tha gjeli: - Natyrisht,


Si tinzar i fshin me bisht…
Piruni, gishtat dhe ulliri

Prej një ore, te një pjatë


Ky piruni majat zgjat.

Jep e merr të zërë ullinë.


Eh, ç’e do, më kot djersin!

Ndërkaq gishtat pa vonesë


E mbërthyen fort në mes.

- Ja, mbaroi dhe kjo punë.


Apo jo, more pirun?!

Flet piruni urtë e butë:


- Unë e lodha, ju e zutë!
Brisku, mjekra dhe pasqyra

Një pasqyrë ia ngul briskut:


- Pse ma ha pjesën e riskut?

Ajo mjekër plot me qime


Diç ka marrë nga vlera ime!

Ja, po iki, - shton pas pak: -


Tani jepi, bëje gjak!...

Vatra dhe zjarri

Një ditë vatrës i tha zjarri:


- Sa i pistë qenka trari!

Vatra xixa nxjerr nga sytë:


- E ka nxirë tymi yt!
Bilardo
(Steka, çoku, guri)

- Ç’bën, or çok? – i thirri guri


Sa u tund e u dridh muri: -
Na ke bërë krejt çorap!

Çoku gjuhën nxjerr e llap:


- Nuk jam unë, që kam teka;
A s’e sheh, ç’më punon steka!

Peshku dhe deti

“Deti për peshq s’ka nevojë”.

Kjo është mëse e vërtetë.


Por askush të mos harrojë:
Ka nevojë peshku për det…
Histori mushkonjash

Këmbëkryq në muhabet
Ishin mbledhur nja tre vetë.

Nis i pari: - Me mushkonja


Zien rruga, zien sheshi…
Lagjja jonë është më e zonja:
“Z, z” te hunda, “z, z” te veshi…

Ja, i dyti flet më nge:


- Provo, mik, e hidh dy hapa!
Pra, mushkonja kemi ne:
Skuadrilje mësyjnë prapa…

Shpejt i treti ngau llafin:


- S’dini ç’ngjet në lagjen tonë?!
…Dy të ngrenë lart çarçafin,
Një e tretë të pickon…
Peshku, krimbi, peshkaqeni

Peshkaqeni ndjek i qetë


Peshkun qefull tej, në det.
Qefulli, pa zhurmë e bujë,
Kollofit krimbin në ujë.

Peshkaqeni bishtin tund,


I flet peshkut më në fund:
- E përlave? Të bëftë mirë!
Tani pritmë mysafir.
Ti ha krimbin, more trim;
Unë të ha ty me gjithë krimb!
Peshqit dhe krokodili

Krokodili, si çdo ditë,


Zu një ngjalë ta kollofitë.

Ç’qenë peshq, u mblodhën plot:


- Ç’ka i shkreti që derdh lot?!

Dhe habi bënin vërtet;


Disa zunë të qajnë dhe vetë!

Dikush hedh ca fjalë në shesh:


- Tani qan, por pastaj qesh…

Korali dhe leshteriku

Tundi fijet leshteriku:


- Këtij deti, or lum miku,
I jap pamje të vërtetë.
Shih, pa shih, a s’ka marrë jetë!

Dhe korali: - Po, ke hak!


Ndaj në breg të nxjerr, të flak…
Pasfjalë

Më ka rrëmbyer fabula që herët. Humbisja pas Ezopit e Fedrit, La Fontenit e


Krillovit, Trilusës, Naimit, Santorit e Çajupit. Fabula është magjike. Të ngjizet në
shpirt. Të pushton. Të josh me përjetësinë e saj. Fabula nuk do të ketë kurrë vdekje.
Ajo ka gjalluar njëzet e pesë shekuj më parë, do të gjallojë edhe njëzet e pesë të
tjerë, edhe dyqind e pesë, edhe...
Le të më falë lexuesi, nëse pasionin dhe dashurinë ndaj fabulës do ta shprehja
përmes vargjeve: "Rrëmbemini të gjitha:/ Mish, e kockë, e gjak./ Larg kthetrat
nga fabula!/ Larg!"
Fabula bën çudira. Të ledhaton, por edhe ta ngul. Fabula është e tillë. Disi "e
pabesë", ngaqë e tillë është vetë jeta. Fabula ndjek jetën. E lufton me armët e saj të
fuqishme: me humorin, sarkazmën, ironinë, groteskun, alegorinë, paradoksin,
lakonizmin, befasinë, e mbi të gjitha, me filozofinë e saj. Fabula është filozofike.
Siç shprehet Dritëroi në parafjalë të këtij vëllimi, fabula shpejt bëhet pronë e të
gjitha moshave dhe profesioneve. Është pikërisht kjo ndër arsyet që i jam
përkushtuar i tëri fabulës. Fabulisti lumturohet kur krijesat e tij shëtisin te sa më
shumë duar e sy.

Autori

You might also like