You are on page 1of 1

Miti pagan shqiptar

Nga kulti pagan i majave të larta, i përhapur në gjithë Shqipërinë, kulti i


malit të Tomorrit ka mbijetuar në rrjedhë të shekujve e të ndërrimeve
fetare. Duke gëzuar një prestigj të veçantë në botën shqiptare, ai ka
fituar atributin e malit të shenjtë.
Fakti që ky mal në gojëdhënën popullore, në periudhën antike e
mesjetare dhe në letërsinë romantike përfytyrohet si Olimpi shqiptar,
besohet se është dëshmi e njësisë kulturore ballkanike.

Tomorri është mali më impozant në Shqipërinë e Jugut. Me majën më


të lartë 2416 metra, ai ngrihet vetmitar në një rrafshinë pa fqinjë që ta
rivalizojnë dhe zotëron kështu pamjen nga të gjitha pikat e horizontit.
Kjo e bën atë madhështor, si e bëjnë të bukur livadhet malore, e të
frikshëm majat e thepisura shkëmbore, humnerat e thella dhe stuhitë e
befasishme. Etnologia angleze Margaret Hasluck, që u ngjit në majë të
tij më 1930, konstatoi midis të tjerave se pelegrinët besonin në një fuqi
të mbinatyrshme me seli në atë majë e se betimi për Baba Tomorrin
ishte më i fortë se betimi mbi Ungjill ose Kur’an. Kuptohet se ky
adhurim është mbeturinë e kultit pagan të natyrës, brenda të cilit kanë
mbetur besimet e shqiptarit.
Në zhvillimet e mëvonshme etno-historike e fetare të shqiptarëve,
substrati pagan u tregua shumë i qëndrueshëm; ai mbijetoi si një
element i vazhdimësisë së traditës mitologjike ilire dhe si shprehje e
njësisë shpirtërore të tyre. Vendet e peligrinazheve të epokës pagane
dhe ritet pagane mbetën po ato në epokat e mëvonshme fetare,
ndryshuan vetëm përfytyrimet që lidhen me këto rite, duke marrë një
veshje kristiane ose islame. Ky evolucion dhe stagnacion njëherësh
është karakteristik edhe për kultin e Tomorrit dhe ritet e pelegrinëve në
nderim të tij.
Për të ardhur tek ekzaltimi romantik i shekullit XIX, kulti pagan i malit
të shenjtë të Tomorrit kaloi dy faza, që iu përgjigjën dy periudhave të
historisë fetare të shqiptarëve: periudhën e lulëzimit të kristianizmit dhe
atë të islamizmit. Por, sikur të mos ekzistonin këto dy faza, siç do ta
provojmë më poshtë, letërsia romantike e Rilindjes shqiptare, u nis nga
kulti pagan dhe mbeti te përmbajtja dhe përfytyrimi i tij primitiv
mitologjik. Ajo çka i shtoi kjo letërsi këtij kulti ishte fryma e ekzaltuar
e romantizmit nacional.

You might also like