You are on page 1of 6

PRANIMI NË OKB: PROBLEMET DHE PROCESI

Qerim Qerimi

I. Hyrje

Kur është themeluar më 1945, ka pasur 51 anëtarë fillestarë. E dalë nga një botë e rrënuar dhe
traumatizuar nga Lufta e Dytë Botërore, ajo çfarë ngandonjëherë njihet si organizata botërore, sot,
Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) ka 193 shtete anëtare. Me 142 vende më shumë se në kohën
e anëtarësisë origjinale, numri ekzistues është rezultat i ndryshimeve të vazhdueshme brenda
komuniteteve ekzistuese territoriale, të njohura si shtete të pavarura dhe sovrane dhe, përgjithësisht,
pasojë e ndryshimeve të vazhdueshme të diktuara prej materializimit të aspiratave të grupeve të caktuara
të individëve ose kolektiviteteve në komunitetin planetar njerëzor.

Statistikat vijuese mund të ofrojnë një ide të dëshirueshme të ndryshimeve dhe faktorëve kushtëzues, që
për pasojë kanë pasur rritjen e anëtarësisë së OKB-së. Numri origjinal prej 51 anëtarësh, ka arritur në 149
në vitin 1984. Kjo rritje prej afër 100 vendeve të reja anëtare (nga viti 1945), në thelb, ishte bërë e
mundur falë procesit të dekolonizimit. Më 1990, numri i shteteve anëtare ka qenë 151. Sot, pas më tepër
se njëzet vitesh nga ajo kohë, ky numër është rritur në 193, duke qenë në masë të madhe rezultat i kolapsit
të Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike dhe i Republikës Federative Socialiste të Jugosllavisë, si
dhe ndarjes së shteteve të tjera socialiste. Në masë më të vogël, është rezultat edhe i krijimit të shteteve
përmes marrëveshjeve ndërmjet palëve që kanë pranuar metodën e referendumit si mekanizëm për
zgjidhjen e çështjeve të lidhura me sovranitetin. Anëtari i fundit që i është bashkuar OKB-së, më 14
korrik 2011, është Republika e Sudanit të Jugut. Pavarësia e këtij vendi ishte rezultat i referendumit të
janarit të vitit 2011, i organizuar dhe mbajtur brenda kuadrit të Marrëveshjes Gjithëpërfshirëse të Paqes të
vitit 2005. Tre anëtarët e rinj paraprak, që u pranuan më 2006 dhe 2002, janë Mali i Zi dhe Zvicra e
Timori Lindor, respektivisht.

Përtej çështjes së kufizuar të anëtarësisë, organizata ka pasur rëniet dhe ngritjet e veta. Kurdo që konflikti
dhe tensioni me shtrirje botërore është rritur në strukturën e fuqisë ndërkombëtare, gati njëlloj janë rritur
edhe problemet në vendimmarje brenda organizatës. Manifestimi i këtyre problemeve në çështjen e
anëtarësisë do të trajtohet në vijim, krahas kushteve të kërkuara për anëtarësim në OKB. Në këtë drejtim,
do të trajtohen edhe aspektet e kompetencës respektive të Asamblesë së Përgjithshme dhe Këshillit të
Sigurimit, dy organeve kryesore të organizatës me kompetencë në procesin e vendimmarrjes për pranimin
ose refuzimin e një kandidati. Shkrimi udhëhiqet nga synimi i Republikës së Kosovës për aplikim për
anëtarësim në kohën e duhur, duke analizuar kuadrin ligjor, shqyrtuar raste dhe ofruar ide e informacion.
Trendët e vendimmarrjes në të shkuarën, siç do të paraqiten në vijim, mund të jenë veçanërisht të
rëndësishëm në proces të shqyrtimit të vendimit për aplikim për anëtarësim dhe vetë përgatitjes së
aplikimit.

II. Kushtet për pranimin e një anëtari të ri

Karta e Kombeve të Bashkuara:

“Neni 3

Anëtarë fillestarë të Kombeve të Bashkuara janë ato shtete, të cilat kanë marrë pjesë në
Konferencën e Kombeve të Bashkuara për një Organizatë Ndërkombëtare në San Francisko ose
që kishin nënshkruar që më parë Deklaratën e Kombeve të Bashkuara të datës 1 janar 1942 dhe
që tashmë nënshkruajnë këtë kartë dhe e ratifikojnë atë sipas nenit 110.
Neni 4

(1) Anëtarësimi në Kombet e Bashkuara është i hapur për të gjitha shtetet e tjera paqedashëse, që
marrin përsipër detyrimet e kësaj Karte dhe që, sipas vlerësimit të Organizatës, janë të afta dhe të
vullnetshme të përmbushin këto detyrime.

(2) Pranimi i një shteti të tillë si anëtar i Kombeve të Bashkuara bëhet me rekomandim të
Këshillit të Sigurimit dhe me vendim të Asamblesë së Përgjithshme.”

Neni 4 i Kartës është dispozita që përcakton kushtet për anëtarësim në Kombet e Bashkuara. Në një
pamje të parë, gjithçka duket e qartë dhe e thjeshtë. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, organi kryesor
gjyqësor i OKB-së, është marrë me të dy paragrafët e këtij neni në dy raste të veçanta: I pari, Kushtet e
Pranimit të një Shteti në Anëtarësi në Kombet e Bashkuara (këtu e tutje rasti i Kushteve të Pranimit), një
mendim këshillëdhënës i 28 majit 1948, i kërkuar nga Asambleja e Përgjithshme, dhe i dyti, Kompetenca
e Asamblesë së Përgjithshme për Pranim të një Shteti në Kombet e Bashkuara (këtu e tutje Kompetenca e
Asamblesë), një mendim këshillëdhënës i 3 marsit 1950, i kërkuar po nga Asambleja e Përgjithshme.
Konteksti që ka kushtëzuar kërkesat është motivuar nga aplikimi, më 1946 dhe 1947, i një numri të
shteteve për anëtarësim në OKB. Disa ishin pranuar, të tjerat kishin dështuar që të fitonin mbështetjen e
Këshillit të Sigurimit. Kundërshtitë kundër shteteve aplikante lidheshin si me rolin e tyre gjatë Luftës së
Dytë Botërore, ashtu edhe me mungesën e marrëdhënieve diplomatike me shtetet e tjera. Polarizimet në
skenën politike botërore të kohës kanë bërë që ky proces të jetë edhe më i vështirë. Kështu, Bashkimi
Sovjetik dëshironte që të kushtëzonte pëlqimin e vet me pranimin e njëkohshëm të aplikantëve të tjerë.

Pesë ish-shtete armike, Finlanda dhe Italia të favorizuara nga shtetet perëndimore, dhe Bullgaria,
Hungaria dhe Rumania, të mbështetura nga Bashkimi Sovjetik, ishin kandidatët relevantë. Argumenti i
shteteve perëndimore kundër tri shteteve të fundit ishte se ato nuk ishin paqedashëse në mënyrën se si
qeverisnin, duke kufizuar të drejtat e njeriut të shtetasve të tyre, dhe së këndejmi, në kundërshtim me
dispozitat e traktateve përkatëse të paqes. Kundër-argumenti sovjetik ishte i mbështetur në atë se, si
Deklarata e Potsdamit e vitit 1945, ashtu edhe Traktatet e Paqes me pesë shtetet e përfshira, përmbanin
një detyrim për shtetet nënshkruese që të mbështesnin aplikimet individuale për pranim të këtyre pesë
shteteve. Lidhur me defektet në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve sipas dispozitave të Traktateve të Paqes,
është marrë më vonë edhe vetë Gjykata.

Ndaj këtij sfondi, më 17 nëntor 1947, Asambleja e Përgjithshme i kërkoi Gjykatës Ndërkombëtare të
Drejtësisë mendimin këshillëdhënës në pyetjen: “A ka juridikisht të drejtë një Anëtar i Kombeve të
Bashkuara nga i cili kërkohet, sipas nenit 4 të Kartës, të deklarohet me votën e vetë, qoftë në Këshill të
Sigurimit ose në Asamble të Përgjithshme, që të kushtëzojë pëlqimin e vet për pranim me kushte që nuk
thuhen shprehimisht në paragrafin 1 të këtij neni? Në veçanti, a mundet një Anëtar i këtillë, i cili ndonëse
pranon se kushtet e përcaktuara në këtë nen janë përmbushur nga shteti në fjalë, të kushtëzojë votën e vetë
pohuese me kushtin shtesë që shtetet e tjera të pranohen në anëtarësi në Kombet e Bashkuara bashkë me
atë shtet?”

Gjykata e ka ndarë pyetjen në dy pjesë: (1) A ka juridikisht të drejtë një Anëtar i Kombeve të Bashkuara
nga i cili kërkohet, sipas nenit 4 të Kartës, të deklarohet me votën e vet, qoftë në Këshill të Sigurimit ose
në Asamble të Përgjithshme, që të kushtëzojë pëlqimin e vet për pranim me kushte që nuk thuhen
shprehimisht në paragrafin 1 të këtij neni?, dhe (2) A mundet një Anëtar i këtillë, i cili ndonëse pranon se
kushtet e përcaktuara në këtë nen janë përmbushur nga shteti në fjalë, të kushtëzojë votën e vetë pohuese
me kushtin shtesë që shtetet e tjera të pranohen në anëtarësi në Kombet e Bashkuara bashkë me atë shtet?
Që të dyjave, Gjykata u është përgjigjur në mënyrë negative, për arsyet si në vijim.
Duke rikujtuar “kushtet” që kërkohen nga paragrafi i parë i nenit 4 të Kartës, Gjykata (me një shumicë
prej 9 votash me 6) ka identifikuar fillimisht, në kuptim numerik, ekzistencën e pesë kushteve të kërkuara
për anëtarësi. Pra, që të pranohet në Kombet e Bashkuara, një aplikant duhet: (1) të jetë shtet; (2) të jetë
paqedashës; (3) të marrë përsipër detyrimet e Kartës; (4) të jetë i aftë të përmbushë këto detyrime; dhe (5)
të jetë i vullnetshëm ta bëjë këtë. Siç thuhet shprehimisht në vetë paragrafin e parë të nenit 4 të Kartës,
këto kushte janë subjekt i vlerësimit të organizatës, që në këtë rast nënkupton, siç përcaktohet në
paragrafin 2 të të njëjtit nen, Asamblenë e Përgjithshme dhe Këshillin e Sigurimit, dhe në instancën e
fundit, atë të shteteve anëtare të organizatës. Për rrjedhojë, pyetja që i është paraqitur Gjykatës është
kuptuar në atë mënyrë që ka të bëjë me qëndrimin individual të secilit shtetet anëtar, nga i cili kërkohet që
të deklarohet lidhur me çështjen e pranimit.

Formulimi “anëtarësimi në Kombet e Bashkuara është i hapur për të gjitha shtetet e tjera paqedashëse,
që ...” është interpretuar nga Gjykata si tregues se shtetet që i plotësojnë kushtet e sipërthëna disponojnë
me kualifikimet e kërkuara për pranim. Me fjalët e Gjykatës, “kuptimi i natyrshëm i fjalëve të përdorura
çon në përfundimin se këto kushte përbëjnë një listë përfundimtare dhe nuk janë përdorur thjesht si
udhëzues ose shembull. Dispozita do të humbiste domethënien dhe peshën, nëse do të mund të
kërkoheshin kushte të tjera, të palidhura me ato që janë përcaktuar. Kushtet e shprehura në paragrafin 1 të
nenit 4 duhet rrjedhimisht të shihen jo thjesht si kushte të nevojshme, por gjithashtu edhe si kushte që
mjaftojnë.”

Ndonëse Gjykata është e qartë në mendimin për karakterin e plotë të kushteve të përcaktuara në nenin 4 të
Kartës, duhet pasur parasysh, megjithatë, pjesën mbase më delikate të mendimit për diskrecionin politik
të shteteve në verifikimin e kushteve të kërkuara për anëtarësim. Gjykata vlerëson se karakteri i plotë i
paragrafit të parë të nenit 4 nuk e parandalon vlerësimin e rrethanave të atilla të faktit që do të
mundësonin verifikimin e kushteve të kërkuara. Në vlerësimin e plotësimit nga një kandidat të pesë
kritereve të identifikuara më lartë, një shtet anëtar i Kombeve të Bashkuara, që voton për aplikimin, sipas
Gjykatës, mund të marrë parasysh “çfarëdo faktori, i cili ka mundësi që në mënyrë të arsyeshme dhe në
mirëbesim të lidhet me kushtet e përcaktuara në atë nen [nenin 4]. Marrja parasysh e këtyre faktorëve
është e nënkuptuar në natyrën shumë të gjerë dhe shumë elastike të kushteve të përcaktuara; asnjë faktor
relevant ... nuk përjashtohet.”

Ndonëse liria e vlerësimit të një shteti që voton del të kufizohet nga karakteri i plotë ose shterues i
kushteve të përcaktuara qartë për anëtarësim, Gjykata e lejon mundësinë për një liri të gjerë vlerësimi në
vendimmarrje. Me fjalë të tjera, kjo liri vlerësimi duhet të jetë në funksion të parametrave të përcaktuar
nga Gjykata për të drejtën e një shteti për të mbështetur ose refuzuar një kandidat, dhe duhet të ushtrohet
në mënyrë të arsyeshme dhe në mirëbesim. Por, gjerësia dhe elasticiteti i madh i natyrës së kushteve të
përcaktuara, siç është konceptuar nga Gjykata, është një diçka që, me fjalët e Hersch Lauterpacht (1958:
148), megjithatë e bën mendimin e Gjykatës “më pak vendimtar sesa që mund të duket në shikim të
parë.”

Lidhur me pjesën e dytë të pyetjes së Asamblesë së Përgjithshme për Gjykatën, se a mundet një shtet
anëtar, i cili ndonëse pranon se kushtet e përcaktuara në nenin 4 janë përmbushur nga shteti në fjalë, të
kushtëzojë votën e vetë pozitive me kushtin shtesë që shtetet e tjera të pranohen në anëtarësi në Kombet e
Bashkuara bashkë me atë shtet, Gjykata po ashtu ka dhënë përgjigje negative. Mbështetur në rregullin që
Gjykata ka aplikuar në interpretimin e nenit 4, një kërkesë e tillë, sipas Gjykatës, përbën një kusht të ri.
Për më tepër, kjo paraqet për Gjykatën një kategori të re nga kushtet e kërkuara, pasi e kushtëzon
pranimin, jo me kushtet që kërkohen për anëtarësim dhe të cilat duhet të përmbushen, por me kërkesa
jorelevante që lidhen me shtetet e tjera, e jo me shtetin aplikant. Përfundimisht, Gjykata ka qenë e
mendimit se një shtet anëtar i Organizatës, i cili pranon se kushtet e kërkuara për anëtarësim janë
përmbushur nga një shtet i caktuar, nuk mund ta kushtëzojë votën e vet pozitive me kushtin shtesë që
shtete të tjera të pranohen në Kombet e Bashkuara bashkë me atë shtet.
III. Kompetenca e Asamblesë së Përgjithshme dhe e Këshillit të Sigurimit në vendimmarrjen për
pranimin e një anëtari të ri

Në mungesë të gjetjes së një formule praktike dhe funksionale për të tejkaluar situatën e krijuar nga
dallimet e theksuara ideologjike të kohës në nivel botëror, rreth pesë vite përpara arritjes së një
marrëveshjeje politike ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik, Gjykatës i është kërkuar,
sërish nga Asambleja e Përgjithshme, një mendim tjetër këshillëdhënës (rasti Kompetenca e Asamblesë).
Pyetja përpara Gjykatës ka qenë nëse Asambleja e Përgjithshme, si e vetme, mund të marrë vendim për
pranimin e një shteti në Kombet e Bashkuara kur Këshilli i Sigurimit nuk ka paraqitur rekomandim për
pranim, për arsyen që kandidati nuk ka marrë shumicën e nevojshme ose për shkak të votës negative të
një anëtari të përhershëm në një rezolutë për rekomandimin për pranim.

Gjykata (me një shumicë prej 12 votave me 2) është shprehur se nuk ka asnjë dyshim në kuptimin e
tekstit të paragrafit 2 të nenit 4 të Kartës, i cili lexon: “Pranimi i një shteti të tillë si anëtar i Kombeve të
Bashkuara bëhet me rekomandim të Këshillit të Sigurimit dhe vendim të Asamblesë së Përgjithshme.” Me
fjalët e Gjykatës, ky paragraf “kërkon dy gjëra për të bërë pranimin: një ‘rekomandim’ të Këshillit të
Sigurimit dhe një ‘vendim’ të Asamblesë së Përgjithshme. Është në natyrën e gjërave që rekomandimi
duhet të vijë përpara vendimit. Fjala ‘rekomandim”, dhe fjala ”me” përpara saj, nënkupton idenë se
rekomandimi është themeli i vendimit për pranim, dhe se ky i fundit [vendimi] mbështetet në
rekomandim. Të dy këto veprime janë të patjetërsueshme për të formuar vlerësimin e Organizatës, të cilit
i referohet paragrafi i mëparshëm i nenit 4.”

Pas analizës së tekstit të paragrafit 2 të nenit 4, strukturës së Kartës së OKB-së, dhe veçanërisht
marrëdhënieve të krijuara nga kjo Kartë ndërmjet Asamblesë së Përgjithshme dhe Këshillit të Sigurimit,
Gjykata vjen në përfundimin se Asambleja e Përgjithshme mund të vendosë për pranimin e një shteti të ri
anëtar vetëm mbi bazën e rekomandimit të Këshillit të Sigurimit, prandaj edhe mendimi përfundimtar i
Gjykatës se, “pranimi i një shteti në anëtarësi në Kombet e Bashkuara, sipas paragrafit 2 të nenit 4 të
Kartës, nuk mund të bëhet me një vendim të Asamblesë së Përgjithshme kur Këshilli i Sigurimit nuk ka
paraqitur rekomandimin për pranim, për arsyen që kandidati nuk ka marrë shumicën e nevojshme ose për
shkak të votës negative të një anëtari të përhershëm në një rezolutë për rekomandimin për pranim.”

IV. Procesi praktik për anëtarësim në OKB

Përveç shqyrtimeve që lidhen me aspektet e përmbajtjes dhe të procedurës së vendimmarrjes për pranimin
e një shteti të ri anëtar, një paraqitje e procesit praktik të pranimit të një anëtari të ri në OKB mund të jetë
e nevojshme për të krijuar një ide më komplete të temës së diskutuar. Rregullat e procedurës së
Asamblesë së Përgjithshme (kapitulli XIV për pranimin e shteteve të reja në Kombet e Bashkuara) dhe të
Këshillit të Sigurimit (kapitulli X: Pranimi i shteteve të reja) përcaktojnë procedurat praktike të
anëtarësimit që një shtet aplikant duhet t’i ndjekë. Si fillim, shteti që aplikon për anëtarësim ia dorëzon
aplikimin Sekretarit të Përgjithshëm. Ky aplikim duhet të përmbajë një deklaratë, të bërë në formën e një
instrumenti formal, me të cilin i pranon detyrimet që dalin nga Karta e OKB-së. Sekretari i Përgjithshëm i
dërgon një kopje të aplikimit Asamblesë së Përgjithshme dhe Këshillit të Sigurimit.

Pas pranimit të kopjes së aplikimit nga Sekretari i Përgjithshëm, Këshilli i Sigurimit e shqyrton aplikimin
në një takim të mbyllur formal dhe e miraton agjendën që rëndom emërtohet si “Pranimi i Anëtarëve të
Rinj.” Në këtë seancë të parë, Këshilli zakonisht pajtohet që aplikimi të përcillet nga Presidenti i Këshillit
te një Komitet i Këshillit të Sigurimit. Komiteti për Pranimin e Anëtarëve të Rinj përbëhet nga
përfaqësuesit e 15 shteteve anëtare të Këshillit të Sigurimit dhe është njëri prej komiteteve të përhershme
të Këshillit.
Komiteti për Pranimin e Anëtarëve të Rinj e shqyrton aplikimin dhe i raporton Këshillit të Sigurimit për
përfundimet e tij jo më vonë se 35 ditë përpara një sesioni të rregullt të Asamblesë së Përgjithshme ose jo
më vonë se 14 ditë përpara një sesioni të posaçëm të Asamblesë së Përgjithshme. Viteve të fundit praktika
ka qenë që Këshilli e ka përmbyllur shqyrtimin më shpejtë. Për shembull, intervali në mes të takimit të
parë të Këshillit për shqyrtim të aplikimit, takimit të Komitetit dhe takimit të dytë të hapur të Këshillit, ku
Këshilli e miraton rekomandimin e tij për Asamblenë e Përgjithshme ka qenë shpesh brenda një periudhe
prej 24 orësh.

Pasi anëtarësimi është një çështje substantive, nëntë nga pesëmbëdhjetë anëtarët e Këshillit, përfshirë të
pesë anëtarët e përhershëm, duhet të pajtohen me pranimin e shtetit të ri, ose me fjalë të tjera, kur asnjë
prej anëtarëve të përhershëm që e kanë të drejtën e vetos nuk votojnë kundër. Abstenimi në praktikën e
Këshillit—siç është afirmuar edhe në jurisprudencën e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (shih rastin
e Namibisë)—nuk konsiderohet si votë kundër. Për shembull, përkundër abstenimit të Republikës
Popullore të Kinës në rastin e votimit në Këshill të Sigurimit për aplikimin e Tuvalu-s për anëtarësim në
OKB (si shenjë kundërshtimi ndaj faktit se Tuvalu kishte marrëdhënie diplomatike me Taiwanin),
Këshilli i ka rekomanduar Asamblesë së Përgjithshme pranimin e Tuvalu-s. Ky rast mund të merret si një
dëshmi se kriteret e përcaktuara në nenin 4(1) të Kartës për pranimin e anëtarëve të rinj, megjithatë, kanë
qenë vendimtare në raport me konsideratat politike të një anëtari të përhershëm. Në një rast tjetër,
relativisht të ngjashëm, ndonëse fillimisht, më 1975, është përdorur vetoja nga Shtetet e Bashkuara të
Amerikës ndaj aplikimit të Angolës për anëtarësim (si rezultat i pranisë së vazhdueshme ushtarake të
Kubës dhe ndikimit të saj në Angolë), herën tjetër, në vitin pasues, Shtetet e Bashkuara kanë abstenuar
nga votimi, gjë që i ka hapur rrugë pranimit të shpejtë të mëpastajmë në Kombet e Bashkuara.

Në rast se Komiteti i Këshillit të Sigurimit për Pranimin e Anëtarëve të Rinj rekomandon pranimin, ai
zakonisht i paraqet Këshillit të Sigurimit një projektrezolutë, e cila rekomandon pranimin e shtetit të ri për
shqyrtim nga Asambleja e Përgjithshme. Në rast se Këshilli i Sigurimit rekomandon pranimin,
rekomandimi i paraqitet Asamblesë së Përgjithshme për shqyrtim. Këshilli nuk mund të bëjë
rekomandimin e tij më pak se 25 ditë përpara një sesioni të rregullt të Asamblesë së Përgjithshme ose më
pak se 4 ditë përpara një sesioni të posaçëm. Sidoqoftë, në rrethana të veçanta, Këshilli mund të injorojë
ose anulojë këto kufizime kohore. Më se voni kjo ka ndodhur në vitin 2000, kur Këshilli ka anashkaluar
këto kufizime kohore për Tuvalu-n dhe Republikën Federale të Jugosllavisë, në mënyrë që aplikimet e
tyre të mund të shqyrtoheshin nga sesioni i 55-të i Asamblesë së Përgjithshme.

Një shumicë prej dy të tretave (2/3) të anëtarëve të pranishëm dhe që votojnë është e nevojshme në
Asamblenë e Përgjithshme për pranimin e shtetit që aplikon për anëtarësim. Anëtarësimi bëhet efektiv në
datën e miratimit të rezolutës për pranim.

Në rast se Këshilli i Sigurimit vendos që të mos e rekomandojë pranimin e shtetit të ri ose e shtyn
shqyrtimin e aplikimit, ai duhet t’ia dorëzojë një raport të posaçëm Asamblesë së
Përgjithshme. Asambleja e Përgjithshme e shqyrton këtë raport dhe e kthen aplikimin te Këshilli i
Sigurimit bashkë me një procesverbal të plotë të diskutimeve të tij për shqyrtim të mëtejshëm dhe
rekomandim.

Si çështje e informacionit faktik, duket me vlerë të thuhet për fund se, pasi një kërkesë është pranuar dhe
futur në agjendën formale të organeve përkatëse, edhe në rastet e jashtëzakonshme kur një kërkesë për
pranim është kundërshtuar fillimisht, pranimi është bërë në kohën e duhur, dhe në shumicën e rasteve, pas
vetëm një vonese të shkurtër. Në kontekst të pranimit të 142 shteteve të reja në Kombet e Bashkuara që
nga viti i themelimit të organizatës më 1945, është interesante të observohet se asnjë kërkesë nuk është
refuzuar përfundimisht, dhe votat kundër në Asamble të Përgjithshme për pranimin e anëtarëve të rinj
kanë qenë të pakta.
V. Përfundimi

Përfundimi, siç mund të lexohet dhe kuptohet edhe nga interpretimi ligjor i Kartës nga Gjykata
Ndërkombëtare e Drejtësisë, e konfirmon hipotezën se anëtarësimi i shteteve të reja në OKB është subjekt
i gjykimit të organizatës, dhe se diskrecioni i shteteve, sidomos i anëtarëve të përhershëm, nuk është
formalisht i pakufizuar. Diskrecioni i tyre, ndonëse i mundshëm në verifikimin e kritereve të kërkuara për
anëtarësim, kufizohet nga lista e pesë kushteve për pranim të një aplikanti (të jetë shtet; të jetë
paqedashës; të marrë përsipër detyrimet e Kartës; të jetë i aftë të përmbushë këto detyrime; dhe të jetë i
vullnetshëm ta bëjë këtë), që vetëpërvete është e kufizuar dhe e plotë. Megjithatë, jo vetëm që është
deklaruar shprehimisht nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në rastin e Kushteve të Pranimit, por
edhe vetë praktika e shteteve ka vënë në pah natyrën shumë të gjerë dhe shumë elastike të këtyre
kushteve, gjë që e bën vijën ndarëse ndërmjet ushtrimit të lirisë së vlerësimit në mënyrë të arsyeshme dhe
në mirëbesim dhe në mënyrë të paarsyeshme dhe në keqbesim tejet delikate dhe ngandonjëherë të
turbulltë. Në praktikë, prandaj, ka pasur raste kur anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit i kanë
përligjur vendimet e tyre refuzuese, duke ofruar interpretime shumë të gjera të mungesës së ndonjërit prej
këtyre kushteve. Në cilindo rast, sigurimi për mosushtrim negativ të së drejtës së votës nga anëtarët e
përhershëm të Këshillit mbetet sfida qendrore (me supozimin që votat e nevojshme pozitive janë
siguruar). Në anën tjetër, ushtrimi i lirisë së vlerësimit të pesë kritereve për anëtarësim në mënyrë të
arsyeshme dhe në mirëbesim mbetet shpresa kryesore.

You might also like