You are on page 1of 3

Shpalosja e vuajtjeve njerëzore përmes instrumentit frymor

Instrumentet frymore asnjëher nuk i janë ndarë lirikës, madje duket se ato i kanë dhënë
frymën kësaj gjinie hyjnore e cila të bën të nxjerrësh sheshit gjërat e brendshme, ato gjëra
që në mënyrë orale dhe në një gjendje të qetë shpirtërore, nuk do ja thoje askujt. Nuk dihet
nëse këngëtari anonim e krijoi lirikën kur e kishte në dorë edhe instrumentin frymor, apo
këtë kombinim e bëri diçka më vonë , por ndjenjat e poetëve gjatë gjithë historisë së
letërsisë, kanë treguar se ky kombinim ka qenë frytdhënës. Kështu lirika dhe instrumenti
frymor të lidhura në mes vete, ndoshta që nga ngjizja, kanë ngacmuar përherë ndjenjat e
poetëve në vende dhe periudha të ndryshme, duke e bërë instrumentin frymor, subjekt
shprehës të poezisë. E poezia , shprehje me të cilen që nga lashtësia është emërtuar gjithë
krijimtaria letrare, ka ardhur deri në ditët tona e ndikuar dhe e përcjellur nga brezi në brez ,
fillimisht me anë të shprehjes gojore , e më pas edhe nëpërmjet veprave të shkruara. Kështu
shkrimtarët kanë krijuar të ndikuar qoftë nga krijuesit bashkëkombas qoftë nga krijuesit e
vendeve të tjera , madje jo vetëm të kohëve dhe periudhave të njejta , por edhe të atyre të
ndryshmeve.

Në poezitë ‘’ Fyelli’’ dhe ‘’ Kënga e fyellit’’, poetët Naim Frashëri dhe Dalan Shapllo kanë
zgjedhur që përmes ‘’ligjërimit’’ të fyellit , këtij instrumenti melankolikë, t’i shpalosin
dhembjet dhe vuajtjet që ju shkakton largimi nga vendlindja. Që të dy poetët në vargjet e
poezive shqyrtojnë materialin e ndërtimit të fyellit dhe këtë nuk e bëjnë për të na treguar se
nga çka apo si ndërtohet ai , por për të na treguar ndarjen e pjesës nga tërësia, ndarje që
shkakton dhembje dhe vuajtje. Dhe kjo ndarje nga tërësia i jep tingullin pikëllues e të
dhimbshëm fyellit, ashtu sikurse poetëve ,që ndarja nga të afërmit, ju ka dhënë ligjërimin
pikëllues e të dhimbshëm.

Mërgimi në dheun e largët dhe pikëllimi që shkakton jeta larg vendlindjes, paraqesin
pikëtakimin kryesor të këtyre dy poezive, të cilat në strukturen e përgjithshme krijojnë edhe
pikëtakime të tjera, si vuajtjen e përbashkët të të gjithë të mërguarëve, gjendja shpirtërore
pa prehje, vaji etj. Në të dy poezitë ndjehet trishtimi i të jetuarit larg vendlindjes, aty ku
gjithçka të duket e huaj dhe asgjë nuk ta ngroh zemrën. Ndonëse vargjet e poezive na
tregojnë se ka shumë të tillë dhe që ndoshta si qenie me vuajtje të njejta përpiqen të
afrohen me njëri –tjetërin dhe të krijojnë një lloj socializimi, prap se prap kjo bëhet e
pamundur, ndoshta për shkakun se ata ,megjithatë janë njerëz të huaj, me të cilët nuk mund
t’i thuash të gjitha dhe ti zbulosh qoshet e thella të zemrës. Te ‘’ Fyelli’’ kemi shprehjen ‘’
bota më dëgjon ... zjar’ e brendëshmë s’ m’ a njohin’’, ndërsa te ‘’ Kënga e fyellit’’ kemi
shprehjet ‘’ Në shpirtin e fsheht’e të shenjtë s’ka hyrë dot gjer tani’’ dhe ‘’ njeriu
zemërngrirë, të fshetat e shpirtit s’i di’’. Është e qartë se kuptimi i sekreteve shpirtërore dhe
dëshirave është i vështirë, por ai vështirësohet edhe më tepër kur jeton në një rreth të
huaj, të cilët nuk arrijnë deri te ato sekrete apo për më tepër edhe nuk duan të arrijnë,
sepse interesimi i tyre është tjetërfare.
Vargjet e të dy poezive janë të përcjellura me shumë vuajtje njerëzore dhe paraqesin
shpirtëra të trazuar që asnjëher nuk gjejnë prehje dhe kjo për faktin se kanë humbur shokët
miqtë , të afërmit të cilët në mënyrë ngushëlluese përpiqen t’i gjejnë te fyelli, zëri apo
rrënkimi i të cilit është zjarr që të djeg dhe jo erë e lehtë që të freskon. Fuqia e tingullit të
fyejve, të dy poezive , është e madhe dhe prekëse njëkohësisht, ndërsa tingulli i tij na bën të
ndiejmë dhimbjen njerëzore të shkaktuar nga jeta larg vendlinjes, jetë kjo që zërin e fyellit e
shndërron në vaj ndërsa poetin në një figurë që flijohet, të cilin te poezia ‘’ Fyelli’’ madje e
gjejmë edhe në aktin e vetëlëdimit, që vie si nevojë e domosdoshme e zbukurimit të
tingullit, përkatësisht këngës.

Poezitë ‘’ Fyelli’’ dhe ‘’ Kënga e fyellit’’ përveq pikëtakimeve të tyre, na shfaqin edhe
dallimet të cilat madje i hasim qysh në strukturen e tyre. Fyelli është i shkruar në strofa
katërshe, vargjet janë të rimuara, ndërsa skema e rimës është e tipit abab. Në dy prej
storfave të poezisë Naimi ka përdorur figurën e anaforës për të shprehur ndjenjat. Poezia
‘’ Kënga e fyellit’’ është e krijuar me distikt të rimuar, me varg gjashtëmbëdhjetë rrokësh, që
del si dyfishim i tetërrokshit, varg me të cilin Naim Frashëri kishte shkruar poemën ‘’ Bagëti
e bujqësia’’.

Përmenda më herët se të dy poezitë trajtojnë brenda vargjeve materialin e ndërtimit të


instrumentit, por në këtë aspekt Shapllo mjaftohet vetëm me prerjen e drurit nga bariu,
ndërsa Naimi e shtjellon diçka më thellë këtë proces, duke përmendur edhe vrimat, në
trupin e subjektit , të cilat ndonëse kanë shkaktuar dhimbje , kanë qenë të domosdoshme
sepse vetëm në këtë mënyrë funksioni i fyellit, përkatësisht poetit bëhet i plotëfuqishëm.
Pra poeti për të realizuar sa më mirë krijimin e tij artistik duhet të sakrifikoj edhe nga
mbrendia e tij dhe ti nxjerr para të tjerëve problemet , ndonëse ato ndonjëher mund të
shkaktojnë edhe vuajtje.

Kontradikta bëhet pjesë e poezisë ‘’ Fyelli’’, kur uni shprehës i saj , ndonëse është shok me
botën e gëzuar , prap se prap ndjen mallëngjim dhe zemrën e ka të helmuar, ndërsa
elementi kontradikor nuk është shumë i shprehur te poezia ‘’ Kënga e fyellit’’ e cila në disa
elemente shprehëse në vargjet përmbyllëse, shfaqet më tokësore. Këtu ndjenjen e tij poeti
e shpreh ndaj dashurisë, të cilën e fton afër, sepse e çmon si një frymëzim hyjnor dhe do ta
ketë tërë jetën si udhërrëfyes të këngës. Në anën tjetër Naimi, në vargjet përmbyllëse prek
çështje metafizike të krijimit njerëzor, ku rolin primar sipas poezisë, e ka shkëndija e zjarrit,
që është më meritorja për krijimin e racës njerëzore.

Në dy poezitë , krijuesit shfaqen të pakënaqur me mënyren e të jetuarit dhe me vendet ku i


kishte degdisur fati njerëzor, por asnjëri nga ata nuk shfaqin paknaqësi ndaj jetës, të cilën
megjithatë e duan dhe e çmojnë si një gjë të shenjtë. Kështu që të dy e kerkojnë kuptimin e
saj në një formë më ndryshe. Te poezia ‘’ Fyelli’’ Naimi , e kërkon këtë mirësi nga zjarri , si
një produkt i drejtpërdrejtë i Zotit, i cili krijoi nënproduktin e tij jetën, ndërsa te poezia ‘’
Kënga e fyellit’’, Shapllo këtë mirësi e kërkon nga qenia njerëzore, përkatësisht nga e
dashura e cila do ta mbushte me frymëzimin jetësor.
Ligjërimi pikëllues, jeta në vend të huaj , ndarja nga tërësia, bashkimi i fateve të hidhura
njerëzore, vaji , trishtimi njerëzor por edhe shpresa për një jetë më ndryshe në të ardhmen
janë elemente që përafrojnë këto dy poezi, në anën tjetër struktura e ndërtimit, trajtimi më
i hollësishëm i disa gjërave qoftë në njërën apo poezinë tjetër, besimet që shpalosin poetët
në fenomene të ndryshme , qoftë hyjnore qoftë njerëzore janë disa nga karakteristikat e
ndryshme që shfaqin Naim Frashëri dhe Dalan Shapllo nëpërmjet poezive ‘’ Fyelli ‘’ dhe ‘’
Kënga e fyellit’’

You might also like