You are on page 1of 14

TEZA 1

Poradeci Kur në flakë


Kur në flakë të qiririt ze mendohem net-për-net
Dh’e ndjej shpirtin e kulluar nëpër dritën që më tret
Prej skëterrës së pa matë më del bot’ e ëndërruar,
Vetëm ti, o im-e dashur net-për-net më ri larguar.
Po çdo ëndërr që më çfaqet prej skëterrës së pafund,
Çdo mendim i llaftaruar që më dhemb e më përtund,
Dyke rënë prej së lartash posi pikë zembërate
T’i përshkohet për-së-felli bukuris’ së qenies sate.
T’i përshkohet mes-për-mezi dlirtësis’ së shpirtit tënd,
Ta merr pamjen e fytyrës, bëhet shkronjëz e kuvënd.
Ay del prej shkretëtire mënt’ e mi të m’i stolisë
E ka tingëll llaftarie, ka verbimin e magjisë,
Ndrin i kthíellt e i pastër si pasqyrëz’ e një kroj
E nër të fytyrën t’ënde t’a vështroj…nuk t’a vështroj…
O! fytyr’ e vjershëruar që më mbush me dëshërime!
Q’i fal gas përjetësie dashuris’ së zemrës s’ime!
Që më bën kur mënt’ e mija regëtijnë varg e varg
Të të ndjej aq fare pranë, të më jesh aq shumë larg.

1. Gjendja shpirtërore e unit lirik në vargjet e mësipërme shpaloset përmes kontrastit:

A) dashuri/vuajtje;

B) fitore/humbje;

C) optimizëm/pesimizëm;

D) trishtim/ngushëllim.

2. Në vargun: Po çdo ëndërr që më çfaqet prej skëterrës së pafund, simboli i skëterrës lidhet me:

A) errësirën e natës si proces natyror;

B) errësirën e pushtimit të zemrës nga dashuria;

C) ngjyrën e errët të kujtimeve të trishta;

D) thelbin e natyrës njerëzore (pavetëdijen).

3. Sipas poetit rruga e bashkimit të shpirtrave të kulluar e të dëlirë sigurohet përmes:

A) ëndrrës (si gjendje që i paraprin realitetit);

B) fjalës së poezisë (si model i procesit krijues);

C) magjisë (si fenomen i mbinatyrshëm);

D) perëndisë (si krijuese e universit).


4. Cilat janë shqisat që ngacmohen më së shumti në këtë poezi?

Duke qenë se pyetja kërkon “shqisat” dhe jo “shqisën”, përgjigjja e saktë është:
Shqisat që ngacmohen më së shumti në poezi, janë ato të të parit dhe të të dëgjuarit.

5. Si e perceptoni portretin e femrës, të sjellë nga Lasgushi në poezinë e mësipërme?

Në këtë poezi portreti femëror është abstrakt e i paprekshëm, nuk është konkret, femra
është më shumë shpirt sesa trup.

6.

a) Zbërtheni nëntekstin që mbart titulli i poezisë.

Simboli i shfaqur që në titull, vjen jo vetëm si kuptim i dashurisë (që djeg e tret
shpirtin e autorit, po aq sa e lumturon atë), por edhe si kuptim i frymëzimit për
krijimin artistik (i cili shkakton dhembje shpirtërore, po aq sa i fal gazin e përjetësisë
atij)

b) Kandili është marrë nga folklori si shprehje e simbolikës së jetës. Cili është kuptimi origjinal që i jep
Lasgushi këtij simboli në poezi?
Kuptimi origjinal lidhet me flakën e dashurisë për vashën a për poezinë që e djeg së
brendshmi poetin, lidhet me dhimbjen, dashurinë, brengën, mallin.

7. Zbuloni detajin që autori e merr nga natyra, për të krijuar një imazh të caktuar në këtë poezi.
Cila është figura stilistike e krijuar? Interpretoni imazhet që ju zgjohen nga ky përdorim.

Detaji i marrë nga natyra: kroi.


Figura: krahasimi. (Ndrin i kthíellt e i pastër si pasqyrëz’ e një kroj).
Interpretimi: imazhi i krijuar lidhet me pastërtinë, qartësinë, rrjedhshmërinë,
lëvizjen që përkon më lëvizjet shpirtërore të unit lirik.

8. Identifikoni një veçori të formës së lirikës së Poradecit, duke ilustruar me vargje nga poezia.

Përgjigjja për pyetjen lidhet vetëm me tipare të formës së poezisë (struktura e poezisë,
vargu, strofa, rima, figura), jo me çështje ideore a përmbajtësore. Pra, përsa i takon
formës, lirika e Poradecit shquhet për:
 organizimi i poezisë bëhet mbi figurën e simbolit (simboli i flakës, skëterrës);
 ndërtimi i figurës, apo imazhit që krijon mjedisi, realizohet duke u frymëzuar nga
modeli i krijimtarisë popullore;
 struktura e poezive ndjek sistemin piramidë (emocioni i brendshëm lëviz sipas
strukturës së poezisë në formën e një piramide). Kulmi i piramidës në këtë poezi
vjen në strofën e tretë;
 një numër fjalësh ndahen me vizë në mes (ndikojnë në ritmin e poezisë, shtrijnë
vargun dhe japin idenë e lëvizjes);
 epitetet janë tipike lasgushiane: psh: mendim i llaftaruar, tingëll llaftarie, fytyr’ e
vjershëruar, gas përjetësie (ato krijojnë imazhe që lidhen me ndjenja bipolare të unit
poetik, ku dashuria është njëkohësisht dhimbje, vuajtje etj.);
 organizimi i rrokjeve, ritmit e rimës ndjek modelet e poezisë së Naimit.

TEZA II
LASGUSH PORADECI
Kënga pleqërishte
O këngë pleqërishte! Ti vjersh’ e Vendit t’em!
Ti fjalë që më dhimsesh e që më bën ujem!
Tashi jam dëshëruar së largu të më vish:
Dëgjoju, as dëgjoju! moj këngë pleqërish!
...Në hije të kasolles që nxin atje mi mal,
J-a nis me zë të shtruar...j-a merr më dal-nga-dal...;
J-a thua më të dhembshur...j-a thua më të qarë...,
J-a derdh e përvëluar...j-a zjen... e ja heq zvarë...
Pastaj fillon të ngrihesh, e nis e j-a thërret:
Dh’aq letë- e ngreh së poshti...aq fort e shpje përpjet...,
Aq dyke mërmëruar me zë të parpalitur
Rënkimi –i zemrës s’ate ronitet më të ngjitur...,
Sa... që nga lartësira ku vate fluturoj...,
Me sulm e ulërimë këputet si përroj...
E rrjeth për tatëpjetë prej kulmit qielluar
Si breshër i thërrmuar...si lot i përvëluar...
Pastaj të shuhet zëri...e rrihesh... edhe vdes:
Mjerimi-i vetëvetes të thjevi mes–për-mes:
Së felli-e pa mëshirë të thjevi dhembja jote,
Dëshir’ e varfëruar e Këngës magjiplotë!
O këngë pleqërishte! O vjersh’ e Vendit t’em!
O fjalë që më dhimsesh, e që më bën ujem!
O mall! O psherëtimë! O vajë! – O lot i zi!
O shpirt i përvëluar që qan nër syt’ e mi!
Si ngrihet që nga deti një valë- e dëshëruar:
Nga fund’ i zemrës s’ate ti ngrihesh dyke vuar;
E prapë posi vala, që bje së-rish në det:
Ti bje në fellësirën e zemërës së vet.

1. Kjo poezi bën pjesë në:


A) lirikën filozofike
B) lirikën e peizazhit
C) lirikën erotike
D) lirikën shoqërore

2. Ç’funksion luan përdorimi i foljeve nis, merr, thua, në strofën e dytë?


A) Krijon efekte simbolike.
B) Shërben si refren i poezisë.
C) Krijon imazhin e fazave të këngës polifonike.
D) Krijon përshtypjen e trokitjes së hapave në kalldrëm.

3. Është fjalë e krijuar nga Lasgushi (neologjizëm):


A) mjerimi
B) psherëtima
C) qielluar
D) kënga

4. Cili nga çiftet e mëposhtme krijon antonimi të kontekstit poetik?


A) që më dhimsesh - që më bën ujem
B) pastaj fillon të ngrihesh – pastaj të shuhet zëri
C) j-a nis me zë të shtruar - j-a merr më dal-nga-dal
D) të thjevi dhembja jote - pastaj të shuhet zëri

5. Imazhi i valës së detit në fund të poezisë është përdorur për të treguar:


A) procesin dinamik të krijimit.
B) egërsinë dhe butësinë e detit.
C) misterin që mbart deti në vetvete.
D) lidhjen e përjetshme midis valës dhe bregut.

6. Cili nga vargjet e mëposhtme shërben si lajtmotiv i poezisë?


A) O fjalë që më dhimsesh, e që më bën ujem!
B) O këngë pleqërishte! Ti vjersh’ e Vendit t’em!
C) Dëgjoju, as dëgjoju! moj këngë pleqërish!
D) O mall! O psherëtimë! O vajë! – O lot i zi!

7. Pse poeti, si dhe te Vdekja e Nositit, e përjeton procesin krijues si shumë të dhimbshëm e të
mundimshëm? Mendimin tuaj ilustrojeni me detaje nga fragmenti.
• Kjo dhimbje buron nga vetë përkushtimi për artin. Akti i krijimit është i vështirë por i bukur.
• Dhimbja prodhon të bukurën, poezinë dhe është pjesë e shpirtit të tij. Është një proces që kërkon
shumë mund, përkushtim dhe mbi të gjitha dashuri.
• Ilustrime: Mjerimi-i vetvetes të thjevi mes për mes: Këtu vuajtja del në shkallën më të lartë, një
vuajtje madhështore që lidhet me misionin e poetit.
• Detaje të tjera mbështetëse: të thjevi dhembja jote, si lot i përvëluar..., më bën ujem!
ti ngrihesh dyke vuar, vaj, lot i zi, mall, psherëtimë.

8. Shpjegoni si lidhet kënga pleqërishte me vetë poetin. Ç’rëndësi ka kjo këngë për të?

• Poeti njëjtësohet me këngën. Ai ka nevojë për të. Kjo shfaqet që në vargun e parë:
O këngë pleqërishte! Ti vjersh’ e Vendit t’em! Kjo lidhje është në fakt një identifikim i poetit me
vendin, me qenësinë e tij.
• Rëndësia: poeti identifikohet me të dhe thekson vlerën e saj, sepse e di se pa të nuk do të
ekzistonte as kënga e tij origjinale. Thirrjet: këngë, vjershë, mall, psherëtimë, vaj, shpirt i
përvëluar, janë pikërisht shembull i këtij frymëzimi personal, pikërisht te kënga pleqërishte.
Kjo këngë është bërë kënga e re e vetë poetit.

9. Në këtë poezi procesi krijues kalon në tri faza: ngjitje, pikë kulmore dhe zbritje.

• Faza e ngjitjes: Pastaj fillon të ngrihesh, e nis e ja thërret


OSE Rënkimi –i zemrës s’ate ronitet më të ngjitur...
• Pika kulmore: që nga lartësira ku vate fluturoj...,
• Faza e zbritjes: Me sulm e ulërimë këputet si përroj... e rrjedh tatëpjetë
OSE Pastaj të shuhet zëri...e rrihesh... edhe vdes:

10. Zbuloni një metaforë emërore dhe një epitet metaforik, që janë përdorur për të emërtuar
këngën pleqërishte.
• Metafora emërore: këngë pleqërishte, mall, psherëtimë, vajë, lot,...
• Epitet metaforik: shpirt i përvëluar, këngës magjiplotë, zë të përpalitur, dëshir’ e
varfëruar

11. Gjeni në poezi një detaj që krijon efekt pamor dhe një tjetër që krijon efekt dëgjimor.

• Detaj që krijon efekt pamor: mal, lartësi, hije e kasolles, fluturon përroi, breshër, kulmit,
qielluar.
• Detaj që krijon efekt dëgjimor: zë të shtruar, me të qarë, mërmëruar, më të ngjirur, ulërimë,
shuhet zëri, thërret.

12. Në ç’mënyrë është përdorur folja në vargun: Dëgjoju, as dëgjoju! moj këngë pleqërish!
Cili është funksioni i këtij përdorimi?
• Mënyra urdhërore.
• Funksioni: Në këtë përdorim ndihet qartë një thirrje, një përgjërim, një lutje, që kënga të
dëgjohet kudo, të përhapet kudo.
13. Mbi cilën figurë të stilistikës ngrihen katër vargjet e fundit? Interpretoni nëntekstin e këtij
përdorimi.
• Figura e stilistikës: krahasim i zgjatur, similitudë.
• Interpretimi: Kënga pleqërishte është bërë këngë e poetit, gjiri i saj është zemra, del nga fundi i
zemrës, ngrihet dhe kthehet në thellësinë e zemrës, për t’u bërë përfundimisht këngë e saj. I
gjithë ky fenomen është dhënë përmes figurës së valës, e cila ngrihet përpjetë për t’u përplasur
sërish në thellësi të zemrës së vet.

TEZA III
Lasgush PORADECI
Poradeci
Perëndim i vagëlluar mbi Liqerin pa kufir.
Po përhapet dal-nga-dale një pluhurë si një hije.
Nëpër Mal e nër Lëndina shkrumb’ i natës që po bije,
Dyke zbritur që nga qjelli përmbi fshat po bëhet fir...
E kudo krahin’ e gjerë më s’po qit as pipëlim:
Në Katund kërcet një portë...në Liqer heshtë një lopatë...
Një shqiponjë e arratisur fluturon në Mal-të- Thatë...
Futet zemra djaloshare mun në fund të shpirtit t’im.
Tërë fisi, tërë jeta, ra...u dergj...e zuri gjumi...
Zotëroj më katër anë errësira...
Po tashi:
Dyke nisur udhëtimin mes-për-mes nër Shqipëri,
Drini plak e i përrallshëm po mburon prej Shëndaumi.

1. Lirika e Lasgushit i përket letërsisë:


A) humaniste shqiptare
B) klasike shqiptare
C) moderne shqiptare
D) së vjetër shqiptare

2. Ideja e lëvizjes dhe jetës që s’vdes kurrë, në këtë poezi, konkretizohet në


imazhin që krijon:
A) lumi në udhëtimin e tij të pandërprerë.
B) liqeni i përmasave pa kufi.
C) madhështia e maleve dhe e lëndinave.
D) zemra djaloshare por e trazuar e poetit.

3. Antonimi të kontekstit poetik krijon çifti:


A) plak – i përrallshëm
B) natë – errësirë
C) ra – u dergj
D) hesht - kërcet

4. Perëndim i vagëlluar ka kuptimin:


A) perëndim i ndritur
B) perëndim i qetë
C) perëndim i kuq
D) perëndim i mjegullt

5. Kjo poezi është shkruar me varg:


A) 13 rrokësh
B) 14 rrokësh
C) 15 rrokësh
D) 16 rrokësh

6. Në cilin prej vargjeve, përmes një shkallëzimi zbritës, grupi i foljeve jep idenë
e qetësisë?
A) Një shqiponjë e arratisur fluturon në Mal-të- Thatë...
B) Tërë fisi, tërë jeta, ra...u dergj...e zuri gjumi...
C) E kudo krahin’ e gjerë më s’po qit as pipëlim:
D) Në Katund kërcet një portë...në Liqer heshtë një lopatë...

7. Cili nga vargjet e mëposhtëm ka një rend të përmbysur sintaksor?


A) Tërë fisi, tërë jeta, ra...u dergj...e zuri gjumi...
B) Drini plak e i përrallshëm po mburon prej Shëndaumi.
C) Një shqiponjë e arratisur fluturon në Mal-të- Thatë...
D) Nëpër Mal e nër Lëndina shkrumb’ i natës që po bije

8. Përshkruani atmosferën që krijohet në dy strofat e para të kësaj poezie.

Atmosfera që krijohet në dy strofat e para është ajo e paqes dhe qetësisë në një peizazh liqeni,
në kohën kur është në përfundim perëndimi i diellit.

9. Me ç’pjesë të ligjëratës janë formuar metaforat e mëposhtme?

shkrumb’ i natës – metafora është formuar me emër.


jeta u dergj - metafora është formuar me folje.

10.
a) Ç’përfytyrim krijon aliteracioni dhe retiçenca në vargjet e mëposhtme? 2 pikë
Tërë fisi, tërë jeta, ra...u dergj...e zuri gjumi...
Zotëroj më katër anë errësira...
• Retiçenca krijon efektin e qetësisë në mënyrë graduale, deri në heshtje të plotë. Ajo e
fton lexuesin të bëhet pjesë aktive e tekstit e t’i mbushë zonat e bardha të tij me
interpretime dhe emocione personale. Ajo i bashkon në një proces të vetëm grupin e
foljeve, ku përmes një shkallëzimi zbritës, kalon në heshtje të plotë e tërë jeta.
• Aliteracioni: mbizotërojnë bashkëtingëlloret e buta r, t, j, të cilat sërish krijojnë idenë
e zotërimit të heshtjes në mënyrë graduale deri në qetësi të plotë. Ngjan si një
pëshpërimë që shuhet dalëngadalë.

b) Fjala errësira, në këto vargje mund të interpretohet në dy mënyra: të drejtpërdrejtë


dhe të figurshme. Si e kuptoni secilën prej tyre?
errësira si si një çast i ditës – kuptimi i drejtpërdrejtë.
Errësira- në kuptim të figurshëm (metaforik) mund të interpretohet si errësirë në shpirt, si
errësirë e kohës, e vendit që vuan ndarjen etnike dhe mungesën e dëshirës për veprim.

11.
a) Dy vargjet e fundit krijojnë kontrast me pjesën tjetër të poezisë. Cili është thelbi i tij
dhe si do ta interpretonit këtë kundërvënie?
Kontrasti
Ndërsa të gjitha strofat e mësipërme japin idenë e qetësisë, të paqes që zbret dalëngadalë në
natyrë dhe në shoqëri, në dy vargjet e fundit jepet ideja se edhe në qetësinë më të madhe,
edhe atje ku mendojmë se ka vetëm vdekje, lëvizja është e pranishme: ajo është vetë jeta që
s’vdes kurrë dhe që konkretizohet me lumin që buron për të bërë udhëtimin e tij shekullor
E gjitha kjo shfaqet në kontrastin e fortë midis:
U dergj – buron
E zuri gjumi – nisi udhëtimin.

b) Me çfarë lidhet shqetësimi dhe dhimbja e poetit në këto vargje?


Shqetësimi dhe dhimbja poetike lidhet me ndarjen dhe bashkimin e dheut (të lashtë) të të
parëve. Ajo shpreh më qartë dhe më hapur në dy vargjet e fundit.

12. Cilës pjesë të ligjëratës i përket fjala i përrallshëm? Si është formuar ajo?
Zbuloni efektin e shprehësisë që krijon kjo fjalë.
a) i përrallshëm është mbiemër
b) formimi: me prapashtesë dhe paranyjëzim njëkohësisht OSE
i + përrallë + shëm
c) efekti i shprehësisë: krijon idenë e lashtësisë, të fantazisë, të ëndrrave që burojnë nga
thesari popullor.

13. Disa emërtime të përgjithshme vendore poeti i shkruan me shkronjë të madhe.


Gjeni dy prej tyre dhe tregoni arsyen e një përdorimi të tillë.
Emërtime vendore:
Liqeri, Mal, Lëndinë, Katund
Arsyeja është për të përforcuar stilistikisht toponiminë e tyre.
TEZA IV
LASGUSH PORADECI: VALLJA E YJEVE
Yjtë - e ndezur si fëngjill
Që vërtiten pale - palë,
prej mosgjëje zunë fill
Plot me jetë - e mall të valë.
Zunë fill me dashuri
Që kur bota zu të ngjizet,
Pa sikush për shok të ti
Përvëlohet edhe ndizet.
Ndizet ças edhe për ças,
E si kurrë s’ka të shuar,
Pa pushim i vete pas
Me një sulm të llaftaruar.
E sikur nuku mund
Ylli yllin që ta kapë,
Rrotull qiejve pa fund
Venë - e - vinë - e venë prapë…
Do të venë fluturim
Kudo janë - e kudo s’janë,
Nëpër qiell që s’ka mbarim,
As fillim, as fund, as anë.
… Kur po ja! se që përtej
Nditen erërat nga pakë:
Ylli - i zhdukur nëpër qiej
Vtetëtiu e mori flakë:
J - a pat shtënë më një ças’
Mun në mes në kraharuar,
Shoq’ i vet q’i sillej pas
Me një sulm të llaftaruar;
Q’e kish flakën mun në gji,
Q’e zhuritte dashuria,
Që shkëlqente me zili
Rrotull rrezeve të tija.
Yll i mjerë e yll i lum!
Yll i lum e yll i mjerë!
Sapo drita t’u përgjum,
Sheh një shoq nëpër skëterë;
Ay vin… e gjithë vin…
Gjith më pranë …e gjith më pranë …
Sesa ndrin e vetëtin!...
Sesa ndjen një gaz pa anë! ...
Sesi ndritesh përsëri!
Sesi ndizesh përsëpari!
Sesi ndjek me dashuri
posi yll margaritari!...
Dashuri! Heu! mall i ri!
Dashuri! këng’ e durimit!
Ti liri! Ti robëri!
Ti valim i shkrepëtimit!
Yjtë - e ndezur aqe larg.
Lozin vallen e dëshirës
Dyke ndritur varg - e - varg
Nëpër terr të hapësirës
1. Motivi i kësaj poezie, veç atij të dashurisë, është:
A) kozmogonik.
B) i pasjetës.
C) i natyrës.
D) meditativ.

2. Lasgush Poradeci është përfaqësues i:


A) letërsisë së vjetër shqiptare.
B) poezisë tradicionale shqiptare.
C) prozës moderne shqiptare.
D) poezisë moderne shqiptare.

3. Poradeci parapëlqen përdorimn e:


A) personifikimit.
B) metaforës.
C) metonimisë.
D) simbolit.

4. Lirika erotike e Poradecit përfytyrohet si një trajektore që


shkon nga:
A) Toka në Qiell.
B) Toka në Ferr.
C) Ferri në Parajsë.
D) Toka në Përjetësi.

5. Përdorimi i shprehjes “sulm i llaftaruar” në këtë poezi ka të


bëjë me:
A) forcën e goditjes.
B) intensitetin e dashurisë.
C) mllefin e urrejtjes.
D) ritmin e valles.

6. Gjej në tekst foljet që tregojnë lëvizje (p.sh. vërtiten, vinë).


A mendon se ky përdorim është i qëllimshëm? A ndikon
kjo lëvizje në ritmikën e poezisë?

Foljet që tregojnë lëvizje: Venë - e - vinë - e venë, nditen, vete, vin,


ndjek, lozin, Po. Përdorimi është i qëllimshëm, sepse jep imazhin e lëvizjes,
vërtitjes, një lloj energjie, të shkëputjes nga toka etj.
7. Duke patur parasysh krijimtarinë e Poradecit si dhe duke u ndalur në
dy strofat e fundit të këtij fragmenti rendit tri tipare të lirikës erotike
të autorit.
Disa nga tiparet e lirikës së Lasgushit janë:
• dashuria si forcë universale, që mban të lidhur njerëzit në tokë ashtu
si yjet në kozmos.
• dashuria si ndjenjë bipolare, si liri dhe robëri, si gaz e helme, bukuri
e llaftari.
• moderniteti
• muzikaliteti i vargut,
• simbolika
• ndikimi nga folklori (opsionale, nga tërë lirika e Poradecit)
• shkëputja kohore dhe fizike nga objekti i dashurisë,
papërcaktueshmëria e figurës së vashës,
• përqëndrimi më shumë te ndjenja (forca, intensiteti) e dashurisë sesa
te vasha.
• malli si tipar i pandarë i dashurisë.
• fshehtësia
• struktura rrethore

8. Vër re pranëvënien e epiteteve me kuptim të kundërt (yll i mjerë e yll


i lum). Gjej në poezi të paktën tri raste të tjera. Shkruaj arsyen e këtij
përdorimi të veçantë.

as fillim as fund/ Yll i mjerë e yll i lum!/ Yll i lum e yll i


mjerë!/ dashuri…durim/ liri..robëri/ kudo janë e kudo s’janë.
arsyeja e përdorimit është: bipolariteti dhe kompleksiteti i ndjenjës.

9. Gjej në fragment një krahasim dhe një simbol. Shpjego se cili është
roli i aliteracionit në strofën e 11-të.
Krahasimi: si fëngjill ose posi yll margaritari!... etj
Simboli: yjtë, ylli, vallja, etj
Roli i aliteracionit. Përsëritja e bashkëtingëlloreve: s, n, d, r, p
krijon ndjesinë e vezullimit, të ndriçimit, të feksjes së yjeve ku
është sublimuar intensiteti i dashurisë.
Ose krijon muzikalitet, i drejtohet veshit për të dhënë një imazh të
caktuar, atë të forcës së dashurisë, ngarkesës së saj emocionale
Do të pranohen si të sakta edhe përgjigje të tjera, që gjykohen si të
tilla nga komisioni i vlerësimit.

TEZA V
Poradeci Poradeci
Perëndim i vagëlluar mbi Liqerin pa kufir.
Po përhapet dal-nga-dale një pluhurë si një hije.
Nëpër Mal e nër Lëndina shkrumb’ i natës që po bije,
Dyke zbritur që nga qjelli përmbi fshat po bëhet fir...
E kudo krahin’ e gjerë më s’po qit as pipëlim:
Në Katund kërcet një portë...në Liqer hesht një lopatë...
Një shqiponjë e arratisur fluturon në Mal-të- Thatë...
Futet zemra djaloshare mun në fund të shpirtit t’im.
Tërë fisi, tërë jeta, ra...u dergj...e zuri gjumi...
Zotëroj më katër anë errësira...
Po tashi:Dyke nisur udhëtimin mes-për-mes nër Shqipëri,
Drini plak e i përrallshëm po mburon prej Shëndaumi

1. Cila është atmosfera që sugjerohet përmes dy vargjeve të para të kësaj poezie?


A) E paqtë dhe enigmatike.
B) E zymtë dhe melankolike.
C) Entuziaste dhe e hareshme.
D) E trazuar dhe e pikëlluar.

2. Në këtë poezi, Liqeni perceptohet si:


A) element natyror i përmasave të jashtëzakonshme.
B) përgjithësim i liqeneve të atdheut të poetit.
C) përqasje simbolike me shpirtin poetik.
D) alegori e ujërave që rrjedhin në kohë.

3. Ideja e lëvizjes dhe jetës që s’vdes kurrë, konkretizohet në imazhin që krijon:


A) lumi në udhëtimin e tij të pandërprerë.
B) liqeni i përmasave pa kufi.
C) madhështia e maleve dhe e lëndinave.
D) zemra djaloshare, por e trazuar e poetit.

4. Cili është nënteksti i vargut: Futet zemra djaloshare mun në fund të shpirtit tim?
A) Momentet e rënies së natës e burgosin zemrën djaloshare të poetit.
B) Në këtë etapë të jetës ka vdekur djaloshi në shpirtin e poetit.
C) Shpirti i poetit është po aq i pafuqishëm sa edhe trupi, në këtë fazë të jetës së tij.
D) Shpirti i poetit, ndryshe nga trupi, mbetet gjithmonë i ri.

5. Cili nga çiftet e mëposhtme krijon antonimi të kontekstit poetik?


A) plak – i përrallshëm,
B) natë – errësirë,
C) ra – u dergj,
D) hesht – kërcet.

6. Perëndim i vagëlluar ka kuptimin:


A) perëndim i ndritur,
B) perëndim i qetë,
C) perëndim i kuq,
D) perëndim i mjegullt.

7. Cili nga vargjet e mëposhtëm ka një rend të përmbysur sintaksor?


A) Tërë fisi, tërë jeta, ra...u dergj...e zuri gjumi...
B) Drini plak e i përrallshëm po mburon prej Shëndaumi.
C) Një shqiponjë e arratisur fluturon në Mal-të- Thatë...
D) Nëpër Mal e nër Lëndina shkrumb’ i natës që po bije

8. Në vargun: Nëpër Mal e nër Lëndina shkrumb’ i natës që po bije, metafora që i jep ngarkesë
emocionale vargut, është e shprehur me:
A) emër,
B) mbiemër,
C) folje,
D) grup foljor.

9. Lloji i rimës së përdorur në strofën e parë është:


A) e puthur,
B) e alternuar,
C) e përmbyllur,
D) varg i bardhë.

10. Përdorimi i reticencës në vargjet e mëposhtme:


Tërë fisi, tërë jeta, ra...u dergj...e zuri gjumi...
Zotëroj më katër anë errësira...
A) zgjon përfytyrime dëgjimore.
B) nxit përfytyrimin e një procesi në vazhdimësi.
C) është hapësirë e domosdoshme për veçimin e gjymtyrëve homogjene.
D) tregon se kemi të bëjmë me gjymtyrë plotësuese të fjalisë, të hequra qëllimshëm nga poeti.

11. Nisur nga kjo poezi, cili është një nga kuptimet e figurshme të fjalës së nënvizuar në vargun e
mëposhtëm?
Zotëroj më katër anë errësira...
A) Ngjyrat e zeza të natës.
B) Errësira e largimit nga jeta.
C) Errësira e paditurisë.
D) Malli për vendlindjen.

12. Me cilin nga vargjet hyjnë në kontrast dy vargjet e fundit?


A) Po përhapet dal-nga-dale një pluhurë si një hije.
B) Një shqiponjë e arratisur fluturon në Mal-të- Thatë...
C) Dyke zbritur që nga qjelli përmbi fshat po bëhet fir...
D) Zotëroj më katër anë errësira…

13. Disa emërtime të përgjithshme vendore poeti i shkruan me shkronjë të madhe. Cila është një
nga arsyet e këtij përdorimi?
A) Për të vijuar një traditë të hershme të shkrimit të tyre.
B) Për t’i dhënë peshë kuptimore dhe stilistike fjalëve.
C) Për të respektuar rregullat e drejtshkrimit të gjuhës shqipe.
D) Për të dëshmuar se këto mjedise natyrore janë të vetmet në Shqipëri.

14. Në vargun: Dyke zbritur që nga qjelli përmbi fshat po bëhet fir..., togu i nënvizuar ka kuptimin:
A) po tretet,
B) po sundon,
C) po dendësohet,
D) po ngurtësohet.

15. Në cilin prej vargjeve është përdorur krahasimi?


A) Perëndim i vagëlluar mbi Liqerin pa kufir.
B) Po përhapet dal-nga-dale një pluhurë si një hije.
C) Një shqiponjë e arratisur fluturon në Mal-të- Thatë...
D) Dyke zbritur që nga qjelli përmbi fshat po bëhet fir...
TEZA NUK ESHTE PUBLIKUAR POR ME POSHTE JANE PERGJIGJET PERKATESE:

Lasgush Poradeci Zemra e liqerit

Pyetja 13 A
Pyetja 14 C
Pyetja 15 B
Pyetja 16 A
Pyetja 17 B
Pyetja 18 D

Pyetja 19
 Rrafshet kuptimore
 Kuptimi i parë: liqeni në kuptimin e drejtpërdrejtë, liqeni i Pogradecit.
 Kuptimi i dytë: liqeni si vendi shpirtëror, burimi i frymëzimit, zotërues i shpirtit të poetit.

Pyetja 20
Analiza e plotë:
 Atmosfera në dy strofat e para ndërtohet mbi një kundërvënie. Liqeni i qetë është në kontrast me zallin.
Vala e tij e qetë ledhaton zallin e përbujshëm, i cili është i tillë për shkak të lundrave që nisen prej tij.
Fërkimi i fundit të tyre me zallin krijon një zhurmë të ashpër, kërcitëse, e cila bën kontrast me valën e
qetë që thjesht e ledhaton atë (zallin).

Pyetja 21
 Figura e tingëllimit: Vargjet ndërtohen mbi figurën e aliteracionit.
Interpretim i plotë
 Pasqyrimi i liqenit vjen nga poshtë lart, jo qetësisht, por me një shpërthim shndritës. Poeti nuk thotë del,
shfaqet, por buçet, duke na krijuar një imazh të fortë tingullor të asaj që ndodh. Përsëritja e tingujve u,
e, sh, q, n, d krijon pikërisht idenë e forcës, përplasjes, trazimit. Nuk kemi një pasqyrim dosido, por që
vjen zhurmshëm, plot jetë dhe dritë.

Pyetja 22
 Qetësinë e liqenit e prishin njerëzit, lundrat, zhurmat e jetës, vetë jeta që gjallon.
 Detaji: Valë e qetë- por zalli është i përbujshëm; nisen lundrat levorashe.

Pyetja 23
Interpretim i plotë
 Titulli krijohet mbi figurën e metaforës, simbolit.
 Zemra e liqenit përqaset me atë të poetit. Të dyja përjetojnë të njëjtat ndjesi, ngazëllim, vuajtje, trazim.
 Liqeni simbolizon edhe shpirtin e poetit, që vuan e gëzon me ritmin natyror të liqenit dhe ritmin e
zhurmshëm të jetës.
 Liqeni-poeti, zemra e liqenit është shpirti i poetit.

Pyetja 24
 Përcaktimi i gjendjes emocionale:
 Gjendja emocionale e poetit vjen komplekse; e trazuar, shpërthyese, ritmike etj.
Analiz e plotë
 Kënga e trazuar e poetit njejtësohet me ritmin e thellë, të trazuar të liqenit. Është vetë procesi i
krijimit i tillë, që kalon në gjendje të tilla në rrugën e krijimit të artit. Fjalët llahtari, plagë, kraharuar
janë thelbi i kësaj gjendjeje.

You might also like