You are on page 1of 6

Pallati i ëndrrave jep realitetin e kohës kur është shkruar dhe të njerëzve

të saj duke u mbështetur në metaforat, si Pallati i ëndrrave, nëpunësit


dhe interpretuesit e tyre, ëndrra kolektive dhe individuale,
ëndrra fatsjellëse dhe rrezikndjellëse, ëndrra e rëndomtë dhe
bashkëndrra.
Histori rreth romanit
“Pallati i Ëndrrave” i Ismail Kadaresë ka kaluar në dy periudha:
periudhën gjatë komunizmit dhe periudhën pas rënies së këtij të fundit.

1. Gjatë komunizmit: Dy kapitujt e parë të romanit, me titullin


“Nëpunësi i pallatit të ëndrrave”, fillimisht u botuan në vitin 1977,
në përmbledhjen me tregime “Emblema e dikurshme”. Autori e
boton të plotë veprën tre vjet më vonë. Por në shkurt të vitit
1982, vepra u kritikua dhe u ndalua të qarkullojë. Në fillim
nterpretohej sikur ishte kundër Perandorisë Osmane kjo për arsye
se i drejtohej aq drejt Perandorisë Osmane, personazhet kishin
emra turkë; kryepersonazhi quhej Ebu Qerim, pastaj aludohej për
një pallat që kishte emër turk “Tabir Saraj”, por edhe se
personazhet kishin emra turkoarabë: Mehmet Qyprilliu, Fazil
Ahmet etj.
2. Pas rënies së komunizmit: Vepra pëson ndryshime artistike.
Romani mori titullin “Pallati i ëndrrave” dhe emri i personazhit
kryesor ndryshoi nga emri turk Ebu Qerim, në Mark-Alem. Në këtë
periudhë vepra interpretohet si kundër komuniste.

Periudha letrare:
Letërsia Moderne. I përket Letërsisë shqipe të gjysmës së II të shek. XX.
Lloji dhe Struktura:
Romani është i shkruar në 7 kapituj. Titulli i secilit kapitull:

1. Mëngjesi
2. Seleksionimi
3. Interpretimi
4. Dita e pushimit
5. Darka
6. Arkivi (pika kulmore)
7. Afrimi i pranverës

Subjekti
Në një shtet totalitar i cili në fillim ngjason me Perandorinë Osmane,
ndodhet “Tabir Saraj” (Pallati i ëndrrave), një institucion/organ shtetëror
ku mblidheshin dhe analizoheshin ëndrrat. Mark Alemi, personazhi
kryesor i veprës, ishte djalë i familjes të Qypryllinjve, pra një familje të
pushtetshme dhe të pasur por që në ato momente nuk po kalonin një fazë
të mirë.
Me anë të një rekomandimi ai nis punë në Departamentin e
Përzgjedhjes (një sektor i rëndësishëm) në ‘Tabir Saraj’. Detyra e tij
ishte të lexonte dhe dokumentonte ëndrrat të cilat vinin në rrezik
peranorinë. Edhe pse ankthi e shoqëronte në çdo moment ai vazhdonte ta
bënte punën e tij dhe të rritej në detyrë për shkak se ‘pëlqehej’ nga
institucioni. Mark Alemi punonte shumë çdo ditë dhe kishte filluar të
‘shkëputej’ nga realiteti dhe përditshmëria. Kjo gjë u vu re në ditën kur
ishte pushim dhe doli në kafene. Aty kuptoi ndryshimin nga bota
magjike, plot ngjyra dhe simbole që ishte mësuar në Pallat, nga bota
përreth që dukej e varfër dhe gri.
Një ditë Mark Alemit i bie në dorë leximi i një ëndërr që përbëhej
nga një urë, një dem dhe një instrument muzikor. Detyra e tij ishte të
zgjidhte nëse do ta kalonte në arkivën e Pallatit ose ta dërgonte për
interpretim. Marku zgjodhi këtë të fundit. Ishte pikërisht kjo ëndërr e
cila u bë shkak i ndodhive pasardhëse.
Daja i Mark Alemit, Kurti, organizon një mbrëmje ku ishin të ftuar edhe
rapsodët shqiptarë të cilët do të këndonin në shqip këngët sllave që ishin
ngritur për nder të Qypryllinjve. Por, mbrëmja ndërpritet për shkak të
ushtarëve të cilët ishin nisur me urdhërin e Sulltanit, për të arrestuar
Kurtin dhe për të vrarë rapsodët shqiptar. Ndërkohë, Marku nuk ishte në
djeni të këtij urdhëri. E tërë kjo ndodhi lidhej me interpretimin e ëndrrës
që Marku kishte përzgjedhur. Interpretimi i ëndrrës u bë i tillë:

 emri i familjes “Qypryllinjtë” rridhte nga fjala shqipe “urë”


 demi simbolizonte shkatërrimin e perandorisë ose goditjen e
Sulltanit nga Qypryllinjtë
 instrumenti muzikor përfaqësonte këngët himnizuese të ngritur në
nder të Qypryllinjve

Sipas interpretimit, Sulltani kishte menduar se Qypryllinjtë donin të


bënin grusht shteti për ta rrëzuar atë. Kjo përforcohej edhe nga këngët e
ngritura për nder të familjes duke e ngritur në nivelin e kultit atë.
Mirëpo, në perandori vetëm Sulltani ishte kult. Nuk kishte vend për
tjetër. Marku ndihej në faj duke ditur që ishte pikërisht ai që e
përzgjodhi këtë ëndërr për interpretim. Për herë të parë ai u ndje në kurth
dhe kuptoi që në një moment herët a vonë edhe ai mund të jetë viktimë e
ardhshme e ëndrrave. Pavarësisht kësaj frike dhe ankthi, ai vazhdoi të
punonte në ‘Tabir Saraj’, ‘Pallatin e Ëndrrave’.
Organizimi i institucionit “Pallati i Ëndrrave”
Këto ishin ‘departamentet/sektorët’ dhe ‘procedurat’ që ndiqnin:

1. grumbullimi i ëndrrave nga e gjithë popullsia;


2. më pas bëhej kategorizimi, përzgjedhja e tyre në varësi të rrezikut
që kanosnin për vendin (bëhet fjalë për luftëra, përgjakje, grushte
shteti, kryengritje, tradhëti, etj);
3. ëndrrave të përzgjedhura u bëhej analizimi, interpretimi;
4. në fund bashëndërrorët (ata me më shumë eksperiencë),
përzgjidhnin dhe interpretonin ëndrrën më të rëndësishme dhe ia
servirnin Sulltanit në fund të çdo jave në mënyrë që ai të merrte
masa kundër rreziqeve dhe kërcënimeve mbi perandorinë.

Shpjegimi i Pallatit të Ëndrrave:


Titulli i këtij romani shpjegon një pjesë të mirë të tij. Le të kuptojmë
çfarë përfaqëson secila fjalë, ‘pallati‘ dhe ‘ëndrra‘.
Pallati: Tabir Saraj apo Pallati i ëndrrave shihej si një nga institucionet
themeltare të shtetit. Ai kontrollonte çdo gjë, “deri tek ëndrrat e
njerëzve”. Autori ideon strukturën e një pallati me korridore pafund, me
shumë kate mbi e nën dhe, me salla të stërmëdha, me seksione e
nënseksione, ku mijëra nëpunës punojnë kokulur për të zgjidhur
enigmën e rrezikut që i kanoset Perandorisë. Pikërisht në këtë institucion
vendoseshin ‘fatet e njerëzve’. Duket se Perandoria qeverisej njëherazi
nga dy forca:

 njëra e dukshme e cila është shteti që njohin të gjithë me rregullat e


tij.
 tjetra e padukshme që mund ta cilësojmë si një shtet brenda shtetit,
më i fortë se i pari, por i padukshëm, që është Tabir Saraj (Pallati
i Ëndrrave).

Ëndrra: Ëndrra shihet nga Kadareja si një çelës për të zbuluar e


shpjeguar rreziqet e së ardhmes. Por mund të shihet dhe si një kurth, në
qoftë se bie në absurditetin e saj. Ëndrra mund të paralajmërojë
komplote, tradhti, kryengritje, mund të japë sinjalin e një çarjeje të
unitetit të perandorisë, sinjalin e fillimit të një lufte, të prishjes së
aleancave, mund të paralajmërojë vjedhjet e mëdha, abuzimet,
degradimin. Kështu, në romanin e Kadaresë, ëndrra bëhet më e
fuqishme se realiteti.
Marrëdhënia pushtet-individ, (shtet-individ)
Në këtë vepër shohim raportin e individit që ka ambicien të integrohet
në strukturat shtetërore dhe që e gënjen mendja se do të fuqizojë veten
prej fuqisë së pushtetit. Ashtu siç Mark Alemi u integrua në Pallatin e
Ëndrrave. Ky është një konflikt i përjetshëm, në të cilin vihet në dukje
se çdo përpjekje e individit për t’u marrë me shtetin, për të depërtuar në
brendësi të tij dhe për ta marrë me të mirë është e dështuar. Individi, në
çfarëdo raporti që ta vendosë veten me shtetin, mbetet i kërcënuar prej
tij. Kështu edhe Mark Alemi, edhe pse u bë pjesë e lartë e një organi
shtetëror, ai përsëri ishte gjithë kohës i kërcënuar prej tij.
Romani formulon edhe dilemën: të jesh në Tabir Saraj, brenda tij apo
jashtë tij; t’i ofrosh atij shërbimin apo refuzimin; pra, ka diçka edhe
‘hamletiane’ në atë që më mire të ngjitesh në hierarkinë e kësaj piramide
apo të qëndrosh kokulur. Të vërtetën mbi këtë shtet dhe mbi raportet e tij
me individin e jep aq mirë mendimi dhe fati i dajës së Mark-Alemit,
Kurtit: “… ai (Tabir Saraj), pavarësisht nga emri i bukur që ka, është
institucioni më i tmerrshëm, më i verbri, më fatali.”
Elementet e absurditetit:

 Siç e dimë, ëndrrat janë produkt i pavetëdijshëm duke qenë se nuk


shprehin veprime reale dhe si pasojë as rrezik real. Interpretimet e
tyre janë plotësisht subjektive dhe si të tilla, nuk janë të vlefshme
për t’u marrë parasysh. Pikërisht grumbullimi i ëndrrave dhe
interpretimi i tyre, përbën stadin e parë të ndërtimit të absurdit. Aq
sa është absurde ekzistenca e një institucioni të tillë, është absurde
edhe rëndësia e madhe që i kushtohet rezultateve që dalin nga puna
që ai bën.
 Rrëfimi i ngjarjeve nga veta e tretë dhe nga pozita e një narratori
të gjithëdijshëm, përdoret për të paraqitur absurditetin mbi të cilin
ndërtohet jeta politike dhe shoqërore e një shteti.
 Ushtrimi i pushtetit deri në absurditet. Pushteti shtrin tentakulat e
tij në çdo skaj, në çdo shtëpi, te secili individ, qoftë ky pushtetar i
lartë apo thjesht një shitës perimesh.
 Spikat frustrimi psikologjik mbi personazhet, frika dhe tmerri nga
dënimi i pabazuar në ligj dhe i paparalajmëruar. Kjo paraqitet në
roman përmes ekzekutimit të Kurtit, i cili gjykohet sa për sy e faqe
e më pas ekzekutohet me prerje koke dhe në ankthin që e
shoqëronte gjatë gjithë kohës Mark Alemin.
 Në këtë vepër theksohet me nota të larta njeriu dhe mundi i tij për
ekzistencë deri në absurditet.

Universaliteti
Në roman nuk ka tregues kohorë, as përcaktim të saktë gjeografik. Në
lidhje me universalitetin kemi dy këndvështrime:
1. Nxitja e shpirtit të rezistencës së njeriut ndaj çdo lloj shtypjeje dhe
totalitarizmi. 
2. Tabir Saraji për Kadarenë, është ferri i përjetshëm i njeriut, ai që
ndodhet brenda tij. Mark-Alemi e krijoi tmerrin për të tjerët. Ai
është nëpunës e më pas, drejtues i këtij tmerri.

You might also like