You are on page 1of 9

LIGJ

Nr. 147/2014

PËR SHËRBIMIN E URGJENCËS MJEKËSORE

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të


Ministrave,

KUVENDI
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

VENDOSI:

KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 1
Qëllimi i ligjit
Ky ligj ka për qëllim mbrojtjen e shëndetit të popullatës nëpërmjet rregullimit ligjor të
shërbimit të urgjencës mjekësore.

Neni 2
Objekti
Ky ligj përcakton parimet kryesore, rregullat e organizimit, mënyrën e funksionimit e të
financimit të shërbimit të urgjencës mjekësore në Republikën e Shqipërisë.

Neni 3
Përkufizime
Në këtë ligj termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
1. “Urgjenca” është ndryshimi i menjëhershëm i gjendjes shëndetësore që, në rast të
mungesës së ofrimit të shërbimit të shpejtë shëndetësor, rrezikon jetën ose dëmton seriozisht
shëndetin e personit.
2. “Shërbimi i urgjencës mjekësore” është një sistem i bashkërenduar i burimeve njerëzore, i
infrastrukturës dhe i pajisjeve mjekësore, përmes të cilave mundësohet ndihmë dhe kujdes
mjekësor i shpejtë dhe i sigurt për personat që pësojnë përkeqësim të menjëhershëm të gjendjes
shëndetësore, dëmtime apo sëmundje të papritura.
3. “Autoambulancë” është një mjet lëvizës tokësor, ajror ose detar, i pajisur me shtretër, që
shërben dhe mirëmbahet, me qëllim që të sigurojë shërbim urgjence dhe transport të pacientit.
4. “Autoambulancë për shpëtimin e avancuar të jetës” është një automjet që shërben në
terren dhe mirëmbahet për të transportuar pacientë dhe punonjës të urgjencës mjekësore, të
pajisur me pajisje mjekësore, me qëllim që t’i sigurojë pacientit një shërbim urgjence të
avancuar (përfshirë reanimimin e pacientit).
5. “Shërbimi i urgjencës spitalore” është një strukturë e veçantë e spitalit, e cila ka mundësi të
sigurojë kujdes mjekësor të specializuar për pacientin në situata urgjente.
6. “Njësia e koordinimit të urgjencave” është njësia që ka të organizuar sistemin e identifikimit
dhe të marrjes së informacionit, që përdor telefonin publik apo çdo teknologji tjetër
bashkëkohore në këtë aspekt, duke synuar të finalizojë dhënien e shërbimit më të përshtatshëm të
urgjencës mjekësore. Kjo njësi identifikon natyrën e kërkesës, përparësinë e saj, sipas shkallës
së rrezikut që paraqet, dhënien e udhëzimeve për telefonuesin, shpërndarjen dhe
bashkërendimin e burimeve të nevojshme për dhënien e ndihmës mjekësore.
7. “Dhënës i ndihmës së parë mjekësore” ose “DHNPM” është një individ, vullnetar ose jo,
i cili është i certifikuar nga struktura përgjegjëse për këtë qëllim.
8. “Transport i urgjencës (TU)” është transporti i një personi për në qendrën shëndetësore ose
prej saj, i cili, për shkak të kushteve shëndetësore, kërkon vlerësim mjekësor, monitorim ose
trajtim gjatë transportit.
9. “Drejtues i mjeteve të transportit të urgjencës” është një individ i certifikuar nga
Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore për të drejtuar mjetin dhe për të kryer aktivitete të tjera të
lidhura me urgjencën.
10. “Rrjeti i sistemit të telemjekësisë” është përdorimi i telekomunikacionit dhe teknologjisë
informuese për të siguruar kujdes mjekësor në distancë, nëpërmjet transmetimit të informacionit
mjekësor dhe imazheve të ndryshme, nga pacienti te personeli mjekësor apo ndërmjet personelit
mjekësor nga një vend në tjetrin.

Neni 4
Parimet
Shërbimi i urgjencës mjekësore udhëhiqet nga parimet e mëposhtme:
a) respektimi i të drejtave të pacientëve, sipas legjislacionit në fuqi;
b) shërbimi i garantuar falas i urgjencës mjekësore në kohën e duhur për shtetasit që
konsiderohen në gjendje rrezikshmërie të lartë për jetën, sipas protokolleve të miratuara nga ministri
përgjegjës për shëndetësinë;
c) ofrimi i shërbimit të urgjencës mjekësore në të gjitha nivelet e tij, për të gjithë shtetasit
shqiptarë dhe të huaj me banim të përhershëm ose të përkohshëm në Shqipëri, si dhe për çdo
shtetas të huaj që është duke kaluar në territorin e Shqipërisë;
ç) barazi në përfitimin e shërbimit të urgjencës mjekësore pa asnjë diskriminim;
d) ndërthurja e veprimeve të urgjencës mjekësore me të gjitha emergjencat kombëtare
(zjarrfikës, polici).

KREU II
ORGANIZIMI DHE FUNKSIONIMI I SHËRBIMIT TË URGJENCËS MJEKËSORE

Neni 5
Organizimi i shërbimit të urgjencës mjekësore
1. Shërbimi i urgjencës mjekësore është pjesë përbërëse e sistemit të kujdesit shëndetësor, i cili
ofrohet i pandërprerë 24 orë në të gjitha nivelet e ofrimit të kujdesit shëndetësor.
2. Shërbimi i urgjencës mjekësore organizohet dhe ofrohet në nivel:
a) parësor;
b) spitalor;
c) spitalor universitar;
ç) spitali universitar të traumës.
3. Në të gjitha nivelet e shërbimit të urgjencës mjekësore ofrohet shërbim me standarde të
miratuara me urdhër të ministrit përgjegjës për shëndetësinë. Këto standarde përcaktojnë
infrastrukturën fizike, barnat dhe pajisjet mjekësore, si dhe burimet njerëzore të nevojshme për ofrimin
e këtij shërbimi.
4. Shërbimi i urgjencës mjekësore në strukturat shëndetësore private zbaton standardet
shëndetësore të përcaktuara në këtë ligj dhe në aktet nënligjore në zbatim të tij. Ngritja e shërbimit
të urgjencës në strukturat private bëhet sipas legjislacionit shqiptar në fuqi për licencimin.
5. Të gjitha shërbimet e urgjencës mjekësore në strukturat private raportojnë periodikisht pranë
Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, bazuar në kërkesat e Regjistrit Kombëtar të
Urgjencës Mjekësore.
6. Shërbimet e urgjencës mjekësore në strukturat private, në rastet e emergjencave civile,
bashkëpunojnë me ministrinë përgjegjëse për shëndetësinë për zbatimin e Planit Kombëtar të
Emergjencave Shëndetësore dhe veprojnë në bazë të planeve të tyre të emergjencave
shëndetësore, të miratuara në bashkëpunim me ministrinë përgjegjëse për shëndetësinë.

Neni 6
Përgjegjësitë e shërbimit të urgjencës mjekësore
Shërbimi i urgjencës mjekësore është përgjegjës për:
a) ofrimin cilësor të shërbimit në kujdesin parësor, spitalor, trajtimin dhe transportin me
autoambulancë për në urgjencën spitalore;
b) ofrimin e ndihmës së parë për çdo person në kushtet e urgjencës mjekësore, duke filluar nga
vendi i ngjarjes;
c) sigurimin e kujdesit mjekësor të specializuar për çdo person në kushtet e urgjencës mjekësore;
ç) sigurimin e ndihmës së parë dhe kujdesit mjekësor të specializuar në raste të emergjencave
shëndetësore dhe civile;
d) sigurimin e transportit tokësor, ajror dhe ujor të përshtatshëm për shpëtimin e jetës,
ofrimin e kujdesit shëndetësor në kushtet e urgjencës mjekësore dhe transferimin në
strukturat e specializuara.

Neni 7
Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore (QKUM)
1. Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore (QKUM) është institucioni përgjegjës për
zhvillimin e sistemit të shërbimit të urgjencës mjekësore, nëpërmjet planifikimit, drejtimit,
pjesëmarrjes dhe bashkërendimit të të gjitha aseteve ekzistuese në një sistem mbarështetëror të
unifikuar, si dhe bashkërendimin e veprimtarisë me sistemet e ngjashme në vendet fqinje.
2. Struktura organizative e Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore miratohet me vendim të
Këshillit të Ministrave.

Neni 8
Përgjegjësitë e Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore
Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore (QKUM) ka këto përgjegjësi kryesore:
a) siguron trajnim të vazhdueshëm për personelin shëndetësor dhe joshëndetësor, përfshirë
këtu trajnimin klinik dhe programe të trajnimit të vazhdueshëm;
b) bashkërendon veprimtarinë me personelin, organizon punën e strukturave dhe përdorimin
e pajisjeve, nëpërmjet një sistemi komunikimi qendror, me qëllim:
i) shfrytëzimin e përzgjedhjes së kryer nëpërmjet sistemit telefonik të urgjencës mjekësore,
për të identifikuar alternativën më të përshtatshme të urgjencës;
ii) sigurimin e kontakteve me publikun e gjerë nëpërmjet një numri telefoni të vetëm, duke
synuar integrimin e sistemit, për përdorimin e numrit telefonik universal europian 112 të
urgjencës;
iii) sigurimin e kontakteve të drejtpërdrejta me personelin, strukturat dhe pajisjet e këtij
sistemi, si dhe me sistemet e tjera me të cilat operon urgjenca mjekësore;
iv) përfshirjen e një numri të përshtatshëm të autoambulancave dhe mjeteve të tjera të
transportit për të plotësuar nevojat specifike të shërbimit të sistemit, sipas zonave, duke siguruar
që:
- autoambulancat dhe mjetet e tjera plotësojnë kriteret lidhur me vendndodhjen, pajisjen, si dhe
elemente të tjera të përcaktuara në këtë ligj dhe aktet nënligjore të dala në zbatim të tij;
- drejtuesit e mjetit dhe personeli tjetër që përfshihet në mjetin transportues kanë trajnimin e
përshtatshëm dhe përvojën e kërkuar;
c) përfshin një numër të përshtatshëm strukturash lehtësisht të arritshme, të cilat:
i) janë të afta së bashku të sigurojnë shërbim të urgjencës mjekësore në mënyrë të vazhdueshme;
ii) plotësojnë standardet lidhur me kapacitetet, vendndodhjen, personelin dhe pajisjet;
iii) janë të bashkërenduara me strukturat e tjera të sistemit të kujdesit shëndetësor;
ç) siguron, sipas nevojave, transferimin e pacientëve në institucione që ofrojnë ndjekje
shëndetësore dhe rehabilitim, kur është e nevojshme të arrihet rikuperimi maksimal për
pacientët;
d) siguron përdorim efektiv të personelit të duhur, pajisjeve dhe aparaturave në çdo njësi që
ofron shërbim të urgjencës mjekësore;
dh) siguron shërbim të urgjencës mjekësore për të gjithë pacientët që kërkojnë shërbime urgjence;
e) certifikon paramedikalët, dhënësit e ndihmës së parë dhe personelin ndihmës të Urgjencës
mjekësore për dhënien e ndihmës së parë dhe procedurat përkatëse, sipas kurrikulave të miratuara
me urdhër të përbashkët nga ministri përgjegjës për arsimin dhe ministri përgjegjës për shëndetësinë;
ë) siguron një sistem të standardizuar për mbledhjen e të dhënave të pacientit që mbulon të
gjitha hallkat e sistemit;
f) siguron në zonën që sistemi mbulon me shërbim programe të informimit dhe edukimit të
publikut në mënyrë që ai të dijë të vlerësojë mënyrën e marrjes së shërbimit të urgjencës
mjekësore;
g) kryen rishikim periodik dhe të gjithanshëm të shtrirjes dhe cilësisë së shërbimit të urgjencës
mjekësore;
gj) siguron që shërbimi i urgjencave mjekësore, gjatë katastrofave dhe situatave të dëmtimeve në
masë, është i aftë të ofrojë shërbim në një zonë të caktuar;
h) ushtron kontrollin e brendshëm të strukturave të shërbimit të urgjencës mjekësore;
i) mban Regjistrin Kombëtar të Urgjencës Mjekësore në Shqipëri, sipas formatit dhe
përcaktimeve të bëra me vendim të Këshillit të Ministrave;
j) përgatit raportin vjetor për ecurinë e punës së shërbimit të urgjencës mjekësore, i cili i
paraqitet ministrit përgjegjës për shëndetësinë.

Neni 9
Njësia e koordinimit të urgjencave mjekësore
1. Njësia e koordinimit të urgjencave mjekësore është pjesë e Qendrës Kombëtare të
Urgjencës Mjekësore, e cila bashkërendon komunikimin e të gjithë sistemit të komandë -
kontrollit të urgjencave mjekësore.
2. Njësia e koordinimit të urgjencave mjekësore komunikon dhe kontrollon të gjithë
sistemin e radiove, telefonave etj. të shërbimit kombëtar të urgjencës mjekësore pavarësisht se
ku ndodhen ato gjeografikisht në territorin e vendit.
3. Njësia e koordinimit të urgjencave mjekësore kontaktohet nga çdo individ apo
institucion, në rast të kërkimit të ndihmës së shpejtë mjekësore, nëpërmjet numrit unik
telefonik për gjithë Shqipërinë. Njësia ka për detyrë që, nëpërmjet operatorëve të trajnuar dhe
programeve kompjuterike (software), të bëjë vlerësimin e çdo komunikimi, të dërgojë mjetin e
transportit të urgjencës mjekësore përkatëse dhe të bashkërendojë punën me strukturën pritëse,
sipas gjykimit të dhënë gjatë procesit të vlerësimit për rastin në fjalë. Njësia ka për detyrë të
regjistrojë të gjitha komunikimet individuale apo transmetimet për të gjithë infrastrukturën
shëndetësore, sipas përcaktimeve të bëra me urdhër të ministrit përgjegjës për shëndetësinë.
4. Nëpërmjet sistemit VCS (voice communication center) sigurohet ndërlidhja me të gjitha rrugët e
komunikimit me radio VHF (helikopterët), UHF (autoambulancat), si dhe PSTN (rrjeti
telefonik GSM apo fiks).

Neni 10
Sistemi i komandë - kontrollit dhe përgjigjja ndaj urgjencave
1. Sistemi i komandë - kontrollit është sistemi i komunikimit të urgjencës mjekësore,
administrimit të personelit, i shërbimeve dhe mjeteve të shërbimit të urgjencës mjekësore, që shërben
për të arritur efektivitetin dhe profesionalizmin si për pacientin, ashtu edhe për personelin
mjekësor.
2. Sistemi i komandë - kontrollit shtrihet vertikalisht dhe horizontalisht në tërë sistemin e
urgjencës mjekësore.
3. Shërbimi i urgjencës mjekësore përdor një numër telefoni unik, 112, të cilin e promovon
në publik. Thirrja kalon automatikisht nga çdo kompani telefonike në vend, fikse dhe celulare,
në njësinë e koordinimit të urgjencave mjekësore. Ky numër është falas për popullatën.
4. Shërbimi i urgjencës mjekësore, për nevoja të veta, bashkëpunon me rrjetin e sistemit të
telemjekësisë.
5. Përcaktimi i përparësisë së urgjencës në përgjigje të telefonatave bazohet në protokollet
përkatëse, sipas urgjencës dhe shkallës së rëndësisë së gjendjes së pacientit, duke synuar një
përgjigje të shpejtë ndaj urgjencave që kërcënojnë jetën, për të arritur në një numër sa më të
madh të jetëve të shpëtuara.
6. Ministri përgjegjës për shëndetësinë, me urdhër, në varësi të shpërndarjes gjeografike dhe
infrastrukturës, përcakton kategorizimin e zonave dhe intensitetin e kohës së përgjigjes ndaj
thirrjes për ndihmë mjekësore si dhe përcakton kodifikimin e çdo urgjence mjekësore sipas
rëndësisë së gjendjes së pacientit.

Neni 11
Marrëdhëniet me të tretët
1. Shërbimi i urgjencës mjekësore në të gjitha nivelet e organizimit të tij bashkëpunon me
struktura të tjera të lidhura me emergjencat, si:
a) Drejtorinë e Përgjithshme të Emergjencave Civile;
b) Policinë e Shtetit;
c) shërbimin zjarrfikës;
ç) Kryqin e Kuq;
d) organizata jofitimprurëse;
dh) shërbimet e urgjencës në rajon dhe në Europë.
2. Bashkëpunimi i ndërsjellë i shërbimeve të urgjencës bëhet për:
a) ofrimin e shërbimit të urgjencës në të gjithë territorin e vendit, sa më të shpejtë dhe cilësor
që të jetë e mundur;
b) përfitim në shkëmbimin e përvojave si brenda vendit dhe në rajon;
c) përballimin e emergjencave civile.
3. Mënyra e bashkëpunimit me partnerët jofitimprurës në fushën e urgjencës mjekësore
përcaktohet me urdhër të ministrit përgjegjës për shëndetësinë.
4. Çdo organizatë jofitimprurëse, që operon në fushën e urgjencës mjekësore, pajiset me
autorizimin përkatës nga ministri përgjegjës për shëndetësinë, i cili përcakton mjetet, personelin,
shkallën e ofrimit të shërbimit dhe zonën e mbulimit. Operatori jofitimprurës në fushën e
urgjencës mjekësore raporton periodikisht për veprimtarinë e tij të urgjencës mjekësore pranë
Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore.

Neni 12
Shërbimi i urgjencës mjekësore në kujdesin parësor
1. Shërbimi i urgjencës mjekësore në kujdesin parësor organizohet në qendrat shëndetësore.
2. Ministri përgjegjës për shëndetësinë miraton hartën e shpërndarjes, standardet e
infrastrukturës ndërtimore, pajisjeve mjekësore dhe të burimeve njerëzore të shërbimit të urgjencës
në kujdesin parësor.
3. Autoritetet e pushtetit vendor, në bashkëpunim me strukturat lokale të shëndetësisë, janë
përgjegjëse për zhvillimin e veprimtarisë së shërbimit të urgjencës në kujdesin parësor për zonën
që mbulojnë.
4. Veprimtaria themelore e shërbimit të urgjencës mjekësore në kujdesin parësor ka të bëjë
me:
a) përgjigjen e shpejtë në thirrje;
b) dhënien e ndihmës së parë;
c) trajtimin e pacientëve në vendin e ngjarjes.

Neni 13
Shërbimi i transportit
1. Shërbimi i transportit është sektor i urgjencës mjekësore që merret me ndihmën dhe transportin
e pacientëve të sëmurë apo të lënduar.
2. Shërbimi i transportit duhet të plotësojë të gjitha standardet e miratuara nga ministri përgjegjës
për shëndetësinë për transportin urgjent të pacientëve.
3. Shërbimi i transportit është publik ose i kontraktuar nga operatorë privatë, sipas legjislacionit në fuqi
për koncesionet dhe partneritetin publik privat.
4. Drejtuesi i mjeteve të transportit të shërbimit të urgjencës mjekësore duhet të trajnohet për
kushtet e mirëmbajtjes, sigurimin nga aksidentet, komunikimin, sipas rregullave të miratuara me
urdhër të ministrit përgjegjës për shëndetësinë.
5. Autoambulancat dhe mjetet e tjera ajrore dhe detare të shërbimit të urgjencës mjekësore
operojnë kryesisht për qëllime të vlerësimit mjekësor, monitorimit, trajtimit dhe transportit të
pacientëve që janë në kushtet e urgjencës mjekësore.
6. Ministri përgjegjës për shëndetësinë miraton me urdhër nivelin standard për pajisjet mjekësore,
listën e medikamenteve dhe personelin mjekësor në dispozicion të autoambulancës dhe të mjeteve të
tjera ajrore dhe detare të urgjencës mjekësore.

Neni 14
Shërbimi i urgjencës spitalore
1. Shërbimi i urgjencës spitalore përbëhet nga rrjeti i shërbimeve të urgjencës në spitalet rajonale
dhe universitare, si dhe nga rrjeti i shërbimeve të urgjencës 24-orëshe në spitalet bashkiake.
2. Spitali rajonal dhe spitali universitar organi-zojnë shërbimin e urgjencës spitalore, sipas
përcaktimeve të bëra me urdhër të ministrit përgjegjës për shëndetësinë.
3. Shërbimi i urgjencës spitalore siguron ekzaminim të hollësishëm mjekësor të të gjithë
personave që paraqiten në gjendje emergjente, sipas protokolleve përkatëse, stabilizimin e
tyre të plotë brenda mundësive dhe kapaciteteve të institucionit, si dhe transferimin në
spitalin përkatës apo në shërbimin e urgjencës spitalore universitare.
4. Shërbimi i urgjencës spitalore zbaton protokollin standard të urgjencës mjekësore, të
miratuar nga ministri përgjegjës për shëndetësinë. Ky protokoll përcakton nevojat e shërbimit të
urgjencës spitalore në varësi të:
a) popullatës që mbulon;
b) faktorëve demografikë;
c) numrit të pacientëve të asistuar në ditë;
ç) distancës midis shërbimeve.
5. Shërbimi i urgjencës spitalore në një institucion spitalor duhet të presë të gjitha rastet
mjekësore dhe kirurgjikale të referuara nga njësia e koordinimit të urgjencave ose të vetëreferuara.
Për rastet e vetëreferuara pas ofrimit të ndihmës mjekësore raportohet pranë njësisë së
koordinimit të urgjencave.
6. Shërbimi i urgjencës spitalore duhet të ketë akses sa më të mirë me shërbimin e
radiologjisë dhe sallave të operimit. Standardi infrastrukturor ndërtimor, i pajisjeve mjekësore
dhe lista e medikamenteve të nevojshme përcaktohen me urdhër të ministrit përgjegjës për
shëndetësinë.

Neni 15
Koha e vlerësimit të pacientit
1. Me mbërritjen në shërbimin e urgjencës spitalore, pacientit i përcaktohet shkalla e
përparësisë brenda 15 minutave, që është koha maksimale e pritjes për t’u vlerësuar nga mjeku i
shërbimit, në bazë të protokolleve të paracaktuara, të miratuara nga ministri përgjegjës për
shëndetësinë.
2. Gjatë kalimit nga shërbimi i urgjencës spitalore, regjistrimi deri te vlerësimi dhe trajtimi i
pacientit, spitali garanton sigurinë për punonjësit e tij gjatë kryerjes së punës së tyre.

Neni 16
Spitali Universitar i Traumës
1. Spitali Universitar i Traumës është institucioni në varësi të ministrisë përgjegjëse për
shëndetësinë që ofron shërbimin e urgjencës mjekësore në nivelin më të lartë të saj.
2. Spitali Universitar i Traumës ofron shërbimet kirurgjikale dhe jokirurgjikale të përcaktuara me
vendim të Këshillit të Ministrave.
3. Spitali Universitar i Traumës ka në dispozicion të paktën një sallë operimi të pajisur
tërësisht me personel të disponueshëm 24 orë në ditë.
4. Ministri përgjegjës për shëndetësinë miraton protokollet e koordinimit për pranimin dhe
transferimin e pacientëve.
5. Spitali Universitar i Traumës ka një shesh për ulje të helikopterit.
6. Spitali Universitar i Traumës duhet të hartojë, të testojë dhe të rishikojë herë pas here planin e
përgatitjes e të përgjigjes ndaj katastrofave dhe të menaxhimit të plagosjeve masive, në përputhje
me platformën e ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë për përgatitjen dhe përgjigjen ndaj
emergjencave.

KREU III
PROFESIONISTËT E SHËRBIMIT TË URGJENCËS MJEKËSORE

Neni 17
Profesionistët dhe punonjësit e shërbimit të urgjencës mjekësore
Profesionistët dhe punonjësit e shërbimit të urgjencës janë mjekët, infermierët, psikologët dhe
punonjësit ndihmës, të cilët trajnohen për të gjitha urgjencat që kërcënojnë jetën e që përdorin
pajisjet në dispozicion, sipas standardeve të miratuara nga ministri përgjegjës për shëndetësinë.

Neni 18
Personeli shëndetësor në shërbimin e urgjencës spitalore
1. Shërbimi i urgjencës spitalore duhet të ketë punonjës me kohë të plotë.
2. Për 24 orë në 7 ditë të javës duhet të sigurohet minimalisht prezenca e 2 mjekëve, 6
infermierëve dhe 3 personave të personelit ndihmës për autoambulancat.

Neni 19
Mjeku i shërbimit të urgjencës mjekësore
1. Mjeku i shërbimit të urgjencës mjekësore është “Specialist Mjek Urgjence” dhe në mungesë
të tyre një mjek i përgjithshëm, i cili ka mbaruar një program specializimi apo trajnimi në urgjencën
mjekësore ose kirurgjikale, mjekësinë interne, kardiologji, anestezi-reanimacion, pneumologji.
2. Mjeku i shërbimit të urgjencës mjekësore ka për detyrë:
a) të presë, të vlerësojë dhe të trajtojë çdo të sëmurë që paraqitet për kujdes mjekësor në
shërbimin e urgjencës, në varësi të shkallës së përparësisë dhe të rëndësisë së problemit që
paraqet;
b) zbaton protokollet e vlerësimit dhe të mjekimit të pacientëve të urgjencës;
c) zbaton me rigorozitet rregulloren e institucionit përkatës, të miratuar nga ministri
përgjegjës për shëndetësinë.

Neni 20
Infermieri i shërbimit të urgjencës mjekësore
1. Infermier në shërbimin e urgjencës mjekësore është personi i diplomuar si infermier, i cili ka
mbaruar një program kualifikimi në urgjencën mjekësore.
2. Detyrat kryesore të infermierit të shërbimit të urgjencës janë:
a) të kujdeset për pacientët që paraqiten në urgjencë, në varësi të sektorit, (parësor, pritje
triazhim, vlerësim-trajtim, observim) në të gjitha hallkat e menaxhimit të tyre dhe të punojë në
grup;
b) të zbatojë me përpikëri protokollet e shërbimit të urgjencës të miratuara nga ministri
përgjegjës për shëndetësinë;
c) të zbatojë të gjitha detyrat që i caktohen nga shefi i shërbimit, kryeinfermieri dhe
personeli mjekësor;
ç) të marrë pjesë në aktivitetet për ngritjen e nivelit tekniko-profesional, në funksion të rritjes
së cilësisë së kujdesit ndaj pacientit.

Neni 21
Personeli ndihmës i shërbimit të urgjencës mjekësore
1. Personeli ndihmës është barelëmbajtësi dhe shoferi i kualifikuar i shërbimit të urgjencës
mjekësore.
2. Personeli ndihmës ka për detyrë:
a) të sigurojë mirëmbajtjen e përgjithshme të automjeteve dhe pajisjeve të tyre;
b) të zbatojë protokollet e urgjencës mjekësore;
c) të zbatojë me rigorozitet rregulloren e institucionit përkatës të miratuar nga ministri
përgjegjës për shëndetësinë.

Neni 22
Paramedikalët
1. Paramedikali është një profesionist shëndetësor, i cili ofron kujdes shëndetësor për të
shpëtuar jetë në situata të urgjencës mjekësore, të shkaktuar nga sëmundje ose nga lëndime/trauma
që ndodhin në mjedise jashtëspitalore.
2. Paramedikali ka për detyrë të ofrojë ndihmë mjekësore në vendin e ngjarjes, si dhe gjatë
trasportit për në spital nëse është e nevojshme.
3. Paramedikali duhet të jetë i pranishëm në çdo autoambulancë ose mjet tjetër të shërbimit
të urgjencës mjekësore.
4. Kujdesi shëndetësor i ofruar nga paramedikalët përfshin trajtimin dhe shërbimin
diagnostikues. Ky shërbim ofrohet jashtë ambienteve të spitalit ose për raste të veçanta, si
trajtimi i lëndimeve, traumave edhe brenda ambienteve të spitalit.

Neni 23
Dhënësit e ndihmës së parë mjekësore
1. Dhënës i ndihmës së parë mjekësore është një individ, vullnetar ose jo, i cili është i certifikuar
nga Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore për këtë qëllim.
2. Mënyra e ofrimit të ndihmës së parë mjekësore të dhënësve të ndihmës së parë mjekësore miratohet
me urdhër të ministrit përgjegjës për shëndetësinë.

KREU IV
FINANCIMI I URGJENCËS MJEKËSORE

Neni 24
Financimi nga Buxheti i Shtetit
1. Shërbimi i urgjencës mjekësore financohet nga Buxheti i Shtetit dhe nga burime të tjera në
përputhje me legjislacionin në fuqi.
2. Buxheti i shërbimit të urgjencës mjekësore është program i veçantë në buxhetin e miratuar për
ministrinë përgjegjëse për shëndetësinë.

KREU V
DISPOZITA TË FUNDIT

Neni 25
Aktet nënligjore
1. Ngarkohet Këshilli i Ministrave që, brenda 12 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të nxjerrë
aktet nënligjore në zbatim të neneve 7, pika 2; 8, shkronja “i”; dhe 16, pika 2.
2. Ngarkohet ministri përgjegjës për shëndetësinë që, brenda 12 muajve nga hyrja në fuqi e këtij
ligji, të nxjerrë aktet normative në zbatim të neneve 5, pika 3; 8, shkronja “e”; 9, pika 3; 10, pika 6;
11, pika 3; 12, pika 2; 13, pikat 2, 4 e 6; 14, pikat 2, 4 e 6; 15, pika 1; 16, pika 5; 17, dhe 23, pika 2.

Neni 26
Shfuqizime
Çdo akt që bie në kundërshtim me dispozitat e këtij ligji shfuqizohet.

Neni 27
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Miratuar në datën 30.10.2014
Shpallur me dekretin nr. 8794, datë 18.11.2014 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë,
Bujar Nishani

You might also like