You are on page 1of 24

07/11/2019T 11

Njëmbëdhjetë poezi të Bertolt Brecht-i

Eugen Berthold Friedrich Brecht (1898 – 1956) ishte poet, dramaturg dhe intelektual marksist gjerman.
Aktiviteti intensiv letrar është i lidhur ngushtë me angazhimet e tij politike. Brecht-i, lëvrues i dramës
epike ose materialiste, me ngjitjen në pushtet të partisë naziste, arratiset nga Gjermania drejt
Skandinavisë dhe me vonë mbërrin në Amerikë. Në këtë kohë ai shkroi pjesën më të madhe të poezive
dhe dramave të shkurtra. Pas luftës dhe deri sa vdes kthehet të jetojë në Lindje të Gjermanisë, ku shkroi
disa vepra dramaturgjike.

Stilistikisht Brecht-i është shkrues i një poezie të thjeshtë, logjike dhe pa ngarkesa të mjegullta
metafizike, pra një poezi të kuptueshme dhe për masat e gjëra të shoqërisë. Ai është gjithashtu edhe
shkrues i poezisë erotike. Megjithatë, akoma e më interesante është poezia e tij politike, ku përmes
rreshtash të menduar ai komunikon me aktivistin e ri mbi lodhjen, devijimin, rënien e besimit, jetën e
partisë pararojë dhe nevojën për vazhdimin e luftës, çka e bën të pashembullt atë. Disa poezi të tilla, të
cilat ndodhen më poshtë dhe janë transkriptuar me durim mes vapës së korrikut, ua kushtoj shokëve
dhe shoqeve të luftës, të cilëve u ka rënë barra e rëndë e luftës së përditshme për mbijetesë dhe për një
shoqëri më të drejtë.

Klodi Leka

***

OH, JU FATZINJ

Oh, ju fatzinj!

Vëllait tuaj i bëhet dhunë, dhe ju mbyllni

Sytë!

I prekuri bërtet fort, dhe ju heshtni?

Dhunëbërësi sillet rrotull dhe zgjedh prejat e tij,

Dhe ju thoni:

Ne ai na kursen, sepse s’tregojmë asnjë

Mospëlqim.

Çfarë qyteti është ky, ç’njerëz jeni ju vallë?

Kur në një qytet ngjan një padrejtësi,

duhet të ketë një Revoltë.

Dhe atje ku s’ka revoltë, është më mirë që qyteti

të humbasë
Nga një zjarr, përpara se të bëhet natë.

Ç’DOBI KA MIRËSIA

Ç’dobi ka mirësia,

Kur të mirët menjëherë vriten,

ose vriten

Ata, me të cilët janë të mirë?

Ç’dobi ka liria,

Kur të lirët duhet të jetojnë midis të palirëve?

Ç’dobi ka arsyeja,

Kur vetëm mosarsyeja sjell bukë e gjellë

për të cilat sikush ka nevojë?

Në vend që të jeni të mirë, përpiquni

Të krijoni një gjendje, e cila bën të mundshme të

mirën, dhe më shumë se kaq:

E bën të panevojshme!

Në vend që të jeni të lirë, përpiquni

Të krijoni një gjendje, e cila i çliron të gjithë,

Dhe, edhe dashurinë për lirinë

E bën të panevojshme!

Në vend që të jeni me arsye, përpiquni

Të krijoni një gjendje, e cila mosarsyen e secilit

E bën të jetë një punë e keqe!

KËNGË PËR TË GJITHË ATA QË SHKURAJOHEN

Ata kanë ligjshmëri dhe urdhëresa,

Kanë burgje dhe fortesa,


Kanë roje burgjesh dhe gjyqtarë,

Që marrin shumë të holla dhe janë të gatshëm

për çdo gjë.

Eh, po përse?

Mos besojnë se me këto lehtë mund të na mashtrojnë?

Para se të zhduken, dhe kjo do të vijë së shpejti,

Ata do të kenë vënë re se të gjitha këto më s’u

vlejnë për asgjë.

Ata kanë gazeta dhe shtypshkronja

Për të luftuar dhe mbyllur gojën

(Burrat e shtetit s’ua numërojmë!),

Kanë popë dhe profesorë,

Që marrin shumë të holla dhe janë të gatshëm për çdo gjë

Eh, po përse?

Mos duhet të kenë kaq frikë të vërtetën?

Para se të zhduken, e kjo do të vijë së shpejti,

Ata do të kenë vënë re se të gjitha këto më s’u

vlejnë për asgjë.

Ata kanë tanke dhe topa,

Automatikë dhe granata dore

(Shkopinjtë e gomës s’ua numërojmë!),

Kanë policë dhe ushtarë,

Që marrin pak të holla dhe janë të gatshëm për

çdo gjë.

Eh, po përse?

Mos kanë armiq kaq të mëdhenj?

Ata besojnë se duhet të ketë një mbështetje,

Ku të mbështeten duke rënë.

Dhe le të bërtasin《Ndal sa më fort që të duan


Sepse as të hollat as topi më s’i mbrojnë!

DËGJOJMË: TI MË S’DO QË TË PUNOSH ME NE

Dëgjojmë: ti më s’do që të punosh me ne.

Je tepër i këputur. Më s’mund të rendësh këtej-andej.

Je tepër i lodhur. Më s’mund të mësosh.

Ke mbaruar.

S’mund të kërkojmë prej teje që të bësh ende diçka.

Dije, pra:

Ne kërkojmë.

Po të jesh lodhur dhe të të zërë gjumi,

S’do të të zgjojë më asnjeri dhe të të thotë:

Ngrehu, ja ku e ke gjellën gati.

Pse të të vijë gjella gati?

Në mos mundsh më që të rendësh,

Do mbetesh. Asnjeri

S’do të kërkojë dhe të të thotë:

U bë një revolucion. Fabrikat

Po të presin ty.

Përse të qe bërë një revolucion?

Në vdeksh, do të të varrosin,

Qoftë se për vdekjen tënde e ke fajin vetë ose jo.

Ti thua:

Tepër gjatë luftova. Më s’mund të luftosh.

Qoftë se ke faj vetë ose jo:

Në qoftë se më s’mund të luftosh, do zhdukesh.

Thua: tepër gjatë shpresova. Më s’mund të shpresosh.

Çfarë shpresove?

Që lufta të jetë e lehtë?

Nuk është aspak kështu.


Situata jonë është më e keqe nga ç’kujtoje ti.

Ajo është kështu.

Në mos bëfshim përpjekje mbinjerëzore,

Ne jemi të humbur.

Në mos mundshim të bëjmë atë që askush s’e kërkon prej nesh,

Ne humbasim.

Armiqtë tanë presin

që ne të lodhemi.

Kur lufta është më e ashpër,

Luftuesit qenkan më të lodhur!

Ata luftues që janë tepër të lodhur, betejën e humbasin.

MIRËKUPTIMI

Po ju, që jeni në mirëkuptim me rrjedhën e punëve,

Mos u fundosni prapë në asgjënë.

Mos u shkrini si kripa në ujë,

Po ngrihuni,

Duke vrarë vdekjen tuaj,

Sikundër punuat punën tuaj,

Duke përmbysur një përmbysje.

Drejtohuni, pra, duke vdekur

Jo drejt vdekjes,

Por prej nesh mirrni përsipër barrën

Për të rindërtuar aeroplanin tonë,

Filloni!

Për të fluturuar për ne

Në atë vend ku ua kemi nevojën,

Dhe në atë kohë, kur është nevoja,

Se ju,

Ne ju ftojmë të marshoni me ne dhe me ne


Të ndryshoni jo vetëm

Një ligj të tokës,

Po ligjin themeltar.

Duke qenë në një mendim, që të gjitha të ndryshohen,

Bota dhe njerëzimi,

Para së gjithash, çrregullimi

I klasave njerëzore, meqenëse ka dy lloj njerëzish,

Shfrytëzim dhe padije.

NË LUFTË SHUMË GJËRA DO ZMADHOHEN

Në luftë shumë gjëra do zmadhohen.

Më të mëdhenj do bëhen

Pronarë e prona,

Mjerimi i të papronëve,

Falimentimi i udhëheqësve

Dhe heshtja e të udhëhequrve.

BASHKËSHKOLLARËT MË TË VARFËR TË MËHALLAVE

Bashkëshkollarët më të vjetër, me palltushka

t’holla,

Përherë vinin, nga mëngjezi, tepër vonë në orë,

Se nënave ata ua shpërndanin qumështin dhe gazetat.

Mësuesit e tyre

I regjistronin me të shara te libri i qortimit.

Nuk kishin pako të mëngjezit. Ata, në pushime

I shkruanin në nevojtore detyrat e tyre,

Kjo ishte e ndaluar. Se pushimi

Ish i caktuar për t’u çlodhur, si dhe për të ngrënë.

Kur ata nuk e dinin《pi-në》- shifrën e Ludolfit –

Mësuesit i pyesnin: Pse


Nuk rri ti në gjirizin, nga ke ardhur?

Po ata e dinin këtë.

Shkollarëve që ishin më të varfër, nga mëhallat,

U jepej ndonjë post i vogël, në shërbim të shtetit.

Prandaj përmendsh ata mësonin, me djersën

e ballit,

Brendinë e librave të ndotur që blinin,

Mësuesve mësonin çizmat t’u lëpinin.

Dhe nënat t’i përçmonin.

Postet e vogla të shkollarëve të varfër, nga mëhallat,

Ishin nën tokë. Stolat e byrove

Nuk kishin ndenjtje. Ata shpresë kishin rrënjët

E bimëve të shkurtra. Po përse u mësonin

Atyre gramatikë greke, luftërat e Çezarit,

Formulën e sulfurit, shifrën《pi》?

Në Flandër, nën varrezat e plebejve,

Të paracaktuara për ta,

S’kërkonin tjetër gjë veçse

gëlqere.

MËRGIMI I POETËVE

Homeri s’kish një atdhe,

Edhe Danteja duhet ta linte të vetin.

Li-Bo dhe Di-Fu arratiseshin nër luftrat civile,

Që gllabëruan 30 milion njerëz.

Euripidit i kaniseshin me procese

Dhe Shekspirit, duke vdekur, ja mbyllën gojën.

Fransua Vijonin e kërkonte jo vetëm Muza,


Po edhe policia.

《I dashuri》, i quajtur

Lukreci, shkoi në mërgim.

Kështu Hajne, dhe kështu u strehua

Brehti nën çatinë daneze prej kashte.

FUQIA E PUNËTORËVE

Një ditë të caktuar, në gjithë Spanjën,

Bënë punëtorët të pushonin fabrikat. Hekurudhat

Rrinin të ftohta mbi shina. Pa dritë

Ishin shtëpitë, si dhe rrugët, telefonat,

ishin një tog teneqe pa dobi. Nuk

U jepej më dot urdhër policëve. Në vend të kësaj,

Flisnin masat midis tyre. Gjatë tri ditëve

Përdoruesit e aparateve të pushtetshme u treguan

Si sunduesit e tyre. Punëtorët, duke mos punuar më,

Treguan fuqinë e tyre. Ara pjellore,

Befas s’ish veçse një tokë gurishte.

Leshi i përpunuar s’e ngrohte më njerinë,

Të cilin qymyri në vatër më s’e ngrohte. Madje

dhe çizma e policëve

Do të kalbej dhe s’do të gjente asnjë pasues.

Atëherë,

E theu mosuniteti fuqinë e kryengritjes,

por edhe vetë këtu

Urdhërat e padronëve për pushimin e grevës

Gjatë shumë ditëve s’mundën të arrinin te

Masat: sepse lokomotivat

Ishin pa avull dhe të neveritura zyrat

postale. Pra, edhe këtu


U tregua

E madhja fuqi e punëtorëve.

GJASHTËMBËDHJETË VJEÇARJA RROBAQEPËSE EMA RIZ

Kur gjashtëmbëdhjetëvjeçarja rrobaqepëse

Përpara gjykatësit hetues në Çernovie

U ftua të tregonte pse

Kishte shpërndarë trakte, në të cilat

Bëhej thirrje për Revolucion, gjë që sjell burgim –

Si përgjigje, ajo u ngrit në këmbë dhe këndoi

Internacionalen.

Kur gjykatësi hetues tundi kokën,

Ajo bërtitu: Ngrehu! Kjo

Është Internacionalja!

EPITAF PËR ROZA LUKSEMBURG

Roza e kuqe u zhduk dh’ ajo tani

Se ku ësht’ e shtrirë, nuk e di njeri.

Meqë të varfërve u tha të vërtetën

Asaj të pasurit ja muarr jetën.

Shqipëroi: Lasgush Poradeci

Marrë nga: Bertolt Breht – Poezi, Shtypshkronja Mihal Duri, Tiranë 1973
1. TË STUDIOJ PËRSE

Djali im i vogël më pyet:

Do doja të studioja matematikë?

Përse do doja (të pyes ) unë.

Që dy cope bukë janë më shumë se një,

Do ta shënosh sidoqoftë.

Djali im i vogël më pyet: do doja të studioja anglisht?

Për ç’motiv, do   doja (të pyes ) unë.

Kjo mbretëri po perëndon.

Dhe ti vetëm fërkon barkun me  ( pëllëmbën e dorës) dhe ofshan,

Po do ta kuptosh tashmë

Djali im i vogël pyet:

do doja të  studioja histori?

Pse, do doja (të  pyes) unë.

(Mëso ta mbash kokën fort mbi tokë),

( Atëherë ) mbase do qëndrosh.

Po, studio matematikë, i them,

Studio anglisht, po, studio hstori.

2. FËMIJËT LUAJNË LUFTASHFëmijët luajnë luftash.


Po rrallë qëllon të luajnë paqesh,
sepse të rriturit bëjnë vazhdimishtluftë,
ti bën “pum” dhe qesh;
ushtari shtije

dhe një tjetër më nuk qesh.

Është lufta.

Ka një tjetër lojë për ta shpikur:


ta bëjë botën të buzëqesh,

të mos e bëjë të qajë.

Paqje do të thotë

që jo të gjitëve t’u pëlqejë e njejta lojë,

që lodrat e tua

t’u pëlqejnë  edhe fëmijëve të tjerë

që shpesh nuk i kanë,

sepse ke tepër ti;

që skicat e fëmijëve të tjerë

nuk janë zhgaravina;

që mamaja jote s’është krejt vetëm jotja;

që gjithë fëmijët janë miqtë e tu.

Dhe paqe akoma  do të thotë

të mos kesh uri

të mos kesh të ftohtë

të mos kesh frikë.

3. KËNGA E NJË TË DASHURUERE

E di vallë e dashura që mua më bien flokët

shumë e shthurur është jeta ime

dhe duhet të shtrihem mbi gurë.

kisha një grua që ishte më e fortë se unë


si bari është më e fortë se demi

ngrihet në fakt.

Ajo e shihte që unë isha krijues e më donte.

Nuk pyeste ku të shkonte.

4. HOLLYWOOD

çdo mëngjes

për të fituar bukën e gojës

shkoj në treg

ku blihen gënjeshtrat

plot shpresë

rri pas atij që shet

5. LUFTA QË DO TË VIJË

Nuk është e para.

ka pasur të tjera lutra më parë.

Në fund të luftës së fundit

Kishte fitimtarë e të mundur.

Mes të mundurve, njerëzit e varfër vuanin urie.

Mes fitimtarëve, urie vuanin njerëzit e varfër prapë.

6. KUSH ËSHTË SIPËR, THOTË PAQE DHE LUFTË

 
janë të një esencë  ndryshe.

paqa e tyre është lufta e tyre

jam si era dhe furtuna.

lufta rritet nga paqja e tyre si fëmija nga nëna.

ka në fytyrën linjat e saj të tmerrshme.

lufta e tyre vret atë

që në paqen e tyre

ka mbijetuar.

7. MËSIM NGA GALILEU

Kur zoti shqiptoi komandën

deshi që dielli me një shenjë të tijën

të sjellë dritë rreth botës sonë

si një shërbyes në rrethin e caktuar.

duke dëshiruar që çdo krijesë

të rrotullohet rreth natyrës më të zgjedhur.

pra rreth të rëndësishmëve

filluan të rrotullohen të vegjlit

dhe të shquarve inferiorët

si në qiell edhe në tokë.

e rreth papës rrotullohen kardinalët

e rreth kardinalëve rrotullohen peshkopët

e rreth peshkopëve rrotullohen sekretarët

e rreth sekretarëve rrotullohen busolantët

e rreth busolantëve rrotullohen artizanët

e rreth artizanëve rrotullohen shërbëtorët


e rreth shërbëtorëve rrotullohen qentë

pulat dhe lypësit.

Një njeri është një MAN

8. NJERIU ËSHTË NJERI ?!

Thotë zoti B.B. se njeriu është njeri

dhe këtë mund ta thotë kushdo .

por zoti bertold breht vazhdon pastaj

që me një njeri mund të bësh ç’të duash.

sonte çmontojnë një njeri si një makinë

dhe shohin që montohet saktë i tëri përsëri

njerëzisht i përafrohet njeriut

pa brutalitet por me forcë duke e lutur

që të përshtatet me botën

dhe të lërë çdo peshk të notojë.

të duash të ndërtosh me të çfarëdo

sigurisht që nuk gabohesh.

por duhet të kesh parasysh se një natë

mund  ta konvertosh në xhelat që të na vrasë.

zoti breht uron që ju të gjithë të shihni

të shkrihet si bora toka mbi të ju cilën qëndroni

dhe rastet e portit Galy Gay t’ua tregojnë

se sa i rrezikshëm është të jetuarit në këtë botë

9. GJENERAL

Tanku yt është një makinë e fuqishme.

Rrafshon një pyll dhe përlan qindra njerëz.


Por ka një të metë:

i duhet një tankist.

Gjeneral, bombarduesi yt është i fuqishëm.

Fluturon më shpejt se një furtunë

Dhe mban më shumë se një elefant.

Por ka një të metë:

i duhet një mekanik.

Gjeneral, njeriu bën gjithçka.

Mund të fluturojë e mund të vrasë.

Por ka një të metë:

mund të mendojë.

10. ASNJË NJERI NUK ËSHTË NJË ISHULL

Më parë erdhën të merrnin ciganët dhe unë qesh i kënaqur sepse ata vidhnin

Pastaj erdhën të merrnin hebrejtë dhe unë heshta sepse më ishin antipatikë

Pastaj erdhën të merrnin homoseksualët dhe u lehtësova, sepse ishin të bezdisshëm

Pastaj erdhën të merrnin komunistët e unë s’fola sepse s’isha komunist

Një ditë erdhën të më merrnin mua, po s’kis mbetur asnjë që të protestonte.

11. KAM DËGJUAR SE NUK DONI TË MËSONI

Kam dëgjuar se nuk doni të mësoni asgjë.

E qartë:  jeni milionerë.

E ardhmja juaj është e siguruar-

Ajo është para jush në dritë të plotë.

Prindërit tuaj kanë bërë aq sa këmbët tuaja

Të mos përplasen në asnjë gur

Atëherë nuk duhet të mësoni asgjë.


Mun të mbeteni kështu siç jeni.

Dhe nëse, sidoqoftë, ka disa vështirësi që nga ajo kohë,

Siç kam dëgjuar, janë të pasigurt

Ke shefat e tu që ta thonë saktësisht atë

Që duhet të bësh gjersa të jesh mirë.

Ata kanë lexuar librat e atyre

Që dinë të vërtetën

Që kanë vlerë për të gjitha kohët

Dhe recetat që të ndihmojnë gjithmonë.

Meqenëse ka kaq shumë që mendojnë për ty

Nuk duet të lëvizësh qoftë edhe një gisht.

Por nëse, s’është kështu

Atherë do të të duhet të studiosh.

12. PO TË JETONIM NË PËRJETËSI

Po të jetonim në përjetësi

Gjithçka do të ndryshonte

Meqenëse jemi të vdekshëm

Shumë mbeten si më parë

13. NDËRRIMI I RROTËS

Po rri ulur buzëve të rrugës.

Shoferi ndërron rrotën.

Nuk jam vullnetarisht aty nga ku vij.

Përse shoh ndërrimin e rrotës

Me padurim?

 
14. S’KAM NEVOJË PËR NJË LAPIDAR

S’kam nevojë për një lapidar,

Por nëse ju keni nevojë ndonjë për mua

Do të doja që në të të shkruhej:

Ka bërë disa propozime.

Ne ia kemi pranuar.

Me një shkrim të tillë të gdhendur

Do të nerohemi që të gjithë.

15. KOHË TË VËSHTIRA PËR POEZINË

Po, e di: vetëm lumturia  është e dashur.

Zëri i saj dëgjohet me kënaqësi

Fytyra e saj është e bukur.

Pema deformohet në oborr

Është frut i tokës së keqe,

Por ata që që kalojnë e sakatojnë

Dhe kanë të drejtë.

Unë s’i shoh

Mbi të gjitha shoh rrjetën e grisur të peshkatarit.

Sepse unë flas vetëm për faktin

Pse kolona dyzetëvjeçare ecën e kërrusur?

Gjinjtë e vajzave

Janë gjithmonë të ngrohtë

Një rimë në një këngën time

Do më dukej pothuaj një vetëkën

Përktheu: Faslli Haliti


Bertolt Brecht – Pyetje te mirit

E kuptuam, je i mirë, por çfarë dobie po na sjellë


mirësia yte?

Ti nuk je i shitur, por as rrufeja që bie mbi kulm


nuk është e shitur.

E kuptuam, qëndron pas asaj që thua,


por çka je duke thënë?

I drejtë je, e thua atë që e mendon,


por ç’po mendon?

Je trim,por ndaj kujt?


Je i zgjuar, por çfarë dobie kemi nga ajo?

Nuk punon për interesa personale,


por interesat që po i mbron, të kujt janë?

Je shok besnik, por cilët janë shokët e tu?

Tani na ndëgjo neve:


Ti je armiku ynë.
Do të mbështetim për muri!
Por pasi që i ke disa të mira,
do të mbështetim për një muri të mirë,
do të qëllojmë me plumba të mirë,
që dalin nga pushka të mira!
Dhe as pak mos u brengos,
do të varrosim me një lopatë të mirë,
në dhe të mire

Përktheu: Arbër Zaimi

Mbi dhunën

Lumi i rrëmbyer quhet i dhunshëm

Por shtrati nën të që ia përcakton rrymën nuk

Quhet i dhunshëm prej askujt.

Stuhia që përkul drunjtë e mështeknave

Mbahet si e dhunshme

Por çka sa i përket stuhisë


Që përkul shpinat e punëtorëve që shtrojnë rrugë?

Mbi shterpësinë

Druri që nuk jep pemë

Quhet shterpë. Kush

Ia analizon dheun?

Dega që thyhet

Quhet e prishur por

A s’pati borë mbi të?

Citim

Poeti Kin tha:

Si vallë do të mund të shkruaj vepra të pavdekshme nëse nuk jam i famshëm?

Si vallë do të përgjigjem, nëse nuk më pyesin?

Pse duhet të harxhoj kohë mbi vargje nëse ato do të fshihen e do të harrohen me kohën?

I shkruaj këshillat e mia në një gjuhë të qëndrueshme

Sepse kam frikë se do të kalojë ca kohë gjersa të zbatohen.

Për të mbërritur një qëllim të madh, nevojiten ndryshime të mëdha.

Ndryshimet e vogla janë armiq të ndryshimeve të mëdha.

Unë kam armiq. Pra duhet të jem i famshëm.

Buka e popullit

Drejtësia është buka e popullit.

Herë është e bollshme, herë është e mangët.

Herë ka shije të mirë, herë ka shije të keqe.

Kur buka është e mangët, mbizotëron uria.

Kur buka është e prishur, mbizotëron pakënaqësia. 

Larg nga drejtësia e keqe!

E pjekur pa dashuri, e brumosur me dyshim!

Drejtësia pa erëza, me koren e saj gri!

Drejtësia bajate, që vjen shumë vonë!

Kur buka është e mirë dhe e bollshme


pjesa tjetër e vaktit mund të falet.

Nuk mund të jenë të gjitha njëherësh me bollëk.

Të ushqyerit me bukën e drejtësisë

mundëson punën

nga ku buron bollëku.

Ashtu siç nevojitet buka e përditshme,

nevojitet edhe drejtësia e përditshme.

Po ajo nevojitet disa herë në ditë.

Nga mëngjesi në darkë, gjatë punës dhe gjatë zbavitjes.

Gjatë asaj pune që është zbavitje.

Në kohë të vështira dhe në kohë të lumtura

populli ka nevojë për bukën e shëndetshme

të bollshme dhe të përditshme të drejtësisë.

Miq, meqë buka e drejtësisë ka rëndësi të veçantë

kush do ta pjekë atë?

Kush i pjek bukët e tjera?

Ashtu si bukët e tjera

edhe buka e drejtësisë

duhet të piqet nga populli.

Me bollëk, e shëndetshme, e përditshme.

***

I VARFRI

Qielli është gri

Anës lumit

ecën një i varfër.

Ai nuk fiton gati asgjë.

Ai nuk ha.

Ai nuk ka strehë.

Ai nuk mund të jetë zemërgjerë.


Ai dridhet si qen.

Ai nuk është zemërbutë.

Ai nuk ka shokë.

Ai i ka këpucët shollë.

Ai është sëmurë.

Ai është kriminel.

Ai nuk fiton gati asgjë.

Ai ecën anës lumit.

Qielli është gri.

***

ÇFARË KA NDODHUR?

Pronari i fabrikës lejon që t’i parakalojnë avionin.

Prifti mendon çfarë ka predikuar mbi normën e interesit tetë javë më parë.

Gjeneralët kanë veshur rroba civile dhe duken si bankierë.

Nëpunësit publikë në zyra tregohen miqësorë.

Polici i tregon drejtimin dikujt me kapelën e tij.

Pronari i shtëpisë po kontrollon nëse sistemi i ujit funksionon.

Shkruesit e gazetave e shkruajnë fjalën popull me të madhe.

Këngëtarët këndojnë falas në opera.

Kapitenët e anijeve kontrollojnë ushqimin në kuzhinën e skuadrës.

Pronarët e makinave ulen pranë shoferëve të tyre.

Doktorët akuzojnë sigurimet.

Fermerët e mëdhenj shpërndajnë patate nëpër kazerma.

Revolucioni ka fituar betejën e parë:

Kjo ka ndodhur.

***

KËTË DUA T’JU THEM

Pyes veten: përse të flasësh me ju?!

Ju blini dijen për ta shitur.


Ju doni të dini se ku ka dije më të lirë

që ta shisni më shtrenjtë.

Përse nuk doni të dini,

çfarë flet kundër blerjes dhe shitjes?

Ju doni të fitoni

kundër luftës nuk doni të dëgjoni fare.

Ju nuk doni të shtypeni.

Ju doni të shtypni.

Ju nuk doni progresin.

Ju doni avantazhin.

Ju identifikoheni me këdo

që premton t’u bindet urdhrave tuaja.

Per nje te pavendosur

Ti na thua

Se duket keq puna e çështjes sonë.

Terri po thellohet. Pushtet shumë pak.

Tash, pasi kemi punuar për kaq shumë vjet

Jemi në një pozitë më të vështirë se sa kur e nisëm.

Por armiku është ende aty, i fortë si kurrë më parë.

Pushteti i tij duket se është rritur. Ai seç ka marrë një pamje prej të pamposhtshmi.

Pastaj ne gjithsesi kemi bërë gabime; askush nuk mund t’i mohojë.

Radhët tona po rrudhen.

Slloganët tanë janë kundërthënës. Armiku i ka shformuar

Ca prej fjalëve tona gjer përtej kuptueshmërisë.

Çka është e rreme tash prej atyre që thamë:

Diçka, apo gjithçka?

Në cilin njeri do vazhdojmë të kemi besim? A jemi thjesht mbeturina, të flakura tej
Prej rrymës të së gjallëve? A do të mbetemi pas

Duke mos kuptuar askënd, të pakuptuar prej askujt?

Mos na duhet pak më shumë fat?

Këto janë pyetjet e tua. Mos prit

Përgjigje tjetër, përveç tëndes.

Mocali

Kam parë shumë miq, ndër ta dhe mikun që desha më fort

Të fundosen pashpresë në atë moçal

Të cilit i kaloj përditë përbri.

Por një fundosje jo gjithnjë mbaronte

Në një mëngjes të vetëm. Shpesh merrte

Javë; kjo i bënte edhe më të padurueshme

Kujtimet e kohëve kur bashkë bisedonim gjatë e gjerë

Mbi moçalin, i cili qysh atëherë

I kish përpirë aq shumë të tjerë.

I pashpresë unë e shihja teksa zhytej

Mbuluar me këpushë

Në baltën rrëzëllitëse

Që lëvizte ngadalë:

E mbi fytyrën që fundosej

Të tmerrshmen

Buzëqeshje të nginjur.

You might also like