You are on page 1of 3

Kur ka rënë me të vërtetë Perandoria Romake?

Kur ka rënë me të vërtetë Perandoria Romake?

SHPËRNDARJE

16 Mars 2016 • 08:17 •

Në vitin 402 perandori i tmerrshëm Honorius mendonte se Roma nuk qe më e mbrojtshme dhe vendosi
ta zhvendosë kryeqytetin në Ravena, një qytet i madh me një popullsi prej rreth 50.000 banorësh, i cili
kishte qenë pjesë e Perandorisë që nga shekulli II para Krishtit

Ajo që përcakton dështimin përfundimtar të Perandorisë është tejet e vështirë. Data më e lehtë për t’u
përdorur është rënia e Romës … por cila? Viti 410 nuk shënon fundin e listës së perandorëve romakë
perëndimorë dhe as viti 455. Problemi tjetër është se ndërsa Roma qe djepi i Perandorisë, në shekullin e
V nuk ishte vendimtar as qyteti më i rëndësishëm (Kostandinopoja), as kryeqyteti i Perandorisë Romake
Perëndimore (Ravena). Megjithatë, ndërsa zakonisht dihet se në epokën e vonë romake Kostandinopoja
ishte qyteti më i rëndësishëm, ajo që pothuajse askush nuk e kupton është se deri në fillim të shekullit V
pas Krishtit, perandorët romakë të Perëndimit kishin lëvizur kryeqytetin nga qyteti antik dhe i shquar i
Romës, në Ravena.

Data e dytë që mund të përdoret është viti 476, kur Romul Augusti u rrëzua. Përsëri, kjo nuk funksionon
për shkak se perandori romak Lindor qe akoma personi më i fuqishëm në botë (me përjashtim të
perandorit të Kinës). Perandoria e tij mund të jetë bërë e njohur si Perandoria Bizantine dhe banorët e
saj mund të kenë filluar të flasin greqisht, por ata e konsideronin veten po aq romakë sa edhe Jul Cezari
– deri në fundin e hidhur që ka ndodhur dy herë.

Perandoria Bizantine qe viktimë e Kryqëzatës së Katërt dhe u pushtua në vitin 1204. A ishte ky fundi i
Perandorisë? Megjithatë, vetëm disa breza më vonë ajo hodhi poshtë padronët e saj perëndimorë dhe
perandorët u kthyen. Këta do të sundonin deri në pushtimin osman të vitit 1453 (ku perandori i fundit
Lindor romak, ndryshe nga ai i fundit Perëndimor, hyri në histori duke rënë në fushën e betejës).
Atëherë të llogarisim vitin 1453 si fundin e Perandorisë? Kjo është një datë edhe më e vështirë për t’u
përdorur, pasi bota e shekullit XV ishte shumë ndryshme nga ajo e Perandorisë Romake në kulmin e saj.
Më keq akoma, qëkur Karli i Madh u kurorëzua perandor i romakëve në vitin 800, ka pasur një numër
sundimtarëve gjermanikë në Mesjetë që do të pretendojnë të jenë “Perandorët e Shenjtë Romakë”.

Ata nuk ishin diçka e tillë, por titulli ishte ende në lojë. E megjithatë, datat munden ende të përdoren:
kur Kostandinopoja ra në duart e osmanëve, dy dinasti shumë të ndryshme morën titullin e perandorit
romak dhe Cezarit. Së pari, sulltani osman mori titullin sepse ai sapo kishte pushtuar kryeqytetin e vjetër
lindor. Së dyti, meqenëse Kostandinopoja kishte qenë kryeqyteti i krishterimit ortodoks, krerët rusë, si
mbrojtës të besimit ortodoks, morën titullin Cezar (“Car” në rusisht). Asnjë nga këto data nuk janë të
kënaqshme, kështu që çështja qëndron tek fakti i fundit?

Beteja e Adrianopojës

Në shekullin e IV pas Krishtit, dyndjet gjermanike kishin filluar të bëheshin një problem serioz për
Perandorinë Romake. Pikërisht gjatë kësaj periudhe një numër grupesh të reja filluan të shfaqen në
kufijtë e largët të Romës. Disa nga këta njerëz ishin të njohur si gotët. Fillimisht gotët pranuan t’i
bashkohen Perandorisë, të vendosen diku duke punuar si fermerë dhe në thelb të shkriheshin me
popullsinë lokale.

Por gotët vështirë se u pritën me krahë hapur dhe sjellja e ashpër e guvernatorëve romakë lokalë çoi në
kryengritje masive. Se kush qe saktësisht fajtor për konfliktin kjo është e vështirë të thuhet. Lufta Gotike
u zhvillua ndërmjet viteve 376-382, ndërsa pati përleshje të shpeshta me forcat e perandorit romak të
Perëndimit Gratian. Megjithatë, ishte perandori romak i Lindjes Valensi, i cili shkoi personalisht të
përballet me ta.

Të dy palët u takuan në afërsi të Adrianopojës (Edirneja e sotme në Turqi). Shkrimtari romak Amianus
Marselinus pretendon se Valensi kishte rreth 25.000 njerëz, përkundër një hordhie prej 80.000 gotësh
(siç është shpesh rasti me tekstet e lashta, me këto shifra ndoshta është ekzagjeruar). Romakët
marshuan për 7 ose 8 orë në një terren të ashpër; ata ishin të lodhur dhe jo në formacione luftimi kur
mbërritën përballë ushtrisë gote.

Legjionet e shekullit IV mbanin tanimë armatura të fuqishme dhe mburoja të mëdha të rrumbullakëta,
të cilat ishin një barrë e shtuar nën diellin e nxehtë të gushtit. Një pjesë e ushtrisë romake sulmoi pa
urdhër dhe u zmbraps lehtësisht. Veprimet e nxituara të ushtarëve romakë donin të thoshin se ata nuk
kishin asnjë mundësi tjetër përveçse të angazhoheshin në luftë.

Qendra e ushtrisë gotike ishte një rreth mbrojtës në formë vagonësh, tek të cilat romakët arritën të
depërtojnë. Megjithatë, ndërsa romakët ishin të zënë duke sulmuar këtë pozicion mbrojtës, kalorësia
gote ia behu nga krahët dhe dërrmoi forcat e Valensit. Romakët e blinduar rëndë nuk ishin aq të
shkathët sesa gotët, ndërsa arritën të çajnë rrethimin e kalorësisë barbare dhe tashmë po luftonin në
grupe të vogla dhe jo si një ushtri e unifikuar.

Në kaosin që pasoi, pjesa më e madhe e trupave romake u masakruan, duke përfshirë edhe perandorin
Valens. Pasardhësi i këtij të fundit, Teodosi, u detyrua t’i kthejë gotët nga armiq në aleatë, por me
koston e humbjes së territoreve. Kjo ishte një pikë kthese, nga e cila Perandoria Romake nuk e mori
veten asnjëherë. /Zëri/

You might also like