You are on page 1of 6

Doc. Dr.

Vexhdi Akjyz

DREJT LINDJES SË MEDH’HEBEVE:


ndarja në Ehlul-Hadith dhe Ehlur-Re’j

Ndarja në Ehlul-Hixhaz (banorët, dijetarët e Hixhazit-zonës Mekke/Medine) dhe


Ehlul-Irak (banorët, dijetarët e Irakut) që mbështetej në dallueshmërinë e pozitës
gjeografike dhe të mësuesve prej të cilëve ushqeheshin ata, qysh nga periudha e dytë e
emevitëve, në masë të madhe e të përshkallëzuar, fillon të zhvillohet në një ndarje të
mbështetur në metodologji (usul).
Kështu, nga ndarja që më tepër e theksonte dallueshmërinë e vendit (të pozitës
gjeografike) duke u shndërruar në një ndarje që theksin më tepër e vinte mbi
dallueshmërinë e metodologjisë, tanimë Ehlul-Hixhazi filloi të quhej Ehlul-Hadith
(dijetarët e hadithit), kurse Ehlul-Iraku u bë Ehlur-Re’j (dijetarët e arsyes). Krahas
dallueshmërive në mendime të kohëve të mëhershme, në këtë periudhë diskutimet më
të rëndësishme që dolën në pah kishin të bënin me veprimin me hadithet mursel
(hadithe që transmetohen nga ndonjë tabiun pa u përmendur emri i transmetuesit
sahabij; përgjithësisht hyn në grupin e haditheve me zinxhir të ndërprerë të
transmetuesve), me vlerën që u jepej mendimeve të sahabëve (muslimanët që kanë
jetuar bashkë me Muhammedin a.s.) e të tabiunëve (muslimanët që kanë jetuar me
sahabët) si dhe me mendimet që silleshin rreth çështjes së re’jit (arsyes, logjikës).
Dallueshmëria metodologjike që në fillim ishte dallueshmëri gjeografike, nuk mund të
thuhet se ajo ka bartur veti e karakteristika tërësisht gjeografike. Për shembull, njëri
prej mësuesve të Imam Malikut i quajtur Rabiatur-re’j i takonte shkollës së Ehlur-
Re’jit, kurse fakihu (juristi) esh-Sha’bi nga Kufeja, edhe pse herë pas here e përdor
kijasin (analogjinë si mjet logjik), në fakt i takonte shkollës së Ehlul-Hadithit.

Tendencat kryesore të Ehlul-Hadithit (Ehlul-Etherit)

Personi të cilin Ehlul-Hadithi në lëminë e fikhut (të së drejtës islame) e merr për lider,
është njëri prej shtatë fakihëve të njohur të Medines, Said bin el-Musejjebi. Edhe pse
Said bin el-Musejjebi (v. 94/712) ishte imam i Ehlul-Etherit, kur e donte puna hidhte
hapa që mund të quhen “guximtarë” saqë jepte fetva (përgjigje juridike) edhe me re’j.
Ndërkaq, edhe pse ishte nga Kufa (qytet në Irak), esh-Sha’biu i takonte shkollës së

1
Ehlul-Etherit. Ehlul-Hadithi është përmendur edhe me emrat As’habul-Hadith dhe
As’habul-Ether ose Ehlul-Ether.
Karakteristikat kryesore të Ehlul-Hadithit mund të radhiten si në vijim:
a) Nuk e shihnin me sy të mirë përdorimin e re’jit dhe të kijasit. Vetëm në raste nevoje
bënin istinbat (nxjerrje të vendimeve duke përdorur logjikimin).
b) I iknin marrjes së vendimeve për çështjet që akoma nuk kishin ndodhur.
c) Më tepër i përkushtoheshin tubimit të haditheve dhe mbledhjes së mendimeve të
sahabëve e të tabiunëve. Të gjitha këto që i tubonin i quanin me termin ether (shumësi
athar). Prandaj, sa herë që duhej të jepnin ndonjë vendim lidhur me çështjet e
paraqitura, atyre në të shumtën e rasteve u mjaftonin këto ethere.
ç) Nuk u jepnin rëndësi fetvave dhe re’jeve (mendimeve) që binin ndesh me këto
ethere.

Si rezultat i këtyre tipareve të Ehli-Hadithit, lind kjo metodë e tyre në lëmin e fikhut:
1) Të veprohet me një ajet të qartë kur’anor që ka të bëjë me çështjen e diskutueshme.
Nëse ajeti ka mundësi për t’u komentuar, ky komentim të bëhet në përshtatshmëri me
mënyrën e komentimit të cilën e miraton sunneti.
2 ) Të ndiqet sunneti në çështjet për të cilat nuk ka ajet kur’anor. Me këtë rast, nuk
është me rëndësi nëse sunneti është mutevatir (i përcjellur nga një grup transmetuesish
të secilës gjeneratë) apo âhâd (i përcjellur nga një person i secilës gjeneratë; ndahet në:
mesh’hur, aziz dhe garib), nëse me të kanë vepruar sahabët dhe fakihët më herët ose
jo.
3) Në rast të mungesës së ndonjë vendimi në sunnet, të merret vendimi i miratuar nga
një grup i sahabëve dhe tabiunëve; në raste mospajtimi midis tyre, të preferohet kriteri
i dijes dhe devotshmërisë së tyre.
4) Së fundi, të merren shembujt e përngjashëm me frymën, qëllimin, direktivat dhe
kërkesat e Kur’anit e të sunnetit dhe në bazë të tyre të jepet fetvaja.
Pas periudhës fillestare kur në shkallë të madhe u intensifikuan diskutimet ideore në
lëmin e politikës (hilafetit, imametit), i’tikadit (besimit), hadithit dhe fikhut, në mes
viteve 130-190 / 747-805 Ehlul-Hadithi i tejkalon kufinjt e Hixhazit dhe rrethinës së
tij, ku e kishte mbaruar fazën e formimit fillestar dhe i cili Hixhaz ishte djepi i
muslimanëve me prejardhje arabe, duke tërhequr ithtarë të vet e duke u vendosur edhe
nëpër vise të tjera gjeografike. Ehlul-Hadithi, që nga shek. III hixhrij duke u
medh’hebizuar në malikij, shafi’ij, hanbelij dhe dhahirij (davudij), arrinë të
shpërndahet në të gjitha anët e botës muslimane.

2
Tendencat kryesore të Ehlur-Re’jit

Personi të cilin Ehlur-Re’ji e kanë konsideruar si lider të tyre, ka qenë Ibrahim en-
Neha’iu (v. 96/714). Shumica e fukahave (juristëve) nga Kufa dhe medinasi
Rabiaturre’ji kanë qenë ithtarë të kësaj rryme. Ehlur-Re’ji ndryshe është quajtur edhe
As’habur-re’j, Ehlul-Kijas dhe As’habul-Kijas.
Karakteristikat kryesore të Ehlur-Re’jit janë si në vijim:
a) Nuk nguronin nga përdorimi i re’jit dhe i kijasit, kurse sa i përket transmetimit dhe
pranimit të haditheve ishin mjaft të kujdesshëm dhe të ngurtë. Arsye për këtë ata i
paraqitnin qëndrimet e Hulefaur-Rashidinëve, e sidomos të hz. Umerit e të hz. Aliut,
lidhur me transmetimin e haditheve si dhe rritjen e sajimit (fabrikimit) të haditheve.
b) Projektonin ngjarje që akoma nuk kishin ndodhur dhe duke i aplikonin metodat e
tyre mbi këto ngjarje fiktive, gjenin zgjidhje për to si dhe diskutonin rreth tyre.
c) Nuk mjaftoheshin vetëm me shprehjet e dukshme të ajeteve dhe të haditheve, porse
kujdeseshin mjaft edhe për shkaqet, qëllimet dhe urtësitë e tyre.
d) Sa i përket tubimit të haditheve dhe ethereve, ishin pak më pak se Ehlul-Hadithi të
angazhuar. I mbildhnin dhe i mësonin përmendsh vetëm hadithet që sipas tyre ishin të
pranueshme.
Si rezultat i këtyre karakteristikave të tyre, lindin këto metoda në lëmin e fikhut:
1) Të mbështeturit në ajetet e qarta që kanë të bëjnë me temën në fjalë.
2) Të mbështeturit në sunnetin sahih (të vërtetë) që ishte në përputhje të plotë me
kushtet e parashtruara nga ata.
3) Të mbështeturit në ixhma’in (konsensusin) e sahabëve e të tabiunëve.
4) Nëse nuk ekziston ixhma’ për çështjen në fjalë, para së gjithash të mbështeten në
mendimin dhe fetvanë e sahabiut prej të cilin kishin mësuar njohuritë fetare. Nuk
lidheshin pas të gjitha mendimeve të një sahabiu të vetëm. Sa i përket mendimeve të
tabiunëve, për ta nuk ishin obliguese.
5) Nëse nuk gjenin përgjigje në burimet e mësipërme, me anë të metodave të tyre të
nxirrnin vendimin prej këtyre të përmendurave.
Ehlur-Re’ji nuk ka arritur të fitojë ndonjë autoritet të veçantë deri në kohën e Ebu
Hanifes. Figurat më të njohura të Ehlur-Re’jit deri te Ebu Hanifeja janë njerëzit,
shumica prej të cilëve kanë marrë mësim prej Abdullah bin Mes’udit, si Alkameja,
Mesruku, Kadi Shurajhu, Said bin Xhubejri, mësuesi i Ebu Hanifes Hammad bin Ebi
Sulejmani (v. 120/737). Burimin e njohurive të Ibrahim en-Nehaiut e përbënin fetvatë
e Abdullah bin Mes’udit, vendimet dhe fetvatë e hz.Aliut si dhe vendimet e Kadi
Shurajhut dhe të kadive (gjykatësve) të tjerë të Kufes. Kështu që këta kishin formuar
një thesar të çmuar në lëmin e fikhut.
Përfaqësuesit e tjerë të Ehlur-Re’jit nuk kanë qenë me ndikim sa boshti Hammad-Ebu
Hanife. Mirëpo me ta janë lidhur në forma të ndryshme. Kështu, dalëngadalë termi
ehlur-re’j fillon të përdoret kryesisht vetëm për hanefinjt, ngase madje edhe Mu’tezilet
si njëra prej degëve më të rëndësishme të Ehlur-Re’jit, me kalimin e kohës, ndoshta

3
pas Imam Maturidiut sidomos në Azinë e Mesme, janë shkrirë brenda medh’hebit
hanefij.
Ehlur-Re’ji që nuk përbëhej vetëm nga grupi i fakihëve, përgjithësisht ishte i përbërë
nga mevalinjt (muslimanë që nuk kishin origjinë arabe). Edhe ashtu Iraku dhe qendra
më e njohur e tij qyteti Kufe, ishin viset ku më së tepërmi ishin vendosur ata. Kjo ishte
edhe njëra prej arsyeve për dallueshmërinë e tyre nga Ehlu’l-Hadithi në lëmin e
i’tikadit, politikës dhe fikhut.

Dimensionet e ndarjes

Ndarja në Ehlul-Hadith dhe Ehlur-Re’j është një dallueshmëri që do t’i japë kahje
gjithë historisë së fikhut, e sidomos usulit (metodologjisë së të drejtës islame).
Mospajtueshmëria kryesore ishte një dallim në të kuptuar, që kishte të bënte me vlerën
e vërtetësisë së disa haditheve të transmetuara si dhe me kriterin e përodrimit të re’jit
(arsyes). Ithtarët e të dyja botëkuptimeve tregonin kujdes të veçantë që të bënin
dallimin midis vendimeve të përcaktuara me ajet dhe hadith dhe vendimeve të
mbështetura në re’jet e tyre. Qëllimi i të gjithëve ishte ta kërkonin e gjenin të vërtetën,
që gjithkujt t’ia dorëzonin të drejtën e tij brenda kornizave juridike dhe që njerëzve t’u
ofronin lehtësimin e vërtetë që ua jep feja. Ndarja në Ehlul-Hadith dhe Ehlur-Re’j nuk
është një ndarje që është paraqitur vetëm në lëmin e fikhut. Kjo ndarje, në të njëjtën
kohë ose brenda kohës është hetuar dhe është paraqitur në mënyrë efektive edhe në
lëmin e i’tikadit (çështjeve të besimit). Të dyja grupet, krahas veprave mbi fikhun,
kanë shkruar edhe mjaft vepra mbi i’tikadin ose të tilla që bartnin tituj mbi besimin.
Brenda rrymave të Ehlul-Hadithit dhe Ehlur-Re’jit që kryesisht e kap preiudhën
ndërmjet shek. II dhe III hixhrij, mund të flitet për grupimet e matura dhe ekstreme:
1) Ehlul-Hadithi i matur: Muhaddithët (shkencëtarët e hadithit) e mëdhenj më të
njohur e përbëjnë grupin e matur të Ehlul-Hadithit. Këta, nuk e përfillnin fort re’jin
dhe i kishin përqafuar qasjet e sahabëve e të tabiunëve të cilët nxitnin vetëm në
veprimin me ajet dhe hadith. Për këtë arsye edhe shumë rrallë e përdornin re’jin e
kijasin dhe nuk jepnin fetva pa qenë e domosdoshme. Nguronin të jepnin fetva dhe
gjykime lidhur me ngjarjet që akoma nuk kishin ndodhur. Kryesisht kanë qenë të
dhënë pas mbledhjes së haditheve dhe transmetimit të tyre. Krahas haditheve, këta i
futnin në grupin e ethereve edhe mendimet e sahabëve e të tabiunëve. Hadithin dhe
etherin këta i mbanin më lart se çdo lloj re’ji. Në vend që të lidheshin pas të gjitha
mendimeve (medh’hebit) të një personi, lidheshin pas ethereve që ata i njihnin për të
vërteta.
2) Ehlul-Hadithi ekstrem: Këtë grup e përbëjnë disa ithtarë të Mu’teziles dhe
medh’hebi Dhahirij, të cilët në mënyrë të skajshme ishin kundër kijasit dhe re’jit.
Dhahirinjt, me kalimin e kohës pjesërisht i zbutin qëndrimet e tyre lidhur me re’jin dhe
kijasin dhe e pranojnë një metodë që ata e quanin “delil”.
3) Ehlur-Re’ji i matur: Është grupi të cilin kryesisht e pëbëjnë hanefinjt. Hanefinjt,
në masë të madhe e kanë përdorur kijasin dhe e kanë sistematizuar atë si metodë me
rastin e nxjerrjes së vendimeve të Sheriatit. Ishin të prirur të gjenin zgjidhje për ngjarje

4
që akoma nuk kishin ndodhur apo për ngjarje fiktive. Krahas shprehjeve të dukshme të
ajeteve dhe haditheve, rëndësi u jepnin edhe urtësive e qëllimeve të tyre.
4) Ehlur-Re’ji ekstrem: Ky është grupi që nuk pranon argument tjetër naklij (të
transmetuar: ajet dhe hadith) pos ajeteve kur’anore ose që nën kushte mjaft të ngushta i
pranojnë vetëm disa hadithe. Mu’tezilet e Basras dhe një grup i harixhinjve nuk i
pranojnë kurrsesi hadithet, qofshin ato edhe mutevatir, për burime të së drejtës.
Ndërkaq një grup tjetër brenda Ehlur-Re’jit ekstrem, edhe pse nuk i refuzojnë në
mënyrë të përgjithësuar të gjitha hadithet dhe etheret, por nga frika e dobësisë së tyre i
kundërshtojnë edhe hadithet sahih (të vërtetë), nuk u japin këtyre rëndësinë e duhur;
nga ana tjetër shkonin në skajshmëri kur ishte në pyetje kijasi dhe istihsani (braktisja e
një vendimi / gjykimi të mëparshëm të lëshuar nga një jurist dhe preferimi i një tjetri
vendim duke u mbështetur në ajet, hadith, ixhma, domosdoshmëri e të tjera arsye).

Afrimet e Ehlul-Hadithit dhe Ehlur-Re’jit

Përkundër krejt kësaj me sa u tha më lart, nuk është e drejtë që kjo ndarje të kuptohet
si një ndarje absolute. Në mes palëve, edhe në periudhën fillestare kur janë hedhur
themelet e medh’hebeve, po edhe në periudhat e mëvonshme kur janë formuar dhe
ngulitur medh’hebet, gjithnjë ka patur takime dhe afrime shekncore, gjithnjë i kanë
pranuar kritikat e njëri-tjetrit dhe në bazë të këtyre vërejtjeve e kritikave kanë bërë
revidimin dhe përmirësimin e mendimeve e gjykimeve të tyre, qoftë të kishin të bënin
usulin (bazën, metodologjinë) qoftë me furu’in (degët, çështjet dytësore të së drejtës
islame).
Imamu A’dham Ebu Hanifeja dhe Imam Maliku, janë takuar me rastin e haxhxhit e me
raste të tjera udhëtimi dhe kanë ndërruar mendimet e njëri-tjetrit. Djali dhe disa nxënës
të Ebu Hanifes kanë mësuar te Imam Maliku. Imam Maliku dhe juristi egjiptas Lejs
bin Sa'di, përmes takimeve dhe shkrimeve të ndërsjella kanë blerë mendimet e njëri-
tjetrit. Po kështu ka patur takime dhe diskutime midis nxënësve të Ebu Hanifes dhe
Imam Shafiut. Të gjitha këto afrime e takime kanë kontribuar në masë të madhe në
zhvillimin tolerant dhe të suksesshëm të trashëgimisë së fikhut.

Hapat paraprakë të medh’hebizimit

Fakihët (juristët) e kësaj periudhe kanë dhënë fetva për pyetjet që populli ua
parashtronte atyre. Populli i besonte njërit prej dijetarëve që jetonte në rrethin e tij,
mirëpo akoma nuk ka patur një dukuri që mund të quhej “medh’heb” (shkollë
juridike). Megjithëkëtë, diskutimet metodologjike që janë zhvilluar në këtë kohë, po
thuajse kanë qenë diskutime që i kanë dhënë kahje gjithë historisë së fikhut e të
mendimit islam. Diskutimet lidhur me kuptimin dhe sqarimin e Kur’anit e të sunnetit,
diskutimet lidhur me vërtetësinë dhe dimesnionet e sunnetit, diskutimet lidhur me
obligueshmërinë e mendimeve të sahabëve, diskutimet lidhur me të kuptuarit dhe
dimensionin e re’jit, në fakt kanë qenë diskutime që zhvillohen akoma sot e kësaj dite
dhe që i kanë dhënë shtytje përpara dhe një karakter dinamik mbarë mendimit islamik.

5
Këto diskutime, duke ndikuar në shkallë të parë në lindjen dhe sistematizimin e
medh’hebeve, në fakt kanë krijuar bazën e vërtetë ideore për formimin e tyre. Qarqet
shkencore të medh’hebeve të periudhës pas sahabeve kanë qenë të përbëra nga këta
juristë të mëdhenj.
Ndarja në Ehlul-Hadith dhe Ehlur-Re’j, që sado kudo fitoi një karakter sistematik si
rezultat i veprimtarisë së dendur të imamëve muxhtehidë të katër medh’hebeve të
drejta, shkaktoi përgjithësimin e mendimeve juridike po edhe vetë lindjen e
medh’hebeve ashtu siç i njohim sot, edhe pse jo në masë të madhe sa zhvillimet e
shek. IV hixhrij kur edhe paraqiten medh’hebet në kuptimin e plotë të fjalës me gjithë
imamët e medhenj dhe nxënësit e tyre, me gjithë tërësinë e metodave për zhvillimin e
shkencës së të drejtës islame (fikhut) dhe me gjithë ndjekësit e këtyre imamëve e
mendimeve të tyre nga ana e masave të gjera të muslimanëve.

Nga turqishtja:
mr. Rejhan Neziri

You might also like