Professional Documents
Culture Documents
Test Fragment Nga Katedralja e Parisit (Kllapia) e Viktor Hygo
Test Fragment Nga Katedralja e Parisit (Kllapia) e Viktor Hygo
Klod Froloi nuk ndodhej më në katedrale, kur i biri i tij në shpirt e këputi aq papritmas nyjen
fatale, me të cilën kishte ngecur edhe vetë. Pasi qe kthyer në sakristi, ai kishte hequr me të
shpejtë veladonin dhe stolën, ia kishte hedhur këto sakristanit, të habitur; pastaj kishte dalë
nga dera e fshehtë e manastirit, kishte urdhëruar një varkar të Terenit ta hidhte në bregun e
majtë Senës dhe së andejmi ishte futur në rrugët kodrinore të lagjes së Universitetit, pa ditur
as vetë ku shkonte dhe duke hasur në çdo hap grupe burrash dhe grash që ishin drejtuar te ura
SenMishel, për të parë si do ta varnin magjistaren. Ai ishte i zbehtë dhe i shushatur, më i
turbulluar, më i verbër dhe më i egërsuar se një zog nate, të cilin e nget dhe e ndjek pas një
tufë kalamajsh në mes të ditës. Ai nuk dinte më ku ishte, ç’mendonte dhe nëse shihte një
ëndërr apo ishte zgjuar. Herë ecte kuturu, pa e zgjedhur drejtimin, dhe merrte herë njërën
rrugë herë tjetrën, i shtytur përpara nga një mendim i vetëm: nga mendimi për sheshin Grev,
për sheshin e llahtarshëm Grev, të cilin ai e ndiente ashtu turbull prapa vetes së tij.
Ai kaloi kështu në kodrën Sen-Zheneviev dhe doli, më në fund nga qyteti prej portës
Sen Viktor. Vazhdoi të largohej derisa, duke kthyer kokën, mundi të shihte ende kullat
që rrethonin Universitetin, si dhe shtëpitë e rralla të lagjeve të jashtme; por kur, më në
fund, një bregore e vogël ia fshehu nga sytë krejtësisht atë Paris të urryer, kur kujtoi se
ndodhej nja njëqind kilometra larg së andejmi, i degdisur në mes të fushave, në mes të
një shkretëtire qëndroi dhe iu duk se aty mund të merrte frymë lirisht.
Atëherë e pushtuan mendime të lemerishme. I bëri një shqyrtim shpirtit të tij dhe iu
rrëqeth shtati. Iu kujtua ajo vajzë fatkeqe, që e kishte marrë atë më qafë dhe që, edhe
vetë ishte marrë më qafë prej tij. I hodhi një vështrim të hutuar udhës së dyfishtë dhe
plot zigzage, që fati i kishte bërë të përshkonin që të dy gjatë jetës së tyre, deri te ai
udhëkryq ku ky fat i kishte përplasur ata pa mëshirë njëri me tjetrin. Ai vrau mendjen
për marrëzinë e betimeve të përjetshme, për kotësinë e shkencës, të virtytit, të
dëlirësisë morale për padobinë e perëndisë. U kap me gëzim pas këtyre mendimeve të
mbrapshta dhe, duke u kredhur thellë më thellë në to, ndjeu se po i ziente në kraharor
një e qeshur satanike.
Duke e vëzhguar në këtë mënyrë shpirtin e tij, ai e kuptoi se ç’vend të madh u kishte
lënë natyra pasioneve dhe atëherë nënqeshi edhe më shumë me hidhërim. Ai e
hulumtoi tërë urrejtjen, tërë ligësinë që fshihej në zemrën e tij, dhe duke vëzhguar me
syrin e ftohtë të një mjeku që studion një të sëmurë, u bind se kjo urrejtje dhe kjo
ligësi nuk janë gjë tjetër, veçse një dashuri e shtrembëruar; se dashuria, ky burim i
virtyteve të njeriut, shndërrohet në diçka të përbindshme në shpirtin e një prifti dhe se
një njeri si ai bëhet demon, duke u bërë prift. Atëherë ia plasi një gazi të frikshëm dhe
pastaj u zbeh papritmas: shikoi anën më të errët të pasionit të tij fatal, të asaj dashurie
gërryese dhe helmuese, urryese dhe të papërmbajtur që e kishte çuar ciganen në
trekëmbësh dhe atë vetë në skëterrë; ajo ishte dënuar, ai ishte mallkuar. …..
….Oh ajo kudo! Ky mendim i ngulët nuk i shqitej për asnjë çast, e bluante përbrenda,
i brente trurin dhe i sfiliste shpirtin! Ai nuk ishte menduar aspak, nuk i vinte keq
aspak; gjithçka që kishte bërë, ishte gati ta bënte përsëri. I pëlqente më mirë ta shihte
atë vajzë në duart e xhelatit, sesa në krahët e kapitenit; por ai vuante, vuante aq
shumë, saqë herë-herë shkulte nga koka tufa flokësh për të parë mos ishte thinjur…
Qe një çast kur i shkoi në mendje se ndoshta pikërisht në atë minutë zinxhiri i
shëmtuar, që ai kishte parë atë mëngjes, shtrëngonte tani me një nyjë hekuri qafën e
saj të hajthme dhe të hijshme. Ky mendim e bëri t’i dilnin djersë të ftohta në ballë.
Qe dhe një çast tjetër kur, duke qeshur plot ligësi me veten e tij, e përfytyroi
Esmeraldën ashtu siç e kishte parë për të parën herë: të gjallë, të shkujdesur, gazmore,
të veshur e të stolisur, vallëzuese, krahëlehtë, dhe, fill pas kësaj, Esmeraldën e herës së
fundit: me këmishë dhe me litar në qafë, duke ngjitur shkallët ngadalë dhe
këmbëzbathur përpjetë shkallëve të thepisura të trekëmbëshit. Ai e përfytyroi aq qartë
këtë figurë të dyfishtë, saqë lëshoi padashur një ulërimë të frikshme.
Kështu brodhi përmes fushave deri në mbrëmje. Ky largim nga natyra, nga jeta, nga
vetvetja, nga njeriu, nga zoti, nga gjithçka zgjati tërë ditën. Herë-herë ai binte përmbys
në tokë dhe shkulte me thonj kallinjtë e njomë; herë-herë ndalej në mes të rrugës së
shkretë të ndonjë fshati, ku e pllakosnin mendime aq torturuese, saqë ai zinte kokën
me të dyja duart, sikur mundohej ta shkulte këtë nga supet dheta përplaste përdhe.
Kur po perëndonte dielli, ai e hulumtoi edhe njëherë shpirtin e tij dhe iu duk se
pothuaj kishte luajtur mendsh. Furtuna që kishte shpërthyer te ai qysh kur pati humbur
edhe shpresën, edhe vullnetin për ta shpëtuar ciganen, nuk kishte lënë në vetëdijen e
tij asnjë mendim të shëndoshë, asnjë ide të pacenuar. Mendja e tij dukej se ishte bërë
hije e pluhur. Vetëm dy figura kishin ngelur të qarta në vetëdijen e tij: Esmeralda dhe
trekëmbëshi; çdo gjë tjetër ishte kredhur në errësirë. Ato dy figura, duke u afruar me
njëra-tjetrën, përbënin një grup të llahtarshëm, dhe sa më shumë që ai e përqendronte
në to pak vëmendje që i kishte ngelur, aq më shumë rriteshin ato në përpjesëtime
fantastike; njëra me hijeshinë, bukurinë, joshjen dhe dritën e vet, tjetra me shëmtimin
e vet; më në fund Esmeralda zuri t’i dukej si një yll, kurse trekëmbëshi si një krah i
stërmadh dhe eshtak.
6. Personazhi është:
a. personazh mitik,
b. personazh i jashtëzakonshëm,
c. personazh real,
ç. personazh i trilluar.