You are on page 1of 6

Tema 4

FJALIA, KUPTIMI DHE PËRKUFIZIMI I SAJ. RAPORTET E FJALISË ME GJYKIMIN.


TIPARET KRYESORE KUPTIMORE DHE NDËRTIMORE. KLASIFIKIMI I SAJ SIPAS
TIPAVE KUPTIMORË DHE SINTAKSORË

1. Fjalia, kuptimi dhe përkufizimi i saj


2. Raportet e fjalisë me gjykimin
3. Tiparet kryesore kuptimore dhe ndërtimore
4. Klasifikimi i fjalisë sipas tipave kuptimorë dhe sintaksorë

1. Fjalia, kuptimi dhe përkufizimi i saj

Fjalia është njësia themelore sintaksore në gjuhën shqipe, sepse në këtë nivel realizohen
funksionet themelore të gjuhës. Çështja e fjalisë dhe e thelbit të saj është e lidhur me probleme
gjuhësore, logjike dhe filozofike, që ka tërhequr vëmendjen e dijetarëve dhe gjuhëtarëve gjatë të
gjitha kohërave. Konceptet për fjalinë në gjuhësinë e përgjithshme janë të ndryshme, pasi ajo është
një njësi e ndërlikuar dhe përmban tipare gjuhësore dhe jashtëgjuhësore. Ende sot ka mjaft
diskutime të pazgjidhura dhe probleme për të cilat mbahen qëndrime të ndryshme.
Ka qenë dijetari latin Prishiani (rreth shek. V e.s.), i cili e përkufizonte fjalinë si “një
kombinim koherent fjalësh që shpreh një kuptim të plotë”. Më kombinim koherent do të
kuptojmë një bashkim të formuar nga ana formale-gramatikore, ashtu edhe nga përmbajtja. P.sh.,
ne si folës të shqipes e dimë me intuitë se dy kombinimet e fjalëve:

vjeshtë e begatë dhe


Vjeshta është e begatë

janë që të dyja të formuara drejt nga ana formale-gramatikore, por vetëm e dyta arrin të japë një
kuptim të plotë. Deri më sot mund të jenë dhënë rreth 300 përkufizime për fjalinë. Kjo dëshmon
për karakterin e ndërlikuar të kësaj çështjeje.
Megjithatë, mund të thuhet se prej të gjithëve pranohet se fjalia është njësia themelore e
sintaksës, ndërsa për çështje të tjera, siç janë kufijtë e saj me njësitë më të mëdha, përkufizimi i
saj nuk ka gjetur përgjigje të njëjtë. Arsyeja se pse ka kaq shumë përkufizime për fjalinë është se
gjuhëtarët e ndryshëm duan që përkufizimi të jetë sa më i përpiktë, duke plotësuar a kundërshtuar
njëri-tjetrin. Disa nisen vetëm nga forma, disa të tjerë nga përmbajtja etj.
Një përkufizim të qëlluar ka dhënë gjuhëtari gjerman J. Ries në veprën “Was ist ein Satz”,
në të cilën thotë se fjalia është njësi minimale e ligjërimit, e formësuar gramatikisht që e
shpreh përmbajtjen në perspektivën e lidhjes së saj me realitetin.

1
Fjalia është një nivel ku përplasen disa nënsisteme të tjera dhe për pasojë bien ndesh më
njëri-tjetrin shumë probleme e zgjidhje.
Në gjuhën shqipe fjalia konceptohet si njësi themelore e ligjërimit, e përfituar mbi
bazën e ligjeve të gjuhës shqipe, të lidhjeve e të marrëdhënieve midis fjalëve e gjymtyrëve
për të shprehur ndjenja, mendime, dëshira e forma të tjera të të menduarit. Përgjithësisht
pranohet se fjalia është njësi komunikative e gjuhës, ndryshe nga sintagma (apo togfjalëshi) që
nuk e ka këtë tipar. Në përgjithësi fjalitë ndërtohen prej shumë fjalësh, por ka jo pak raste kur ato
përmbajnë vetëm një fjalë, si p.sh.: Vjeshtë. Vapë.

2. Raportet e fjalisë me gjykimin

Lidhja e fjalisë me gjykimin është një nga problemet më me rëndësi që është diskutuar e
diskutohet në planin e gjuhësisë së përgjithshme dhe të filozofisë së gjuhës. Raporti midis këtyre
njësive dhe trajtimi i këtyre lidhjeve në një mënyrë tjetër ka bërë që të ketë qëndrime a pozicione
të ndryshme, të cilat janë ndarë që nga kohët e antikitetit e deri sot në dy qëndrime:
drejtimi formalist dhe drejtimi logjik.
Raporti mes fjalisë dhe gjykimit, si dy kategori, është një nga problemet më të trajtuara
edhe në gjuhësinë shqiptare, pasi janë dy njësi që lidhen ngushtë me njëra-tjetrën, por nga ana
tjetër, fjalia dhe gjykimi janë kategoritë themelore që përbëjnë objekte të veçanta për shkenca të
ndryshme.
Kështu, gjykimi është njësi themelore e logjikës, e cila është shkenca që studion ligjet e
të menduarit, rrjedhimisht gjykimi është njësia kryesore e të menduarit dhe objekt i veçantë i
logjikës. Deri më sot përkufizimi më i pranuar e më i njohur për gjykimin është përkufizimi i
dhënë nga filozofi i madh i antikitetit grek, Aristoteli: Gjykimi është pohimi ose mohimi i dikujt
për dikë a për diçka tjetër.
Në një gjykim, konceptet vihen në lidhje pohimi a mohimi me njëri-tjetrin për të pasqyruar
ato lidhje që ekzistojnë në realitet. Gjithashtu, pranohet që përmbajtja e gjykimit, vërtetësia ose
jovërtetësia duhet të jenë në përputhje me një lidhje të caktuar. Kur lidhja mes koncepteve
vërtetohet në realitet, themi se gjykimi është i vërtetë, p.sh.: Hekuri është metal. Pranohet se
gjykimi ka dy elemente kryesore: subjektin dhe predikatin. Subjekti përbën dhe tregon
nocionin e sendit të gjykimit, p.sh. te: Dita është e bukur, dita është sendi për të cilin arsyetojmë.
Predikati shënon nocionin e tiparit për sendin e gjykimit ose përbën marrëdhënie midis sendit si
nocion i gjykimit dhe tiparit të tij. Ky është procesi të menduarit te të gjitha njësitë.
Ka gjuhëtarë që përveç subjektit a predikatit përfshijnë edhe nocionin e këpujës (folja
është). Por këpuja nuk është element i gjykimit, ajo përfshihet te predikati: është e bukur, si mjet
lidhës midis subjektit dhe predikatit. Gjykimi mund të jetë: pohues, kur pohon marrëdhënie mes
subjektit dhe predikatit; mohues, kur ngjet e kundërta, nuk pohon lidhje midis subjektit e
predikatit.

2
Marrëdhëniet midis fjalisë dhe gjykimit

1. Fjalia është njësia themelore e sintaksës. Në këtë nivel ajo realizon tiparin themelor
të gjuhës, që është komunikimi. Çdo gjykim shprehet me fjali dhe nuk ka gjykim që të mos
shprehet me një material të caktuar gjuhësor – me fjali. Marrëdhëniet mes fjalisë dhe gjykimit janë
të drejtpërdrejta – nuk ka gjykim jashtë fjalisë.

2. Midis fjalisë dhe gjykimit ka paralelizma ndërtimorë, d.m.th. elementet ndërtimore


të gjykimit përputhen me elementet ndërtimore të fjalisë. Kështu, për fjalinë, gjymtyrët përgjegjëse
të subjektit dhe predikatit janë kryefjala dhe kallëzuesi. Kryefjala shpreh subjektin, kurse
kallëzuesi shpreh predikatin. Me këto dy aspekte kuptojmë se mes fjalisë dhe gjykimit ka afërsi.

3. Një aspekt tjetër i marrëdhënieve mes fjalisë dhe gjykimit është pabarazia. Jo çdo
fjali shpreh gjykim. Veç kësaj, fjalia shpreh edhe pyetje, nxitje etj., që s’janë gjykim, por forma të
tjera të të menduarit, pra këtu lind pabarazia midis tyre. Pyetja nuk është gjykim i drejtpërdrejtë,
ai del në plan të dytë. Edhe paralelizmi midis elementeve ndërtimore të fjalisë dhe gjykimit nuk
është i plotë.
 Le të japim rastin kur fjalia e gjykimi i kanë të dy elementet kryesore dhe nuk kanë
paralelizëm, pasi mund të ndodhë që subjekti të shprehet edhe nga kallëzuesi e predikati
nga kryefjala, si p.sh.: Hekuri është metal, hekuri është nocion i sendit të gjykimit (S),
është metal (P). Në këtë gjykim ajo që shënon të renë është predikati. Në pikëpamje
komunikative, në këtë rast, subjekti shënon një nocion që është i njohur e përbën
temën, ndërsa predikati shënon remën. Gjuhësisht ky gjykim shprehet me anë të
fjalisë: Hekuri është metal. Pra, kemi një lidhje të drejtpërdrejtë të kryefjalës me
subjektin dhe të predikatit me kallëzuesin – përkatësisht të dy elementeve përbërëse të
fjalisë dhe të gjykimit.
 Po ç’mund të ndodhë? Në gjykimin tonë mund të arsyetojmë edhe ndryshe, duke i
dhënë pohimit një drejtim tjetër. Hekuri është metal, pra, këtu del më e rëndësishme
rema (S)-hekuri, subjekti del si remë e predikatit-temë. Në pikëpamje logjike tashmë
hekuri shndërrohet në predikat, ndërsa është metal në subjekt, pasi është diçka e njohur
për ne. Gjuhësisht kjo marrëdhënie mes remës dhe temës shprehet me anë të thënies:
Hekuri është metal. Funksioni sintaksor i elementeve nuk ndryshon: hekuri mbeti
kryefjalë dhe është metal mbeti kallëzues. Kështu, mund të ngjasë që kryefjala dhe
kallëzuesi të shprehin subjektin dhe predikatin.

4. Një ndryshim tjetër midis fjalisë dhe gjykimit është se fjalia në shumë raste ka më
tepër se dy elemente, ndërsa gjykimi ka dy elemente kryesore. Fjalia, duke pasur më shumë se
dy gjymtyrë, mund të ketë grupin e kryefjalës dhe grupin e kallëzuesit. Subjekti logjik mund të
shprehet edhe nga kryefjala, edhe nga kallëzuesi apo edhe nga një grup i kryefjalës a nga një grup
i kallëzuesit. Po kështu edhe predikati.

3
Kështu që fjalia dhe gjykimi, duke u krahasuar midis tyre, edhe afrohen, edhe largohen.
Këto marrëdhënie të ndërlikuara duhen pasur parasysh kur analizojmë struktura të
ndryshme të fjalive në gjuhën shqipe, si dhe përmbajtjen e tyre. Në qoftë se në lidhjen e
drejtpërdrejtë fjali-gjykim “gjykimi është përmbajtja e fjalia është forma”, nga ana tjetër,
çdonjëra prej këtyre njësive ka edhe formën, edhe përmbajtjen e vet. Vetëm në këtë mënyrë e
kuptojmë faktin që gjykimi në përgjithësi është i njëjtë për të gjithë njerëzit, ndërsa fjalitë nuk
janë të njëjta. Gjuhët e ndryshme paraqesin veçori të ndryshme, p.sh.: për shqipen – ekzistenca e
fjalive njëkryegjymtyrëshe apo ato me një fjalë të vetme, p.sh.: Dritë. Si gjykim këtu kemi edhe
subjekt, edhe predikat.

3. Tiparet kryesore kuptimore dhe ndërtimore të fjalisë

Fjalia, si njësia themelore e sintaksës:


1. Së pari, është njësi e ligjërimit. Themi kështu, pasi duhet dalluar gjuha nga ligjërimi.
Sintaksa e shqipes duhet parë si sintaksa e ligjërimit e më pas e gjuhës, si rrjedhim edhe fjalia do
të shihet si njësi e ligjërimit e më pas e gjuhës. Fjalia është një lidhje fjalësh që realizohet në
procesin e ligjërimit, e gjen shprehjen konkrete në aktin e ligjërimit.

2. Kjo lidhje fjalësh arrihet sipas ligjeve të vetë gjuhës shqipe dhe me anë të këtyre
lidhjeve shprehen mendime, ndjenja, dëshira etj. Me këto tipare mund të themi se është dhënë edhe
një lloj përkufizimi i fjalisë në gjuhën shqipe, qëndrim që mbahet jo vetëm nga gjuhësia jonë, por
edhe nga të tjerët.

3. Fjalia është gjithashtu njësi e gjuhës, pasi nëpërmjet organizimit strukturor të saj, sipas
ligjeve të shqipes, fjalët që marrin pjesë në të gjymtyrëzohen sipas rregullave të caktuara, në atë
mënyrë që një fjalë a sintagmë të quhet kryefjalë etj., falë funksioneve që kryejnë. Kjo do të
përbënte anën gjuhësore të fjalisë. Pra, në nivelin e gjuhës kemi të bëjmë me procese të tjera të të
menduarit, të cilat nuk janë të njëjta me ato të aktit të komunikimit.

Le të marrim fjalinë: Erdhi avioni. Kemi dy përbërës kryesorë: kryefjalën dhe kallëzuesin.
Si thënie – kjo fjali – në situata të caktuara të ndryshme, mund të shqiptohet në mënyra të
ndryshme. P.sh., në një situatë të zakonshme, në aeroport, kur presim avionin e ai vjen para kohe,
thënia shqiptohet ndryshe nga një rast kur në të njëjtin vend, avioni vjen me vonesë. Kështu që,
me të njëjtën lidhje fjalësh mund të shprehim mesazhe të ndryshme.

4
Dy janë tiparet kryesore të fjalisë:

a) Intonacioni i përfunduar – mjet fonetik e sintaksor që e organizon fjalinë në një njësi të


vetme e të pandashme strukturore, kuptimore, funksionale etj., me anë të elementeve të
veçanta të tij, siç janë: melodika, pauzat, theksi logjik1 etj. Secili prej këtyre elementeve,
në bashkëlidhje japin fjalinë – si një tërësi e vetme. Pra, fjalia është jo vetëm njësi
ndërtimore, por edhe komunikative. Për një fjali intonacioni është i përfunduar.
Funksionet e intonacionit në fjali janë të ndryshme e shumë të rëndësishme. Në përgjithësi
mund të thuhet se fjalitë me anë të intonacionit dallohen nga njëra-tjetra. Po me anë të
intonacionit edhe të elementeve të tij segmentohen edhe kategori të tjera sintaksore, siç
janë: gjymtyrët homogjene, gjymtyrët e veçuara, fjalitë asindete etj. Ky rol i intonacionit
merr rëndësi të dorës së parë në formën e folur të gjuhës. Në të shkruar këto nocione
zëvendësohen me anë të shenjave të pikësimit, p.sh., pushimet midis fjalëve e fjalive
dallojnë gjymtyrë homogjene, që në të folur ndahen me pauza.

b) Kallëzuesia – predikativiteti është tipar tjetër dallues i qenësishëm, shumë i


rëndësishëm i fjalisë. Në qoftë se intonacioni përbën anën formale, kallëzuesia shënon
përmbajtjen e fjalisë. Nuk mund të ketë fjali pa kallëzues. Kallëzuesia mund të shprehet
me anë të marrëdhënies kallëzuesore (lidhjes me bashkëpërshtatje) kryefjalë-kallëzues, por
mund të mos shprehet me anë të saj. Më së shumti kallëzuesia gjen shprehjen formale
morfologjike me anë të foljes, veçse nuk duhet ngatërruar dhe identifikuar me foljen, pasi
folja është koncept morfologjik, ndërsa kallëzuesia mbart koncept sintaksor.
Kallëzuesia shënon marrëdhënie midis mënyrës, kohës dhe vetës, por ajo njëkohësisht
shpreh edhe një njoftim për realitetin si dhe raportin apo qëndrimin e folësit a
shkruesit ndaj këtij realiteti. Ky është kuptimi më i pranuar që i është dhënë kallëzuesisë
si një nga tiparet kryesore të fjalisë.

1
Melodika është një prej mjeteve të diferencimit të fjalive sipas funksionit të tyre në ligjërim (fjali dëftore, pyetëse,
nxitëse, dëshirore), si dhe dallon fjalitë thirrmore nga ato jothirrmore. E njëjta fjali mund të ndërrojë qëllimin e
thënies sipas vijës së ndryshme melodike me të cilën shqiptohet, p.sh.: E pyeti? Dhe E pyeti. Melodika ndihmon në
shprehjen e raporteve sintaksore midis fjalive të një periudhe, duke dalluar raportet e barazisë nga ato të pabarazisë.
Kjo duket sidomos në periudhat asindete, ku ndryshimi i melodikës çon në ndryshimin e raporteve, p.sh.: Ikën macja,
lozin minjtë. Ose: Gjeti bishtin sëpata, pyllin e mori data. Intonacioni i numërimit në këto raste tregon bashkërenditje,
ndërsa intonacioni nënrenditës shpreh raporte kushtore ose shkakore.
Pauzat luajnë rol në lidhjet e dy njësive sintaksore dhe në zbulimin e raporteve midis tyre. Zgjatja e pauzës varet nga
shkalla e lidhjes dhe e varësisë midis njësive që ajo ndan. Zhvendosja e një pauze në ndonjë rast mund të ndryshojë
lidhjet e fjalëve dhe kuptimin e fjalisë a të periudhës. P.sh.: Ç’thua ti, tani, s’mund të bëhet, mund ta ketë pauzën pas
fjalës ti ose tani.
Theksi është shqiptimi i njësive me zë më të fuqishëm, me intensitet më të madh se njësitë e tjera të së njëjtës tërësi,
për ta vënë në dukje. Kur theksi logjik përputhet me topikën, fjala e theksuar vendoset në krye të fjalisë. Theksi i
fjalisë dallohet sidomos në fjalitë pyetëse, veçanërisht kur mungon fjala pyetëse. Ndërsa te fjalia dëftore është e
vështirë të dallojmë theks logjik. Ai varet nga qëndrimi i folësit a situata ligjërimore. Por te fjalitë thirrmore dallohet
më lehtë fjala e theksuar. Prej pauzave dhe theksimit të spikatur dallohen sidomos gjymtyrët e veçuara, njësitë e
ndërmjetme e të ndërkallura etj.
Mjetet intonacionore i përkasin gjuhës së folur dhe në të shkruar, përgjithësisht, ato jepen me shenja të veçanta
pikësimi. Zakonisht, në fjali përdoren njëkohësisht disa mjete të shprehjes së raporteve sintaksore.

5
4. Klasifikimi i fjalisë sipas tipave kuptimorë dhe sintaksorë

Klasifikimi i fjalive lidhet me atë që quhet tipologjia e fjalive në gjuhën shqipe. Ky


klasifikim bëhet në bazën e disa tipareve që janë kuptimore dhe ndërtimore.

1. Sipas qëllimit të thënies (kumtimit) dallohen:


- Fjali dëftore
- Fjali dëshirore
- Fjali pyetëse
- Fjali nxitëse

2. Sipas kriterit të modalitetit (marrëdhënia me realitetin) dallohen:


- Fjali pohuese
- Fjali mohuese

3. Sipas tipareve ndërtimore veçojmë:


- Fjali dykryegjymtyrëshe
- Fjali njëkryegjymtyrëshe

4. Sipas strukturës ndahen:


- Fjali të plota
- Fjali të paplota

5. Sipas gjymtyrëzimit dallojmë:


- Fjali të gjymtyrëzueshme
- Fjali të pagjymtyrëzueshme.

Shumica e këtyre fjalive mund të jenë të pazgjeruara, kur kanë vetëm gjymtyrët e domosdoshme
dhe të zgjeruara kur kanë edhe gjymtyrë të tjera. Këta dy tipa fjalish janë variante të fjalive të
mësipërme, të cilat, siç do të shihet më tej, kanë edhe nëntipat e tyre me një larmi formash e
strukturash.

You might also like