You are on page 1of 3

Fundi i Luftës së Parë Botërore, përveç dëmeve të pallogaritëshme materiale dhe njerëzore, u

shoqërua edhe me ndryshimë të mëdha në jetën ndërkombëtare. Përfundimi tragjik i kësaj lufte
do të shërbente si katalizatorë i rritjes së përpjekjeve dhe vendosmërisë të aktorëve të ndryshëm
për ndërtimin dhe strukturimin e një bote me një “fytyrë” krejtësisht te re nga ajo e mëparshmja.
Por, produkti i përftuar pas kësaj lufte do të ishte shumë heterogjen dhe me një strukturë
“kimike” tepër të ndërlikuar, çka do ta bënte më të vështirë realizimin e dëshirës më të shtrenjtë
të popujve, atë të paqes. Megjithatë, edhe pse gjendja në të cilën ndodhej bota në këtë periudhë
ishte shumë e rëndë, përsëri optimizmi drejt një zgjidhje të sukseshme, që të garantonte një të
ardhme të sigurtë nuk u shua.

Përpjekiet dhe stërmundimet e mëdha u "kristalizuan" më pas në të ashtëquajturën Lidhja e


Kombeve, të cilën popujt e mbarë botës e panë atë si instrumentin, që do të zgjidhte
komplikacionet e jetës ndërkombëtare, që do të shmangte luftrat dhe do të garantonte paqen e
sigurinë. Por, për fat të keq këto përpjekie dhe shpresa rezultuan të pasukseshme, të cilat u
pasuan më pas me dështimin e Lidhjes së Kombeve e bashkë me të edhe të idealizmit Uillsonian.

Ky dështim erdhi si rezultat i një “vizioni shumë idealist dhe tepër utopik” mbi të cilin ato u
ndërtuan dhe, që praktikisht i bënin të parealizueshëm. Pikëpyetjet më të mëdha do të
ngriheshin nga mospërfshirja e SHBA-ve në strukturat e saj, rënia e ndikimit të Anglisë dhe
Frances në arenën ndërkombëtare, kriza ekonomike botërore e viteve 1929-33, nacionalizmi i
shfrenuar, që filloi të lindte kudo etj.

“Parimi i sigurimit kolektiv, ishte parimi bazë mbi të cilin u ngrit Lidhja e Kombeve, sipas të
cilit të gjithë anëtarët e saj duhej të vepronin sëbashku ndaj çdo vendi, që cenonte paqen, duke
ndërmarrë sanksione ekonomike dhe po të ishte e nevojshme edhe sanksione ushtarake”. Në këtë
mënyrë shpresohej se sigurimi kolektiv do të mbronte statuskuon dhe do të zëvendësonte
sistemin e vjetër të ekuilibrit të fuqisë. Por, në fakt ky koncept u venit shpejt, pasi vetë anëtarët e
Lidhjes ishin shumë të përçarë përsa i përket interesave dhe ideologjive të tyre, madje ato në
asnjë rast nuk i neglizhuan interesat e tyre kombëtare për hirë të këtij sigurimi.

“Franca dhe Britania dëshironin të ruanin territoret dhe privilegjet, që kishin fituar në Luftën e
Parë Botërore. Franca, e cila kishte Alsas-Lorenën dhe përkohësisht luginën e Sarës në
kontinentin evropian, dëshironte zbatimin me rigorozitet të marrëveshjeve për sigurimin
kolektiv; Britania fitoret e së cilës ishin përtej detit, preferonte që këto marrëveshje të mos
zbatoheshin në mënyrë strikte dhe të ishin fleksible. Midis dy Luftrave Botërore të dy vendet
patën sukses në rivalitetin midis tyre, duke e dobësuar pothuajse tërësisht ndikimin e njëra-tjetrës
në kontinentin evropian”. Kjo, solli natyrshëm dhe dobësimin gradual edhe të atij pak pushteti,
që kishte Lidhja, kur dimë se Anglia edhe Franca ishin aktorët kryesore të saj.

Nga ana tjetër, nënshkrimi i Traktatit të Versajës, do të nxirrte në shesh më tepër probleme, se sa
do të zgjidhte në realitet. “Në të vërtetë ai do të krijonte shumë minoritete, madje të zemëruar
dhe me pakënaqësi reale”. Nacionalizmi filloi të dalë në skenë në një shkallë të gjerë, sidomos të
nacionalizmi gjerman, i cili u motivua shumë nga kushtet e rënda, që i’u imponuan me
nënshkrimin e Traktatit të Paqes. Ky gjallërim në një masë të madhe i nacionalizmit e bënte
praktikisht shumë të vështirë zbatimin e parimit të vetëvendosjes, që ishte një ndër parimet
kryesore të 14 pikave të Uillsonit dhe të Lidhjes së Kombeve.

Dështimi Lidhjes së Kombeve u pa edhe “në kohën e fitores së Japonisë në Mançuri më 1932, ku
ajo tregoi se nuk kishte mekanizëm efikas sanksionesh. Ajo e rregulloi këtë mangësi, por e
ndodhur përballë agresionit italian kundër Abisinisë, ajo votoi për sanksionet, pa mundur t’i
impononte ndërprerjen e furnizimit me naftë, me parullën: “Të gjitha sanksionet pa luftë”. Kur
Austria u bashkua me forcë me Gjermaninë dhe liria e Çeksllovakisë u shua, kur Finlanda dhe
vendet të tjera balltike u pushtuan nga BS,nuk pati asnjë reagim nga Lidhja”. Ky është një
tregues i qartë, se autoriteti ligjor i Lidhjes së Kombeve ishte tepër i dobët dhe instrumentat, që
ajo zotëronte për zbatimin e paqes ishin të padobishëm.

Kriza ekonomike botërore e viteve 1929-33 sigurisht, që do t’i jepte një goditje të rëndë Lidhjes
së Kombeve. Ajo do të ngjallte një pakënaqësi të madhe tek popujt e ndryshëm të botës ndaj
mosefektivitetit të kësaj të fundit dhe do të krijonte terrenin e përshtatshëm për lindjen e
ideologjive të reja fashiste dhe instalimin e regjimeve totalitare në një sër vendesh. Kjo do të
pasohej me ringritjen dhe daljen në skenë të fuqive të mundura, siç ishte Gjermania, apo me
rritjen dhe fuqizimin e Italisë dhe të Japonisë nga ana tjetër. Ideologjia fashiste, që i përshkruante
këto shtete, si dhe ambicjet e tyre imperialiste do të ktheheshin në kërcënimin më serioz, jo
vetëm për sigurisë dhe paqen në botë, por edhe për vetë Lidhjen e Kombeve, e cila në këtë rast u
tregua e paaftë dhe e pafuqishme për të parandaluar ngritjen dhe fuqizimin e tyre.

Por, mbi të gjitha goditjen fatale Uillsonianizmit dhe Lidhjes së Kombeve, padyshim do t’ia jepte
refuzimi i SHBA-ve për t’u bërë pjesë e kësaj krijese nëpërmjet mosratifikimit nga Senati
Amerikan të Traktatit të Versajës.. Politika e jashtme izolacioniste, që ndiqte SHBA në këtë
periudhë, bënte që një pjesëmarrje e përherëshme në jetën politike botërore të dukej ende e
papranueshme për shumë amerikanë. Pesha politike dhe autoriteti i saj i Lidhjes do të binte dhe
uillsonianizmi do të futej në një rrugë pa krye. Anglia dhe Franca ishin të pafuqishme për t’u
bërë ballë të vetme sfidave të shumta të botës dhe për t’u bërë garantuese të sigurisë dhe paqes së
saj, sidomos ndaj një Gjermanie, Italie dhe Japonie gjithnjë e më agresive. “Të vetmet rezultate
të mira, kjo organizatë do t’i arrinte në fushat sociale, humanitare dhe teknike, por jo në politikë.
Carmatimi, rishikimi i traktateve dhe rregullimi i konflikteve do të mbeteshin letra të vdekura”.

Si përfundim, mund të themi se Lidhja e Kombeve dhe Uillsonianizmi dështuan sepse ato u
ngritën mbi themele të paqëndrueshme, themele të cilat u lëkundën shumë, që në hapat e parë të
tyre me mosanëtarësimin e SHBA-ve në këtë organizatë. Vetë ajo tregoi se nuk e kishte peshën e
duhur politike, nuk kishte as instrumentat ligjorë dhe as legjitimitetin për të kryer detyrat, që ajo
me plot krenari i’a ngarkoi vetes. “Autoriteti ligjorë i saj ishte i dobët dhe instrumentat, që kishte
për të imponuar zbatimin e paqes nuk ishin efektive”. Fundi Lidhjes së Kombeve dhe
Uillsonianizmit do të vinte shpejt, një fund i cili u projektua apo erdhi që në momentete para të
lindjes së tyre dhe bota do të zhytej në cmendurinë e radhës.

Literatura:

Dojç K. “Analiza e marrëdhënieve ndërkombëtare”, SHBLU, Tiranë, 1994


Kissinger H. “Diplomacia”, LAERT, Tiranë, 1999
Macmillan M. “Paris 1919”, Plejad, Tiranë, 2006
Gimberg K. “Historia botërore dhe qytetërimi 11”, UEGEN, Tiranë, 2005
Goldstein J.S. “Marrëdhëniet ndërkombëtare”, Dituria, Tiranë, 2003 Xhonson P. “Kohët
Moderne”, APOLLONIA, Tiranë, 2000

You might also like