You are on page 1of 5

“Thembra e Akcilit”, polifoni rrëfimore me tejkalim zhanri

Nga Petrit Nika

1.

Rrëfimi është akt i gjallë me të cilin janë marrë gjerësisht teoricienët e


letërsisë në kohë dhe në vende të ndryshme. Një ndër konstatimet interesante
është përcaktimi i tregimtarisë si shenjë e identitetit njerëzor. Në vazhdën e
këtyre konstatimeve që lidhen me aktin e rrëfimit, një ndër përkufizimet më
poetike dhe lakonike për rrëfimin e jep dhe formalisti rus Tzvetan Todorov
tek “Poetika e prozës”, kur thotë se rrëfimi është jetë, kurse mungesa e tij
mund të konsiderohet baras me vdekjen. Dhe referohet në aktin e rrëfimit tek
“Odisea”, e cila është një vepër me rrëfim shumplanësh, sipas tij vepra e
parë mirëfilli tregimtare.
Në fakt, ajo çka e bën të paharrueshëm Odisenë si personazh, sidomos
për një filolog, janë pikërisht procedet rrëfimore të tij, të cilat përgjatë
udhëtimit të stërmundimshëm ku heroin e përplas dallga, vijnë duke u shtuar
me histori të reja, që në fakt janë përvoja të ngjarjeve më të fundit në
humbëtirën e panjohur përplot me qenie mitologjike.
Gradualisht, duke ia dalë të përpijë interesin e receptuesit, Odiseu me
rrëfimet e tij fiton supermaci pothuajse dhe mbi vetë Homerin. Rrëfimtari
“pretendon” të identifikohet me vetë autorin. Madje gjakon të jetë më shumë
se autori. Aq shumë ndihet pushteti i këtij rrëfimtari në vepër, sa që s’është
çudi që për një moment çdo lexuesi t’i ngjajë se veprën e ka shkruar vetë
Odiseu.
Nga fillimi në fund vepra është e mbushur me rrëfimet e Odiseut mbi
përvojat dramatike të përditshmërisë së tij fantastike. Përmes këtyre
rrëfimeve ai bëhet “analist” dhe “publikues” i përvojave të tij, pa harruar
asnjëherë dhe ngjarjet tragjike të Trojës. Rrëfimet e tij shfaqen si miniatura
me temp narrativ mjaft dinamik, të cilat vijnë duke u shtuar dhe pasuruar
bashkë me përvojën jetësore të rrëfimtarit.
Ndoshta pikërisht këtu duhet ta vendosim kufirin kohor të miniaturës
si zhanër. Tek Homeri. Pra, tregimtaria për përditshmërinë. Dhe sado që
duket si sakrilegj fakti i dominimit të rolit të rrëfimtarit mbi rolin e autorit në
planin e rëndësisë së veprës, Odiseu në këtë vepër është më i rëndësishëm se

1
sa vetë Homeri. Vepra flet për Odiseun. Homeri s’thotë asgjë për veten e tij.
Aty, edhe Homeri, edhe Odiseu flasin për Odiseun, vuajtjet e tij, përballjet e
vështira gjatë udhëtimit të tij të gjatë në një botë pothuajse aspak miqësore,
të mbushur citazi me brenga, rreziqe e dredhi.
Duket, këtë ka patur ndër mend dhe Tzvetan Todorov-i kur e
konsideronte Odiseun si të parin “rrëfimtar” të letërsisë botërore.

2.

Tek libri “Thembra e Akcilit” (Tiranë, 2009), shkruar nga shkrimtari


dhe filologu Agron Tufa, mund të gjesh mjaft aspekte për të teorizuar mbi
rrëfimin si akt dhe krahas kësaj për ta analizuar tekstin si përmbajtje. Libri
në fjalë përbëhet nga ca rrëfime specifike që autori i quan miniatura. Këto
rrëfime mirëfilli nuk janë në fakt as ditar, as memuar, as letërsi, as gazetari
dhe ndërkohë janë të gjitha bashkë të shkrira në një. Në ndryshim me
“Odisean”, këtu nuk gjakon të shfaqet rrëfimtari “rival” karshi autorit, ngase
rrëfimtari është vetë autori dhe s’ka asnjë pretendim për maskimin e zërit
narrator. Ngjarjet janë të vërteta. Rrëfimi është i vërtetë. Autori është i
vërtetë. Areali historik është i vërtetë. Pothuaj gjithçka është e vërtetë dhe
vërtetë e vërtetueshme. Teksti është rrjedhojë e përvojave praktike.
Përcaktimi i gjinisë është një polifoni e vërtetë zhanrore, e cila duke qenë e
tillë, i jep liri rrëfimtarit-autor të mos krijojë tek receptuesi idenë e
monologut narrativ, por atë të një bashkëbisedimi intim autor-lexues.
“Thembra e Akcilit” është një prurje e veçantë në letërsinë shqipe, me
organizim rrëfimor e artistik, me ngjarje të strukturuara në formë
panoramike e analitike, me përcaktime kronotopesh të gjera, ku përvoja e
autorit është pasuruar në aspektin konjitiv dhe emotiv, bash me materien
specifike që e karakterizon librin.
Të gjithë akumulojnë përvoja të caktuara, të ngjashme, ose jo, në
lektisjen e gjatë të qenies në përballje me realitetin, por jo të gjithë munden
t’i kthjenë në rrëfime paravolike përvojat e tyre. Ky privilegj i takon vetëm
shkrimtarit. Dhe fatmirësisht tek shkrimtari Agron Tufa s’mund të ndodhte
ndryshe. Misioni është përmbushur. “Thembra e Akcilit” është thembra e
Akilit të secilit. Eshtë sfida e pashmangshme e qenies vetmitare, përballë
pluralitetit të verbër dhe nervoz të kësaj bote të pangopur që kërkon të
konsumojë gjithçka. Me babëzi. Deri në asgjësim.

2
3.

Në një bisedë midis shkrimtarëve latinoamerikanë Mario Vargas


Llosa dhe Gabriel Garcia Marquez, (të kthyer në shqip nga vetë Tufa),
Marquez në një moment nënvizon idenë se për një shkrimtar gjëja më
kryesore është të ndjekë misionin e vet të shkrimtarit. (G. G. Marquez & M.
V. Llosa; Dialog për romanin latinoamerikan, Onufri, 2001, fq. 30).
Miniaturat e Tufës në aspektin e rrëfimit estetik i binden zgjedhjeve letrare
ndërzhanrore, duke filluar me bejten-ese, që të kujton letërsinë pak të njohur
të bejtexhinjëve shqiptarë të shek. XVII, kur u krijua tradita e parë e
tematikës sociale dhe autobiografike në poezinë tonë; duke vazhduar më pas
me miniaturat e tipit tregimtar; tregim dhe tregim-ese; etyd (struktura të
ndryshme mikrominiaturash të kompozuara në sfondin e kornizës së të
njëjtës miniaturë); miniatura të tipit mirëfilli ese, pa harruar në fund dhe
shtojcën metatekst mbi natyrën e miniaturave në përgjithësi dhe me përgjigje
të gatshme për receptuesin mbi “psehet” kryesore të miniaturave të këtij
libri.
Pra, forma e shpërfaqjes rrëfimore-zhanrore është pothuaj në kërkim
të vazhdueshëm të risisë, evokuese e historisë së zhanreve dhe tejkalim i
suksesshëm i tyre; ndërthurje dinamike e ligjeve gjuhësore, semantike,
stilistike, nga njëra anë, me ligjësitë epistemologjike dhe psikologjike që
burojnë nga idetë e tekstit, - nga ana tjetër.
Tufa ndjek pareshtur pikërisht misionin e shkrimtarit edhe në
prezantimin e këtij zhanri, për herë të parë në kulturën e shkrimit shqip.
Vetëmse lë të nënkuptohet tërthorazi se shkrimtari i vërtetë nuk
vetëmjaftohet me formatin e ngulitur të specifikave të zhanrit, por është
gjithnjë në kërkim të një formati të ri, me specifika të reja, të panjohura, të
cilat për një shkrimtar të pamësuar, ose mediokër përbëjnë rrezikun më të
madh, ngase jo vetëm nuk i sigurojnë atij suksesin, por e nxjerrin nga kanali
i komunikimit me turpin e dështimit.
Natyra e miniaturave tek “Thembra e Akcilit” nuk shtron nevojën e
perceptimit përmes praktikash të diferencimit të lëndës në pjesë përbërëse;
gjuhë eseistike, zhargonesh, dialektesh, neologjizmash; me përmbajtje të
theksuar evokuese - poetike, apo përshkruese - narrative nga njëra anë dhe
specifikave zhanrore të veçuara nga ana tjetër, ngase ato janë të gjitha
bashkë aty, të dukshme dhe të ngjizura në mënyrë të pazgjidhshme.
Lënda artistike është një lëndë me përzierje të pasur për nga
llojshmëria e materies, e pastër dhe e veçantë nga ana e zgjedhjes dhe e
mbrujtur me finesë duke ruajtur arsyen e masës dhe të rendit logjik në tërë
procesin alkimik, i cili si njëherë, ndodh vetëm njëherë.

3
4.

Libri i Tufës përbëhet nga një vijimësi ngjarjesh të cilat shpërfaqen


gradualisht përmes një stili profirik (i ngjeshur), pa stërhollime narrative dhe
pa teprime sugjeruese apo sugjestive. Këto ngjarje ndërtojnë, ashtu krejt
natyrshëm, bash panoramën e botës shqiptare të vëzhguar nga syri i
shkrimtarit në kohë të ndryshme, që ndoshta përfshijnë harkun kohor të
tridhjetë vjetëve.
Bëhet fjalë për një panoramë, e cila bart në vetvete kumtin e
papranueshëm të një peisazhi të shëmtuar social, ku gjërat nuk funksionojnë
ashtu siç duhet. Bota dominohet e tëra nga forca destruktive në aksion.
Shkrimtari është përherë i ndjeshëm ndaj energjisë negative që çlirohet nga
këto raporte të forcave destruktive. Në këtë realitet ai ndjehet i pamundur,
pothuajse i tepërt. Si “I huaji” i A. Kamysë. Duke e shpjeguar filozofinë e
këtij pozicioni ekzistencialist, Sartri, tek libri i tij autobiografik “Fjalët”
thotë se shkrimtari, duke qenë i pamundur, ndryshon nga të tjerët vetëm prej
misionit të tij, që ka për qëllim ta tregojë këtë pamundësi, e cila sakohë
ndodh kështu, transformohet në mënyrë të madhërishme duke u kthyer në
mundësinë më intime. (Zh. P. Sartër; Fjalët, Fan Noli, 1995, fq. 225).
Panorama e këtyre miniaturave gjakon në thelb pasqyrimin e kumtit të
së pamundurës. Personat - personazhe të këtyre historive, sa kohë që janë
kështu, e kanë të pamundur të jenë ndryshe. Studentët hip-hopistë të part
time, punonjëset e bankës dhe bankomatët e tyre “hajdutë”, politikanët,
gazetarët që blihen fare lirë nga politika, persekutuesit dhe të persekutuarit,
poetët mediokër me xhaketa të vjetra, të cilët si të pamundur për të qenë të
tillë, e kanë të pamundur të rrinë pa u përfshirë në kooperativa krijuesish.
Të gjithë e kanë të pamundur, ngase asnjëri nuk është në rolin që i
takon të jetë. Të gjithë e kanë të pamundur ngase këtë mundësi iu afron
pamundësia.
Në këto kushte vetëdija intelektuale rrezikon të kthehet në armën më
të rrezikshme kundër vetëvetes. Pavetëdija bën të kundërtën; përshpejton
dinamizmin e zhvillimit të realiteteve dramatike. Për pjesën e pamundur në
pavetëdije kultura është thjesht mall tregu. Vlera e saj kushton aq sa shitet.
Vlera e çdo gjëje sot mvaret pikërisht nga çmimi i tregut. Sekreti i suksesit
qëndron tek vlera e gjërave. Tek kjo vlerë rrjedhimisht sulen të gjithë. Të
gjithë sipas mundësisë në pamundësinë e tyre. Shkalla e mundësisë në
pamundësi është thembra e secilit.
Nga ana tjetër, dështimi nervoz përcakton dhe atmosferën e zymtë të
këtyre zhvillimeve, ku kultura popullore kërkon të ruaj hegjemoni solide

4
ndaj kulturave elitare, në një botë tranzitive në të gjitha sferat e jetës. Si
revokues i kësaj panorame problematike, libri i Tufës, përveç pamjes
panoramike të këtyre realiteteve sociale, jep dhe një pamje vertikale
analitike të fakteve, faktorëve dhe faktuesve që bëhen prodhues apo
trashëgues të këtyre realiteteve.
“Thembra e Akcilit”, është historia e rrëfimtarit në raport me
personazhet, është historia e autorit dhe historia jonë në raport me botën e
madhe, përgjatë dekadës së fundit të një shekulli në mbarim dhe përgjatë
dekadës së parë të këtij shekulli të ri.

You might also like