You are on page 1of 3

Ndërmarrjet kosovare dhe Interneti

Edmond SHABANI, ECIKS, 25.06.2003

Të kesh sot ne Kosovë qasje në Internet nuk është edhe aq privilegj i madh, të provosh që përmes
Internetit ta gjesh një prodhim kosovar përfshirë këtu edhe përshkrimin e tij është njejtë si të provosh ta
dekodosh kodin gjenetik njerzor, dhe përfundimisht është më lehtë ta blesh një „Space Shuttle“ sesa një
produkt kosovar në Internet.

Të gjitha këto janë të kuptueshme. Kosova ka katër vite që ka dalur nga lufta dhe dikush mundet me të
drejtë të argumentojë që kemi ecur mjaft në këtë drejtim kur të mirren parasysh rrethanat në të cilat kemi
jetuar dhe punuar. Krahasimet më lart janë të ekzagjeruara. Sidoqoftë, kjo nuk është tema e kësaj analize.
Tekefundit shumë shpejtë ndoshta edhe do të jemi në gjendje të blejmë produkte kosovare përmes
Internetit, përfshirë këtu edhe ekzistencën e tërë infrastrukturës së nevojshme softverike bankare, por as
kjo nuk është e rëndësishme!

Çka është atëherë e rëndësishme? E rëndësishme, madje shumë, është ekzistenca e strategjive të
ndërmarrjeve kosovare lidhur me mundësitë që u ofron atyre Interneti. Nuk e kam fjalën këtu për shitje të
prodhimeve të tyre përmes Internetit, as për reklamim të produkteve sepse Interneti nuk shërben për
reklamim, madje shumë ekspertë mendojnë që Interneti nuk shërben as për marketing. Interneti është
komunikim, bisedë, dialog i secilit me secilin në tërë rruzullin tokësor dhe ndërmarrjet tona patjetër do të
duhet t’i bashkangjiten këtij komunikimi nëse në të ardhmen duan ta gjejnë vendin e tyre në integrimet aq
shumë të përfolura ekonomike rajonale dhe evropiane. Kjo është tema e kësaj anlize!

Cilat janë këto strategji dhe pse janë të rëndësishme?

Interneti dhe teknologjia që lidhej me të i kanë dhënë një shtytje marramendëse ekonomisë së shteteve të
zhvilluara gjatë viteve të nëntëdhjeta. Por çfarë është edhe më e rëndësishme se kjo, Interneti ka
ndryshuar mënyrat e biznesit. Kreativiteti në biznes është bërë shumë më i rëndësishëm sesa në kohën
para Internetit, posaçërisht në fushën e marketingut. Reklamimi klasik i produkteve në media elektronike ka
humbur në rëndësi. Është e kotë të reklamosh produktin tënd në superlativë, kur në anën tjetër blerësit
potencial kanë mundësi që në Internet të komunikojnë drejtëpërsëdrejti me ata që tashmë kanë blerë
produktin dhe të kuptojnë se sa është vlera reale e tij. Kur dikush sot është i interesuar të blejë një kamerë,
kompjutor, automobil apo çkado tjetër, vendimin nuk e merr përballë ekranit të televizorit por brenda
Internetit. Kjo ka ndikuar që kompanitë të fillojnë të komunikojnë me klientët e tyre drejtëpërsëdrejti,
përmes Internetit, dhe sinqerisht tu përgjigjen pyetjeve jo të këndshme të blerësve. Kompanitë e mëdha sot
japin shuma milionëshe në përpilimin e strategjive për Internet. Ato kompani të mëdha të cilat nuk e kanë
bërë një gjë të tillë, sot nuk ekzistojnë më!

Natyrisht se ndërmarrjet tona kosovare, për shumë arsye, nuk mund të krahasohen me kompanitë e
lartëpërmendura. E para, nuk kanë shumë produkte konkurente në treg dhe e dyta, nuk kanë me kë të
diskutojnë, pasi që numri i përdoruesve të Internetit në Kosovë është ende relativisht i vogël, kurse mallrat
e Kosovës vështirë që mund të gjinden jashtë saj. Sidoqoftë, ekziston një aspekt tjetër shumë i
rëndësishëm në rrethanat tona: „investimet e huaja“, fjalë kjo që me siguri është fjala më e përsëritur në
mediat kosovare gjatë dy viteve të fundit, pas fjalës „pavarësi“ natyrisht!

Shumë drejtorë të kompanive kosovare që njihen si pronë shtetërore ankohen në media për mungesën e
investimeve të huaja, duke shprehur gjithmonë rëndësinë jetike të këtyre investimeve. Të njejtën gjë e
bëjnë edhe qeveritarët tanë. Si arsye kryesore e mungesës së investimeve shpesh përmenden baza
ligjore, statusi i padefinuar i Kosovës dhe jostabiliteti i rajonit. Të gjitha këto qëndrojnë dhe është punë e
qeveritarëve të merren me këto probleme. Por, sa bëjnë vetë drejtorët për të tërhequr investimet? Sa bëjnë
ndërmarrjet private në Kosovë për të gjetur partnerë ose investorë të huaj? Natyrisht që edhe ata mund të
kontribuojnë, madje të jenë edhe më kreativ sesa qeveria apo UNMIK-u.

Padyshim që gjëja e parë një partner ose investor potencial do të ndërmirrte për të siguruar informata për
Kosovën dhe ekonominë e saj është një kërkim i thjeshtë nëpër Internet. Si rezultat do të ishin 4 ose 5 faqe
të kompanive e ndërmarrjeve kosovare, deri në 10 faqe të mediave kosovare dhe një numër i padefinuar i
organizatave joqeveritare, jofitimprurëse, agjencive të Kombeve të Bashkuara dhe organizatave tjera të
llojllojshme. Interneti nuk është më i rëndësishmi për ekonominë e sotme kosovare, por të paktën është i
rëndësishëm. Nëse dikush do të interesohej të gjejë më shumë informata në Internet për prodhime
bujqësore kosovare, me qëllim të investimit ose çfarëdo lloji tjetër të bashkëpunimit, do të dëshpërohej. Në
fakt, kompanitë kosovare dhe ndërmarrësit privat nuk kanë nevojë për strategji të komplikuara në Internet.
Atyre ju mungon një prezencë e thjeshtë, një ftesë për dialog, pasi që prezenca në Internet nuk është asgjë
tjetër përveç një ftese të thjeshtë për dialog!

Gjendja aktuale

Nga ajo që u tha më lart, lehtë mund të konkludohet se ndërmarrjet kosovare e kanë Internetin si të fundit
në listën e prioriteteve, nëse së paku ndodhet në listë! Në të njejtën kohë, prioritet i padiskutueshëm është
gjetja e partnerëve ose investorëve nga jashtë, qoftë për qëllime importi, investimi, ose në raste më të ralla
për qëllime eksporti. Duket se shumë pak ndërmarrje kosovare e shohin Internetin, apo thënë më saktë
prezencën e tyre në Internet, si mjet për arritjen e prioriteteve të tyre. Në realitet, përveç talentit dhe shpirtit
të tyre ndërmarrës, Interneti është një ndër mjetet kryesore në dispozicion të ndërmarrësve. Baza ligjore,
rrethanat e përgjithshme ekonomike, statusi final dhe stabiliteti i rajonit është më shumë punë e
qeveritarëve sesa e tyre.

Të kthehemi tek dialogu. Përveç mundësive që Interneti ofron në lëminë e tregtisë dhe transakcioneve, e
që realisht ndërmarrjet tona ende nuk mund t’i shfrytëzojnë, ai është edhe një mjet i thjeshtë për dialog. Një
prezencë e thjeshtë e një ndërmarrjeje në Internet, përfshirë këtu përshkrimin e veprimtarisë së tyre,
eventualisht produkteve, paraqet edhe ftesë partnerëve të jashtëm potencial për dialog dhe bashkëpunim.
Gjatë një kontakti të rastësishëm me një ndërmarrës danez, i cili kishte kaluar një javë në Internet duke u
munduar kot ta gjejë një ndërmarrje ndërtimore kosovare me qëllim të bashkëpunimit serioz e profitabil, ai
shprehu habinë e tij që një ndërmarrje e cila është në gjendje të ndërtojë ndërtesa dhjetëkatëshe në qytetet
kosovare nuk është në gjendje ta ketë një faqe të thjeshtë Interneti me numrat kontaktues.

Problemi në realitet nuk qëndron aspak te aftësia teknike, sepse sot në Kosovë ka agjencione të
panumërta e shumë kreative që ofrojnë shërbime dhe zgjidhje profesionale për Internet, shpesh zgjidhje
edhe më të mira e shumë më të lira se kolegët e tyre në perëndim. Problemi qëndron te menaxhmenti i
ndërmarrjeve që si duket ende nuk ka arritur të kuptojë drejtimin që ka marrë Kosova dhe nevojën e
ndryshimit të metodave të tyre në të ardhmen.

Nevojat për të ardhmen

Kosova dhe ekonomia e saj duhet të përfshihen aktivisht në integrimet ekonomike rajonale dhe evropiane.
Me këtë, si duket, pajtohen të gjithë, përfshirë këtu edhe ndërmarrësit. Çfarë duhet të bëjnë ata konkretisht,
duket se askush nuk e ka të qartë. Seminaret e shumta e shpeshherë të paqëlluara të organizuara nga
ndërkombëtarët ende nuk kanë dhënë rezultate të dukshme.

Një gjë që poashtu shumë shpesh mund të dëgjohet në mediat tona është edhe „mbrojtja e prodhimeve
kosovare“. Një lajm jo shumë i mirë për ndërmarrësit tanë, ndoshta edhe befasues, është se integrimet e
ardhshme ekonomike do të lënë prodhimet kosovare edhe më të pambrojtura se deri tash! Në fakt, nuk do
të jenë të mbrojtura fare. Në kuadër të marrëveshjeve për tregti të lirë në rajon dhe më vonë eventualisht
në kuadër të anëtarësimit të Kosovës në strukturat evropiane e botërore, prodhimet tona do ti mbrojë
vetëm kualiteti i tyre dhe asgjë më tepër!

Është koha e fundit që ndërmarrësit tanë të fillojnë të mendojnë më aktivisht dhe në mënyrë më kreative
për të ardhmen. Prezenca e ndërmarrjeve të tyre në Internet është vetëm hapi i parë. Kjo sigurisht se nuk
do të sillte mrekullira, por së paku do të lehtësonte sigurimin e partnerëve, ideve, tregjeve e ndoshta edhe
prodhimeve të reja kosovare. Përndryshe, do të vazhdojmë të pijmë birra gjermane e turke, qumësht
slloven, të hajmë çokollata zvicerrane e vezë greke e të paguajmë për lidhje franceze telefoni
supertështrenjëta, por vetëm në rast që për këtë të na mjaftojnë 150 Euro të pagës mujore!
(Ky shkrim i ECIKS është botuar edhe në gazetën "Koha Ditore" të datës 25 qershor 2003)

You might also like