You are on page 1of 7

SAMI FRASHËRI JERONIM DE RADËS:

SHËNIME RRETH NJË LETRE

Italo C. FORTINO
PERLA – Revistë shkencore – Kulturore tremujore
Viti IX 2004 Nr. 2 (33) fq. 57-67
Botuesi: Fondacioni Kulturor “Saadi Shirazi” – Tiranë

1. Rëndësia e letërkëmbimit.
Në rindërtimin e kuadrit të kulturës së përgjithshme të kombit shqiptar, një rol të
veçantë luan letërkëmbimi midis protagonistëve politikë dhe intelektualëve, për
vatërzimin e ideve kryesore që mbështesin formimin dhe zhvillimin kulturor dhe
politik.
Kur, më në fund, na duket tashmë i përsosur kuadri i përshkrimit historik të një
periode, ose të një faze të caktuar të jetës së një protagonisti politik ose intelektual,
zbulimi i letërkëmbimit arrin të hedh dritë të re dhe të thellojë aspekte që më parë na
dukeshin "normale".
Letërkëmbimi midis personaliteteve të planit të parë, në fushën politike dhe
kulturore, na ofron mundësinë të rilexojmë historinë e ngjarjeve dhe të kulturës me sy
të rinj, me kureshtje të veçantë, sepse nga letërkëmbimi mund të njihet aspekti më i
imët dhe disa herë privat, që jo rrallë ndikon në vendimet që merren edhe në fushën
politike ose me një fjalë tjetër në nivelin publik.
Përveç kësaj, letërkëmbimi zbulon aspekte njerëzore që historia në përgjithësi lë
pas dore dhe kontribuon të humanizojë vetë historinë duke e pasuruar me ndjenja dhe
me arsye që e bëjnë më shumë të kuptueshme. kështu historia shkëputet nga
botëkuptimi i ftohtë ku në përgjithësi kufizohet nën pretekstin e objektivitetit të
fakteve.

2. Botimet e letrave dorëshkrim


Letërkëmbimi më tërhoqi vëmendjen tashmë prej disa vitesh kur u mora me
interes të veçantë me letrat që disa shkrimtarë arbëreshë i drejtuan Jeronim de Radës.1
Nga botimi i letrave të shkrimtarëve dhe autorëve, si Zef Serembe, Mikele Markjanň,
Françesk Santori, Bernard Bilota, Anselmo Lorekjo, Enriko Cremonese dhe të tjerë, që
u drejtoheshin Mjeshtrit Jeronim de Radës, del si një tryezë e rrumbullaktë ku rrahen
çështjet më të rëndësishme të kohës së tyre, dmth, të gjysmës së dytë të shekullit XIX.
Çështjet, që sot janë prerogativë e historisë, autorët e sipërpërmendur i përballonin me
ide të ndritshme, me pasion, me njerëzim dhe nganjëherë edhe me shumë preokupim.
Nga kjo tryezë e rrumbullaktë e zërave të ndryshëm të protagonistëve të kulturës
arbëreshe, lexuesi ka një pamje më reale dhe më të drejtpërdrejtë të zhvillimit të
ngjarjeve dhe të formimit të historisë, siç e lexon ai në librat që mësojnë historinë, në
mënyrë zyrtare.
Vitin e kaluar, botova 45 letra që Jeronim de Rada i shkroi studiuesit, profesorit
italian të njohur Anxhelo De Gubernatis, 2 nga të cilat rrjedhin shumë të dhëna që
hedhin dritë mbi dy protagonistët që luajtën një rol të veçantë në panoramën e kulturës
arbëreshe dhe italiane. Përveç kësaj, në të njëjtin numër të revistës "Microprovincia",
ku unë botova këto letra, një studiues tjetër, Mikelanxhelo La Luna, u mor me
letërkëmbimin midis Jeronim de Radës, Nikolň Tomaseos e Çezare Cantůs, ku flitet
për marrëdhëniet e De Radës në nivelin europian.3
Më në fund, mbasi është një lajm i freskët, kujtoj që edhe në Universitetin e
Napolit "L'Orientale" para dy muajsh qeshë relator i një teze, të mbrojtur nga
kandidatja Merita Bruci e Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Tiranës, që paraqet
të gjitha letrat origjinale që Elena Gjika i shkroi J. De Radës.
Çfarë mund të thuhet, pas leximit të letrave të sipërpërmendura?
Nga këto letra rrjedhin disa aspekte të politikës së kohës në përgjithësi, të
kulturës dhe të politikës kulturore që kanë shumë interes për rindërtimin e historisë.
Ja disa shembuj:
Së pari: këto letra shtrojnë problemin e gjuhës shqipe; problemin e njësimit të
alfabetit shqip; mundësinë e bashkëjetesës së varjanteve gjuhësore, së bashku me
prirjen dhe procesin e njësimit të gjuhës kombëtare.
Së dyti: marrin parasysh nevojën e zhvillimit të prodhimit letrar, sepse çdo komb
duhet të ketë një letërsi e cila cilëson identitetin e një komuniteti me një gjuhë të
veçantë, me tradita të vetat dhe me një histori që mund të konsiderohet sintezë e
identitetit kulturor të folësit.
Së treti: lidhur me problemin e përgjithshëm të letërsisë rrjedh interesi për
letërsinë popullore që ka një rëndësi të veçantë në arealin ballkanik, si edhe në atë
arbëresh.
Së katërti: ndër shkrimtarët arbëreshë, nga përsjatja mbi vlerësimin e kulturës
arbëreshe dhe nga lufta për bashkimin e Italisë, rrjedh, analogjikisht, përsjatja mbi
vlerësimin e kulturës së mëmëdheut dhe prandaj mbi të drejtën e pavarësisë. Me fjalë
të tjera rrjedh çështja kombëtare globale.
Së pesti: nga leximi i letrave rrjedh përmasa europiane e interesave të De Radës.
Si e mbështet edhe në artikujt që ai vetë botoi në revistën "Fiamuri Arbërit", çështja
kombëtare shqiptare duhej të sillej në nivelin europian, sepse pikërisht nga
sensibilizimi i opinionit të personaliteteve të nivelit europian mund të rridhte
rrugëzgjidhja e drejtë e çështjes kombëtare shqiptare.
Prej kësaj, marrëdhëniet me Viktor Hugoin, me Alfonse De Lamartin-in, me
Fčdčric Mistral-in, me G. C. Camet-in, Me Herbert John Gladston-in dhe me Laios
Podhorsky-n, si edhe me Elena Gjikën dhe të tjerë.
3.De Rada e Thimi Mitko
Marrëdhëniet midis De Radës dhe intelektualëve janë dëshmi e vëmendjes së
Poetit arbëresh për çështjet politike, kulturore dhe shoqërore të arbëreshëve dhe të
shqiptarëve. Nëse marim parasysh letërkëmbimin e De Radës me Thimi Mitkon,
shikojmë se çështjet më të rëndësishme u rrahën me kujdes, me entuziazëm, me pasion
dhe me inteligjencë.
Thimi Mitkoja prej fillimit të letërkëmbimit flet për rëndësinë e gjuhës dhe të
kombësisë si elemente që luajnë një rol të veçantë në fazën e rindërtimit të ndërgjegjes
kombëtare. Jemi në vitin 1879 kur shtrohej çështja e integritetit territorial të
Shqipërisë, dhe Mitkoja i thotë De Radës, dhe jo vetëm De Radës por edhe Françesko
Krispit dhe Pietro Kjaras, dy arbëreshë nga Siçilia, i pari në atë kohë Kryeministër, se
Grekët synojnë të zgjerohen deri në Berat.
Dhe këto probleme i diskutonte njëkohësisht me arbëreshët dhe me shqiptarët,
sidomos me Abdyl Frashërin, që citon vazhdimisht në të njëjtat letra.
Nga ky letërkëmbim del i qartë qëllimi që ndiqnin këta intelektualë, dmth
bashkimin e të gjithë shqiptarëve. Mitkoja e thotë me bindje e me fjalë të hapura kur
pohon se vepra e tij, "Bleta shqiptare", me krahë të miqëvet, do të shërbenjë e do të
punonjë për gjithë këto punëra për të bashkuarë muhametanëtë e të krishterët
shqyptarë, për të helqurë me ne, shqypëtarët e Eladhës edhe për të ndërtuarë gjuhën
tonë.4
Në një letër të vitit 1880 Mitkoja përveç problemeve të ndryshme që i përkasin
çështjes kombëtare njofton De Radën edhe për marrëdhëniet me Sami Frashërin, të
cilin e paraqet si "vëlla i vogël i Abdyl beut", duke përcaktuar se ishte "krei i Komitatës
shqyptare në Kostantinopolë".
Është interesante të vihet në dukje edhe disponueshmëria e Mitkos ndaj De
Radës, kur i thotë që, nëse De rada ka në plan të shkojë në Shqipëri ai do t'ia
rekomandojë Abdyl Frashërit, i cili do ta presë në Prevezë dhe do ta ketë si vëlla.
Nga letrat në mund të dimë sa njoftime dhe lajme De Rada pati për revistat që
botoheshin në atë kohë, për adresat e personaliteteve që mund ta interesonin, për veprat
që botoheshin, për çështjet politike dhe strategjiike. P.sh. përsa i përket lëshimit
(cedimit) të Janinës Greqisë, Mitkoja nuk ngurron të thotë që Europa "ka bërë të
madhe paudhëri të japë Janinën Greqisë", kur Sqypëria nukë do lëshonjë me të mirë
(colla buona maniera) Janinën".5
Për më tepër, problemi gjuhësor lidhur me krijimet letrare përfaqëson një kapitull
të veçantë që duhet, në një rast tjetër, të përballohet sepse ka rëndësi jo vetëm si lajm
për të kuptuar interesin për letërsinë dhe për gjuhën në përgjithësi, por edhe për
filologjinë dhe për semantikën e varianteve gjuhësore. Një shembull e hasim në letrën
ku Mitkoja i shkruan se do të fut në pjesën e dytë të "Bletës shqiptare" tri ose katër
këngë të nxjerra nga vepra e De Radës "Skanderbeku i pafan", por i rrëfen që "janë
disa fjalë ndër ato që s'munt t'i kupëtonj!.6 Mund të vazhdohet me shënime që
megjithëse mund të konsiderohen si shënime të shkurtra japin, megjithatë, një
panoramë të një mozaiku të kulturës, ose më mirë të lëvizjes së mozaikut në fazën e
ndërtimit të kuadrit të përgjithshëm.

4. De Rada dhe Sami Frashëri


Mirëpo, tani le t'u hedhim një shikim marrëdhënieve midis De Radës dhe Samiut,
për të kuptuar akoma më mirë rëndësinë e lëtërkëmbimit në rindërtimin e historisë dhe
sidomos për vlerësimin e aspekteve njerëzore, gjithmonë të pranishme në marrëdhëniet
midis njerëzve, por që fatkeqësisht nuk duken (nuk dalin në sipërfaqe) në përshkrimin
e historisë zyrtare. Me fjalë të tjera prirja tani është që të njerëzohet edhe historia për ta
bërë më objektive, dmth. më të ngjitur me zhvillimin real të ngjarjeve.
Siç dimë në vitin 1954, me rastin e 50 vjetorit të vdekjes së Sami Frashërit,
"Buletini për Shkencat Shoqërore" (Botim i Institutit të Shkencave, II, Tiranë, 1954, ff.
114-116) botoi një letër që Samiu i shkruante Jeronim De Radës nga Konstantinopoja
më 20 shkurt 1881, kur akoma De Rada nuk kishte filluar të botonte revistën "Fjamuri
Arbërit".
Më vonë, me rastin e 100 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, prof. Zija
Xholi na paraqet përmbajtjen e kësaj letre, duke e përcaktuar si "dokument i
patriotizmit luftarak", duke e futur si kapitulli i III në vëllimin "Sami Frashëri (Nga
jeta dhe vepra)" (Shtëpia Botuese "8 Nëntori", Tiranë, 1978, ff. 28-38).
Pse unë e ripropozoj tani me rastin e 100 vjetorit të vdekjes së Samiut?
Për tri arsye:
së pari sepse kjo letër i është drejtuar Poetit arbëresh Jeronim De Radës, i cili
vdiq një vit më parë se Samiu;
së dyti sepse edhe sot ruan një rëndësi të jashtëzakonshme, parë nga pikëpamja
politike dhe kulturore,
së treti sepse kjo letër më nxit të kërkoj letra të tjera që De Rada i shkroi Samiut,
për të rindërtuar mozaikun e plotë të marrëdhënieve të tyre dhe për të kuptuar arsyet e
pyetjeve dhe të përgjigjeve, me qëllim që të interpretohen në mënyrë më objektive
ngjarjet dhe çështjet që u përkasin njerëzve, duke konsideruar fjalën "objektiv" jo si
diçka të ftohtë, por si pasqyrë besnike të ngjarjeve që realisht ndodhën, me gjithë
referimet, dhe, me fjalë të tjera, me të gjithë kontekstin brenda të cilit zhvillohet një
ngjarje. Mund të shtoj vetëm që për një lexim objektiv të fakteve historike, ftohtësinë
duhet ta ruajë autori i përshkrimit të historisë, për të garantuar pasqyrimin e
objektivitetit të të gjitha palëve, megjithëse edhe në këtë rast, kur nuk tradhtohet thelbi
kryesor i faktit, një farë ngyre, të nxjerrë nga vetë konteksti që po përshkruhet, bën më
të kuptueshme dhe më të këndëshme faktet që po tregohen.
5.Botëkuptimi i letrës
Qysh në fjalët e para hyjmë në dijeni që letërkëmbimi midis De Radës dhe
Samiut zgjat që prej kohe, nëse Samiu i thotë që i përgjigjet dy letrave që kishte marrë
më 28 Shënmërtiri (Nëntori) dhe më 2 Shkurt.
Lexoj me habitje si në atë kohë arrinin në Shqipëri - e në rastin të veçantë edhe
në Konstantinopojë - vepra të botuara disa vjet më parë nga De Rada ose nga autorë të
tjerë. Me të vërtetë Samiu lajmëron de Radën se ka "kënduar që moti" Rapsoditë e
mbledhura nga De Rada vetë, si edhe kërkimet e tjera për gjuhën dhe për ringjalljen e
kulturës arbëreshe dhe të kulturës shqiptare në përgjithësi.
Një referim i veçantë është ai për Gramatikën e Zef De Radës, i djalit të
Jeronimit, të botuar pikërisht para dhjetë vjetësh, më 1871 në Firencë.
Qarkullimi i librave vënte në qarkullim edhe idetë, botëkuptimet e studiuesve,
dhe pikëpamjet për çështjet gjuhësore ose letrare.
Në fakt De Rada me ngjasë i kishte propozuar Samiut alfabetin që ai vetë
përdorte në veprat e tija - natyrisht me të gjitha problemet e varianteve të nevojshme -
për ta përhapur edhe midis shkrimtarëve të tjerë shqiptarë, ndoshta sepse nuk njihte me
saktësi gjendjen e përhapjes së përdorimit të alfabeteve të tjera në botën shqiptare.
Me të vërtetë, Samiu duke iu përgjigjur "për punët t'allfabetësë", e njofton se
(janë fjalët e tija) "Allfabeta, që ka bërë shoqëria jonë na duket se është shumë e leht' e
e plotë, edhe gjuha jonë shkruhetë me të fort mirë. Kjo allfabetë - thotë ai - ësht' edhe
e pëlqyerë e e dheksurë prej gjithë Shqiptarëvet, e sot ësht' e përhapur në për gjithë
Shqipërinë. Prandaj na duket që s'është nevojë të kërkojmë tjatërë allfabetë".7
Këtu duhet të bëj një shënim: De Rada, për sa i përket përdorimit të alfabetit
duhet të themi që nuk ndryshoi mendim. Më vonë, në fakt, pas katër vitesh, me rastin e
Kongresit gjuhësor të Koriljano Kalabros, ai u propozoi kongresistëve të pranonin
alfabetin e vet për ta përdorur si alfabet i vetëm. Dmth. nuk mori aspak parasysh fjalët
e Samiut, dhe vazhdoi në mënyrë autonome në drejtimin e vet.
Kjo mungesë bashkëpunimi në fushën e alfabetit të përbashkët do të vazhdojë
edhe më vonë, edhe pas Kongresit të Manastirit, nëse mbajmë parasysh që edhe Poeti
Zef Skiroi, Plaku, nuk pranoi përdorimin e alfabetit të miratuar në atë Kongres, dhe
vazhdoi të përdorte disa germa të vetat.
Me që ra fjala, më lejoni të ju tregoj që mes Arbëreshëve thuhet, edhe sot, se çdo
fshat, çdo katund është si një republikë autonome, me ligjet e veta, dhe është xheloz
për këtë autonomi, si në mesjetë ishin qytetet bregdetare.
Me gjasë, De Rada, në letrën e tij, i kishte folur për botimin e një reviste në
Shqipëri, për të përhapur çështjet e ndryshme të kulturës, të gjuhës, dhe të politikës së
kohës. Samiu i përgjigjet aq për vështirësitë e botimit të revistës, sa edhe për gjuhën që
duhej të përdorej në atë revistë.
Për pikën e parë ai thotë qartë se Turqit nuk i kanë dhënë lejen për ta botuar.
Është interesant arsyeja e mospranimit: sepse, thotë Samiu, Turqit nuk duan
"zgjuarjen e Shqiptarëvet edhe lindjen e Shqipërisë", por duan t'e kenë "të flejtur' e të
verbërë".8
Por Samiu ka shpresë se gjithsesi një revistë do të arrijnë ta botojnë, dhe ka ide të
qarta edhe përsa i përket problemit të gjuhës: Sipas tij duhet të përdoret një gjuhë e
vetme, një gjuhë të përbashkët, dhe jo "gjuhëra shumë", si shkruan ai.
Pikë së pari: ai shtron problemin politik të përdorimit të një gjuhe të vetme, dhe
jo të dy gjuhëve, p.sh. shqip, turqisht ose greqisht, sepse Shqipëria duhet të jetë një dhe
e pandarë.
Pastaj kalon të rrahë çështjen e varianteve dialektore: metoda që ai përdor për të
bashkuar dialektet në një gjuhë të vetme ka patjetër ndonjë interes.
Qëllimi është rindërtimi i gjuhës dhe pasurimi i saj, duke marrë parasysh, jo
vetëm dy dialektet kryesore, gegërishten dhe toskërishten, por edhe të folmet e
Kolonive.
Rindërtimi dhe pasurimi i gjuhës, në njërën anë, lejon që të arrihet në një gjuhë
të vetme, të njësuar, duke u mbështetur në variantet e ndryshme; për anën tjetër, lejon
që të pastërtohet gjuha nga huazimet e nevojshme dhe të panevojshme.
Është e dobishme dhe e këndshme të dëgjojmë se si tingëllon gjuha e Samiut dhe
me sa qartësi ai shpreh këtë mendim: Ja fjalët e tija:
- Vërtet sot kemi disa dialekta, po këto nuk janë të huaja njëra nga tjatra; po ca
nga frazet' edhe nga fjalët e gjuhësë janë humburë me ca anë të Shqipëris' e të
Kolonive e kanë rojtur me ca anë të tjera;
shumë fjalë, fraze e mbrujtime - ndër kllapa shpiegon me fjalë greke kuptimin e
fjalës "mbrujtime" - (σχηματισμοι) formazioni të fjeshta e të mira që rojnë në Shqipëri
janë humburë në për Kolonitë (a Kolonjat), kshtu edhe në mest të Gegërisë e të
Toskërisë edhe të ngatëresavet (les provinces) të sicilies-do;
me të mbledhurë të gjithë këtyre fjalëve e frazeve bashkë, edhe gjuha shqip do të
bëhetë e begatë (riche) e e-gjerë, e do shpëtonjë nga të pasurit nevojë me fjalë të
huaja; edhe gjithë dijalektat do të gjendenë të gjitha të baskuara e të përzjera".9
Duke lexuar këto fjalë të Samiut më vijnë në mend fjalët e Zef Skiroit, Plaku i
cili në botimin e tretë të poemës "Mili e Hajdhia", për gjuhën e përdorur shkruan se "u
orvat të mbështetej në dy dialektet kryesore të Mëmëdheut, pa lënë pas dore
nëndialektet, duke mbajtur parasysh edhe të folmet arbëreshe; me qellim të
kontribuojë, në mënyrën që ishte e mundshme, në formimin e një gjuhe letrare
kombëtare".10
Për disa aspekte - sidomos për sa i përket leksikut - në kuadrin e zëvendësimit të
fjalëve të huaja me fjalë shqipe - mund të citojmë këtu kërkimet e botuara në revistën e
Akademisë "Gjuha jonë", por edhe disa studime që kanë dalë në shtypin e përkohshëm
atbëresh me titull "Restauri linguistici" - mendimet e Sami Frashërit dhe të Zef Skiroit
kanë një farë aktualiteti, në drejtim të vlerësimit të pasurisë gjuhësore autoktone,
përballë prirjeve të futjes në shqipen të fjalëve dhe shprehjeve të marra nga gjuhë të
huaja, shumë herë në mënyrë pedante dhe të panevojshme, kur dimë se shqipja ka
mundësi të brendshme për të përmbushur nevojat e veta leksikore.
Një aspekt tjetër që më duket i dobishëm të vëhet në pah është botëkuptimi që ka
Samiu për rindërtimin e vëllazërimit shqiptar, dhe së bashku me vëllazërimin, për
bashkimin dhe për rilindjen ose ringjalljen, siç e quan ai, të Shqipërisë.
Kjo është patjetër detyra e Lidhjes së Prizrenit, por nuk mund të realizohet
plotësisht, pa përfshirë në këtë projekt të gjitha komponentet që formojnë botën
shqiptare.
Për sa i përket konceptit që fetë në Shqipëri nuk janë pengesë për bashkimin e
Shqiptarëve, dhe për sa u përket ndarjeve midis Shqiptarëve që synonin të krijonin
artificialisht sa Grekët aq edhe Turqit, si edhe "Shqehet", siç i quan Samiu Serbët, një
analizë e përpiktë e gjejmë në komentin e letrës që bëri Zija Xholi.
Dhe unë nuk shtonj asgjë.
Dua vetëm të vë në dukje, përkundrazi, thirrjen për bashkëpunimin e të gjithë
shoqërisë shqiptare, ku përfshin edhe arbëreshët.
Samiu kishte ide të qarta; ai thotë se qëllimet kryesore të shoqërisë shqiptare
ishin: 1) "të ngjallurit të gjuhëse shqip"; 2) "të bashkuarit të djalektavet t'asaj"; 3) "të
ndritësuarit të kombit tonë" (janë fjalët e tija), që ishte një punë që ai konsideronte
"shumë vjejturë e e shenjtëruarë".
Ai dinte poaq mirë se kjo punë nuk mund të realizohej pa bashkëpunimin e
intelektualëve mendjendritur, si De Rada, dhe si intelektualë të tjerë që vepronin në
Shqipëri, në Kolonitë (Ngulimet) shqiptare të Italisë dhe gjetkë.
Ideja e bashkëpunimit ishte, patjetër, ide fituese.

Përfundim
Si përfundim, më lejoni vetëm të bëj pak vërejtje:
1) Konstatova pasurinë e domethënies së kësaj letre, ku në mënyrë sintetike
Samiu i shtron mikut, De Radës, çështjet dhe problemet kryesore të politikës kulturore
të asaj kohe: problemi i bashkimit të Shqiptarëve; i mbrojtjes së kufijve; problemi i
politikës së kombeve fqinj kundër Shqipërisë; i strategjisë së autonomisë dhe/ose të
pavarësisë; dhe shumë probleme të tjera që i përkasin qeverisë së Shqipërisë autonome
ose të pavarur;
2) më habit sasia e të dhënave dhe e çështjeve që përmban kjo letër dhe denduria
e marrëdhënieve të protagonistëve të fazës së rilindjes (Abdyli, Samiu, Pashko Vasa,
Thimi Mitko, e të tjerë);
3) konstatova mundësinë e vërtetimit të të dhënave që lexohen në letërkëmbimet
me lajmet që lexojmë edhe nëpër revistat e kohës. \
Në fund, falë rastit të kësaj Konference Shkencore për Sami Frashërin, futa në
planin tim kërkimor edhe thellimin e kërkimit të letërkëmbimit të plotë midis Samiut
dhe De Radës, sepse tashmë po punoj për të botuar një vëllim me të gjitha letrat e
dërguara dhe të marra nga De Rada.
Jam i sigurt që në këtë mënyrë mund të hidhet dritë e dorës së parë, dhe në një
farë mënyre të veçantë dhe pothuajse origjinale, mbi kontekstin politik dhe kulturor që
është në themel të Shqipërisë së re dhe moderne.

You might also like