You are on page 1of 4

Ledi Shamku Shkreli

PËR SHQIPEN DHE DUART QË E SHKRUAN


(Kur një gur varri thyen heshtjen)

Ka Shqipja një shprehje: “ç’më rri ashtu si gur varri?”, çka na kallxon se
personi “i gurosur” nuk thotë asgjë po vetëm hesht.
Po ka edhe gurë varri që e thyejnë heshtjen, si ky gur këtu që pashë në
Kishën e Shena Prendes në Balldrê.

Dorësëpari në të lexohet:
“Gjelosh Marashi 1813 - 1873”

Kush tha se Shqipja nuk është shkruar prore? E nuk është lexuar poaq?
Ndoshta mëdyshemi ngaqë presim traktate filozofie, drama heronjsh
ngadhnyes mbi mortjen, blej e fashikuj kronikash... Ku i dihet, një ditë
edhe dalin, po deri atë ditë mjafton me lexu përreth e me e kuptu se
pavarësisht ndalesës nga Porta e Lartë e pavarësisht primitivizmit ku i
takoi me rreshqitë, shqiptarët e skalfitën gjuhën e tyre dhe e panë atë.
Ky epitaf është shkruar me alfabet paramanastirian kuptohet (jemi afro 35
vjet para Kongresit të Manastirit). Disa alfabete ishin në qarkullim dhe
synohej drejt një alfabeti modern, të thjeshtë e latin.
Siç dëshmojnë atbotë edhe letrat e drejtorit të buletinit “Elçia i Zemrës
Krishtit” kërkohej një alfabet pa germa greke si ai i Stambollit, jo aq i
gjatë sa ai i Bashkimit, e pa shenja të veçanta si ai i Agimit. Pra, ndërkohë
që shkruhej, kërkohej më e mira.
Te ky gur janë dy germa të veçanta “š” dhe “gj”-ja realizohet përmes
bashkimit shqiptimor me “i”-në.
Ka shumë mundësi që gurggdhendësi të mos ketë ditur shkrim e lexim,
ngaqë i ka skalitur germat më fort si piktograme se si grafema, duke iu
permbajtur besnikërisht pjerrësisë së vijës mesore të shtatës (pjerrësi
tipike e shkrimit të dorës), apo ka interpretuar hutueshëm kthesën e
brendshme të “G”-së pa e kuptuar mirë a është e vijuar apo thjesht një
vizë e veçuar tejshkuese”. E po ashtu “Š”-në e ka parë më fort si rrufé
zigzake sesa si gjarpërushe me theks lart. Vëzhgime mund të bëhen edhe
për madhësinë e “O”-së si një rrethorkë e vogël e strukur. Me pak fjalë,
po të doja ta imagjinoja krejt këtë proces këtu e gati njëqindepesëdhjetë
vite të shkuara do shihja me sytë e mendjes priftin që i jep vojimin e
mbramë Gjelosh Marashit në banesën e vet aty ballë Drinit (Balldrê).
Trishtimin e robve të tij teksa e përcjellin këtë burrë ende të ri për në vorr.
Kthehen pasi ja kanë ba shartet dhe pajtojnë një skalfitës (gurgdhendës)
pse “shqiptari e don nji gur mbi kry mos me i hup emni e gjurma”.
Skalfitësi pyet si po e duan at’ gur - me kryq sigurisht duke pa besimin e
zonës, dhe prifti ja shkruan në nji copë letër se çfarë të gdhendë brenda
krygjës së rëndë: emrin, mbiemrin, datëlindjen e datëvdekjen. Bën
përshtypje se prifti nuk zgjedh ta shkruajë “Julius” siç do ta kishte shënu
në librat e pagëzimit në regjistrat e kishës, por e shkruan “Gjelosh” siç
miq e dashamirë e armiq e kanë thirrë. “Vulgus dict Gjelosh”. Prifti ka
gjasa të jetë i ndërgjegjshëm se po e shkruan për syrin përkujtues të
balldrenasve e jo për rendin ortografik të dokumentave kishtare.

Këtu mbaron “puna” udhëzuese grafike e priftit.

Por ka edhe një shenjë tjetër kjo krygjë e hirtë e Shena Prendes se
Balldrenit. Aty lart vihet re një kryq i vogël me një rreth sipër. Atë e din
gdhendësi vetë, atë nuk ia thotë prifti. Ai rreth mbi kryq është rrota
diellore të cilën e hasim qysh ndër vorre ilire e që simbolizon edhe
lindjen e jetës. Dielli si lemje e hana si perëndim pra shuemje - simbolet
pagane të gjindjes sonë, të cilat shkrihen butë me ato të mëvonat të
krishtera, duke u bërë dëshmitare të autoktonisë së këtij populli të
pandërpremë në rrojmen e vet këtu në këto troje. Kryqi me rreth a me
rrotën diellore të kujton gjithaq edhe kryqet e lashta kelte me rrotë
diellore që mund t’i shohësh bri kishave të vjetra në preritë e Irlandës.
Gdhendësi këtë e din vetë edhe pa pasë kaptu kurrë kufijtë e Balldrenit të
vet. E din siç dihet tradita.
Kërshëror është edhe fakti se dikush vëren në teknikën e gdhendjes llojin
e shkrimit me thellim dhe germa pozitive, tipik ky për kaligrafinë e
mbishkrimeve osmane. Duke u ndalur te ky element vëzhguesi kërkon të
tërheqë vëmndjen drejt ndonjë ndikimi të mundshëm ne mjeshteri prej
punishteve të shkollës osmane. Kjo hipotezë vlen të merret në vështrim
sidomos po të mbahet parasysh se varreza mbi kodër (pra jo ajo ndanë
hijes së Kishës) është varrezë e përzierë, me muslimanë e katolikë, të
varrosur sigurisht në parcela të mëvetësishmë, por që ndahen mes tyre
thjesht nga një rruginë në mes. Të njëjtët mjeshtra gurgdhendës ka gjasa
të kenë shërbyer në të dyja anët e rruginës ndarëse.

Sa shumë heshtje thyen një gur varri! Mjafton me u ul gjunjazi pranë tij e
me mbajtë vesh. Jemi të rrethuar nga shenjat tona. Duhen thjesht sy me i
pa, shpirt me i dashtë dhe veshë me u dëgju këngën arbnore.

You might also like